Skip to main content

“Kush është shoku i fëmijërisë së Eri Zefit që e nxori në pritë tek hasmi” plus 9 more - Gazeta Dita

“Kush është shoku i fëmijërisë së Eri Zefit që e nxori në pritë tek hasmi” plus 9 more - Gazeta Dita


Kush është shoku i fëmijërisë së Eri Zefit që e nxori në pritë tek hasmi

Posted: 31 Oct 2019 02:29 AM PDT

Mikel (Gjovalin) Alia eshte shpallur tashmë në kërkim për vrasjen e Eri Zefit, 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë.

Alia ishte shok fëmijërie me viktimën por hetimet kanë nxjerrë se ka qenë pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin tek personat që e ekzekutuan.

Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin e personave të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme.

Kjo pasi, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.

Si pasojë e kësaj vrasjeje, Eri Zefi, i druhej një hakmarrjeje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme.

Por gjaksit e tij, nuk mund t’i afroheshin shumë pranë banesës me qëllim ekzekutimin e Zefit, pasi shumë shpejt do të binin në sy dhe do vinin veten e tyre në rrezik.

Atëherë ata kanë filluar të venë në jetë një plan të sofistikuar duke përpunuar dhe paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t’ia çonte në pritë dy qytësve, që ishin caktuar për të bërë vrasjen.

Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit.

34-vjeçari u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks. Në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës.

Viktima u gjet i vrarë në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së "Kombit".

o.j/dita

Deputeti i PS: S’mund të ketë zgjedhje pa ndryshuar kodin zgjedhor

Posted: 31 Oct 2019 02:21 AM PDT

Deputeti socialist Arben Pëllumbi duke folur nga Shkodra pas një mbledhje të strukturave vendore si pjesë e grupit të punës për ristrukturimin e PS Shkodër deklaroi se nuk mund të ketë zgjedhje në Shqipëri pa ndryshuar Kodin Zgjedhor ndërsa tha se lëvizjet e kryedemokratit Lulzim Basha i sheh si një tërheqje nga veprimet ekstreme.

"Jemi dorë e shtrirë për të bashkëpunuar me opozitën. Nuk mund të ketë zgjedhje qoftë edhe të 2021 nëse nuk materializojmë ndryshimet e kodit zgjedhor që janë kërkuar të paktën nga OSBE. Rruga e këtyre ndryshimeve për kodin zgjedhor kalon përmes komisionit në parlament. Basha mori akt ekstrem që rezultoi i dështuar. Duhet të kërkojnë falje për atë që bënë pastaj të heqin ultimatumet dhe lëvizjen e Bashës e shoh si një tërheqje nga ultimatumet. Që të kalojmë në çfarëdo lloj zgjedhjesh kemi nevojë për kod të ri zgjedhor dhe pa instaluar kulturën që humbësi t'i japë dorën fituesit dhe ta lejojë fituesin të bëjë qeverisjen e tij ne nuk mbërrijmë në ndonjë gjë. Nuk është as kodi dhe as sistemi ai që i bën një palë zgjedhje më të mira ose më të këqija. Është mënyra se si ne i zbatojmë dhe se si ne sillemi ditën e nesërme, a vëmë Shqipërinë apo partinë mbi të gjitha", deklaroi Pëllumbi.

Në mbledhjen e PS Shkodër, ku merrnin pjesë edhe deputetët Luan Harusha, Senida Mesi, Klotilda Ferhati dhe kryetarja e këshillit bashkiak Brisela Kadia pati edhe debate për punësimet, legalizimet, drejtorët rajonal që disa nuk janë emëruar ende dhe nuk pranojnë t'i sjellin nga qytete të tjera. Por këto u cilësuan nga Pëllumbi si debate normale.

Lidhur me situatën në bashkinë Shkodër, deputeti Pëllumbi tha se nuk mund të ketë zgjedhje të pjesshme pa pasur një date të dekretuar nga Presidenti.

"Riorganizimet edhe për debatet bëhen dhe takimi kishte në qendër riorganizimin. Partia Socialiste në gjithë Shqipërinë është në proces zgjedhjesh dhe për këtë shërbente kjo mbledhje në Shkodër. Është krejtësisht normale që të ketë debate sepse forcat politike janë organizime vullnetare dhe ka arsye të caktuara që e bëjnë këtë. Nuk përjashtohet mundësia që individë të caktuar të kenë probleme personale. Situata në bashkinë Shkodër duhet të marrë zgjidhje përmes Presidentit të Republikës duke shpallur një datë për zgjedhje të pjesshme në bashkinë Shkodër, rrugë tjetër nuk ka", theksoi Pëllumbi.

o.j/dita

Pensioni i invaliditetit, si të veproni kur ju mungon Libreza e punës

Posted: 31 Oct 2019 02:18 AM PDT

Pranvera Kola

Sikundër ndodh me përfitimet e pleqërisë dhe ato familjare, edhe për pensionet e invaliditetit mungesa e librezës së punës, apo kontributeve, nuk penalizon dhënien e përfitimeve të reja.

Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se për lidhjen e përfitimeve të reja të invaliditetit, personat që nuk kanë dy librezat përkatëse, duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh të tjera shtesë. Konkretisht bëhet fjalë për këto dokumente: vërtetim page sipas së cilës konfirmohet derdhja e kontributeve për vitet 1994-2011 dhe që mund të sigurohet nga drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore.

Po ashtu duhet të dorëzoni edhe vërtetimin e pagës që konfirmon kontributet e dredhura nga viti 2012, e deri në lindjen e të drejtës së përfitimit. Pjesë e dokumenteve shtesë që duhen në këtë rast janë edhe vërtetimi i pagesës së papunësisë që mund të tërhiqet nga Zyra e Punës, vendimi i gjykatës për njohje vjetërsie në punë, mandati  i pagesës për kontributet që mund të ketë derdhur në mënyrë vullnetare vetë personi, vërtetimi i pagesës kalimtare si ushtarak që lëshohet nga qendra e punës, si dhe vërtetimi nga Qendra e punës për periudhat e punës të kryera. Këto dokumente shtesë duhet t'i bashkëngjiten dosjes së detyrueshme që shoqëron kërkesën për daljen në pension invaliditeti sipas kushteve të përfitimit.

Llojet e invaliditetit dhe kushtet e përfitimit

Me pension invaliditeti mund të trajtohet çdo person që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin). Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti klasifikohet në tri grupe: "Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it,
invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, si dhe invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Kalimi në pension pleqërie

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit të plotë të invaliditetit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. Përfituesit e këtij pensioni kanë të drejtë që të sigurojnë edhe të ardhura shtesë në rastet kur kanë fëmijë në ngarkim, apo kur kanë nevojë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër.

Përfitimet e reduktuara

Pensioni i invaliditetit i reduktuar mund të përfitohet nëse aplikuesi përmbush këto tre kushte: "Kur personi ka humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të një aksidenti në punë apo  sëmundjes profesionale, kur personi nuk ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është në varësi të raportit të periudhës të sigurimit faktike me periudhën e sigurimit që i duhet për pensionin reduktuar të invaliditetit, si dhe kur e drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë". Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe. Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditet.

Përfitimi i pjesshëm

Ndërkohë që çdo person i siguruar, merr pension për invaliditet të pjesshëm, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe kur për çdo arsye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhet i paaftë të kryejë punën e fundit, por mund të punojë në kushte të veçanta pune. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit. Ai llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Dokumentacioni shtesë kur mungon Librezës e Punës, apo e Kontributeve

  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në vitin 2011, lëshohet nga DRSSH.
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 2012 deri në momentin e lënies së punës, mund të merret nga Portali e-Albania, ose DRSSH.
  • Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë) që sigurohet nga Zyra e Punës.
  • Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë që lëshohet nga Gjykata.
  • Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve. Sigurohet nga vetë personi
  • Vërtetim për Pagesën kalimtare si ushtarak, mund të merret nga Qendra e Punës.
  • Vërtetim për periudhat e punës, që mund të tërhiqet nga Qendra e Punës.

Dosja e plotë e pensionit të invaliditetit duhet të përfshijë:

  • Kërkesën për përfitim.
  • Kartë identiteti.
  • Certifikatë familjare.
  • Librezë pune.
  • Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës.
  • Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve.
  • Librezë kontributesh.
  • Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak.
  • Certifikatë martese (e detyrueshme vetëm për femrat).
  • Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë).
  • Diploma e shkollës së lartë.
  • Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
  • Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij.
  • Dëshmi penaliteti, vërtetim i gjendjes gjyqësore.
  • Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak).
  • Vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat.
  • Vërtetim për pagesën e energjisë elektrike.
  • Deklaratë për kompensimin e energjisë.
  • Vërtetim nga qendra e fundit e punës.
  • Vërtetim nga gjendja civile, në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve.
  • Deklaratë për vitet e punës.
  • Fletë Drejtimi për KMCAP.
  • Fletë Dalje Spitali.
  • Ekzaminime të veçanta.
  • Analiza mjekësore.
  • Proces Verbal i Aksidentit në Punë.
  • Vërtetim për pagesën e paaftësisë së përkohshme.
  • Vërtetim nga Prokuroria (për fillim procedimi penal në rast të një aksidenti në punë për shkak të detyrës).
  • Vërtetim për llojin e punës (për invaliditetin e pjesshëm)

 

Dokumentet shtesë për pension suplementar shtetëror

  • Kartë Identiteti.
  • Certifikatë familjare.
  • Vërtetim i vjetërsisë në shërbim/detyrë/funksion.
  • Vërtetim i pagës referuese të detyrës/funksionit.
  • Fotokopje e Librezës së punës.
  • Dëshmi penaliteti.

 

Dokumentet shtesë për pension suplementar si ish-ushtarak

  • Kartë Identiteti.
  • Certifikatë familjare.

 

Risia, në lagjet e kryeqytetit nisi të funksionojë tregu i lëvizshëm.

Posted: 31 Oct 2019 02:15 AM PDT

Krahas rehabilitimit të tregjeve të lagjeve, Bashkia e Tiranës ka mbajtur një tjetër premtim, atë për krijimin e tregjeve të lëvizshme në qytet.

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik Urban në Bashkinë e Tiranës ka nisur implementimin e projektit më të ri, Tregu i Lëvizshëm.

Kështu Tiranës i shtohet së fundmi tregu ditor që ka për qëllim të lëviz në çdo ditë në lagje të ndryshme, një eksperiencë kjo e njohur në vendet e tjera.

Gjithashtu kjo nismë synon të promovojë produktet lokale të fermerëve në zona të ndryshme të qytetit me qëllim për të qenë më pranë komunitetit dhe për të sjellë produkte të freskëta organike pranë tryezave të tyre të qytetarëve.

Dje tregu ishte pranë ish – Fushës së Aviacionit në Njësinë nr.7, ku fermerët e Tiranës patën mundësi që të shesin në kushte sa më komode prodhimet e tyre bujqësore.

Krijimi i këtij tregu është një mundësi shumë e mirë për fermerët e fshatrave të Tiranës për të tregtuar prodhimet e tyre bujqësore dhe blegtorale në kushte shumë të mira dhe larg pluhurit dhe papastërtive që mbart shitja në rrugë dhe që ishte kthyer edhe në një rrezik për shëndetin e banorëve.

Gjenden 16 kg kanabis në një banesë në Krujë, arrestohet gruaja, në kërkim i biri

Posted: 31 Oct 2019 01:49 AM PDT

16 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa është sekuestruar nga policia në Krujë.

Ndërkohë poseduesja e lëndës narkotike është arrestuar, ndërsa djali i saj është shpallur në kërkim.

Njoftimi

Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Finalizohet nga Policia e Krujës, në bashkëpunim me SHÇBA-në operacioni policor antidrogë i koduar "Noja".

Sekuestrohen 16 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa.

Arrestohet në flagrancë poseduesja e lëndës narkotike dhe shpallet në kërkim djali i saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me SHÇBA-në në DVP Durrës, pas informacioneve të grumbulluara se në një banesë, në fshatin Nuaj kishte lëndë narkotike organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar "Noja".

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja:

D. M., 47 vjeçe, banuese në Krujë dhe u shpall në kërkim djali i saj shtetasi C. M., 27 vjeç.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi Xh. M., 73 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", e kryer në bashkëpunim.

o.j/dita

Pas Amazonës, Presidenti i Brazilit akuzohet për vrasjen e një ish-parlamentareje

Posted: 31 Oct 2019 01:48 AM PDT

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, i akuzuar si zjarrvënësi i pyjeve të Amazonës, tani po hetohet për vrasjen e një ish parlamentareje dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, Marielle Franco.

Marielle Franco për vite me radhë kishte denoncuar vrasjet e shumta në lagjet e varfëra të Rio De Janeiro nga skuadrat e vdekjes të përbëra nga ish-policë dhe agjentë në detyrë të policisë ushtarake, në kohën kur Bolsonaro ishte deputet.

Kjo është hera e parë që zyrtarë të lartë në Brazil përfundojnë në dokumentet e dosjeve për çështje që kanë tronditur vendin.

Bolsonaro tani është në alarm.

Ai tha se “tani po bëhet gjithçka për të diskredituar mua dhe vendin tim”.

j.l./ dita

Kredia e butë shkarkon përfundimisht gjyqtarin e 21 janarit, Ervin Metalla

Posted: 31 Oct 2019 01:41 AM PDT

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Ervin Metalla. Ky i fundit u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por nuk e pranoi vendimin dhe ju drejtua Kolegjit të Apelimit.

Dje KPA u mblodh në dhomë Këshillimi dhe vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK. Hetimi administrativ nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi se gjyqtari Ervin Metalla kishte kryer një seri transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, që financohet nga buxheti i shtetit.

Relatorja Xhensila Pine tha në atë kohë se gjyqtari Metalla ka blerë një apartament 96.8 metra katrorë dhe një garazh 22 metra katrorë në vitin 2007 në Tiranë. Pasi ka paguar këstet e kredisë për gati 4 vite, gjyqtari Metalla në vitin 2011 ia ka kaluar kredinë bashkë me pronësinë e apartamentit të vëllait, ndërkohë që vazhdonte të banonte vetë aty.

Sipas relatores së çështjes, subjekti i rivlerësimit i ka kryer këto veprime me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga BKT, "kredi të cilën nuk mund ta përfitonte pasi kishte ndërkohë një shtëpi dhe një kredi tregtare".

Kredia lehtësuese financohet nga buxheti i shtetit dhe përfitohet përmes kritereve të mirëpërcaktuara. Njëra prej këtyre kritereve është financimi i apartamentit në qytetin ku ushtrohet detyra, kusht i cili duket se i ka krijuar andralla shtesë gjyqtarit Metalla.

Hetimi administrativ ka zbuluar se kredia lehtësuese është disbursuar në llogarinë e një kompanie private ndërtimi dhe është shoqëruar me një kontratë porosie për një apartament në Durrës.

Në vitin 2012, kompania e ndërtimit i ka kthyer mbrapsht paratë në vlerën e 4.9 milionë lekëve përmes llogarisë bankare të babait të subjektit të rivlerësimit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti nuk ka deklaruar në vitin përkatës shumën prej 4.9 milionë lekësh dhe as kalimin e saj në llogarinë bankare të babait të tij.

"Subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar destinacionin e kredisë lehtësuese në kundërshtim me kriterin e strehimit vetëm në vendin e punës. Ai ka aplikuar në mënyrë të pasaktë dhe ka përfituar në mënyrë të padrejtë kredinë lehtësuese, e cila financohet nga buxheti i shtetit" tha relatorja Pine në atë kohë.

o.j/dita

Kosovë, kryetarja e KQZ: Votat mund të numërohen nga fillimi

Posted: 31 Oct 2019 01:24 AM PDT

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë, Valdete Daka, ka deklaruar se certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit mund të zgjasë deri në dhjetor.

Ajo u shpreh për RTK-në se kjo vonesë mund të ndodhë, për shkak të ankesave të subjekteve politike dhe të kandidatëve.

"Nuk mund të jap parashikime, nuk mund të them fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Nëse ka ankesa mund të shkojë prapë në rinumërim. Mund të them që kjo forma e ankesave duhet të rregullohet si në vendet tjera sepse me të vërtetë kjo stërzgjatje është keqtrajtim", ka thënë ajo.

Daka tha se ka ankesa nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë.

Sot, Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Me këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim.

Ndërsa, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se presin ta marrin vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të diasporës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP, ka refuzuar ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD që të shpallen të parregullta fletëvotimet e ardhura nga Serbia përmes postës.

j.l./ dita

Dalin në shitje biletat për Shqipëri-Andorra, ja çmimet

Posted: 31 Oct 2019 01:17 AM PDT

Federata Shqiptare e Futbollit, ka publikuar çmimet dhe ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen e parafundit eliminatore të Euro 2020, Shqipëri-Andorra, që do të luhet më 14 nëntor, ora 20:45, në "Elbasan Arena".

Çmimet e biletave variojnë:

500 lekë më e lira në tribunat G2 dhe C2.

1 000 lekë në tribunat G1, G3, C1. C3.

1 500 lekë në tribunat F dhe D.

2 000 lekë tribuna E.

3 000 lekë tribunat B1 dhe B5.

4 000 lekë në tribunat A1, A4, B2 dhe B4.

5 000 lekë në tribunat B3, A2 dhe A3.

8 000 lekë në tribunën VIP.

Të interesuarit mund t'i gjejnë biletat pranë dyqanit të FSHF, tek stadiumi "Selman Stërmasi" dhe në "Elbasan Arena", si dhe "online".

j.l./ dita

Dalin pamjet/ Si u fut në kurth kreu i ISIS, njeriu më i kërkuar në botë

Posted: 31 Oct 2019 01:13 AM PDT

Ushtria amerikane ka publikuar pamjet e para të bastisjes në Sirinë veriore në të cilën u vra udhëheqësi i grupit të Shtetit Islamik (IS), Abu Bakr al-Bagdadi.

Ne videon e publikuar nga mediat e huaja duken trupat që gjuanin ndërsa i drejtoheshin kompleksit ku Abu Bakr al-Bagdadi ishte fshehur.

Bagdadi u arratis në një tunel dhe vrau veten duke shpërthyer një jelek vetëvrasës. Nderkohe qe pas bastisjes kompleksi u shkatërrua me municione.

Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, Gjeneral Kenneth McKenzie, tha se ndërtesat e shkatërruara tashmë duken si një parking me gropa gjigande.

"Ai u zvarrit në një tunel me dy fëmijë të vegjël dhe hodhi veten në erë ndërsa njerëzit e tij qëndruan në tokë." tha McKenzie para një konference për shtyp në Pentagon.

Gjenerali McKenzie tha se dy fëmijë kishin vdekur me Bagdadi në tunel – jo tre siç ishte raportuar më parë.

Ai gjithashtu tha se nuk mund të konfirmojë përshkrimin qe beri Presidenti Donald Trump per vdekjen duke qare te Bagdadit.

"Unë nuk jam në gjendje të konfirmoj asgjë tjetër në lidhje me sekondat e tij të fundit"- tha ai, duke shtuar "Unë dua ta sqaroj se megjithë presionin e lartë dhe natyrën speciale te këtij sulmi, u bë çdo përpjekje për të shmangur viktimat civile dhe për të mbrojtur fëmijët që ne dyshonim se do të ishin në kompleks".

 

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more