Skip to main content

“Pse duhet të na qeverisin gratë?” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Pse duhet të na qeverisin gratë?” plus 2 more Telegrafi Opinione


Pse duhet të na qeverisin gratë?

Posted: 24 Jun 2019 04:05 AM PDT

Lis Bukuroca

Në Gjermani në vitin 2015 janë dënuar për vepra penale nga gjykata 80.2 për qind burra dhe 19.8 për qind gra.

Pse mund të jetë ky dallim kaq i madh?

Qyshkur jemi ndarë nga majmuni para 5-7 milionë vjetëve, burri ka vjedhur vazhdimisht apo ka marrë pa paguar, sepse gjithçka që kishte në Tokë nuk i takonte askujt. Gjersa burri merrte apo vriste, gruaja priste në një kasolle. Domethënë, ajo kishte më pak mundësi gjatë evolucionit të stërvitej me krimin.

Shumë burra nuk e kanë kuptuar ndryshimin e epokave dhe prandaj edhe vjedhin, rrahin e vrasin. Më herët, ato akte mund të ishin të domosdoshme për mbijetesë. Ndërkohë kemi arritur të zbusim shumë kafshë dhe t'i bëjmë shtëpiake, pra t'i qytetërojmë, por jo krejt burrat.

Statistika e Shqipërisë duket ndryshe. Ja raporti vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit: Nga të dhënat statistikore rezulton se raporti i të pandehurve meshkuj-femra në vitin 2014 ka qenë 94,44 për qind meshkuj dhe 5,56 për qind femra. Në vitin 2016, raporti i të pandehurve sipas gjinisë është 93,68 për qind meshkuj dhe 6,32 për qind femra dhe, në vitin 2017, raporti i të pandehurve sipas gjinisë është 93,49 për qind meshkuj dhe 6,51 për qind femra.

Burrat e pandehur, diku 94 për qind, gratë diku gjashtë për qind. Nëse përjashtojmë burrat nga politika dhe i bëjmë kryesisht turpëroje të grave në politikë, gatojca, kujdestarë për mirëmbajtjen e shtëpisë; pastrimin, larjen, hekurosjen… atëherë mundësia për ndërtimin e shteti ligjor do të ishte jashtëzakonisht e madhe: korrupsioni do të binte ndjeshëm, gjykatat e pavarura do të funksionin si duhet dhe lumturia e përgjithshme do të rritej.

Pse mund të ndodhë kjo?

Kjo mund të ndodhë, sepse gratë kujdesen më shumë për imazhin e tyre, për integritetin, për dinjitetin dhe nderin, kurse burrat kur është në pyetje pasurimi, ata nuk zgjedhin rrugë. Ata bëjnë dy përpjekje të mëdha: e para të kenë sukses gjatë kryerjes së veprës penale, e dyta të mos merret vesh jashtë. Gratë përjetojnë burgosjen si pasojë të tmerrshme, meshkujt e përkthejnë si vendqëndrim për burra. Kështu arsyetojnë edhe vrasjet, rrahjet, vjedhjet dhe korrupsionin. Burrat edhe krekosen me burgun, gratë turpërohen.

Para këtyre numrave, rinisë shqiptare nuk i mbetet tjetër pos të protestojë për largimin e burrave nga skena politike dhe zëvendësimin e tyre me gra. Për të kuptuar shpirtmirësinë e grave duhet të hedhim një vështrim prapa dhe të kundrojmë prindërit tanë.

Cili ishte më i drejtë, nëna apo babai?!

Nëse nënat tona ishin më të drejta se etërit, atëherë nuk kemi asnjë motiv të votojmë burra në politikë. Nga viti 1912 e këtej, burrat sjellin vazhdimisht fakte se nuk dinë të ndërtojnë shtet të së drejtës dhe nuk do ta bëjnë as këtë shekull. Me gratë në krye, brenda dhjetë viteve do të kemi shtet modern dhe përparimtar. Mos voto burra, së paku jo ata që shtypin në shtëpi, sepse ata që kanë aftësi për të diskriminuar gratë dhe bijat e veta, ata janë të stërvitur në familje për të rrënuar shtetin e së drejtës.

Ja disa burra: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Sali Berisha, Alfred Mosiu, Faton Nano, Bujar Nishani, Ilir Meta, Edi Rama, Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj…

Sa prej tyre meritojnë mirënjohje për përkushtimin e tyre ndaj shtetit të së drejtës dhe lumturisë së popullit? Sa prej tyre nuk janë pasuruar dhe sa prej tyre nuk konsiderojnë veten më të mirë të përjetshëm?

Nëse janë pakica, atëherë duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë se shumica e politikanëve shqiptarë jetojnë akoma në epokën e para homo sapiensit. Ata pasurinë e popullit e përkapin si shimpanzeja bananet në xhungël.

Prandaj, mos protesto për të zëvendësuar një hajn me një tjetër, por një hajn me një grua! Këtë ta rekomandojnë faktet nga statistika!

Pse duhet të na qeverisë gratë?

Sepse burrat na manipulojnë dhe sundojnë. Sepse shumica e burrave në skenën politike shqiptare meritojnë burgun. Sepse gjersa gratë duan të bëhen protagoniste të jetës, burrat përpiqen të bëhen bajraktarë primitivë! Sepse bajraktarizmi është mendjemadhësi, protagonizmi i grave përkushtim! Sepse bajraktarizmi i burrave është ashpërsi, komandim dhe dominimin, kurse protagonizmi i grave, shëmbëlltyrë! Sepse popujt që kanë shpirt të shtypin gratë dhe bijat e veta nuk kanë aftësi për të ndërtuar shtet të së drejtës!

The post Pse duhet të na qeverisin gratë? appeared first on Telegrafi.

Çunat problematikë

Posted: 23 Jun 2019 01:45 PM PDT

Fatos Çoçoli

Përgjimet e fundit të botuara nga gazeta e mirënjohur gjermane "Bild", hedhin dritë mbi anën e errët të "hënës" zgjedhore tek ne. Pra, të të gjitha ecejakeve të fshehta ose të hapura në sytë e banorëve, sidomos atyre të fshatrave, gjatë zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme. Të përpjekjeve dhe përçapjeve të "agjentëve" të partisë në terren për të bindur me pahir njerëzit te votonin për atë parti që kishte pushtetin. Edhe me kërcënime të hapura apo të fshehura për humbje të vendit të punës në administratën shtetërore (në rastin konkret të punës si mësues në shkollat e Dibrës). Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Dibër në vitin 2017. Ka kohë që ndodh. Që nga "loja e Dushkut" 16 vite më parë.

Pra, po ndodh në afër dy dekadat e fundit. Denoncimet e ndërkombëtarëve ndaj mekanizmave të panumërt të ndikimit abuziv mbi të drejtën e qytetarit për të ushtruar i lirë zgjedhjen e tij se cilës parti do t'ia japë votën, kanë qenë jo shteruese. Pa kapur raste flagrante të shitblerjes ose ndikimit abuziv e gati me dhunë mbi dëshirën e tjetrit për të votuar. Ndërkombëtarët në raportet e tyre, edhe pse kanë patur me dhjetëra vëzhgues vendorë në terren, janë mjaftuar në përshkrimin e mënyrave të shitblerjes së votës, pa denoncuar raste konkrete. Ndoshta nuk kanë qenë në gjendje t'i verifikonin, pavarësisht se mund të kenë dëgjuar shumë histori dhe ankime madje. E vërteta qëndron në faktin se në shitblerjen e votës dhe në ndikimin gati të dhunshëm për të devijuar vullnetin e qytetarit janë përfshirë të tre partitë tona kryesore.

Të tria janë fajtore njësoj për këtë mekanizëm përbindësh që kanë ngritur në këmbë. Trafiku i votës është përsosur dhe stërholluar, duke gjetur me dhjetëra mënyra të reja "krijuese" për të ndikuar tek hallet e njerëzve. Skandali i "Bild"-it nxori lakuriq partinë e sotme në pushtet. Por, të tilla përçapje, presione dhe sprova për të bindur njerëzit me pahir të votojnë i kanë bërë pa kursim edhe dy partitë e sotme të larguara nga Parlamenti. Madje njëra ofronte vende pune në administratë në këmbim të anëtarësimit të 50 të afërmve dhe miqve të tu në parti. Prandaj, dhe nuk ka shumë habi tek të gjithë qytetarët tanë.

Thjesht shprehen: "Ja i nxori edhe gjermani maskarallëqet tona!". Prej këtej, të nisesh për të destabilizuar vendin është një mision i vështirë. Gati i pamundur. Megjithatë, vetingu i zgjedhjeve duhet bërë një orë e më parë. Edhe me koston e humbjes së "agjentëve" të terrenit, çunave të fortë (pak problematikë, sikurse u referohet një ish-ministër në një përgjim).

Reforma zgjedhore duhet përgatitur dhe kryer urgjentisht, paralel me reformën madhore në drejtësi. Dhe, i takon përgjegjësia pikërisht partisë së sotme në pushtet ta fillojë. Me sinqeritet dhe pastërti, duke u larguar nga "agjentët" e përkushtuar në terren, që kanë marrë edhe vlerësime nga "të mëdhenjtë" për "forcën" e bindjes së tyre tek njerëzit që të votojnë partinë agjentë të të cilës janë. "Bindje" që në fakt kanë qenë presione dhe madje dhunë verbale e psikologjike mbi njerëzit në qindra e më shumë raste. Madje edhe duke i kërcënuar me humbjen e vendit të punës në administratën shtetërore. Ose edhe "çokollata" në formën e parave kesh nën dorë për të fituar votën. Në prani ose jo të çunave problematikë, të fortëve të lagjes, të fshatit apo të ish-komunës. Të përdorur rëndom nga të tria partitë tona kryesore. Kjo është ana e errët e "hënës" sonë zgjedhore. Të cilën e dimë të gjithë, por që gazeta gjermane na e ofroi me zë dhe shkrim.

The post Çunat problematikë appeared first on Telegrafi.

Luftë dhe paqe e llojit Trump

Posted: 23 Jun 2019 01:38 PM PDT

Peter Philipp

Pas rrëzimit të një droni amerikan në mbrëmjen e së enjtes, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, shkroi në Twitter mesazhin se Irani kishte kryer një “gabim shumë serioz”. Diçka tjetër, ai nuk kishte nevojë të thoshte: barometrat politikë të Lindjes së Mesme filluan të godasin me ashpërsi, njësoj si kurba e çmimit të naftës. Por, askush nuk dukej i gatshëm të fliste për rrezikun e rritur të një lufte midis SHBA dhe Iranit. Aq më tepër kur të dyja palët po debatonin ende nëse avioni i zbulimit pa pilot kishte qenë në hapësirën ajrore iraniane apo jo.

Por, Trumpi e pati seriozisht edhe pse mënyra e veprimit e tij, më pas solli më shumë mister se qartësi: vetëm pak orë pas rrëzimit të dronës, presidenti i SHBA nisi përgatitjet për një sulm ndaj Iranit: avionë amerikanë do të bombardonin radarë iranianë dhe vendndodhje raketash – të premten, gjoja për ta kufizuar numrin e viktimave civile në ditën myslimane të pushimit.

Në të njëjtën kohë ai kërkoi nga Omani që të ndërhyjë për ndërmjetësim. Kështu Sulltanati i përcolli Iranit një paralajmërim amerikan se po afrohej një sulm dhe përbetimin se ai nuk ishte i interesuar për një konflikt të armatosur, por shumë më tepër për negociata me udhëheqjen iraniane. Një miratim nga Irani do të parandalonte sulmin e planifikuar ajror, nënkuptohej në mesazhin e dërguar nga Uashingtoni. Por në Teheran e ruajtën qetësinë dhe u përpoqën të fitonin kohë: u tha se “Lideri suprem” Ali Khamenei, i kishte refuzuar tashmë negociatat me Uashingtonin, por mesazhi atij do t’i përcillej.

Trumpi e futi veten në një situatë të vështirë: avionët luftarakë të SHBA ndodheshin tashmë në ajër në rajonin e Gjirit Persik dhe marina në Oqeanin Indian në alarm. Përveç kësaj, kërcënimi për një sulm amerikan ishte në kundërshtim të qartë me pretendimin e Trumpit se ai donte “vetëm negociata”. Vetë presidenti ndoshta nuk do ta kishte gjetur rrugëdalje, por ai duhet të ketë ndjerë se “këshilltarët” e zakonshëm si John Bolton dhe Mike Pompeo nuk e ndihmojnë vërtet. Këtë e bëjnë ama ata ushtarakë – të mbetur anonimë, të cilët thuhet, se kanë këmbëngulur te ai që në krizën e tanishme, të mos veprojë në mënyrën e tij të zakonshme: një konflikt ushtarak nuk mund ta aktivizosh me dekrete, në situata të tilla kërkohet një konsensus i gjerë politik. Por për miratimin e shumicës, – Trumpi duhet ta ketë ndjerë – ai ndërkohë nuk mund të jetë i sigurt as në radhët e tij.

Kjo duhet ta ketë shqetësuar atë më shumë, kur sapo njoftoi këtë javë zyrtarisht se është në dispozicion për rizgjedhje. Një konfrontim ushtarak me Iranin do të ishte e kundërta e asaj që kishte premtuar Trumpi para zgjedhjes: ai donte t’i sillte në shtëpi nga Lindja e Mesme trupat amerikane. Kurse tani ai i përforcon ato në atë zonë krizash dhe ndoshta i dërgon në një luftë me pasoja të paparashikueshme për të gjithë.

Edhe nëse punët nuk do të shkonin kaq larg, ka mbetur pak nga ajo që Trump e shpalli me të madhe për rajonin: për shembull, “plani i shekullit” i një paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve. Ajo deri tani nuk është publikuar dhe ndoshta nuk do të publikohet kurrë, por deri tani dihet mjaft sa të shqetësojë palët kryesore: mbështetja e pakufizuar e Trumpit për Izraelin, sidomos distancimi nga zgjidhja me dy shtete, i largon palestinezët nga çdo iniciativë e SHBA: në një konferencë të planifikuar në Bahrein të martën e ardhshme ata as nuk do të shkojnë. Por as Izraeli nuk do të përfaqësohet zyrtarisht atje, dhe shtetet e tjera në rajon do të përfaqësohen në nivele të ulëta. Kjo vërtet nuk është një konferencë paqeje, por edhe normalizimi duket ndryshe. Aq më tepër një plan i shekullit.

The post Luftë dhe paqe e llojit Trump appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more