Skip to main content

“Sot unë dua të besoj në atë për të cilën luftuam!” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Sot unë dua të besoj në atë për të cilën luftuam!” plus 2 more Telegrafi Opinione


Sot unë dua të besoj në atë për të cilën luftuam!

Posted: 14 Jan 2022 09:30 AM PST

Albert Vataj

Sot unë dua të besoj, por të gjithë altarët pluskojnë ende në baltën përparëse të së keqes, diskriminimit dhe denigrimit, në batakun e shpresëhumbjes dhe në tashmërinë e papajtueshmërisë me ata që besojnë te idealet dhe kauzat e lartësuara në qëllim.

Sot e 32 vjet më parë, më 14 janar 1990, qyteti im, Shkodra, s’deshi të ishte i pari, por mbeti filluesi i numërimit mbrapsht i orës së fatkobit të kuq. As ata nuk do të besonin se e drejta për drejtësi do të zgjonte në zemrat e tyre atë që shpirtrat kishin gatuar me zjarrin e një zemërate që ziente ndërkohjeve e hukamave të Golgotës së Gulagut komunist.

Koha u dha të drejtë atyre që ndalën kohën e një regjimi që përpëlitej në grahmat e fundit, atyre që guxuan më shumë se sa mundën, që rrezikuan gjithçka për të marrë asgjë në këtë betejë kauzash dhe ngadhënjimesh. Vitet numëruan dhe së bashku me ta rrëzimet, dhe nuk u dhanë, qëndresa e tyre ishte më e thellë se zhgënjimi që pillte nga e keqja.

U ringritën për të provuar sërish, u ndeshën dhe beteja që u mbeti të bënin nuk ishte thjeshtë lufta e tyre ishte sfida e një gjenerate, ishte ndërtimi i një shprese mbi rrënoja, dhe … asgjë nuk do të shkonte në udhën e përpjekjeve. Ndalime e pengime të tjera i zunë pritë atij vërshimi dhe… askush nuk mbeti pa fituar, e të gjithë dolën të humbur, për tu bërë garant i një sistemi antivlerë, i një regjimi shtypës dhe denigrues, i një kohërendje që përligj çdo ligësi, mjafton që padrejtësia të kishte të drejtë mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë, edhe mbi ata që guxuan atëherë dhe pëndueshëm besojnë sot se lufta e tyre ishte e rreme.

Ndoshta fati zgjodhi të ishte kaq mizor me ata që gjithçka që humbën, prej më të shtrenjtës së shenjtëruar në vullnesën e tyre të mirë ishte besimi, besimi në atë për të cilën ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën.

E, megjithatë, 32 vite kanë ikur, tre dekada përpjeke dhe sprova kanë shteruar në asgjësimin e asaj ëndrre që mori zjarr atëherë kur të gjithë ata që guxuan do të digjeshin, e megjithatë guxuan. Dhe është guximi i tyre që na bën sot me faj, të gjithëve, të gjithë atyre që në një mënyrë apo në një tjetër bënë që ajo ëndërr që ata besuan të mos mund bëhej kurrë realitet.

Sot pas 32 vitesh ende kemi kaq shumë trazim e zemëratë, sa do na duhet më shumë guxim për të ngritur krye, sepse na duhet të ngremë krye mbi veten, mbi tërbimin e atij zjarri, e ta ndërsejmë mbi kobin e kësaj nate ndjellakeqe plebenjsh, të cilët me kultin e poshtërsisë dhe perversitetit, ngritën këtë karabina poshtërimi dhe denigrimi ndaj vlerës dhe dinjitetit, shitën dhe blenë gjithçka me duart të ndyta e shpirtra të shteruar prej amokut.

Sot unë dua të besoj, por asnjë altar nuk është ngritur mbi baltën dhe përmjerrjen e abuzimit, plaçkitjes dhe masakrimit, të çdo vlere dhe virtyti, me të cilën u ushqyem atëherë kur s’u ngopëm as me bukë. Edhe unë jam fajtor për këtë katandisje të fatit tim, tëndin, të të gjithë atyre që patën një ëndërr që na e vranë ende pa lindur.

E megjithatë unë besoj dhe lëvdoj atë vepër kurajoje që zuri fill 32 vite më parë, për të mbetur atëditë e sot flakadan i zemrave zjarrmëtare të lirisë.

Ajo për të cilën u ngritën djemtë trima të Shkodrës 32 vite më parë, ajo tek e cila ata besuan, ajo për të cilën ata u gjykuan, u dënuan dhe vuajtën, nuk ishte që pushtetin e Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë ta rimerrnin komunistët, bijtë e etërve gjakatarë, të cilët ndryshe nga baballarët e tyre, janë më të paskrupullt, më të pamëshirshëm, më hipokritë, më djallëzor dhe më të këqijtë për fatet e vendit.

Ku ishim, çfarë bëmë dhe ku përfunduam? Zemërthyer e shpirtlënduar, të përdorur dhe të fyer, të mashtruar dhe të denigruar, të mënjanuar dhe të poshtëruar. Sërish edhe sot pas 32 vitesh me të njëjtën arsye si para 32 vitesh, për t'u ngritur në këmbë, për të ngritur zërin, për të guxuar dhe për t'u ndeshur edhe me të bijtë si me etërit.

 

The post Sot unë dua të besoj në atë për të cilën luftuam! appeared first on Telegrafi.

Monolog i qëndisur i punëtorit të higjienës

Posted: 13 Jan 2022 06:53 AM PST

Ne nuk dimë t'i qëndisim fjalët. Nuk kemi pasur kohë për libra. Nuk shfaqemi ekraneve. Nuk dimë si jetohet me djersën e huaj. Nuk dimë si bëhet pasuri duke u (zh)veshur. Ndershmërinë e mësuam nga familja dhe jeta. Për ne jastëku më i mirë është ndërgjegjja e pastër, siç thotë frëngu.

Ne ndjehemi krenarë që jemi të vlefshëm për familjet dhe qytetin. Pa ne bota do të ishte më e pistë, duhma do të ishte frymëzënëse, sëmundjet dhe epidemitë do të ishin të shumta e të shpeshta.

Ne, të heshturit, i durojmë tekat e stinëve. Punojmë gjatë vapës, kur njerëzit freskohen nga kondicionerët. Punojmë gjatë acarit, kur të tjerët e shijojnë ngrohtësinë. Punojmë gjatë ditës, kur njerëzit bëjnë qejfe. Punojmë gjatë natës, kur bota fle. E pastrojmë qytetin nga plehrat. Shqisat e nuhatjes na janë mësuar me duhmën e mbeturinave, që shkakton të vjella. Kjo është puna jonë e vështirë dhe e paguar keq.

Ne ndotemi gjatë punës, por shpirtin e kemi të pastër. Ka shpirtra të ndotur, por ne nuk kemi mjete për pastrimin e tyre.

Ne punojmë aty ku respektohen ndotësit dhe përçmohen pastruesit e ndotjes. Përçmohen ata që rrojnë nga paga e cila harxhohet brenda javës dhe nderohen ata që jetojnë me djersën e huaj. Prandaj, çdo ditë, shumëkush i kërkon rrugët më të shkurtra të jetës dhe e nxjerr shpirtin në ankandin e djallit…

Secili mund të jetë krenar sipas mënyrës së vet. Ne jemi krenarë që e ruajmë pastërtinë e shpirtrave tanë dhe të qytetit; që i rrisim fëmijët me bukën e fituar vështirë.

Ka pastërti që bota nuk e sheh, sepse i janë verbuar sytë nga shkëlqimi i gjërave të rrejshme. Ka edhe ndotje brenda njeriut, e cila fshehet pas luksit … /Portalb/

The post Monolog i qëndisur i punëtorit të higjienës appeared first on Telegrafi.

MPJ e Shqipërisë dhe “çështja e Kosovës”: Lapsus apo intrigë?

Posted: 13 Jan 2022 04:40 AM PST

Nuk e di cili profan e ka shkruar komunikatën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të datës 1 janar 2022 me titull "Shqipëria nis sot zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara", ku shkruhet e zezë mbi të bardhë se "Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës".

Të flasësh sot për "çështje të Kosovës" është një gabim i rëndë diplomatik, politik, kombëtar, historik dhe kulturor, edhe për një njeri të thjeshtë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa le më për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, për të cilën mund ta klasifikosh gafë skandaloze profesionale.

Është e pafalshme që në komunikatën zyrtare të dikasterit kryesor të diplomacisë dilet dhe flitet publikisht për një të ashtuquajtur "çështje të Kosovës", një çështje jo vetëm inekzistente, por edhe një artifis diplomatik dhe provokim konstant antishqiptar serbo-rus.

A nuk e di Ministria e Jashtme e Shqipërisë atë që e di gjithë bota diplomatike e qytetëruar se "çështja e Kosovës" është e zgjidhur prej kohësh dhe që për "çështje të Kosovës" flasin vetëm ato shtete dhe ato diplomaci, që nuk janë dakord me shtetin e pavarur të Kosovës si zgjidhje përfundimtare e asaj "çështjeje"?

Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet ta ketë dëgjuar ose lexuar që zgjidhja e "çështjes së Kosovës" përfundoi në 17 shkurt 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran me shprehjen e vullnetit masiv unanim të popullit të Kosovës nga organi më i lartë legjislativ demokratik, parlamenti i Kosovës, dhe me përkrahjen e fuqishme të shteteve më të mëdha demokratike të botës me në krye ShBA-në.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet ta ketë dëgjuar ose lexuar që zgjidhjen e të ashtuquajturës "çështje të Kosovës" e mbylli dhe e vulosi përfundimisht verdikti i tribunalit më të lartë juridik të OKB, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në 22 korrik 2010 me vendimin që pavarësia e shtetit të Kosovës është në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB.

MPJ e Shqipërisë duhet ta dijë se shteti i pavarur i Kosovës është njohur nga rreth 120 shtete anëtare të OKB, përfshirë shtatë shtetet kryesore më demokratike dhe më të zhvilluara të botës të grupit G7, çka përbën shkallën e tretë të konfirmimit diplomatik ndërkombëtar të zgjidhjes së "çështjes së Kosovës".

Ajo, që e bën më skandaloz qëndrimin e ri të MPJ të Shqipërisë për një të ashtuquajtur "çështje të Kosovës", është fakti se as tri shtetet e mëdha perëndimore anëtare të përhershme të KS të OKB-së: ShBA, Britani e Madhe dhe Francë, as shtetet e grupit perëndimor G7, nuk flasin kurrë për ndonjë të ashtuquajtur "çështje të Kosovës".

Nuk ka një dokument zyrtar të NATO-s dhe të BE-së, që të flasë për "çështje të Kosovës". Për Perëndimin, ku duhet të bëjë pjesë Shqipëria, nuk ekziston "çështje e Kosovës", sepse ajo është tashmë e zgjidhur me shtetin e pavarur të Kosovës.

Këtë realitet të ri politik, diplomatik dhe gjeopolitik të zgjidhjes se "çështjes së Kosovës" nuk e njohin dhe nuk e pranojnë Serbia dhe Rusia, të cilat vazhdojnë të mos i binden vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdojnë të flasin për "çështje të Kosovës", sepse sipas tyre nuk është zgjidhur ende.

Flet çdo ditë për të ashtuquajturën "çështje të Kosovës" ambasadori i Rusisë në Beograd, flet ministri i Jashtëm i Serbisë dhe i Rusisë; flet presidenti i Serbisë dhe i Rusisë. Flasin Serbia dhe Rusia për "çështje të Kosovës", sepse ato e quajnë të pazgjidhur ende, ngaqë Serbia konsideron "zgjidhje" rikthimin e Kosovës në koloni serbe, kurse Rusia ka interesin strategjik të vazhdimit pafund të krizës jugosllave dhe të tensioneve në Ballkan, të cilat e sanksionojnë Moskën si lojtare në tryezën e ngushtë ndërkombëtare të tratativave për Ballkanin.

Ndaj diplomacia serbe dhe ruse zhurmojnë pareshtur në forumet dhe në arenën ndërkombëtare për një të ashtuquajtur "çështje të Kosovës". Diplomacia amerikane dhe atlantike e kanë refuzuar dhe injorojnë këtë qëndrim absurd serbo-rus.

Ajo, që e bën më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm qëndrimin e MPJ të Shqipërisë për ekzistencën e një të ashtuquajture "çështje të Kosovës", është fakti që ajo e përkufizon si porosi dhe detyrë kryesore të veprimtarisë së Shqipërisë për mandatin e anëtarit jo të përhershëm të KS të OKB-së "avancimin e çështjes së Kosovës".

Çfarë avancimi mendon t'i bëjë Shqipëria "çështjes së Kosovës" kur ajo është çështje e zgjidhur dhe nuk ekziston? Çfarë, si dhe pse kërkon Shqipëria të ngrejë në OKB "çështjen e Kosovës", kur atë nuk e kanë ngritur, sepse e quajnë të zgjidhur ShBA, Britania e Madhe dhe Franca, tre anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së? Do të përbënte një akt vetëvrasës diplomatik dhe njëkohësisht antikombëtar, nëse i dërguari i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në cilësinë e antarit jo të përhershëm, që i takon radha në qershor 2022 të kryesojë për një muaj Këshillin e Sigurimit, do të ngrihej dhe do të fliste për "çështjen e Kosovës" dhe të bënte ndonjë propozim antishqiptar për të futur në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit të ashtuquajturën "çështje të Kosovës". Kjo do ta bënte zyrtarisht Shqipërinë aleate të Rusisë dhe të Serbisë për zhbërjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

E ashtuquajtura "çështje e Kosovës" është kurth diplomatik vdekjeprurës ruso-serb për të mbytur pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Rusia dhe Serbia këmbëngulin se ka një "çështje të Kosovës" të pazgjidhur dhe çdo javë e çdo muaj propozojnë që të rikthehet për diskutim në KS të OKB e ashtuquajtura "çështje e Kosovës".

Kjo kërkesë absurde e diplomacisë ruse dhe serbe është hedhur poshtë me vendosmëri nga diplomacia perëndimore e tre shteteve të mëdha perëndimore, anëtare të përhershme të KS të OKB-së. Për tri fuqitë e mëdha perëndimore anëtare të përhershme "çështja e Kosovës" është mbyllur me pavarësimin e Kosovës dhe me verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për përputhjen e aktit të pavarësimit të Kosovës me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB.

Befas në 1 janar 2022, në mënyrën më të habitshme të mundshme del MPJ e Shqipërisë me një qëndrim zyrtar absurd dhe paraqet si drejtim kryesor të misionit të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e KS të OKB promovimin e të ashtuquajturës "çështje të Kosovës".

Duket si surreale, por fakti është se ky qëndrim shfaqet si zbatim i një misioni diplomatik antishqiptar ruso-serb. Sepse Rusia dhe Serbia tani, në eventualitetin e ndonjë idiotizmi diplomatik shqiptar të ngritjes në KS të OKB të "çështjes së Kosovës", mund të çarmatosin diplomacinë perëndimore në KS të OKB, duke argumentuar se promotori i hapjes së "çështjes së Kosovës" janë vetë Shqipëria dhe shqiptarët.

Duke punuar për një kohë shumë të gjatë në shërbimin diplomatik dhe duke pasur parasysh mungesën e formimit profesional të tufave të militantëve, që sillte nga rruga në Ministrinë e Jashtme çdo parti, që vinte në pushtet, dhe sidomos duke pasur parasysh ndikimin e lobit serb në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme kam ngritur zërin dhe kam tërhequr vëmendjen që diplomacia dhe diplomatët shqiptarë duhet të ruhen nga kurthi diplomatik serbo-rus për një të ashtuquajtur "çështje të Kosovës".

Kjo nuk është çështje terminologjike, por çështje parimore e qëndrimit strategjik ndaj pavarësisë, lirisë dhe shtetit sovran të Kosovës. Në librin tim "Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës" kam shkruar: "Rusia dhe Serbia duan të rikthejnë prapë në OKB bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Rusia dhe Serbia duan të zhbëhet njohja e pavarësisë së Kosovës. Përmbajtja e nismave dhe propozimeve të Vuçiqit është për ta "zgjidhur" çështjen e zgjidhur të Kosovës nëpërmjet eleminimit të pavarësisë së saj.

Nga pikëpamja legale Kosova është një çështje e zgjidhur". (v.2018, fq.279-295). Në librin tim "Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë" kam shkruar: "Diplomacia ruse po kërkon të rikthejë mbrapa historinë dhe flet sot për "çështje të Kosovës" në një kohë që nuk ka "çështje të Kosovës". Qeveritë në Kosovë duhet të shprehen me forcë kundër idesë ruse të rikthimit të "çështjes së Kosovës" në KS të OKB. Duhet të shprehet kundër me forcë edhe qeveria e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB". (v.2021, fq.269).

Kushdo që flet për ekzistencën e "çështjes së Kosovës", kushdo që flet për hapjen në Këshillin e Sigurimit të OKB të të ashtuquajturës "çështje të Kosovës", do të thotë se nuk është dakord me zgjidhjen e drejtë, që pati kjo çështje me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës në vitin 2008.

Sado indulgjent që të tregohesh, është tepër e vështirë që ta konsiderosh gafën e rëndë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë si lapsus i një profani, që shkroi komunikatën e 1 janarit 2022 dhe, për shkak të formimit të gjymtë profesional, ngatërroi terminologjinë. Duket një intrigë më e madh dhe më e rafinuar futja e të ashtuquajturës "çështje të Kosovës" si detyrë kryesore e mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme në KS të OKB.

Nuk mund të mos e lidhësh këtë me rritjen graduale të ndikimit të Serbisë në diplomacinë dhe në politikën e jashtme të Shqipërisë, sepse Shqipëria ka tre vjet që po adopton si të sajat njerën pas tjetrës disa teza të rrezikshme serbe lidhur me Kosovën. Ndaj shfaqjen e të ashtuquajturës "çështje të Kosovës" si detyrë e diplomacisë së Shqipërisë në KS të OKB nuk mund të mos e shohësh si vazhdim i kësaj linje antishqiptare të adoptimit të tezave dhe qëndrimeve serbe në politikën e Jashtme të Shqipërisë.

Në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë duhet ta dinë dhe ta kenë lexuar se e vetmja çështje që ekziston është ajo e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilën është nisur prej 10 vitesh dialogu midis dy vendeve në Bruksel me ndërmjetësimin e BE.

Ai është një dialog, që pret mbylljen me formulën e njohjes reciproke midis dy shteteve, siç e ka përcaktuar shumë qartë presidenti i ShBA-së, Joe Biden, në mesazhin e shkruar drejtuar presidentit serb në shkurt të vitit të kaluar. Një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke midis tyre është çështje e marrëdhënieve dypalëshe për të cilën nuk ka punë fare Këshilli i Sigurimit i OKB.

Shqipëria mund të japë kontribut si anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së në disa drejtime. Shqipëria mund të shfrytëzojë mandatin e saj të ri në funksion të nxitjes së procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Ka disa shtete, që nuk e njohin Kosovën, dhe të cilët kanë e do të kenë çështje të hapura në KS të OKB-së dhe rrjedhimisht kanë e do të kenë interesa për votën e Shqipërisë në KS të OKB-së. Shqipëria ka hapësirën ta përdorë të drejtën e votës për të kërkuar nga njeri apo tjetri shtet nevojtar për votë njohjen e shtetit të Kosovës.

Deri tani është e pamundur të thuhet se ka një shtet të vogël apo të mesëm që ta ketë njohur Kosovën nën ndikimin e Shqipërisë. Mandati i ri i saj si anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së i jep një pushtet të ri diplomatik, sepse i krijon mundësinë që të bëjë trading, siç thuhet në diplomaci, me shtete të vogla dhe të mesme, që do të kenë interes për votën shqiptare për çështje të tyre, që pritet të trajtohen në KS të OKB.

Diplomacia shqiptare mund ta konsiderojë mandatin e saj të ri në KS si pjesëmarrje në bursën diplomatike ndërkombëtare, ku ajo mund të luajë me çmimin e votës së saj me shtetet e vogla dhe të mesme me objektivin e arritjes së njohjeve të reja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.

Shqipëria si anëtare jo e përhershme duhet të përpiqet që të realizohet objektivi i largimit nga Kosova të misionit të kapërcyer të UNMIK-ut. Ky është qëndrim zyrtar i ShBA-së, i Britanisë së madhe, i Kosovës etj., pra Shqipëria e ka terrenin dhe detyrën që të lobojë në KS të OKB-së për mbylljen dhe largimin e misionit të UNMIK-ut nga Kosova.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë duhet menjëherë të gjejë formën e duhur publike dhe diplomatike për të përgënjeshtruar qëndrimin e gabuar skandaloz të komunikatës së saj të 1 janarit 2022 për të ashtuquajturën "çështje të Kosovës".

Ministria e Jashtme duhet t'u dërgojë qarkore sqaruese të gjitha misioneve diplomatike të Shqipërisë nëpër botë për të përkufizuar saktë dhe prerazi qëndrimet e drejta lidhur me mbrojtjen e interesave të shtetit të Kosovës përballë intrigave bizantine ruso-serbe kundër Kosovës në forumet dhe në arenën ndërkombëtare. Nuk ka "çështje të Kosovës", siç nuk ka as "çështje të Shqipërisë", në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ka interesa të përbashkëta jetike të kombit shqiptar dhe të të dy shteteve shqiptare, që duhet të bashkojnë forcat dhe të koordinohen në planin diplomatik ndërkombëtar për të fuqizuar njeri-tjerin dhe rolin e faktorit shqiptar në rajon dhe në Evropë.

Ky është rast i artë diplomatik për t'u shfrytëzuar nga Shqipëria për Kosovën gjatë mandatit të ri në KS të OKB-së. /Gazeta "Dita"/

 

 

 

The post MPJ e Shqipërisë dhe "çështja e Kosovës": Lapsus apo intrigë? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more