Skip to main content

“Një Zelenski edhe për të ardhmen tonë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Një Zelenski edhe për të ardhmen tonë” plus 9 more - Gazeta Dita


Një Zelenski edhe për të ardhmen tonë

Posted: 24 May 2019 01:55 AM PDT

Vangjel L. Shumeli

Europa Lindore është një hapësirë e cila ndodhet në fazën e shkëputjes nga tranzicioni 30 vjeçar. Moska ngulmon sot për t'i nënshtruar këto vende duke u vënë fre aspiratave të tyre drejt familjes europiane.

Vendi i parë që ngriti kryet ndaj presioneve të Kremlinit është Ukraina. Era e ndryshimit pro europian filloi për këtë vend para 15 vjetësh me "Revolucionin Portokalli". Protestat u zhvilluan pas zgjedhjeve të atëhershme presidenciale në klimën e një korrupsioni masiv, frikësim të votuesve dhe falsifikim të votave.

Fitues ishte zgjedhur Viktor Janukoviç, kandidati filorus i mbështetur nga Putin. Protestat çuan në rivotim dhe u fituan nga opozita me Jushçenkon president dhe Timoshenkon kryeministre të vendit. Këta personalitete kanë rrezikuar jetët e tyre për idetë që kishin dhe përhapnin.

Jushçenko "ylli" i Revolucionit gjatë një darke me zyrtarë të lartë ukrainas u helmua me dioksinën e rrezikshme TCDD gjë që solli deformim të fytyrës. Presidenca e tij 5 vjeçare karakterizohej nga përpjekje të vazhdueshme për integrimin e vendit por nuk sollën rezultatin që pritej për shkakun se Europa nuk e suportoi sa duhet ecjen e Ukrainës drejt saj dhe nga ana tjetër Jushçenko i bëri "autogolin" vetes duke bashkëpunuar me oligarkët dhe maniatët në afera korruptive dhe duke i tradhtuar shpresat e ukrainasve.

Shumë politikanë u konsumuan, u arrestuan, disa ndërruan kahe politike për interesa oligarkike dhe personale derisa erdhi konflikti ushtarak për Krimenë. Shpresat për atë popull rifilluan kur u shfaq në skenën politike ylli i ditëve të sotme në mediat ndërkombëtare, presidenti i sapozgjedhur i vendit Volodimir Zelenski, një komedian dhe personazh karizmatik.

E bukura e kësaj historie është se nuk është as i nënës as i babës, as vjen nga oxhaqet e konaqet e Oligarkisë dhe Politikës.

Roli i tij më i njohur në filmat që ka luajtur ishte ai i Presidentit të vendit në serialin "Në Shërbim të Popullit" emër të cilin ia ka vënë dhe partisë me të cilën garoi në zgjedhjet presidenciale të para 20 ditëve ku fitoi bindshëm përballë kundërshtarëve të tij.

Rrugëtimi i këtij roli ishte një profesor historie i cili bëri publike një video për korrupsionin dhe pas kësaj fitoi simpatinë në popull dhe u zgjodh president. Fama e Zelenskit me atë rol kapi kulmin dhe u bë i dashur nga populli që shikonte te figura e tij atë që duhet të kishin qeveritarët aktualë.

Kur erdhi momenti që "rolin" ta merrte seriozisht duke kandiduar në zgjedhjet e fundit mbështetja ishte masive.

Zelenski gjatë intervistave që ka dhënë nëpër media është shprehur se ka hyrë në politikë për të kthyer besimin e humbur. Platforma e tij nuk është aspak skenar komedie e libër anekdotash, është një program proeuropian.

Unë besoj se Zelenski me karizmin dhe modestinë që e karakterizon do ta fusë Ukrainës në BE. Ai vetë e ka prezantuar si qëllim për ta realizuar brenda vitit 2024. Të hënën Zelenski u betua si president dhe kreu një akt patriotik i cili meriton respekt: Ai shpërndau parlamentin, zgjedhjet e parakohshme do zhvillohen pas 2 muajsh.

Mund të citoj disa rreshta nga fjalimi i tij:

"Merrni një letër, një stilolaps dhe lironi postet tuaja për ata që mendojnë për gjeneratën e ardhshme. Njerëzit do ta vlerësojnë këtë.

Prej sot, secili prej nesh është përgjegjës për Ukrainën që do t'u lëmë fëmijëve tanë. Gjatë gjithë jetës sime, u përpoqa të bëja gjithçka në mënyrë që ukrainasit të buzëqeshin. Në pesë vitet e ardhshme do të bëj gjithçka që ukrainasit të mos qajnë"

Jo vetëm në Ukrainë ka nevojë për rotacion të plotë, për politikë dhe frymë të re larg ndikimeve të biznesit, monopolit, oligarkisë dhe oxhaqeve e dinastive politike.

Këtu bëhet fjalë më tepër për ne ballkanasit që kemi përjetuar e përjetojmë të njëjtat histori, të njëjtat rrugëtime, kalvare e vuajtje me vende si Ukraina, Moldavia dhe Bjellorusia.

A do shfaqet një Zelenski edhe për të ardhmen tonë? Shpresa vdes e fundit.

 

 

Soreca: Nuk ka kthim pas, Reforma në Drejtësi në përputhje me Kushtetutën!

Posted: 24 May 2019 01:45 AM PDT

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca deklaroi sot se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe po ecën para duke e parë si një sukses të zhvillimeve në vend.

Gjatë takimit prezantues të dokumentit metodologjik "Monitorimi i Integritetit Gjyqësor", Soreca tha se aspiratat e qytetarëve për këtë reformë nuk duhen zhgënjyer.

Ndonëse dy gjykatat, ajo e Lartë dhe Kushtetuese nuk funksionojnë, Soreca tha se sot ka më shumë institucione të reja se dje dhe nesër do jenë më shumë.

"Të përdorim çdo mjet ligjor për të denoncuar akte të jashtëligjshme. Shumica e qytetarëve shqiptarë janë për reformën. Aspiratat nuk duhen zhgënjyer. Sot ne numërojmë më shumë institucione të reja se sa dje dhe nesër do numëroni më shumë. Sa i përket integritetit është arritur përparim i madh", deklaroi ambasadori i BE.

Ai theksoi se reforma e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri me kushtetutën dhe legjislacionin vendas. "Është një sukses. Reforma e pakthyeshme dhe po ecën përpara. KE pas disa ditësh do të prezantojë raportin e progresit, pra arritjet e Shqipërisë në tërësi. Do shikojmë dhe tranzicionin. Tranzicionet janë gjëra sfiduese që kërkojnë durim. Ne nuk duhet të harrojmë koston. Reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit në BE është prioritet. BE do të vazhdojë mbështetjen për procesin e reformave dhe monitorimin e standardeve", tha Soreca.

l.h/ dita

Mijëra qytetarë të BE në Britani nuk votojnë dot në zgjedhjet e parlamentit europian

Posted: 24 May 2019 01:27 AM PDT

Qytetaret e Bashkimit Europian që jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe janë shprehur të zhgënjyer sepse nuk kanë mundur të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Komisioni Zgjedhor tha se "njoftimi shumë i shkurtër" nga qeveria për pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në zgjedhje kishte ndikuar në këtë proces. Qytetarët e BE-së mund të votojnë në vendin ku jetojnë, duke u regjistruar për të votuar dhe duke plotësuar një formular UC1.

Por shumë prej tyre u ankuan se e kishin marrë formularin shumë vonë duke mos u përpunuar në kohë nga autoritetet e tyre lokale.

Një grupim i fushatës tha se mijëra njerëz janë prekur nga ky problem. Për të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane në Mbretërinë e Bashkuar, qytetarët e BE-së duhet të kishin kthyer një formular UC1 deri në 7 maj tek qendrat e tyre lokale, duke deklaruar se nuk do të votonin në një shtet tjetër anëtar të BE=së. Qytetarët e Irlandës, Maltës ose Qipros kanë të drejtë të votojnë në Mbretërinë e Bashkuar për zgjedhjet evropiane pa pasur nevojë të bëjnë këtë deklaratë me shkrim.

Shumë njerëz reaguan në rrjetin social Twitter duke thënë se nuk e kishin marrë në kohë këtë formular ndërsa të tjerë u shprehën se nuk kishin asnjë informacion mbi këtë procedure.

l.h/ dita

Shkarkohen nga detyra prefekti i Lezhës dhe i Beratit

Posted: 24 May 2019 01:24 AM PDT

Gjergj Prendi, prefekti i Lezhës është liruar nga detyra. Mësohet se ai do zëvendësohet nga Gjok Jaku.

Po ashtu edhe në Berat lirohet nga detyra Prefekti Harilla Dafa dhe emërohet ish-prefektja Valbona Zylyftari njëkohësisht kryetare e degës së PS në Berat.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ndërkohë ende nuk dihet arsyeja se pse Dafa dhe Prendi janë liruar nga detyra.

l.h/ dita

Disfatë e populistëve, laburistët e Timmermansit marrin shumicën në Holandë

Posted: 24 May 2019 01:22 AM PDT

Surprizë në zgjedhjet europarlamentare në Holandë. Exit poll-et tregojnë se euroskeptikët anti-emigrantë të Partisë së Lirisë të Gert Vildersit kanë humbur tre vende në Parlamentin Europian, duke siguruar vetëm një ndenjëse.

Sipas përllogaritjeve, shumicën e vendeve që i takojnë Holandës e kanë marrë laburistët e Frans Timermansit, i cili është kandidat i socialdemokratëve europianë për president të Komisionit Europian.

Ndërsa partia popullore e kryeministrit Mark Rute renditet e dyta me 4 vende.

Të enjten votuan edhe britanikët, ndërsa sot është radha e Irlandës dhe Çekisë. Zgjedhjet përmbyllen të dielën kur pritet të votojë shumicë e vendeve anëtare të unionit.

o.j/dita

Schreder në Beograd: Pse vendosëm të bombardonim Serbinë

Posted: 24 May 2019 01:15 AM PDT

Presidenti serb, Aleksander Vuciç ka marrë pjesë në një konferencë në Beograd bashkë me ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schreder, ku ndër të tjera janë pyetur edhe për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja.

"Do të ishte shumë lehtë të kritikohet Schreder dhe të thuhet se ndërhyrja e  NATO-s ka qenë vendim i keq. Ne duhet të falim, por kurrë ta harrojmë", ka thënë  Vuciç, transmeton Express.

Ndërkaq ish-kancelari gjerman thotë se ashtu siç është vendosur të bombardohet Iraku e Afganistani, NATO-ja ka vendosur edhe për ndërhyrjen në Serbi, duke parë gjendjen në Kosovë.

"Vendimi i parë ishte për në Irak, ne vendosëm nëse duhet të marrim pjesë ose jo. Vendim i vështirë ka qenë të pranojmë edhe ndërhyrjen në Afganistan. Bashkë me aleatët në NATO morëm vendimin të sulmojmë Serbinë. Ishte një vendim emocionues, por ne duhet të vendosnim që të merrnim pjesë në bombardime duke parë gjendjen në Kosovë", ka thënë Schreder në konferencë.

o.j/dita

Një pasdite me shi me prof. Nasho Jorgaqin

Posted: 24 May 2019 01:02 AM PDT

Enver Kushi

 Prof. Nasho Jorgaqi më mori në telefon në mesditën e 14 majit dhe më tha, se më priste në orën pesë e gjysmë pasdite. Është një lokal në krye të rrugës “Vath Koreshi”, shtoi ai.

Atje do ta pimë kafenë dhe bisedojmë. I thashë, se në orën e caktuar do të isha atje dhe kur mbylla telefonin kujtova, që vit e vite më parë, bashkë me Moikom Zeqon kam shkuar shpesh në shtëpinë e Vathit, që e kishte në atë rrugë, që tani mbanë  emrin e tij.

Pasditja e të martës ishte me qiell gri e shi dhe urbani i Unazës i tejmbushur që vazhdoi me të njëjtën ngarkesë deri te Shkolla e Baletit. Vështroja portrete njerëzish, që ngjisheshin me njëri-tjetrin, në atë hapësirë ndoshta më të dendurat në botë.

Dy zonja në moshë, të veshura bukur, mbanin shami në hundë dhe ankoheshin me zëra të mbytur për ajrin e rëndë në urban. Një student i zhytur në botën e rrjeteve sociale të celularit, dukej se jetonte në një realitet tjetër.

Më tutje një vajzë e bukur, me kufje në vesh, as që do t’ja dijë së ç’ndodh rreth saj. Jashtë vazhdon të bjerë shi i qetë dhe Lana rrjedh e turbullt, ndërsa mbi dy shpatet e saj, rrapet dhe drurët e tjerë janë në kulmin e gjelbërimit. Prof. Nasho më merr prapë në telefon. I them se jam duke ardhur, se urbani ecën shumë ngadalë dhe është i tejmbushur.

Pranë meje vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë dhe me shami në hundë zonjat në moshë, që nuk e di se përse, sapo urbani ndalon, në kryqëzimin me Bulevardin e Madh, i heqin shamitë nga hunda dhe të hutuara vështrojnë përtej xhamave. Edhe pasagjerë të tjerë vështrojnë bulevardin, sikur kërkojnë të zbulojnë ndonjë gjë në të.

Bulevardi duket i lodhur dhe më bëhet sikur dëgjoj zëra që vijnë nga brendësia e tij. Dhe shiu bie e bie i qetë mbi trupin e dërmuar dhe pllakat gri në të zeza. Nuk më hiqeshin nga mendja pamjet e muzgut të vonë të shtunës që kaloi dhe egërsia që u derdh nga ky bulevard, mbi institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Ka parë shumë ky bulevard, që nga viti kur përfundoi së ndërtuari, atëherë kur dukej një zgjatim i stërmadh e i çuditshëm, në trupin e brishtë të kryeqytetit e deri në muzgun e vonë të të shtunës dhe një natë më parë, kur ata që marshonin me çadra të zeza nën shiun e vrullshëm që binte, dukeshin si në një procesion funeral absurd me arkivol bosh.

Vetëtimthi më kalojnë këto imazhe në ato 30 sekonda të ndalimit të urbanit në semafor.  Dhe kur ndizet drita jeshile dhe urbani kalon ngadalë mbi trupin e lodhur të bulevardit, vështrimet e të gjithëve hidhen në krahun e djathtë nga ku dallohen Kryeministria akoma me plagë dhe më tutje godina tërë sharm e Universitetit e pas tij Parku i madh i Tiranës. E marr prapë në telefon Prof. Nashon e i them, se jam afër stacionit të urbanit te Shkolla e Baletit, ndërsa ai më kujton edhe një herë lokalin në fillim rrugën “Vath Koreshi”.

E pashë nga larg siluetën e tij të gjatë me pardesynë e të bardhë e nxitova të kaloj rrugën për ta takuar. Portreti i tij si gjithmonë i qeshur, veçanërisht sytë, rrezatojnë mirësi e fisnikëri. Kalojmë ngadalë rrugën e gjerë, duke shkëmbyer fjalët e zakonshme për shëndetin, shiun e kësaj pranvere të qullur, si dhe kënaqësinë që e takoj. Lokali është i qetë dhe kamarieri i ri e i sjellshëm, na pret me buzëqeshje, duke na shoqëruar në një tavolinë bosh.

Sapo ulemi, profesori nxjerr nga një dosje “Zonjën nga Parga”, novelën time të sapo përfunduar së shkruari dhe në dorë mbanë një letër të vogël, ku dalloj shkrimin e tij të vogël, ku ka shënuar mendimet dhe sugjerimet, që do të më bëjë. Ai më tha, se novela ka shumë dritë e diell nga brigjet çame, por edhe shumë dhimbje nga tragjedia e Çamërisë.

Herë-herë e ndërpres, duke i folur për vitet 1944-1945 dhe veçmas për Pargën, ku zhvillohen ngjarjet e novelës sime, apo për fatin tragjik të një popullsie të tërë të masakruar nga bandat zerviste. Zonja nga Parga është njëra nga vajzat çame, e përdhunuar barbarisht nga këta banditë, traumën e së cilës e përshkruaj në rrëfimin tim.

Biseda me profesor Nashon zhvendoset në kohëra dhe hapësira të tjera gjeografike, larg, shumë larg nga vendi ku pimë kafe, ku ndoshta nuk bien shira dhe dielli është harkuar drejt perëndimit të detit Jon e Parga merr një dritë tjetër dhe duket më e bukur.

Ai më dëgjon me vëmendje, teksa unë i flas për fatin e familjes time, në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1944-1945, Marrëveshjen e Varkizës të shkurtit 1945, çarmatosjen dhe dramën e partizanëve grekë, rënien e Epirit në duart e  EAM-it dhe rikthimin e shumë familjeve çame, në fillim vitin 1945, midis tyre edhe të familjes time.

Mbaj mënd, që babai im, në rrëfimet e tij, tregonte se kur ishin rikthyer në Spatar, kishte parë në oborret e shtëpive dhe kopshte, kufoma të tretura e të pavarrosura, masakruar në shtator 1944 e që ishin të afërm, ose bashkëfshatarë të tij.

Profesori më pyet për fshatin Spatar e unë i them, që është pranë qytetit të Filatit e se në vitet e Luftës Antifashiste ka qenë bazë e rëndësishme e partizanëve çamë e grekë, se xhaxhai, Selman Kushi, ka qenë kryetar i Këshillit Antifashist dhe korrier mes shtabeve partizane, këtej e andej kufirit, se ai ra duke luftuar me armë në dorë, në fillim marsin e vitit 1945 dhe se xhaxhai tjetër, Beqo Izet Kushi, ka qenë kryetar i parë i shoqërisë “Çamëria” në Amerikë, themeluar në fund të vitit 1918.

Biseda natyrshëm shkon te një emër tjetër i nderuar nga Spatari, Sami Murati, antifashist i orëve të para dhe komisar i çetës “Çamëria”. Prof. Nasho thotë se ka punuar me Samiun në Shtëpinë Botuese dhe ruan kujtimet më të mira për të. Përfundoi tragjikisht, thotë ai i akuzuar me grupin e Teme Sejkos. Edhe vëllai i tij, shton profesori ka marrë pjesë në Luftën e Spanjës. Zihniu, them unë. Shkoi në Spanjë dhe nuk u kthye që andej më.

Duhet shkruar për ta, thotë profesori, që të njihet opinioni me këta personalitete të historisë. Biseda kalon pastaj te Dinastia Dino, që nga Abedin Pashë Dino, i biri i tij Rasih Dino, i dërguari i Ismail Qemalit, në Konferencën e Londrës të vitit 1913. Pasardhësit e Rasih Dinos, si Ali Dino, Arif Dino, Abedin Dino(i riu), Lejla Dino. Secili prej tyre është në vetvete personalitet në fusha të tilla, si të letërsisë, pikturës, kinematografisë etj. shtoj unë. Diçka kam lexuar, shton profesori nga një libër i Luan Ramës dhe pyet se Luani është nip i Heroit të Popullit, Ali Demi. Po, po them unë.

Duhet të bëni më shumë ju intelektualët çamë për botimin e plotë të veprave të Qamil Buxhelit, thotë pastaj profesori. Jo thjesht se është nga krahina e Çamërisë, por Qamil Buxheli është një nga penat e mëdha të letrave shqipe. Për këtë kam folur edhe me Bashkim Kuçukun. Me Qamil Buxhelin kam patur shumë miqësi, shton profesori.

Unë jua kam dhënë librin me dokumente “Kongresi Antifashist Çam”, përgatitur nga Hektor Sejko dhe me siguri e keni vënë re, se Qamil Buxheli, është një nga pjesëmarrësit aktiv në këtë kongres, them unë, duke rrufitur çajin, që është ftohur. Mbi tavolinë është novela time e pabotuar “Zonja nga Parga”, e cila na ka çuar në viset e të parëve të mi dhe profesor Nasho Jorgaqi, thotë se krahas tragjedisë, krahina e Çamërisë ka dhe një histori të madhe dhe thesare kulturore.

Në këtë lokal të vogël, në krye të rrugës që mban emrin e nderuar të letrave shqipe, Vath Koreshi, përballë profesor Nasho Jorgaqit, koha ka dimension tjetër. Dhe nuk e di se përse më kujtohet një ese e shkëlqyer e Borhesit për kohën, ndërsa profesori më dhuron librin, “Nasho Jorgaqi. Antologji Bibliografike 1946- 2001″, botuar me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij. Ai më thotë të afrohem dhe nis të tregojë fotot e shumta, që mbyllin librin.

Këta janë brezat Jorgaqi: Gavrili, Santo, Thanasi, Nasho. Me prindërit dhe vëllezërit, Kujtimin dhe Aleksandrin, foto e vitit 1938. Po Fredi, pyes unë për vëllain e vogël që e njoh. Ai ka lindur shumë vite më vonë, thotë profesori. Një grup të rinjsh e mes tyre Elena Kadare. Viti 1942.

Tre vite më pas, ku ka dalë si pionier me veshje partizane. Me shokët e konviktit të Shkodrës në vitin 1951. Studentët e letërsisë bashkë me albanologun gjerman Prof. Lamberc, Prof. A. Xhuvani e Prof. M.Domi në vitin 1954.

Vite të tjera dhe kohëra të tjera. Me Ismail Kadarenë dhe Minella Totonin në vitin 1962. Pastaj një foto e bukur e profesorit në vitet e rinisë. Në Jaltë para monumentit të Çehovit, më 1959.

Në Sofje në vitin 1963, me shkrimtarët e Ballkanit. Me Dhimitër Sghuteriqin. Me Jakov Xoxën. Një foto tjetër me Lasgush Poradecin, ku Prof. Nasho është në moshën 30 vjeçare.

Luan Dibra. Midis miqve akademikë, A.Buda, K.Popa, M.Domi, A.Kostallari. Në një rrugëtim për te arbëreshët bashkë me Dritëro Agollin e Gjovalin Shkurtaj. Ndalem më gjatë te fotoja e vitit 1988, ku profesori është pranë bustit të Zef Serembes, në Strigarë.

Kam qënë edhe unë këtu, i them. Mbaj mënd, që teksa ngjitja shkallët e shtëpisë së një prej poetëve, ku dhimbjet njerëzore janë aq të prekshme, sa dhe ato kombëtare, thoja me zë vargun: Arbëria matanë detit na kujton.

Vazhdoj të rrugëtoj nëpërmjet fotove bashkë me profesorin, në hapësira të tjera gjeografike. Ja ku ka dalë me pasardhësit e Fan Nolit, nipin, mbesën dhe të bijën e saj.

Prapë me pasardhësit e Nolit: Me stërnipin dhe stërmbesën në Greqi. Te varri i Nolit në Boston dhe një foto tjetër e bukur me shqiptarët e Amerikës. Sa kujtim i bukur, them kur shoh profesorin në shtëpinë e Dostojevskit, në San Petërburg, në vitin 1997.

Romanin e tij "Shënime nga shtëpia e vdekjes” ma ka dhënë për ta lexuar Moikom Zeqo, para viteve ’90. Jam tronditur atëherë nga ky roman dhe e kam lexuar brenda natës. Ishte një botim i Kosovës, sepse atëherë në Shqipëri ishte i ndaluar botimi i veprave të këtij shkrimtari…

E marr librin në duart e mia dhe nis ta shfletoj dhe është një botë e tërë botimesh, që mbajnë emrin e Nasho Jorgaqit dhe me të drejtë Prof. Dr. Ymer Çiraku shkruan:

“Një libër si ky, që po i paraqitet lexuesit mbart një peshë të rëndë: peshën e një krijimtarie të gjerë e të vyer në pothuaj gjysmë shekulli, peshën e një gjykimi kritik mbi të. Pra, janë pranë e pranë puna dhe vlerësimi për të. Është vërtet bukur kur puna e kryer çmohet nga koha’.

Këtë peshë ka ky libër. Këtë peshë kanë të gjitha veprat e shkruara nga Prof. Nasho Jorgaqi. Këtë peshë kanë fjalët dhe mendimet e tij, them me vete, teksa ndjek rrëfimet e tij, në këtë pasdite me shi të Tiranës. Është fat, që në këtë kohë me shira, por edhe kohë turbullire, zhurme mediatike e marshimesh natën me çadra të zeza, nën shiun dhe bubullimat gjëmuese të qiellit të Tiranës, të kesh përballë Nasho Jorgaqin dhe të dëgjosh fjalën e mençur të një prej intelektualëve punë shumë.

Të largohesh nga koha absurde e politikës dhe politikanëve delirantë, zëçjerrës e zjarrvënës.

Të rrugëtosh në një botë tjetër, në atë të bukurën e sublimen, që përbën shtyllën kurrizore të shqiptarëve, siç është kultura, letërsia dhe kujtesa e tyre. Të kthehesh e të rikthehesh në kohëra dhe të flasësh me personalitetet e këtij populli, që kanë ndriçuar në shekuj këtë vënd.

Prof. Nasho Jorgaqi atë pasdite me shi i bëri të prekshme ato, duke më rikthyer shpirtërat e bukur njerëzorë, të vdekur e të gjallë, për të cilat kemi kaq shumë nevojë, në këto kohëra gri, shumë gri, që na shqetësojnë bashkë me shirat, që kanë javë që s’pushojnë.

Dalim jashtë dhe shoh orën. Kanë kaluar mbi dy orë e gjysmë si pa u ndier, duke biseduar dhe dëgjuar prof. Nasho Jorgaqin, në lokalin që ndodhet në krye të rrugës”Vath Koreshi”, në këtë pasdite të vonë  me shi të qetë, që bie mbi kryeqytetin shqiptar.

Ndahem me profesorin dhe ndjek siluetën e tij, që ecën ngadalë drejt shtëpisë ku banon, ku me siguri do të futet në studion ku punon dhe do të jetojë me shpirtërat e vdektarëve të mëdhenj të kulturës, historisë e letrave shqipe. E unë eci në këmbë buzë Lanës në këtë muzg tiranas dhe nën këtë qiell, “si tru idioti”, siç ka shkruar dikur Ismail Kadareja…

Tiranë, mes maji 2019

 

A nuk janë këto veprime ballisto-fashiste?

Posted: 24 May 2019 12:53 AM PDT

Janë fakte që flasin. Vepra të zeza. Veprime ballisto-fashiste. Janë parë me sytë e ballit nga bashkëkohës. Dhe dihet që "syte e ballit janë pararoja e syve të meëndjes".  Dhe mbahen mend mirë. Nëse neoballistët neofashistë të sotëm nuk i dinë këto fakte, le t'i mësojnë radhë, se si janë thëerur me thikë e janë djegur të gjallë në zjarr luftëtarë e simpatizantë antifashistë…

I

 "Ju po na vrisni, po luftën
ne do ta fitojmë".

20 gusht 1943. Ballistët rrethojnë fshatin Pojan të Korçës, arrestojnë 23 fshatarë, mes të cilëve lidhën, Petraq Stratin me gjthë familje dhe Nesti Vreton. I internojnë në kampin e Mborjes si "njerëz të rrezikshëm".  Të gjithë mbajnë qëndrim trimëror. Nuk e japin veten. Janë sypatrembur. Nuk bien në gjunjë. Nuk nënshtrohen. Mbajnë kokën lartë. Trimi vdes këmbë mbi këmbë. Të dy u thanë armiqve pa iu dridhur zëri: "Ju po na vrisni, po luftën ne do ta fitojmë". Fjalë, në thelbin e të cilave dallohen tri virtyte: guximi, vendosmëria, optimizëmi! Njëherazi, fjalë që egërsuan armiqtë, të cilët shtuan më tepër torturat e në fund të dy i therën me bajonetë dhe trupat e tyre i hodhën në lumin e Devollit! Nuk ka krim më të madh! Duhet të ishe fashisto-ballist që të arrije deri këtu…

Peza është mbytur në gjak, si nga burrat dhe nga gatë. Nuk janë përkulur as para plumbit nazifashist, as nga thika e me e mpehtë e tyre. Kanë qëndruar trimëresht. Kanë përballuar me heroizëm tortura të pushtuesve e të kolaboracionistëve. Armiku, me uerrejtje të thellë e hakmarrje ka vrarë e ka therur prej tyre! Bajame Loshin, 57 vjeçe e prenë me thikë copa-copa trupin e saj dhe copat e mishit ia hodhën qenëve! Jo vetëm. Pushkatuan Dije Salën e me egërsi plagosën dhe vajzën e saj 2 vjeçare, Shefikat Sala, që as emrin e as jetën nuk i gëzoi! Me bajonetë në dorë shpuan në disa vende trupin e njomë të pionierit 15 vjeçar, Mahmut Uku, të cilit i vranë edhe babain, Muharremin.

Kriminelë në palcë! I tmerronte emri "Pezë" dhe "Pezak". I tembeshin gruas heroinë Mine Peza dhe heroinave të tjera të këtij fshati martir. Edhe pezaku i vogël u dukesh i madh. Armiq "burra" burracakë, që dridhen si purteka…

"Trima para deles, dele para trimit".

Skenë e llahtarshme! Dy tablo të kundërta: njëra shkëlqen, tjetra pis e zezë. Kur pushtuesit gjermanë erdhën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë fshiste dhe u pritën me "lulet" e vezveve, kërcënuan se do vrasin 10 deri në 30 shqiptarë për çdo ushtar gjerman të vrarë…Dhe për këtë qëllim, që në ditët e para krijuan 5 batalione merceniarësh nga mbeturinat e milicisë fashiste. Por kjo nuk e frikësonte popullin. Në qarkun e Korçës pushtuesit e rinj u pritën me plumba, si dhe te Ura e Kardhiqit në Gjirokastër, në Shkallën e Zezë të Tepelenës etj., ku u zbatua porosia e Komandantit të Përgjithsëm Enver Hoxha: "Ashtu si në Bramash e gjetkë të vazhdohet pa ndërprerje goditja e reparteve naziste".

Këtu, rreth 300 forca partizane kishin zënë pusi dhe hapën zjarr në befasi. Një oficer gjerman shkruante: "Detashmenti pararojë bëri përpjekjen e parë në zonën e Borovës".

Nga dëmet e mëdha që pësuan gjermanët u egërsuan dhe u hakmorrën. Në Borovë vranë 107 veta, nga të cilët 47 të moshës 0- deri 20 vjeç! Fshati mbeti pa "lule", si viti pa pfanverë! Një nazist mori një fëmijë dyvjeçar, Nikon e vockël, e qëlloi disa here në goksin e tij të njomë dhe e përplasi mbi trupin e nënës së vet! Një tjetër nazist, iu afrua një fëmije 6- muash që ishte në djep, e ngriti peshë dhe e vrau me revolver! Dy fëmijë motër e vëlla nazisti i pushkatoi, gjyshja e tyre që i pa, u çmend, ndërsa nazisti e vrau edhe këtë plakë, i futi pajonetën në trupin e saj! Hitlerianë të egër! Pa zemër! Antinjerëz, pa shpirt. Xhelatë! Vriten fëmijët, vajzat, gratë, nënat?! A kishin nëna, motra e fëmijë këta nazistë vrastarë?

Një oficer madhor gjerman që kishte marrë pjesë në këtë masakër të Borovës, mbante ditar për veprime kriminale që kryenin. Ditarin e gjeti i biri pas vdekjes së tij. Ky filiz i ri u prek në ndjenja dhe niset nga Gjermanaia e vjen në Borovë, ditën e përkujtimit të masakrës, ulet në gjunjë dhe u thotë banorëve të fshatit: Të më falni për atë që ka bërë babai im"! Sa bukur! Gjembëndafil! Pse nuk veprojnë kështu edhe pinjollë të ballistëve për krimet që kanë kryer baballarët e tyre, si bashkëpunëtorë të fashistëve e të nazistëve? Mundet të mos i dinë të gjitha, por të përpiqen të mësojnë të vërtetën. Është në të mirën e tyre. Kështu, gradualisht kjo do të çonte në afrim miqësor, në zbutjen e në zhdukjen e vijës së kuqe, se njerëzit janë me huqe,  shqipëtarë, por të ndarë, në të djathtë e në  të majtë; kryesorja do forcoet uniteti kombëtar, do pakësohen  "gjëmbat", do shtohen "lulet" në brezat e rinj, që janë e ardhnja e vendit, pasadhës brez pas brezi. Fëmijë të mirë janë ata që ua kalojnë prindërve, sç janë dhe nxënës të mirë ata që ua kalojnë mësuesve. Bota ecën githnjë përpara…

Kur thikës i përgjigjesh  e thikë…

Thika dhe bajoneta janës për përdorim në luftë, kur kundërshtarët ndeshen trup me trup. Fiton më i forti, më i shkathti, më i shpejti. Në betejën e Tëndës së Qypit, Mefail Rozanit iu desh të përdorë thikën. I mbaruan bombat e dorës dhe fishekët e pushkës. "Dy duar për kokën dhe koka për Atdheun". Iu turr nazistëve me thikë në dorë. Kapi njërin, i fut thikën në kraharor dhe e shtrin përdhè. Përpiqet të kapë dhe një, por tre gjermanë të tjerë i hidhen përsipër dhe e vënë poshtë. Shokët e tjerë që kishin thika, luftojnë. Tre u vranë se s'kishin me çfarë të luftojnë!

Po kështu, kur nazistët erdhën nga Greqia në Gjirokastër, te ura e Kadhiqit pritën plumba të partizanëve. Pak metra sipër xhadesë luftonte Bari Myrtja, autokolona naziste ndaloi. Luftëtarti s'kishte më fishek. Tani "pushkë" ishin duart e fuqishme të tij. Siç kishte emrin "Bari", ashtu ishte, bari i fortë si strall mali! U ngrit trimërisht në këmbë dhe me thikë në dorë bëri përpara, i vendosur të vriste armiq, pa le të vritej dhe vete, Atdheu mbi të gjitha! Dhe u vra duke luftuar me thikë në dorë drejtuar nga pushtuesi i ri!… Është një nga 29 dëshmorët e Mashkullorës.

Dëshmori i LANç, Jashar Cakrani, kur pa se çeta e Mallakastrës po rrezikohej nga fashistët italianë, doli nga pozicioni dhe luftonte me bomba dore. Sa i mbaruan këto, u ndesh me armikun trup më trup, vrau me thikë një mitralier fashist, i mori automatikun, nisi të luftonte me të dhe iu drejtua një mitrtalieri tjetër, por një breshëri plumbash nga fashistt e la në në vend, pa frymë.

Dëshmori Apostol Çuni, me 6 bomba në gji, në luftën e Dukaje u nis barkas dhe u ngjit përpjetë shkëmbit të prerë drejt pozicioneve armike nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. Me shpejtëdi u gjend pas shpine të të dy hitlerianëve, Iu afrua mitralozit të rëndë që villte zjarr pa pushim dhe na vriste shokët. Hodhi dy bomba dhe i vrau të dy, mitralierin dhe ndihmësin e tij! Mitralozi i armikt, pushoi. Mbeti pa zot. Zot i doli trimi partizan. S'qe nevojë të përdorte thikën. Kishte marrë mitralozin dhe me prtedhat e tij zinxhir vriste armiq, të cilët befasoheshin, se nuk e dinin që mitralozi i tyre ishte tani në duar të partizanit shqiptar dhe po "korr"! Por një nga armiqtë e pa dhe e vuri në shenjë: Apostoli ra heroikisht.

"Vdekja me nder varri mermer!

17 janar 1944 nazisto-ballistët, pasi dogjën pjesën më të madhe të fshatit Dukaj të Tepelenës, vranë antifashistësh dhe të pafajshëm. Kryen masakrën e paparë: vranë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Iu pre jeta një filizi të ri. Para nënës, nuses e fëmijëve i morën lidhur këmbë e duar dhe pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij, Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan: i prenë me thikë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj! Çfarë vandalësh! Por për të çmendur kishte të mençur. Nëna e tij zemërtrime, së bashku me bashkëshortin e saj, Besim Muçaj e ngarkuan në kalë natën kufomën e djalit dhe e varrosën në kopshtin e shtëpisë, pranë vëllait tjetër dëshmor. Dy lulëkuqe në mjedis familjar, pranë e pranë si një trup. Krime si këto armiqtë do t'i paguanin shtrenjtë…Batalioni armik u asgjësua. Fshati u çlirua.

Fashistë, nazistë e ballistë thernin edhe njerëz paqësorë, në shtëpi ose rreth saj, në rrugë e kudo. E shfrynin urrejtjen me thikë e bajonetë në dorë. Edhe kur ther një pulë, kaq e preferuar për ballistin, të vjen keq, po kur ther një njeri?! Fashisti e ballisti thernin, pa u therur fare zemra, ditën dhe natën. Në Hundëkuq, pushtues e ballistë i çanë barkun me bajonetë gruas shtatzëne Urani Qirjazi. Ikën dy jetë njëhertësh! Në Golëm të Gjirokastrës vranë Fejzo e Vito DemaJ, prindrit e  dëshmorit Demo e Çerçiz, por edhe vajzën e  tyre  2-vjeçare, emrin e së cilës e mban një kopsht fëmije në Gjirokastër. Një djalë i ri në Mallakastër, Tafil Paja, tendtoi të hidhte nje bombë, por tradhtari Isa Toka e diktoi, e arrestoi dhe kreu aktin më të poshtër, duke e mbërthyer këtë filiz me gozhdë në një dru vidhi dhe e la aty! Në Vranisht u bë kasaphanë, mbetën pa prindër 80 fëmijë! E tmerrshme!

II

"Zjarri të përvëloftë ty, o fashist i ndyrë".

Fashisti jo vetëm ka therur antifashistë e njerëz të pafajshëm, por ka hedhur të gjallë e ka djegur antifashistë edhe në zjarr, ndaj ai s'ka vend as në varr! Gjatë LANÇ armiku ka zhdukur jetë njerëzish duke vrarë me plumb, me varje në litar e duke therur me thikë, por ka hedhur e djegur njerëz edhe në zjarrr!  Nuk ka pyetur as për burra e gra, të rinj e pleq. Kudo që kalonin pushtuesit fashistë italianë e nazistët gjermanë, këta kriminelë ishin bashkë me kolaboracionistë, nga frika e ndonjë përpjekjeje me partizanë.

    Zojë Djaloshi, 65 vjeç, nënë partizani. Gjermanë e fundërina të reaksinit mbërritën në Qerret të Pukës. Hynë në shtëpinë e saj. -Ti je nënë komunisti?-Po! -Ku e ke djalin? -Në shesh të luftës!Si hyni kështu në shtëpinë e botës? –Zjarr shtëpisë, thirri komandanti  i bandës. –Zjarri të përvëloftë! Shtëpinë e kam ndërtuar unë dhe pa vdekur unë ti s'e djeg dot, iu përgjigj Zoja! Ndërkaq armiqtë sollën kashtë. Zoja nuk duroi më. Rrëmbeu një drapër dhe me të në dorë u sul mbi armiqtë. Plagosi një xhandar. Të tjerët u tërhoqën. Komandanti i tyre urdhëroi ta kapin mënjëherë. E kapën disa prej tyre. Nëna përpiej t'u shpëtonte nga duart. Shtëpia mori flakë. Ajo thërriste me zë të lartë: "Komunistët do t'u hanë kokat". Komandani armik me breshëri predhash e shtriu nënë trime përtokë…

Heroina e popullit Liri Gero, kjo vajzë fierake, komuniste revolucionare, aktiviste e shkëlqer, sypatrembur, që vepronte ilegalisht në qytet, gjurmohej dhe ishte në rrezik të arrestohej. Shkoi partizane ku kishte dhe motrën e saj. U vesh "nuse", shoqëruar me "dhëndërr" e "dasmorë", hipur në karrocë, gjoja do martohej jashtë qytetit! Kaloi me sukses postblokun fashist dhe kjo "bela sinjorina", siç thoshte roja armike e shërbimit shkoi në mal fitmtare. Në betejë me armiq dha prova heroizmi. Armiku pati dëme të rënda. Liria u plagos rëndë disa here, por nuk u përkul. Luftoi gjersa mbeti pa ndjenja. Bishat armike e zunë të gjallë dhe, pasi e torturtuan dhe e kërcënuan heroinën, e spërkatën me benzinë dhe i vunë zjarrin! Dora gjakatare e armiqve barbarë dogji trupin e vajzës së re, bijës së Shkozës, të tërë Fierit e Shqipërisë. U shua një lule, por brenda një dite dolën partizane 68 vajza të reja!

Digjen shtëpi dhe në flakët e saj njerëz!

Në Pezë Hamide Muka, 63 vjeçe, armiqtë e dogjën në flakët e shtëpisë së saj. Në Vërnik të Vlorës armiqtë dogjën 10 veta, midis tyre dy plakat Shefiko Veshi e Mihase Bega, të cilat u hodhën të gjalla  në flakët e shtëpive të tyre. Banorë të mëdhenj e të vegjël shihnin me dhimbje si shkrumbohen njerëzit e tyre. Nga torturat dhe vuajtjet vdiqen 5 fëmijë, lule të jetës. U dogjën 85 shtëpi, 40 stalla me kecër brenda, u dëmtuan qindra bagëti dhe bletë, por fshati nuk u tund. Me 59 partizanë, 67 burra e gra territorialë, 15 dëshmorë.

Në Ziçisht gjermanë e ballistë u lëshuan nëpër shtëpi. Nisën plaçkitjen. Por në shtëpinë e 56 vjeçe kishin tjetër qëllim. Shtëpia e saj bazë luftë. Burri vdekur. Fëmijët s'ishin aty. Ajo tentoi të dalë jashtë. Ballistët s'e lanë. Qëndroi e patundur te dera. E kërcënojnë: "Fol, moj nepërkë, ti e ke një djalë komunist, Llaqi Ziçishtin"! Nerënxa s'mnd të heshtëte. Iu përgigj trimërisht. Komandanti ballist dha urdhër dhe pesë prej tyre e shtynë Nerënxën dhe hynë brenda në shtëpi. Por në çast u dëgjuan krisma armësh. Ballistët ngrinë nga frika. E lanë kontrollin. Komandanti ballist derdhi vajgurin e llambës në dysheme dhe ndezi zjarrin.  Nerënxa kishte dhe hallin se ay mbaheshin dokumnte të partisë fishekë e bomba. U përpoq ta shuante flakën që sapo filloi të përhapet. Ia arriti qëllimit. Flaka u shua. Ballistët u kthyen dhe e vranë në shtëpinë e saj. Krismat e pushkës partizane sa vinte e dëgjoheshin. Ballistët ikën të trembur…

Fashistë e ballistë dëfrenin e qeshnin duke parë si digjet njeriu Nxirrnin kuriozitetin që mishi i tij konsumohet si qiriri. Në masakrën gjermano-balliste të Zminecit, 17 veta u masakruan dhe u pushkatun, disa u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, siç ndodhi me Koço Fotinin dhe me një ushtar italian që ishte strehuar e mbrojtur aty. Pas vrasjes e djegies së tyre hajdutët ballistët u çkulën dhembët e florinjtë, ndërsa në Lunxhëri nuseve u merrnin unazat duke u prerë gishstrinjtë përsëgjalli!

Armiku vepronte me të gjitha armët, mjafton të vriste. Inat e hakmarrje kishin sidomos për Kuçin e Kurveleshit, kundër  burrave e grave. Kryenin masakra. Ekzekutuan gruan Afo Feja, e cila u kap kur kthehej nga pylli ku ishte me 4 fmijët e saj të vegjël. U gjent  e vrarë me fëmjën 6 muajsh  në gji që ishte shuar, siç kishte qenë duke thithur qumësht! Nure Mane Xhaferaj ekzektohet në prani të 5 fëmijëve të saj të vegjël. Aleme Bishaj, e kapën me ushime të partgizanëve në duar, e masakruan dhe e coptuar me bajonetë!

Ja pse kriminelë janë ata që therin, që vrasin, që djegin në zjarr, që zhdukin jetë njerëzish- këta janë fashisto-ballistët dhe jo luftëtarët atdhetarë, kurrën e kurrës dëshmorët, për të cilët flet e vërteta: "Flisni ju, o male, fusha e bregore, Ju livadhe, lumenj, rrugë e pyje, Ju që për partizanët ishit llogore, E i patë dëshmorët si mbetën yje!

***

Njeriu është kryevepra e natyrës.Ta therësh e ta djegësh atë nuk je Njeri, je fashist zemërzi, je antinjeri, e çon veten në thellësinë e shekujve, në botën shtazore, nga ke prejardhen! "Njeriu është një nga llojet e shumtë të kafshëve që jetojnë në faqe të dheut"! (S. Frashëri)."Nuk ekziston asgjë e gjallë në botë që të jetë më i egër se njeriu"! (Homeri)."Gjatë gjithë çasteve të rënda e të vështira në jetë, zemra ime ka kënduar gjithnjë vetëm një himn: Rroftë njeriu!". (Maksim Gorki). "Çfarë vepre është njeriu! Sa bujar nga arsyeja! Sa i pakufishëm nga zotësia! Nga shtati dhe nga lëvizjet, sa i hijshëm dhe sa i çuditshëm! Nga veprimi si engjëll! Xhevahir i botës! Kurora e gjërave të gjalla"! (Shekspir). A kanë qenë kështu ata ballistë e fashistë që me thikë e bajonetë kanë therur e zhdukur jetë njerëzish? Përgjigjen e japin faktet, bashkëkëkohës, që i kanë parë me sy çnjertëzorët. Kolaboracionistët pushtuesin e ndihmonin, popullin e tradhtonin, veten e dëmtonin.

 

Ish-ministrja që bllokoi vjet negociatat: Edhe këtë qershor, Shqipëria jo në BE

Posted: 24 May 2019 12:39 AM PDT

Në kohën kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin me ankth progres raportin për hapjen e negociatave, Franca duket se e ka marrë një vendim, duke i mbyllur derën dy vendeve të Ballkanit.

Ish ministrja e qeverisë Macron, Nathalie Loiseau tha në një intervistë për RTL se në qershor nuk do të ketë negociata mes BE dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Nuk kemi ndryshuar mendje, do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër”, tha Loiseau.

Ish-ministrja shtoi më tej gjatë intervistës se dy vendet janë gjeografikisht në Evropë dhe ne duhet t’i ndihmojmë ata, por përgjigja nuk është për zgjerim.

Ish-diplomatja merr të gjithë përgjegjësinë për vendimin e liderëve të BE në vitin 2018, ku u shty hapja e negociatave.

"Ajo që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut isha unë, kur mbaja postin e ministres. Çështja e zgjerimit vendoset me votë unanime dhe vitin e shkuar kalova 8 orë për t'iu shpjeguar homologëve të BE që isha kundër, në përputhje të plotë me presidentin Emmanuel Macron", nënvizoi ish ministrja Loiseau, e cila beson që dyert e BE do të mbeten të mbyllura për Tiranën dhe Shkupin edhe në samitin e ardhshëm në Qershor të liderëve të BE.

IKMT në Krujë, prishen furrat e paligjshme të gëlqeres

Posted: 24 May 2019 12:33 AM PDT

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka rifilluar aksionin për prishjen e furrave të paligjshme të gëlqeres në zonën e Krujës.

Prej kohësh Kruja është kthyer në një problem për mjedisin nga këto furra ku edhe pse janë marrë masa dhe shumë prej tyre janë shembur, përsëri aktiviteti vijon.

IKMT së fundmi ka njoftuar se prej dy ditësh ndodhen në terren në Krujë dhe deri më tani ka shembur 10 furra për prodhim të paligjshëm të gëlqeres. Disa prej objekteve të prishura ishin ndërtuar rishtas nga poseduesit e tyre.

IKMT prej dy ditesh ne zonen e Krujes ne aksionin per prishjen e furrave te paligjshme te gelqeres. Deri tani jane prishur dhjete te tilla, mes tyre disa te rindertuara pas aksionit te IKMT para pak javesh…” shkruan IKMT.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more