Skip to main content

“Makthi i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Makthi i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat” plus 2 more Telegrafi Opinione


Makthi i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat

Posted: 22 Jan 2021 04:02 AM PST

"The Economist"

Liberalët bëhen "dembelë" kur mendojnë për turmat. Ata kanë brohoritur për "fuqinë e popullit" kur ajo kërcënon regjimet që ata nuk i aprovojnë, si për shembull në Lindjen e Mesme, ndërsa nga ana tjetër bëjnë një sy qorr ndaj teprimeve nga protestuesit që ata mendojnë se janë në anën e djathtë të historisë.

Në gushtin e vitit 2020, një botues i çështjeve publike botoi librin "Në mbrojtje të plaçkitjes: Një histori e trazuar e veprimit jocivil" nga Vicky Osterweil. Pushtimi i Kapitolit nga turma e mbështetësve të presidentit Donald Trump, më 6 janar, ishte një kujtesë e rreziqeve që vijnë nga luajtja me zjarrin.

Është naive të supozohet se turmat do të kufizohen vetëm në anën "e bukur" të spektrit politik; nga natyra e tij, lloji i turmave të krahut të majtë gjeneron llojin e turmave në të djathtë. Dhe, është dyfish naive të presësh që turmat do t'i vendosin kufij vetes; dalja jashtë kontrollit është në natyrën e tyre.

Filozofët politikë e kanë thënë këtë gjë vazhdimisht për më shumë se dymijë vjet. Teoricienët politikë para-modernë nuk u lodhën asnjëherë të paralajmëronin se sa herë që do të përfitojë nga rasti, "përbindëshi me shumë kokë" do të shkelë rendin në fuqi.

Edhe mendimtarët liberalë shqetësoheshin se demokracia mund të krijonte "mobokraci" (sundim të turmave). Ata argumentuan se vullneti i njerëzve duhej të frenohej nga një kombinim i ligjeve të Kushtetutës (të drejtat individuale, bashkë me kontrollet dhe ekuilibrat) dhe i kulturës qytetare. Më i mençuri midis tyre shtoi se prishja e kufizimeve të tilla mund ta shndërrojë demokracinë në sundimin e turmës.

Vepra e parë e madhe e filozofisë politike, "Republika" e Platonit, ishte, pjesërisht, një meditim mbi të këqijat që vijnë nga sundimi i turmës. Platoni e konsideronte demokracinë si më shumë sesa sundimi i turmës me një emër tjetër, ndoshta jo të dhunshme, të paktën në fillim, por me të njëjtën mungesë të kontrollit të impulsit. Ai krahasoi qytetarët e demokracive me blerësit që shohin në treg një "pallto me shumë ngjyra" dhe e blejnë atë vetëm për të zbuluar se shqepet kur është veshur vetëm dy herë. Ai vuri në dukje se demokracitë janë të vështira për t'ua provuar kufijtë.

Gjithashtu, Platoni argumentoi se demokracitë degradojnë në mënyrë të pashmangshme në anarki, pasi të varfrit plaçkitnin të pasurit, dhe kaosi prodhon kolaps. Anarkia çon në sundimin e tiranëve: një lider autoritar, mund t'u drejtohet instinkteve më të këqija të turmës, pasi ai vetëdrejtohet nga instinktet e tij më të këqija. Ai është në një farë mënyre turma në formën e një personi të vetëm. Për Platonin, e vetmja alternativë e zbatueshme për sundimin e turmës ishte sundimi i një kaste gardianësh: mbretër-filozofë, të stërvitur që në foshnjëri për të kontrolluar emocionet e tyre dhe për ta vendosur mençurinë përpara instinktit.

Aristoteli, nxënësi i madh i Platonit, bëri dallimin midis tre formave të ligjshme të qeverisjes: mbretërimit, aristokracisë dhe demokracisë. Ai argumentoi se secila prej tyre ka hijet e saj të errëta: tiraninë, oligarkinë dhe sundimin e turmës. Pastaj, ai i përshkroi mënyrat në të cilat këto forma të virtytshme të qeverisjes evoluojnë në të kundërtat e tyre: demokracia bëhet sundim i turmës, ku të pasurit rrëmbejnë pasurinë e shoqërisë. Duke qenë një mendimtar më praktik se Platoni, Aristoteli argumentoi se kishte dy mënyra për të parandaluar degradimin e demokracisë në një mobokraci: përzierja e saj me elemente të mbretërisë dhe aristokracisë për të frenuar vullnetin e njerëzve; dhe krijimi i një klase të madhe të mesme që ka për interes stabilitetin e vendit.

Shekujt vijues sollën disa risi në të menduarit mbi turmën. Makiaveli spekuloi se princat e zgjuar mund të ishin në gjendje të përfitonin nga kaosi, nëse ata mund ta përdornin turmën kundër një regjimi në shpërbërje e sipër.

Ndërkohë, elitat kënaqeshin me demonizimin e saj. Ata shpikën një mori emrash të frikshëm për popullin -"kafshë me shumë kokë", "turmë e vrazhdë", "vulgu i lëvizshëm", ose një turmë e ndryshueshme e cila dha shkas për termin anglisht mob – "turmë". Ata gjithashtu shpikën mënyra cinike për të devijuar energjitë e saj anarkike, veçanërisht "bukën dhe cirkun" në kohën e Perandorisë Romake.

Por, qasja ndryshoi me revolucionet franceze dhe amerikane të cilat bazoheshin në qasje të kundërta për sundimin e turmës. Në fillim, shumë njerëz e lavdëruan "fuqinë e popullit" gjatë revolucionit francez. Por, po shumë prej tyre ndryshuan mendje kur zbuluan se larg nga çlirimi i mirësisë natyrore të njeriut, revolucioni kishte liruar demonët e tij të brendshëm. Pra, Revolucioni Francez prodhoi një kritikë të fuqishme konservatore ndaj sundimit të turmës. Në librin e tij "Reflektime mbi Revolucionin në Francë", Edmund Burke thotë se turma ka një psikologji kolektive që e bën të rrezikshme në një mënyrë unike. Ai parashikoi shumë saktë se revolucioni do të përfundonte me masakrimin e mijëra njerëzve (përfshirë mbretin, mbretëreshën dhe priftërinjtë) dhe ngjitjen në pushtet të një diktatori që mund të rivendoste rendin dhe ligjin.

Revolucioni Amerikan pati sukses atje ku dështoi Revolucioni Francez dhe pasardhësit e tij, pasi u bazua në frikën ndaj "kaosit dhe neverisë e padurimit të turmës". Etërit themelues të ShBA-së, argumentuan se demokracia mund të shmangte shndërrimin në mobokraci vetëm nëse ajo ishte e mbrojtur nga një seri kufizimesh që kontrollojnë fuqinë e njerëzve. Ajo u nda midis degëve të qeverisë, në një mënyrë të tillë që askush të mos e përdorte më shumë sesa duhej. Qytetarëve iu dhanë të drejta të gjëra kushtetuese. Senatorëve mandate gjashtëvjeçare për të mos qenë të ndërvarur nga zgjedhjet presidenciale. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u emëruan për gjithë jetën, për t'u siguruar që ata të mos shkarkohen nga njerëzit e degëve të tjera të pushtetit.

Lufta e Dytë Botërore dhe disfata e nazizmit sollën një epokë të vetëbesimit demokratik, ndërsa rënia e Murit të Berlinit një eufori demokratike. Por, disa pesimistë vazhduan të paralajmëronin se demokracitë mund të degjeneronin në sundimin e turmës nëse ata neglizhonin shëndetin e institucioneve të tyre politike dhe kulturën qytetare. Dhe, vitet e fundit, pesimistët janë shtuar. Përvoja e vendeve të tilla si Egjipti gjatë Pranverës Arabe, i konfirmoi paralajmërimet se pa institucione të forta, demokracia do t'i nënshtrohej sundimit të turmës. Zgjedhja e Donald Trumpit, një yll i spektakleve televizive, ngriti pyetje të mëdha rreth shëndetit të regjimit politik të Amerikës.

Por, epoka e naivitetit demokratik vdiq më 6 janar. Tani ka ardhur koha për një epokë të sofistikimit demokratik. Demokracitë mund të jenë mbrojtja më e mirë kundër sundimit të turmës, por ato mund të jenë të suksesshme vetëm nëse vendet bëjnë përpjekjet e nevojshme për të ushqyer institucionet demokratike: duke u mbrojtur nga pabarazia e tepruar, duke siguruar që votuesit të kenë qasje në informacione objektive, në reduktimin e fluksit të parave në politikë, si dhe në forcimin e kontrolleve dhe ekuilibrave.

Përndryshe, sundimi i popullit do të bëhet vërtet sundimi  i turmës, dhe rendi i qëndrueshëm demokratik që lulëzoi nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, do të duket vetëm si një kuriozitet i shkurtër historik. /Në shqip nga: Bota.al/

 

 

 

The post Makthi i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat appeared first on Telegrafi.

Zgjerimi me 12 milje i sovranitetit të Greqisë, cenon rëndë interesat detare të Shqipërisë

Posted: 22 Jan 2021 03:18 AM PST

Piro Ahmetaj

Mbas opinionit të fundit në media mbi gjashtë arsyet madhore të dështimit të frikshëm të Surrel-Qeverisë në ikje (bashkëlidhur), kisha vetë-vendosur të mos përfshihesha më në këtë diskutim.

Mjaft është mjaftë, por të sëmurët nga mbi-pushteti nuk kanë as kufij, as turp as marre! Prandaj, mbas miratimit me votë unanime (284 nga 300 deputetë) të Parlamentit të Greqisë si dhe kërkesës me mirësjellje të disa mediave, po paraqes shqetësimet strategjike, si vijon:

1. Siç edhe u shprehë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, "Parlamenti Grek bëri histori", duke legjitimuar zgjerimin nga 6 në 12 milje, ose më thjesht me zgjerimin e sovranitetin detar me 13 mije kilometra katrorë, të cilën e përkufizoi si realizim të një ambicie shekullore (legjitime!) si dhe përmbushjen e një objektivi të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare në 40 vitet e fundit.

Kryeministri Mitsotakis, edhe pse i diplomuar në Harvard dhe pinjoll i një familje në themelet e historisë së Greqisë moderne, nuk "shitet si i gjithëditur as udhëheqës global", por ka punuar shumë fortë, me përgjegjshmëri dhe përulje në dobi të interesave të kombit dhe popullit të tij. Dhe, sigurisht, ka të drejtë legjitime të krenohet pasi falë vizionit, masave të orkestruara diplomatike, shtetërore, mediatike dhe institucionale ka përmbushur një objektiv me peshë gjeopolitike për kombin e Tij.

Më tej, me meritë e vlerësoi dhe falënderoi kryeministrin e Shqipërisë (shkollë vetëm si piktor dhe pinjoll i bllokut komunist), i cili me papërgjshmëri cinike ndaj interesave të vendit tij e ndihmoi të realizojë këtë përpjekje 100 vjeçare, pra zgjerimin e sovranitetit të Greqisë fqinje, me 12 milje ose 13 mijë kilometra katrorë (sa gati gjysma e tërësisë territoriale të Shqipërisë).

2. Në të kundërt, mbas kësaj vendimmarrje (legjitimimin e sovranitetit nga 6 në 12 milje), Qeveria shqiptare, që s'ka as Ministra, as zëvendësministra, as ambasadorë, as negociatorë, pra ai dhe vetëm ai, udhëheqësi i plotfuqishëm, ka dështuar frikshëm në tetë vjet dhe si pasojë e tij, interesat detare dhe gjeopolitike të RSH janë kërcënuar seriozisht. Edhe më thjesht, mbas këtij vendimi, Shqipëria kërcënon të humbasë hapësira detare me interesa kritike ekonomike në detin Jon.

E përsëris dhe do lutesha të isha gabim, por pas legjitimimit të sovranitetit të vendit fqinj nga 6 në 12 milje (faktit të kryer, siç paskëshin kishin rënë dakord paraprakisht me Ramën!), Shqipëria rrezikon të shkojë me humbje në xhep në Gjykatën Ndërkombëtare.

Dhe, një pyetje tjetër shtesë, për kryeministrin në ikje: Nëse deri në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare (procesi mundet të zgjas me vite), a zotëron Shqipëria kapacitete operacionale (mjete/anije ushtarake, infrastruktura detare etj.) të afta për të ndaluar (nëse ka) shkeljet e sovranitetit, apo edhe për të mos lejuar shfrytëzimin e paligjshëm të pasurive kombëtare në hapësirat e saj detare?

Kryeministri dhe institucionet kushtetuese, po ashtu kanë detyrim të qartësojnë qytetarët për heqjen (pa ligj) nga inventari i burimeve të mbrojtjes të RSH edhe të bazës ushtarake detare të Sarandës, ndërkohë që shteti fqinj, Greqia, për të mbrojtur dhe ushtruar sovranitetin detar në 12 milje planizon rritje të prezencës ushtarake edhe në Othonoi?!

3. Mungesa e transparencës (sikur negociohej për bunkerin e Surrelit) mos reagimi në kohë dhe proporcional i institucioneve të larta shtetërore (u thënçin), dhe propaganda cinike që u shitej qytetarëve, se s'ka asgjë për tu shqetësuar, pasi si çdo vend edhe Greqia ka të drejte sovrane, në mos universale, pse jo "hyjnore" për zgjerimin e sovranitetit detar nga 6 në 12 milje etj, si dhe arsyet pse për këtë vendimmarrje "historike", Greqisë iu deshën 39 vjet mbas marrëveshjes së Montengo Bay, në mos mbi 100 vjet, mbeten ende pikëpyetje legjitime por të "bezdisshme" për udhëheqesit e sekserët e pushteteve!

E thëne më troç po të dëshironi: Kur zgjoheni në mëngjes dhe gjeni se fqinji ju ka shtyrë gardhin e avllisë që bashkëndani, nuk besoj se mundet të behet kështu pa pyetur pasi cenon jo vetëm metrat e oborrit por edhe integritetin e fisit/familjes tuaj?! Ja, kështu njësoj, shqetësimi për ne, qytetarët e zakonshëm (që s'kemi në kurriz hallet e Globit), mbetet fakti që vendi fqinj, Greqia, zgjerohet me ligj nga 6 në 12 milje dhe 13 mijë mije kilometra kartrorë, pjesë e qenësishme e së cilës është edhe zgjerimi në grupin e ishujve të Jonit Verior, por për çudi nuk na prekka aspak interesat detare të Shqipërisë. Ja, këto duhet të na i qartësojë udhëheqësi i (pa)ndritur, institucionet shtetërore si dhe opinionistët e gjithëditur, kudogjendur dhe shumë keqpërdorur!

Përsa dalldinë e Spiropalëve, Bolinëve etj. se Skënderbe-Rama, domethënë vetë lideri global ka marrë përsipër të ulë në tavolinë Erdoganin me Mitsotakisin, për të zgjidhur mosmarrëveshjet turko-greke mbi Mesdheun, kalon përtej përmasave groteske të komedisë "mbreti lakuriq", ndërsa për njerëzit normal është për të qeshur, por për të mos u mëshiruar në 25 Prill.

Ndërsa riciklimi i diaresë politike rreth marrëveshjes së vitit 2009 (e cila e theksoj ne dhjetëra opinionet e mija nuk ekzistion fare, pasi është e rrezuar nga Gjykata Kushtetuese) si dhe sulmet sekserëve të pushteteve të uritur nga frëngjitë e port-haleve të paguara të Athinës ose Tiranës, që më paragjykojnë si ose të shitur te armiqtë, ose kamikaz i iks udhëheqësi, përveçse shpreh neverinë, nuk i lutem Zotit t'i falë pasi vetëm për interesa meskine, bashkë me Sulltan Surrelin, ose idhullin e tyre kanë kontribuar duke kërcënuar interesat e shqiptarëve në breza.

Në të kundërt, më motivojnë më shumë që ashtu si në 36 vjet nën uniforme ushtarake, edhe gjatë këtij viti, por dhe më tej në angazhimin politik, mbetem ushtar i përunjur vetëm ndaj Atdheut, familjes, vlerave demokratike, interesave të qytetarëve të Shqipërisë dhe mbarë kombit.

The post Zgjerimi me 12 milje i sovranitetit të Greqisë, cenon rëndë interesat detare të Shqipërisë appeared first on Telegrafi.

Të këqijat dhe të mirat që na la Trumpi

Posted: 22 Jan 2021 02:25 AM PST

Alexander Arvizu

Ajo çfarë ndodhi në Kapitol, ishte e pafalshme dhe do regjistrohet si një gjë e tmerrshme në histori, si maja e katër viteve të tmerrshme. Problemi me presidencën e Donald Trumpit, duhet të ishte jashtë normave. Dhe, unë si amerikan e kuptoj këtë. Edhe si diplomat. Duam që të heqim gjërat e tepërta. Por, ka një arsye përse punët bëhen në një mënyrë të caktuar, me procedurë të caktuar, ligj të caktuar, që janë rregulluar me kalimin e kohës, bile me shekuj. Quhet traditë. S'ka rëndësi çfarë je politikisht, si gjini apo racë, je pjesë e asaj trashëgimie. Por, ne nuk kemi nevojë për revolucion si ai i Trumpit; kemi nevojë për praktika inovative dhe krijuese. Në këto katër vjet s'ka asgjë të mirë për të kujtuar, përveçse mësuam ca gjëra për veten. Se i morëm ca gjëra si të mirëqena dhe se tani na duhet të rindërtojmë vendin tonë.

Unë p.sh. u rrita në Kolorado, por mbarova universitetin në Uashington. Iu bashkova shërbimit diplomatik. Kurrë nuk e kam cilësuar veten si elitist, por me miqtë dhe përvojat, si në Shqipëri e vende të tjera, pata shans të provoja gjëra që shumë amerikanë nuk mundën. Për shkak të këtyre përvojave, ndihem patriot dhe vlerësoj se çfarë quhet amerikan. Por, nëse ti jeton në Amerikë, por nuk ke një pasaportë dhe nuk ke udhëtuar kurrë e rri me njerëz që janë të ngjashëm me ty, atëherë fillon të mendosh se këta diplomatët kujdesen më shumë për vendet e tjera, sesa për Shtetet e Bashkuara. Në fakt është e kundërta. Por, zgjimi me të cilin përballemi është se ne që kemi shkollimin, përvojat për ekonominë, biznesin dhe besimin tek globalizmi dhe rolin unik që ka Amerika në drejtimin e botës, duhet të mendojmë se ka miliona amerikanë që nuk ndajnë këndvështrimin tonë dhe duhet të mendojmë se nëse edhe këta amerikanë do t'i dinin gjërat që ne dimë, do të kishin një pikëpamje tjetër për Amerikën dhe për botën. Duhet t'i përshtatemi këtij fakti. Të gjithë kemi të drejtë të kemi opinionet tona, por nëse pikëpamja e tyre është e ndryshme për Amerikën tonë të përbashkët, na duhet të mendojmë shumë për këtë.

Donald Trump bëri dy gjëra të mira në politikën e jashtme. Amerika është e përfshirë në ato që po quhen luftëra pa fund, por besoj se një nga kritikat e mia është mbi konfliktet ushtarake, industriale dhe humanitare. Ka shumë kaos dhe rrëmujë në botë dhe djemtë më të mirë amerikanë në ushtri u duhet të merren me gjithë terroristët e diktatorët e botës dhe më pas na duhet edhe t'i rindërtojmë këto shoqëri dhe këto vende. E kuptoj dëshirën për të bërë mirë, po ka një tendencë në Amerikë se ne duhet ta riformatojmë botën dhe t'i japim asaj formën tonë. Këtë e mendojnë shumë veta në Departamentin e Shtetit. E unë sot mendoj se kjo gjë duhet të ndryshojë. Unë mendoj se Amerika mund të vazhdojë të mbetet simbol shprese edhe në të ardhmen, por duhet t'i ikim kompleksit të Mesias. E dyta: duhet të mendojmë më shumë për Kinën pa harruar Rusinë që mbetet kundërshtar i joni. Për shkak të ekonomisë së Kinës dhe ndërlidhjes e rolit të saj të madh në ekonominë globale, shumë mendojnë se duhet të bëjmë lojën e saj për shkak se është shumë e madhe. Ndërsa, unë mendoj se duhet të mbajmë një qëndrim më të fortë.

Trumpi gjënë më të keqe që bëri është se vuri amerikanët kundër njëri-tjetrit dhe mbolli farën e dyshimit tek mendjet e gjithë amerikanëve, pro dhe kundër tij, për ëndrrën amerikane, mënyrën sesi shohim njëri tjetrin. Trumpi arriti të na hutojë.

të gjithë duam gjithçka që do të sjellë marrëdhënie më të mira mes Kosovës dhe Serbisë. Unë personalisht kam dyshime mbi agjendën personale të Richard Grenellit dhe mund t'ju them juve se nuk ka qënë përparësi e administratës Trump, ndaj kam dyshuar se ka një histori të fshehtë nga pas. Është diçka që duhet të mbështetet nga vetë popujt në Ballkanin Perëndimor. Unë kam pak përvojë në Shqipëri dhe e di se disa njerëz që janë ekspertë, ishin kritikë ndaj kësaj marrëveshjeje. Ndaj, megjithëse nuk kam dot një opinionin timin pasi nuk jam ekspert, i besoj këtyre ekspertëve dhe shqetësimeve që ata kanë.

Sigurisht pritshmëritë ndaj administratës Biden janë të larta dhe ka shumë gjëra që kjo administratë duhet të ribëjë për Amerikën, por duhet të jem i hapur dhe i ndershëm: Joe Biden është person shumë i mirë dhe shumë i ndershëm, si dhe një politikan I talentuar. Ndroja ime është se ai është i thyer në moshë dhe shumë tradicional në mënyrën e tij të të menduarit. Bidenin nuk e kam takuar kurrë, por ndihem sikur e njoh nga afër. Mendoj se ai menjëherë do të hidhet tek historitë e viteve 1980, kur bashkëpunonte me republikanët për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme. Kjo është fantastike. Por, jemi në vitin 2021 dhe peizazhi është shumë i ndryshëm. Lidershipi republikan duhet të ndajë përgjegjësi për shumë nga gjërat që ndodhën në periudhën e Donald Trumpit.

Ne nuk i shohim gjërat njësoj. Republikanët nuk janë armiqtë tanë dhe sigurisht që duhet të gjejmë një mënyrë të punojmë me njëri-tjetrin, por Joe Biden duhet të jetë i fortë dhe kam frikë se kjo nuk është në natyrën e tij. Më pëlqen roli i tij pajtues, por na duhet një lidership i fortë. Tani baza demokrate amerikane ka pritshmëri të tjera. Po ashtu edhe qytetarët amerikanë. Por, ka shpresë dhe kjo është një e mirë.

Donald Trump duhet të hetohet dhe gjykohet dhe s'duhet lejuar të kandidojë më. Por, ne jemi vend i ligjeve ndaj për këtë duhen prova të forta, juri dhe proces ligjor.

The post Të këqijat dhe të mirat që na la Trumpi appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more