Skip to main content

“Rugova prijës politik” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Rugova prijës politik” plus 2 more Telegrafi Opinione


Rugova prijës politik

Posted: 20 Jan 2021 06:01 AM PST

(Në 15-vjetorin e shkuarjes së tij)

I. Mbamendje

Ibrahim Rugova qe dhe është shqiptari i ditur dhe prijësi politik i dashur i shqiptarëve. Lindi në Cërrcë më 1944 dhe dha frymën e fundit në Prishtinë më 2006.

Në politikë hyri me identitet krijuesi e dijetari. Që nga themelimi udhëhoqi LDK-në, me tri postulatet programore: liri, pavarësi, demokraci, dhe punoi për themelimin e Kosovës së pavarur.

U zgjodh President i Kosovës, dy herë me votë të drejtpërdrejtë qytetare dhe dy herë me votë popullore të deleguar në Kuvendin e Kosovës. Organizoi referendum për pavarësinë e Kosovës dhe punoi për njohjen e saj ndërkombëtare. Ideoi dhe propozoi simbolet shtetërore të Kosovës, Flamurin dardan dhe Himnin me një këngë kushtrimore të Kosovës. U vu në ballë të Këshillit të Partive Politike Shqiptare, duke kërkuar konsensusin demokratik për krijimin e institucioneve të shtetndërtimit dhe pajtimin për interesat strategjike kombëtare të vendit.

Ka 15 vjet që veprimi i tij është pranuar historik, por e sotmja politike në mesin tonë e bën me pasion ligjërimin për këtë histori të ndodhur, sikur të ishte ende e pashkruar.

Prandaj, kjo mbamendje.

II. Politika e Rugovës

1. Politika e Rugovës është politikë kombëtare me fytyrë të njeriut që krijon miqësi. Është frymë e përbashkimit shqiptar të krahinave, feve e ideve. Është politikë e mosdhunës dhe e durimit, jo vetëm në zgripin e katastrofës, por edhe e provës universale: që dhuna lind e riprodhon dhunën. Është legale e legjitime për ta promovuar solidaritetin e popullit si tërësi, duke pasur parasysh energjinë krijuese të mbrendshme, të pacenueshme nga ndasitë. Është ftesë për mirëkuptim (të mbrendshëm) dhe ftesë për marrëdhënie (të jashtme); ofertë për bashkëpunim për marrje e dhënie, e shqiptuar me fjalë të buta, pa klithma të dëshpërimit.

III. Rugovizmi

2. Rugovizmi është sjellje shqiptare e kultivuar, për ta mundur injorancën, padijen, si gjendje që duhet të ndryshohet. Kërkon veprimin e matur si përhershmëri përkundrejt rebelimit frymëfyt dhe cubnisë individuale, e cila nuk parasheh pasojat. Rugovizmi nuk është mitizim, përkundrazi është demitizim, qoftë duke trajtuar figurën politike, krijuese e kulturore të Ibrahimit. Rugovizmi i parë si lexim i gjesteve individuale të Ibrahim Rugovës, është padije e moskuptim.

3. Rugovizmi si frymë e praktikë kërkon zbatim në rrethana, mirëpo nuk mund të shpërdoret. Rugovizmi ka shtrirje në kohë; përthyerja e vlerësimi i tij në çast është thjeshtim apo moskuptim në thelb. Rugovizmi tashmë nuk është vetëm model, por edhe traditë politike, sepse rugovizmi jetohet e përjetohet para se të bëhet vepër e kryer.

IV. Trashëgimi

4. Doktrina politike e sistemit demokratik nuk parasheh as nuk paragjykon prijësin trashëgimtar me emër e me mbiemër. Aq më pak trashëgimtar të vetëshpallur me emër e mbiemër të vetin. Edhe më pak individ që vetëprojektohet për t'i prirë apo për t'i grahur grigjës. Shembulli e ilustron modelin.

5. Rugova as në teh të mendjes nuk e ka pasur të propozojë apo të emërtojë trashëgimtar. Nuk mund ta bënte këtë njeriu që alfë dhe omegë të zgjedhjes së udhëheqësit e kishte votën e lirë qytetare. Prandaj, është rrenë e gjysagjelave që riprodhohet se si Filani apo Fisteku paska qenë i zgjedhur i tij apo i rekomanduari i tij, si trashëgimtar.

6. Liliputanët, që kujtojnë se duke hipur në krah të kolosit shohin më larg; janë më qesharakët e naivët, sidomos kur bëjnë bé rrejshëm se e kanë njohur, madje përmendin fjalët testamentare që ua ka thënë në besë.

V. Lakmia e përvetësimit

7. Rugova nuk njihet me lakmi, por me dashuri njerëzore. Është një dhe nuk pjesëtohet as kulturalisht as politikisht. Mirëpo, në shoqërinë e injorancës, është kaq e gjallë makutëria që vlera të mos njihet e të krijohet por të rrëmbehet e të posedohet.

Kur ndërroi jetë Rugova qindra mijëra njerëz të Kosovës, shqiptarë e të jashtëm, erdhën në Prishtinë t'ia bëjnë nderimin. U bënë një. Por makutëria e përvetësimit nuk njeh moral as ideal. Pas 15 vjetësh, zotëron teknika agresive e copëtimit. Rivaliteti i do dy koka të krisura që e kanë vështirë të kuptohen.

8. Secila palë e do për vete, ose Hasreti Ibrahim, ose Shenjtori Ibrahim, duke e paragjykuar besimin e Rugovës, që ishte besim i librave abrahamikë. Rugova tha për vete: "Jam shqiptar, mysliman simbolik", që do të thotë jopraktikues. I yni, thonë palët, gjithsecili duke kujtuar mënyrën se si u falën e u lutën në varrimin e tij.

9. Një dinjitar fetar tha: "Kurrë nuk ka vdekur si mysliman" dhe shtoi "ka pasur krishterimin, nëpër gishta, nëpër mendje e shpirt", vijoi edhe më, "ka qenë shpirt katolik, këtë s'e mohon as Zoti"! Dinjitari fetar pa dije e rivalizon edhe Njeriun edhe Zotin, me zjarrminë e posedimit.

Ibrahim Rugova vetë, këto çështje i kishte mbyllur herët me penën e vet te "Bota e re" e studentëve, të cilën e redaktonte në fillim të viteve shtatëdhjetë. Atëherë Rugova shkroi artikullin polemik "Kush është gjak shqiptari?!".

10. Rugova nuk mund të pjesëtohet përmes lakmisë për ta përvetësuar. Ai mësoi dhe punoi për përbashkësinë shqiptare nëpërmjet ideologjisë kombëtare: për gegë e toskë, duke pëlqyer doktrinën besimtare të krishterë – dashurinë dhe doktrinën besimtare islame – paqen. Prandaj: me e dashtë paqen është doktrina e tij kundër urrejtjes, ndarjes, e dhunës.

VI. Vëmendje

LDK-ja sot duhet të ruajë parimet themelore të partisë së djathtë nacional-demokratike, kundër tiranisë së majtë komuniste. Ndryshimet e ngutshme programore e vepruese do ta shpinin qoftë kah klientelizmi politik (ku të tjerë janë mjeshtër të provuar), qoftë kah përmbysjet e mësymjet revolucionare me ambicie totalitare (që i ka provuar historia). Në konkurrencën politike në Kosovë, LDK-ja përballet me rivalë të egër, që kanë një rrënjë e një qëllim: marrjen e pushtetit me çdo kusht, të frymëzuar edhe nga revanshi historik për sistemin e përmbysur.

Nuk mund ta bartë shenjën e LDK-së as të rugovizmit askush që në trajtë plangprishësi ndahet nga shtëpia e moçme, për të gjetur strehë të tjera, sidomos nën çadrën ideologjike të partive rivale. Këto shenja janë të rënda edhe për arrivistët e rinj e të vjetër që mburren për nisje të kryengritjes rugoviste. Kryengritjet te ne janë të panumërta, si dhe tragjike. Nuk mund të ketë kryengritje rugoviste.

Ka vetëm punë për fitore rugoviste. Këtu e ka bazën politika e urtë e LDK-së së Rugovës që ka vizionin se mendimi duhet t'i prijë veprimit.

Kërkesat për ndryshime të mbrendshme nuk barazohen me konvertime politike. Konvertimi politik është korrupsion i idesë e i programit. Prandaj, konvertitët kudo që shkojnë mbeten arrivistë. Të jesh rugovist pa LDK-në është e pamundshme dhe e pakuptueshme.

Duket që është bërë modë të flitet kundër LDK-së. Apologjia e LDK-së është detyrim dhe nevojë. Apologjia e saj është zbatimi i programit të saj politik.

Kjo është vëmendje që buron nga veprimi i Ibrahim Rugovës, organizatorit më karizmatik të vullnetit të popullit të Kosovës dhe përfaqësuesit ekselent të Kosovës dhe të njohjes së saj.

The post Rugova prijës politik appeared first on Telegrafi.

Përvoja dhe eksperienca

Posted: 20 Jan 2021 01:38 AM PST

Promovimi i kandidatëve dhe programeve politike të partive tona është aq serioz, aq prekës. Gati akademik. Te ne, as prezantimet akademike nuk e kanë këtë pretendim shkencor, madje krahasuar me këto, ato tingëllojnë më tepër politike. Ndërsa, politika tingëllon akademike. Nëpër spote veç, jo në Parlament. Ndoshta sepse akademikët dhe stafi akademik nëpër universitete janë përzgjedhur nga politika?

E keni parë se edhe kur flasin për paqen, gjithçka i vjen era luftë? Edhe pse flasin për zhvillim, kush e di pse tingëllon si pasurim, si Eldorado, premtim për ata që e votojnë. Mësojmë ne nga përvoja? Po nga eksperienca? Kur i ka të dyja një kandidat, atëherë nuk ka nevojë as për debat!

Kur lidhen me një emër dhe mbiemër të përveçëm, tregojnë fuqi, e mbase edhe forcë. Nuk i del kush para (e as prapa) atij kandidati i cili i ka që të dyja. Përvoja e mëson të ruhet nga të gjitha anët. Por, qysh e dimë të gjithë, shqiptari nuk di tutë. E thonë mitet, këngët, edhe pse përvoja nuk është se e ka vërtetuar shkencërisht. Edhe nëse e di, tutën pra, nuk e pranon pa i thënë direkt: po tutesh! Po tutesh me u përballë në debat.

E pranoi ose jo sfidën, parashoh se oratori do të bëhet i famshëm për këtë thënie po aq sa bashkë partiaku i tij për "forcën dhe fuqinë". Kuptohet, aq sa përvoja politike, akademike dhe eksperienca institucionale e kandidatit, po aq ndoshta do të luajë rol edhe përvoja dhe eksperienca e publikut me kandidatët. Kjo lojë me fjalë, vështirë të menaxhohet sikur në spotin promocional me përqindjet e rritjes së pagave dhe pensioneve, apo ato të uljes së tatimeve. Krejt po na del shumë më komplekse sesa që tingëllonte, në fillim.

Për të sqaruar lexuesin: titullin për këtë shkrim e mora nga programi i njërës prej partive politike e cila pretendon me të drejtë pushtetin (duke u thirrur në përvojën) dhe e cila e sfidon partinë tjetër e cila pretendon se me duar në xhepa do të fitojë, edhe pse metoda e fitores me duar në xhepa nuk është dëshmuar aq e sigurt në të kaluarën. Këtë një parti dhe një lider tjetër mund të e thotë nga eksperienca.

Njëra parti e cila e kishte qeverinë në disa mandate dhe e krijoi këtë realitet politik, premton se në mandatin e ardhshëm do të bëjë ndryshime radikale. Tjetra, të cilës ia morën atë në ditën e pesëdhjetë, pretendon se qytetarët tashmë e kanë kuptuar. Nuk i përmendin duart në xhepa. Sidoqoftë, titulli nuk duhet të na bëjë të paragjykojmë se po lexojmë një shkrim kritik për kandidatin më me përvojë dhe më me eksperiencë. E çfarë ka të keq nga një kandidat me përvojë dhe eksperiencë?

Si i tillë, përdorimi i dy fjalëve me një kuptim, por në gjuhë të ndryshme brenda të njëjtës fjali, nuk paraqet ndonjë gabim në vete. Përfundimisht, të njëjtën fjalë kur e thua në anglisht, ka tjetër kuptim. Sidomos përvoja. Karriera e gjatë politike dhe akademike e kandidatit për kryeministër, e të cilat kundër-kandidati nuk i ka, pra as përvojën e as eksperiencën, mund të jetë përparësi, por edhe jo. I sfiduari nuk e ka as atë (përvojën) institucionale dhe as atë akademike, edhe pse merret si njëri nga liderët më të "lexueshëm" në vend.

Tash, këtu, nëse duam të jemi të sinqertë, të gjitha këto i ka lideri i një partie i cili as që është në listën për Parlament. Ai është politikani me përvojën më të gjatë, është edhe akademik, ishte edhe kryeministër…! Ka edhe kishte vija të kuqe, të cilat brenda nate bëhen të gjelbra, por sot nuk po flasim për të, për arsyen e thjesht se ai nuk është kandidat fare. E ka kuptuar se as eksperienca as përvoja nuk do të jenë përparësi në këto zgjedhje.

Pasi tashmë e morëm si kriter përvojën dhe eksperiencën, jo krejt me dëshirën tonë, është patjetër e rëndësishme se si qëndrojnë kandidatët e partive politike për kryeministër, e pse jo edhe për president, në raport me këto dy kritere – pra përvoja dhe eksperiencë. E kuptuam se kandidati i Partisë Demokratike i ka që të dyja, e madje edhe mund të thuhet se i ka që të tria, por nuk po shkojmë përtej këtyre. E ka edhe përvojën akademike, edhe politike e institucionale. Kjo e fundit nuk ishte përvojë, ishte eksperiencë. E ka edhe natyrën e qetë dhe të matur, përpos kur flet për liderët e dikurshëm të partisë. Skënderbeu sot do të thoshe se lirinë nuk na e solli ai, e kandidati e kundërshton. E solle ti, do të insistonte kandidati. Liria ka emër! Nuk e gjet askush midis nesh, lirinë. Na e sollën?

Është pra "çashtje" akademike edhe politike. Është edhe fushatë. Është krejtësisht serioze, edhe pse mund t'ju duket si barsoletë. A mund të jetë përvoja institucionale përparësi në një situatë kur të gjithë duam të e ndryshojmë realitetin? Po eksperienca?

 

 

 

The post Përvoja dhe eksperienca appeared first on Telegrafi.

Shqiptarët të rifitojnë të drejtën kushtetuese të referendumit

Posted: 20 Jan 2021 12:03 AM PST

Demokracia e drejtpërdrejtë u eksperimentua për herë të parë në demokracinë athinase rreth vitit 508 p.e.s., me pjesëmarrje kufizuese (qytetarë meshkuj, duke përjashtuar skllevërit) në një popullsi të vogël. Me kufizime të ngjashme, demokracia romake ndoqi të njëjtën gjë rreth vitit 449 p.e.s., duke përfshirë formulimin e qytetarëve dhe miratimin e ligjit, si dhe veton e qytetarëve të ligjit të miratuar nga legjislatura.

Në kohët moderne, demokracia e drejtpërdrejtë ka një traditë të hershme në disa nga kantonet zvicerane, duke datuar që nga shekulli XIV. Që nga viti 1848 e deri më sot, në Zvicër janë mbajtur mbi 550 referendume apo mesatarisht tri referendume çdo vit. Italia e bashkuar, në mënyrë efektive, me referendume në shekullin XIX, renditet e dyta me rreth 70 vota kombëtare për gjithçka – nga divorci te aborti, droga, sindikatat dhe sistemi zgjedhor. Pas marrjes së pavarësisë nga Britania në 1921, shteti i ri i Irlandës vendosi që Kushtetuta e saj e vitit 1937 mund të ndryshohej vetëm përmes referendumeve. Që nga ajo kohë ka pasur 35 referendume kushtetuese, mesatarisht rreth një në dy vjet e gjysmë. Ato variojnë nga vota të rëndësishme për Evropën, divorci, martesa e të njëjtës gjini dhe aborti, deri te misterioze, të tilla si rregulloret për konfidencialitetin e kabinetit dhe hetimet parlamentare. Referendumet e shndërruan Irlandën nga një teokraci kuazi-katolike në një fener liberal.

Referendumet janë bërë gjithnjë e më të popullarizuara në kohët e fundit, si një mjet për drejtimin e pavarësisë në Eritrea, në Kuebec, në Katalonjë, në Skoci apo në Sudanin e Jugut pasi vetëvendosja kombëtare kthehet në modë dhe qeveria nuk arrin të flasë për nevojat e provincave që ndihen të margjinalizuara.

Në vendin tonë referendumi është një e drejtë kushtetuese dhe përfaqëson formën më të pastër të ushtrimit të demokracisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli. Referendumi është parashikuar në nenet 150, 151, 152, 177 dhe 108, pika 4 e Kushtetutës. Referendumi për projekt-kushtetutën i 6 nëntorit 1994 u hodh poshtë nga zgjedhësit, ndërkohë që ai i 29 qershorit 1997 për formën e qeverisjes konkludoi me shumicën e zgjedhësve që votuan 'pro' Republikës. Por, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vitit 1998, e cila u miratua nga Kuvendi dhe më pas u "ratifikua" me Referendum Popullor, nuk kemi pasur asnjë rast të zhvillimit të referendumit edhe pse kemi pasur disa nisma nga qytetarët nëpërmjet organizimeve të tyre. Edhe pse kushtetuta u ndryshua në vitin 2008 dhe në 2016, si legjislacion në fuqi për referendumet mbeten dispozitat e Kodit Zgjedhor të vitit 2003. Asnjëherë nuk janë rishikuar apo diskutuar rekomandimet mjaft të rëndësishme, që janë bërë për referendumet nga Komisioni i Venecias apo OSBE/ODIHR edhe pse Kodi Zgjedhor është ndryshuar shume herë (së fundmi në tetor 2020). Ekziston nje vakum ligjor dhe vendi ende nuk ka një ligj të posaçëm për referendumet.

Nisma e INFOÇIP – Qendra për Çështjet e Informimit Publik për hartimin e projektligjit 'Për referendumet' që ka hyrë tashmë në një proces legjislativ dhe i referohet modelit polak, duhet përgëzuar. Një nga risitë e këtij projektligji është heqja e barrës financiare të organizimit të referendumeve grupeve nismëtare. Kjo barrë i ngarkohet nga ky projektligj buxhetit të institucioneve publike. Parashikimet e deritanishme që gjenden në Kodin Zgjedhor ngarkonin me barrë financiare grupin nismëtar të referendumit, të cilët duhet të përballonin me shpenzimet e tyre mbledhjen e firmave dhe fushatën referendare. Për të mundësuar efektivisht të drejtën e marrjes pjesë në referendum të çdo shtetasi shqiptar me të drejtë vote, projektligji i referohet gjithashtu nënshkrimit elektronik, si një realitet ligjor në Republikën e Shqipërisë. Nënshkrimet për një nismë referendare mund të mblidhen edhe në rrugë elektronike, online përmes portalit që mundësohet për këtë qëllim sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Gjate periudhës së pandemisë COVID-19, përdorimi i sistemeve online është një domosdoshmëri sa i takon procesit të mbledhjes së firmave nga qytetarët për të legjitimuar përmes nënshkrimit elektronik marrjen e nismës referendare si mjet i rëndësishëm për të lehtësuar apo garantuar aksesin në të drejtën referendare të shtetasve shqiptarë.

Një nga arsyet kryesore pse referendumet konsiderohen një ide e mirë është vlera e tyre si një ushtrim në demokracinë e drejtpërdrejtë. Fushatat e referendumit përfshijnë publikun kombëtar, shpesh pasiv dhe nganjëherë të përjashtuar në mënyrë aktive, në debatin politik dhe vendimmarrje. Ata që shohin virtytin në idenë e një lidhjeje më të drejtpërdrejtë midis vullnetit popullor dhe levave të pushtetit i admirojnë ata si një instrument i fuqizimit për njerëzit shumë shpesh të lënë pas dore. Të lodhur nga një klasë politike e cila gjatë 30 viteve të zhvillimit të demokracisë tranzitore rriti pabarazinë ekonomike, abuzoi me fondet dhe asetet publike dhe nuk arriti të plotësonte të drejtat më elementare të tyre, shqiptarët gjithmonë e më pak besojnë se 'demokracia' është e aftë t'ju sigurojë një të ardhme të begatë për veten dhe familjet e tyre.

Largimet masive të të rinjve nga Shqipëria edhe pas 30 vitesh demokraci janë një sinjal alarmi dhe një tregues se mekanizmi demokratik, ekonomik dhe social i ka lënë atë të papërfshirë. Në një artikullpër një nga mediat e shkruara profesor Fatos Tarifa theksonte se 'Shqipëria sot është një kakistokraci (një qeveri që drejtohet nga njerëzit më të papërshtatshëm, më të paaftë, më pa eksperiencë), sepse një pjesë e madhe e anëtarëve të parlamentit, të cilët – të paktën në këta 12 vitet e fundit – janë zgjedhur jo nga qytetarët e këtij vendi por nga kryetarët e tri partive politike më të mëdha, janë tërësisht të paditur, për të mos thënë injorantë. Padija dhe injoranca e shumë prej atyre që hartojnë dhe miratojnë ligjet e këtij vendi, ata ligje që administrojnë jetët tona dhe që do të duhej të garantonin sigurinë dhe mirëqenien tonë, janë të frikshme.

Të paditur ka edhe mes atyre që bëjnë pjesë në qeverinë e këtij vendi. Padija dhe injoranca nuk janë të dëmshme vetëm sepse ato pengojnë zgjidhjen e problemeve reale të shoqërisë; ato bëhen shkak për absurditete të çdo lloji. Injoranca, gjithashtu, ushqen dhunë dhe krijon monstra politike.' Besimi i qytetarëve tek institucionet qeverisëse apo sistemi i drejtësisë i 'reformuar' është në nivele jashtëzakonisht të uleta. Në 20 vitet e fundit shumë çështje si ndërtimi i TEC-it në Vlorë (një vepër ikonë e shpërdorimit të fondeve publike pasi kushtoi 130 milionë dollarë dhe mbetet akoma jofunksional), importi i armëve kimike nga Siria, ndryshimet kushtetuese të 2008-s apo 2016-s, ligji për importin e mbetjeve apo ndërtimi i inceneratorëve (sasi azbesti, vajra të ndotur apo tonelata mbeturinash elektroshtëpiake bllokohen çdo ditë në portet italiane, që kanë për destinacion Shqiperinë, pasi klasifikohen të rrezikshme për mjedisin), do të mund të kishin marrë zgjidhje nëpërmjet referendumit.

Fatkeqësisht, te ne, ende nuk është formuar kultura politike ku qytetarët të revoltohen, të protestojnë dhe të iniciojnë nisma për referendum pa pasur nevojën e një përkrahjeje apo mbështetje nga forcat kryesore politike në vend për çështje që kanë një impakt të drejtpërdrejtë në jetët e tyre, por vazhdojnë të mbeten të nënshtruar dhe indiferentë. Shqiptarët duhet të imponojnë me kurajo hartimin e një agjende legjislative për adoptimin pa vonesë të ligjeve referendare, pasi në të kundërt demokracia rrezikon te përkeqësojë më tej cilësinë e saj dhe të cënojë më tej ekuilibrat e saj të brendshëm. Kushtetuta jonë e sanksionon edhe në nenin 2 të saj, që "Populli e ushtron sovranitetin përmes përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti". Në një vend ku ka më tepër se 30 vite që elitat politike të korruptuara riciklohen, rikthimi i të drejtës referendare do t'i bëjë qytetarët shqiptarë më të përfshirë dhe të kenë një zë më të fuqishëm në vendimmarrje.

(Autori është këshilltar për çështjet e ballkanit perëndimor pranë Parlamentit Evropian)

The post Shqiptarët të rifitojnë të drejtën kushtetuese të referendumit appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more