Skip to main content

“Etaloni i së keqes në Evropë: “Jemi bërë si Shqipëria”!” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Etaloni i së keqes në Evropë: “Jemi bërë si Shqipëria”!” plus 2 more Telegrafi Opinione


Etaloni i së keqes në Evropë: “Jemi bërë si Shqipëria”!

Posted: 21 May 2019 09:58 AM PDT

Enton Palushi

Jan Boehmerman nuk është një komedian nga këta që sheh në Shqipëri. Satira e ka vendosur shpesh në situata të sikletshme gjermanin e njohur, sidomos kur u tall me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Por, në fillim të prillit të këtij viti, kur mori çmimin "Romy" në Austri, ai foli për diçka që mbeti mister për shumëkënd deri më 17 maj.

"Teksa ju po e shijoni këtë gala, duke pirë verë të gazuar dhe duke ngrënë sandviçë të vegjël, unë jam i zënë duke mbushur hundët me kokainë bashkë me disa miq të mi të Partisë së Lirisë, në një vilë oligarkësh rusë në Ibiza, duke negociuar se si të marr nën kontroll gazetën 'Krone Zeitung' për të ndikuar opinionin në Austri", tha ai.

***

Të premten e shkuar, një skandal tronditi Austrinë. Dy gazeta liberale gjermane publikuan një video ku zëvendëskancelari austriak, Heinz-Christian Strache, lider i Partisë së Lirisë, bënte pikërisht ato gjëra që paralajmëronte komediani: nën efektin e pijeve, negocionte me "mbesën" e një oligarku rus për mundësinë që pasanikja të merrte nën kontroll gazetën më të madhe austriake, "Kronen", për të avancuar më tej agjendën e ekstremit të djathtë. Në këmbim, ajo do fitonte kontrata të mira nga Qeveria austriake.

Takimi është zhvilluar përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, por videoja është publikuar tani. Edhe pse mediat gjermane – që e publikuan videon – thonë se ajo nuk ka lidhje me zgjedhjet e pritshme evropiane, duket se qëllimi ka qenë pikërisht ai: të goditet ekstremi i djathtë në momentin e duhur. Jo më kot videoja doli në dritë kur politikanët e ekstremit të djathtë do lansonin projektin e tyre për një aks të populistëve, me italianin Salvini, francezen Le Pen dhe austriakun Strache. Goditja që iu dha zëvendëskancelarit – tashmë të larguar nga qeveria dhe praktikisht edhe nga politika austriake – ishte mjaft e rëndësishme.

***

Mbetet akoma një mister se kush e "gatoi" videon që do të trondiste politikën austriake dhe të djathtën ekstreme në Evropë. Deri tash gjithçka duket e orkestruar shumë mirë nga një dorë e majtë, që ka pasur për qëllim të tregojë fytyrën e vërtetë të së djathtës populiste. Thuhet se një organizatë me artistë gjermanë ka dorë në këtë histori. Të tjerë shkojnë më tej kur thonë se këtu ka gisht shërbimi sekret gjerman. Por, teoritë konspirative shfrenohen plotësisht kur shohin dorën e kancelarit riosh austriak, Sebastian Kurz, pas kësaj historie. Ky i fundit vendosi të qeverisë me Partinë e Lirisë – një lëvizje neo-naziste me rrënjë të thella në politikën e Austrisë – duke u premtuar evropianëve se mënyra më e mirë për ta mbajtur nën kontroll "bishën" e ekstremit të djathtë është që të qeverisësh me të. Kurz premtoi se do ta zbuste "bishën", por ajo thjesht veproi siç di të bëjë gjithmonë derisa erdhëm në pikën kur 32-vjeçari Kurz reagoi me zemërim ndaj tyre: "Mjaft është mjaft", tha ai në një konferencë për shtyp. Për shumë analistë, Kurz ka dozën e tij të fajit për këtë situatë. Revista gjermane "Der Spiegel" thotë se Austria tanimë duket si një republikë bananesh. Të tjerët, si gazeta "Bild", shohin një mundësi për Kurzin që ai të rikthehet sërish si kancelar, tashmë pa barrën e neonazistëve mbi shpinë, pasi ylli i tij në rritje nuk do ndalet.

***

Të prekur në sedër nga etiketimet "republikë bananesh", austriakët kanë nxituar të botojnë një krahasim duke thënë se në Shqipëri, një video-skandal i publikuar disa vite më parë, jo vetëm që nuk ia ndërpreu karrierën një politikani si Ilir Meta, por ai arriti të bëhej president.

"Ja ku jemi katandisur, jemi bërë si Shqipëria", komenton dikush në shkrimin e postuar nga "Die Presse".

"Kjo nuk është më republikë bananesh, kjo nuk është më Shqipëria. Ne jemi bërë republikë turpi", shkruan botuesi i portalit "Austria", Wolfgang Fellner.

Por, teksa Shqipëria vazhdon të mbetet "etalon" i së keqes në Evropë, shqiptarëve të shumtë në rrjetet sociale u ka ardhur në majë të hundës nga krahasimet dhe duan ta shohin skandalin e Austrisë si një shembull që duhet marrë nga politikanët e lartë shqiptarë – kur bie fjala për reagimin ndaj video-përgjimeve.

***

Se çfarë skenarësh do të pasojnë në politikën austriake, kjo nuk dihet, por fakt është se shqiptarët mund të nxjerrin disa mësime nga kjo situatë. Së pari, që të bëjnë kujdes kur zgjedhin aleatët për të diskutuar disa teza që janë të ndjeshme për shqiptarët. Vërtet duket i tepruar spekulimi se Austria, e cila ishte ndër të paktat vende që u rreshtua pro-idesë së ndarjes së Kosovës, nuk i do shqiptarët. Por, fakt është se mjedisi politik austriak ishte bërë kaq acid kohët e fundit, sa që kryeministri shqiptar, Edi Rama, do ta kishte neveritur jo vetëm si politikan, por edhe si artist. Gjurmët e skandalit të fundit tregojnë sesa të forta janë lidhjet e rusëve kur bie fjala tek ekstremet politike. Strache ishte i relaksuar përballë "mbesës" së oligarkut rus, pasi e dinte se miliarderi në fjalë është mik i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Jo vetëm kaq, por problemi më i madh me Partinë e Lirisë ishte ministri i tyre i Brendshëm, Herbert Kickl. Disa vende evropiane e ndërprenë bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës në Austri nga frika se lidhjet e Kicklit me Rusinë janë të thella.

***

E dyta, rasti në fjalë tregoi se populizmi e ka "lëkurën" kaq të hollë sa vetë ideologjinë. Në thelb, populizmi, të cilin po e shohim edhe në politikën shqiptare, që prej momentit kur kryeministri Edi Rama nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi duke e parë të keqen vetëm te të tjerët, është një ideologji e thjeshtë: ne jemi njerëzit e mirë, gjithë të tjerët janë të këqij. Por, rasti në fjalë dhe shumë të tjerë tregojnë se populistët jo vetëm që nuk janë ndryshe nga të tjerët, por janë "krijesa moçalesh" të korruptuara dhe të rrezikshme, siç i etiketon Bloomberg.

***

Së treti, skandali në fjalë na ndihmon ta zgjerojmë panoramën më shumë kur bie fjala tek situata në Evropë, e cila na prezantohet nga qeveria shqiptare si shkaku kryesor se përse ka ngecur integrimi i Shqipërisë. Historia e Partisë së Lirisë dhe skandaleve të saj daton që prej viteve '60 të shekullit të shkuar. Evropa ka njohur vazhdimisht situata të tilla dhe kjo që po përjetojmë tani nuk është as e para dhe as më e rënda, siç po na thonë qeveritarët. Para një dekade, teksa shkruante në gazetën "Bild" në një letër të hapur historike, ish-kancelari gjerman Helmut Kohl theksonte se rruga e Evropës së bashkuar ka qenë gjithmonë shumë e vështirë. Sidomos në vitin 2008, Unioni njohu momente krize që vijnë njëherë në shekull ndoshta. A e imagjinoni për një moment sikur Edi Rama të ishte kryeministër gjatë kësaj kohe se çfarë mund të kishte shpikur?

***

Së fundmi dhe ndoshta më e rëndësishme, shqiptarët duhet të mësojnë se kur bie fjala tek vlerësimi i një qeverisje, atje në majë të hierarkisë së gjykimit qëndrojnë skandalet. Mjafton një skandal për të rrëzuar një qeveri. Nisur nga ky kut, kjo qeveri do të ishte rrëzuar kushedi sa herë. Fjala bie, nëse ministri i Brendshëm i një qeverie të huaj do ishte nën akuzë për lidhje të tilla me krimin e organizuar (vetë Saimir Tahiri thotë se akuzat i ka njësoj si të Aldo Bares), ajo qeveri dhe ai kryeministër do ishin tretur në histori. Nëse do kishin dalë përgjime si këto të dosjeve 339 apo 184, ai kryeministër do ishte harruar tashmë.

***

Dhe, ka një arsye të fortë se përse kur dalin skandalet, bien qeveritë. Kjo jo vetëm për shkak se kanë dalë në shesh të palarat. Por, sepse duke u përpjekur të mbrosh një skandal, duhet të deformosh të gjithë demokracinë, duke e vendosur sistemin nën kontroll. Fillimisht duhet të vësh median nën kontroll për të treguar se skandali nuk është ashtu siç duket. Pastaj duhet të vendosësh nën kontroll drejtësinë për të treguar se nuk është konsumuar ndonjë krim. Pastaj duhet të kapësh Parlamentin për të mos i lënë shteg legjislativit të kryejë funksionet e tij të kontrollit dhe balancës mbi ekzekutivin. Pastaj duhet të masakrosh opozitën që ajo të mos jetë më zëri i vetëm që mbron demokracinë. Pastaj duhet të tredhësh intelektualët dhe elitën që të mos shohin as gjurmët dhe as ujkun. Pastaj duhet të vësh në rresht të gjithë njerëzit në parti për të mos lejuar pipëtima kundër. E, në fund, pasi i ke bërë të gjitha këto, të shpërthen një krizë si kjo aktualja ku të gjitha deformimet e demokracisë vetëm sa vijnë e shumëfishohen. Kjo është arsyeja se përse skandalet janë në majë të vlerësimit për një qeverisje: Për t'i ndalur rrugën efektit domino të shtrembërimit të demokracisë që na çon në këtë pikë ku jemi tani. Të keqes duhet t'ia presësh kokën që në fillim. Tani është thjesht shumë, shumë vonë. /Mapo/

The post Etaloni i së keqes në Evropë: "Jemi bërë si Shqipëria"! appeared first on Telegrafi.

Krimi serb në Burgun e Dubravës

Posted: 21 May 2019 12:01 AM PDT

Për krimet e tmerrshme serbe mbi shqiptarë në Kosovë, është shkruar shumë herë nga njerëz joprofesionistë, dhe më shumë herë sa për të bërë emër ndonjë gazetar. Janë dëgjuar shumë rrëfime nga distanca, por shënime me fakte ka pasur pak. Edhe kur ka pasur fakte, ato shumë herë janë anashkaluar me qellim, apo për shkaqe politike.

Duhet pranuar botërisht se politika ndaloi publikimin e shumicës se fakteve të tmerrshme nga lufta e fundit në Kosovë. Gati çdo shënim është shkruar larg nga ngjarja. Kryesisht ishin shënime të improvizuara dhe, në shumë raste, ka pasur jo pak trillime. Në shumicën e shkrimeve nga distanca nuk kanë munguar edhe plot të pavërteta, që jo pak herë kanë dëmtuar rëndë faktet. Edhe kur dikush nga gazetarët e kohës ka pasur rast të shoh viktimat, shumë herë, qoftë edhe me qëllimin më të mirë, nuk ka shënuar faktet relevante, gjë që dëshmon mungesën e profesionalizmit.

Ekzistojnë më shumë se tri organizata të vendit që kishin për detyrë evidencimin e saktë të viktimave të luftës, duke filluar nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Nëse dikush interesohet për këtë, do të shohë se asnjëra evidencë e këtyre organizatave nuk përputhet me evidencën e tjetrës. Mospërputhja e numrit të viktimave në këto statistika, qoftë edhe për një viktimë, vë në dyshim edhe numrin real të të vrarëve, e të mos flasim për klasifikimin eventual të viktimave. Këtë mund ta vërtetojë çdo njeri i interesuar edhe nëpër publikimet e shumta të këtyre organizatave. Mospërputhja e statistikave ndonjëherë është e madhe dhe pranohet me rezervë nga çdo organizatë relevante ndërkombëtare.

Është tepër me rendësi të dihet numri i saktë i të vrarëve, pasi krimi duhet dëshmuar me fakte, me numër dhe me emër në rast së flasim për gjykimin e krimeve të luftës. Ndryshe, krejt çka flitet përmendesh, në gjykatë nuk merret parasysh si fakt. Është lehtë të formohen, jo një, po më shumë gjykata, por ato asnjëherë nuk kanë për të bërë diçka me vlerë pa fakte. Sa herë flasim për gjykime, nuk duhet të harrojmë faktet. Sapo harrohen faktet, apo nëse i kemi trilluar ato, gjykimi do të jetë farsë dhe nuk do ketë epilog të duhur asnjëherë.

Sot në Kosovë ka aq shumë gjykata dhe pikërisht njerëzit e dëmtuar, jo pak herë, as nuk dinë cilës t'i drejtohen. Kur kemi ndërmend Gjykatën e Apelit, ata që rastësisht janë dënuar, janë liruar menjëherë. Prandaj, krejt këto zhurma të politikës nëpër medie, në fund dalin shterpë.

Duke shkuar gjurmëve të shkrimeve të gazetarëve për krimin serb në Burgun e Dubrava, gjatë luftës ku u vranë 93 e u plagosën 200 shqiptarë (sipas shënimeve zyrtare serbe), shihet se dikush ka mundur të ketë qasje më të afërt në dokumentet relevante, pasi krimi ishte kryer nga shteti i cili aso kohe ishte përgjegjës për burggjet.

Pasi doli në shesh një padi kundër shtetit serb nga Fondi për të Drejtën Humanitare, dikush nga pushteti kishte lejuar gazetar profesionist serbë, të javores "Vreme", të shohin edhe dokumente relevante për krimin në Dubravë. Gazetari, megjithëse zë në gojë dy raporte zyrtare për ngjarjen, në asnjërin rast nuk i jep emrat e atyre që i kanë hartuar ato, por nga shënimi kuptohet qartë se kush ishin. Lexuesi normal duhet ta kuptojë këtë fakt, pasi edhe gazetari i përmendur ndjehej i rrezikuar po të publikonte emrat e përgjegjësve. Thjeshtë e qartë: si atëherë, edhe sot gjithçka komandohet nga politika.

Për të zbardhur më mirë ngjarjen dhe përgjegjësit, gazetari shënon shumë gjera, por që të gjitha ua atribuon po atyre raporteve zyrtare të cilat i ka parë vet. Kjo është krejt normale, pasi ai e kupton se spekulimet dhe rrenat nuk i pranon askush. Në këtë raport profesionist, megjithëse fshihen shumë gjëra më rëndësi, mund të nxirren lehtë edhe mjaftë fakte që ka parë gazetari.

Dihet konkretisht se kush u mor nga burgjet e Serbisë dhe u soll në Dubravë, me të vetmin qellim për të vrarë shqiptarët e burgosur. Në raportin e përmendur janë shënuar edhe emrat konkret të kriminelëve serbë, që aso kohe ishin duke vuajtur dënime të rënda në Burgun e Pozharevcit, por pushteti serb i merr prej aty, i armatosi mirë dhe i paguan për vrasjen e shqiptarëve në Dubravë. Pasi kryen detyrën, morën edhe shpërblimet që ua kishin premtuar dhe nuk u kthyen më në burg. Vetëm këto fakte që përmenden në shkrim, kanë qenë të mjaftueshme për ngritjen e cilësdo akuzë. Kriminelet që vranë të burgosurit shqiptarë, Serbia i di me emër e mbiemër, bile edhe armët me të cilat kanë vrarë se për ato ekzistojnë edhe reversët e nënshkruara nga secili prej tyre.

E ashtuquajtura Prokurori e Krimeve të Luftës në Serbi, thuhet se vetëm pas tre vjetësh ka kuptuar për këtë ngjarje dhe ka filluar të merret me rastin. Prokuroria bëri të ditur se në kohën kritike, nga Burgu Korrektues i Pozharevcit, për në Burgun Korrektues Dubrava janë dërguar një grup të burgosurish te dënuar për vepra të renda penale. Nga ky grup, së paku 13 prej tyre ishin të dënuar (shumica jo me më pak se 20 vjet burg të rëndë). Paralel me këta të dënuar, transportohet dërgesa me armë prej 39 pushkësh automatike, 12 mitralozë dhe një sasi e konsiderueshme bombash të dorës dhe municion, të gjitha këto nga rezervat e Pozharevcit, destinuar për rojet e Burgut në Istog. Armët janë evidencuar dhe nënshkruar. Theksohen emrat e trembëdhjetë të dënuarve serbë, por jo të të gjithë atyre që morën pjesë në ketë masakër. Numri i armëve dëshmon për shumë më tepër të armatosur për këtë qellim. Sidoqoftë, thuhet se atyre trembëdhjetë vetave u janë ndare armët e përmendura dhe se ata janë ngarkuar me to, për çka ekzistojnë reversët dhe nënshkrimet. Atëherë ka filluar masakrimi: sipas njohurive të Prokurorisë serbe, së paku 93 të dënuar janë vrarë në vend dhe 200 janë plagosur.

Në çastin e bombardimit të parë të aeroplanëve të NATO-s, sipas raportit të Sigurimit Shtetëror Serb, në burg ishin 1004 të burgosur, 95 për qind të të cilëve ishin të nacionalitetit shqiptar, por askund nuk thuhet se për çfarë akuzash ishin të dënuar.

Kosova zor se mund të merret me gjykimin e krimeve serbe, kur përgjegjës për sigurinë në Kosovë aso kohe ishte shteti serb dhe dihet mirë se për çka u formua Gjykata e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Por, a duhet të themelohen gjykata të reja, të cilat së pari duhet të konstruktojnë ngjarjet që kanë ndodhur para 20 e më shumë vjetësh, kjo sot duket krejt utopi? Mund të themelohen edhe shumë gjykata, por ato veçse do ta dëmtojnë edhe më shumë Buxhetin e Kosovës.

The post Krimi serb në Burgun e Dubravës appeared first on Telegrafi.

Shteti në ankand

Posted: 20 May 2019 11:04 AM PDT

Ilaz Hysaj

Qenia njerëzore është ndërtuar në dy principe bazike:

1. Plotësimin e nevojave themelore, pra ushqim, banim dhe reprodukim që sigurojnë mbijetesën apo vazhdimësinë (niveli i primatit që e kanë edhe kafshët):

2. Plotësimin e nevojave tjera që lidhen me zhvillimet intelektuale, konjiktive, sociale etj. (që rriten në mënyrë progresive në funksion te evoluimit).

Sipas kësaj logjike, njeriu, pasi të plotësojë nevojat e primatit do të kërkojë të plotësohet edhe me nevojat tjera që i përmenda, me një theks të veçantë në ato që nuk i ka.

Po e marr shembull pjesëtarët e popullin hebre, të cilët u dëbuan nga vendet e tyre para 2000 vjetëve dhe brodhën nëpër botë. Ata arritën jo vetëm të bëjnë paranë, por edhe të bëhen zotërues të saj në pjesën më të madhe të botës.

Por, ata nuk kishin atdhe dhe për ta plotësuar këtë nevojë të madhe e dhanë paranë për ta blerë dhe krijuar shtetin për të cilin edhe sot japin para dhe jetë njerëzish për t’a mbajtur..

Shqiptarët etnikë të Kosovës nuk e kishin shtetin e vet dhe që nga 1912-ta u përpoqën që ta krijojnë atë. Në vitet e '90-ta do të krijohet një lëvizje e fuqishme shtetformuese ku shqiptarët edhe do të japin pak pare (trepërqindëshin) për këtë lëvizje.

Shqiptarët e Shqipërisë e kishin një shtet nga 1912-ta, por që kurrë nuk arriti të jetë i mirëfilltë dhe nuk krijoi mirëqenie, as materiale e as shpirtërore – bile nga fundi prodhoi një varfëri ekstreme që zhveshi popullin e vet edhe nga dinjiteti.

Pra, në këto rrethana, pas shembjes së diktaturës në Shqipëri, si bruto produkt do te dalë një klasë politike e uritur që për prioritet nuk do ta ketë shtetin e as popullin, por plotësimin e asaj që atyre u mungonte, pra lekun, për të cilin çdo veprim është "legjitim"!

Në Kosovë, klasa politike e cila doli nga lufta, kishte të njëjtat prioritete si klasa politike në Shqipëri, pra markën gjermane, dhe asnjë respekt dhe kujdesi për lirinë e cila na erdhi si një "dhuratë" karshi organizimit tonë të paktë dhe kaotik për ta merituar atë.

Që të dyja palët shpejtë e kaluan fazën e nevojave të primatit dhe nisën odisejadën e pandalshme dhe të pangopshme të plotësimit të kërkesave dytësore të cilat morën përmasat e patologjisë e që në mjekësi njihet me emrin "Bulimi", apo uri e përhershme, që edhe nëse e ke plancin plotë, të detyron me vjell për ta mbushur atë prapë deri në "infinit". Pra, është një çrregullim mental ku qendra e trurit që merr sinjale nga receptorët e lukthit se ai është mbushur plot dhe nuk ka nevojë me hangër më, nuk funksionon dhe truri kërkon gjithmonë ta mbushë barkun deri në pëlcitje.

Po të vështrohen sjelljet e politikanëve në të dyja anët, saktësisht jemi në patologjinë e bulimisë politike, ku kjo klasë ka krijuar miliona dhe nuk dinë të ndalen. Dhe, në këtë stad për të plotësuar urinë e tmerrshme dhe kronike ata e qesin veten në ankand dhe shesin çdo gjë që shitet: moralin, fëminë, gruan, shtetin. Dhe, mund të konstatojmë se gati nuk ka politikan shqiptar që nuk shitet.
Ai mund të shitet për çdokënd, varet se kush jep më shumë, bash si n’ankand. Dhe, çmimi i tyre përcaktohet nga vlera e asaj çka shet. Ata që shesin patriotizëm, për shembull, nuk i blen kush se është "dépassé" dhe gjithkush po e shet, por ata që shesin tokë dhe shtet në bursën aktuale të ankandit e kanë çmimin më të lartë – duke harruar se me tokën dhe shtetin e shitur do të shkojnë edhe ata vetë.

The post Shteti në ankand appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more