Skip to main content

“Situata politike/ Ambasadori britanik tjetër takim me Bashën” plus 9 more - Gazeta Dita

“Situata politike/ Ambasadori britanik tjetër takim me Bashën” plus 9 more - Gazeta Dita


Situata politike/ Ambasadori britanik tjetër takim me Bashën

Posted: 22 Mar 2019 02:59 AM PDT

Ambasadori britanik në Tiranë dhe kreu i PD kanë zhvilluar një takim paraditen e së premtes.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë selisë blu, ndërsa biseda Norman-Basha mësohet se lidhet me aktualitetin politik.

Ky takim vjen pak orë pas kthimit të Lulzim Bashës nga takimet me Partitë Popullore Europiane.

Ndërkohë që diplomati i lartë, Duncan Norman, ka qenë një nga zërat kritikë për protestat e dhunshme.

"E drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore; dhuna e minon demokracinë. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të tregojnë përmbajtje, të respektojnë institucionet demokratike dhe të parimit të paqes" – tha Norman pak ditë më parë.

l.h/ dita

Brexit-i u shty! Shtetet që dalin me humbje dhe ato që përfitojnë

Posted: 22 Mar 2019 02:44 AM PDT

Brexit-i u shty! Dhe krerëve të BE-së të mbledhur në Bruksel sërish u ra një gur nga zemra. Sepse BE-ja dhe shtetet e saj dalin me humbje nga një Brexit-i i menjëhershëm. Por ka edhe ca që përfitojnë.

Gjermania do të vuante nga pasojat e një Brexit-i të pakontrolluar. Prodhimi i brendshëm bruto për banor në Gjermani do të ulej  me 115 euro në vit. Vetëm Britania e Madhe do të kishte humbje më të mëdha, konfirmon një studim i Fondacionit Bertelsmann të publikuar të enjten (21.03.). Arsyet për këtë lidhen me afrinë gjeografike dhe lidhjet e shumta të ekonomisë gjermane të orientuar nga eksporti.

Gjermania do të humbiste 10 miliardë euro të ardhura në vit, një vlerë që i përgjigjet 0,3% të prodhimit të brendshëm bruto, thotë bashkautori i studimit, Dominic Ponattu. Vetëm Britania e Madhe do të prekej më rëndë, 57 miliardë euro në vit do të humbisnin britanikët në një rast të një Brexit-i të parregullt, 900 euro për banorë. Londra dhe rajonet më afër kontinentit mund të pësojnë rënie të ndjeshme të të ardhurave, paralajmëron studimi.

Por edhe Franca dhe Italia do të prekeshin nga një Brexit i menjëhershëm me nga respektivisht 8 e 4 miliardë euro. Po ashtu edhe Irlanda fqinje do të kishte humbje të forta, Sipas përllogaritjeve të studimit rreth 720 euro për banor.

Shkaqet

Humbjet janë rrjedhojë e një sërë faktorësh: Nga njëra anë, mallrat dhe shërbimet në tregun e brendshëm do të shtrenjtoheshin menjëherë në rast të një Brexit-i të ashpër. Nga ana tjetër, një tregti më e vogël me Britaninë e Madhe sërish do të rezultonte në rritje çmimesh, sepse në shumë degë europiane do të dobësohej konkurrenca tregtare. Edhe impulset për investime të reja dhe risi do të dobësoheshin, e nga kjo do të vuanin në fund vetë kompanitë – me pasojë mosrritjen e rrogave. Në rast të një Brexit-i të organizuar, dëmet do të ishin më të kufizuara, sipas studimit të fondacionit Bertelsmann ato do të përgjysmoheshin në 5 miliardë euro.

Përfituesit

Ka edhe disa vende jashtë Europës, që do të përfitonin nga Brexit. Këtu bëjnë pjesë veçanërisht SHBA-të dhe Kina, në një masë më të vogël edhe Rusia. Kjo lidhet me atë që Brexit-i do të kishte pasoja negative në zinxhirin e prodhimit të vlerës në Europë. “Tregtia brenda Europës do të bëhej më e shtrenjtë, kurse lidhjet ekonomike me pjesën tjetër të botës më atraktive”, shpjegon Ponattu.

Sipas kreut të Fondacionit Bertelsmann, Aart de Geus, Londra dhe Brukseli duhen që patjetër të rregullojnë me marrëveshje daljen e britanikëve nga BE-ja. Bazamenti i hapësirës ekonomike më të madhe në botë rrezikon të dëmtohet rëndë, tha ai.

Të dy ekonomistët, Dominic Ponattu nga Fondacioni Bertelsmann dhe Giordano Mion nga “University of Sussex” kishin bërë llogaritjet për studimin britanik për vlerësimin e impaktit të Brexit-it në vendet europiane  – “Estimating the impact of Brexit on European countries and regions” – bazuar në të dhënat zyrtare për lëvizjet e aktivitetet tregtare të Eurostat-it dhe OKB-së./ Dw

l.h/ dita

Nga 17 shkollat e reja, te stacioni i trenit, Veliaj: Ja projektet në mandatin e dytë

Posted: 22 Mar 2019 02:29 AM PDT

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet i vendosur për të vijuar projektet strategjike për transformimin e kryeqytetit. I ftuar në emisionin "Koha për t'u zgjuar" nga Bashkim Hoxha, Veliaj renditi disa nga projektet që kanë nisur dhe do të nisin edhe në katër vjeçarin e ardhshëm. Një prej tyre është edhe projekti i ndërtimit të 17 shkollave të reja, ku tashmë terrenet janë gati.

"Janë hapur tani kantieret e 17 shkollave të reja. Një tjetër gjë që e kam me shumë merak për mandatin e dytë, por ndoshta do të fillojmë që përpara zgjedhjeve, është Piramida e Tiranës. Do transformojmë atë që u nis si mazoleum për Enverin, në atë që do jetë sot streha e thënë në gjuhën tonë të vjetër, një "pallat pionerësh", për teknologji informacioni, kodim, dizajn, softuer. Kemi pasur përkrahjen e kryeministrit për të kaluar pronësinë e Piramidës të Bashkia e Tiranës, sapo kemi përfunduar dizajnin", tha ai.

Një nga investimet më të rëndësishme do të jetë dhe ai i ndërtimit të terminaleve të reja që do të sjellin një ndryshim rrënjësor edhe në transport. Por kurora do të jetë integrimi i terminalit me stacionin e trenit, ku qytetarët pasi zbresin prej trenit do të mund të marrin direkt edhe autobusin urban.

"Për terminalet, filloi ai i Farkës, po ecim me ritme të mira. Tek terminali i Kthesës së Kamzës, do të bëjmë një modifikim. Aty do të shtohet edhe stacioni i trenit, duke qenë se Ministria do të prokurojë trenin elektrik Tiranë-Durrës. Ndoshta në një të ardhme do të vijmë me tren në emision. Ne do t'i bëjmë një modifikim dizajnin të terminalit të Kamzës, për t'i atashuar në një vend, pra t'i merr trenin, hipën në taksi, autobus, ose biçikletë, por të jenë të gjitha në një kompleks Gjëja që besoj është një lajm shumë i mirë për fëmijët është transformimi total i Kopshtit Zoologjik, që është hallka e fundit e transformimit të Liqeni i Tiranës. Ne kemi bërë aty këndin e lojërave, hapim një tjetër kënd lojërash nga ana jugore. Dhe transformimi i Kopshtit Zoologjik, si epiqendër e çdo aktiviteti për fëmijët, me teatër kukullash, me florën, faunën, them që do të jetë një nga pikat më atraktive në qytet. Pastaj kemi projekte të tjera pafund", siguroi kreu i Bashkisë së Tiranës. Në vëmendje të Bashkisë së Tiranës për katër vitet e ardhshme do të jetë edhe çështja e parkimit, dhe ndërtimi i këndeve të lojërave. Në kryeqytet do të hapen brenda një muaji edhe dy parkingje nëntokësore. "Së pari ne këtë muaj hapim dy parkingje të reja nëntokësore. Kështu që gjithë zona e rrugës së Elbasanit që është një nga më problematikat, që kam dëgjuar edhe në telefonata, duke qenë se aty ka edhe institucione, siç është Thesari, Tatimet, merr zgjidhje me parkimin tek "7 xhuxhat", ku ne do të kemi 700 parkime nëntokë dhe prapë këndin e lojԯrave sipër, kësaj herë jo të privatit, por të publikut. Se ajo ishte tokë e bashkisë, se mbaj mend dhe për atë pati protesta. Komuniteti tjetër që kemi patur probleme është tek rruga e Elbasanit sipër, që është përballë Ambasadës Amerikane, dhe pas stadiumit "Qemal Stafa", edhe ai merr zgjidhje, sepse aty hapim parkingun tjetër me 300 vende. Kështu që gjithë sheshi "Italia", dhe gjithë zona e njësisë 2 dhe Saukut, dhe gjithë shërbimeve që ofrohen atyre, gjithashtu merr një zgjidhje. Kemi shtuar këtë vit me 4 mijë posta", deklaroi Veliaj.

l.h/ dita

Gjermania ligj të ri për familjen: 1,3 miliardë euro për fëmijët e varfër

Posted: 22 Mar 2019 02:16 AM PDT

Bundestagu gjerman miratoi një ligj të ri për familjen. Ai do të lehtësojë prindërit me të ardhura më të pakta.

Synimi është që të mbrohen nga varfëria familjet me të ardhura të pakta, tha ministri i Punës Hubertus Heil para Bundestagut. Ai e pati paraqitur projektligjin së bashku me ministren e Familjes, Franziska Giffey.

Të drejtë të marrin subvencionin e ri për fëmijët kanë familje, në të cilat të ardhurat e prindërve vërtet mbulojnë nevojën minimale vetjake, por jo atë të fëmijëve. Që në 1 korrik, subvencioni do të rritet nga 170 euro aktualisht, në 185 euro.

Ministri i Punës Heil tha se nga shërbimet do të përfitojnë para së gjithash nënat dhe baballarët në familjet me një prind. Ligji parashikon subvencione më të mëdha për ata me të ardhura të ulëta, familjet me një prind dhe familjet të cilat varen nga ndihma Hartz IV.

Kështu është parashikuar që subvencioni për fëmijët të rritet me 15 euro në muaj. Fëmijët në nevojë, për vitin e ardhshëm shkollor do ta marrin falas ushqimin e shkollës dhe biletën mujore për autobusët e shkollave. Për materialet e shkollës do të jepen 150 euro në vend të 100 eurove. Do të jenë gjithsej katër milionë fëmijë që do të përfitojnë nga shtimi i shërbimeve. Për “Ligjin e fortë për familjen”, qeveria do të shpenzojë në legjislaturën në vazhdim 1,3 miliardë euro. Sipas mendimit të opozitës, ligji është i drejtë, por nuk shkon aq sa duhet larg. /DW

l.h/ dita

Ekskluzive/ Flet Fatos Klosi: Çfarë do të dëshmoj në gjyqin e Izetit

Posted: 22 Mar 2019 02:03 AM PDT

 

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti Klosi, si do ta konsideronit rihapje e procesit të vrasjes së Azem Hajdarit?

– Procesi që do të zhvillohet nuk besoj se do të merret me të gjithë çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit, ai do të rishikojë pozicionin e Izetit në këtë vrasje, meqenëse Izeti nuk ishte prezent në procesin e zhvilluar. Sigurisht, rishikimi i pozicionit të Izetit, do ta prekë procesin e vjetër, qoftë dhe në vija të përgjithshme.

– A pritet ndonjë gjë e re në rihapjen e këtij procesi?

– Sigurisht, nga ato që ka deklaruar Izeti gjer më tani, pritet të thotë fakte, që nuk kanë dalë në procesin e parë. Dhe të mos harrojmë që Izeti ka qënë një personazh i rëndësishëm i rrethit të afërt të Berishës në fushën e "sigurisë", gjë që i ka dhënë mundësi të ketë qënë pranë ngjarjeve të rëndësishme të kësaj natyre.

Ju si ish shef i SHIK-ut do të jeni ndër dëshmitarët e parë që do të pyeteni për këtë vrasje. Mendoni se do të zbardhet më në fund e vërteta për vrasjen?

– Vrasja e Azem Hajdarit është quajtur "Vrasja e shekullit", prandaj mendoj se do të jetë e vështirë të zbardhet plotësisht. Megjithatë, Izeti duke ditur shumë fakte nga "oborri i Berishës", besoj se do të kontribuojë në këtë zbardhje, megjithëse nuk besoj se do t'i thotë të tëra, do thotë vetëm ato që i duhen. Ndoshta dhe Berisha, që nuk kontribuoji në procesin e parë, mund të "japë ndonjë ndihmë" në këtë proces.

– Çfarë dini ju si ish-kreu i SHISH për vrasjen e Azem Hajdarit?

– Unë di plot gjëra, por ato janë të shkruara në letër. Ato që ka ditur Shërbimi ka qenë i detyruar t'ia thotë shefave të vet, kryeministrit d.m.th, ndërkohë që më pas informacioni iu është deleguar edhe prokurorëve sepse ligji na e kërkon që ne të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë për çdo rast. Kështu që materiali ynë ndodhet në dorën e prokurorisë dhe e përsëris që aty është i shkruar edhe qëndrimi im apo dëshmia ime. Unë nuk kam as çfarë të shtoj dhe as çfarë të heq. Më vjen keq që ky material nuk mund të jetë publik, nuk nxjerr dot pjesë të tij. Unë them që ne e kemi kryer detyrën, por nëse më kërkohet sërish, unë jam gjithmonë i gatshëm të jap kontribut. Ky është kontributi që do jap: merrini letrat, hapini sepse nuk ka asnjë kuptim të mos besohen ato informacione që kemi përcjellë. Raportet janë shkruar në atë kohë me përgjegjësinë më të plotë dhe nuk ka pse të ndryshojë. Unë nuk kam qenë në brendësi të ngjarjes personalisht, por punonjësit e Shërbimit që janë marrë me këtë punë, që kanë bashkëpunuar me policinë, që kanë bashkëpunuar me prokurorinë, të gjitha gjërat që kishin për të thënë janë mbledhur në ato raporte që ne kemi bërë zyrtarisht për shefat tanë.

Edhe Sali Berisha do të merret në pyetje për atë vrasje dhe ju mund të përballeni me dëshmitarin Berisha në sallën e gjyqit. A ndjeni ndonjë ngërç nga kjo përballje e mundshme?

– Në drejtimin tim, Berisha i ka thënë nëpër media,  të gjitha që mund të thoshte, deri që unë e kam organizuar vrasjen, një herë me urdhër të Fatos Nanos e më vonë me urdhër të Rexhep Meidanit. Të shohim se çfarë do thotë nën betim. Për këtë aspekt unë i quaj të rëndësishme deklarimet e Berishës, pasi para gjykatësve nuk mund të vazhdojë të gënjejë pa hesap.

Nuk besoj të kemi ndonjë ngërç me të në gjyq, ai do jetë një dëshmitar i "klasit të parë", që shumë fakte i di vetëm ai kurse unë si një ish shef i Shërbimit, që di aq sa ka ditur Shërbimi në atë kohë.

Nuk janë të paktë ata që mendojnë që të mos merremi me të kaluarën, si fjala vjen më këtë gjyq, por të shikojmë nga e ardhmja. Ju si mendoni?

– Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të merren domosdoshmërisht me të shkuarën, për disa arsye: për të dhënë drejtësinë në shumë ngjarje të rëndësishme të ndodhura, për të çrrënjosur një herë e mirë konceptin e pandëshkushmërisë dhe për të rifituar besimin e humbur në popull.  Me të ardhmen të merren politikanët, institucionet ekonomike, arsimore dhe kulturore etj.

-Duke qenë se tani Sali Berisha është një njeri pa imunitet, a e bën kjo më të cenueshëm para drejtësisë?

-Dëshmia e tij në gjykatë nuk është problem imuniteti. Imuniteti është diçka kryesore kur bëhet fjalë për të hetuar ose jo për të. Por kur vjen puna për të dëshmuar, nuk ka asnjë lloj imuniteti. Çdo njeri është i detyruar të vijë në gjykatë për të dëshmuar dhe për të thënë atë çka di. Mbase imuniteti ndikon tek proceset hetimore ndaj tij, nuk di ta them me siguri sepse nuk ka asgjë konkrete me drejtësinë. Por si dëshmitar duhet të paraqitet, me apo pa imunitet.

-A ka rol Berisha në eliminimin e Azem Hajdarit?

-Këtë duhet ta tregojë gjykata, por unë them që ka. Sipas meje, mbase nuk është Berisha personalisht i implikuar, por grupi i tij është përfshirë. Mbase Berisha ka qenë organizatori, nuk di ta them me siguri. Por di të them që ka qenë Partia Demokratike ajo që ka pasur rol në vrasjen e ish-deputetit demokrat. Ata që nuk e donin Azem Hajdarin e organizuan atentatin ndaj tij. Sepse është e sigurt që nuk e kanë dashur, lëre çfarë thonë tani mbrapa, por për të dashur nuk e kanë dashur asnjëherë.

– Pse Sali Berisha nuk ka folur asnjëherë qartë për vrasjen e Hajdarit, por vetëm disa herë ka sulmuar shkurtimisht Izet Haxhinë se ka ai gisht në ngjarje? A mendoni se ai po i bën bisht, po i shmanget ngjarjes së rëndë?

– Sigurisht që i shmanget sepse e ndien veten të implikuar dhe nuk do që të implikohet më shumë sepse natyrisht që edhe mund të gabojë me deklaratat publike që bën. Mundet që të thotë ndonjë gjë më shumë dhe pastaj kjo deklaratë t'i kthehet në "boomerang". Mund të zbulojë detaje që nuk dihen dhe që ngarkojnë atë me përgjegjësi.

– A ishte vrasja e Azem Hajdarit një plan për të fituar politikisht apo fshihen arsye të tjera si hasmëria apo përplasje me grupet kriminale?

-Nuk kishte punë politika në këtë histori. Dua të them politika e mirëfilltë sepse politika brenda Partisë Demokratike sigurisht mund të kishte. Por unë nuk e quaj politikë atë pastaj. Sipas meje ajo është luftë për pushtet brenda PD. Problemet natyrisht kanë qenë probleme hakmarrjeje në thelbin e tyre, por pastaj se kush ndihmoi, kush e bëri më të lehtë vrasjen etj, janë gjëra që gjykata duhet t'i thotë. Izet Haxhia për këtë është akuzuar dhe dënuar, se ka ndihmuar në vrasje. Tani ai le të tregojë që jo nuk kam ndihmuar unë, kanë ndihmuar të tjerë.

-A mund të ishte shmangur eliminimi fizik i Azem Hajdarit apo vrasja e tij ishte diçka që po të mos ndodhte në datën 12 shtator do të ndodhte në një ditë tjetër?

– Këto janë punë njerëzish. Sigurisht që mund të shmangej sepse çdo gjë që bëjnë njerëzit shmangen. Mund të gjendej një gjuhë për të shmangur këtë konflikt që përfundoi deri në vrasje. Unë e di që ka patur tentativa për ta shmangur këtë konflikt, por gjithsesi nuk u arrit sepse ata mbase nuk u morën vesh, ose mbase të tjerë i penguan që të mos arrihej. Këto janë vetëm hamendje sepse janë gjëra shumë personale të atyre që marrin pjesë në këtë ngjarje saqë kurrkush, përveç njerëzve shumë të afërt me ta nuk mund të dinë detaje për të thënë të vërtetën.

-A shikoni ndonjë lidhje midis reformës në drejtësi dhe protestave aktuale të opozitës?

Sigurisht, një pjesë e politikanëve, që i trembet të vërtetave dhe drejtësisë, dhe këtu fus më të rëndësishmit e opozitës, nuk e duan reformën në drejtësi, i tremben asaj dhe përpiqen që ta pengojnë ose të paktën ta vonojnë realizimin e saj, duke krijuar problem të çdo lloji, si kjo situatë që po kalojmë.

– Zoti Klosi, a jeni optimist se reforma në drejtësi do të rikuperojë mangësitë e shkuara?

– Unë shpresoj të ndodhë kjo që thoni ju, akoma nuk jam optimist, sepse akoma nuk e kam parë në punë sistemin e ri të Drejtësisë.

Sulmohet me granatë Konsullata ruse në Athinë

Posted: 22 Mar 2019 01:54 AM PDT

Në 03.50 dy persona në një motoçikletë kanë hedhur një granatë në hyrje të Konsullatës së Rusisë në Athinë, në rrugën Xhavela 5 në Halandri. Granata është hedhur në postin e rojes, ku ka shpërthyer.

Banorët përreth kanë dëshmuar se dëgjuan një shpërthim të fortë. Policia e Antiterrorit dhe e Shpërthimeve Speciale ndodhet në zonë për investigime të mëtejshme.

Ky është sulmi i dytë me granatë kundër njësive diplomatike në Athinë. Në nëntor 2016 në ambasadën franceze mbeti i plagosur roja. Ndërsa në shkurt 2018 disa persona hodhën granatë në policinë e lagjes Kesariani.

l.h/ dita

Sot, Sulltan Nevruzi. Çfarë simbolizon festa e bektashinjve

Posted: 22 Mar 2019 01:41 AM PDT

Besimtarët bektashinj festojnë sot ditën e Sulltan Nevruzit.

Sulltan Nevruzi festohej si festa e ardhjes së pranverës dhe më vonë si ditëlindja e imam Aliut.

Në Shqipëri ndodhet edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, e cila vizitohet nga shumë besimtarë dhe turistë të huaj, të cilët vijnë të organizuar në grupe nga e gjithë bota.

Kryegjyshata mban lidhje me shumë teqe, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim.

Teqeja më e madhe ndodhet në SHBA, e cila është një qendër patriotike dhe fetare, ku mblidhen bektashinjtë që jetojnë aty.

Çfarë simbolizon kjo festë?

"Nevruzi" vjen nga persishtja dhe do të thotë "Ditë e re", ndërsa "Sulltan" është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI.

Në shekullin XX-të dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar.

Dita e Novruzit festohet edhe ne vende te tjera të botës myslimane, në ditë që variojnë nga 20 deri më 26 mars.

l.h/ dita

Shpërthim në impiantin kimik në Kinë, 47 të vdekur, mbi 600 të plagosur

Posted: 22 Mar 2019 01:31 AM PDT

Një shpërthim i fuqishëm në një impiant kimik në lindje të Kinës ka vrarë të paktën 47 vetë dhe ka plagosur më shumë se 600 të tjerë, sipas njoftimeve të medieve vendase të kësaj të premteje, në atë që rezulton të jetë i fundit i një serie aksidentesh fatale industriale që ka irrituar së tepërmi publikun.

Shpërthimi ndodhi të enjten në Parkun industrial Chenjiagang, në qytetin Yancheng të provincës Jiangsu, ndërsa flakët e zjarrit u vunë nën kontroll vetëm në orën 3 të mëngjesit të së premtes (ora 20 e së enjtes me tonën).

Të mbijetuarit u dërguan në rreth 16 spitale, ku të paktën 640 persona po trajtohen për dëmtime të shumta. Prej tyre, 32 janë në gjendje kritike për jetën, duke bërë që nga momenti në moment të mund të rritet numri i viktimave.

Zjarri që nisi në impiantin e zotëruar prej kompanisë kimike "Tianjiayi" u përhap edhe në dy fabrika të tjera fqinje me të. Nga shpërthimi, siç raportojnë mediet, janë plagosur edhe fëmijë që po luanin në një kopsht aty pranë.

Shkaku i shpërthimit është ende duke u hetuar, por kompania, e cila prodhon më shumë se 30 përbërës kimik organik, disa prej të cilave të djegshme, është gjobitur disa herë për shkelje të sigurisë në punë gjatë së kaluarës.

Presidenti Xi Jinping, i ndodhur në Itali për një vizitë shtetërore, urdhëroi të bëhet çdo përpjekje e mundshme për t'iu ardhur në ndihmë të plagosurve, e sigurisht "të ruhet stabiliteti shoqëror". Sipas tij, autoritetet duhet të përshkallëzojnë veprimet për të parandaluar në të ardhmen incidente të tjera, sikurse edhe për gjetjen e shkakut të shpërthimit sa më shpejt të jetë e mundur.

l.h/dita

PS hap fushatën të shtunën, Veliaj: Do të vijnë edhe shumë demokratë

Posted: 22 Mar 2019 01:26 AM PDT

Kur na ndajnë 100 ditë nga data e zgjedhjeve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë nesër masivisht në takimin e nesërm "Bashkia që duam" që do të zhvillohet në sheshin "Nënë Tereza". I ftuar në emisionin "Koha për t'u zgjuar" nga Bashkim Hoxha, Veliaj u shpreh se nesër do të prezantohen edhe 100 kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak që do të përfaqësojnë të gjithë grupet, profesionet dhe zonat e kryeqytetit.

"Kemi vendosur që ditën e nesërme, që është fiks 100 ditë përpara sesa të mbahen zgjedhjet, ne të kemi edhe 100 kandidatë për Tiranën, për disa arsye. Së pari, nëse marrin apo s'marrin pjesë disa nga partitë politike, ne duhet të përgatitemi sikur do ta popullonim të gjithë listën e 61 kandidatëve. Por ka dhe diçka më shumë. Lista e Tiranës gjithmonë ka prodhuar talente edhe për skenën kombëtare. Fjala vjen në zgjedhjet e fundit, këshilltarët më të dalluar të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kaluan u bënë deputetë, disa të tjerë morën detyra të tjera të rëndësishme, dhe u desh të linin mandatin e këshillit.

Do të rikandidojnë në pozicione të ndryshme, ata që tashmë kanë qenë dhe janë sprovuar në Këshillin Bashkiak, por ndërkohë do të shtohen po aq të rinj. Njerëz me shumë personalitet nga fusha të ndryshme, që edhe në eventualitetin që disa parti nuk i përfaqësojnë votuesit e tyre, do sigurohemi që ka përfaqësues të kategorive të ndryshme të Tiranës, profesioneve të ndryshme apo prejardhjeve të ndryshme, që çdo qytetar të ndihet i përfaqësuar, pavarësisht ngjyrave të partive, të paktën ngjyrat e profesionit, të vendbanimit, edhe të gjithë advokatise komunitare", tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë zbardhi edhe axhendën e punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste i cili është konceptuar krejt ndryshe nga vitet e mëparshme.

"Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm ata që janë anëtarë të PS, ka shumë demokratë që në njëfarë mënyre e thonë troç, ia kanë parë hajrin mënyrës se si ka punuar bashkia, ju është rritur vlera e pronës, ka patur zhvillime në komunitet. Dhe unë besoj që tek bashkia, tek menaxhimi i qytetit, njerëzit janë më pak të politizuar. Shohin më shumë çerdhja, kopshti, shkolla, këndi i lodrave, pastrimi, sesa stemat e partisë. Kështu që mezi pres që nesër të takoj dhe shumë miq të mitë, demokratë, që thonë Tirana është në drejtimin e duhur. Mirë, keq, mund të mos jetë partia jonë, por gjërat po ecin për mirë. Edhe ne do të kemi këtë seancë aty, nga ora 11:00 deri nga ora 13:00, pastaj për t'u rikthyer në Pallatin e Kongreseve për disa sesione", deklaroi Veliaj.

Veliaj zbardh arsyet: Pse nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve

Posted: 22 Mar 2019 01:18 AM PDT

Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet i bindur se nuk do të ketë shtyrje të datës së zgjedhjeve. I ftuar në emisionin "Koha për t'u zgjuar" nga Bashkim Hoxha, Veliaj tha se zgjedhjet lokale që kanë të bëjnë me administrimin e qytetit nuk duhen ngatërruar me çështjet politike. "Unë kam një kontratë me qytetarët. Nuk mund të themi se pas datës 30 qershor ne nuk do i mbledhim plehrat sepse një parti nuk do të vijë në zgjedhje. Ose pas datës 30 qershor, autobusët nuk do të shkojnë në stacion, shkollat nuk do të hapen, në çerdhe nuk do të shkojë qumështi sepse një parti nuk erdhi në zgjedhje. Të ngatërrosh zgjedhjet lokale që kanë të bëjnë me administrimin e qytetit me çështjet politike, është pakuptim. Patjetër që zgjedhje do të ketë dhe patjetër që qyteti do të funksionojë", tha ai, teksa shtoi se zgjedhjet nuk mund të shtyhen edhe për dy arsye të tjera, njerëzit që ikin me pushime, si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët.

"Nuk mund të bëjmë zgjedhje në korrik edhe në gusht, sepse ju e dini fare mirë që njerëzit kanë edhe të drejtë të pushojnë. Kryetarët e bashkive nuk mund të firmosin gjë pas ditës kur kanë bërë betimin. Unë firmos në ditë mesatarisht 1 mijë dokumente që mundësojnë që qyteti të funksionojë në të gjitha fushat e jetës së qytetit, duke filluar nga shërbimi funeral tek certifikata e lindjes, pra në të dyja ekstremet e jetës dhe të gjithçka tjetër në mes. Pra kryetarët e bashkive do të duhet të operojnë", deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se në kontrast me kapuçat, me maskat, me gurët, me molotovin, fushata do të jetë e fokusuar tek familjet dhe çfarë është bërë në Tiranë gjatë këtyre katër viteve që nga çerdhet, kopshtet, shkollat, këndet e lodrave.

"Unë nesër i kam ftuar qytetarët pa dallim që të jenë më mua në këtë gëzim të jetës time, për mua është një gëzim t'ju kërkoj qytetarëve të mi njerëzve më të cilët kam punuar këto 4 vite që kemi transformuar qytetin t'ju kërkoj një besim dhe i kam ftuar të gjithë njerëzit të vijnë me familjet e tyre se ne besojmë tek një qytet që është ndërtuar nga këto qeliza që janë familjet. Unë besoj që kontrasti me kapuçat, me maskat me gurët, me molotovin , me zjarrin, me shashkat është kur ne përballemi me familjet tona dhe unë besoj mes një fushate që është e fokusuar tek familjet dhe çfarë kemi bërë për familjet e Tiranës nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, këndet e lodrave dhe nga të gjithë këto ambientet dhe i një grupi tjetër që sjell në Tiranë me autobusë stafe të bashkisë, të bashkive të tjera le të themi që nuk janë modele ekselence. Unë them nesër njerëzit do të shohin kontrastet se çfarë do të thotë një qytet që nuk e pranon bullizmin, që nuk e pranon dhunën, që nuk e ulë kokën ndaj çdo ndotje. Ju e keni vënë re menjëherë në punë minutash e kthejmë në normalitet Tiranën mbasi mbaron dhuna dhe shkatërrimi", deklaroi Veliaj.

l.h/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more