Skip to main content

“Ndahet nga jeta piktori dhe skenografi i njohur Rexhep Aliaj, dedikimi prekës i Robert Aliajt: Kohë kolerash, jemi të detyruar ta mbajmë brenda shpirtit hidhërimin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Ndahet nga jeta piktori dhe skenografi i njohur Rexhep Aliaj, dedikimi prekës i Robert Aliajt: Kohë kolerash, jemi të detyruar ta mbajmë brenda shpirtit hidhërimin” plus 9 more - Gazeta Dita


Ndahet nga jeta piktori dhe skenografi i njohur Rexhep Aliaj, dedikimi prekës i Robert Aliajt: Kohë kolerash, jemi të detyruar ta mbajmë brenda shpirtit hidhërimin

Posted: 13 Jan 2021 02:05 AM PST

Është ndarë nga jeta piktori dhe skenografi i njohur Rexhep Aliaj.

Lajmin e hidhur e ka ndarë me miqtë në rrjete sociale, vëllai i tij, muzikanti dhe piktori Robert Aliaj.

“Kur ndërrojnë jetë prindërit, thuhet se ke humbur të kaluarën. Kur ndërron jetë bashkëshorti, ke humbur të tashmen. Per fëmijët nuk guxoj të shkruaj…

Kur ndërron jetë vëllai / motra, ke humbur një pjesë të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Thonë se dashuria nuk vdes kurrë, dhe kështu, mbase, as të dashurit nuk vdesin?

R.I.P. vëllai im Rexhep Aliaj në këto kohë kolerash ku jemi të detyruar të mbajmë hidhërimin brënda nesh si një parazit të pështjelluar në thelbin e shpirtit. Ne do të vazhdojmë, por nuk do të jemi kurrë më njësoj” – shkruan Roberti në një dedikim prekës për humbjen e vëllait (në foton kryesore, dy vëllezërit artistë).

 

n.s. / dita

 

Dita e tretë / 1 në 10 persona efekte të lehta pas vaksinimit ndaj COVID, mjekja: Vaksina nuk ndërhyn në ADN e njeriut

Posted: 13 Jan 2021 02:04 AM PST

Që prej dy ditësh Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit.

Me dhjetëra mjekë, infermierë, epidemiologë janë vaksinuar me vaksinën e Pfizer-BionTech, e cila ka një mbrojtje deri në 95%.

Deri tani, sipas autoriteteve shëndetësore vaksinat e aplikuara nuk kanë sjellë efekte anësore, megjithatë shumë njerëz, përpara injektimit të saj në organizëm shprehin rezerva për simptomat që mund të përjetojnë nëse marrin dozat e kësaj vaksine.

Sipas studimeve të deritanishme është akoma shumë herët për të pasur një mendim përfundimtar mbi efektet anësore të vaksinës së parë të mARN, por të dhënat tregojnë se deri tani 1 në 100,000 njerëz ka pasur një shok alergjik ndaj vaksinës Pfizer, por përfitimet e vaksinimit janë shumë herë më të larta se rreziqet e mundshme.

Shifra është llogaritur nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), e cila identifikoi 21 raste të shokut anafilaktik (një reaksion i rëndë alergjik), nga një total prej 1,893,360 injeksionesh të vaksinës të dhënë midis datës 14 dhe 23 Dhjetor.

Mjekja mikrobiologe në Institutin e Shëndetit Publik, Blerta Brati ishte e ftuar në "Wake Up" ku shpjegoi me detaje se çfarë është kjo vaksinë dhe efektet e lehta anësore të saj.

"Njeriu duhet ta dijë që sapo lind vaksinohet. Kështu që çdo vaksinë kalon fazat e veta, kalon gjithë provat e nevojshme para se të vijë në shërbim të njerëzve.

Vaksina që është aktuale dhe njerëzit me të vërtetë kanë një lloj frike dhe stepje, pasi është hera e parë që përdoret në njerëz. Pfizer dhe Moderna përdor 'ARN mesager', që nuk është gjë tjetër veçse një sekuencë kalimtare, një fotokopje e ADN së virusit, e cila do prodhojë gjithë informacionin gjenetik të mundshëm për prodhimin e proteinave në trupin e njeriut, që të ketë mundësi pastaj ta shndërrojë trupin e njeriut në një fabrikë prodhimi proteinash.

Por, pas disa ditësh ajo do shkatërrohet dhe gjithë procesi do të ndodhë në citoplazmën e qelizës dhe jo në bërthamën e qelizës ku është ADN-ja.

Efektet anësore janë efekte të lehta që prekin një në 10 persona. Dhimbje në vendin e injektimit, skuqje, dhimbje e përgjithshme, mund të kenë dhimbje koke, mund të ketë të dridhura. Por nuk duhet të shqetësohemi, pasi tregon se kjo vaksinë po jep efekt. Pastaj, efektet më të rënda, ajo që është vënë re është se 1 në 100 mijë ka një shok alergjik", theksoi mjekja.

j.l./ dita

Presidenti bën lëvizjen e radhës kundër qeverisë, kthen një tjetër ligj: Favorizon zhvatjen e pasurisë publike nga oligarkët

Posted: 13 Jan 2021 01:54 AM PST

Presidenti, Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj.

Ai ka vendosur të mos dekretojë ligjin “Për taksat kombëtare” të ndryshuar, duke e kthyer atë për shqyrtim në Parlament.

Meta argumenton se ky ligj ka si qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare, ndërsa thekson ky ligj pritet që të sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej afërsisht 500 milion lekësh.

"Në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji, konstatohet se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare." thuhet ndër të tjera në argumentet e Presidentit të Republikës për arsyet e kthimit të ligjit.

Meta thekson se kësaj nisme i mungon transparenca që nga momenti që është propozuar, vlerësuar, analizuar kostot pozitive dhe negative në ekonomi për këtë nënsektor dhe për nënsektorët e tjerë, deri te formalizimi i propozimit.

Arsyet e kthimit të ligjit:

“Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 17.12.2020, ka miratuar ligjin nr. 151/2020 "Për një ndryshim në ligjin nr. 9975 datë 28.7.2008, "Për taksat kombëtare", të ndryshuar".

Ky ligj me shkresën me nr. 3236 prot., datë 24.12.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje. Kjo praktikë është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 4361 prot., datë 24.12.2020.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji, si dhe përmbajtjes së dispozitave të ligjit nr. 151/2020, rezulton se, ky ligj ka si qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare (ferrokromi, koncentratet e kromit dhe të bakrit), nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në fund të vitit 2023 (pra për 3 vjet), dhe aplikimin e normës së rentës minerare në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim.

Kjo nismë legjislative argumentohet nga qeveria si një formë mbështetjeje për industrinë e përpunimit të mineraleve metalore, që sipas relacionit shoqërues dhe komisionit përgjegjës për shqyrtimin e saj, po përjeton një periudhë krize që kanë shkaktuar dhe ulje të kërkesës dhe çmimeve të tregut ndërkombëtar të nënprodukteve minerare metalore.

Projektligji është hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas propozimeve të depozituara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Shoqata e Minierave të Shqipërisë dhe Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqipëtare. Sipas praktikës parlamentare, ky ligj pritet që të sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej afërsisht 500 milion lekësh, në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore.

Projektligji është nismë e Këshillit të Ministrave dhe është shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, si dhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në cilësinë e komisionit përgjegjës.

Projektligji i është nënshtruar shqyrtimit të propozimeve amenduese të deputetëve Vullnet Sinaj dhe Taulant Balla. 

Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 151/2020, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe parashikimet e Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionin aktual në fuqi, si dhe interesit më të lartë, atë të ruajtjes së interesit dhe pasurisë publike dhe stabilitetit ekonomik të vendit.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji, konstatohet se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare. Konkretisht;

  1. Ligji nr. 151/2020, bën një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë në raport me degët e tjera.

Si argument për ndërhyrjen nëpërmjet parashikimit të propozuar të nenit 1, të ligjit nr. 151/2020, është paraqitur situata e rënduar në këtë degë të industrisë për arsye të efekteve negative të pandemisë Covid-19.

Në këtë kuadër, vlen të theksohet se situata pandemike e cila vazhdon ende, ka sjellë efekte negative në secilën fushë të ekonomisë dhe në secilin subjekt operues në tregun e lirë në vend dhe mbarë botën.

Kjo situatë trajtohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekspertët e ekonomisë me qëllim përballimin e pasojave të rënda dhe ardhjen në ndihmë si për bizneset e investitorët, ashtu edhe për qyteatrët.

Për të shamngur këto pasoja, qeveritë e çdo vendi kanë parashikuar paketa të ndihmës ekonomike në disa nivele ndërhyrjeje, duke parashikuar lehtësime fiskale e tatimore për kategori të ndryshme subjektesh ekonomike, të shtrira në dhe për periudha kohore të ndryshme.

Për t`iu kthyer nismës konkrete, kjo nismë nuk është shoqëruar me një analizë të plotë të situatës, dhe përparësive që ka ky sektor për t`u favorizuar në mënyrë fiskale.

Kësaj nisme i mungon transparenca që nga momenti që është propozuar, vlerësuar, analizuar kostot pozitive dhe negative në ekonomi për këtë nënsektor dhe për nënsektorët e tjerë, deri te formalizimi i propozimit.

Veçanërisht kur, ashtu sikurse ky nënsektor i industrisë, edhe të gjithë nënsektorët e tjerë janë përballur me vështirësi të qenësishme gjatë kësaj periudhe. Të gjitha degët e industrisë me aktivitet eksportet kanë përjetuar një periudhë krize, si për shkak të uljes së çmimeve, por dhe për shkak të uljes së kërkesës së jashtme, nisur nga pasiguria financiare që ka shkaktuar pandemia Covid-19.

Gjithsesi, është detyrë e pushtetit qendror të thellohet në shqyrtimin e parametrave fiskalë dhe të mos krijojë një situatë ekstreme të trajtimit preferencial, duke favorizuar degë të veçanta të industrive, të cilat i nështrohen regjimeve të natyrave të njëjta.

Kështu, ndryshimet apo stimujt fiskalë do të duhet të përfshijnë dhe mbështesin objektivisht të gjitha industritë dhe aktivitetet eksportuese, dhe jo një industri të veçantë si në rastin e ligjit të miratuar.

Një nismë e kësaj antyre, para se të formalizohej, duhet të kishte marrë në analizë më parë nevojat e të gjithë nënsektorëve të ekonomisë, për të vlerësuar nëse ndërhyrja duhej në disa drejtime dhe nënsektorë, apo vetëm në një sektor në veçanti.

Kjo përzgjedhje lehtësuese vetëm për një sektor, e mbi të gjitha pa asnjë transparencë mbi:

  • numrin e operatorëve ekonomikë që operojnë në këtë fushë;
  • nivelin e të ardhurave vjetore që gjenerojnë;
  • kontributet që derdhin në buxhetin e shtetit;

është një tregues më shumë për trajtim favorizues të subjekteve të caktuar ekonomikë, dhe jo ndërhyrje për të lehtësuar një sektor, mes shumë sektorëve të ekonomisë që po vuajnë pasojat e pandemisë Covid-19.

Shteti është i detyruar të sigurojë trajtim të barabartë para ligjit për të gjithë, duke mos lejuar diskrimininim e subjekteve që operojnë, përmes zbatimit të dispozitave ligjore favorizuese dhe/apo lejeve të dhëna, parime të cilat i nënshtrohen një mbrojtjeje të veçantë nga Kushtetuta.

Nëse lind nevoja për trajtim të tillë, kjo nevojë duhet të jetë e justifikuar dhe arsyetuar në terma konkretë, por gjithëmonë duke vlerësuar me shumë objektivitet dhe jo në kushte të tilla diskriminuese që sjellin pasoja për pasurinë publike.

Nevoja për trajtim të barabartë përcakton gjithashtu detyrimin për vendimmarrje të qëndrueshme, si për gjithë nënsektorët e industrisë, ashtu dhe për të gjithë subjektet operuese.

  1. Ligji nr. 151/2020, është miratuar pa asnjë konsultim me pushtetin vendor, që është përfitues direkt i një përqindjeje të të ardhurave nga renta minerare, duke cenuar parimin e decentralizimit dhe autonomisë së këtij pushteti, ashtu dhe interesin publik për të përfituar nga fondet e planifikuara për t`u investuar në disa njësi të vetëqverisjes vendore.

Neni 4, pika 4, e ligjit nr. 9975 datë 28.7.2008, "Për taksat kombëtare" të ndryshuar", në paragrafin e parë dhe të tretë parashikon konkretisht se:

"4. Taksa e rentës minerare caktohet sipas shtojcës nr. 2, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Përqindja e rentës minerare për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar është në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, "Grupi i parë (I) Mineralet metalike" që i bashkëlidhet këtij ligji. Çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënieje kontraktuale me ministrin përgjegjës për ekonominë, duhet të paguajë rentë minerare për burimet natyrore që nxjerr nga/mbi/dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë. Renta minerare llogaritet si detyrim mujor i subjektit taksapagues, në çastin kur ai shet produkte minerare. Në rastin e eksportit të produkteve minerare, renta paguhet në çastin e bërjes së deklaratës së eksportit. 5 për qind e të ardhurave nga renta minerare i takojnë pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria. Të ardhurat nga renta minerare përdoren për investime për njësitë e qeverisjes vendore.

[…]Në rastin kur taksa e rentës minerare aplikohet në përqindje, kjo taksë llogaritet duke shumëzuar vlerën e shitjes së produktit (pa TVSH) me përqindjen e rentës. Kur taksa e rentës minerare aplikohet në vlerë fikse për njësi, shuma e rentës minerare llogaritet duke shumëzuar 4 sasitë e shitjes së produktit me vlerën e rentës minerare. Në rastin e shitjes së mineralit të grupit të parë (I), "Mineralet metalike", për përpunim brenda vendit, nga nxjerrësi te përpunuesi, përqindja e rentës aplikohet në masën sa 3/7 e normës së rentës për vitin 2019, 3/8 e normës së rentës për vitin 2020 dhe 1/3 e normës së rentës për vitin 2021 e në vijim së përcaktuar në shtojcën nr. 2, mbi vlerën (çmimin) e shitjes, e cila, për efekt të përllogaritjes së rentës minerare, nuk mund të jetë më e vogël se çmimi i shitjes për eksport të mineralit të papërpunuar.

Në relacionin shpjegues, citohet se: "[…] parashikohet që për periudhën 3-vjeçare të sjellë një efekt negativ prej afërsisht 500 milionë lekësh në buxhetin e shtetit."

Përveç faktit që analiza e efekteve financiare nuk është kryer e plotë, por është kufizuar vetëm në periudhën 3 vjeçare, kjo shumë në formën e efekteve negative prek në mënyrë direkte edhe investimet e njësive të qeverisjes vendore.

Në Raportin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, gjatë diskutimit të amendamentit të deputeti Vullnet Sinaj, (përmes të cilit propozohet një ndryshim në nenin 4, pikën 4, paraprafi parë, konkretisht propozohet rritja në masën 25 %, të të ardhurave nga renta minerare që kalojnë në favor të pushtetit vendor ku zhvillohet veprimtaria), Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka deklaruar se, citojmë: […] nuk është dakort me propozimin për shkak se ky amendament ka kosto shtese për buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit tashmë është i ndarë, planifikimet janë të përcaktuara dhe nuk ka asnjë diapazon që tashmë të bëjë ndryshime të tilla dhe të rialokojë fonde, pasi rishpërndarja nuk është uniforme por është e përqëndruar në vetëm pak bashki.

Pra, ndërkohë që nga njëra anë pranohet se planifikimet janë të përcaktuara, nga ana tjetër, duke aplikuar një standard të dyfishtë të papranueshëm, të ardhurat (po të planifikuara tashmë) që shkojnë nga renta minerare për njësitë e vetëqverisjes vendore, janë hequr pa asnjë konsultim me ato njësi të vetëvqeverisjes vendore që përfitojnë prej tyre.

Decentralizimi i pushtetit vendor garantohet nga Karta Evropiane e Autonomisë Lokale, Kushtetuta dhe vetë ligji nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", i ndryshuar. Pavarësia e pushtetit vendor përfshin si autonominë funksionale, ashtu edhe pavarësinë e ushtrimit të veprimtarisë ligjore. Kjo ndarje sigurisht shoqërohet me ekuilibër dhe ndërveprim, por në çdo rast duke ruajtur kufirin e ndërhyrjes të sanksionuar në Kushtetutë.

Për t`u kthyer në vlerësimin e dispozitës së miratuar, do duhet të sjellim në vëmendje se pushteti vendor nëpërmjet organeve të veta, ka detyrimin e menaxhimit nga ana financiare të gjithë veprimtarisë që i është atribuar brenda juridiksionit të përcaktuar.

Kështu, në përgjigje të realizimit të kësaj veprimtarie janë parashikuar mënyrat e sigurimit të fondeve, në drejtim të të cilave janë marë masat për ruajtjen e paprekshëmrisë deri në nivel kushtetues.

Pushteti qendror dhe ai vendor, gjatë veprimtarisë së tij udhëhiqet nga parime të dobishmërisë dhe vlerësimit, dhe për këtë nevojitet që dhe veprimtaria legjislative nuk duhet të ndikojnë në dobishmërinë e veprimtarisë së pushtetit vendor, i cili e përmbush dobishmërinë e aktivitetit të tij publik, pikërisht dhe përmes mundësisë buxhetore dhe të ardhurave të krijuara.

Ndërhyrja në mjetet financiare që zotëron pushteti vendor duke i shkurtuar ato, rrezikon qënësisht veprimtarinë e tij, sepse decentralizimi, dhe autonomia financiare është pikërisht realizimi konkret i zhvendosjes së qeverisjes në nivel territorial, e cila nuk mund të përmbushet plotësisht pa mjetet e nevojshme financiare.

Për rrjedhojë, kufizimi i të ardhurave mbart rrezikun për t'i pakësuar rolin qeverisës autoriteteve vendore në njësinë territoriale përkatëse.

  • Ligji nr. 151/2020 nuk shoqërohet me asnjë argument konkret financiar që të justifikojë regjimin e ndryshëm fiskal
  1. Shtojca nr. 2 ka të klasifikuara emërtimin e grupit të mineraleve sipas ligjit minerar duke përmbledhur në këtë grupim, mineralet e:
  • bakrit;
  • kromit për eksport;
  • nikelit (nikel-silikat);
  • hekurit (hekur-nikel);
  • argjendit;
  • arit;
  • plumbit;
  • zinkut; si dhe
  • të gjitha mineralet e tjera metalike.

Duke analizuar propozimin edhe me parashikimet e ligjit nr. 10 304, datë 15.7.2010, "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, ku janë dhënë qartazi përkufizimet e termit mineral, veprimtari minerare, si dhe aktivitetet e kërkimit, zbulimit, shfrytëzimit, përpunimit si dhe konservimit; si dhe qëllimin Qeverisë, për të ndihmuar industrinë në vazhdimin e kapaciteteve që ka duke mos i lejuar kompanitë që operojnë në këtë sektor të falimentojnë, do duhej të sqarohet arsyeja pse nuk janë përfshirë në këtë nismë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë edhe sektorët e tjerë.

Investimi si në kohë dhe në angazhimin konkret edhe, duke përfshirë rrezikun që qeveria ka ndërmarrë duke pakësuar buxhetin e shtetit me një vlerë të konsiderueshme, përveçse nuk ka mundur të adresojë problematika gjithëpërfshirëse në sektorin e industrisë, por ka cenuar interesin publik.

Qeveria duhet ta ketë mëse të qartë se interesi në këtë rast në mbrojtje të një sektori specifik, duhet të barazpeshohet me interesin e shtetasve, që korrespondon me pakësimin e mundësive për të përfituar direkt nga përmirësimi i investimeve apo shërbimeve, për vlerat që pakësohen nga të ardhurat që tashmë do të mungojnë në buxhet për shkak të kësaj nisme.

Dy standardet e ndryshme që synohen të aplikohen në rast të hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të sillnin shkelje të parimeve të mbrojtura nga Kushtetuta, një pabarazi në trajtimin e subjekteve ekonomikë, duke favorizuar vetëm disa prej tyre lehtësisht të identifikueshëm, si dhe cenim të interesit publik.

  1. Relacioni shoqërues i projektligjit argumenton se ndryshimi i masës së rentës do të shërbejë si masë për të nxitur përpunimin në vend të mineraleve, si dhe rritjen e investimeve. Por në relacion nuk është prezantuar ndonje ide, propozim apo strategji konkrete dhe të pritshme, veçanërisht për periudhën 3 vjeçare që kjo rentë nuk është parashikuar të vilet, për zhvillimin e investimeve në përpunimin e pasurive minerare.
  2. Prodhimi minerar është një produkt i cili mund të magazinohet në pritshmërinë e ndryshimit të konjukturës së çmimeve, por dhe të kërkesës. Ky fakt në vetvete krijon mundësinë e kapërcimit të vështirësive momentale që mund të ekzistojnë për shkak të pandemisë Covid-19, që mund të ketë ndikuar në nivelin e çmimit dhe të kërkesës, pa impaktuar rëndë funksionimin e biznesit.
  3. Duke iu referuar raportit të World Economic Outlook-Tetor 2020, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, çmimi bazë i metaleve është rritur nga muaji shkurt deri në muajin gusht të vitit që sapo kaluam, 2020. Sipas të njëjtit raport të FMN-së pritshmëria për vitin 2021 është rritja e indeksit të çmimit të metaleve bazë.

Në këto kushte lind natyrshëm pyetja nëse, Ministria e Financave dhe Ekonomisë si institucion që ka propozuar, analizuar dhe përllogaritur efektet e nismës, është konsultuar me referenca të institucioneve të rëndësishme monetare dhe monitoruese të ekonomisë së vendit tonë dhe/apo botërore, apo jo ?.

Nga materialet shoqëruese të projektligjit nuk arrihet të evidentohet përpjekja e Qeverisë nëpërmjet institucioneve të saj, për të arritur një ndihmesë direkte për të gjithë industrinë minerare nëpërmjet formave të tjera të ndryshme nga parashikimi i zerimit të detyrimit të rentës minerare, e cila në fakt lidhet me të drejtën e përdorimit të burimeve kombëtare.

  1. Zbatimi i ndryshimit të miratuar me ligjin nr. 151/2020, sjell pasoja fiskale që cenojnë interesin publik dhe rrezikojnë të çojnë në shfrytëzim abuzues të pasuritë natyrore të vendit.
  2. Në vendet në zhvillim, si në rastin e vendit tonë ku mungojnë mundësitë ekonomike, burimet natyrore konsiderohen si një pasuri kombëtare nga të cilat duhet të përfitojnë si qeveria qendrore dhe vendore, por dhe popullsia në tërësi, dhe jo të përfitojnë vetëm shoqëritë e industrisë nxjerrëse.
  3. Nisma duhet të ishte shoqëruar me shifra konkrete se cilat janë prurjet në të ardhura që sjell kjo industri, si në pushtetin vendor dhe atë qendror, për të pasqyruar konkretisht efektet pozitive dhe negative që do të sjellë norma e re.
  4. Nisma duhet të shoqërohet me shpjegime mbi nivelin e humbjeve të parashikuara në buxhet dhe veçanërisht në të ardhurat e njësive të qeverisjes vendorel; si dhe mënyrën se si i ka parashikuar qeveria për t`i rekuperuar këto humbje. Veçanërisht ulejn në zërin e të ardhurave për vitin 2021.
  5. Renta minerare në kuptimin e dhënën në ligjin nr. 10 304 "Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, është përqindja e vlerës së mineralit të shitur, që i paguhet shtetit nga zotëruesi i lejes minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare.

Ky detyrim është parashikuar si detyrim i përgjithshëm gjatë ushtrimit të veprimtarisë minerare, sipas tipit të lejes minerare të zotëruesit, gjatë periudhës së vlefshmërisë së saj.

Renta minerare, me kategorizimin në cilësinë e taksës kombëtare nënkupton rëndësinë  pikërisht për arsyen se burimet natyrore janë jo të rinovueshme.  Nisur nga ky fakt, politikat me të cilat duhet të shoqërohet kjo taksë duhet të përfshijnë si analizën e impaktit ekonomik ashtu edhe atë mjedisor.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do duhej të ndërhynte vetëm pas analizimit të njësive të prodhimit, njësive të produktit përfundimtar, të ardhurave bruto, apo vlerës së produkteve të përpunuara minerare për secilin subjekt operues, e vetëm më pas të konkludonte në vendimmarrje.

Meqënëse burime natyrore të kësaj natyre janë jo të rinovueshme, qeveria ka një përgjegjësi të madhe për të siguruar që vendi dhe komuniteti do të marrin përfitime, duke përfshirë tatimet dhe rentën sepse një herë që burimi është shfrytëzuar ai nuk ekziston më.

Pasuritë e nëntokës janë pasuri publike pronë e shtetit shqiptar dhe normalisht e gjithë qytetarëve shqiptarë. Në kushtet kur pasuria më e çmuar e nëntokës, e parinovueshme, trajtohet në këtë mënyrë, duke përjashtuar totalisht nga renta minerare subjektin/tet që e shfrytëzojnë atë, rezulton në fakt një situatë aspak e sinqertë e mirëadministrimit të kësaj pasurie, ku shteti përmes këtij ligji, me dashje, heq dorë nga e drejta e tij për të vjelë të ardhurat që i takojnë nga një pasuri që i takon të gjithëve, me qëllmin e vetëm që të favorizojë biznese të caktuar, që aktualisht kanë, apo mund të pajisen me autorizimet/lejet për ta shfrytëzuar atë.

Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që përmes ligjit, pasuria e shqiptarëve, në këtë mënyrë keqpërdoret për t`u mbështetur një grup i ngushtë biznesesh.

Për sa më sipër, përveç humbjeve të të ardhurave në buxhet, dhe diferencimit fiskal mbi baza klienteliste, ndryshimi i propozuar cenon shfrytëzimin me objektivitet të pasurisë kombëtare e cila nëse konsumohet në këtë mënyrë, pa vjelë ato të mira që i takojnë gjithë shoqërisë, konsiderohet shpërdorim flagrant i saj.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, duke vlerësuar se ky ligj bie ndesh me parimet kushtetuese, krijon diskriminim midis subjekteve ekonomikë, cenon autonominë e pushtetit vendor, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit, si tek të ardhurat buxhetore të qeverisjes qendrore, por dhe ato vendore, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 153/2020 "Për një ndryshim në ligjin nr. 9975 datë 28.7.2008, "Për taksat kombëtare" të ndryshuar", me qëllim që Qeveria dhe ligjvënësi të adresojnë drejtë, në mënyrë gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme, dhe duke ruajtur të pacenuar pasurinë kombëtare.”

j.l./ dita

VIDEO: Atentat në Tiranë, ortakët e një pallati në ndërtim konfliktohen me armë. Kush është biznesmeni i plagosur, e rrahën para 4 ditëve

Posted: 13 Jan 2021 01:20 AM PST

Një person është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm.

Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur tek "Rruga e Kavajës", pranë ish-parkut të autobusëve.

Është plagosur me armë bizmesmeni 42-vjeçar Sino Llanaj, i cili gjatë të shtunës që lamë pas mbeti i lënduar pas një konflikti fizik me ortakun e tij, Albert Allmuça ndërsa gjatë ditës së sotme ai ka mbetur i plagosur me armë.

I plagosuri është nisur drejt spitalit ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa autori Albert Allmuça është shpallur në kërkim.

Para rreth 6 muajsh, për shkak të konflikteve që kanë patur me njëri-tjetrin dy pronarët Albert Allmuça dhe Sino Llanaj, në lidhje me mënyrën se si kanë shitur apartamentet e pallatit në fjalë kanë patur një konflikt i cili ka çuar në bllokimin e rrugës me kamionë, si edhe sherr fizik mes tyre.

Rasti më i fundit ishte në zonën e “Astirit”.

Llanaj është plagosur me një plumb në këmbë, ndërkohë që ka mbetur i lënduar dhe roja i pallatit që është bërë dhe shkak për sherrin.

Policia është nisur me urgjencë drejt vendit të ngjarjes, për të nisur hetimin mbi ngjarjen.

Më poshtë pamje nga konflikti fizik të shtunën e kaluar, ku biznesmeni shihet i mbuluar nga gjaku.

j.l./ dita

Truk i ri diplomatik, çfarë fshihet pas deklaratës së fundit të Athinës zyrtare për të qenë protektore e “shteteve me shumicë myslimane” në rajon

Posted: 13 Jan 2021 01:02 AM PST

Shaban Murati

Botuar në DITA

 

Euforia është një sëmundje e vjetër e diplomacisë ballkanike. Por vështirë të kishte menduar kush një shkallë aq të lartë euforie si ajo e ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili me vitin e ri afishoi një objektiv të ri të madh të Greqisë në Ballkanin Perëndimor: Rolin e Greqisë si protektor i shteteve me shumicë myslimane në rajon. Në një intervistë me gazetën e njohur greke "Ekathimerini" në datën 10 janar 2021, publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Greke, ministri i jashtëm deklaron: "Qëllimi ynë është mbrojtja e Ballkanit Perëndimor nga rrjete ekstremiste dhe pikëpamjet neootomaniste. Ne kemi qëllim të bëhemi një urë bashkëpunimi me vendet me popuj kristianë. Me qëllimin që të arrijmë këto objektiva ne kemi zhvilluar një prani të posaçme aktive në këto vende".

Diplomacia fetare greke, si "një nga parametrat kyçe të politikës së jashtme greke" sipas përkufizimit të Dendiasit në 9 dhjetor 2020, sinjalizon një ofensivë të saj në planin fetar në Ballkanin Perëndimor për të marrë dhe për të konsoliduar rolin udhëheqës të Greqisë në këtë grupim, ku bëjnë pjesë pesë shtete të ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria. Interesantja e kësaj ofensive të re të diplomacisë fetare greke nuk është boshti i saj i njohur, i vjetër dhe i pandryshueshëm i përdorimit të ortodoksizmit si trase e influencës dhe e hegjemonisë greke në Ballkanin Perëndimor. Ky bosht mbetet themeli i aleancës shtetëroro-fetare të Greqisë me Rusinë dhe me Serbinë.

Tani diplomacia greke po del me një intonim të ri duke pretenduar të jetë protektore e shteteve me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor. Ministri i jashtëm grek e bën shumë të qartë se kush janë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku diplomacia greke do të fokusohet që të realizojë proteksionin grek të këtyre vendeve nga rrjetet ekstremiste dhe nga pikëpamjet neootomaniste. Ai rreshton Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën. Nuk e përmend as Serbinë dhe as Malin e Zi.

Duhet thënë që në fillim se ofensiva e re diplomatike fetare greke në drejtim të katër shteteve, që përmend Dendias, lidhet me ambiciet rajonale ballkanike dhe me interesat gjeopolitike greke në Mesdheun Lindor. Greqinë nuk e ha malli për ndonjë proteksion real ndaj këtyre shteteve dhe popujve, sepse historia e veprimit të diplomacisë fetare greke në drejtim të katër shteteve ka qenë antitezë e proteksionit. Është tepër e lexueshme se strategjia e re e ofensivës diplomatike fetare greke në Ballkanin Perëndimor është që të krijojë një diversion dhe një çarje te madhe mes shteteve ballkanike me shumicë myslimane dhe Turqisë. Së pari, Athina është e ndërgjegjëshme që nuk konkurron dot me Ankaranë në planin ekonomik dhe ushtarak dhe nuk mund të jetë për shtetet e Ballkanit Perëndimor më atraktive se Turqia. Së dyti, Greqia e pa gjatë vitit 2020 se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk e përkrahën Greqinë në ambiciet e saj lafonteniane për të qenë dominuese në Mesdheun Lindor. Në këtë situatë të pakëndshme për të, diplomacia greke hartoi trukun e ri diplomatik të paraqitjes së saj si protektore e shteteve ballkanike me shumicë myslimane, me synimin për të krijuar hendek në marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Kjo ofensive e re diplomatike greke në drejtim të Ballkanit Perëndimor duhet parë si pjesë e strategjisë më të gjerë greke për të krijuar një kordon sanitar rreth e qark Turqisë.

Është skema që Greqia po ndjek në mënyrë të ethshme në brigjet e Mesdheut, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, ku po mbijnë aleanca, grupime dhe instant-marrëveshje të Greqisë me të gjithë shtetet, që kanë mosmarrëveshje apo acarime me Turqinë. Nuk mund të quhen veçse të habitshme nga pikëpamja diplomatike marrëveshja e mbrojtjes reciproke e Greqisë me Emiratet e Bashkuara Arabe, apo marrëdhëniet zyrtare dhe marrëveshjet e Greqisë me gjeneralin separatist libian Haftari dhe jo me qeverinë e ligjshme libiane të njohur nga OKB. Më këtë obsesion diplomatik antiturk Athina ka krijuar grupime politike dhe energjetike me Izraelin, Qipron dhe Egjiptin, të cilat kanë acarime në marrëdhëniet e tyre me Turqinë.

Tani shefi i diplomacisë greke shpall se Athina do të përpiqet të krijojë të njëjtën skemë greke edhe në Ballkanin Perëndimor. Në fakt para Dendiasit ka qenë ministri i jashtëm grek Nikos Kocias, i cili hodhi idenë e përdorimit të përçarjes fetare ndërmyslimane në Ballkan. Pas një vizite në Shqipëri në vitin 2016 Kocias për herë të parë në historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare doli publikisht me përpjekjen për të krijuar çarje midis Shqipërisë dhe Turqisë në planin fetar, duke marrë në mbrojtje Komunitetin Mysliman Shqiptar me një deklaratë të habitshme sikur udhëheqësit e Komunitetit Mysliman Shqiptar ishin ankuar për Turqinë. Nuk ka informacion nëse Kocias është takuar atëherë me ndonjë drejtues të Komunitetit Mysliman Shqiptar apo ndonjë zyrtar i lartë shqiptar ia ka referuar Kociasit atë informacion. Fakti është se askush në Tiranë, as zyrtarë dhe as fetarë, nuk e përgënjeshtruan deklaratën provokuese të ministrit të jashtëm grek. Nuk duhet harruar se Ministria e Jashtme Greke, e drejtuar nga Kocias, siç doli nga zbulimet e dokumenteve në parlamentin grek në tetor 2018, kishte financuar me miliona euro shumë rrjete, media dhe individë në Shqipëri të lidhur me sektin antiqeveritar turk të Gylenit.

Tani ministri i jashtëm Dendias konfirmon si qëllim të diplomacisë greke shtrirjen në Ballkanin Perëndimor të strategjisë greke të krijimit të një klime apo aleance antiturke, duke u mbështetur në forcat politike, mediatike, ojq-iste dhe akademike të lidhur me sektin e Gylenit. Është interesant fenomeni i çuditshëm që shumë islamofobë dhe ateistë në Tiranë dhe në Prishtinë janë bërë mbrojtës dhe ithtarë të një hoxhe turk, që drejton sektin e tij ndërkombëtar nga Pensilvania kundër shtetit turk.

Ofensiva e re e rrezikshme e diplomacisë fetare greke në drejtim të shteteve të Ballkanit Perëndimor është një nismë greke në funksion të ambicieve për hegjemoni në Ballkanin Perëndimor. Janë ambicie, të cilat janë të përhershme në diplomacinë e shtetit grek, siç janë të përhershme edhe dështimet për të realizuar ambicien hegjemoniste ballkanike. Ministri jashtëm grek Dendias duhet të kujtojë dështimin e programit ballkanik të Athinës të vitit 1999, që caktoi 500 milionë dollarë ndihmë për shtetet ballkanike dhe rezultoi në një fiasco, apo planin e bujshëm grek të Jorgo Papandreut të vitit 2009 i koduar "Ballkan 2014" për rolin udhëheqës të Greqisë për të futur Ballkanin Perëndimor në BE në vitin 2014.

Në radhë të parë drejtuesit e vjetër dhe të rij të diplomacisë greke duhet të kenë të qartë se askush dhe asnjë shtet ballkanik nuk i ka kërkuar Greqisë të jetë protektor i Ballkanit Perëndimor. Ata ende nuk janë ndërgjegjësuar se as BE dhe as NATO nuk mund të lejojnë një rol protektor të Greqisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tre shtete të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s dhe gëzojnë mbrojtjen e saj dhe nuk kanë nevojë për proteksionin e Greqisë nga rrjetet ekstremiste apo neootomane. Katër shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete kandidate për anëtarësim në BE dhe kanë proteksionin e BE dhe nuk kanë nevojë për proteksionin e një shteti, që jeton ende me ëndrrën e "Megaliidhesë". Athina synon të përhapë helenizmin në Ballkanin Perëndimor nën etiketën e luftës kundër neootomanizmit dhe harron se edhe Greqia ka qenë 400 vjet në perandorinë osmane.

Duhet pranuar se euforia e ministrit të jashtëm grek për këtë ofensivë të re diplomatike të proteksionit grek për shtetet me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor nuk doli rastësisht tani. Ajo mori një shtytje dhe inkurajim të madh nga lëshimet e mëdha strategjike, që i bëri Greqisë qeveria e Shqipërisë si me pranimin entuziast të vendimit grek të zgjerimit të njëanshëm të ujrave territoriale greke në detin Jon, ashtu dhe me pranimin entuziast të kërkesës greke për të shkuar sëbashku dorë për dore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të sanksionuar cënimin e kufirit shtetëror detar shqiptar dhe të zonave detare shqiptare me vulën e Tribunalit Ndërkombëtar. Këto lëshime të mëdha strategjike shqiptare krijuan bindjen në qarqet drejtuese të Athinës se qeverisë shqiptare mund t'i kërkosh gjithçka dhe ajo do ta japë symbyllur. Greqia e ka asfaltuar prej kohësh terrenin me drejtuesit e Shqipërisë që të realizojë diplomacinë e saj fetare në Shqipëri. Nuk është rastësi që udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive janë dekoruar me urdhëra të larta nga krerët e kishës ortodokse greke, gjë që nuk ka ndodhur me kishën katolike. Në kufijtë e skandalit është praktika e konfirmur që udhëheqësit shqiptarë sa herë shkojnë për vizitë në SHBA përfshijnë në programin e tyre takime dhe bisedime me krerët e kishës ortodokse greke në Amerikë. Nuk takojnë kurrë peshkopë ortodoksë rumunë, bullgarë, rusë, gjeorgjianë, etj. dhe as peshkopë katolikë apo imamë myslimanë të shteteve të tjera në Amerikë.

Praktikisht është krijuar një lidhje e posaçme okulte midis kishës ortodokse greke dhe udhëheqësve politikë shqiptarë, të cilët e konsiderojnë kishën greke dhe diplomacinë greke si trampolinë e ruajtjes apo e marrjes së pushtetit politik në Shqipëri. Nuk është rastësi që kreu i kishës ortodokse të Shqipërisë propozohet për president të Greqisë nga qeveria greke në vitin 2015 dhe nuk reagon asnjë muskul i qeverisë, politikës apo mediave shqiptare.

Ofensiva e re e diplomacisë fetare greke përmban farën e intrigave dhe lojrave të rrezikshme dhe përçarëse në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet t'i lejojnë vetes të bien në kurthin e diplomacisë fetare greke, e cila synon t'i keqpërdorë në drejtim të acarimit dhe krijimit të konflikteve artificiale me Turqinë. Është një ftesë e rrezikshme greke sidomos për kombin shqiptar, i cili duhet të gjykojë gjeopolitiksht dhe strategjikisht se në gjithë hapësirën ballkanike Turqia mbetet aleati i nevojshëm dhe i sigurt për interesat jetike kombëtare dhe shtetërore.

Shqipërisë dhe Kosovës i duhen marrëdhënie të mira dhe normale dhe një bashkëjetesë paqësore me Greqinë, por kurrë me çmimin e humbjes së integritetit territorial apo të sovranitetit dhe të pavarësisë. Nuk duhen dëgjuar levantinët në Tiranë dhe në Prishtinë, që me sponsorizimin e Serbisë dhe të Greqisë synojnë t'i humbin kombit shqiptar një aleat të pazëvendësueshëm në Ballkan si Turqia. Ofensiva e re e diplomacisë fetare greke është një rrezik, që kërkon vigjilencë shtetërore, politike, shoqërore dhe publike në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku gjysma e popullsisë janë shqiptarë.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Gjermania në izolim deri në muajin prill, Merkel: Është e nevojshme për mospërhapjen e variantit britanik

Posted: 13 Jan 2021 12:38 AM PST

Karantina kombëtare në Gjermani mund të zgjasë të paktën deri për Pashkët katolike të 4 Prillit.

Paralajmërimin e zymtë e bëri Kancelarja Angela Merkel në një videokonferencë me strukturat drejtuese të partisë së saj, ku tha se masat e ashpra që janë aktualisht në fuqi, janë të nevojshme për të penguar variantin britanik të koronavirusit, që përhapet më shpejt.

Nëse masat hiqen, Merkel tha se infektimet ditore mund edhe të dhjetëfishohen.

Pavarësisht se në nivele të ulta krahasuar me rekordet, infektimet ditore nuk po bien aq sa ç'pritej me aplikimin e karantinës kombëtare.

Shkak për këtë, sipas virologëve, janë ambientet e punës ku vazhdojnë të qëndrojnë shumë punonjës së bashku.

Virologët këshillojnë të nxitet sa më shumë të jetë e mundur puna nga shtëpia.

Tendenca rënëse në Britaninë e Madhe, origjina e mutacionit më agresiv të koronavirusit vazhdoi edhe këtë 24-orësh. Infektimet ditore në Britaninë e Madhe ranë në rreth 46 mijë raste.

Rënia e rasteve të infektimeve të reja vazhdon prej 3 ditësh e po ashtu edhe e numrit të viktimave.

Të qëndrueshme kanë qenë infektimet ditore edhe në Itali, Francë madje edhe në Shtetet e Bashkuara.

j.l./ dita

I mori 8 milionë lekë vajzës së pacientes duke u hequr si infermiere, arrestohet sanitarja te “Shefqet Ndroqi”

Posted: 13 Jan 2021 12:22 AM PST

Ditën e djeshme u bë publik në media një rast flagrant i korrupsionit dhe abuzimit në sistemin shëndetësor, dhe më specifikisht në spitalin Covid 2.

Sot është arrrestuar sanitarja Tire Alldervishi, e cila i mori 8 milionë lekë qytetares tek "Shefqet Ndoqi" për shërbimet e nënës së saj duke u hequr si infermiere.

Policia e Tiranës bën me dije se sanitarja në fjalë, shtetasja Tire Alldervishaj 58-vjeçe është arrestuar ndërkohë që vijon hetimi dhe për personat e tjerë të përfshirë.

Njoftimi i Policisë:

 Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

 

j.l./ dita

Trumpit i mbyllet një tjetër “megafon”, pas Twitter dhe Facebook, edhe Youtube i bllokon kanalin

Posted: 13 Jan 2021 12:03 AM PST

Platforma e videove, Youtube ka bllokuar llogarinë e Donald Trump për të paktën 1 javë.

Lajmin e ka bërë të ditur Metro.co.uk, e cila shkruan se pezullimi vjen për shkak të rrezikut të shpërndarjes së videove me motive dhune.

E gjithë llogaria e Trump është pezulluar e gjitha, përfshirë edhe komentet në kanalin e tij.

"Pas shqyrtimit dhe në dritën e shqetësimeve në lidhje me potencialin e vazhdueshëm të dhunës, ne hoqëm përmbajtjen e re të ngarkuar në kanalin e Donald J Trump për shkeljen e politikave tona. Tani ka penalizimin e tij të parë dhe ndalohet përkohësisht të ngarkojë përmbajtje të re për 'minimumin 7 ditë'. Duke pasur parasysh shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me dhunën, ne gjithashtu do të çaktivizojmë në mënyrë të pacaktuar komentet në kanalin e Presidentit Trump, siç kemi bërë në kanale të tjera ku ka shqetësime të sigurisë të gjetura në seksionin e komenteve", thuhet në deklaratë.

Më parë Trump është pezulluar edhe nga rrjetet sociale si Twitter, Facebook dhe Instagram për shkak të thirrjeve për protestë që bëri në 6 janar në Capitol Hill.

j.l./ dita

U nxorri pistoletën efektivëve, konfrontimi i ish-kreut të Këshillit të Qarkut Kukës me Policinë gjatë arrestimit, në pranga 6 të afërm të tij dhe 5 të tjerë në hetim

Posted: 12 Jan 2021 11:47 PM PST

Gjashtë persona janë vënë në pranga nga Policia e Kukësit.

Ngjarja ka ndodhur një natë më parë, dhe se të prangosurit janë persona të afërt me Abedin Oruçin, ish-kryetarin e Këshillit të Qarkut që është shpallur në kërkim.

Kjo vjen pas një përplasjeje që Oruçi, i cili është i shpallur në kërkim, pati me efektivët e Policisë së Kukësit. Një ditë më parë, në momentin që efektivët shkuan për ta arrestuar në hotelin e tij, pasi ish-zyrtari i Kukësit po hetohet nga prokuroria për 3 vepra penale dhe prej kohësh ishte shpallur në kërkim, Oruçi u nxorri pistoletën efektivëve.

Gjatë përplasjes me uniformat blu, mbetën të lënduar pesë efektivë, por vetë Oruçi mohon që të ketë bërë diçka qëllimisht. Në një intervistë nga arratia, mbrëmjen e kaluar, Oruçi u shreh se efektivët ishin lënduar pasi kishin rënë në momentin që atë po e ndiqnin, dhe se vetë ai nuk kishte bërë asgjë.

Ai shtoi se kushti që ka për t’u dorëzuar është që të hetohet nga një tjetër prokurori dhe jo nga ajo e Kukësit, të cilën e konsideron të korruptuar. Sipas Oruçit, të gjitha akuzat dhe e gjithë çështja ndaj tij është politike.

Oruçi për 4 vite nga 2015 deri në 2019 ka qenë drejtuesi i qarkut të Kukësit, përfaqësues i PDIU-së. Në zgjedhjet e fundit vendore të 30 qershorit 2019, Oruçi ka qene rival me Gjicin për bashkine e Kukësit nën siglën e Bindjes Demokratike.

Abedin Oruçi është përfshirë në shumë konflikte dhe ka pas një skedë kriminale. Më 19 tetor të vitit të shkuar ai u konflikua dhe me truprojat e krye bashkiakut Safet Gjici, sherr që erdhi pak minuta pasi Gjici kishte përfunduar takimin me ambasadoren holandeze.

Në tetor të vitit 2011, Oruçi ka hapur zjarr me pistoletë ndaj turmës së njerëzve që protestonin për një minierë të hekur-nikelit në Mamëz. Abedin Oruçi është ndaluar edhe në Prizren në korrik të vitit 2008 me akuzë për përfshirje në trafik droge por edhe atje është liruar nga gjykata e qytetit gjë që solli edhe shkarkimin e tij te menjehershëm në Shqipëri. Por pak kohë më vonë Gjykata e Kushtetuese e ktheu në punë.

Në janar të vitit 2010 Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) e kallëzoi penalisht kryetarin e asaj kohe, të Komunës Kolsh, Qarku Kukës, Abedin Oruçi, për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë të reja. Oruçi, kishte fshehur në deklarim: 3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²; si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës. Sërish pas këtij rasti, Berisha e shkarkoi nga detyra, por Gjykata Kushtetuese e ka rikthyer në punë.

Njoftimi i Policisë:

Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit operacional për kapjen e shtetasit në kërkim Abedin Oruçi, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ditën e djeshme kanë organizuar punën dhe shkuar në ambientin e lokalit në pronësi të tij.

Në momentin që punonjësit e Policisë kanë hyrë brenda ambientit, persona të afërm të këtij shtetasi janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e Policisë.

Shtetasi Abedin Oruçi, duke përfituar nga ky fakt dhe duke i kanosur me armë zjarri punonjësit e Policisë, ka mundur të largohet.

Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me ketë ngjarje, u arrestuan në flagrancë të shtetasit:

E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik" kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

U proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit:

R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamez dhe në Kukës.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor shtetasit Abedin Oruçi, 54 vjeç dhe  P. O., 46 vjeç, banues në Kukës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.

j.l./ dita

Bie intensiteti i reshjeve në vend, nis dëbora në disa zona. Ulje e ndjeshme e temperaturave

Posted: 12 Jan 2021 11:32 PM PST

Sot moti do të jetë i alternuar me kthjellime dhe vranësira, duke sjellë mot të paqëndrueshëm i shoqëruar me reshje në të gjithë territorin.

Në krahasim me ditët e mëparshme reshjet do të kenë intensitet më të ulët. Ndërkohë në zonat e thella malore reshje do jenë në formën e dëborës.

Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme, ku do të variojnë: në zonat malore, nga -6°C në 02°C, në zonat e ulëta nga 01ºC në 08°C dhe në zonat bregdetare nga 04°C në 10°C.

Era do të fryjë në drejtim Veriperëndimor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 3 ballë.

Kosova sot do të mbizotërohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh të cilat do të sjellin mot të paqëndrueshëm i shoqëruar me reshje në të gjithë territorin.

Temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë ku do të variojnë: në zonat malore nga -4°C në 01°C dhe në zonat e ulëta nga -1°C në 04°C.

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more