Ruaje këtë postim Ruaje këtë postim

Merrni njoftime per postimet e reja

Search This Blog

Showing posts with label Enver Robelli. Show all posts
Showing posts with label Enver Robelli. Show all posts

Në lidhje me palaçollëqet:




- Nëse në Prishtinë ka bërë politikë ndonjë palaço – ai ka qenë Chris Dell. I dërguari i Amerikës i caktonte presidentët me sms dhe duke futur në veprim shkelmat e Sami Lushtakut.

- Nëse në Prishtinë ka bërë politikë ndonjëherë një palaço – ai ka qenë Chris Dell dhe të gjithë ata diplomatë që me mish e me shpirt, me bërryla dhe kërcënime kanë ndikuar të mbahet fshehtë kontrata e autostradës. Populli i varfër i Kosovës po paguan rreth 1 miliardë euro pa kurrfarë transparence. “Biznes privat”, thoshte Delli kur pyetej përse firma Bechtel s’e bën publike kontratën. Në Amerikë një përgjigje të tillë arrogante s’do guxonte ta shihte as ëndërr.

- Nëse flasim për palaço – atëherë si është puna që diplomatë si Delli njëherë thonë se Kosova është shtet gati i dështuar për shkak se nuk respektohet ligji, ndërsa më vonë me të dy këmbët i shkelë pothuaj të gjitha parimet, ligjet dhe vlerat e demokracisë.

- Shembull palaçollëku është ta shpallësh “kundërshtar të Amerikës” çdokënd që ka mendim tjetër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Vetëvendosjen, e cila ashiqare nuk u soll si duhet ditën kur u miratua marrëveshja me Serbinë. Në fakt, me lehtësi të padurueshme po shpallet “antiamerikan” çdokush që përfaqëson mendim opozitar dhe të papajtueshëm me politikën e oligarkisë sunduese.

- Jo të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë lirinë të thonë mendimin e tyre të vërtetë mbi palaçollëqet e ndonjë diplomati që nuk është i shtyrë të jetojë në një shtet të kapur nga krimi i organizuar, ku shumë njerëz gjatë një dite s’kanë më tepër se 2,3 euro për t’i harxhuar për artikuj ushqimorë. Ky shtet është Kosova. Njerëzit e Kosovës kanë ‘pranuar’ nënshtrimin dhe poshtërimin e përditshëm nga një kastë politike që mbështetet nga Amerika. Jo që SHBA-të kanë ndonjë respekt për këtë kastë, por duke qenë më brutale dhe më e pabesë ajo është “imponuar” si partnere. Nuk është partnere për interesa të Kosovës, por për thellësinë e xhepit të mbushur me para nga pasuria e popullit.

- ‘Politika’ që promovon Philip Reeker në Kosovë është politikë me ‘topuz pseudomoral’, ku ndjeshmëria dhe mirënjohja e kosovarëve për Amerikën keqpërdoret dhe shfrytëzohet për diskreditim të çdo zëri kritik. Sipas kësaj optike të Reeker-it antiamerikanë qenkan edhe ata deputetë të parlamentit gjerman që po shprehen thellësisht skeptik sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

- Philip Reeker mund t’i kërcënohet çdokujt me topuz, por e ardhmja jo fort e largët do të tregojë se kasta aktuale sunduese dhe ndonjë opozitar joparimor e kanë futur shtetin e Kosovës në një pazar për interesa të vetat. Motoja e këtij pazari është: pranojmë çdo lloj marrëveshjeje me Serbinë në shkëmbim të ligjit për amnisti. Ky ligj më shumë është i dizajnuar për t’i falur bandat e ‘komandantëve haraçmbledhës’ se sa për të krijuar rrethanat për integrimin e serbëve të veriut në Kosovë. Pse ligji nuk vlen vetëm për veri, por për mbarë territorin e Kosovës? Pse ligji nuk vlen, si në rastin e Maqedonisë, për një kategori të caktuar shoqërore, por duhet të përfshijë të gjithë? Sepse kështu ‘komandantët’ duan t’i amnistojnë zaptuesit e pronave publike, kërcënuesit, kriminelët ordinerë. Derisa hesht për këtë Philip Reeker nuk ka asnjë të drejtë të moralizojë dhe diskreditojë kritikët, sepse përfundimisht ai nuk e zotëron epërsinë e interpretimit të gjendjes në Kosovë. ‘Epërsinë’ atij ia krijon vetëm kërcënimi me topuz.

- Është palaçollëk të flasësh për demokraci e sundim ligji duke u ngrefosur para opinionit publik, e pastaj, sapo t’ia kthesh shpinën këtij opinioni, të pranosh që të vazhdojë shkelja e çdo rregulle demokratike dhe çdo ligji – në emër të ‘miqësisë së përhershme’! Jo, kjo është hipokrizi e përhershme! Ata që s’pajtohen me hipokrizi janë miqtë e vërtetë të demokracisë dhe rrjedhimisht edhe dashamirës të vlerave amerikane, siç është sundimi i ligjit, respekti për pronën publike dhe private, patriotizmi dhe bashkimi rreth ideve të mëdha civilizuese, të cilat janë shtrat i mirë i kreativitetit dhe mirëqenies. Ka në Kosovë njerëz që miqësinë me Amerikën s’duan ta demonstrojnë duke vjedhur vendin e vet! Reeker mund të ndihet komod me ata që vjedhin vendin e vet (Kosovën e varfër), por këtë së paku të mos e bëjë duke u përbetuar se kështu po promovon vlera amerikane. Ne vërtet jemi të varfër materialisht, por jo edhe të verbër.

E.R.
loading...