Skip to main content

“Kontributi i Vranishtit në luftën e Vlorës” plus 9 more - Gazeta Dita

“Kontributi i Vranishtit në luftën e Vlorës” plus 9 more - Gazeta Dita


Kontributi i Vranishtit në luftën e Vlorës

Posted: 09 Jul 2020 03:24 AM PDT

Arben Saliu

Me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës

Me mbarimin e Luftës së Parë Botrore, ku Shqipëria u kthye në një amfiteatër në të cilin kryqëzoheshin fuqi të ndryshme militare, përsëri  ajo nuk i shpëtoi çlirimit nga vargojtë e huaj. Kështu Korça ngeli nën pushtimin francez, Shkodra nën administrimin e garnizonit ndëraleat, disa krahina verilindore nën pushtimin jugosllav, kurse pjesa jugore nën okupacionin italian. Kjo  situatë diktoi mbledhjen e Kongresit të Lushnjës në janar 1920 i cili shtroi si aspiratë mbrojtjen me çdo kusht të pavarësisë të shtetit shqiptar dhe ushtrimin e sovranitetit kombëtar. Vendimet e rëndësishme që ai mori në letër, kërkonin zbatim konkret. Zvarritja i jepte oksigjen status-quo-s. Prandaj momenti historik  impononte gërshetimin e lëvizjes diplomatike me forcimin e gjendjes së brendshme, e cila do të kishte si pikë vlimi luftën e armatosur.

Si rezultat i presionit politik, nga fillimi i pranverës të vitit 1920, Shkodra  dhe Korça u lidhën  administrativisht me qeverinë e Tiranës të kryesuar nga Sulejman Delvina. Nga ana tjetër, italianët vazhdonin të mbanin nën kontroll prefekturën e Gjirokastrës, që shtrihej nga Saranda gjer në Kolonjë si edhe prefekturën e Vlorës. Rritja e presionit politik i detyroi forcat italiane që në fillim të muajit maj të tërhiqeshin edhe nga prefektura e Gjirokastrës. Por qeveria e Romës nuk kishte ndërmend të hiqte kthetrat grabitqare nga Shqipëria. Kështu ajo vendosi të mbante të aneksuar Vlorën, pa marrë parasysh pasojat e mëtejshme. Refuzimi kategorik nga pala italiane i propozimit të qeverisë shqiptare për t'u larguar nga territori i Vlorës paqësisht, nuk kishte rrugë tjetër veç asaj të  luftës së armatosur. Por lufta nuk mund të niste menjëherë. Ajo  kishte kohë që  përgatitej gradualisht.

Në këtë atmosferë nuk mund të rrinte në pozitat e  sehirxhiut as populli i Vranishtit. Mbështetur në burime të besueshme arkivore, në monografitë kushtuar Osman Haxhiut, Ahmet Lepenicës, Sali Hallkokondit, Daut Seferit, Sali Muratit, Azem Sulos, Xhemil Veliut, Besim Feimit  si edhe në "autobiografinë e popullit në vargje", e pashë të arsyshme të bëj një rezume të aktivitetit patriotik të popullit të Vranishtit në prag të Luftës së Vlorës dhe momenteve kyçe të zhvillimit të saj. Këtë e bëra si një homazh për të gjithë ata që gdhendën emrin në librin e artë të kësaj epopeje të lavdishme si  edhe të asaj pjese luftëtarësh që në fëmijërinë time pata fatin që t'i njihja dhe t'u dëgjoja me kërshëri zërin në rrethana të caktuara, kur rrëfenin ndodhitë e asaj kohe. Të tillë do të përmendja burrat e eshktë: Mehmet Beqon, Mersin Karafilin, Sadik Xhamën, Xhelo Shkurtin, Hasan Jonuzin, Beqir Meten, Ahmet Hysenin, Hysen Sinanin, Veledin Çinon, Dine Begën etj.

Tradita patriotike e Vranishtit  ishte e pasur. Ajo ishte përcjellë nga  një brez te tjetri. Kështu mund të bëj me dije periudhën e Tanzimatiit, kur vranishtjotët nën komandën e Mete Çobos, iu bashkuan ortekut të kryengritjes së armatosur, që shpërtheu në këtë periudhë me në krye Zenel Gjolekën. Me këtë frymë luftuan për trojet amëtare dhe  derdhën gjakun në fund të shekullit 19-të Balil Seferi, Zenel Çelo, Kamber Shyti, Rahit Myftari, Dervish Hazisi, Axhem Zeneli si edhe Beqir Memua me djemtë e tij Hazisin, Jazon dhe Qazimin.

Ardhja e Ismail Qemalit në Vranisht vitin 1908 i dha tjetër impuls lëvizjes atdhetare. Kështu dy muaj pas këtij takimi, në nëntor u krijua çeta patriotike me 11 djem nga Vranishti me në krye Sali Muratin. Aksionet qenë të shumta, por ato që vazhdojnë të ngelin të freskëta në kujtesën e popullit janë hapja e hapsanave(burgut) në Vlorë dhe shpartallimi i bandave shoviniste greke me kapobandë Thimjo Lolin.

Vranishtjotët rezistonin  dhe luftonin kundër pushtonjësve italianë në forma të ndryshme. Sali Hallkokondi, Murat Tartari, Sali Murati, Azem Sulo,  Sadik Xhama, Daut Seferi, Xhemil Duka e Besim Xhebraj qenë anëtarë aktiv të shoqatave patriotike, si "Opinga","Djalëria vlonjate" "Shtizat e Qytetërimit", "Mbrojtja Kombëtare" etj dhe kanë meritën për sensibilizimin e popullit të Vranishtit për përfshirje të gjerë në atmosferën revolucionare të kohës.

Imperialistët italianë,  qysh në 15 shtator 1916 kishin ndaluar ngritjen e flamurit shqiptar si dhe çdo festë me ngjyrë kombëtare. Në këto kushte,  vranishtjoti Bajram Hallkokondi, oficer me ndjenja patriotike, më 28 nëntor 1918 mori pjesë në organizimin e ditës së flamurit në Vlorë nga patrioti dhe demokrati revolucionar Avni Rustemi. Bajram Hallkokondi  duke folur para popullit të mbledhur me këtë rast, me flamurin kombëtar në duar, midis të tjerash tha:

"Më vjen shumë hidhur që sot në këtë festim… rreth flamurit kombëtar gjenden më shumë italianë se shqiptarë. Shqiptari duhet të mos tradhëtojë, të mos shuaj ndjenjat  kombëtare, duke mos u frikësuar e duke mos ju trembur çdo rreziku që mund të ngjajë për arsye kombëtare… Shqiptari  nuk  trembet… nga disiplina e ushtarëve italianë që ndodhen rrotull…Toka e Vlorës dhe e tërë Shqipërisë është e jona, në të cilën duhet të rrojmë të lirë dhe asnjë fuqi nuk mund të na ndalojë nga ky qëllim".

Më vonë, në ditët e para të marsit 1919, Bajram Hallkokondi së bashku me  oficerin tjetër Demo Korça  i paraqitën një delegati amerikan, që kish shkuar në Përmet për hetim, një notë kundër italianëve. Si pasojë e këtij qëndrimi, të dy oficerët burgosen. Kjo revoltoi në masë ndjenjat kombëtare, prandaj më 6 mars 1919, nga patriotë vendas, me në krye Sihat Begën nga Nivica,  sulmohet burgu dhe me armë goditet gjithashtu garnizoni italian. Nga ky aksion Bajram Hallkokondi   fiton lirinë.  Për të qenë i sigurtë, shkoi në Korçë, e cila ishte nën kontrollin e francezëve. Por meqenëse këta ishin në aleancë me italianët, e kapin dhe jua dorëzojnë atyre.

Po kështu, në këtë periudhë, patrioti vranishtjot Mane Ismaili vrau në Lug të Thellë, në kufirin midis Vranishtit dhe Tërbaçit një marshall të karabinerisë italiane, sepse deshi që t'a çarmatoste. Edhe ky, mbas këtij aksioni u arratis në Francë. Por ky edhe në mërgim ndoqi zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri dhe  pasi njihet me  përgatitjet që bëheshin për Luftën e Vlorës të qershorit 1920, rikthehet në Shqipëri, ku së bashku me bashkëfshatarët merr pjesë që nga shpartallimi i garnizonit italian të Drashovicës e deri në çlirimin e plotë të Vlorës.

Në këtë truall e mjedis patriotik e liridashës, okuptaorët italianë nuk mund të mos parandjenin rreziqe serioze. Prandaj gjatë vitit 1918, për të paralizuar ndjenjat liridashëse të popullit të Vranishtit dhe futur frymën e terrorit, për rreth dy vjet, ata  internuan në ishujt FAVIGNANA, pranë Siçelisë në Itali, shumë burra. Të tillë ishin vëllezrit Azem e  Rakip  Lamaj, Murat Tartari  bashkë me dy djemtë e tij Qerimin dhe Osmënin; Murat Shkurti dhe djemtë e tij Xhelon e Sinanin; Sali dhe Sadik Limaj, Kamber Hasanaj, Sulo Llanaj, Osmën Shakaj, Murat Ramdani, Tare Selmani dhe Murat Pazaj. Ndërsa në pranverën e vitit 1920 u internuan në ishullin e Sazanit Bajram Hallkokondi, Dervish Shehu me të birin, Lamçen, Ali Çino, Hasan Novruzi dhe Qerim Hibraj.

Gjatë viteve 1919-1920 "kazani po vlonte". Kështu, në vitin 1919 Azem Sulo, Sadik Xhama dhe Besim Xhebraj, për nevoja imediate të shoqërive patriotike,  shkuan në Korfuz dhe ilegalisht sjellin një sasi armësh dhe fishekësh.

Në fillim të dhjetorit 1919, pas demonstratës të përgjakshme të 28 nëntorit në qytetin e Vlorës, vjen në Vranisht Sali Hallkokondi, i shoqëruar nga Hamza Isai, Beqir Velua, Halim Xhelua dhe Abdurraman Çiraku. Në një takim të gjerë me vranishtjotë, këta folën për atë që kish ndodhur në Vlorë në ditën e Flamurit. Halim Xhelua, pasi foli për Zenel Gjolekën, Ismail Qemalin dhe shpirtin patriotik të vlonjatëve, theksoi se: "Sot na duhet më tepër se kurrë dyfeku i Sali Muratit dhe Azem Sulos me shokë". Ndërsa Beqir Velua u shpreh se: "Ne vlonjatëve nuk na falet kur në beledije valon flamuri trikolor dhe flamuri i Smail beut vajton fatin tonë". Reagimi i Azem Sulos qe flakë për flakë: "Na thoni ç'duhet të bëjmë dhe ne na keni gati"!

Në shkurt 1920, vjen në  Lepenicë kryeministri Sulejman Delvina, i cili takon një përfaqësi të krahinave të Vlorës, ku iu flet hapur për t'u përgatitur për luftë. Në këtë takim nga Vranishti ka qenë Sali Murati. Takime të këtij karakteri  janë zhvillurar edhe në Armen, Gjorm, Dukat dhe në qytetin e Vlorës, ku kanë marrë pjesë edhe figura të spikatura nga Vranishti.

Më 2 maj  kanë ardhur në Vranisht  Duro Shaska, Hazbi Cano Dautaj e Sali Bedini, të ngarkuar nga Osman Haxhiu për sigurimin e një sasie armësh e municonesh  në Kudhës të Himarës. Për zbatimin e saj detyre, u nisën drejt destinacionit vranishtjotët Sali Hallkokondi, Besim Feimi, Mehmet Majko, Haxhi Pazaj e Hasan Jonuzi, të cilët  mundën të sillnin në Vranisht 145 pushkë dhe 13 arka me municion. I gjithë ky armatim  u transportua me mushka  dhe u çua në Armen.

Në 28 maj, në konakët e Sadedin Kamber Varfit  vjen në Vranisht Osman Haxhiu, lideri i lëvizjes antiitaliane, ku bën një takim me parinë e fshatit. Ai i vuri të pranishmit në dijeni për hapat që do ndërmerreshin. Të nesërmen, Osman Haxhiu, i shoqëruar nga Murat Tartari, Sali Murati, Azem Sulo, Daut Seferi, Xhemil Veliu dhe Besim Feimi u nis drejt Dukatit për të marrë pjesë në mbledhjen e Barçallasë. Për këtë ngjarje të rëndësishme, Xhemil Veliu do të thurte vargjet: "Maji më njëzetë e nëntë,/ Barçalla në mal të shënjtë,/Bënë plan populli vet,/ Të vdesim për dhenë e shenjtë".

Më datën 31 maj, me t'u kthyer nga Barçallaja në Vranisht, grupi pjesëmarrës  në këtë mbledhje njoftoi të vinte në qendër të fshatit patrioti Sadedin Kamber Varfin. Ky, me anë të boblës dha sinjalin e kushtrimit  nga maja e minares  së xhamisë , duke bërtitur herë pas here: "Atdheu në rrezik! Kush është burrë le të dalë". Nuk vonoi dhe sheshi u mbush plotë me djem e burra. Organizatorët e këtij  tubimi iu  bënë me dije  të pranishmëve  për vendimet që u morën në mbledhjen e rëndësishme në Dukat, ku në thelb qëndronte betimi për luftë të armatosur kundër okupatorëve italianë, në rast se këta nuk përfillnin vullnetin e popullit për t'u shporrur nga trojet tona. Të gjithë ishin të gatshëm për të rrokur armët.

Bërthamës së çetës patriotike, ju bashkuan 250 bij të Vranishtit , të cilët  u nisën më 2 qershor në Beun të Vajzës, në pritje të përgjigjes së Ultimatumit që iu drejtua   nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare komandantit të forcave italiane, Gjeneral Piaçentinit. Duke qenë  se reagimi i palës italiane ishte mospërfillës, u vendos që sulmi të niste më 5 qershor.

Në kuvendin  e Beunit, Sali Murati u ngarkua që veç çetës së Vranishtit, të drejtonte edhe çetat e zonës së Rrëzës. Rapsodi  popullor, bashkëkohësi dhe pjesëmarrësi në Luftën e Vlorës, arsimtari Xhemil Veli Duka i ka kënduar kështu, në mes të tjerash, kësaj ngjarjeje: " Në Beun kur u mblodhë,/ Sali Muratin e folë:/ Ti Sali do shkosh në Vlorë,/ Komandant mbi tre taborë……"

Për arsye të numrit të madh, çeta u nda në dy pjesë. Më 5 qershor 1920, njëra pjesë, së bashku edhe me forca të tjera luftëtarësh, nën komandën e Sali Muratit sulmoi garnizonin italian të Drashovicës,  kurse tjetra, nën komandën e Azem Sulos, sulmoi garnizonin e Gjormit.. Këto dy garnizone  ishin  nga më të rëndësishmet të forcave italiane. Lufta kundër garnizonit të Drashovicës kishte rëndësi  veçanërisht të madhe sepse duhej të bënte të pamundur lëvizjen e forcave italiane nga Vlora për në Kotë e Gjorm dhe anasjelltas.

Luftëtarët vranishtjotë i kryenin  detyrat ndaj Atdheut në gatishmëri të plotë. Këtë gatishmëri  pena e xha Xhemilit nuk do ta linte pa e trajtuar: "Tek ura Saliu thirri:/Bini breshkaqënit, bini,/Komunikacion mos lini,/- Gati, tha Mëne Smaili…."

Sulmi prej luftëtarëve vranishtjotë dhe të fshatarëve të tjerë filloi rrufeshëm nga të gjitha anët. Mbas luftimesh të ashpra, në të gdhirë, luftëtarët e lirisë u futën në llogoret e gazermat e armikut, të fortifikuara e të rrethuara me tel me gjëmba. Armiku, i cili pësoi humbje të mëdha, u detyrua të dorëzohej. Garnizoni italian i Drashovicës u shpartallua.

Garnizoni i Gjormit vazhdonte akoma të qëndronte. Lufta atje vazhdoi më gjatë, derisa erdhën edhe forca të tjera luftëtarësh vullnetarë. Mbas darke edhe garnizoni i Gjormit u detyrua të dorëzohej. Në vijën e parë të luftës kundër garnizonit të Gjormit ra dëshmor  vranishtjoti Mehmet Majko. Për rënien e këtij luftëtari dhe kronikani Xhemil Veliu, shkruan: "Mehmet Majkua ballë lartë,/ Vranishjot, u hodh në flakë".

Rënia njëri pas tjetrit e garnizoneve italiane krijoi kushte që në Drashovicë të formohej prefektura, e cila kishte për detyrë të merrte masa të shpejta për çlirimin e Vlorës. Këtu Daut Seferi caktohet sekretar  i Komandës së Përgjithshme të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Në këtë kohë lindi edhe një konflikt për vendin e Prefektit. Kjo e irritoi Sali Muratin, i cili reagoi ashpër, pasi paria duhej  të interesohej  për çështjen kryesore të kohës, për çlirimin e Atdheut dhe jo të kacafytej  për poste në zjarrin e luftës,  për ndryshe populli, në ato kushte, ishte në gjendje edhe të të tregonte vendin.

Kur nga Komiteti i Luftës  pati hezitim për fillimin e  sulmit përfundimtar për çlirimin e Vlorës, Sali Murati u paraqit para tij dhe kërkoi me këmbëngulje që ai të niste menjëherë, duke thënë: "Këto manovra i dekurajojnë luftëtarët që janë të gatshëm të luftojnë, prandaj duhet të mos vonohet, se për ndryshe, do të detyrohem të sulmoj vetë". Kjo tregohet edhe me këngën popullore:

"Ollonar tetëmbëdhjetë,/Vlorë u bë yxhum i tretë,/Komisioni nuk deshë,/Sali Murati bërtetë:/ Shpejtoni ndani fishekë,/Se do të sulmojë vetë,/Do shembem me gjithë çetë,/S'kthehem i gjallë përpjetë".

Pas këtij presioni, Komiteti vendosi fillimin e sulmit i ri për çlirimin e Vlorës. Vranishtjotët, në përbërje të çetave të Rrëzës, morën detyrën për marrjen e kalasë së Kaninës. Kalaja ishte  e rrethuar brenda me gardhe prej telash me gjëmba në katër metra gjërësi. Forcat italiane ishin të përforcuara me pushkë, mitroloza, topa si dhe armë të tjera.

Luftëtarët zhvilluan luftime të ashpra, bile kaluan jo vetëm muret e kalasë, por një pjesë kaloi edhe gardhet që ishin ngritur  brenda mureve. Kalaja i ngjante një vullkani që  shpërthen me tërë fuqinë e tij, por luftëtarët nuk trembeshin. Luftëtarët vranishtjotë karakterizoheshin nga një frymë patriotike e luftarake konsekuente.  "Azem Sulua vet i dhjetë,/Mbi portë e zuri kalanë,/ Fluturoi përpara vet,/ Si atëherë mbi hapsanë".

Që në fillim i gjithë fronti përparoi dhe pjesa më e madhe e fortifikatave të armikut kapërcehet. Ky sulm e shpartalloi armikun  dhe e detyroi të dërgonte përfaqësues në Tiranë për t'u marrë vesh dhe t'u jepej afat për zbrazjen e Vlorës. Këtë shkallë të lartë heroizmi të luftëtarëve vranishtjotë e sintetizojnë mjaft bukur vargjet: "Vranishtjotë këtë herë,/ Nder të madh kanë fituar,/ Që të gjithë si sorqedhë,/Në këmbë kanë luftuar".

Në luftën për çlirimin e Vlorës, krahas Mehmet Majkos, ra  dëshmor duke luftuar trimërisht edhe Musa Bashua. "Do kujtoj ata luanë,/ Mehmet Majkon me Musanë,/ Të dy në luftë u vranë,/ U përpoqën për vatanë".

Edhe mjaft luftëtarë të tjerë vranishtjotë skuqën me gjakun e tyre instikamet e luftës. Megjithëse i plagosur rëndë e me zorrë bran, Sali Asllan Shkurtaj nuk u largua nga fronti i luftës, deri sa humbi ndjenjat. "Dhe Sali Shkurti i mjerë,/ Mori plagë që kall tmerrë,/ Zorrët i dolën në derë,/Shokët shpejt e kanë nxjerrë".

Gjithashtu u plagosën edhe: Dalan Kasëm Kaçi, Aziz Imer Kongjonaj, Malo Sadedin Limaj, Sefer Memo, Bejko Shyti, Ramadan Micaj, Rexhep Limaj, Nexhip Karafil Limaj, i cili mbas disa ditëve vdiq, Iliaz Majko, Osmën Çobo Shakaj, Rushit Çelo Shakohoxha. Edhe këta të plagosur, xha Xhemili  i bën pjesë të muzës së tij. "Lufton  e syrin s'e trëmbi,/ Vranishtjot Dalan Kasëmi,/Këmbën ja thërmoi plumbi,/ Mezi e hoqën nga vëndi",  apo   "Nga ky fshat Azis Imerë,/ Krahun plumbi ja ka prerë". 

Në sulmin e fundit për çlirimin e Vlorës u plagos rëndë më 23 korrik edhe  Sali Murat Vranishti, komandanti i çetave të Rrëzës, por për të mos dekurajuar shokët, ai vazhdoi të luftonte. Xhemil Veli Duka e përshkruan kështu këtë moment: "Çet' e Rrëzës u vërvinë,/Majave Vreshtave hynë,/Kapedan kishin Salinë,/Trimn'e madh zemërçeliknë,/ Me bombë në mes e godinë,/ Tha: "në tel çorra kërcinë",/ Të mos trembte shokërinë".

Në këtë luftë, që u kurorëzua me sukses më 3 shtator 1920, populli i Vranishtit çoi në front 250 bij të tij, të cilët ja rritën më lartë lavdinë këtij fshati patriot. Ai, ashtu si gjithë populli  i Labërisë, i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë doli fitimtar, se e kishte të qartë se zot në trojet tona duhet të jemi ne shqiptarët; se liria nuk vjen kurrë me temenara, as duke  futur kokën në palat e  çitjaneve të xhixhove, as duke luajtur kumar  nëpër kafenera dhe as duke kurvëruar me pushtuesit. Liria vjen vetëm atëherë, që edhe kur nuk je i armatosur me armë, je i armatosur nga ndjenjat atdhetare dhe trimëria e guximi për t'i bërë  gjokset barrikadë, duke mos kursyer as jetën.  Këtë detyrë ndaj Atdheut  e kryen më së miri bijtë e shqipes më 1920-ën.

Ka një aforizëm se fëmijët kur flenë, rriten, ndërsa kur flenë popujt, vdesin. Ata burra e ato gra që s'i zë gjumi për fatet e vendit, nuk e kanë lënë dhe s'do ta lënë kurrë Shqipërinë  që të bjerë në agoni. Këtë shembull na jep edhe epopeja e lavdishme e Luftës së Vlorës.

 

Pas 137 ditësh, në Bergamo nuk ka asnjë pacient me Covid-19

Posted: 09 Jul 2020 03:09 AM PDT

Në spitalin e Bergamos, pas plot 137 ditësh, nuk ka më asnjë pacient të prekur nga koronavirusi.

Në kujtim të viktimave është mbajtur një minutë heshtje dhe më pas kanë shpërthyer duartrokitjet për punën e palodhur të rreth 400 punonjësve të repartit të terapisë intensive të Spitalit Papa Xhovani, mjekë, infermierë, punonjës suporti dhe sanitarë.

Bergamo zhvilloi dhe një aktivitet për të festuar "vdekjen e virusit" si dhe në nderim të viktimave që humbën jetën prej Covid.

Në ditët më kritike të pandemisë, Spitali i Bergamos kishte arritur të trajtonte deri në 100 pacientë të vendosur në ventilatorë.

Sipas të dhënave të përditshme ndërkohë, personat aktualisht pozitivë në të gjithë Italinë, janë 647 më pak krahasuar me të martën, ndërsa janë shtuar me 825 të shëruarit.

Nga 193 rastet e reja, e dhënë kjo pak më e lartë se e një dite më parë, 71 të infektuar janë regjistruar në Lombardi, 49 në Emilia Romania dhe të tjerët në Piemonte dhe Lacio.

Katër rajonet që nuk sjellin më asnjë rast të ri janë ato të Umbrias, Sardenjës, Valle D'aostës dhe Molizes.

24 orët e shkuara ndërkohë janë bërë më shumë se 50 mijë tamponë në të gjithë Italinë.

j.l./ dita

Organizoi një mbrëmje mature, gjobitet me 1 milion lekë pronari i lokalit në Berat

Posted: 09 Jul 2020 03:07 AM PDT

Një pronar lokali në Berat është gjobitur me 1 milionë lekë të reja nga policia pasi organizoi një mbrëmje mature, në kundërshtim me urdhrin e autoriteteve që nuk e lejojnë diçka të tillë.

Si rrjedhojë policia ka ndaluar zhvillimin e një aktiviteti të tillë që bën grumbuj masiv të personave dhe që për më tepër ishte në ambient të mbyllur dhe pa asnjë masë kundër COVID-19.

Ndërkohë policia e Beratit njofton së në bazë të emrave që disponon po monitoron të gjithë personat e prekur me koronavirus, nëse po e zbatojnë karantinën apo jo.

O.J/DITA

“Avokate e 17 majit dhe Bashës”/ Halit Valteri kundër Erinda Balancës: Emrin keni, se vetëm për popullin që nuk keni punuar

Posted: 09 Jul 2020 02:48 AM PDT

Deputeti i opozitës Halit Valteri ka folur sot kundër Avokatit të Popullit dhe titullares së tij, Erinda Balanca, të cilën e quajti "avokaten e 17 majit dhe avokaten e Bashës", referuar marrëveshjes së bërë aso kohe me Ramës dhe kryedemokratit.

"Xhepat e shqiptarëve janë grabitur nga çdo qeveri në 30 vjet, pa i bërë dallim, kurse në anën tjetër rriten shpenzimet e luksit, shumëfishohen dietat dhe financohen aktivitete të padobishme që të xhirohen paratë e buxhetit.

Avokatja e Lulit, jo që s'ka bërë asnjë punë, por titullarja e institucionit avokatja e 17 majt, është shumë larg pritshmërive nga ajo që pritej kur u vendos. Ka administratë të politizuar që nuk kanë lënë asgjë gjurmë.

Avokati i Popullit se vetëm për popullin nuk kanë punuar, është një pushtet që iu dhurua PD dhe janë aty falë dhuratës pa asnjë meritokraci"- tha ai.

Valteri tha se ky institucion merr nga taksat e shqiptarëve çdo vit 1.3 milionë euro. "Për çfarë paguhen këto, për rroga, udhëtime, dieta, sepse veprimtaria dhe ndikimi është zero me xhufkë, nëse nuk mbron të drejtat e qytetarëve që nëpërkëmbet nga shteti, drejtësia, të fortët, për ca e paguajmë ne sa qimet e kokës këtë. E përdori ai që rri këtu pas, si qokë për mikun e vet, Lulzim Bashën, produkti i 17 majit 2017".

o.j/dita

Transporti publik në vështirësi, shoqatat: Rritim çmimin e biletës, nëse nuk plotësohen kushtet brenda 10 ditëve

Posted: 09 Jul 2020 02:45 AM PDT

Shoqatat e Transportit Publik kanë kërkuar plotësimin e kushteve, duke paralajmëruar se nëse nuk përmbushen brenda 10 ditëve, atëherë do të marrin masa.

Ata deklaruan sot se situata e tyre financiare është mjaft e vështirë, duke theksuar se një prej problemeve kryesore është edhe transporti informal.

Shoqatat kërkuan uljen e TVSH-së ne 6 për qind ose në të kundërt do të rrisin çmimin e biletës.

"Ne filluam punë po jemi në vështirësi. Nuk po marrin ndihmën e duhur. E kemi të pamundur të paguajmë taksë të re për bashkinë. Na tha se do falej dhe tani na kërkojnë ta paguajmë.

Shteti ose të ulë TVSH në 6% ose rritet bileta. Në krye të 10 ditëve marrim masa nëse nuk na jepet zgjidhje. Do protestojmë nëse s'na japin zgjidhje", deklaruan shoqatat.

j.l./ dita

Si Mona Liza

Posted: 09 Jul 2020 02:43 AM PDT

Të zbehta si yje të largët
janë fjalët për ty, o moj mike,
sepse ti je si Mona Liza,
krijesa më enigmatike.

Njerëzit kanë shkuar në Hënë
dhe përsëri në Tokë janë kthyer,
po bukuri e Mona Lizës
mbetet mister i parrëfyer.

Mister' i madh i bukurisë
të flakërin në frymëzim,
nëse të thonë: "Je Mona Lizë!"
Mos prit më tjetër krahasim!

Një tjetër mos prit më kot,
sepse ky është më i miri,
një më të mirë s'do gjente dot
një jetë të tërë as dhe Shekspiri!…

03 korrik 2014

Ne dhe balta…

Kemi dalë nga balta,
nga barku i sajë
na nxori-na rriti
që prapë të na hajë…

E ushqejmë baltën
miliarda vjet,
ajo pa kursyer
ha gjithë bijtë e vet…

Mbi këtë mënxyrë
s'lozim dot as gishtin,
balta na ha kurmin,
ndofta dhe shpirtin…

Ne pa baltën s'gdhijmë
dot asnjë mëngjes,
dhe ajo pa ne
thahet edhe vdes!…

Ato që na jep
balta prapë i merr,
porse ne me të
kurrë s'hymë në sherr.

Kurrë s'hymë në sherr,
shekuj të pasosur,
sepse këto punë
kështu janë vulosur!…

20 dhjetor 2009

Si ikona!…

Në çdo frymëmarrje ndiej aromën
e trupit tënd prej trëndafili,
të mbaj në zemër si ikonën,
që nuk i shuhet kurrë kandili!

Kaluan nuk e di sa vite
kur kemi dhënë puthjen e fundit,
s'ia mbaj mend emrin asaj dite,
s'e mbaj mend çastin që na humbi!

S'e di ku ike Amazonë,
s'e di në më kujtove më,
po unë të mbajta si ikonë,
krejt të ndriçuar përgjithnjë!…

Nuk rroj në jetë veç me kujtime,
sepse kështu do isha tretur,
po shpesh qëllon që ora ime
në dorën tënde më ka mbetur!…

Unë atë orë s'e lëviz dot,
është koha vetë që ka ndaluar,
por ende jemi ne në botë
yje me dritë, por të larguar!

Aprovohet medikamenti rus, vret 77,5% të koronavirusit në 5 ditët e para

Posted: 09 Jul 2020 02:25 AM PDT

Një medikament i ri i zhvilluar nga një kompani farmaceutike ruse ka marrë aprovimin zyrtar dhe ka rritur shpresat për trajtimin e sëmundjes së kovidit të ri.

Në testet klinike ka rezultuar se ai lufton mbi 77 për qind të koronavirusit në pesë ditët e para.

Rusia ka dhënë aprovimin për një medikament të ri për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Kur ka arritur në 700 mijë numri i qytetarëve të infektuar rusë, medikamenti "Coronavir" tani konsiderohet nga të parët në vend por edhe në botë që mund të luftojë vetë virusin SARS-Cov-2, dhe jo vetëm komplikacionet që ai shkakton në shëndet sikurse ilaçet ekzistuese.

Nga testimet klinike që nisën në fundin e muajit maj, ka rezultuar se "Coronavir" përmirëson gjendjen e pacienteve në 55 për qind të rasteve brenda 7 ditëve të para, duke eliminuar madje mbi 77,5 për qind të virusit në vetëm 5 ditë.

Në shumicën e pacientëve në rrezik të mesëm shëndetësor, medikamenti ndaloi riprodhimin e koronavirusit.

"Coronavir" është ilaçi i tretë i regjistruar nga autoritetet ruse për trajtimin e kovidit-19.

Në fillimin e qershorit, "Avifavir" iu shpërnda spitaleve vendore dhe tashmë Ministria ruse e Shëndetësisë e ka miratuar për përdorim shtëpiak te pacientët e diagnostikuar në fazat e para.

"Ilaçi është shumë efikas dhe nga përvoja jonë, ka funksionuar edhe te pacientët në Kinë. Ai e eliminon shpejt virusin dhe ul temperaturën e trupit krahasuar me grupet që marrin trajtimin e zakonshëm", njoftoi Ministria.

"Avifavir" pritet t'u prezantohet të premten vendeve të Amerikës Latine, ndërsa kërkesat nuk kanë munguar edhe nga vendet e Europës dhe Azisë Juglindore.

Në testet paraprake, medikamenti arriti të kurojë deri 90 për qind të rasteve me kovid.

Koronavirusi iu ka marrë jetën deri tani mbi 10 mijë personave, ndërsa në gjithë botën numri i të infektuarve ka arritur në 12 milionë.

j.l./ dita

Sa kohë duhet për ta marrë virusin në restorant

Posted: 09 Jul 2020 02:19 AM PDT

Edhe pse të gjithë dëshirojmë të kthehemi në normalitet, statistikat tregojnë që nuk jemi as afër lirimit të masave dhe kthimit në normalitet.

Dhe ndërsa ekonomia është mjaft e rrezikuar, restorantet dhe baret u identifikuan si vendet, që përbëjnë rrezik më të lartë për përhapjen e COVID-19.

Për këtë ndikojnë disa faktorë. Së pari, dihet se koronavirusi mund të bartet në mes të njerëzve me anë të grimcave të vogla të padukshme, të cilat mund të përhapen në distanca të mëdha.

Ndërsa shanset e transmetimit zvogëlohen nëse mbajmë maska, gjithsesi ekzistojnë ende disa ambiente dhe situata, në të cilat mbajtja e maskave mund të jetë e pamundur. Kështu duket se është kur jeni duke ngrënë ose duke pirë diçka në një ambient të mbyllur në restorant.

Ekspertët kanë identifikuar sasinë e kohës së ekspozuar ndaj një ambient të tillë, që ndikon në transmetimin e virusi.

Dr. John Brooks, shef kryesor i CDC, tha për Wall Street Journal, se ekspozimi i zgjatur ndaj dikujt, rrit mundësinë e infeksionit. Sipas tij ekspozimi i zgjatur përcaktohet përafërsisht 15 minuta.

Sipas tij infeksioni mund të përhapet edhe për një kohë më të shkurtër nëse kontakti është më i afërt dhe më intim.

Vendet që rrisin rrezikun e coronavirusit , janë pikërsisht vendet e mbyllura ku ka më shumë njerëz , turmat, restaurantet e mbyllura, kinematë dhe vendet e tjera publike.

o.j/dita

Meta: Mos krijoni tension se zgjedhjet nuk janë nesër, dy objektivat madhorë që duhet të kemi

Posted: 09 Jul 2020 02:04 AM PDT

Presidenti Ilir Meta me anë të një statusi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me situatën politike, që sipas tij ngjan sikur Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve ditën e nesërme.

Për kreun e shtetit e rëndësishme është që të vëmendja të fokusohet te situata aktuale e pandemisë së Covid-19 dhe te plotësimi i kushteve të BE-së për negociatat.

Reagimi i Presidentit vjen pasi partitë politike duket se kanë nisur fushatën elektorale para kohe në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme, në një kohë që ato pritet të mbahen në majin e vitit të ardhshëm.

Statusi i plotë:

Edhe pse zgjedhjet parlamentare të parakohshme në Maqedoninë e Veriut do mbahen vetëm pas pak ditësh, një atmosferë sigurie dhe demokracie mbizotëron falë pjekurisë të lidershipit politik në tërësi, por edhe funksionimit normal të institucioneve.

Ndërsa fatkeqësisht te ne edhe pse nuk ka as datë zgjedhjesh ende në horizont kemi një tension artificial sikur zgjedhjet do jenë nesër.

Ndërkohë që edhe pandemia është në rritje së bashku edhe me defiçitin dhe borxhin publik. Verbëria për mbajtjen apo marrjen me çdo çmim të pushtetit na ka bërë që të dukemi me fqinjin tonë lindor sikur u përkasim dy kontinenteve të largëta.

Ndaj s’duhet humbur më asnjë minutë në përmbushjen e kushteve thelbësore për çeljen e negociatave në mënyrë që të ecim së bashku me fqinjët tanë drejt Bashkimit Europian.

Përballimi i pandemisë dhe plotësimi i kushteve duhet të jenë dy objektivat madhore për të gjithë. E para mbron shëndetin dhe jetën e çdo qytetari, ndërsa e dyta shpëton të ardhmen europiane të vendit për të cilën të gjithë përbetohen me fjalë dhe programe. Koha për vepra të mira është tani!

j.l./ dita

Migjeni për Moikomin

Posted: 09 Jul 2020 01:58 AM PDT

Nga Edan Qoze

Mirë se na erdhe në botën metafizike, Moikom, miku im i patakuar por i mirënjohur. Ne jemi të dy anti-dogmatik dhe sui generis, por jemi po aq të njëjtë sa edhe të ndryshëm. Ndryshe nga ty miku im, unë vuajta vetëm për 27 vite, kurse ti vuajte për plot 71 vite! Mos ndoshta kemi bërë gabim që zgjodhëm të jemi idealist të vuajtur? Sa pak dilema paska jeta e vdekshme, po aq sa gishta e një dore të vetme të shkathët. Mendon se ne të dy dolëm të fituar në afat-gjatë, se kemi fituar pavdekshmërinë e De Radës dhe të Naimit?  Studiohem unë në Shqipërinë e shekullit 21, apo thjesht injorohem duke u recituar? Sa ka ndryshuar Shqipëria nga viti 1938, nuk besoj shumë, apo jo?! Lufta totale shkatërruese a i zevendësoi idhujt e fashizmit me ato të komunizmin? Vazhdon të nderohet Zogu që më censuroi librin "Vargjet të lira" që ti e ke cilësuar si Ekuinoksin e Letrave Shqipe? A kanë arritur të rrëzojnë Skënderbeun që të ngrejnë pa limit idhujt pa krena?

Moikom, ah, ti je një qenie e madhe shoqërore, pra, jo thjesht një njeri i vetëm. Sa shumë njerëz të tillë ka vendi dhe bota por janë të shtypur dhe të dhunuar miku im, prandaj kemi Shqipërinë e mjerimit dhe Njerëzimin zombi.  Të falenderoj që tek libri yt më ke vlerësuar si 'arkitekti i nëndheshëm i qiellit.' Por mos ndoshta është një oksimoron? Ti ke thenë që letërsia shqipe ka historinë para Migjenit dhe historinë pas Migjenit. Por besoj se tashmë letërsia shqipe ka historinë pre-Moikomiane dhe historinë post-Moikomiane. Nëse unë jam i pari shkrimtar që përmend jashtëtokësorët (alienët) në letrat shipe, ti e ktheve astronominë në letërsi dhe letërsinë në astronomi. Po i bëjmë qejfin njëri-tjetrit më duket? Moikomi im, ti e meriton plotësisht këtë vlerësim, është më e pakta që unë mund të shkruaj për ty.

Që nga viti 1969 e deri më sot ke shkruar shkrime dhe libra për të vërtetat universale që unë i kam përmendur vetëm shkurtimisht por gjithsesi konceptualisht. Sa e shkurtër është koha; sa e pakthyeshme është vdekja fizike. Ti Moikom, si unë, je një shkrimtar i cili ke qenë gjithmonë në atë që quhet 'Syri i ciklonit'; jemi vlerësuar, por na kanë mohuar. Derrat e kënaqur të kudo ndodhur na kanë frikë sepse jemi të lirë dhe të ditur; sepse i këndojmë të vërtetës dhe jo gënjeshtrës. Ah, miku im, sa dhimbje shkaton e vërteta, por sa vrastare është gënjeshtra! Gënjeshtra të vret fizikisht, mendërisht, dhe shpirtërisht. Gënjeshtra vret kuriozitetin, vret shpresën. Kurse e vërteta të bën njeri. Të shëron mendjen dhe shpirtin, por të tret fizikun ama.

Përsa i përket diturisë, ti Moikom ke avantazh konkurues kundrejt meje; ke lexuar shumë më shumë se unë. Por ndoshta nuk ke avantazh krahasues; unë nuk vuaj nga kompleksi i inferioritetit sepse si ti edhe unë e di që letërsia e vërtetë nuk varet fare nga numri i infinitshëm i botimeve; letërsia e madhe e ka thënë gjithçka me letër kredencialet universale të shpirtit njerëzor. Dituria është fuqi, por pse fuqia dhe politika atëherë nuk janë dituri? Ky është problemi hamletian i gjithë njerëzimit dhe jo vetëm i shqiptarëve! Por nuk duhet të dëshpërohemi, sepse ne 'të ndaluarit' me syrin e diturisë në ballë edhe në vdekje jemi gjallë.

Gjithsesi, duhet të jemi realist Moikom. Unë e di që nëse ti do të kishe moshën time do t'i kishe shembur të gjithë idhujt pa krena – dhe ato me koka të meta – me grushtin e dijes. Por mos harro që unë u përpoqa po aq sa edhe Niçja. Nuk e di a ja dolëm të fitonim kundër së keqes, por më mirë që e provuam sepse idhujt pa krena janë shpërfytyrim i natyrës; shkaktojnë katastrofa që zhdukin kombe dhe planete. Idhujt pa krena ëndërrojnë pavdekshmërinë tonë sepse e dinë që janë qenie të shpifura, kufoma lëvizëse që do të varrosen në heshtje të plotë anonime. Pastaj fillon emancipimi. Ah miku im, sa kundër-intuitës është jeta, sa manipuluese është logjika. Prandaj nuk ka liri dhe dituri. Por ka pavdekshmëri, pra ka shpresë. Mirë se na erdhe Moikom.

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more