Skip to main content

“Garë solidariteti për Notre Dame, mblidhen mbi 700 milionë euro” plus 9 more - Gazeta Dita

“Garë solidariteti për Notre Dame, mblidhen mbi 700 milionë euro” plus 9 more - Gazeta Dita


Garë solidariteti për Notre Dame, mblidhen mbi 700 milionë euro

Posted: 18 Apr 2019 03:12 AM PDT

Kompani dhe biznesmenë të njohur vijojnë garën e solidaritetit për rindërtimin e katedrales Notre Dame në Paris.

Shuma e dhuruar deri më tani ka shkuar mbi 700 milionë euro. Shqipëria dhe Kosova janë bërë pjesë e dhënies së kontributit financiar për rindërtimin e katedrales 850-vjeçare.

Tirana dhuroi 100 mijë euro, ndërsa Prishtina nuk e ka bërë të ditur shumën e dhuruar. Dy shtetet iu përgjigjën thirrjes së presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk për t'i ardhur në ndihmë Francës, në këtë moment të vështirë.

Një ditë më parë, presidenti Emmanuel Macron u shpreh se rindërtimi i katedrales do të përfundojë brenda 5 viteve.

Ai kërkoi që populli francez të bëhet bashkë për të rindërtuar simbolin e tyre kombëtar, që pësoi dëmtime të mëdha për shkak të zjarrit.

"Ne jemi popull ndërtuesish. Kemi shumë për të bërë, kështu që po, do ta rindërtojmë katedralen e Notre Damit. Do ta bëjmë atë dhe më të bukur dhe unë dëshiroj që kjo të bëhet brenda 5 viteve. Ne do ta rindërtojmë atë dhe do të mobilizohemi", u shpreh Macron.

l.h/ dita

Liria e medias/ Kosova përmirësime, 3 vende më lart se 1 vit më parë

Posted: 18 Apr 2019 03:08 AM PDT

Organizata "Gazetarët pa kufij", me seli në Paris, në raportin për lirinë e medies vlerëson se urrejtja ndaj gazetarëve në nivel botëror është shndërruar në dhunë duke nxitur shtimin e frikës.

Sipas raportit Kosova radhitet në vendin e 75-të, tre vende më mirë sesa një vit me parë.

"Situata politike në Kosovë u bë më e tensionuar dhe me e paqëndrueshme në vitin 2018, si rezultat i afrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la qeverinë e Kosovës në një izolim diplomatik. Mungesa e transparencës së qeverisë mbi marrëdhëniet me Evropën, nxitën reagime të fuqishme të publikut dhe gazetarëve", thuhet në raport.

Raporti thekson se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa qeveria ka akuzuar gazetarët se janë "tradhtarë" ose "simpatizantë të serbëve".

Në raport theksohet se "ndarjet etnike në Kosovë janë burim i problemeve mjaft shqetësuese për gazetarët e pakicës serbe. Mediet e këtij komuniteti janë shpesh shënjestër e sulmeve verbale, atyre kibernetike dhe fushatave të medieve pro qeveritare".

Por raporti thekson se "peizazhi media është relativisht pluralist – të paktën në shikim të parë – dhe shumë media kanë pronarë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që siguron politika editoriale dhe opinione më të shumëllojshme".

o.j/dita

16-vjeçarët e Shqipërisë mposhten nga Turqia

Posted: 18 Apr 2019 03:01 AM PDT

Kombëtarja Shqiptare e 16-vjeçarëve, e drejtuar nga Elvin Beqiri, ka humbur ndeshjen e dytë në turneun "International U-16 Tournament" ndaj bashkëmoshatarëve të Turqisë me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar nga Burak Ince.

Shqipëria U-16 zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Simoni; Abazaj; Pano; Kurbasha; Neziri; Kote; Kreka; Stafa; Halili; Bajraktari; Çereni. Në pjesën e parë është luajtur një futboll i kujdesshëm, të dyja skuadrat studiuan njëra-tjetrën për të gjetur hapësira, pa raste të shumta shënimi. Në fundin e pjesës së parë Turqia shënoi me anë të Ince, në minutën e 40-të.

Pjesa e dytë nisi me sulme nga ana e kuqezinjve të vegjël, që kërkuan me ngulm golin e barazimit, por pa arritur të ndryshonin fatin e ndeshjes.

Turneu i kuqezinjve të vegjël mbyllet nesër, në orën 15:00, me ndeshjen që skuadra e Beqirit do të luajë ndaj Lituanisë.

o.j/dita

Hajdari flet si kryetare Grupi: Zgjedhjet e qershorit të mos bojkotohen!

Posted: 18 Apr 2019 02:59 AM PDT

Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike Rudina Hajdari, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

Nga foltorja e Kuvendit, Hajdari është shprehur se grupi që ajo përfaqëson do të shpalosë alternativën për ndryshimin e sistemit.

"Ky grup ka bindjen e fortë se do dalë kundra ndryshimeve kushtetuese të bëra në 2008 që sollën degradimin e sistemit zgjedhor.

Jemi të hapur për të gjetur sistemin më të parshtatshëm. Kjo është kauza jonë e vetme dhe më e rëndësishmja.

Ne jemi për përfaqësim nga populli. Ne nuk duam në asnjë mënyrë t'i bojkotojmë zgjedhjet e qershorit. Koha nuk është në favorin tonë.

Ftoj gjithashtu që të mos bojkotohen zgjedhjet.

Ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike dhe të qëndrojmë brenda kushtetutës. Ftoj çdo lloj demokrat që të na përkrahë.

Po përgatitemi dhe do marrim çdo lloj mase të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën.

Të na përkrahin demokratët që të ndryshojmë sistemin, të hapim rrugën për një garë reale, në këtë parlament, t'i japim fund këtij sistemi që e ka kalbur demokracinë në këtë vend", u shpreh Rudina Hajdari.

l.h/dita

OSBE/ODIHR, 250 vëzhgues më 30 qershor: Ka mosbesim mes partive 

Posted: 18 Apr 2019 02:42 AM PDT

OSBE/ODIHR pritet të sjellë në Shqipëri, 250 vëzhgues për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në raportin për nevojën e vëzhgimit të zgjedhjeve, OSBE/ODIHR vlerëson se në Shqipëri ka mosbesim e polarizim mes partive, situatë e cila mund të ndikojë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Shumica e bashkëbiseduesve të ODIHR nënvizuan një shkallë të lartë të polarizimit dhe mosbesimit midis tyre, partitë politike dhe politizimi i institucioneve të cilat mund të ndikojnë negativisht në sjelljen e zgjedhjeve. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se do të merren të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe për të pranuar rekomandimet e vëzhguesve të OSBE.

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit do të zhvillohen pas një vendimi të pashembullt të opozitës në parlament për të hequr dorë nga mandatet e tyre. Më tej, opozita organizoi një seri protestash që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe thirrjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qeveria i hodhi poshtë këto kërkesa. Përplasjet politike në vend pezulluan reforma të rëndësishme, duke përfshirë edhe atë zgjedhore", thuhet në raport.

o.j/dita

Skllevërit nuk e meritojnë lirinë

Posted: 18 Apr 2019 02:37 AM PDT

Skllevër e bij skllevrish,

më kot që frymoni,

më shumë se një turp,

s'mund të meritoni!

 

Skllevër e bij skllevrish,

racë e shpëlaré,

këtu-nga pushteti,

janë vrarë shqiptarë!

 

Janë vrarë shqiptarë,

m'u në mes të ditës,

dhe ju për Berishën,

u bëtë rrufepritës!

 

 

Skllevër e bij skllevrish,

maskarenj të lindur,

që jini të tillë,

kam qenë shumë i bindur!

 

Kam qenë shumë i bindur,

pedet kurrë s'u sosën,

ndaj bindjet e mija,

tani u vulosën!

 

Skllevër e bij skllevrish,

mbetët duke lehur,

As edhe një plumb,

gjer tani s'është shkrehur!

 

Sala, gjak- gëzhoja,

e mbushi gjithë sheshin,

ju vetëm për gazin,

Çfarë s'thoni për Lleshin

 

Skllevër e bij skllevrish,

ti pise-ti pis,

ky gaz po përdoret,

në Londër-Paris!

 

O skllevër bij skllevrish,

lukuni me gore,

e ka në komplet,

Bota Perëndimore!

 

Skllevër e bij skllevrish,

e dimë kush u cyt,

po qentë rrugaçë,

ky gaz nuk i mbyt!

 

Kundër policisë,

hedhin mjete plot,

epo-bythë e plasur,

se derdhën ca lot!

 

Gjithë këto protesta,

qindra halabakë,

dhe nuk është derdhur,

as një pikë gjak!

 

Skllevër e bij skllevrish,

brenda në Tiranë,

po këta policët,

a s'janë djemtë tanë?!.

 

A s'janë bijtë tanë,

heronj të vërtetë,

që jetën e pjerdhur,

u'a mbrojnë me jetë!?

 

Kur hallet ju zënë,

tek ata vraponi,

tani-qelbësira,

shani-i mallkoni!

 

Kini qënë dhe jini,

turp për Shqipërinë,

dhe s'e meritoni,

o skllevër-lirinë!

 

A.Duka

 

Fillimi i fundit të neofashistëve

Posted: 18 Apr 2019 02:20 AM PDT

Nga Xhevdet Shehu

Debati i gjatë i kohëve të fundit në gazetën DITA mbi një projekt-rezolutë të propozuar prej drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufës, ka ngjallur një reagim si rrallëherë.  Projekt-rezoluta e këtij Instituti, ku përbaltej Lufta Antifashiste dhe dëshmorët e saj ishte menduar të kalohej sot për diskutim dhe miratim në seancën parlamentare të radhës. Burime shumë të besueshme i thanë dje DITA-s se kjo nuk do të kalojë dhe nuk do të miratohet në seancën e sotme plenare.

I pari që u ngrit publikisht kundër kësaj rezolute ishte deputeti Spartak Braho. Në një intervistë që ai dha për gazetën tonë më 2 prill, Braho u shpreh prerazi se "Unë si deputet, si një familje dëshmorësh, nuk do të lejoj kurrë nxirjen e të vërtetave historike dhe të hidhet baltë mbi atë luftë të lavdishme dhe dëshmorët e saj.  Ai, pra Tufa ka bërë një rezolutë në emër të një institucioni shtetëror dhe kërkon që këtë t'ia miratojë parlamenti. Është një rezolutë kundër luftës antifashiste dhe unë nuk mund të pranoj që ajo rezolutë të miratohet nga Kuvendi… Paraardhësit e mi i kanë larë hesapet me ballistët këtu e 75 vjet më parë. Por edhe unë i kam larë hesapet me pinjollët e ballistëve njëherë e mirë. Jam familje dëshmori unë dhe nuk do të lejojë që një Tufë apo disa tufa të hedhin baltë mbi një histori që është larë me gjak,mbi një luftë që ka shpëtuar Shqipërinë."

Ky ishte qëndrimi i deputetit Braho, një qëndrim që u përforcua në ditët në vijim me disa intervista të tij për këtë çështje. Sidomos një listë me 265 emra udhëheqësish të asaj lufte antifashiste dhe të dëshmorëve të saj, të cilët instituti i Tufës i konsideron kriminelë, shkaktoi një reagim kundërshtues të paparë. Ajo listë indinjoi pjesëmarrësit e asaj lufte, familjet e dëshmorëve dhe opinionin më të shëndoshë shqiptar. Reagoi dje Organizata e Dëshmorëve, sot edhe Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ-it.

Mendojmë se ishte ky reagim që shkaktoi këtë tërheqje nga diskutimi i kësaj rezolute kundër Luftës Antifashiste në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut.

Por a mund të konsiderohet kjo një disfatë për ata që tashmë konsiderohen rëndom si neofashistë?

Dje kam pirë një kafe me deputetin Spartak Braho dhe kreun e veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçi. Ata ndanë të njëjtin mendim se ky është një hap përpara, por nuk mund të konsiderohet sukses. As dhe si mbyllje e këtij debati. Veprimtaria e këtij instituti të Tufës është kundërligjshme dhe për më tepër financohet nga qeveria socialiste. Ky është një paradoks i paparë. Himnizimi i kolaboracionistëve dhe nderimi për ta, duke poshtëruar heronjtë e vërtetë të luftës sonë antifashiste është një akt i pafalshëm dhe nuk duhet lejuar më tej.

Në deklaratën e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it që po botojmë sot i kërkohet Kuvendit dhe Qeverisë as më shumë e as më pak por shkarkimi nga detyra i Agron Tufës dhe abrogimi i institutit të kthyer në çerdhe të neofashistëve e neonazistëve, që me sulme e provokime antiligjore po rivret heronjtë e dëshmorët e LANÇ dhe historinë e lavdishme të saj.

Deputeti Braho e konsideron këtë një kërkesë normale dhe të arsyeshme, ndërsa shton se për Tufën dhe institutin e tij nuk janë thënë të gjitha. Dje nga ish-ambasadori ynë në Federatën Ruse dolën lidhjet e dyshimta të Tufës në Moskë dhe për një pseudonim që ai mbante atje.

Braho pyet: Të jetë kjo e vetmja arsye që Tufa nuk ka certifikatë sigurie? Nuk besoj. Duhet të ketë edhe të tjera punë të pista të tij që duhet dhe do të dalin në dritë ndonjë ditë. Ndoshta mund të ketë edhe lidhje të tjera me fundamentalizmin islamik…

Prandaj kjo nuk mund të quhet një çështje e mbyllur. Në një intervistë të para pak ditëve deputeti Braho i quajti Tufën dhe punonjësit e këtij instituti si vrasës me pagesë. Ata i kanë bërë dhe i bëjnë çdo ditë atentat pjesës më të ndritur të historisë sonë. Dhe këtë e bëjnë duke marrë miliona nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama.

Në fund të fundit, Agron Tufa është një individ. Mbase nuk evlen të merret aq shumë me një individ. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një fenomen, me një dukuri të rrezikshme që kërcënon shoqërinë shqiptare. Prandaj dhe ka kaq shumë diskutime dhe reagime.

Debati do të vazhdojë. Nga reagimet e deritanishme, nga telefonatat dhe mesazhet që kanë mbërritur në DITA, ky debat nuk është i lehtë për t'u mbyllur. Përderisa qeveria do të vazhdojë të heshtë dhe të financojë një institucion të tillë, përderisa parlamenti një herë vendos ta diskutojë, pastaj tërhiqet, por pa dhënë një shpjegim, duket që nuk kemi një qëndrim të qartë.  Madje ka një opinion se Edi Rama është më shumë në anën e ballistëve se sa të luftëtarëve antifashistë. Jemi në vitin e jubileut të 75-vjetorit të çlirimit dhe Edi Rama duhet t'ua lehtësojë këtë shqetësim dhe këtë dyshim që ngrenë mbështetësit e Partisë Socialiste. Jemi në një vit zgjedhor. Pas rehabilitimit që Edi Rama i bëri kryekolaboracionistit shqiptar, Mit'hat Frashërit, ende nuk kemi dëgjuar ndonjë fjalë vlerësuese nga ana e Kryeministrit për Luftën Antifashiste. Të jetë e rastësishme kjo? Mendojmë se jo. Të mos harrojmë se na ndajnë vetëm pak ditë nga 5 Maji, dita e dëshmorëve. Çfarë qëndrimi do të mbajë Kryeministri?

 

 ***

 

Deklaratë e Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Popullit Shqiptar

Kërkohet shkarkimi Agron Tufës dhe abrogimi i institutit që ai drejton

Ne jemi të mendimit, se me qëndrimin e papërgjegjshëm të Kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të tradhtisë së ballistëve e kolaboracionistëve, që i thur himne dhe e vendos në panteon një kryekolaboracionist, si Mit'hat Frashëri, dhe nuk merr asnjë vendim qeveritar për kremtimin e 75 Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, neofashistëve të tipit Tufa u janë ngritur puplat, zgjatur veshët dhe bëjnë gjithë ato të pabëra, ndërkohë që paguhen nga buxheti i shtetit

Nga organet e shtypit mësuam se ditën e enjte, më 18 prill 2019, është futur në programin e punimeve të Parlamentit një raportim i drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufës dhe miratimi i një rezolute të hartuar nga ky Institut, ku nxihet, njolloset, përlyhet, përbaltet dhe mohohet epopeja më e lavdishme, më e ndritur dhe më madhështorja në historinë e popullit tonë, siç është Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila siguroi lirinë dhe pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë. Pa atë luftë legjendare Shqipëria do të ishte shpërbërë, nuk do të kishte mbetur as 8 mijë km. katrore, nga synimet grabitqare të qarqeve shoviniste të fqinjëve.

Jo vetëm e hedhim poshtë me indinjatë të thellë këtë material antihistorik, antishkencor dhe antikombëtar, por e quajmë turp dhe faqe e zezë për vetë Parlamentin nëse pranon të dëgjojë broçkullat e një neofashisti me damkë siç është Agron Tufa, i cili merr guximin e paraqet në Parlament një paçavure siç është rezoluta e propozuar prej tij. Ashtu si rezoluta është edhe botimi i një libri me titull: "Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945", ku botohet edhe një listë me 265 emra të komandantëve dhe komisarëve legjendarë të njësive partizane, të luftëtarëve të pamposhtur, të heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që Instituti i Tufës i quan "kriminelë". Vetëm duke e lexuar këtë listë gjithkush do të bindet se deri ku shkojnë marrëzitë e tyre.

Se cilët ishin kriminelët dhe tradhtarët e Luftës së Dytë Botërore i përcaktoi dhe u dha dënimin e merituar Gjyqi i Nurembergut dhe gjyqet popullore të zhvilluara pas lufte. Qenë kriminelë tradhtarët dhe kolaboracionistët që u bashkuan me pushtuesit nazifashistë, bënë masakra në popull, luftuan bashkë me pushtuesit kundër forcave partizane, lyen duart e tyre të fëlliqura, ashtu si pushtuesit, me gjakun e kulluar të heronjve e dëshmorëve të LANÇ, bijve më të denjë e të pavdekshëm të popullit tone, që instituti i Tufës i quan "kriminelë". Barbarë e kriminelë gjatë viteve të luftës 1941-1945 ishin: Isa Toska, Isa Manastirliu, Kadri Cakrani, Halil Alija, Hamit Matjani, Mit'hat Frashëri e kompani, të njohur botërisht si të tillë dhe të flakur nga historia në koshin e plehrave. Neofashistët e institutit famëkeq të Tufës duan që këta kriminelë t'i bëjnë heronj dhe heronjtë e dëshmorët e asaj lufte legjendare t'i bëjë kriminelë! Ku, ku… deri ku arrin lajthitja dhe çoroditja e pinjollëve ballisto-zogistë. Ky nuk është vetëm turp i tyre, por edhe faj institucional që duhet çuar për hetim në Prokurori.

Instituti i Tufës me neofashistë është krijuar në vitin 2010 nga Sali Berisha dhe sot me ato çka vepron e çka boton është plotësisht në pozita antishqiptare e antiligjore. Emërtimi i këtij instituti me ligj është: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, të përcaktuar në kohë: 1945 -1990. Pra, nuk e përfshin Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ç'kërkon ky farë instituti me Luftën?! Nuk ka asnjë të drejtë të hartojë dhe të dërgojë për miratim në Parlament rezoluta "prostituta".  A nuk është kjo antiligjore dhe e dënueshme? Rrjedhimisht ky institut, me këto pjella të tradhtisë, pa asnjë mandat dhe pa asnjë të drejtë morale, politike dhe shkencore, në këtë vit jubilar të 75- Vjetorit të Çlirimit, ndërmerr këtë sulm të poshtër dhe të zi për të nxirë dhe hedhur baltë mbi LANÇ-in në emër të ashtuquajturave "pasoja të krimeve të komunizmit!".

Duke filluar nga viti 1990 e në vazhdim, në vitet e tranzicionit, nga pinjollët e kolaboracionistëve dhe neofashistëve janë ndërmarrë shumë sulme e provokacione ndaj LANÇ-it, me prapavijë armiqësore. Bëmat e këtij instituti famëkeq, me botime antishkencore e antihistorike dhe rezolutën e tij, sulmet dhe provokacionet antishqiptare arrijnë kulmin. Për këto qëndrime antikombëtare, antihistorike e antishkencore kundër LANÇ, ne shprehemi kategorikisht kundër dhe kërkojmë që ky institut të shkrihet sa më parë dhe të mbahet qëndrim ligjor ndaj bëmave të tij. Këtë duhet të bëjë Parlamenti dhe jo të dëgjojë broçkullat e Tufës e të shqyrtojë projektligje të hartuara prej këtij instituti që kërkon të përmbysë historinë më të lavdishme të popullit tonë. Me paratë e buxhetit të shtetit, të taksapaguesve, me të cilat paguhen rrogat e majme të punonjësve të këtij palo instituti dhe botimet paçavure të tij, mendojmë se është më e drejtë të restaurohen lapidarët dhe përmendoret e heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ, pllakat e Bazave të Luftës, Varrezat e Dëshmorëve dhe të përkujtohen ngjarjet e datat e mëdha historike.

Ne jemi të mendimit, se me qëndrimin e papërgjegjshëm të Kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të tradhtisë së ballistëve e kolaboracionistëve, që i thur himne dhe e vendos në panteon një kryekolaboracionist, si Mit'hat Frashëri, dhe nuk merr asnjë vendim qeveritar për kremtimin e 75 Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, neofashistëve të tipit Tufa u janë ngritur puplat, zgjatur veshët dhe bëjnë gjithë ato të pabëra, ndërkohë që paguhen nga buxheti i shtetit. Ata lehin si zagari hënës. Këto lehje janë kot, se kriminelët s'bëhen dot atdhetarë e patriotë!

Ne jemi të mendimit se çdo deputet i Parlamentit, qoftë i majtë apo i djathtë, që i thotë vetes shqiptar  dhe vlerëson e mbron epopenë më të lavdishme të popullit tone, LANÇ, për falsifikimet dhe provokimet e këtij instituti, duhet pa asnjë hezitim të mbështesë Deklaratën e Veteranëve të Luftës Çlirimtare, dhe pa hezitim ta heqë nga Rendi i Ditës, duke e hedhur poshtë me neveri atë paçavure rezolute. Parlamenti  të miratojë shkarkimin nga detyra të Agron Tufës dhe abrogimin e institutit të kthyer në çerdhe të neofashistëve e neonazistëve, që me sulme e provokime antiligjore po rivret heronjtë e dëshmorët e LANÇ dhe historinë e lavdishme të saj.

Nëse Parlamenti do të shqyrtojë dhe miratojë rezolutën e Tufës, kjo do të ishte njolla më e zezë në historinë e Parlamentit Shqiptar. Organizata e Veteranëve të LANÇ, që ka në gjirin e saj mijëra e mijëra veteranë e pasardhës të tyre dhe mijëra e mijëra simpantizantë nga familjet e dëshmorëve, bazave të Luftës dhe të familjeve të veteranëve të ndarë nga jeta, do të detyrohet të shikojë qëndrimin e saj ndaj Parlamentit dhe ndaj Qeverisë, që e kemi votuar në Qershor të vitit 1917, sepse për ne janë të shenjta vlerat atdhetare të LANÇ-it dhe historia e lavdishme e popullit shqiptar.

 

ORGANIZATA E VETERANËVE TË LANÇ

TË POPULLIT SHQIPTAR

 

Tiranë, 17.04.2019

Rinasi/ Murrizi: Kush e ka karremin në fyt që s’e anuloni dot kontratën që keni bërë

Posted: 18 Apr 2019 02:17 AM PDT

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD, Myslim Murrizi, i është drejtuar ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke i kërkuar që të mbajë përgjegjësinë që i takon për ngjarjen e grabitjes së milionave eurove në Rinas.

"Kush e ka karremin në fyt që nuk anuloni dot kontratën që keni bërë, një aeroport kemi ne, nuk kemi disa", tha ai.

"Nëse merreni me atë që hedhin bojë, apo urinojnë nëpër lulishte, nuk ju shtyn kureshtja që të shihni kush punon në Aeoroport, këta që ju heqin rripin e pantallonave shqiptarëve, që ju vjedhin celularët, që ju heqin fasulet dhe gjelin e detit, nuk keni ju fare të dhëna… Grabitja ka pasur kallauzë nga brenda, ju ça na thoni ka pas informatorë aty apo jo, gjithçka ka ndodhur në 2 minuta e 30 sekonda, kush është kjo kompani që nuk i hap derën FNSH", është shprehur ai ndër të tjera.

 

Kishte përshkruar flakët që do të gllabëronin “Notre Dame”, libri i Viktor Hygo arrin rekord shitjesh

Posted: 18 Apr 2019 02:08 AM PDT

Viktor Hygo e kishte përshkruar me një përpikmëri frikësuese momentin që flakët do të gllabëronin Katedralen ikonë të Parisit, "Notre Dame", në romanin e shkruar në vitin 1831.

Tani, njerëzit duket i janë kthyer pikërisht letërsisë për t'i ndihmuar të vajtojnë "Notre Dame"-in.

"Katedralja e Parisit" e Hygoit u shndërrua në librin më të shitur në "Amazon" pas shkatërrimit të pjesshëm të saj nga flakët. Gjenialiteti i shkrimtarit të madh po merret për profeci, por ndërkohë teoritë konspirative këmbëngulin se ka një profeci të vërtetë në këtë mes, atë të Nostradamusit, që e ka parashikuar sipas tyre këtë ditë.

"'Zonja jonë' do të qajë për të gjithë ne dhe do të shkëlqejë në distancë. Me ardhjen e pranverës, një kishë e të gjitha kohërave do të digjet për mëkatarët", thuhet të ketë shkruar ai, duke parashikuar kështu djegien e katedrales.

Ngjashmëria është e madhe mes asaj që panë sytë e të gjithë botës, pasditen e së hënës, dhe përshkrimit që i bën gjiganti i letrave franceze, momentit kur Quasimodo përdor zjarrin dhe gurët për të luftuar me turmën poshtë, me bindjen se kështu do të shpëtonte Esmeraldën.

"Sytë e të gjithëve ishin drejtuar te maja e katedrales. Ajo që po shihnin tani ishte diçka e jashtëzakonshme. Në galerinë më të lartë, përmbi rozetën qendrore, dukej një flakë e madhe që ngrihej ndërmjet dy kambanareve në një vorbull shkëndijash; ishte një flakë e madhe, e çrregullt dhe e furishme, së cilës era i rrëmbente herë-herë ndonjë thekë, së bashku me tymin. Nën atë flakë, përfund parmakut të errët me tërfila vezullues, dy ullukë që dukeshin si dy gryka përbindëshash villnin pa pushim atë shi të zjarrtë, currilet e argjendta të të cilit shndritnin në pjesën e poshtme të zymtë të fasadës".

l.h/ dita

Kalon testin e Vetingut, rikonfirmohet në detyrë gjyqtarja e Lushnjës

Posted: 18 Apr 2019 01:54 AM PDT

Kryetarja e Gjykatës së rrethit Gjyqësor Lushnje, Esmeralda Çeka është rikonfirmuar në detyrë.

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka vendosur se Esmeralda Çeka kalon me sukses testin e vettingut.

Çeka rezultoi e pastër në tre kriteret, atë të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit profesional.

l.h/ dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more