Skip to main content

“Shumica e faktorëve shqiptarë kanë punuar kundër çeljes së bisedimeve me BE-në!” plus 9 more - Gazeta Dita

“Shumica e faktorëve shqiptarë kanë punuar kundër çeljes së bisedimeve me BE-në!” plus 9 more - Gazeta Dita


Shumica e faktorëve shqiptarë kanë punuar kundër çeljes së bisedimeve me BE-në!

Posted: 15 Sep 2019 01:50 AM PDT

Kundër Mëmëdheut,

plot një vit luftuan,

tani negociatat,

hipokritët duan!

 

Dhe në kohë pushimesh,

domethënë në Gusht,

thoshnin-Shqipëria,

s'plotëson asnjë kusht!

 

Hapje negociatash,

ky vend s’meriton,

se mafia dhe krimi,

këtu komandon!

 

Dhe s’është se e kemi,

për herë të parë,

që në këtë ngjarje,

shkojmë të përçarë!

 

Zjarr e “Molotovë”,

si në ditë të kijametit,

bënin për çdo muaj,

xhiron e Planetit!

 

Nga poli në pol,

çdo gjë transmetohej,

dhe s’kish nevojë fare,

të amplifikohej!

 

Thosh Monikë e zgjuar,

si në handikap,

se vrullin  Sovranit,

s'ja  bënin dot zap!

 

Po kur foli Palmer,

drejt nga Amerika,

Lulash e Monikë,

u pordhën nga frika!

 

Se krejt nominale,

qe përgjegjësia,

dhe për pesë minuta,

binte histeria!

 

Këta që në Botë,

keq na nxorën bojën,

tani qind për qind

e ndryshuan lojën!

 

S’është se opozita,

është deçizive,

po qasja e saja,

është krejt negative!

 

Them se bisedimet,

s’hapen as sivjet,

sepse ka çdo shtet,

oreksin e vet!

 

Tri-katër i dinim,

janë historikisht,

po tani dhe Greku,

na doli si bisht!

 

Sa të jetë Hollanda,

djep i kurvërisë,

dyert nuk i hapen,

kurrë Shqipërisë!

 

Ministrinë e Jashtme,

tani natyrisht,

duhet  shoku Rama,

ta marrë totalisht!

 

Ta drejtojë direkt,

jo t’i japë një dorë,

se Caka s’e tund,

dot atë këmborë!

 

Diplomatët s’flasin,

si t’u vijë për mbarë,

po syrin s’ua mbush

një djalkë kosovar!

 

Kishim një Bushat,

të klasit të parë,

sot një vockalan,

edhe kosovar!

 

Edhe kësaj here,

s’besoj të na ftojnë,

sepse kundra vetes,

shqiptarët punojnë!

 

Që nga Presidenti,

që kurs “ka ndryshuar”,

kundër Mëmëdheut,

të gjithë kanë punuar!

 

A.DUKA

Kamioni del nga rruga, shoferi hidhet nga mjeti për të shpëtuar

Posted: 15 Sep 2019 01:44 AM PDT

Një aksident është regjistruar gjatë natës në aksin Burrel-Milot, ku një kamion me targa të huaja ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.

Ngjarja ndodhi gjatë natës në afërsi të urës së Ulzës.

Mësohet se shkak i aksidentit është bërë parakalimi i gabuar i një mjeti me targa zvicerane, duke bërë që shoferi i kamionit (me targa maqedonase) të hidhej nga mjeti dhe ky i fundit të dilte nga rruga dhe më pas të përmbysej.

Kamioni që transportonte bazë materiale, ishte nisur nga Shkupi ndërsa kishte si destinacion Tiranën.

Drejtuesi i kamionit ka arritur të shpëtojë, vetëm me disa lëndime, ndërsa tashmë po jep dëshminë e tij në polici.

Kjo e fundit po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

j.l./ dita

DW: Reforma zgjedhore, PD s’jep asnjë shenjë gatishmërie për të filluar dialogun

Posted: 15 Sep 2019 01:37 AM PDT

Afrimi i tetorit, kur Këshilli Europian do të marrë vendimin për Shqipërinë lidhur me negociatat e anëtarësimit, ka shtuar thirrjet e BE për uljen e palëve në tryezën e bisedimeve dhe gjetjen e një kompromisi për daljen nga kriza politike dhe institucionale, që vazhdon prej 7 muajsh.

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca ftoi të premten, (13.09.2019), partitë politike të ulen në dialog për të arritur këtë qëllim dhe shtuar shanset e një vendimi pozitiv nga Brukseli.

Soreca sugjeroi Reformën zgjedhore si shtysë për të nisur dialogun me opozitën jashtë Parlamentit, të cilën e quajti “diçka specifike”.

Reforma zgjedhore – reformë tjetër kyç për  Shqipërinë

“Reforma zgjedhore është e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë, për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë që i përkasin gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare dëshirojnë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Prandaj të gjithë politikanët duhet të përfshihen në këtë dialog", argumentoi Soreca.

Por dialogu për këtë duket i vështirë për momentin, edhe pse reforma zgjedhore është reforma e dytë e rëndësishme, pas Reformës në Drejtësi, edhe pse kryerja e saj do të bëjë të mundur ndarjen nga zgjedhje atipike, pa pjesëmarrjen e opozitës, gjë për të cilën të gjitha partitë janë të interesuara. Partitë e vogla opozitare jashtë parlamentit përfshirë edhe LSI kanë dhënë sinjale, se edhe mund të ulen në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore.

Por Partia Demokratike, që kryeson këtë opozitë, nuk jep asnjë shenjë gatishmërie për të filluar dialogun me qeverinë dhe maxhorancën socialiste për këtë reformë. Thirrjeve të BE dhe faktorit ndërkombëtar, ftesës së kryeministrit Rama dhe mazhorancës socialiste për bashkëpunim dhe dialog ajo i përgjigjet me paralajmërimin për rifillimin e protestave antiqeveritare, largimin e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme, si e vetmja rrugë e daljes nga kriza e shkaktuar, që opozita e konsideron të shkaktuar nga lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe manipulimin e zgjedhjeve.

Meta: Dalja nga kriza – çmontimi i shtetit të gënjeshtrës

Presidenti Meta, fati politik i të cilit do të varet nga opinioni i Komisionit të Venecias, në fillim të tetorit, nëse ka kryer apo jo veprim anti-kushtetues lidhur me dekretet e tij që shfuqizuan datën 30 qershor si  datën e Lokaleve 2019 dhe dekretuan 13 tetorin, është po kaq i ashpër në kritikat ndaj qeverisjes Rama. Sipas tij dalja nga kriza e thellë politike edhe institucionale do të vijë përmes betejës së gjithë shqiptarëve "për të çmontuar shtetin e propagandës, të gënjeshtrës që po i merr shpirtin shtetit të së drejtës", tha ai  të premten në mbrëmje, (13.09) i ftuar në  një televizion lokal.

Procedurat e shkarkimit të tij vazhdojnë, por Meta tha, se "do të japë dorëheqjen, nëse Komisioni i Venecias në opinionin e tij konkludon se ka shkelur Kushtetutën", pa pritur që të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese që pritet të ngrihet. Ndërkohë që dekreti i tij për përsëritje të Lokaleve 2019 mbeti në letër, pasi as që bëhet fjalë për përsëritjen e zgjedhjeve, të fituara nga PS në masën 60 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria.

Partia Demokratike mes protestës dhe dialogut

Refuzimi i deritanishëm i dialogut dhe rifillimi i protestave e vendos PD përballë situatash të vështira. Gjasat që t'ia dalë mbanë me protestat e vjeshtës të rrëzojë Ramën janë të pakta. Në protestat kombëtare shkurt-qershor ajo nuk e arriti këtë synim, po ashtu edhe Lokalet 2019 më 30 qershor u zhvilluan. PD ka përballë opozitën e re parlamentare, të gatshme të bashkëpunojë me maxhorancën socialiste për reformën zgjedhore. Qëndrimi jashtë sistemit mbart rreziqe për ekzistencën e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. Lidershipi i saj është i vetëdijshëm për këtë rrezik dhe tani për tani duket i mbetur pezull në zgjedhjen politike: protesta apo dialog dhe marrveshje me Ramën.

j.l./ dita

Sa paguhen shqiptarët? Pagat minimale dhe “të privilegjuarit” e pakët

Posted: 15 Sep 2019 01:14 AM PDT

Nga mbi 1,1 milionë të punësuar që u raportuan si të punësuar nga INSTAT në tremujorin e dytë të vitit 2019, vetëm 4.4% prej tyre paguajnë sigurime me paga më të larta se 120 mijë lekë.

Duke marrë në konsideratë totalin e të punësuarve, rreth 50 mijë individë raportojnë se paguhen më shumë se 120 mijë lekë.

Një pjesë e madhe e tyre mësohet se janë në administratën publike, entet dhe ndërmarrjet shtetërore, dhe institucionet e pavarura buxhetore që ofrojnë relativisht paga të larta.

Kjo kategori të punësuarish pësoi një rritje të lehtë në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke zënë 4.4% në totalin e atyre që paguajnë sigurime në raport me 4% që ishin në tremujorin e parë. Por për pjesën dërrmuese të të punësuarve që paguajnë sigurime raportohet një gjendje e mjerë në sektorin e pagave.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të përpunuara nga "Monitor", 460 mijë e 173 persona në të gjithë vendin paguajnë sigurime deri në pagën 30 mijë lekë në muaj. Kjo kategori zë 40.2% të totalit të punonjësve që paguajnë sigurime.

Të dhënat e detajuara tregojnë se mbi 320 mijë persona ose 28% e të punësuarve paguajnë sigurime për pagën minimale 26 mijë lekë dhe 139 mijë persona të tjerë ose 12.2% të totalit të punësuarve paguan sigurime në pagën 30 mijë lekë. Paga mesatare në ekonomi u rrit në tremujorin e dytë me 4.4%. Sektorët i informacionit dhe komunikimit, bujqësia, hoteleria, baret dhe restorantet ofruan rritjet më të larta të pagave për punonjësit e tyre, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Ndërsa punonjësit në sektorin e ndërtimit dhe sektorin bankar kanë pësuar ulje të pagës në tremujorin e dytë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të 2018. Në sektorin financiar dhe atë të sigurimit, pagat shënuan ulje me 0.7% dhe në sektorin e ndërtimit me 2.6%.

Nga ana tjetër, rritja më e madhe e pagave ka ndodhur në sektorin e hotelerisë dhe turizmit me rritje vjetore 13%. Më tej, ritmet më të larta të rritjes i pati sektori i komunikimit me 11% dhe më tej bujqësia, tregtia, shërbimet dhe transporti raportuan rritje vjetore të pagave me 6.3%.

Sektori që paguan më shumë në Shqipëri është ai i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, me 113 mijë lekë në muaj, i ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 87 mijë lekë.

Ky sektor ka parë dhe rritjen më të lartë të pagës në vlerë absolute, teksa zhvillimi i teknologjisë së informacionit në biznese po i bën profesionistët e kësaj fushe gjithnjë e më të kërkuar.

Aktivitetet e tjera paguajnë mesatarisht më pak se 60 mijë lekë në muaj, ku më e keqpaguara është bujqësia.

j.l./ dita

Ambasadori i SHBA: Kosova të pezullojë taksën që të vazhdojë dialogu me Serbinë

Posted: 15 Sep 2019 12:58 AM PDT

"Kosova duhet të pezullojë taksën me Serbinë në mënyrë që të vazhdojë dialogu".

Kështu deklaroi ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott.

Në një intervistë për median serbe "Kurir", Scott ka ripërsëritur qëndrimin e SHBA-ve për taksën dhe pezullimin e saj.

Teksa ka folur për emërimin e Matthew Palmer si i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për çështjet e Ballkanit tha se ky i fundit i njeh shumë mirë problemet mes Kosovës dhe Serbisë.

"Palmer e njeh shumë mirë problemin mes Kosovës dhe Serbisë dhe rajonin, ai është personi ideal që do të kontribuojë në normalizimin e raporteve. SHBA-të duan që Kosova ta pezullojë taksën, në mënyrë që të rifillojë dialogu me Serbinë. Është e rëndësishme për Prishtinë që të formojë qeverinë e re, ta pezullojë taksën e të vazhdojë dialogu", ka thënë ai.

j.l./ dita

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, Meta: Të fundit në rajon para dyerve të BE-së

Posted: 15 Sep 2019 12:47 AM PDT

Presidenti Ilir Meta ka bërë një reagim të gjatë në "Facebook" me rastin e ditës ndërkombëtare të Demokracisë.

Ndërsa jep disa shpjegime se çfarë është demokracia, Meta thotë se shumë nga vlerat e saj "janë përçudnuar në vendin tonë".

"Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri. Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore", shkruan Meta.

Postimi i Metës:

Të dashur miq, sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.

Në themel të demokracisë qëndron vota, e drejta e çdo qytetari për t'u zgjedhur e për të zgjedhur, pluralizmi politik.

Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar.

Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit.

Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë.

Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor '90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.

Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!

Koha nuk pret!

Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!

Për një Shqipëri demokratike, si gjithë Europa!

Sepse liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme!

Mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t'i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.

Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi!

Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

T'ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe!

Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t'u përmbysur!

Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë!

O SOT O KURRË!

j.l./ dita

Kush e mbron Agron Tufën?

Posted: 15 Sep 2019 12:33 AM PDT

Redaksionale

Heshtja e pafalshme e Qeverisë dhe e Ministrisë së Arsimit ndaj një rasti flagrant të shkeljes së ligjit nga drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa. Indiferenca e Kryetarit të Kuvendit, futja në lojë e KLSH-së dhe OSBE-së në mbrojtje të Tufës. Pse bën sehir Prokuroria e Përgjithshme…

Prej disa muajsh gazeta DITA ka investiguar rastin e Agron Tufës në rolin e drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit për një sërë shkeljesh flagrante të ligjit.  Në fillim të muajit prill të këtij viti në Komisionin e Ligjeve u kundërshtua me forcë një rezolutë e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ku nxihej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar. Kjo ndodhte në vitin jubilar të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Në debat u përfshi deputeti socialist Spartak Braho, Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ-it dhe Organizata e Dëshmorëve të Atdheut, historianë dhe personalitet të ndryshme të kulturës si Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, ish-Presidenti Alfred Moisiu, Shaqir Vukaj, Ksenofon Krisafi, Fatos Tarifa, Moikom Zeqo, Xhelal Gjeçovi e plot të tjerë.

Me shkrimet dhe intervistat e tyre në DITA ata nënvizonin faktin se ky institut me Agron Tufën në krye  është kthyer në një institucion që ka marrë përsipër të nxijë një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Ata sollën një rezolutë që nxinte luftën antifashiste dhe dëshmorët e saj të cilët i konsideron "kriminelë". Këtë kërkonin ta ligjëronin në parlament. Gazeta e denoncoi këtë veprimtari si të papranueshme dhe debati e detyroi parlamentin të diskutojë në fillim të muajt korrik dhe të votojë një ligj për t'i hequr të drejtën këtij instituti të merret me historinë e luftës  në vitet 1941-45.

Dhe kështu ndodhi. Ligji u miratua por… nuk u zbatua! Agron Tufa vazhdoi si më parë në rrugën e nisur pa u shqetësuar hiç, madje kohët e fundit është bërë edhe agresiv duke folur për "transhe të kuqe", për "komunistë" dhe "enveristë" të pandreqshëm.

Kush e mbron Agron Tufën dhe çfarë e trimëron atë? Po sjellim disa fakte kokëfortë që ne i kemi bërë publike ditët e fundit.

Shqetësimi i debatit të rihapur ditët e fundit, sikurse theksohej ditën e djeshme në letrën e hapur për ministren e Arsimit, ka të bëjë me një skandal të rëndë (krim akademik) që ka ndodhur në Universitetin e Tiranës dhe konkretisht në Departamentin e Letërsisë së Fakultetin Filologjik dhe që, po të vërehet në thellësi, kuptohet se gjendja është tepër më e rëndë dhe alarmante seç paraqet rasti në fjalë i një plagjiature… Aty denoncohet me fakte plagjiarizmi "shkencor" i Agron Tufës (me detyrë aktualisht drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit) në dëm ish-lektorit të Universitetit të Tiranës, Dr. Aristotel Spiro, të cilit i ka marrë një tekst të gatshëm dhe e ka përfshirë në punimin e doktoraturës si tekst të vetin. Gjithashtu jepen edhe fakte të tjera të dokumentuara dhe në rastin e një sistemi normal të funksionimit të drejtësisë, duhet të kishte filluar me kohë procedimi.

Pra nuk është fjala për një denoncim të zakonshëm. Është një akt tejet i patolerueshëm dhe i dënueshëm në çdo kohë e në çdo sistem. Kallëzimi i krimit është bërë, ndërsa heshtja zyrtare dhe mosdënimi i krimit ngre shumë pikëpyetje dhe lë shteg për shumë dyshime. Në krye vetvetiu bëhet pyetja më normale: Kush e mbron Agron Tufën?

Sepse bëhet fjalë për mosfunksionim të shtetit duke lënë një shkelës ligji dhe një plagjiarist të vazhdojë të livadhisë si t'i dojë qejfi pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Bëhet fjalë për indiferencën e Edi Ramës, si kryeministër, që këtë drejtor shkelës ligjesh që e ka në vartësi dhe e ka paguar dhe e paguan për titujt fallco që ka marrë e merr shpërblime nuk e investigon pas denoncimit që ka bërë gazeta DITA nëpërmjet prof. Aristotel Spiros dhe publicistit Ilir Mborja etj.

Në shkrimet e ditëve të fundit janë denoncuar si pjesëmarrës në këtë krim akademik ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolli e cila është vënë në dijeni zyrtarisht për atë që ka ndodhur, Departamenti i Letërsisë të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës (me përgjegjëse Dhurata Shehrin), dekanati i këtij Fakulteti (me dekan Shezai Rrokajn), si dhe të rektori i UT Dhori Kule, të cilët, në vend që të vepronin sipas kreut III, paragrafi 3 të Rregullores "Për etikën në veprimtarinë kërkimore dhe botuese" (shih Urdhrin Nr. 105, datë 23.3.2012 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës), duke reaguar në rrugë gjyqësore pas denoncimit të plagjiarizmit prej të dëmtuarit Dr. Aristotel Spiros, u munduan ta mbrojnë me çdo kusht plagjiaristin Agron Tufa.

Megjithatë, mosveprimi në këtë rast tregon se problemi është më i thellë se sa duket. Agron Tufa ndihet mbi të gjitha i pa shqetësuar nga indiferentizmi total nga ana e institucioneve më të larta të shtetit. Sepse jemi në Shqipëri. Në Europë e në botë plagjiarizmi është tejet i dënueshëm. Këtë e nënvizonte në intervistën e djeshme në DITA, prof. Aristotel Spiro, kur shprehej: "Nuk mund të jetë pedagog dikush që vjedh tekstet e të tjerëve. E nëse zbulohet që doktoratura e dikujt përmban plagjiarizma, atij ose asaj i duhet hequr grada me t'u zbuluar kjo gjë. Kështu veprohet sot në botë. Ka ndodhur që plagjiarizmi të jetë zbuluar dhjetë vjet pas mbrojtjes së doktoraturës, dhe personit i është hequr menjëherë titulli. Por nuk di asnjë rast që në Shqipëri t'i jetë hequr doktoratura dikujt, megjithëse raste denoncimi publik për plagjiarizëm ka pasur mjaft."

Janë një sërë çështjesh që duhen hetuar.

Kemi mosveprim të Kuvendit, ndërkohë që Gramoz Ruçi si kryetar Kuvendi duhet të kishte urdhëruar drejtorinë e monitorimit të institucioneve të pavarura të Kuvendit, ku përfshihet edhe instituti i Tufës, të cilin e ka në vartësi ta kontrollojë edhe financiarisht, por edhe shkeljet e tjera që lidhen me aktivitetin e tij.

Dhe skandali vazhdon të thellohet se për shkak të presionit të Tufës duke futur në lojë OSBE-në dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskajn, është shtyrë miratimi i ligjit që nga muaji qershor- korrik për t'i hequr të drejtën këtij instituti të merret me historinë e luftës  në vitet 1941-45, ndonëse Kuvendi ka miratuar rezolutën për këtë ndryshim në ligj.

E fundit lidhet me pasivitetin e organeve të Prokurorisë, e cila hesht dhe nuk vepron kryesisht siç e parashikon ligji nisur edhe  nga  shkrimet e gazetës  Dita dhe profesor Aristotelit që e akuzon për vjedhje Tufën dhe shpërdorim të detyrës nga fakulteti dhe personat drejtues të tij që i kanë dhënë edhe tituj me mashtrime etj.

Telefonuesi që i dha fund grushtit të shtetit në 14 shtator

Posted: 15 Sep 2019 12:20 AM PDT

PJESA III E INTERVISTËS ME IZET HAXHINË

Me këtë pjesë të tretë të rrëfimit të Izet Haxhisë, kuptohet fare qartë se vrasja e Azem Hajdarit ka qenë thjesht një pretekst për atë që do të ndodhte dy ditë më vonë.

Grushti i shtetit i 14 shtatorit 1998 ka qenë i mirëpërgatitur.

(Vijon nga numri i kaluar)

– Izet, kemi hyrë tashmë në ditën e tretë të atyre ngjarjeve dramatike, ose sikurse njihet ndryshe 14 shtatori si dita e grushtit të shtetit, që në fakt dështoi. Si mund të ma përshkruani atë ditë?

– Kur ti, Xhevdet, thua "të kalojmë tek 14 shtatori" mua më duhet të të korrigjoj. Sepse ai është sulmi më i egër dhe fashist që u është bërë institucioneve qendrore të shtetit shqiptar gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit. Nuk ishin spontane, por të përgatitura me kujdes e strategji nga ana e Berishës dhe të zbatuara nga krahu i armatosur i PD-së, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë; dhe e ndihmuar nga forcat e armatosura të qeverisë Bukoshi, nën emrin e FARK-ut.

– Atëherë, nga ceremonia për varrimin e Hajdarit: Si u zhvilluan ngjarjet deri tek marrja e institucioneve shtetërore?

– Në mitingun mortor të Hajdarit kemi shkuar të armatosur, dhe thirrjet tona kanë qenë për hakmarrje. Ka qenë një grup rreth 150 veta, bërthama e grupit të zjarrit që më vonë do të pushtonte institucionet shtetërore. Furnizimi me armë për pjesën tjetër është bërë nga depoja që ndodhej tek Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe që ishte planifikuar të shpërthehej gjatë pushtimit të institucioneve. Pas mitingut që do të mbahej te Pallati i Kulturës, kortezhi siç ishte planifikuar është nisur në drejtim të Kryeministrisë, sikur Azemin do ta varrosnim në bahçen e Kryeministrisë e jo në varrezat e Sharrës. Arkivoli me trupin e tij ka mbërritur para derës së kryeministrisë dhe mbahej në krahë nga militantë të njohur të PD-së të veshur me kostume si për dasmë. Një nga këta ishte edhe krushku i Berishës, Luan Malltezi.

– Ç'hyn këtu Malltezi? Pse e përmendni këtë?

– E përmenda Malltezin se më vonë kur të plaste pushka dhe bombat, do bëhesha dëshmitar i një skene komiko-tragjike me Malltezin me kostum. Por të vijmë tek momenti i shpërthimit të armëve. Deri në atë moment nuk kishte pasur asnjë krismë apo incident. Shteti nuk dukej gjëkundi dhe Kryeministri Nano, siç mësuam më vonë, i veshur si fshatar nga Peza, po kalonte malet në mes Shqipërisë dhe Maqedonisë hipur mbi një mushkë…

– Si shpërtheu konflikti?

– Për të ndezur luftën në këtë moment është hedhur nga ana e një polici të kohës tonë, një bombë dore në hollin e Kryeministrisë. Ishte koha kur arkivoli i Azemit po përdorej për të thyer derën e Kryeministrisë dhe, mbas plasjes së bombës fillon lufta me muret e zyrat e Kryeministrisë, që nuk kishte kush t'i mbronte, pasi ishin braktisur nga gjithkush për të rënë në dorë të plaçkitësve të PD-së. Këta nuk lanë gjë pa vjedhur aty, deri tek kompjuterat. Nuk ka pasur as edhe një shkrehje arme në drejtim të turmës nga ato pak forca speciale që ndodheshin brenda e që u larguan menjëherë për të shpëtuar lëkurën. Me ata ministra që kishin marrë guximin të qëndronin brenda në Kryeministri, ishte edhe ministri i atëhershëm i Kulturës e Sporteve, Edi Rama. Më vonë më thanë që kishte kishte mbërritur te Rogneri vetëm me çorape, këto të grisura nga ecja zbathur dhe me nxitim me sa duket. I kishin dalë këpucët nga këmba prej panikut dhe nxitimit gjatë ikjes nga kryeministria…"

– Pak më parë më folët për Luan Malltezin…

– Ja, ta tregoj sepse tani i erdhi radha. Në këtë katrahurë ku qëllohej nga kush kishte në dorë një armë, shof një njeri të shtrirë me kostum në një pellg që m'u duk si gjak, por që doli që ishte ujë i përzier edhe me gjëra të tjera. Ju them atyre që kisha pranë: Shifeni se më duket si i plagosur! Sepse në intervale kohe ai lëvizte ndonjë gjymtyrë. Kur afrohemi, ç'të shof! Na ishte krushku i Berishës që pas plasjes së armëve braktisi arkivolin e heroit dhe shtrihet në një pellg uji, duke e shumuar këtë me lëngjet e veta që i dolën pa dashje dhe duke bërë numra si i vdekur. E ngritëm në këmbë. U lehtësuam se ai ishte shëndoshë e mirë, paçka se i dukej vetja si i plagosur nga lagia e dyfishtë.

– Ç'do të bëhej pas marrjes së Kryeministrisë?

– Në të njëjtën kohë nga qendra dhe Saliu vinin urdhra që të mos sulmohej Ministria e Brendshme, por të merrej Presidenca. Unë mundohesha të mbaja turmën para Kryeministrisë, sepse si "i mprehtë" që isha në politikë, mendoja se pas rrëzimit të qeverisë, kush do jepte miratim për qeverinë e re po të mos ishte presidenti? Ndaj nuk lejova që turma të përparonte në drejtim të Presidencës. Është pikërisht ky momenti kur tanket dhe autoblindat e gardës kishin rënë në dorën tonë të dhuruara nga ata që i drejtonin, pa asnjë rezistencë. Kurse Kryeministria ndërkaq ishte pushtuar dhe filluan festimet…

– Ishte sulmuar TVSH-ja ndërkaq?

– Po. Kur isha para Kryeministrisë më vjen një regjisor i Televizionit dhe një kameraman që i njifja dhe me lot në sy më luten që të shkoja tek televizioni, një rrugicë më lart, e ta shpëtoja, sepse po e plaçkisnin turmat. Kam marrë me vete disa njerëz afër meje, një autoblindë dhe jam drejtuar tek radio-televizioni.

– Çfarë bëtë atje?

– Dua të theksoj se vajtja ime në TVSH nuk ka patur për qëllim pushtimin e këtij institucioni. Pasi kam bërë me njerëzit e mi nxjerrjen përjashta të plaçkitësve nga televizioni duke përdorur edhe armët, kam marrë nën mbrojtje atë dhe hyrje-daljet tek radioja e televizioni. Turma rreth dymijë vetash donte të hynte, pasi kishin përhapur llafe se në televizor ndodheshin qindra kamera e donin t'i grabisnin. Pas shumë përpjekjeve, duke hapur edhe zjarr në ajër për të larguar turmën, ia arrita qëllimit, por kur shof që pas një ore na vjen edhe krushku (Luan Malltezi) që kishte ndërruar kostumin dhe ishte larë i shoqëruar nga Antoneta Malja e Ekrem Spahia. Thanë që na ka çuar doktori për të marrë në dorëzim televizionin dhe pas pak do vijë edhe vetë të mbajë një fjalim para popullit. Në këtë kohë Ekrem Spahia kishte rrëshqitur në brendësi të televizionit e kishte dalë para kamerave, pa pritur as Berishën, për të dhënë sihariqin që qeveria e shteti kishin rënë dhe ne ishim kthyer në pushtet.

– Si u prit ky njoftim nga turmat?

– Gjatë kësaj kohe që ne morëm në kontroll televizionin, në pjesët e tjera të Tiranës vazhdonin festimet dhe plaçkitjet. Në të njëjtën kohë nga "kryengritësit" në përforcim të një autoblinde që kisha në fillim, më erdhën edhe dy tanke të Gardës, duke pritur Berishën që të vinte në Televizion e të mbante fjalimin historik të përmbysjes së pushtetit të majtë dhe kthimin në fron të tij. Na erdhën dhe kazanët me pilaf e me çorbë që ishin përgatitur për drekën e Hajdarit.

– Po me varrimin e Hajdarit ç'u bë?

– Në këtë kohë pyeta se çfarë u bë me arkivolin e heroit, sepse në momentin e shpërthimit të armëve ngeli i braktisur para Kryeministrisë. Sipas të dhënave që mora, po varrosej me ceremoni "madhështore" me pjesëmarrjen e disa vetave dhe punonjësve të komunales. Pasi hëngrëm pilafin dhe çorbën, Berisha nuk po dukej gjëkundi. Plus morëm vesh se ministri i Brendshëm Perikli Teta, pasi ishte larë e ndërruar, kishte filluar të vendoste rendin në Tiranë. Siç e mësova më vonë, gjatë kësaj kohe Berisha kishte komunikuar vazhdimisht në telefon me Perikliun.

– Si vazhdonte situata në TV në ato momente?

– Jam ngjitur në katin e dytë të televizionit dhe jam futur në zyrën e drejtorit të atëhershëm të televizionit, emri nuk më kujtohet tani. I kam thënë që ju duhet të vazhdoni transmetimet normale të televizionit. Pas disa kohësh pashë që një grup i madh punonjësish të televizionit po kërkonin të largoheshin nga godina. Në mes tyre ishte edhe Martin Leka që, i frikësuar se mos i bëja gjë, më thoshte nga larg që ke të fala nga një miku im nga Lezha që punonte në Gardë. Nuk ka nevojë të më çosh të falat e askujt, i thashë, sepse nuk ju prek njeri.

– Po Berisha a erdhi në Televizion?

– Pasi u larguan një pjesë e punonjëseve, marr në telefon në zyrën e Berishës, por në telefon më del e kudogjendura Linda Ihsani. I thashë më jep Berishën, por me sa kuptova nga zëri që i fliste nga prapa që pyeste se kush është dhe pasi i tha emrin tim, u kuptua që Berisha nuk donte të komunikonte me mua. I thashë: Do vijë apo nuk do vijë të flasë, se do largohem nga televizioni. Më tha: Prit se do të njoftojmë. E mbylla, por fillova të nuhas se kishte filluar një shitje e re e Berishës për mua dhe shokët e mi. Sepse në atë kohë në bulevard filluan të dëgjohen sirenat e policisë dhe na erdhi lajmi që dy tanke ishin rrëmbyer me forcë nga policia në duart e trimave të PD që çirreshin në bulevard sipër tankeve. Pashë që edhe disa persona nga Tropoja filluan të fironin e të mos ktheheshin më tek televizioni.

– Ç'bëre?

– Me rreth 150 veta që kisha në dispozicion vendosa të mbrohesha dhe të mos e lëshoja televizionin. Në pikat e larta vendosa armë të rënda të cilat i morëm nga depoja e armëve brenda televizionit dhe u bëra gati për luftë. Me dy tanke dhe një autoblindë, më mjaftonin që të bëja një luftë mbrojtëse, sepse nuk kisha ndërmend të dorëzohesha. Në këtë kohë vjen një shoku im dhe më thotë që të kërkojnë në telefon. Kush, i thashë. Përkthyesi thotë që është ambasadori i OSBE-së në Tiranë Dan Everts. Mirë, folni me të çfarë kërkon…

– Çfarë biseduat me ambasadorin Everts?

– Ka qenë ora rreth 4 e gjysmë pasdite. Sirenat e policisë po shtoheshin në bulevard e rrugët e Tiranës. Më vjen prapë ky shoku e më thotë se kërkon të flasë personalisht me ty. Nga më njef mua, i thashë, por shkova dhe hapa telefonin. Me anë të përkthyesit më prezantohet dhe më thotë që duhet të lëshoni menjëherë televizionin e të dorëzoheni pa kushte, sepse përndryshe shteti e organet e tij do t'ju godasin pa mëshirë. Më tha edhe këtë; që partitë politike kanë rënë në marrëveshje mes tyre për mbylljen e konfliktit. I thashë: Unë nuk përfaqësoj asnjë parti politike, kam ardhur në televizion për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare nga grabitësit e keqbërësit, prandaj jo forcat qeveritare, por edhe ato të NATO-s me në krye ty si ambasador, po të sulmojnë nuk trembem e nuk tërhiqem, por do luftoj deri në fund. Ia kam mbyllur në surrat telefonin. Ka kërkuar edhe disa herë të tjera, por nuk i kam dal në tel.

– Pra kishte filluar tërheqja. Po nga PD-ja ç'bëhej?

– Në këtë kohë as nga PD filluan të mos dilnin në telefon. U kuptua tradhtia që na kishte bërë Berisha. Jo se ishim duke bërë ndonjë vepër të mirë, përkundrazi. Por kur i futesh një rruge, edhe e gabuar qoftë, nuk duhet të shesësh ata që ke pranë, pasojat dhe të këqijat që vijnë nga prapa, duhet t'i ndash me ata që i ke futur në këtë akt kriminal ndaj shtetit. Por si Pons Pilat që është Berisha, mundohet t'ua hedhë fajin të tjerëve dhe, kur i shtrëngohet laku, tërhiqet si frikacak që është. Vërtet në atë budallallëkun e çmendurinë time kisha vendosur të rezistoja e të luftoja. Nga PD vinin lajme që këtë konflikt e dëshironte edhe Berisha, sepse kur njëri i kishte thënë deputetëve të PD-së që ishin mbledhur tek zyra e Berishës, që të ndihmojmë me përforcime Izetin me shokët e tij tek televizioni se do t'i sulmojë shteti, Jozefina dhe disa të tjerë kishin thënë që le t'i vrasin se e kanë bërë çdo gjë me kokën e tyre.

– Dhe si e latë ju Televizionin?

– Rreth orës gjashtë e gjysmë vjen Genc Pollo me disa persona të tjerë nga PD. Më thotë që po më dëgjove mua, lëshoje televizionin e mos lufto, sepse Berisha ka bërë marrëveshje me ndërkombëtarët dhe qeverinë dhe është tërhequr duke ju lënë juve të vetëm.

– Po ti si reagove?

– Na ka shitur, e pranon edhe ti, i thashë Gencit. Po, më tha. Në atë kohë merr prapë në telefon Dan Everts. Mirë, i thashë Gencit, meqë qenka kështu, fol ti në telelefon me Evertsin dhe thuaji që do tërhiqemi, por gjatë rrugës së tërheqjes që është në drejtim të PD-së nuk dua të shof asnjë forcë policie apo ushtarake se përndryshe do hap zjarr. Everts donte që këto t'i dëgjonte nga unë dhe, pasi ia thashë, ai i zbutur pranoi kushtet e mia.

-Thuhet se Berisha ka marrë edhe një telefon nga SHBA për t'u tërhequr. Si e kishte emrin shqiptaro-amerikani që ka telefonuar?

– Unë nuk kam qenë i pranishëm në atë bisedë telefonike, pasi isha në televizion, por me sa dëgjova më vonë në PD, telefonata me Berishën dhe që i tha të tërhiqet është bërë nga shqiptaro-malazezo-amerikani Frank Shkreli. Berisha ka filluar tërheqjen dhe përgatitjen e alibisë për të shpëtuar veten e dalë i palagur nga kjo histori e grushtit të shtetit, duke lënë të zbuluar e fajtorë mua dhe shokët e mi që zbatuam porositë e tij.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Nesër, pjesa e fundit:

-Përballja me Berishën në selinë e PD-së

-Kërcënimi ndaj Berishës dhe deputetëve

-48 orët e ngujimit në seli dhe largimi nga Tirana

Lezhë, 34-vjeçari aksidenton me makinë një 10-vjeçar

Posted: 14 Sep 2019 11:50 PM PDT

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë – Rrilë, ku një 34-vjeçar ka aksidentuar me makinë një 10 vjeçar.

Fëmija është transportuar në Qendrën e Traumës në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Lezhë /Informacion paraprak

Rreth orës 20:20, në aksin rrugor Lezhë – Rrilë, në vendin e quajtur Barbullojë, shtetasi A.L. vjeç 34, banues në Mat, duke drejtuar mjetin ka aksidentuar shtetasin e mitur 10 vjeçar A.P. banues në Barbullojë , i cili është transportuar në Qendrën e Traumes në Tiranë ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

j.l./ dita

Bilanci, 124 dosjet që presin Gjykatën Kushtetuese

Posted: 14 Sep 2019 11:42 PM PDT

124 çështje presin për t'u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk merr vendime që në shkurt të vitit 2018, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.

Vettingut i "mbijetoi" vetëm anëtarja Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandatin, ndërsa anëtarët e tjerë u shkarkuan për pasuri të paligjshme ose u vetëlarguan, duke evituar Vettingun.

Që nga fundi i vitit 2017 deri ditët e sotme numri i dosjeve që presin për t'u shqyrtuar nga gjykata më e rëndësishme në Shqipëri ka shkuar në 124, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Shqiptarja.com, se 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë.

Mes vendimeve dhe ligjeve që kundërshtohen janë edhe VKM-ja nr. 89, datë 03.02.2016 "Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë" si dhe neni 6, pika 1, shkronja "b" dhe nenit 7, pika 2, shkronjat "a" dhe "b" të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015 "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave".

Ndërkaq, 83 kërkesa janë kundër gjykatave për proces të parregullt, nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Komisionit të Pavarur të Apelimit.

Një kërkesë është paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës, 7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm), 1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve dhe 1 kërkesë për interpretim vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Nga 124 çështje në total, 8 çështje janë të mbartura nga viti 2017 dhe 68 çështje janë të mbartura nga viti 2018. Ndërkaq, në Gjykatën Kushtetuese, sipas gjasave, priret të zhvendoset edhe çështje më e nxehtë e politikës shqiptare, ajo e Presidentit Ilir Meta.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të finalizojë shkarkimin e Presidentit Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak te tre dekreteve për zgjedhjet lokale, vendimi do të shkojë për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë përcaktues për vendimin e Kuvendit për shkarkimin ose jo të Metës, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e fundit për kreun e shtetit.

Kushdo mund t'i drejtohet Kushtetueses

Kushtetua dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese, të ndryshuara në vitin 2016, kanë zgjeruar subjektet që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet e reja parashikojnë që Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit, kryeministrit, jo më pak se një të pestës së deputetëve, Avokatit të Popullit, kryetarit të KLSH, çdo gjykate, çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta, KLGJ, KLP, organeve të qeverisjes vendore, organeve të bashkësive fetare, partive politike, organizatave dhe individëve.

Sa i takon individëve, ligji i ndryshuar i Kushtetueses parashikon që çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, kur është palë në një proces ligjor ose kur është bartës i të drejtave dhe i lirive themelore të parashikuara nga Kushtetuta ka të drejtë të kundërshtojë para Gjykatës Kushtetuese çdo akt që cenon të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë. Por, ankimi kushtetues individual shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese kur kërkuesi ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive para se t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive në dispozicion; kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit; pasojat negative të pretenduara janë të drejtpërdrejta dhe reale për kërkuesin dhe shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese do të mund të rivendoste në vend të drejtën e shkelur të individit.

Bilanci

124 çështje presin për t'u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk merr vendime që në shkurt të vitit 2018, për shkak të veprimit të ligjit të Vettingut.

Dosjet që presin për t'u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese:

83 kërkesa për proces të parregullt (nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të KLD dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të KPA);

23 kërkesa për kundërshtim të ligjeve (në një kërkesë nga të cilat kundërshtohet dhe VKM);

1 kërkesë paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës;

8 kërkesa të paraqitura për kundërshtim VKM (nga të cilat 4 paraqitur nga individë);

7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm);

1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve;

1 kërkesë për interpretim vendimi të GJK.

j.l./ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more