Skip to main content

“Putini në Beograd” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Putini në Beograd” plus 2 more Telegrafi Opinione


Putini në Beograd

Posted: 17 Jan 2019 09:45 AM PST

Leonidha Mërtiri

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, sot është në Beograd. Mijëra policë serbë së bashku me elitën e Forcave Speciale ruse, prej ditësh janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e tij. Është i treti takim ky i kreut rus me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë këtyre nëntë muajve dhe i trembëdhjeti në tërësi midis tyre.

Me sa duket, disa faktorë të rëndësishëm bënë që kjo vizitë e Vladimir Putinit në Beograd, e cila parashihej të bëhej në nëntor të vitit të kaluar, të mos shtyhej më tej. Ambicia ruse për një rol të ri në rajonin tonë është bërë edhe më e ndezur.

Së pari, në marrëdhëniet dypalëshe Rusi-Serbi, kërkohet të binden në radhë të parë serbët, duke dëshmuar se Rusia është në vazhdimësi për ta, roja më e sigurt e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit të tyre. Nga ana tjetër, fuqizimi i aleancës ruso-serbe shihet dhe si përgjigje apo kundërpeshë për të neutralizuar çdo "qëllim agresiv" të shteteve anëtare të NATO-s, qoftë ky dhe në formë kërcënimi.

Së dyti, të bën përshtypje në përpjekjet për marrjen e këtij roli përmes prezencës ruse në rajon, dalja gjithnjë e më hapur e Rusisë në momentet më pikante, krahas marrëdhënieve të saj okulte me Serbinë. Kështu, edhe sipas "Informer", media e Beogradit, hapja e një baze ushtarake ruse në Serbi, vazhdon të paraqitet si nevojë për këtë të fundit, pra karshillëk ndaj pranisë amerikane në Kosovë dhe bazës së saj në Bondsteel, por edhe për të justifikuar këtë prani. Kjo, dhe më tej sipas serbëve, do të ishte një mburojë për të ndalur një agresion të mundshëm të shqiptarëve.

Ndaj, në prag të vizitës në Beograd, këto ditë presidenti rus Putin, në intervistat e tij për median vendase, "Veçernji Novosti" dhe "Politika" përsëriti pa ekuivoke rolin e Rusisë në forcimin, mbrojtjen e aftësive të Serbisë, duke e furnizuar atë me armë dhe pajisje ushtarake, gjë që do të jetë e pranishme dhe në bisedimet e sotme me homologun serb, krahas investimeve në ekonominë serbe, të cilat aktualisht e kalojnë shifrën prej katër miliardë dollarësh. Mendojmë se këtë e favorizon dhe fakti që konservatorët në vend, në veçanti, ndihen më mirë me rusët se sa me evropianët, edhe pse në një anketë të mëparshme, shumica e serbëve ishin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Së treti, Putin vjen në Beograd që të demonstrojë edhe më tutje forcën dhe siç theksuam, këtë radhë – edhe më e lexueshme kjo, – si lojtar në një rol të pazëvendësueshëm të Rusisë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, duke shfrytëzuar me këtë rast dhe lodhjen që është ndierë në Bashkimin Evropian. Teza e hedhur për ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, u prit jo pa entuziazëm nga rusët, të cilët, siç duket, e panë atë në interesin e njohur të tyre, mungesës së qetësisë në Ballkan. Ndryshe nuk mund të ndodhë. Sepse vetëm disa orë para mbërritjes në Beograd, lideri rus nuk i kurseu sulmet ndaj Kosovës, duke i kujtuar asaj se vendimi për shpalljen e pavarësisë ishte i jashtëligjshëm, sikurse dhe ai i kohëve të fundit për krijimin e ushtrisë. Ato, ai vazhdon t'i shohë si burim të acarimit të klimës në Ballkan.

Madje, sipas tij, kësaj klime destabilizuese i vjen në ndihmë dhe politika e SHBA-së, që synon forcimin dhe dominimin në këtë rajon. Prandaj dhe ngulmimi nga Rusia, si dhe paralajmërimet e liderëve serbë se, nëse në dialogun Kosovë-Serbi do të marrë pjesë SHBA, Beogradi do të thërrasë Rusinë, i shërbejnë të njëjtit qëllim. Sigurisht, edhe kjo mund të ngjasë, por nëse kanë rënë dakord të dy superfuqitë. Ndërkohë, në marrëveshjen e arritur midis Rusisë dhe Serbisë, gjatë vizitës në Moskë, një vit më parë, të Aleksandar Vuçiq, thuhet shprehimisht se "Rusia do të përfaqësojë në mënyrë të vendosur pozicionet e Beogradit lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës" dhe se, "me kërkesë të Beogradit, Rusia do të angazhohet në dialogun me Prishtinën, nëse edhe SHBA përfshihet në këtë proces".

Në bisedimet e sotme dypalëshe, kjo temë edhe më tej, në emër të një balancimi në formatimin e dialogut, do të jetë e pranishme. Serbia, si deri më sot, do të vazhdojë të qëndrojë e t'i japë garanci Rusisë se do të jetë në krahët e saj. Epilogu i kësaj çështjeje nga të dy palët do të mbetet po ai: Rusia të ketë rolin e saj dhe në rajonin e Ballkanit. Por, vështirë që mund të besohet në një rol të saj për mënjanimin e konflikteve. Po ndalemi vetëm në vitet e fundit. Është provuar tashmë ndikimi negativ që ajo ka pasur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Vetëm që Mali i Zi të mos anëtarësohej në NATO, rreth dy vite e gjysmë më parë, u bënë përpjekje që çonin në destabilitetin e kësaj republike përmes likuidimit të Kryeministrit malazez. Dhe akuza për këtë ra te rusët, sikurse dhe për krizën e mëvonshme maqedonase. Pra, pavarësisht bisedimeve në Beograd, vështirë t'i besohet këtij roli të Rusisë për rajonin tonë, që më shumë i ngjan një strategjie tensionesh.

The post Putini në Beograd appeared first on Telegrafi.

Elefanti brenda BE-së

Posted: 17 Jan 2019 09:33 AM PST

Ku ka mbetur ajo fryma evropiane e bashkëpunimit dhe pajtimit në kapërcyellin e viteve? Mjafton të shohësh situatën në disa vende të BE-së për të kuptuar, se Bashkimi Evropian nuk i ka punët mirë.

Britania e Madhe kërkon të dalë nga Bashkimi Evropian, madje ka shumë rrezik që kjo dalje të bëhet pa asnjë marrëveshje.

Në Francë personaliteti që kapi majat aq shpejt, Emmanuel Macron është rrëzuar keq. Qytetarët me jelekë të verdhë vazhdojnë protestat, madje disa as nuk hezitojnë të përdorin dhunën. Ekstremistë si nga e djathta edhe e majta përpiqen ta përdorin këtë atmosferë.

Qeveria populiste e Italisë iu kundërvu hapur Komisionit Evropian në grindjen për buxhetin. KE i ka bërë shumë lëshime Italisë; ka hequr dorë nga një procedurë për deficitin buxhetor dhe e shet tani marrëveshjen si fitore të arsyes mbi konfrontimin.

Paturpësia e Romës ka për të patur edhe pasues të tjerë.

Qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë në grindjen për shtetin ligjor me BE bëjnë pak lëshime, e vetëm atëherë kur është e pamënjanueshme më.

Në Spanjë, një nga bastionet e fundit dhe e paprekur në masë nga populizmi i djathtë, partia populiste në rajonin e Andaluzisë, Vox ka arritur të shtojë votat. Një parti që nderon diktatorin Franco.

Populizmi i djathtë është një fenomen në Evropë. Partitë populiste po rriten në çdo vend të BE-së. Pjesërisht ato janë në qeveri si në Austri dhe Itali. Qytetarët atje janë të kënaqur. Edhe Gjermania nuk ka mbetur e imunizuar. Megjithëse në Gjermani ndërkohë po vijnë shumë më pak migrantë dhe refugjatë, e megjithëse kancelarja Angela Merkel i ka thënë prej kohësh lamtumirë politikës së saj liberale ndaj refugjatëve, përqindjet e sondazheve për AfD-së nuk po bien. Në zgjedhjet e landeve në Lindje, në vjeshtë të këtij viti, kjo parti mundet që të dalë partia më e fortë, ose më e pakta e dyta në renditje. Ndërkohë, testimi vendimtar për atmosferën në BE është në pranverën e vitit 2019. Të gjitha sondazhet parashikojnë një rritje të partive populiste dhe antievropiane në Parlamentin Evropian. Forcat e moderuara dhe të arsyeshme e kanë edhe më të vështirë.

Pjesërisht arsyet për këtë radikalizim politik janë të ndryshme në çdo vend anëtar të BE-së.

Në Francë është deliri i presidentit, Emmanuel Macron.

Në Spanjë suksesi i Vox-it është një lloj reagimi ndaj lëvizjes separatiste katalane.

Në Itali atmosfera kundër BE lidhet më shumë me pakënaqësinë e qytetarëve për gjendjen ekonomike, që sigurisht nuk përmirësohet nga recetat populiste.

Por, një temë e përbashkët për të gjitha këto vende është migracioni – një migracion që në masë të caktuar është i pakontrolluar dhe i padëshiruar. Për sa kohë që politikanët e partive të moderuara nuk gjejnë një përgjigje për këtë çështje, atmosfera në BE nuk ka për të ndryshuar. Angela Merkel e ekzagjeroi para tre vjetësh me fjali, si: kufijtë as nuk mund të mbyllen dhe se nuk ka një kufi maksimal për azilin. Ajo donte të tërhiqte pas vetes të gjithë BE që të ndiqte politikën e saj me gabime, por mbeti e izoluar. Pasojat ende ndihen. Kush do ta përmirësojë gjendjen në BE, duhet të fillojë pikësëpari këtu: Njerëzit duan siguri, ata duan që shtetet e BE si një e tërë të rifitojnë kontrollin mbi migracionin.

The post Elefanti brenda BE-së appeared first on Telegrafi.

Kujtesë: 37 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës

Posted: 17 Jan 2019 01:34 AM PST

"Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës /e syri i zbrazët në roje sodiste/ dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme" – Jusuf Gërvalla.

Të flasësh hapur në kohë të humbura e të vështira, të kesh guximin e të dalësh para botës duke treguar vuajtjet e kombit i cili ishte nën luhatje për shuarje të përhershme, këtë e bëri Jusufi Gërvalla.

Përgjatë epokave të ndryshme, nga gjiri i kombit tonë kanë dalë figura madhështore, të cilët me veprat e tyre sublime kanë mbetur të përjetshëm. Në historinë tonë më të re, vend të veçantë zënë figurat e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Këto tri personalitete, me mençurinë, karakterin dhe vizionin që kishin, ishin dhe do mbeten personalitete të kalibrit evropian, të cilët mjerisht u vranë nga dora e armikut. Por, atdhedashuria që kishin, do të mbeten përgjithmonë vlera në kujtesën shqiptare.

Populli shqiptar po jetonte mjerimin nën Jugosllavi dhe kjo gjendje për Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun ishte e papranueshme. Në intervistën e rrallë të Jusuf Gërvallës për prestigjiozen gjermane "Tagische Zeitung", ai flet haptas për diskriminimin e shqiptarëve nën regjimin serbë.

"Diskriminimi kombëtar bëhet në shumë aspekte. Më 1946 Jugosllavia e ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të internacionalizmit proletar. Një vit më vonë, përkatësisht në vitin 1947, u mor vendimi për dorëzimin e tepricës së drithërave në emër të njëfarë solidariteti. Kështu që vetë shqiptarët u detyruan të jetojnë edhe pa bukë gjatë atij viti. Disa vjet më vonë u bë kolektivizimi bujqësor, eksperiment që është bërë vetëm në Kosovë. Qëllimi ishte që tokat e shqiptarëve të përzihen me ato të serbëve.

Në vitin 1956, derisa Rankoviqi ishte akoma në pushtet, vetëm në Kosovë u bë një aksion për mbledhjen e armëve. Me këtë rast shumë burra shqiptarë u burgosën dhe u torturuan. Kjo ka ndodhur atëherë gjatë dimrit. Thuajse gjithë natën i kanë detyruar të qëndrojnë në kanale me ujë ose të lidhur lakuriq pas trungjeve të pemëve. Përsa i përket politikës ekonomike, Kosova është një vend shumë i pasur, përsa i përket bujqësisë edhe pasurisë me xehe. Në popull flitet për një Kaliforni të dytë. Kosova përmban 64 për qind të të gjitha rezervave të nikelit e kromit, 65 për qind të rezervave të zinkut dhe plumbit, 28 për qind të rezervave të magnezit. Të gjitha, këto të dhëna, janë publikuar në gazetat jugosllave. Përkundër kësaj, në Kosovë nuk ekziston industria përpunuese. Të gjitha produktet nga këto përsëri i shiten Kosovës me përfitime të shumëfishta. Dy emigracione të Kosovës…..

Kjo mund të dëshmohet edhe me të ardhurat mesatare bruto për frymë. Të ardhurat e një banori të Kosovës në vitin 1953 kanë qenë 43 për qind më të vogla, sesa të një banori të Sllovenisë, republikës më të zhvilluar në Jugosllavi. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1977, ato ranë në 37 për qind. Edhe pse Kosova është furnizuese kryesore me energji elektrike, 250 fshatra nga 1300, që ka gjithsej Kosova, janë ende të paelektrifikuara. Që, thënë shkurtimisht, zhvillimi dhe funksionimi i Kosovës është i orientuar për furnizimin e Jugosllavisë.

Ky diskriminim i madh ekonomik ka për pasojë papunësinë e madhe. Sipas të dhënave të pranuara zyrtarisht, papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind. Kjo ka për rrjedhojë emigrimin e brendshëm dhe emigrimin e jashtëm. Emigracioni i brendshëm do të thotë brenda Jugosllavisë, kurse ai i jashtëm në shtetet evropiane. Midis viteve 1968-1978, p.sh. gjysma e popullsisë fshatare u detyrua të emigrojë.

"Fillimisht ka pasur diskrimin përmes injorimit të historisë kombëtare. Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit. Deri në vitin 1968 shqiptarët kanë qenë të detyruar ta mësojnë historinë sllave, gjë që do të thotë historinë e dinastive të ndryshme serbe. Historinë tonë nuk guxonim ta mësonim. Pas Luftës së Dytë Botërore, aty këtu, u formuan shkollat ku mund të mësohej gjuha shqipe.

Përmes presionit të intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë numri i atyre shkollave u shtua, kështu që u bë shkollimi masiv në gjuhën shqipe. Por, ata njerëz më vonë u dënuan me shumë vjet burg. Fillimisht u formuan vetëm shkollat fillore, më vonë edhe shkollat e mesme. Në vitin 1965 pranë Universitetit të Beogradit u hap Fakulteti i Albanologjisë. Ndërsa më 1968 në Kosovë pati trazira studentore, të cilat vërtetë kanë arritur ca suksese. Kështu që atëherë gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare në Prishtinë dhe u themelua Universiteti në gjuhën shqipe. Përdorimi i gjuhës amtare nuk ka qenë i lejuar dhe aty kanë qenë të punësuar kryesisht serbët. Tani rajoni zyrtarisht është dy gjuhësh, serbisht dhe shqip. Madje është përcaktuar me ligj që, ndokush që, nuk e di gjuhën shqipe nuk mund të punësohej fare, por në praktikë thuajse askush nuk i përmbahet këtij ligji".

Mendje ndriturit, vizionarët Jusufi dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u bënë pengesë për regjimin serb, dhe UDB-në.

Ishte e papranueshme për regjimi jugosllav që dikush i këtij kalibri evropian të dilte në pah, pasi që propaganda serbe – si edhe sot – është e prirë t'i paraqesë shqiptarët shpellarë, të pashkolluar, injorantë e të mjerë.

Me 17 janar 1982, në një atentat të planifikuar qëllohen për vdekje në Gjermani, Bardhoshi dhe Kadriu, ndërsa Jusufi plagoset rëndë për të vdekur në rrethana të mistershme në spitalin e Heilbronnit të Gjermanisë.

Për fund po citoj dy vargje nga poezia e Jusuf Gërvallës "Lufta dhe arti": "Tutje gjithnjë akull/ Këndej gjithnjë zjarr/ Unë jam syri i Aladinit/ E shoh veten si digjem/ në betejën e tmerrshme/ të fjalës/ e të mendimit/ Me shenjtëri të mallkuar/ me përfytyrimin e qartë/ e krijoj/ Në mua shushurijnë dete/ të qena/ në ëndërr".

Beteja e tyre u fitua me luftën dhe lirinë e popullit shqiptar; rruga dhe misioni i tyre le të mbetet e shenjtë për çdo shqiptar.

 

 

 

The post Kujtesë: 37 vjet nga vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more