Skip to main content

Posts

Showing posts with the label Mendime

Krijohet pajisja për leximin e mendimeve

  Shkencëtarët në Universitetin e Kalifornisë kanë arritur që me sukses të zhvillojnë harduerin dhe softuerin e një pajisjeje, e cila kap fjalët të cilat ju i dëgjoni dhe për të cilat mendoni.  Sistemi punon përmes kapjes së aktivitetit të neuroneve në tru, kryesisht të atyre që janë të lidhura me fjalët dhe pastaj këto veprime të neuroneve përkthehen në fjalë. Hulumtuesit kanë shpresa që një ditë programi të përdorët për të komunikuar me njerëzit të cilët nuk mund të flasin. Hulumtuesit e kanë testuar sistemin duke e përdorur në aktivitetin e trurit të pacientëve, të cilët vuajnë nga epilepsia. Secilit pacientë i janë dhënë detyra që të lexojnë nga një tekst, teksa shkencëtarët kanë vëzhguar aktivitetin e tyre trunor, në përpjekje të leximit të mendimeve, përmes pajisjes në fjalë. Përkundër faktit që pajisja është në fazat fillestare të zhvillimit, shkencëtarët kanë bërë të ditur që kanë arritur që me sukses t’i identifikojnë disa fjalë.

Shpresojmë që herave tjera kur të vjen Papa në vendet tona, të mos...

Shpresojmë që herave tjera kur të vjen Papa në vendet tona, të mos arrestohet ndonjë hoxhë, por mirë kishte qenë të arrestohet ndonjë politikan i korruptuar. Kjo do të ndërlidhej edhe me botëkuptimin teorik të Papës, sepse korrupsioni është hapi i parë që çon drejt prishjes së paqes. Me ç’rast, kthimi i Papës në vendin e tij, filloi t’i jep rezultatet e para. Burimi: Iljasa Salihu

Të tjerët më mirë mund t'i shohim me sy të hapur

Të tjerët më mirë mund t'i shohim me sy të hapur, ndërsa veten nëse dëshironi ta njihni, ta shihni dhe pastaj ta ndërtoni si duhet, mbyllni sytë fillimisht, sepse vetëm kështu mund të futeni në mbretërinë e qenies suaj. Me sy të mbyllur do të arrini ta shihni veten nga brenda; prej aty ku ngjizen mendimet dhe vendimet për botën jashtë avllisë suaj!   Iljasa Salihu

Harresa është ajo që...

Harresa është ajo që e madhështon përkujtimin për vepra dhe sjellje të mira, përndryshe po të mos ishte harresa, atëherë përkujtimi për gjësende të duhura do të ishte një fjalë e përdalë! Me këtë arrijmë të kuptojmë se madhështia e veprave të mira fshihet në të metat e krijesave dhe si rrjedhojë e kësaj del se të metat jo çdo herë janë të paduhura. Burimi: Iljasa Salihu

Mbylle dritaren se po ndotet dhoma!!!

Mu dhimbs një mik imi që jeton në njërin prej qyteteve të ndotura, i cili mes tjerash kështu më tha: "Nuk guxojmë t'i hapim fare dritaret, ngase dhoma do të na ndotej shumë. Ne nuk themi hapi dritaret dhe le të ajroset e të freskohet dhoma, por detyrimisht kemi kujdes që ajrin në dhomë ta ruajmë duke mos i hapur dritaret, sepse ajri përjashta është shumë i ndotur dhe pakujdesia e njeriut që normalisht është e qortueshme është shndërruar në një shkujdesjeje mikluese dhe tejet normale"!     Iljasa Salihu

Ta dëgjosh gruan dhe të këshillohesh me atë

Ta dëgjosh gruan dhe të këshillohesh me atë nuk është aspak dobësi, as nënshtrim ndaj saj, as nëpërkëmbje për ty, por dobësi dhe marrëzi e rrallë është t'i dëgjosh ata që të thonë se të dëgjuarit e gruas është dobësi e madhe! Kështu që, të dëgjuarit dhe të këshilluarit me gruan është mëkëmbje dhe assesi nëpërkëmbje. Iljasa Salihu  

Ah, sikur të duhemi sa urrehem

Ah, sikur të duhemi sa urrehemi. Të këshillohemi sa qortohemi. Të shpjegojmë sa mallkojmë. Të lexojmë sa nuk lexojmë. Të shkruajmë sa merremi me gabimet e shkrimtarëve. Të ushtrojmë sa merremi me bisedat rreth dietës. Ta mbajmë fjalën sa merremi me rëndësinë e fjalës premtim. Sigurisht se do të ecnim në rrugën që rrihet pandalshëm prej rrezeve të dritës! Burimi: Iljasa Salihu  

Shqiptarët nuk kanë para, por...

Shqiptarët nuk kanë para, por kanë vetura që nuk i ndalin, celularë të shtrenjtë me të cilat flasin shpesh me tarifën e lirë dhe të holla për festimin e mbrëmjeve të semimaturës, të maturës dhe të mbarimit të fakultetit. Vetëm libra për të blerë nuk kanë para, këtu plotësisht i kuptoj, ngase shkëlqyeshëm këta kanë kuptuar se edhe pa libra i dilet në fund maratonës së arsimimit. Burimi: Iljasa Salihu  

E dashura ose i dashuri duhet ta ndiejnë afshin e dashurisë

E dashura ose i dashuri duhet ta ndiejnë afshin e dashurisë dhe jo të mundohen me çdo kusht ta kuptojnë masën e saktë të dashurisë. Sado të dish të flasësh dhe të shkruash bukur, pastër e pasur dhe të kesh një ujanë të tërë me fjalë, sërish nuk mund t’ia shprehësh dashurinë asaj apo atij që me loçkë të zemrës e dashuron. Andaj ajo ndihet, shprehet me ndjenja, me sjellje të mirë, ndërsa fjalët janë vetëm një argument i pamjaftueshmërisë për t’ia shprehur të dashurit (burrit) apo të dashurës (gruas) zjarrin e dashurisë! Burimi: Iljasa Salihu  

Nëse unë e dua shumë librin

Nëse unë e dua shumë librin, ndërsa ti që më do shumë mua, skajshmërisht e urren librin, qoftë vetëm me vepër, atëherë dyshoj se më dashuron! Kjo është aforizëm për ata burra që vetë sikur macja pas miut vrapojnë për dituri, ndërsa gratë e tyre kurrë nuk i pyesin se si i kanë punët me lexim. Burimi: Iljasa Salihu

Besimin e pranuar prej votuesve duhet ta dëshmosh, përndryshe do të na dëmtosh!

Besimin e pranuar prej votuesve duhet ta dëshmosh, përndryshe do të na dëmtosh! Duket se populli e ka kuptuar se më mirë është të kuptohemi sesa të grindemi mes veti; më mirë të sqarojmë sesa ta mallkojmë paditurinë. Më vjen mirë që populli e ka kuptuar se përkatësia kombëtare është më e madhe se ajo partiake. Kemi parti të ndryshme, por kombësinë e kemi të përbashkët, aq më tepër kur dihet se adhurojmë vetëm Zotin dhe se vetëm Atij i kërkojmë falje, sepse vetëm Ai është Falës dhe Mëshirues. Ai na krijoi njerëz me përkatësi kombëtare shqiptare, ndërsa përmes fesë Islame na nderoi, duke na treguar rrugën në të cilën duhet ecur, ndaj të mos mohohet e gjithë kjo gjë madhëshore për hir të asaj që erdhi shumë më vonë! Unë sot pashë një atmosferë shoqërore në fshatin tim. Njerëzit votonin lirshëm. Përshëndeteshin njëri me tjetrin vëllazërisht, edhe pse kishin përcaktime të ndryshme partiake. Dhëntë Zoti të ecën puna kështu deri në fund! Burimi: Iljasa Salihu

Shqiponja me dy koka i ka fajet. Prej në dykokësinë e shqiponjës shihej përçarja jonë

Shqiponja me dy koka i ka fajet. Prej në dykokësinë e shqiponjës shihej përçarja jonë Nga ajo që lexoj dhe nga ajo që kundroj, ndoshta padrejtësisht më është krijuar një përshtypjeje se si shqiptar kurrë nuk kishim qenë burra e njerëz të drejtë. Edhe atëherë kur kishim mundësi të bënim diçka së bashku për të mirën tonë të përgjithshëm, doli ndonjë kastravec me një tufë trangujsh përmbrapa që ta gulçonte rrjedhën e ujit që ishte nisur për në mullirin tonë. Në luftë ishim të përçarë. Disa luftonin e disa vriteshin, kurse disa të tjerë thoshin se kjo luftë është kot fare. Në paqe, fatkeqësisht shumë prej atyre që ngritën ngrehinën e paqes, po në këtë periudhë u harruan dhe u anashkaluan. Meqë nuk arritëm të bëheshim bashkë, pala tjetër na mundi atje ku fitoren e kishim të sigurtë. Nëse nuk mbushemi me mend, atëherë mendja jonë do të mbushet me pamend! Burimi: Iljasa Salihu

Jo çdo dhuratë i plotëson kushtet për të qenë dhuratë

Përse partitë politike gjatë fushatës zgjedhore të dhurojnë shkrepës, stilolaps dhe kapelë? Të japin shkrepës, ngaqë duan prej teje që ta flakërosh kundërshtarin partiak. Të japin stilolaps, sepse duan prej teje që të shkruash mirë për ta. Të japin kapelë që të mos mund të shohësh se ç’po ndodh sipër teje. Unë kështu e kuptoj këtë “dhuratë”, ju mund ta kuptoni edhe ndryshe! Burimi: Iljasa Salihu  

Përse në spital nuk kërkojmë gjak shqiptari, kurse në politikë kërkojmë gjak shqiptari të kulluar?

Përse në spital nuk kërkojmë gjak shqiptari, kurse në politikë kërkojmë gjak shqiptari të kulluar? Sepse në spital edhe pse jemi të sëmurë, aty mendërisht jemi më të shëndoshë se kurrë, pra aty përrallat i mënjanojmë dhe i kërkojmë mundësitë reale të shpëtimit! Përndryshe gjaku ndahet në katër grupe: A, B, AB dhe 0. Ekzistojnë dhe nëngrupe siç janë: A1, A2; A1B, A2B dhe varianta tjetër, fjala vjen: A3, Ax dhe të fundit A0 dhe A4. Burimi: Iljasa Salihu  

Ju që ziheni për parti...

Populli thotë: "Ra guri në vorbë, vaj halli për vorbën. Ra vorba në guri mjer për vorbën"! Ju që e keni ndërmend të votoni, ju që ziheni për parti, mos harroni se thjesht jeni vorba, ndërsa gurë janë ata që ditën ia thyejnë dhëmbët njëri-tjetrit dhe natën kënaqen duke u puthur! Burimi: Iljasa Salihu  

Natyrshëm, të ndyta nuk janë, por shpejtë të ndyta bëhen!!!

Nuk janë të ndyta organet gjenitale derisa ato të mbahen në fshehtësi, qoftë si gjymtyrë, si fjalë dhe si veprim! Të ndyta bëhen, atëherë kur ndahen me të tjerët, me ata që natyrshëm nuk ke të drejtë t'i ndash gjërat intime. Prandaj, prindërit, mësuesit dhe hoxhallarët tanë, kur dëgjonin se ne adoleshentët shanim njëri-tjetrin me fjalë të pista, atëherë ata na këshillonin dhe na qortonin që herën tjetër të mos përdorim fjalë të ndyta! Përndryshe ato nuk janë të ndyta përderisa të mos davariten publikisht, ose përderisa të mungon një ligjërim profesional rreth këtyre fjalëve dhe rreth veprave që kryhen përmes atyre organeve! Burimi: Iljasa Salihu

Një njeri i mençur kishte thënë:

Një njeri i mençur kishte thënë: "Të gjithë njerëzit e mençur janë ateistë dhe të gjithë njerëzit e mëdhenj vetëvriten"! Nëse edhe ky është i mençur, atëherë në kongresin e radhës për gjuhë, patjetër duhet ndryshuar kuptimin e fjalës "mençur" "i mençur" dhe "të mençur"! Burimi: Iljasa Salihu

Vdekja është ndarje e shpirtit prej trupit, ndërsa...

Vdekja është ndarje e shpirtit prej trupit, ndërsa kjo ndarje paraqet çlirim të shpirtit prej burgut të quajtur trup. Meqë kjo është e vërtetë, atëherë përse vallë njerëzit frikësohen prej këtij çlirimi? Ndoshta se çlirimi kërkon mund, përgjegjësi dhe jetë të re! Burimi: Iljasa Salihu  

Suksesi më i madh në ditën e votimeve...

Suksesi më i madh në ditën e votimeve do të jetë paprania e zënkave verbale dhe fizike. Fatkeqësisht, ende shoh njerëz, fukara të shkretë e injorant të gjorë, të zihen me vëllezërit e tyre për interesin e atij që i ka rradhitur milionat sikur të jenë fleta duhani të rradhitura me zotësi në vargje! Burimi: Iljasa Salihu  

Postimet e fundit






Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more