Skip to main content

“Ruçi në Holandë: Rezoluta për vizat nuk do të zbatohet” plus 9 more - Gazeta Dita

“Ruçi në Holandë: Rezoluta për vizat nuk do të zbatohet” plus 9 more - Gazeta Dita


Ruçi në Holandë: Rezoluta për vizat nuk do të zbatohet

Posted: 22 May 2019 01:44 AM PDT

Në një prononcim për mediat në Holandë, ku ndodhet për një vizitw zyrtare, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se paraqitën për zyrtarët holandezë, arritjet e Shqipërisë në kuadër të pesë prioriteteve.

"Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të objektivit strategjik për hapjen e negociatave ka muaj qw ka nisur tur vizitash në vende të shumta e të rëndësishme të BE, në Gjermani, Itali sot në Hollandë. Kemi pasur takime në Francw, vende të Ballkanit, anëtare të BE. Do kemi takime në Çeki.

Sot jemi në Hollandë, ku paraqitem në Parlamentin holandez arritjet e Shqipërisë në kuadër të pesë prioriteteve. Nga kontaktet ne fitojmë duke sqaruar mbi skepticizmin apo paqartësitë mbi arritjet tona.

Pavarësisht nga jehona mediatike për skepticizmin e Holandës gjetëm mirëkuptim të plotë. Ata deklaruan se po presin përfundimin e zgjedhjeve europiane, rekomandimin e KE dhe nw fund do shprehen lidhur me vendimin e Hollandës për negociatat”, tha Ruçi

Sa i takon rezolutës së zbatuar në parlamentin holandez, në të cilën kërkon rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë, kryeparlamentari Ruçi tha se nga biseda me një prej deputetëve holandezë, kjo rezolutë nuk do të zbatohet.

"Sa i takon rezolutës së parlamentit holandez për vizat, një nga deputetët hollandez që votoi rezolutën, tha se nuk do zbatohet”, u shpreh Ruçi.

o.j/dita

Studentët sot në protestë, 14 kërkesa për ministren

Posted: 22 May 2019 01:40 AM PDT

Studentët rikthehen në protestë në mesditë.

Këshillat studentore kanë njoftuar organizimin e një tubimi kombëtar para Ministrisë së Arsimit. Në listën e kërkesave të rinjtë kanë renditur 14 pika, një pjesë prej tyre të paplotësuara nga protesta e parë. Gjithashtu ata kanë shtuar edhe kërkesa të reja.

Ndër pikat më të rëndësishme të listës së kërkesave është ulja me 50% të tarifës së Masterit, heqja e tarifave shtesë për provimet e prapambetura, kriteri i gjuhës së huaj të ruhet por të jepet si provim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja me tarifë të përballueshme prej tyre.

Ata kërkojnë gjithashtu investime urgjente në laboratorë e kabinete, rritjen e peshës së votës studentore në 25%, por edhe rritjen e pagës për pedagogët.

Pas protestës së fundvitit, qeveria reagoi duke ndërtuar paktin për universitetin, megjithatë duket se ky pakt nuk i ka kënaqur studentët.

o.j/dita

Fuqia e dashurisë….(Këngë vajze)

Posted: 22 May 2019 01:32 AM PDT

Ti i mbyllur je në tela,
tela e mure të rënda,
po as zemra-po as shpirti,
jo-mor-jo nuk mbyllen brenda.

Kur një zog vjen në dritare,
plot me këngë e cicërime,
nuk ke pse habitesh fare,
s’është zog-po zemra ime.

Kur zemra rreh si kambana,
kur “Të dua” zemra thotë,
kur përjashta të pret zana,
me pranga nuk lidhesh dot.

Cili është sekreti i zemrës,
që mesazhe jete çon?
Është veç fuqi e ëndrrës,
që si drita fluturon.

Ajo ëndërr-ajo shpresë,
që sytë t’i mbush me vesë,
veç ato-në të vërtetë,
të mbajnë gjallë në jetë.

Treten tela-shemben mure,
shemben muret dhe qelia,
kur të pret një vajzë nure,
kur të thërret dashuria.

Shpirt’ i bardhë i vajzës sate,
erdhi në qeli-të gjeti,
ndaj ajo qeli e vogël,
u bë sa një shtëpi mbreti.

Syt’ e tu të pikëlluar,
kanë dhe vend për dashuri,
ndaj gjithnjë të kam menduar,
njëlloj si unë je Njeri.

Qofsh i lirë-si një zog vere,
apo mbyllur me një hekur,
po nuk pate dashurinë,
frymë merr-po je i vdekur.

Kjo fuqi e dashurisë,
i shemb muret e qelisë…

10.10.2008

Zarife Hasanaj, Klodian Tanushi, policët e shtetit dhe Sait Dollapi i PD-së

Posted: 22 May 2019 01:30 AM PDT

Safet Ramolli

Që në fillim u kërkoj ndjesë familjarëve të dy "Dëshmorëve të Atdheut", të cilët po i bëj objekt të këtij shkrimi. Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi, ashtu si dhjetra e qindra të tjerë shqiptarë, tashmë meritueshëm kanë zënë vend në Krenarinë e Kombit, në elitën që i bën nder popullit shqiptar kudo ku ai jeton. Kjo për arsyen e thjeshtë, se vunë jetën e tyre të re në altarin e shenjtë të nderit dhe dinjitetit të kombit, duke përmbushur me vullnet të plotë një detyrë të lartë, në përbërje të një force shumëkombëshe jashtë territorit shqiptar, për një jetë më të sigurtë të popullit letonez.

Qeveria dhe populli shqiptar, populli letonez, NATO, miqtë tanë strategjikë, SHBA e të tjerë, në respekt dhe mirënjohje të veprës së tyre, bënë gjithçka për të ndarë dhembjen me familjarët e tyre, dhe për t'i përcjellë në banesën e përjetëshme si heronj, çka ata e meritonin plotësisht. Familjet e tyre, gjithashtu meritojnë mbështetje të plotë, para së gjithash shpirtërore e morale, për të kapërcyer gjendjen e stresuar psikologjike aktuale, por edhe financiare e materiale për të vijuar jetën sa më normalisht.

Zarifja e Klodiani, si edhe mijëra të tjerë para tyre, kanë patur mençurinë dhe guximin e duhur, që të zgjedhin profesionin e ushtarakut për t'i shërbyer vendit dhe popullit të tyre. Ata ishin të bindur se, do të përballeshin me shumë vështirësi, krahasuar me profesionet e tjera, se lypsej të bënin mjaft sakrifica, por edhe të privoheshin nga mjaft liri, të drejta personale dhe detyrime familjare e shoqërore. E megjithatë vendosën të bëheshin ushtarakë, me mendimin e qartë dhe vullnetin e plotë, se kështu i shërbenin drejtpërsëdrejti vendit të tyre në një nevojë prioritare dhe domosdoshmërisht të qenësishme komunitare.

Nga çka u tha prej folësve, por edhe atyre që transmetonin shumë-shumë në heshtje, përgjatë ceremonisë së ndarjes me ata, unë dhe shumëkush, apo gjithkush, mësuam se Zarifeja dhe Klodiani, i kishin përmbushur të gjitha detyrat me përpikëri, me përkushtim dhe me profesionalizëm. Kaqë kërkohet prej ushtarakut, dhe asgjë më shumë, por, fatkeqësisht, ata dhanë të përtejshmen në përmbushjen e detyrës: humbën fatalisht dhe pa kthim jetën e tyre fare të re, por edhe lanë pas përjetësisht një mal ngarkuar me brengë, mall dhe halle për shpirtin e tyre, e sidomos për familjarët, miqtë, të afërmit dhe bashkëshokët e tyre. Personalisht dëshiroj, që shpirti i tyre të prehet në paqe e qetësi të përjetëshme, si ëngjëj të pafaj që ishin, ndërsa familjarëve, dikush dhe gjithkush, t'u falë forcë e kurajo, për të kapërcyer këtë humbje të rëndë.

Jo gjithkush mund të shërbejë, sidomos me sukses, në ushtri, ku gjithçka fillon, vijon dhe mbaron në kushtet e gjithçkaje të militarizuar, prandaj edhe në të shkuarën gati gjysmëshekullore, por edhe në këto dy dekada të shek. XXI, elita shtetare dhe intelektuale nuk i ka integruar fëmijët e saj në këtë ndarje specifike dhe të vështirë të punës, ku përveç sakrificave dhe privimeve të shumta, në situata të veçanta rrezikohet edhe jeta. Por Zarifja, Klodiani dhe shokët e shoqet e tyre, e pranuan dhe e pranojnë vullnetarisht këtë profesion të vështirë, dhe po me ndërgjegje, përgjegjshmëri, vullnet, profesionalizëm e dinjitet, i kanë përmbushur dhe i plotësojnë detyrat e tyre. Prandaj, përpos të tjerash, ushtarakët meritojnë nga komuniteti respekt dhe mirënjohje për sakrificat që bëjnë dhe privacionet që përjetojnë, por edhe përkujdesje të plotë nga shteti dhe institucionet e tij.

Ashtu si "Dëshmorët e Atdheut" më të fundit, Zarife Hasanaj e Klodian Tanushi, por dhe gjithë bashkëshokët e tyre, edhe policët e shtetit, kryejnë aktivitetin jetësor në një ndarje shoqërore të punës mjaft të vështirë, e cila kërkon prej tyre jo vetëm sakrifica të shumta, por edhe privimin nga mjaft të drejta dhe liri personale e shoqërore. Për ushtarakët, pra edhe për policët, atdheu është i shenjtë, populli i shtrenjtë dhe detyra mbi gjithçka. Në këtë kuptim dhe këndvështrim, për ushtarakun përbën tradhti ndaj betimit të bërë, fjalës së dhënë dhe përmbushjes së detyrës juridike kombëtare, që të braktisë detyrën, të heqë kapelen dhe të bashkohet me turmën protestuese, sikurse i bëhen shpesh herë thirrje nga drejtuesit e protestave të opozitës. Për ushtarakun është më e pranueshme të sakrifikojë diçka nga shëndeti i tij, duke pranuar të lëndohet qoftë edhe fizikisht nga goditje fizike, por asesi, të fyhet dhe denigrohet duke i bërë thirrje të natyrës: "Policia është me ne", "Bashkohuni me ne!" "Hiqni kapelet!", apo t'i dhurohen lule, t'i cënohet uniforma, e cila për ushtarakun është e shenjtë sepse është kombëtare etj. Nëse sot në opozitë, synojmë të demobilizojmë policinë në përmbushjen e detyrave ligjore, nuk i shërbejmë as të ardhmes nesër në pozitë, sepse policia, ka për detyrë ligjore të përmbushë me dinjitet dhe profesionalizëm detyrat në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe garantimit të qetësisë në çdo kohë, pavarësisht rrotacioneve të pushtetit përmes votës së sovranit. Nuk kam parë apo dëgjuar deri tashmë, që ushtarakët t'i fyejnë politikanët duke u kërkuar dorëheqjen nga funksionet politike, sepse ata e dinë që, edhe politika është profesion, është një nëndarje shoqërore e punës. Unë jam krejtësisht i bindur se, nëse në rreshtin e policëve në krye të detyrës, do të ishin fëmijët e politikanëve Berisha, Kryemadhi, Mediu, Shehi, Ndoka, N. Malaj, Dollapi, Noka, e të tjerë, apo vëllezërit a motrat e politikanëve më të rinj Bardhi, Balliu, Ibrahimllari, Mehmetaj, Kërpaçi, Salianji, Këlliçi etj. asnjë polic nuk do të keqtrajtohej, të fyhej apo të lëndohej. Dinjiteti i çdo polici është i barazvlershëm me dinjitetin e çdo politikani, prandaj është domodoshmëri dhe detyrim që ai të respektohet. Në emisionin "Kjo javë" dt. 18 maj 2019, sekretari i përgjithshëm i PD-së z, Gazmend Bardhi, pohoi me zë të plotë se në spital nuk ishte për trajtim mjekësor asnjë polic, ndërkohë që sekretari për çështjet organizative z. Sahid Dollapi, e kishte "gjëndjen shëndetsore të vështirë" dhe "polici që e keqtrajtoi duhej të ishte në burg" dhe që "do të japë llogari në të ardhmen". Jam ndjerë i keqardhur, pasi në ekrane televizive kam parë policë të lënduar nga bombat molotov apo nga gositjet me mjete të forta.

Meqë jemi në çështjen "Dollapi", pak fjalë për këtë problem. Absolutisht nuk pajtohem me ushtrimin e dhunës ndaj z. Dollapi në momentin që ishte rrëzuar në tokë. Por nuk pajtohem me sjelljet dhe veprimin e z. Dollapi, kur ai pohon se gjatë protestës mbrojti nga dhuna policinë, u largua me vrap nga policia instiktivisht, ndërsa në momentin kur u godit u kthye se do të ndihmonte një gazetare të lënduar nga gazi lotsjellës, dhe se kishte hedhur vetëm një shishe uji mbi policinë. Z. Dollapi dhe askush tjetër nga organizatorët dhe drejtuesit e protestës, nuk kanë mision as funksion, të mbrojnë policinë nga dhuna, por të mos ushqejnë dhe nxisin dhunën me thirrje frenetike, mandej të frenojnë protestuesit dhunues dhe, të bashkëpunojnë me organet përkatëse për ndëshkimin e fajtorëve. Zoti Dollapi, duhet të kishte burrërinë e krahinës nga vjen, dhe kurajon e një drejtuesi të lartë partie, që të mos largohej me vrap nga vendi i ngjarjes instiktivisht, sepse njeriu nuk mund të jetë rob i instikteve, por të qëndronte dhe të jepte shpjegime për rolin e tij në protestë, ashtu si duhej të ruante gjakftohtësinë e të mos godiste me shishe uji mbi policët e popullit. Kur ka qenë në detyra administrative me rëndësi, ai ka dhënë shembuj "vendosmërie dhe burrërie", siç ishte rasti i vetëcaktimit të pagës 6 milion lekë të vjetra kur u emërua drejtor i ÇEZ-it, apo kur faturonte qytetarët pa iu dridhur dora me afrofe dyfishe për konsumin e ujit, kur ishte drejtor i UKT-së. Nga ana tjetër, personalisht nuk e besoj se është goditur nga policia me plumba plastikë, sepse dihet që edhe ky municion përdoret nga armët, dhe me sa kemi parë nga ekranet e televizioneve, polcia nuk ka patur në dispozicion dhe as ka përdorur armë. Nëse do të ishte i faktuar pretendimi i z. Dollapi, dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe të japë llogari.

Unë shpresoj, që drejtuesit e protestave, të jenë më të kursyer në të ardhmen në përdorimin e thirrjeve që nxisin dhunën, të jenë më të gatshëm për të frenuar elementët me prirje të dhunshme, si dhe të jenë më të gatshëm të denoncojnë dhe dënojnë dhunën dhe dhunuesit.

Masat si do zhvillohen provimet e Maturës 2019

Posted: 22 May 2019 01:26 AM PDT

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e provimeve të Maturës Shtetërore 2019, autoritetet e arsimit kanë vlerësuar edhe masat që do të zbatohen nga institucionet përgjegjëse në organizimin dhe mbarëvajtjen e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje.

Dy ditë më parë, ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini ka miratuar udhëzimin me masat e zhvillimit të provimeve të maturës. Në udhëzim përcaktohet koha se kur do të ngujohen ekspertët e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje për hartimin e testit final të secilit provim.

Gjithashtu, është vendosur që korrigjimi i testeve për këtë vit të bëhet në tre qendra, 2 prej të cilave do jenë në kryeqytet, si dhe një tjetër në Elbasan. Transportimi i testeve në ambientet e korrigjimeve do të shoqërohet nga forcat e policisë, të cilat do të ruajnë edhe qendrat e vlerësimit deri në përfundim të korrigjimit të të gjitha testeve.

Hartimi i testeve finale

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve për secilën lëndë do të bëhet nëpërmjet teknologjisë digjitale. Ekspertët kanë hartuar tashmë fondin me qindra pyetje për secilin provim, nga ku teknologjia digjitale do të selektojë edhe pyetjet për testin final që do të plotësojnë maturantët.

Sipas përcaktimeve të detajuara në udhëzim, periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit për provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të zhvillohen në këto data: në datat 1 deri në 7 qershor do të ngujohen ekspertët për hartimin e tezes së gjuhës së huaj, në datat 7 qershor deri në 12 qershor do ngujohen në ambientet e QSHA hartuesit e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, në datat 12-17 qershor do të ngujohen ekspertët që do të hartojnë testet finale të matematikës, si dhe në javën pasuese do të ngujohen ekspertët e provimit me zgjedhje.

Qendrat e korrigjimit

Pas zhvillimit të çdo provimi testet do të dërgohen nga shërbimi postar nën masa të rrepta sigurie drejt Shkollës "1 Maji", Gjimnazit "Ismail Qemali", të cilat do të shërbejnë edhe si qendrat ku do të bëhet vlerësimi i testeve. Ndërsa qendra e tretë e vlerësimit do të jetë në Elbasan në godinën e shkollës "Vasil Kamami".

Ambientet e këtyre shkollave do të ruhen nga forcat e policisë ndërmjet datave 8 qershor deri në 2 korrik, kohë në të cilën parashikohet të ketë përfunduar edhe procesi i vlerësimit të testeve të lëndës me zgjedhje. Në çdo mjedis provimi do të instalohen pajisjet e bllokimit të zhurmave të mjeteve të komunikimit. Çdo maturant do të kontrollohet në mënyrë të rreptë para se të hyjë në ambientin që i është përcaktuar për zhvillimin e provimit.

Datat e provimeve

Provimet e maturës së këtij viti nisin në datën 7 qershor me testimin e parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.

Provimet e detyruara do të vijojnë më tej me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë përkatësisht në datën 12 qershor, për të përfunduar në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës. Ndërsa prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët është provimi me zgjedhje i cili do të zhvillohet në datën 24 qershor.

Edhe për provimet e 2019-s, të qenë kalues, si në provimet e detyruara, ashtu edhe në atë me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara, duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.

Rregullat e zhvillimit të provimeve

Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do ë kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.

Përjashtimi nga provimet

Sipas rregullores së miratuar më herët nga MASR, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara përjashtohet nga provimi kur konstatohet se:

"Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit". Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

Tri ditë në Vlorë…

Posted: 22 May 2019 12:56 AM PDT

Nga Bedri Islami

 Hoteli "Bolonja", i gjithi mbi bregun e detit, afër Portit të vjetër, është parathënia e asaj që mund të të afrojë i gjithë qyteti i Vlorës. Nga dritaret e mëdha sheh dallgët që rrokullisen dhe stërkalat rrahin mbi molin e vjetër; pastaj, duke qenë nën një shi të dendur të duket sikur dy dete, njëri nga lart e tjetri në vendin e tij të përjetshëm, bëhen bashkë dhe ngrohtësia e pazakontë e gjithçkaje që të rrethon, kujdesi për mysafirët, fjala e qetë dhe hapja e një guide të madhe për gjithçka që ka të bëjë me Vlorën, personeli që të afron mikpritje, në sportel mund të të flasin në disa gjuhë të huaja, komforti i dhomave dhe qetësia të josh për rikthim.

Është e dyta herë që jam bujtës në këtë hotel. Fillimisht në janar dhe tani , në mesin e muajit maj. Çuditërisht, në ditët e janarit shëtisja nëpër një diell që shndriste, por nuk të ngrohte, ndërsa tani diellin e shoh vetëm në ditën e parë të ardhjes…dhe pastaj, shiu me litarët e tij duket sikur e bën gjithçka më të bezdisshme, më të lodhshme, por në fakt nuk ndodh kështu. Atë që përpiqet ta prishë shiu, në fakt e ndreqin njerëzit.

*****

Vlorën e kam dashur gjithnjë, që nga takimi i parë me të, shumë vite të shkuara. E kam dashur për gjithçka që ka të bëjë me historinë e saj, me trevën e mrekullueshme në përthyerjen e saj, ku janë bërë bashkë deti dhe mali, valëzimi i kodrave që duken si një det i gjelbër, dikur mbushur me agrume që kundërmonin, tani plot me ullinj, për këngën labe që edhe një verior si unë e mrekullon kur është i pranishëm, në fund të fundit e kam dashur edhe për atë ndjenjën e veçantë që e vendos veten në qendër të gjithçkaje me një ndjenjë të admirueshme të dinjitetit vetjak. I kam dashur edhe viset e saj, Tërbaçin, tragjasin, Dukatin, Drashovicën, kam qenë dikur në Llakatund tek një mik i vjetër, poeti Dionis Qirinxidhi, për Kaninën mbi të gjitha, e cila, duke i qëndruar me kalanë e saj mbi lartësitë e qytetit, duke si njëri ndër karakollet e shumta të saj.

Kam udhëtuar me një mik të veçantë, ndër më të respektuarit, vlonjat njëqind karatësh, i cili , mes të tjerave më ka dhënë edhe një mësim të vyer, të cilin, edhe pse e kam ditur, rrahë herë e kam prekur kaq afër. Bujar Leskaj, jo rastësisht, është njeriu të cilit i ngrihen në këmbë të djathtët e politikës dhe i shtrëngojnë dorën të majtët e saj. Ka mjaft raste që kemi mendësi të ndryshme, por ai më beson kur unë i them se do të kisha dashur një opozitë të fortë, më shumë mentare se sa të rrugës, dhe unë i besoj atij kur më thotë se e përbashkëta e njerëzve, edhe në luftë, mund të jetë kombi. Njeri i lexuar, më shumë historian se shefi i kontrollit të shtetit, i pandryshuar në bindjet e tij të djathta, ai gëzon edhe respektin e atyre që besojnë tek e majta dhe që në Vlorë janë të shumtë.

E shtuna hapet me një ngjarje të veçantë. Sapo është botuar libri "Numri 7, Vasil Ruci", për futbollistin e shquar. Në njërin nga mjediset e bukura buzë detit është organizuar aktiviteti për të. Shumë, shumë njerëz, të ardhur nga gjithë vendi. Njoh mes tyre futbollistët e shquar Hysen Zmijani dhe Fatbardh Jera nga Shkodra, më tej vëllezërit Ballgjini të Durrësit, Kushta, që ngriti në këmbë tërë Kosovën me golin në Beograd, pastaj një figurë e shquar, Perlat Musta, figurën e të cilit, edhe kur nuk shkoja më në stadium e ndiqja me kureshtje të madhe, shumë të tjerë.

Një ditë e mrekullueshme, jo vetëm nga folësit e shumtë, por nga ajo ndjenja miqësore që të afronte, miqësi të vjetra që ringriheshin, kureshtje që nuk shuheshin, një përmbledhje filmike me ditët e shënuara të Ruçit dhe të Flamurtarit.

Më dhurojnë librin, një fanellë me numrin 7 dhe një shishe verë , ku është emri i Vasil Rucit. Libri është interesant, fanella më bie e vogël, verën më duhet ta provoj në një ditë tjetër.

****

E diela sjell shiun. Një diell i mbyllur në të gjithë horizontet dhe fillimisht një det i qetë, ku valzat duken sikur janë në verën e tyre.

Drejtuesi i TV Vlora, Berti, më sjell një nga gazetarët e tij, djalë i ri, beratas me origjinë , por i vlonjakëzuar dhe e besoj se është i një kohe tjetër kur më thotë se nuk e ka dëgjuar kurrë emrin e nartiotes së famshme të kohës sonë, Kleopatra Skarco –Dokle.

Synimi im i parë është kalaja e Kaninës. Rri varur mbi qytet apo qyteti është varur tek historia e saj, këtë askush nuk e di. Ndoshta të dyja.

Rruga është rregulluar deri në afërsi të portës së saj. Lëndina e shtrirë para mureve është e gjelbër dhe, si duket, pret pushuesit e parë. Muret janë ngrënë nga koha , megjithatë gjithçka është e ruajtur në memorie, por edhe dëshmitë janë të shumta.

Gaboj dhe i them gazetarit të ri se këtë vend e dua pasi që këndej u nisën të parët e Vlorajve për të bërë shtetin. Pastaj kujtohem se para tyre, ndoshta paraardhësit e Vlorajve, ishin Golemët dhe më bie ndër mend një këngë e vjetër, që e kam lexuar së pari në një tregim të hershëm të Shuteriqit…"Ky sulltani qan me lot, kam edhe një Skënder në Sopot…", më tej një dy vargësh tjetër epik, kësaj here nga gratë kaniniote, të rrethuara..që hidhen nga shkëmbinjtë.." a do të vdesim, a do rrojmë, Gjoergj Golemin s'e turpërojmë..".

Në kalanë e Kaninës historinë e prek me duar, e shkërmoq mes gishtërinjve dhe ndjehesh i lumtur që je këtu, nga maja e së cilës të shfaqet deti si një pasqyrë e madhe dhe rrokullima e ulinjve të duket si shkallare drejt tij.

Ciceroni i kalasë, sapo i thonë diçka për Kosovën dhe lidhjet e mi me këtë pjesë kaq të ngjashme me Labërinë, duke hequr detin, megjithëse Kosova ka "detin" e Rrafshit të Dukagjinit, ai më tregon se vizitorët e shumtë vijnë nga Kosova. Dhe të gjithë bëjnë foto në murin rrethues, në majë të së cilit ngrihet flamuri. Bëj edhe unë. Fundja , një pjesë e jetës sime, ndoshta më e bukura, është e lidhur me Kosovën.

Shiu fillon të bjerë. Fillimisht paralajmërues, por mendojmë se është një shenjë e rreme dhe bëjmë të qëndrojmë edhe pak. Si duket, koha jonë në kala kishte mbaruar dhe fillon rrebeshi.

Të ikësh nga kalaja në një ditë shiu, do të thotë të ikësh me kokën pas. Era është e furishme dhe shiu të godet kudo.

****

Zvërneci është rrugëtimi i i dytë i së dielës. E kisha parë qytetin nga autostrada drejt Vlorës dhe shtëpitë dukeshin si të ngritura nga deti, ose, më saktë, ashtu të bardha, së stërkala të ngrira. Ishte një mrekulli varur mbi det.

Zvërneci është i famshëm për manastirin e tij, disa shekullor më thotë gazetari që më shoqëron. I vendosur në një ishull, aty ku laguna ndahet nga deti, manastiri të josh për ta parë.

M'u desh të shkoja dy herë për ta parë. " hej dreq, i thashë vetes, duke parë shiun e furtunshëm në udhëtimin e parë që nuk të linte të nxirrje as kokën. Më bën rezistencë një manastir ortodoks nga që emri im është shumë mysliman,megjithëse në thelb jam një ateist që falem për njerëzit që dua.

Në udhëtimin e dytë kam një fat të dyfishtë. E bëj me miqtë e mi të vjetër poetë,Petrit Ruka dhe Arben Bllaci, dy nga lirikët më të shquar të kohës. Sa herë që jam matur të shkruaj për poezitë e Rukës, sidomos baladat e tij, me vinte ndër mend njohja jonë studentore në qytetin e Shkodrës, më sillej pranë ai djali harrakat me zë kumbues, simpatik, flokë derdhur që vraponte udhëve të qytetit të vjetër. Arben Bllaci është ndër poetët e dëgjuar të derës Bllaci, ku më i shquari prej tyre, Jorgo Bllaci , me poezinë e tij një monument i ka ngritur vetes. Së bashku me ne është edhe poeti Myrteza Nura. Vlonjat. Nuk e kam njohur më parë, kemi dëgjuar për njëri tjetrin dhe kisha lexuar poezi të tij.

Shiu ka heshtur një çast dhe ne nisemi të kalojmë urën drejt Zvërnecit. Ura e drunjtë , gjarpërushe, thonë se është punë e qeverisë Rama. Është urë e qëndrueshme, ishulli ku ndodhet manastiri është disi larg, por gjithçka është e bukur.

Manastiri të josh me bukurinë dhe lashtësinë e tij. Pikturat , si duket , janë të reja, ungjillore dhe Bllaci shpejton të bëjë fotot e para. Guvat e manastirit të bëjnë të mendosh për lashtësinë dhe si kanë kaluar shekuj në këtë vend breza të tërë murgjish.

Është pjesë historie. Pjesë besimi.

Gjithmonë kam menduar se më të lumtur janë ata që besojnë , se sa ata që nuk besojnë.

Narta e njohur për verën e saj, e gjithë nën një rrugë pishash të vjetra, disa nga të cilat janë anuar, buzë detit, a bën vend si mysafirët e saj. Nëse kërkon të shijosh verën nartiote dhe peshkun e detit, ndalu aty, buzë rrugës, në një restorant që është tepër i zakonshëm në pamje, por që, të afron tradicionalet e zonës dhe, pastaj, si nga një rikthim të kohës, skarën e prushtë.

Mbrëmja e së dielës ka një veçori tjetër. Ecja rrugës kur befas një vargan i gjatë kërcimtarësh dhe këngëtarësh, nën tinguj muzike e mbushin atë. Gjithë veshjet karakteristike të zonës dhe shumë përtej saj janë shfaqur në rrugët e Vlorës. Është disa e Festivalit Ndërkombëtar popullor, një traditë e shkëlqyer e Vlorës, që e organizon çdo vit një punëtor i madh i kulturës, Sejmen Gjokoli. Kanë ardhur këtë vit që nga Shtetet e Bashkuara, Bullgaria, rumunët me veshjet e tyre të ngjeshura karakteristike, nga disa vende , të cilat, në mbrëmje , mbushin gjithë hapësirën buzë detit me këngët e vallet e tyre.

***

E hëna nis me një veçanti. Ka ardhur të më takojë një peshkatar i vjetër, peshkatar Mistoja. Emrin e ka ndryshe, por kështu e njohin të gjithë. Më kishte telefonuar një ditë përpara, por në hotel "Bolonja", në mbrëmjen e së dielës, befas, erdhën një grupim i madh turistësh austriakë dhe , mes tyre, një mik i imi i vjetër. Nuk mund të shkëputesha dhe i kërkova ndjesë peshkatarit Misto.

Mistoja është një detar i kohës së dikurshme, i qetë përgjithësisht, mikpritës i shkëlqyer me bisedën që të bën, me vendet që  të afron për të parë, me historitë që tregon. Në pamjen e parë tek ai nuk të bën asgjë përshtypje, por, sapo fillon e njihesh me të, sapo nis e dëgjon historitë e detit, në të gjithë kohërat ku ka qenë pjesë, e ndjen se pas tij fshihen shumë gjëra të jetës së shkuar. Kalojmë me të një drekë të shkëlqyer, disa nga prodhimet e detit nuk i njihja dhe për herë të parë i kisha para vetes. Vera e vjetër "Amarone", më shumë se 15 vjeçare, të duket se është pjesë e natyrshme e drekës. Nuk e di se si do të mund ta prisja unë Miston në një ditë të ardhshme.

Pasditja e së hënës është e miqve të mirë. Bardhosh Gaçe dhe poeti Hazizaj, drejtuesi i shoqatës "Petro Marko", të dy nga miqtë e mi të mirë, më ftojnë për një bisedë të gjatë dhe për të nesërmen që të rëkojmë së bashku. Koha është e pakët, miqtë janë të shumtë dhe mes tyre, një bisedë e gjatë me Petrit Brokaj dhe njerëzit e tij do të ishte nga përjetimet e bukura të mia në Vlorë. Profesor Brokaj është vëllai i mikut tonë të vjetër, Sabit Brokaj, ndër më të shquarit në kontributin e Luftës së Kosovës. Kujtojmë metingun e madh të organizuar nga profesor Sabiti dhe Shaban Sinani në qytetin e Vlorës, në ditët e Konferencës së Rambujesë, ku ishin pjesë edhe familjarët e Adem Jasharit.

****

E marta është dita e largimit. Më ftojnë të qëndroj edhe disa ditë të tjera, por, si zakonisht, pushimet janë të shkurtra. Edhe ky tri ditësh kalon kështu.

Në mëngjes herët takoj njërin ndër kushërinjtë e fisit të Nënës sime. Agim Gjylbegu, kandidat për deputet i Frymës së re Demokratike është njëri nga nipërit e Ismail bej Gjylbegut dhe i fisit Dine të Çamërisë. Ismail bej Gjylbegu ishte komandanti i xhandarmërisë së qarkut të Gjirokastrës në kohën e Zogut dhe mbështeti vëllezërit Toto në lëvizjen e tyre antizogiste. U gjykua dhe u dënua me varje. I thanë të kërkonte mëshirë, refuzoi. Familja e tij u vendos tek njerëzit e Gjyshes së Agimit.

****

Ikja

Nëse në Vlorë nuk ke qenë prej kohësh, çdo përfytyrim i yti do të bjerë poshtë. Vlora është, gjithnjë sipas mendimit tim qyteti më i bukur në Shqipëri. Shpesh herë ai më ngjan me qytetin e Nicës, sidomos në pjesën e asaj që quhet Lungomare, që në fakt duhej të ishte quajtur thjeshtë, Rruga e detit.

Një hapësirë e madhe të shfaqet para syve. Shtëpitë e vjetra nuk janë më, sheshet dhe rruga e detit kanë një pamje të pashoqe. Deti hapet si një kompas gjigant dhe pallatet e mëdha, ndërtuar bukur, me ngjyra që i përshtaten ngjyrës së detit, krijojnë një kompleks bukurie që të josh të shkosh përsëri.

Është mëngjes herët. Me peshkatarin Misto, tashmë miq të përbashkët, udhëtojmë drejt Ujit të Ftohtë dhe mbi një kodër vemi të pimë diçka. Ai, një kafe të fortë, unë, çaj mali. Pamja nën këmbët tona është e habitshme. Është vendi ku bashkohen ujërat e Adriatikut me të Jonit. Thellësia e madhe është e qartë si në një akuarium. Të jetosh këtu, është të të joshë jeta edhe përtej jetë-vdekjes.

Kthehemi për të ikur nga Vlora. Hapësira e madhe e detit të rri në sy. Të gjithë, edhe demokratë të thekur, ia dinë për të mirë qeverisë Rama dhe shefit të qeverisë për ndërtimin e Lungomares dhe hapjen e horizontit hapësinor.

Largimi është i keqardhur. Por, duhet. Tri ditë pushimi zakonisht janë vetëm tri ditë, por kësaj here ishin shumë më tepër.

Nuk më mbetet tjetër, vetëm të falënderoj të gjithë ata që më ftuan, me pritën dhe me afruan pjesë të qytetit të tyre.

Polonia kërkon kompensim nga Gjermania për humbjet në Luftën II Botërore

Posted: 22 May 2019 12:49 AM PDT

Ditën e djeshme deputeti polak, Arkadius Mularcik, deklaroi se nuk ka asnjë dokument që tregon se vendi i tij ka hequr dorë nga e drejta për të kërkuar kompensim nga Gjermania për humbjet e pësuara në Luftën e Dytë Botërore.

Nga ana tjetër Berlini insiston që Polonia ka hequr dorë nga këto të drejta në vitin 1953. Mularcik, megjithatë i tha AP se një gjë e tillë nuk është vërtetuar dhe se kompensimi do të përmirësonte marrëdhëniet dypalëshe me Berlinin.

"Polonia nuk u kompensua në mënyrë adekuate për humbjet njerëzore dhe materiale që pësoi gjatë pushtimit gjerman", tha ai.

o.j/dita

Në kërkim për trafik droge, kapet për ekstradim 44-vjeçari nga Berati

Posted: 22 May 2019 12:46 AM PDT

Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike dhe krijim të një organizate kriminale është kapur nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Beratit, në bashkëpunim me zyrën e "INTERPOL" Tiranës, me qëllim ekstradimin e tij drejt fqinjit të përtej Adriatikut.

Gazmir Polovina, i njohur ndryshe edhe si Gazmend Polovina apo Julian Bebri, kërkohej nga drejtësia italiane për dy veprat e mësipërme penale.

Ai rezulton të jetë dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Milanos në Itali, që në mars të vitit 2013.

Sipas akuzës, beratasi 44-vjeçar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe italianë, të organizuar si grup kriminal kanë qenë të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike të rënda, kryesisht heroinë dhe kokainë.

o.j/dita

 

Një stërvitje e Kosovës dhe këshilltarët jugosllavë në Tiranë e Prishtinë

Posted: 22 May 2019 12:23 AM PDT

Nga Shaban Murati

Herë pas here diplomacia e qetë perëndimore e ndjen nevojën të japë edhe sinjale ushtarake, sidomos në Ballkan, ku ka një shtet si Serbia, që jeton ende me megalomaninë e 20 viteve më parë. Ndaj paraqet interes kombëtar dhe rajonal fakti që një kontigjent i forcave të armatosura të Kosovës iu bashkangjit në datën 20 maj manovrave ushtarake të vendeve të NATO-s në Kroaci, të organizuara dhe të drejtuara nga komanda e ushtrisë amerikane në Europë, USEUCOM. Manovrat ushtarake të koduara "Immediate Response" zhvillohen në Kroaci, Slloveni dhe Hungari. Në datën 4 qershor deri 10 qershor do të zhvillohen manovrat e NATO-s të koduara "Astral Knight" në Kroaci, Slloveni dhe Itali. Në datën 26 maj deri në 28 qershor NATO do të zhvillojë manovra ushtarake në Bullgari dhe në Rumani.

Pjesëmarrja e forcave të armatosura të Kosovës në manovrat ushtarake të NATO-s në Kroaci e në Slloveni dhe ku marrin pjesë 10 shtete, duke përfshirë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, fiton një theks dhe rëndësi të veçantë për situatën, ku po kalon Ballkani dhe sidomos për konfuzionin rreth çështjes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrja e Kosovës në manovrat ushtarake të NATO-s përbën një vlerësim dhe konsideratë të veçantë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe për bashkëpunimin e tij të tanishëm dhe të ardhshëm atlantik.

Së pari, duhet theksuar se është hera e parë që forcat e armatosura të Kosovës marrin pjesë në një stërvitje shumëkombëshe të NATO-s pas vendimit të parlamentit të Kosovës dhjetorin e vitit të kaluar për transformimin e forcave të armatosura në ushtri dhe krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pjesëmarrja e tanishme në manovrat ushtarake atlantike lexohet qartazi si një miratim dhe mbështetje për të drejtën e shtetit të pavarur të Kosovës që të ketë ushtrinë e vet si çdo shtet tjetër i pavarur. Në këtë mënyrë NATO e konsideron Kosovën si shtet dhe ushtrinë e Kosovës si bashkëpunëtore të besuar të saj dhe e angazhon në manovra të rëndësishme ushtarake, që aleanca zhvillon në shtetet e Ballkanit. Kjo zhvleftëson zhurmat artificiale të Serbisë dhe të Rusisë kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës. Në këtë kuptim pjesëmarrja e Kosovës në manovrat ushtarake të NATO-s duhet parë si rikonfirmim nga NATO i sovranitetit dhe i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Pra NATO rikonfirmon njohjen dhe fton Kosovën si shtet në momentet, kur Serbia po rrit habitshëm intransigjencën për të mos e njohur Kosovën. Pavarësisht se katër shtete të NATO-s nuk e njohin Kosovën, fakti që forcat e armatosura të Kosovës ftohen të marrin pjesë në manovrat e përbashkëta me ushtritë e vendeve të NATO-s tregon një avancim të marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.

Së dyti, manovrat e reja ushtarake të NATO-s në Kroaci, në Slloveni dhe në Hungari, në të cilat merr pjesë edhe Kosova, janë një mesazh i qartë drejtuar Serbisë dhe udhëheqjes së saj të çoroditur filoruse. Në klimën e tensionuar dhe konfuze, që po shoqëron prej një viti mjediset diplomatike të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve, presidenti i Serbisë dhe ministri i tij fashist i mbrojtjes kanë dalë disa herë me kartën e kërcënimit të përdorimit të forcës në raportet e tyre me Kosovën. Pavarësisht se ata bëjnë blofin dhe kërkojnë të fitojnë kuota elektorale në qarqet ultranacionaliste dhe fetare serbe, NATO vlerëson se është e nevojshme t'i dërgohet një mesazh paralajmërimi Serbisë, duke ftuar Kosovën në manovrat ushtarake atlantike. Mesazh, që do të thotë se Kosova është shtet i pavarur, i cili gëzon mbrojtjen e pathyeshme të NATO-s. Ose siç nënvizonte para pak ditësh ish-zëdhënësi i mirënjohur i NATO-s në kohën e inkursioneve ajrore atlantike në Serbi 20 vjet me parë, Jamie Shea, "Kosova është një shtet i mbrojtur ndërkombëtarisht".

Së treti, mesazhi i pjesëmarrjes së forcave të armatosura të Kosovës në manovrat atlantike në Kroaci dhe në Slloveni është një kundërpërgjigje dhe paralajmërim ndaj garës së çmendur të armatimeve, ku e ka futur veten Serbia me nxitjen dhe me paratë e Rusisë. Parada ushtarake me stil operete, që organizoi presidenti Vuçiç në 10 maj në Nish dhe ku ushtria serbe parakaloi me avionët ushtarakë rusë "MIG 29", me helikopterët ushtarakë rusë "MI 35" dhe me tanket ruse "T 72", dhe ku në paradë morën pjesë forcat ajrore të Rusisë, ishte një demonstrim i lidhjes së ngushtë ushtarake të Beogradit me Moskën. Kërcënimi i forcës, që presidenti serb mendoi se tundi në Nish, vetëm dëshmoi orientimin rus të udhëheqjes serbe dhe dobësinë e pozitave ballkanike të saj. Manovrat e tanishme ushtarake shumëkombëshe të NATO-s në Ballkan e sfumuan në çast mburravecërinë tipike rurale të presidentit serb. Lidhur me këtë ballafaqim ngjarjesh, ish-shefi i shërbimit të fshehtë ushtarak të Serbisë, gjenerali Momir Stojanoviç, deklaroi në 18 maj lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në manovrat atlantike në Kroaci: "Unë mendoj që kjo është përgjigja e NATO-s, veçanërisht e SHBA, për paradën ushtarake të Nishit dhe për t'i treguar shqiptarëve të Kosovës se NATO është garante e sigurisë së tyre. Është demonstrim force ndaj Serbisë".

Së katërti, organizimi i këtij seriali manovrash ushtarake nga NATO në Ballkan dhe rreth tij, nën drejtimin e komandës së ushtrisë amerikane në Europë, përbën një provë të qartë dhe të rëndësishme të vazhdimit të angazimit të SHBA në Ballkan. Serbia dhe Rusia janë përpjekur të krijojnë konfuzion në arenën ndërkombëtare se gjoja ka tërheqje të SHBA dhe të NATO-s nga Ballkani. Është ëndrra e Serbisë dhe e Rusisë për të patur në Ballkan një vakum ndikimi, që duhet ta mbushë Moska, dhe ku Serbia të jetë kamzhiku ushtarak rus mbi shtetet ballkanike. Por seriali prej gjashtë manovrash ushtarake, që komanda e forcave të armatosura amerikane në Europë do të organizojë në periudhën maj-shtator 2019 në Ballkan dhe në disa zona rreth tij, tregon se SHBA janë të angazhuar fort në rajon dhe i japin një paralajmërim të qartë Rusisë për çdo ambicie apo plan për ndikim në Ballkan. Gjenerali amerikan John Healey, komandant i departamentit të stërvitjeve në komandën e forcave amerikane në Europë, deklaroi se manovrat e tanishme të NATO-s "po zhvillohen për të siguruar interesat kombëtare amerikane, për të frenuar agresionin rus dhe për të mbështetur një Europë të sigurt dhe stabël".

Në vizionin global të interesave amerikane Ballkani vazhdon të jetë në fokus. Që në vështrimin e parë bie në sy që qendra e këtyre manovrave ushtarake të vendeve të NATO-s, të drejtuara nga komanda amerikane në Europë, është Ballkani dhe zonat e detet rreth tij. Komandanti i ushtrisë amerikane në Europë, gjenerali Christopher Cavoli, duke folur për manovrat në Kroaci deklaroi: "Manovrat ‘Immediate Response’ janë kritike për të forcuar aleancën dhe për të shtuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe Detit të Zi". Në hartën e manovrave të tanishme lexohet lehtësisht se ato po zhvillohen në Kroaci, në Slloveni, në Bullgari, në Rumani, në Hungari. Pra janë që të gjitha shtete në kufi me Serbinë. Në manovrat ushtarake atlantike marrin pjesë forcat e armatosura të të gjitha shteteve, që kufizohen me Serbinë. Madje dhe Bosnjë-Hercegovina ishte ftuar, por për shkak të mosfunksionimit të presidencës trepalëshe dhe antiatlantizmit të njohur të të ashtuquajturës "Serpska Republika", kjo nuk u realizua. Edhe pa qenë ushtarak e kupton se kjo hartë manovrash ushtarake është një sinjal i fortë diplomatiko-ushtarak për të ftohur kokat e nxehta në Beograd që të mos cënojnë procesin e pakthyeshëm të integrimit euroatlantik të të gjithë Ballkanit. Me Kosovën pjesëmarrëse në manovrat e tanishme i bëhet e ditur Serbisë që nuk duhet të pengojë as procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Domethënia ushtarako-diplomatike e mesazhit të manovrave të NATO-s në Ballkan dhe pjesëmarrjes së Kosovës në to, shkaktoi një alarm të paparë në Serbi dhe në Rusi. Një fushatë e egër mediatike shpërtheu në të dy shtetet e mësipërme kundër pjesëmarrjes së Kosovës në manovrat atlantike. Portali rus "fort-russ.com" shkruante në 18 maj se "pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjet e NATO-s është pjesë e politikës armiqësore kundër Serbisë".

Strategjia e SHBA dhe e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkan është afatgjatë dhe largpamëse. Me të drejtë ajo e planifikon Kosovën herët a vonë si një shtet anëtar të NATO-s, si hallkë e fortë në zinxhirin e arkitekturës atlantike të sigurisë në Ballkan. Është kjo përmbajtje, që duhet ta bëjë Kosovën edhe më të fortë në raportet me Serbinë dhe në konfirmimin e shtetit të saj të pavarur, i cili po kontribuon bashkë me NATO-n në sigurinë dhe në stabilitetin e Ballkanit dhe të Europës.

Kështu duhet t'i lexojnë zhvillimet Prishtina dhe Tirana dhe të mos ngatërrojnë këmbët me tezat e errta diplomatike, që Serbia ua servir nëpërmjet këshilltarëve jugosllavë në të dy kryeqytetet shqiptare.

****

Botuar sot në Dita. Rubrikën e z.Murati mund ta lexoni një herë në javë në Dita print dhe online. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

“Ndryshimi mes pakicës me molotov dhe protestave idealiste të rinisë”

Posted: 22 May 2019 12:18 AM PDT

Këtë javë, Shqipëria mikpret për të tretin vit radhazi "Shtigjet Rinore" të Prezencës së OSBE-së, një takim vjetor i të rinjve nga i tërë rajoni, mbështetur nga qeveria e Sllovakisë si kryesuese e radhës e OSBE-së.

Së bashku, të rinjtë do të eksplorojnë kulturat dhe idetë e njëri-tjetrit dhe do të diskutojnë për përparësitë e brezit të tyre. Si gjithmonë, ne do t'i presim me fjalë të ngrohta dhe nxitëse. Por, në fakt, unë mund t'u them atyre fare pak. Ata i njohin shqetësimet dhe sfidat e sotme më mirë se unë dhe brezi im. Ata kanë krijimtarinë dhe qëndresën që ne nuk e kemi.

Si studentë në Gjermani, në mesin e viteve '70, ne protestuam për të drejtat tona: ashtu si studentët shqiptarë, donim të kishim, me të drejtë, ndikimin tonë në çështjet e universitetit, më shumë fonde shtetërore për fakultetet e tejmbushura dhe për studentët që vinin nga familjet e varfra. Më kujtohet shumë mirë se si grupe të drejtuara nga partitë politike u përpoqën të rrëmbejnë protestat për interesat e tyre më të gjera. (Shpresoj se ka ende lexues që i kujtojnë si unë vitet '70!) Ishte një dekadë protestash dhe radikalizmi: përparimesh të rëndësishme në njohjen e të drejtave të grave, përparimi në përfaqësimin studentor në universitete, liberalizimi progresiv të shoqërive shumë konservatore e nganjëherë autoritare. Të rinjtë ishin zemra e të gjitha këtyre lëvizjeve.

Të rinjtë janë, natyrshëm, motori i idealizmit dhe përparimit shoqëror. Të rinjtë janë më energjikë dhe më pak cinikë; ata ka ëndrra më të mëdha dhe më pak durim. Përgjatë gjithë historisë, të rinjtë kanë spikatur në të gjitha lëvizjet popullore, që kanë sfiduar sistemet e kalbura politike dhe kanë siguruar përparime në të drejtat e njeriut.

Në Shqipëri, kemi parë dinamizmin dhe ndikimin e angazhimit dhe idealeve të të rinjve. Të rinjtë shqiptarë udhëhoqën fushatën kundër importit të mbetjeve; të rinjtë përdorën energjinë dhe krijimtarinë e tyre për të protestuar kundër projekteve hidrike në rajonet e bukura e të mbrojtura të vendit; në fund të vitit të kaluar, të rinjtë fituan respekt të gjerë për fushatën e tyre të gjatë dhe vërtet kombëtare për standarde dhe kushte në arsim.

Ky ishte idealizëm ndërthurur me vendosmëri, radikalizëm ndërthurur me respekt. Ka një ndryshim të qartë mes një fushate të vazhdueshme protestash paqësore, aktive, të sinqerta e vërtet popullore dhe një numri relativisht të vogël njerëzish, që sulmojnë policinë me kokteje Molotovi dhe dëmtojnë pronën publike dhe private.

Të rinjtë e angazhuar janë një element i fuqishëm i një shoqërie civile, që duhet të ketë një rol unik dhe jetik në mbikëqyrjen dhe përmirësimin e shëndetit të demokracisë në Shqipëri. Demokracia është më e mirë nëse qeveria kontrollohet dhe sfidohet vazhdimisht nga një ekip i plotë lojtarësh legjitimë: organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile; media vërtet të lirë dhe dinamike; institucione të pavarura; komisione parlamentare. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja ka projekte për të nxitur dhe mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve, grave dhe grupeve të margjinalizuara në debatin politik dhe në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim punën e institucioneve të pavarura – Avokatëve të Popullit dhe Komisionerëve të ndryshëm – dhe pse nxisim që raporteve të tyre t'u kushtohet më shumë vëmendje në Kuvend. Kjo është arsyeja pse ne vijojmë të punojmë me deputetët e të gjitha partive për të forcuar funksionin mbikëqyrës të komisioneve parlamentare. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja merret me rastet e gazetarëve të veçantë të kërcënuar, dhe pse kemi një projekt afatgjatë, me mbështetjen e BE-së, për të forcuar pavarësinë dhe cilësinë e RTSH-së.

Ne vazhdojmë t'u themi atyre që janë brenda dhe jashtë parlamentit – dhe këtë e përforcojmë me punën tonë këtu – se qeveria ka nevojë për opozitë demokratike më serioze dhe më efektive. Qeveria ka nevojë të sfidohet dhe kritikohet; ajo ka nevojë të shtyhet drejt reformave që synojnë shqiptarët.

Është klishe të thuash se të rinjtë janë e ardhmja, se e ardhmja u takon atyre. Kjo është e vërtetë, por vetëm nëse të rinjtë janë të gatshëm ta kapin atë të ardhme për vete, t'ia marrin brezit të vjetër dhe t'i japin formë sipas nevojave të tyre. E ardhmja e Shqipërisë varet nga pjesët më energjike të shoqërisë civile dhe të të gjitha elementeve të tjera të mbikëqyrjes demokratike, në media, në institucione të pavarura e gjetkë, duke marrë përgjegjësinë e tyre me vendosmërinë më të madhe dhe duke e përmbushur atë me përkushtim të sinqertë për ndryshime rrënjësore. / Op-ed nga kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more