Skip to main content

“VIDEO / Vijon puna për spitalin e Fierit, Rama dhe ministret zbarkojnë në terren: Punësoni pronarët e tokës” plus 9 more - Gazeta Dita

“VIDEO / Vijon puna për spitalin e Fierit, Rama dhe ministret zbarkojnë në terren: Punësoni pronarët e tokës” plus 9 more - Gazeta Dita


VIDEO / Vijon puna për spitalin e Fierit, Rama dhe ministret zbarkojnë në terren: Punësoni pronarët e tokës

Posted: 22 Jan 2021 02:45 AM PST

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu ka vizituar sërish ditën e sotme vendin ku po ndërtohet spitali i Fierit.

Mjetet e rënda janë duke punuar aktualisht duke shtruar sipërfaqen me çakull, ku do të ndërtohet spitali në mënyrë që mjetet të hyjnë për të hapur themelet.

“Familjet që kishin tokën t’u ofrohet mundësia që të punojnë këtu. Duhet që t’i kontaktoni sot dhe t’u jepni mundësinë”, i tha Rama një prej drejtuesve të punimeve.

Më herët në këtë zonë janë kryer punime për të sjellë energjinë elektrike, ujësjellës dhe kanalizime.

Spitali rajonal i Fierit do të bëhet me angazhimin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayip Erdogan me një kosto që shkon deri në 70 milion euro.

Por, më 11 Janar, 12 familjet pronare të tokës protestuan duke kundërshtuar vlerën e kompensimit, por pas një takimi pa mediat me kryeministrin Edi Rama u dakordësuan të japin tokën.

j.l./ dita

Dekonspiroi operacionet, GJKKO shtyn pezullimin nga detyra të ish-zv/drejtorit të OFL-së me 3 muaj

Posted: 22 Jan 2021 02:32 AM PST

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar  ka zgjatur me tre muaj për pezullimin nga detyra të ish- zv/drejtorin e OFL-së, Artan Shkëmbit.

Shkëmbi do të vijojë të qëndrojë nën hetim nga SPAK dhe nga partnerët gjermanë për dekonspirim informacionesh.

Pezullimi i Shkëmbit ka ardhur pas një informacioni të mbëritur nga drejtësia Gjermane, e cila kishte kërkuar hetim dhe bashkëpunim për dy trafikantë shqiptarë, Aleksandër Prronin e Klaudio Vukajn.

Sipas informacionit të mbëritur nga pala gjermane, trafikantët janë lajmëruar nga Shkëmbi se ishin vënë në hetim për verifikimin e pasurisë.

Në muajin prill, autoritetet gjermane u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare verifikim të pasurisë për të dy personat, të cilët qëndrojnë në Gjermani.

Pala shqiptare u kthen përgjigje më 22 prill.

Por nga hetimet të bëra nga një grup i përbashkët hetuesish të quajtur Kier Gier u gjetën bisedat mes trafikantëve shqiptarë në Gjermani nëpërmjet programit të paligjshëm "Encro Chat".

j.l./ dita

Goditja nga pandemia, MFE: Shtyhet afati për Garancinë Sovrane deri në 30 qershor 2021

Posted: 22 Jan 2021 02:19 AM PST

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se, ka miratuar shtyrjen e afatit për aplikime në kuadër të skemës së garancisë shtetërore që synon rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar, garanci kjo e miratuar me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 387, datë 13.05.2020 "Për miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga covid-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit".

MFE-ja miratoi kërkesën e Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), e cila ka vlerësuar të nevojshme një shtyrje tjetër të afatit për aplikim sipas kësaj skeme kredidhënie të mbështetur me garanci shtetërore, në kushtet ku ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë, ky afat shtyhet deri më datë 30 qershor 2021.

Shtyrja e afatit për aplikime deri në mesin e vitit 2021 do të mundësojë përfitimin nga një masë më e madhe biznesesh, aktiviteti, i të cilave është goditur nga pandemia e Covid-19.

Sipas SHSHB-së, deri në fund te muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor, të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë Lekë.

Në kushtet ku garancia sovrane mbulon 60% të vlerës së kredive, rezulton që deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë (mbi 30%).

Theksojmë se, bankat kanë aplikime që janë akoma në proces vlerësimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme e rrisin këtë vlerë të përdorimit të mbështetjes me garanci shtetërore.

j.l./ dita

Dëbimi i diplomatit pasi shkeli masat anti-COVID, reagon Ministria e Jashtme Ruse: Shqipëria do të pendohet për vendimin, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje

Posted: 22 Jan 2021 02:02 AM PST

Ministria e Jashtme Ruse ka reaguar një ditë pas lajmit të bërë publik se diplomatit rus Alexey Krivosheev i është lënë një afat prej 72 orësh për t'u larguar nga Shqipëria, pas shpalljes "non grata" pasi nuk respektoi masat ndaj COVID-19.

Vendimi i marrë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, nuk është pritur aspak mirë nga Rusia.

"Shqipëria do të pendohet për vendimin për të dëbuar diplomatin rus nga Tirana", tha Zëvendës Ministri i Jashtëm Aleksandër Grushko për RIA Novosti.

"Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje", komentoi Grushko.

Një nga parimet kryesore në diplomaci është reciprociteti, askush nuk e anuloi atë, tha më tej ai.

Kjo është hera e parë që një diplomat rus përjashtohet këtë vit, shkruan më tej media “RIA”.

Në vitin 2020, hapa të tillë u ndërmorën në Bullgari, Hollandë, Austri, Sllovaki dhe Republikën Çeke, mirëpo për akuza për spiunazh.

j.l./ dita

Masat ndaj COVID: Greqia nuk hap kufijtë, Kapshtica e mbyllur deri më 8 shkurt

Posted: 22 Jan 2021 01:50 AM PST

Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19 kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 08.02.2021.

Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.

Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash).

Mjetet si autobusë, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.

j.l./ dita

Shifrat e trishta të emigracionit, Meta: Një shqiptar ndihet sot më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan

Posted: 22 Jan 2021 01:31 AM PST

Presidenti Ilir Meta ka cekur sërish sot temën "e nxehtë" të tkurrjes së popullsisë shqiptare për shkak të emigracionit.

Duke publikuar të dhënat e Eurostat-it, të cilat tregojnë se në vitin 2019 vendi ynë zuri vendin e parë në Evropë për numrin e azilantëve ekonomikë për 10 mijë banorë, ngre alarmin se tani është koha "për të menduar dhe vepruar për shqiptarët".

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti Meta thekson se "një shqiptar ndihet sot më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan".

"Lufta efikase kundër varfërisë, zhdukja e monopoleve, anulimi i koncensioneve korruptive, rritja e prekshme e pagave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, krijimi i shanseve dhe i mundësive të reja për të rinjtë e ndalojnë shpopullimin", nënvizon Meta.

Postimi i plotë:

Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, duke lënë pas edhe vende të sapodala nga lufta dhe konfliktet civile.

Një shqiptar ndihet sot më i pashpresë se një sirian, iraken dhe afgan.

Lufta efikase kundër varfërisë, zhdukja e monopoleve, anulimi i koncensioneve korruptive, rritja e prekshme e pagave dhe pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, krijimi i shanseve dhe i mundësive të reja për të rinjtë e ndalojnë shpopullimin.

KOHA PËR TË MENDUAR DHE VEPRUAR PËR SHQIPTARËT!

j.l./ dita

“Pas politikës, Rama do merret me modë”, stilistja e njohur e fton për bashkëpunim: Jam e hapur

Posted: 22 Jan 2021 01:24 AM PST

E ftuar në "Wake Up", stilistja e njohur Anila Konomi komentoi veshjet e politikanëve shqiptarë dhe mesazhin që ata përcjellin nëpërmjet saj.

E pyetur për stilin e kryeministrit, stilistja tha se Rama ka goxha premisa për t'u marrë me modë.

"Më i komentuari për veshjen është Zoti Rama dhe më thënë të drejtën, mua personalisht më pëlqen shumë mënyra se si ai luan dhe flet me veshjen.

Për shembull mund të them që ka një fjalor shumë të pasur nëpërmjet kollares së tij. Aty ai shpreh jo vetëm stilin që ka dhe zhurmën që ka qejf të ndezë, por është i qartë dhe flet shumë mirë.

Më ka pëlqyer kohët e fundit, sepse përdor shumë kostume që për shumicën e njerëzve do të thoshin 'çfarë është ky kostum'.

Për të mos folur për pjesën e pantallonave që pastaj është shumë afër tutave, por edhe veshjes shqiptare. Po të shikosh burrat në parlamentin e parë shqiptarë kanë pasur të tillë pantallonash të veshura.

Duhet të themi këtë që Zoti Rama ka thënë që pas politikës do merret me modë, do jetë stilist. Unë them që ka goxha premisa, mund të kemi ndonjë bashkëpunim, jam e hapur", u shpreh ajo.

j.l./ dita

Votimet e 25 Prillit, “Ndokapartia” dhe flamuri i opozitës. Mandati i tretë i Ramës duket më i mundshmi i tanishëm sepse përballë ka një opozitë që vetëm e tillë nuk është

Posted: 22 Jan 2021 01:04 AM PST

Nga Bedri Islami

 

Tre muaj e disa ditë më shumë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme politike në Shqipëri. 25 prilli, si duket do të jetë një ditë surprizë, sido që të ndodhë. Nëse opozita do të fitojë, kjo do të jetë shenja më domethënëse se, edhe një rast ekstrem, kur i ke humbur të gjitha nga fataliteti halucinant i shefit të opozitës dhe pushtetit i ke dhënë gjithçka, që nga parlamenti i sajuar ku mendjelehtësia në braktisjen e sallës dhe përzgjedhja tip kunetor e ka shndërruar në një turmë amorfe, pushteti lokal, institucionet qendrore financiare, pra, edhe në një rast të tillë, mund të fitosh. Nëse do të konfirmohet edhe një herë e majta e Edi Ramës, ky do të ishte përjashtimi i parë nga rregulli i pa shkruar i dy mandateve, dhe krijohet precedenti i parë i tre të tillëve, e për më tepër kur ke humbur shumë që nga fillimi i qeverisjes.

Mandati i tretë i Edi Ramës duket më i mundshmi i tanishëm, jo vetëm se qeverisja dhe ekipi i tij ia ka filluar punëve që herët, jo vetëm se ka pasur e ka në dorë resurse që nuk i ka askush tjetër, por edhe se përballë ka një opozitë që vetëm e tillë nuk është.

Përballë Edi Ramës janë vënë të gjithë dhe, si duket shumë do të jenë të humbur.  "Dibra" si shenjë e pushtetit mbi zgjedhjet do të duket një rastësi e padëmshme, karshi asaj që mund të ndodhë, për më tepër kur opozitën nuk e zgjon dot as një e rënë kambane.

Janë të shumta ata që janë grumbulluar e presin të strehohen nën siglën e PD-së, si forca kryesore e opozitës, por "krahët" e saj nuk janë aq të gjerë sa t'i mbulojnë të gjithë dhe streha e saj nuk është aq e gjerë sa t'i mbledhë të gjithë.

Kopertina e “Ditës”, 22 janar 2021

Partia Demokratike ndodhet në periudhën më shterpë të saj: pa ide, pa asnjë kauzë të lindur prej saj, pa mendim të ditës dhe të perspektivës, me një ripërsëritje monotone jashtë parlamentit, ku zëri, herë i ngjirur dhe herë si i fortë i Bashës, as nuk josh e as nuk tremb njeri; ku gjithçka dihet, deri edhe cili do të hedhë miell e kush ka marrë përsipër ujët, me një shef faktik të lodhur dhe të kthyer në një paranojak naiv se po e ndjekin, duan ta dëbojnë nga rrjetet sociale,  dhe mbi të gjitha, përmes një lëvizjeje politike tepër budallaqe, në rrezikun për t'u kthyer në ndokaparti.

Një forcë politike që bën një luftë mullinjsh për Teatrin Kombëtar, duke sulmuar "oligarkun" Fusha dhe pastaj ia merr djalin për deputet, dhe për më tepër  e bën atë shenjë dalluese të lëvizjes së saj politike, në mos tjetër; që për tri ditë bën kauzë vendosjen e traut në Rrugën e Kombit  dhe pastaj e ndërron atë me disa zyra komode, më e pakta kjo; që bën sikur "agjëron" për dy vite me aleatët e saj për një vizion të ri dhe më pas e kthen të gjithën në sigurimin e vendeve të sigurta në listat për deputetë, që nuk e di saktësisht se cili nga aleatët e deritashëm nuk do e tradhtojë nesër, sapo Edi Rama t'u tundë postet, dhe që, pasi flak nga radhët e saj një intelektual të njohur, nga një derë fisnike, Romeo Gurakuqin, dërgon në vendin e tij Nard Ndokën, për të qenë përfaqësues politik i qytetit të shenjtë verior, kjo do të thotë se as nuk kanë kuptuar e as nuk e kanë ndërmend të kuptojnë nga perceptimi politik i një brezi të ri, i cili, tashmë nuk kërkon shpëtimin nga myku që ka zënë vend në "tempujt" e partive politike.

Është një moment kur brenda saj janë ravijëzuar tri linja kryesore: ajo e skifterëve, të prirë nga Berisha, që e ndjen se posti i deritashëm po rrokulliset; ai i “paqtuesve", që presin të përcaktohen  si kandidatë për deputetë dhe mendojnë se si do e kalojnë këtë periudhë vegjetimi, gjithnjë me shpresën se kur do të mund të vijnë në pushtet nuk do të harrohet përkushtimi i tyre, dhe, të tretët, një grup i krijuar rishtas përbri shefit të partisë, si një garnizon politik, i cili ka mbështjellë rreth vetes idenë e lidershipit dhe, të gëzuar se u erdhi koha, kërkojnë me çdo kusht të dalin në paraskenë, edhe para se të ngrihet perdja.

Në grupin e parë, të skifterëve, megjithëse shumë janë pa pupla, figurat më domethënëse, edhe e grishjes për luftë e dhunë, nganjëherë edhe e shkallës së lartë "të inteligjencës" janë disa sosh, ku janë bashkuar konglomerati politik që nga Nard Ndoka, Duka, Shehi, Marku, Dule – që pret të bëjë lëvizjen e tij, pasi të ketë ndërhyrë dikush i fuqishëm nga ortodoksia, Idrizi – që lufton me kartën e nacionalizmit, por që çështjen çame po e dërgon drejt humnerës. Të radhitur pas tyre një grup tjetër, gjysmë skifterësh, por me çjerrje të larta, si Paloka, Salianji – që pret që përkushtimi i tij të shpërblehet dhe udhëheqja e partisë të mos ketë harruar kontributin e tij në çështjen Babale; Spahiu, që dikush nga mosnjohja e vendosi në familjet e prekura politikisht dhe ish të burgosura nga regjimi i kohës së shkuar, dhe, në fund, "mrekullia" e parlamentit të shkuar, që nuk e duan as të vetët, i biri i Balliut, njeri që kërcënoi se herën tjetër do të ngrinte në këmbë gjithë Shqipërinë dhe se, me dhunë e vetëm me dhunë, do të përmbyste qeverinë Rama. E që tani, për hir të "mëmëdheut", nëse nuk e vendosin në listën e së djathtës, shkon pak majtas, tek lësëistët.

Mbi të gjithë këto qëndron Berisha- dora e hekurt, i cili, që nga dita e parë e parlamentit të pasqershorit 2017, as më pak e as më shumë, kërkoi djegien e mandatave, largimin nga parlamenti, hedhjen në Lanë të shefit të qeverisë, zënien në çark të tij dhe, në fund, pa asnjë droje, pasi e di se shteti ende nuk është ngritur, deklaroi haptas se, në pasditen e 21 janarit, pasi ishin vrarë katër vetë, ai kishte kërkuar 5 snajperë, katër në katër qoshet e godinës qeveritare dhe një për atë, pikërisht shefin e qeverisë, që kishte vendosur të vriste shefin e opozitës dhe, për më tepër, të mbante fjalimin më mallëngjyes që ishte mbajtur ndonjëherë.

Ky grup, i skifterëve, duke pasur pas vetes Berishën, i cili nuk e fsheh se ai është frymëzuesi i kësaj rilëvizjeje politike agresive brenda llojit të tij, dalëngadalë po bëhet vendosës dhe kryesor në jetën e partisë së tyre.

Lëvizja radikale në PD nuk është as e re dhe as e papritur. Por në pragun e 25 prillit ajo mund të bëhet ekstremisht radikale dhe ekstremisht dhunuese. Qeverisja Rama ka sjellë mjaft zhgënjime, disa nga të cilat mund të jenë fatale për vetë vendin, dhe "shtrimi" i rrugës që po i bën ai rritjes së radikalizmit opozitar, përmes mospërfilljes, tonit përbuzës dhe lojës së rëndë, mund të sjellin agravime të ndryshme, ku fajtor nuk do të jetë ai, por ata që do të nxisin turmat. Ky mentalitet që po forcohet tek opozita, që duke hequr mendimin, bën vend për një ndokaparti, do e dëmtojë atë dhe do të forcojë autokracinë në qeverisjen e vendit. Ndryshimi i tashëm, megjithëse ende jo i dukur sa duhet,  është se ajo ka nxjerrë në krye të saj njerëz të dhunshëm, të paditur, në mos injorantë politikë, të cilët dhunën e perceptojnë si rrugë të vetme për marrjen e pushtetit dhe që, nga mungesa e njohurive, gjuhës së rëndomtë dhe mungesës së ideve, e gjejnë veten pikërisht tek dhuna.

Gjuha e përdorur prej tyre, që nga Berisha, Meta, Bardhi- një ardhje e habitshme në lidershipin kryesor të opozitës, dhe deri tek Balliu i vockël, është e njëjtë me atë që kanë përdorur ekstremistët në të gjitha kohërat e vendet, kohët e fundit edhe në sulmin ndaj Kapitolit, … por e artikuluar në gjuhën shqipe, me një konotacion serb. Shumë vite më parë, Shesheli, radikali i njohur serb, deklaronte se serbët e vërtetë do të shkallmojnë institucionet e Zoran Gjingjiq, e për këtë dikush do e japë edhe jetën e tij, ndërsa tani, një radikal i vockël shqiptar, gjithsesi miniaturë e një mendësie radikale, Paloka deklaronte haptas se "protestuesit ishin gati për gjithçka. Sot mund të kishte edhe të vrarë". Flamurin e nacionalizimit serb që kërkonte Shesheli tani e kërkon Berisha, i cili, ende pa vajtur njerëzit në shtëpitë e tyre pasditen e 26 majit, do të deklaronte se "Nëse Basha nuk do të tërhiqte protestuesit, do të vendosnim flamurin e fitores si me 14 shtator 1998".

Mendësia e dhunës, si rrugë e vetme politike për të ardhur në pushtet, e shfaqur që me 2 prill të vitit 1991, si një gjak i keq, është transmetuar nga një grupim politik i një brezi, tek një brez tjetër. Por, ndërsa dikur, një herë e një kohë, lëvizja radikale kundër komunizmit ishte e justifikuar dhe e prirë nga njerëz që njiheshin si intelektualë të klasit të parë, sot, nuk është për të qeshur kur vjen nga birbo politikë që, në delirin e fjalës , pa asnjë lloj përgjegjësie deklarojnë se "Vëri gishtin kokës zoti Rama. Herën tjetër nuk do i tërheq shqiptarët. Rama nuk ikën në rrugë ligjore, atë mund ta rrëzojmë vetëm përmes dhunës". (Balliu junior)

Përse ndodh e gjithë kjo? Përse zëra të mençur brenda grupit parlamentar të PD-së kanë heshtur dhe, megjithëse është pritur ndryshe, nuk kanë më asnjë rol dhe po bëjnë figurantin politik të Ndokës, Palokës, Spahiut, e disa kokrrave që mendojnë se do të rrinë gjatë deputet vetëm përmes dhunës? Ose e zgjatimit në kurrizin e një force të madhe politike, ashtu si rriten vemjet në trupin e lodhur të një peme! Përse hapësira e mendimit është mbyllur për disa dhe është hapur vulgu i fjalës tek të tjerët?

Berisha, epiqendra ku mblidhet e keqja, jo vetëm se gjithnjë ka adhuruar dhunën dhe është rrëqethur nga mendimi, megjithëse një njeri i lexuar dhe me kujtesë fenomenale, por edhe e ka praktikuar atë. Ai ishte i pari që e kuptoi se forca politike ku u vendos në krye përmes dhunës, nuk mund të qëndronte gjatë si e tillë, nëse do të depërtonte mendimi dhe nëse fjala do të ishte e para.

E ka një shkak madhor. Më mirë se të gjithë ata e dinë se Vettingu ka filluar me drejtësinë, por Opozita ka figura të mençura dhe të denja për të qenë pjesë e ndryshimit, jo vetëm politik, por edhe të konceptimit të lirisë, si një domosdoshmëri historike.

Të heshtur ose jo, të mënjanuar ose jo, të sulmuar nga të vetët, por edhe nga media të pakta, këta njerëz mund të përbëjnë thelbin e një opozite që largohet nga mediokriteti, nga një turmë që i janë veshur nga pas politikës dhe po shqyejnë pasuritë e saj; koha për të bërë një lëvizje radikale, brenda vetes, dhe afishimin e atyre që kanë vlera të duhura, të besueshme dhe reale ka ardhur dhe po ikën. Emërimi i drejtuesve të rinj politikë në disa qarqe nuk ka sjellë ndryshimin, jo se ata janë në përgjithësi emra të vjetër, por nuk kanë asnjë vizion ndryshe nga e shkuara. Dhe e kanë humbur besimin. Nëse në Vlorë ta zëmë, njerëzit e besojnë Bujar Leskajn, edhe ai nga figurat e hershme të opozitës, nuk vjen nga që ai po krijon lidhjet e tij, por nga fakti që në kaq vite nuk i ka humbur këto lidhje. Ka qenë i pranishëm, si i thonë, në të mirë e në të keq, dhe këtë nuk mund ta bëjnë ata që venë një herë në hënë, sa për të qenë të sigurt se do të jenë deputetë.

Dhe këtu rinis pastaj rrugëtimi i "të fortëve", që nuk po reshtin se qenuri pjesë e forcave politike.

Të pakënaqur me pavendosmërinë e Bashës, si një lëvizje hamletiane e politikës ngurruese dhe dembele, ata duan të hapin një rrugë, për t'i dhënë zemër vetes dhe, përmes vetes, edhe mitingashëve të tyre.

Askush nuk e di se si do të vazhdojë kjo lëvizje. Atyre u përshtatet perifrazimi i një poezie të njohur të Kadaresë, që mund të shqiptohet, "Nga dhuna vijmë, drejt dhunës shkojmë".

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Miratohen 1.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit

Posted: 22 Jan 2021 12:59 AM PST

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në drejtimin e kryetarit të ri të këtij komisioni, Anastas Angjeli miratoi aktin normativ për zgjatjen e afatit të subvencionimit të qirasë deri në momentin e strehimit të këtyre familjeve. Akti i mëparshëm parashikonte subvencionim e qirasë vetëm 1 vit pas dëmtimit të shtëpisë nga tërmeti.

Konkretisht, rreth 1,5 miliardë lekë janë parashikuar nga buxheti i shtetit në 2021 për subvencionim e qirasë për familjet të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s.

Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Buxhetit, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Mimoza Dhëmbi, ky akt synon të përshpejtojë proceduarat e subvencionit të qirasë.

"Ky akt normativ është propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministri përgjegjëse për strehimin dhe është marrë miratimi nga Ministria e Rindërtimit. Akti synon të përshpejtojë proceduarat e subvencionit të qirasë. Akti i mëparshëm përcaktonte një afat fiks prej 1 viti për kryerjen e procedurave. Ne propozuam ta shtynim këtë afat për trajtim të familjeve që janë të pastrehë deri në momentin e strehimit të tyre", theksoi Dhëmbi.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli bëri me dije se, mbështetja e familjeve të dëmtuara me qira deri në momentin e strehimit ishte i domosdoshëm, pasi izolimi i shkaktuar nga pandemia krijoi vonesa në nisjen e procesit të rindërtimit.

"Rindërtimi tashmë ka filluar në plan të gjerë. Në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar fondet e nevojshme për përfundimin e procesit. Asnjë qytetar i dëmtuar nga tërmeti nuk do të mbetet pa u rimbursuar shuma e qirasë që paguajnë deri në momentin e ndërtimit të shtëpive".

Drejtoresha e Përgjithshme e Strehimit, Doris Andoni tha se në 2020 në total përfituan subvencionimin e qirasë 13,914 familje.

"Shifra është dinamike dhe ne presim që të ndërtohen banesat e këtyre familjeve. Nga Durrësi 300 familje janë larguar nga skema, pasi janë strehuar".

Në këtë qytet janë trajtuar me qira rreth 4 mijë familje të prekura nga tërmeti.

Relatorja e aktit normativ, Blerina Gjylameti tha se deri tani ka përfunduar ndërtimi i 1000 shtëpive individuale.

 "Nga 28 kantieret e ndërtimit, në 10 prej tyre ka nisur puna. Rindërtimi parashikohet të përfundojë brenda afateve të parashikuara nga qeveria që është pranvera e vitit 2022".

Sipas të dhënave të Ministrisë të Rindërtimit deri në nëntor 2020, janë paguar rreth 60% e fondit të miratuar për grantet e rikonstruksionit të apartamenteve dhe shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti. Përfitues të këtyre grandeve ishin 22 mijë familje për 11 bashki të vendit. Totali i fondit të miratuar për t'u shpërndarë është 9,8 mld lekë.

Programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në 11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit kanë aplikuar online 48,708 qytetarë. Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në 28 shkurt të 2020-s.

Në total në vend u shembën 115 pallate të dëmtuara nga tërmeti, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t'u riparuar ishin 242 pallate.

j.l./ dita

“Është çliruese të mund të flasësh për atë që di, atë që thotë shkenca”, Biden rikthen Faucin në Shtëpinë e Bardhë

Posted: 22 Jan 2021 12:42 AM PST

Dr. Anthony Fauci është rikthyer në dhomën e konferencave të shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Dr. Fauci, eksperti kryesor i sëmundjes infektive në vend, u caktua nga Presidenti Joe Biden me punën e informimit të publikut për zhvillimet e fundit mbi pandeminë e koronavirusit pasi u mënjanua në muajt e fundit nga ish-presidenti Donald Trump.

Dr. Fauci tha se administrata e re do të "jetë plotësisht e hapur dhe e sinqertë" në trajtimin e pandemisë dhe, në një koment të nënkuptuar si kritikë ndaj administratës Trump, tha se gjithçka tani do të jetë e "bazuar në shkencë dhe prova".

I pyetur nëse ndihet më pak i kufizuar në komunikimet me administratën e re, Fauci u përgjigj: "është çliruese të mund të flasësh për atë që di, atë që thotë shkenca".

Dr. Fauci, i cili u sulmua në mënyrë të përsëritur nga ish-presidenti Trump për pikëpamjet e tij mbi pandeminë, foli për të rejat e fundit mbi variantin e ri më ngjitës të Covid-19 dhe pandeminë e cila deri më tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 400,000 amerikanëve.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në një gjendje shumë serioze në lidhje me pandeminë globale, por ai tha tani, duket se numri i infeksioneve "ka arritur një pikë më të qëndrueshme".

Dr. Fauci u pyet gjithashtu nëse administrata e Presidentit Biden do të jetë në gjendje të punojë me ndonjë prej planeve të lëna nga administrata e mëparshme për prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave ose nëse ato thjesht nuk ekzistonin.

Dr. Fauci ishte i qartë se ekipi i ri "nuk po fillonte punën nga e para" dhe do të ishte e pasaktë të thuhej se nuk ka patur asnjë plan kundër pandemisë.

"Ne jemi duke sjell ë ide të reja, por po shqyrtojmë edhe disa ide të administratës së mëparshme që nuk ishin ide të këqija", tha ai. / VOA

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more