Skip to main content

“Prokuroria e Tiranës pushon hetimet ndaj ish-deputetit Gledion Rehovica” plus 9 more - Gazeta Dita

“Prokuroria e Tiranës pushon hetimet ndaj ish-deputetit Gledion Rehovica” plus 9 more - Gazeta Dita


Prokuroria e Tiranës pushon hetimet ndaj ish-deputetit Gledion Rehovica

Posted: 31 Jan 2019 01:52 AM PST

Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet ndaj ish-deputetit Gledion Rehovica.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, ish-deputeti Rehovica nuk ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit.
Ndërkohë ish-deputeti Rehovica kërkon rikthimin e mandatit.

Më 5 janar 2018 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u hoqi mandatin dy deputetëve, atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili kishte fituar mandatin në qarkun e Beratit, si dhe atij të PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili e kishte fituar mandatin në Qarkun e Elbasanit.

o.j/dita

Intervista/ Sheshi: Më sulmuan segmente të caktuara të politikës

Posted: 31 Jan 2019 01:48 AM PST

Bujar Sheshi, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka folur për emisionin “Arena”, në Ora News, për akuzat që janë ngritur ndaj tij. Sheshi u cilësua pak ditë më parë si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.

Sheshi hodhi dyshime për mënyrën se si u veprua për të akuzuar atë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Ai akuzoi segmente të caktuara të politikës që kanë influencë, duke mos përmendur konkretisht se kush janë këto segmente. Ai thotë se sulmi vjen në një kohë kur KLP-ja.

Ai u pyet edhe për reformën në drejtësi, duke theksuar se në pjesën e prokurorisë, ajo ia ka arritur qëllimit. Ai thekson se reforma ka shkëputur ndikimin e politikës mbi prokurorinë.

Pjesë nga intervista:

A keni qenë agjent i Sigurimit të Shtetit në gjimnaz?

Bëtë mirë që e filluat me këtë pyetje. E vërteta është se unë nuk kam qenë kurrë në asnjë rast bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit. Këtë të vërtetë kam deklaruar që në momentin e parë. E kam deklaruar edhe para Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kam nënshkruar edhe një deklaratë me rastin e kandidimit si anëtar i Këshillit, që unë nuk kam qenë ndonjëherë në shërbim të organeve të ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor i fshehtë.

Ka një akuzë të dytë për ju që thotë se keni punuar si oficer i sigurimit. Niset edhe nga fakti që ju keni mbaruar shkollën e lartë të sigurimit. Mbasi mbaruat shkollën e lartë punuat si operativ i sigurimit apo vajtët në drejtim tjetër.

Unë kam mbaruar shkollën e lartë të Ministrisë së Brendshme, profil  sigurim dhe e kam përfunduar atje më 12 korrik 1979 kam marrë emërimin si hetues pranë degës së punëve të brendshme. Që ditën e diplomimit janë emëruar hetues dhe nuk kam punuar asnjë ditë në Sigurimin e Shtetit shqiptar.

Sigurimi i Shtetit ishte drejtimi kryesor që merrnin kuadrot që dilnin nga Shkolla e Lartë e Ministrisë së Brendshme dhe një pjesë me sa mbaj mend unë, kaluan në hetuesi. Atëherë, hetuesia sipas ligjit 1974, ishte e unifikuar dhe ishte në varësi administrative të Ministrisë së Brendshme. Ishte drejtori më vete siç ishte drejtoria e sigurimit, drejtoria e kufirit, dhe drejtoria e hetuesisë më vete. Në vitin '83, me ligj është bërë shkëputja e Hetuesisë nga Ministria e Brendshme dhe krijimi i saj si Hetuesi e Përgjithshme njëlloj si Gjykata e Lartë dhe Prokuroria. Pra, ishte organ kushtetues.

Gjatë periudhës që keni punuar në Hetuesi, keni pasur akuza për shkelje ligji, tejkalim të masës së të drejtës, akte dhune…

Kam punuar rreth 5 vjet kur ishte pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe vitet e tjera deri në 91, në Hetuesi si organ më vete nuk kam pasur asnjë lloj akuze, asnjë lloj ankese në lidhje me punën time si hetues. Mund t'ju them që periudha e ndryshimit të sistemit, përveç ndryshimeve të mëdha që solli dhe problemet që ndodhën nuk pati asnjë rast ku ndonjë person që kisha hetuar dhe dërguar në gjyq të më ketë akuzuar, të më ketë dalë para. Puna ime ka qenë në përputhje me ligjin. Nuk kam pasur asnjë reagim negativ.

 Qeveria e re demokratike që erdhi, çfarë qëndrimi mbajti ndaj jush?

Mund të them që mbajti qëndrim ligjor, institucional. Vazhdova të punoj në hetuesi deri në vitin 1992, kur Hetuesia u shkri dhe i kaloi Prokurorisë së Përgjithshme. Që nga ai vit, unë kam punuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme deri në vitin '94-n kur dhashë dorëheqjen vullnetarisht dhe me këmbëngulje. Ne vareshim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe unë bëra kërkesa të përsëritura për t'u shkëputur derisa KLD miratoi kërkesën. Nga viti 1994 deri në mesin e '97-n kam punuar avokat dhe që nga ajo periudhë e deri më tani kam punuar në prokurori.

 Ju thoni që nuk keni qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit dhe aq më pak i rekrutuar prej tij. A ekziston mundësia që një dosje të falsifikohet? Një dosje agjenti.

Nuk e di a mund të falsifikohet një dosje e gjitha, por besoj se në rast se është e tillë është kollaj të zbulohet. Të falsifikosh një dosje të një agjenti të rekrutuar, do të thotë të falsifikosh deklaratën personale që ka firmosur për bashkëpunimin.

Dmth Bujar Rasim Shesha, që i bie të jetë rekrutuar sepse për këtë bëhet fjalë nuk ka dhënë ndonjë personal për person të tretë.

Me atë që shprehet Autoriteti i Dosjeve nuk ka të dhëna për atë person dhe ka edhe një periudhë të shkurtër rekrutimi. 7 muaj është rekrutuar dhe më pas është skarcuar. Nuk e di çka ndodhur me të. Ajo që unë po ju them është që çfarë do që të ketë ndodhur nuk ka lidhje me personin tim. Bujar Sheshi jam unë. E them me përgjegjësi ligjore që unë nuk kam qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit si bashkëpunëtor i fshehtë. Unë them që kam mbaruar shkollën e lartë në profilin sigurim pranë Ministrisë së Brendshme. Kam punuar edhe hetues dhe vazhdoj të punoj si prokuror.

Ligji nuk bën fjalë si hetues, por si bashkëpunëtor.

Ligji, në pozicionin që jam unë sot, se deri sot nuk ka pasur ndalesë, ligji thotë se nuk duhet të jesh bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit ose anëtar i Sigurimit të Shtetit, Oficer i sigurimit. Nuk bëhet fjalë për hetues. Fakti që ligji ka pengesë, unë kam nënshkruar edhe një deklaratë që thotë se nuk kam qenë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit. Unë jam i përgjegjshëm për atë që bëj. Nuk kisha pse të fusja veten në siklete si anëtar i KLP-së, për të cilën unë nuk përfitoj asgjë. Edhe paga dhe çdo gjë tjetër është njëlloj si ajo që kam pasur.

Bëhet fjalë për dy persona, Bujar Rasim Shesha, janar 57 ditëlindja,  dhe Bujar Ramiz Sheshi, 15 dhjetor 57. Ju jeni i dyti.

Po!

Ndërkohë që Autoriteti i Dosjeve pretendon se i pari është agjent, por ky ka lidhje me ju. Juve keni ndjekur një procedurë ligjore ndaj Autoritetit të Dosjeve. Keni bërë një padi. Çfarë nënkupton kjo?

Sipas mendimit tim, kjo është në kapërcim të ligjit. Autoriteti i Dosjeve disponon dhe administron dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ka për detyrë si çdo arkiv dhe thotë se ka apo jo dokumente për këtë person. I janë kërkuar dokumente për Bujar Ramiz Sheshin, i datëlindjes 15 dhjetor 1957. Ka bërë interpretimin që jam unë. Kjo është pjesë të asaj që unë e kam konsideruar si në shkelje të ligjit dhe jashtë kompetencave dhe është një nga pikat ku mbështetet denoncimi im pranë Prokurorisë Tiranë. Unë kam bërë edhe një kërkesë pranë Autoritetit të Dosjeve për të korrigjuar këto dokumente. Po pres përgjigjen.

A mendoni se është një sulm politik? Ju e keni cilësuar në deklaratën tuaj që ka një lloj prapavije politike ky sulm.

E kam thënë. Kam pasur çështje ku janë përfshirë personazh politikë. Nuk e kam bërë për të mbrojtur veten politikisht. Arsyeja është në mënyrën se si është vepruar në rastin konkret. Duke përfshirë një institucion shtetëror që është detyruar të marrë një vendim në kundërshtim me ligjin. Mënyra se si u vepruar duke u publikuar dokumenti nëpër portale pothuajse anonimë pa u vënë në dijeni unë, institucioni i KLP-së ku unë jam pjesë, por edhe rrethana të tjera. Patjetër, jo vetëm mua, por çdo njeri do ta mendonte që këtu janë përfshirë segmente të caktuara të politikës që kanë influencë dhe patjetër kanë ndikim.

Edhe mbi Autoritetin e Dosjeve?

Ndryshe, çdo ta shtynte Autoritetin të merrte një vendim, i cili sikurse kam shprehur në denoncim, është në të gjitha pikat në kundërshtim me ligjin.

Unë për t’i qëndruar pyetjes, mendoj se ai sulm synon goditjen e emrit tim dhe synon të vërë në presion Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe vjen në momentin pas 1 muaj e gjysmë punë, ka arritur në fazën e përzgjedhjes së SPAK-t dhe përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e Prokurorin e Përgjithshëm.

Ju ka frikë dikush që jeni në atë këshill?

Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Nuk besoj se problemet janë në Këshill. Në formatin e tij më duket krejtësisht normal.

Zt. Sheshi a e pati të vështirë ju dhe familja juaj?

Sigurisht që është e vështirë. Aq më tepër, është një akuzë që nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë se do të mbrohesha. E kisha menduar se mund të sulmohen për shkak të punës që bëj, për shkak të së shkuarës së hetues edhe pse nuk kam pasur akuza në të kaluarën, duke parë që kur ua do interesi i rikthehen asaj që unë kam punuar. Këtë as që e kisha imagjinuar dhe as që mund ta imagjinojë një njeri normal që të marrë një akuzë që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Çfarë do lloj dokumentesh të ketë Sigurimi i Shtetit për sa kohë unë nuk kam bashkëpunuar, nuk kam dhënë pëlqimin, nuk kam komunikuar me asnjë punonjës të sigurimit të shtetit në periudhën që kam qenë në gjimnaz. Nuk e di si mund të quhet kjo.

A ka raste të Sigurimit të Shtetit që ka rekrutuar bashkëpunëtorë fiktiv?

Ka pasur raste. Punëtorët operativ në atë kohë, kemi dëgjuar se nuk kanë krijuar vetëm një bashkëpunëtorë, por edhe një rrjet fiktiv. Kjo ka ndodhur dhe këto ditë që ka dalë ky problem, shumë shokë të mij, kolegë dhe ish-kolegë më kanë thënë se ka të paktën 7 raste që i përkasin asaj periudhe të viteve 70-80 që punëtorë operativë janë dënuar edhe me vendime gjyqësore, pikërisht për këtë arsye. Ka pasur presion që të mbulohej me agjenturë një sektor i caktuar sidomos këto që ishin, jo me probleme me persona direkt, dhe shkruanin emrin. Këto kanë ndodhur dhe janë vendime gjyqësore të tilla, dhe ndodhte që edhe përjashtoheshe nga sigurimi në raste të tilla.

Zoti Sheshi, ne këtë intervistë e dhamë me këtë qëllim, të zbulojmë të vërtetën, në qoftë se kjo e vërtetë është në krahun tuaj edhe ne do të jemi në krahun tuaj. Tani të dalim jashtë planit personal, një pyetje të fundit. Çfarë mendimi keni për reformën në drejtësi?

Sheshi: Unë mendoj që reforma të paktën në pjesët kryesore të saj e ka arritur qëllimin. Flas për pjesën e prokurorisë sepse deri tani ka arritur që të shkëpusë ndikimin e politikës mbi prokurorinë, sepse nuk e ka më kompetencë ekskluzive zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm, dhe më kryesorja që ëshët ëbrë shkëputja e prokurorëve dhe prokurorisë nga varësia e Prokurorit të Përgjithshëm. Çdo prokurorë është i pavarur, dhe kjo është një arritje shumë e madhe sepse në mënyrën se si ishte e organizuar prokuroria, që prokurori i Përgjithshëm zgjidhej nga politika, dhe gjithë sistemi i prokurorisë kishte varësi të plotë nga prokurori i Përgjithshëm, patjetër që e bënte shumë të kapshëm të gjithë institucionin e Prokurorisë edhe nga politika edhe nga krimi i organizuar.

o.j/dita

Hidhet shorti, më 6 shkurt shqyrtohet ankimimi i ish-ministrit Tahiri

Posted: 31 Jan 2019 01:29 AM PST

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka ankimuar zgjatjen e afatit të hetimeve ndaj tij, duke kërkuar që çështja të shkojë në Gjykatë.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka hedhur shortin për shqyrtimin e kërkesës së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Liljana Baku, do të jetë gjyqtarja që më 6 shkurt do të shqyrtojë kërkesën e tij.

Më herët Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit për ish-ministrin Saimir Tahiri. Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias. Përgjigjja ende nuk ka ardhur dhe dosja nuk mund të dërgohet për gjykim nëse nuk ka përfunduar procesi i hetimit.

Ish-ministri i Brendshëm ka qenë në hetim nga prokuroria italiane prej datës 27 tetor 2017 nga prokuroria e Katanias me akuzën e trafikut të drogës mbi bazën e përgjimeve të çështjes Habilaj.

Sipas përgjimeve të kryera nga organi i akuzës italiane, flitej për 30 mijë euro që grupi Habilaj kishte për t'i dhënë një personi me emrin Saimir dhe bizhuteri gruas së tij. Pavarësisht kësaj, nuk ka prova të mjaftueshme që e përfshijnë Tahirin në aktivitetin kriminal në rrjetin kriminal të Habilajve. Për pasojë, autoritetet italiane kërkuan mbylljen e çështjes ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Pak javë më parë Tahiri depozitoi në prokurorinë e Krimeve të Rënda edhe vendimin e prokurorisë së Katanias.

Grupi Habilaj u vu në hetim nga prokuroria e Katanias ku aktualisht i gjithë grupi është dërguar në gjykim me akuzën e trafikut të tonelatave kanabis dhe disa armë kallashnikov në Itali. Banda kriminale drejtohej nga Moisi Habilaj, ku Prokuroria e Katanias kërkon 18 vite burg dhe një shekull për të gjithë anëtarët e bandës së tij.

o.j/dita

Gazeta kryesore austriake: Ja pse u hoq ministri i Jashtëm i Shqipërisë

Posted: 31 Jan 2019 01:27 AM PST

 

Gazeta e njohur austriake, Der Standard, e cila shkruan vazhdimisht për çështjet e rajonit, vjen sot me një artikull nga Adelheid Woelfl.

Ajo shkruan se politikanët populistë si Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç janë për ndarjen e Kosovës.

Gazetarja shkruan se ministri i jashtëm i Shqipërisë u hoq sepse shprehu kundërshti për idenë e ndryshimit të kufijve, që me sa duket është dakordësuar mes Vuçiç e Ramës dhe ky i fundit ka futur në lojë Thaçin.

"Rama nxorri nga qeveria njeriun që kundërshtoi idenë e shkëmbimit territorial, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe ia kaloi zyrën e tij një 26-vjeçari kosovar. Zyrtarisht Edi Rama tani është ministër i Jashtëm, por të gjithë kompetencat ia ka dhënë zëvendësit", shkruan gazetarja.

Eksperti i Evropës Juglindore, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit thotë se zëvendësimi i Bushatit ishte i befasishëm dhe i çuditshëm, pasi ai respektohej nga ndërkombëtarët që e shihnin si një antipod për të balancuar natyrën e papërshtatshme shpërthyese të Ramës.

Megjithatë, disa diplomatë thonë se shkëmbimi i territorit mes Kosovës dhe Serbisë duket një përfundim i pashmangshëm, edhe pse kundërshtohet nga shumica e partive dhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Gazetarja citon në këtë kuadër edhe letrën e presidentit amerikan Donald Trump për homologun Hashim Thaçi.

Sipas shkrimit, njeriu kyç i Trump po punon për ndarjen e Kosovës.

"Sipas ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, kryestrategu i fushatës zgjedhore të Donald Trump, Corey Lewandowski, është lobisti që po bën fushatë për ndarjen e Kosovës. Në adresën e Lewandowski-t në Uashington është regjistruar firma Twin Rocks Global, që ka një kontratë me partinë serbo-nacionaliste, SNSD, që ka synuar ndarjen dhe me këtë rast shkatërrimin e Bosnje-Hercegovinës", mbyllet shkrimi.

Artikullin origjinal mund ta lexoni KETU

o.j/dita

Pse shtesa e PBB-së rritet, ndërsa ajo e të ardhurave buxhetore ulet!?

Posted: 31 Jan 2019 01:07 AM PST

Koço Broka*

Publikimi i të dhënave për Produktin e Brendshëm Bruto (PBB), tremujore e vjetore, asnjëherë nuk ka mbetur pronë e INSTAT, apo medias. Por për të shkuar tek publiku gjithmonë është është pushtuar e amplifikuar nga politika dhe leximi i gotës gjysmë plot në mazhorancë dhe gjysmë bosh në opozitë. E tillë është shfaqur ajo gjatë viteve të fundit, por jo vetëm.

Karakteristikë për mazhorancën aktuale është amplifikimi i rritjes të vazhdueshme të PBB nga viti në vit, që nga viti 2013, pa i lënë hapësirën e nevojshme që secili të gjykojë jo vetëm nga ajo çka thonë partitë me luftën e tyre politike por me mendjen e vet,  mbi bazën e asaj që thonë shifrat, të dhënat që në rastin tonë paraqiten në tabelën Nr 1 shoqëruar në grafikun përkatës.

Të dhënat e tremujorit të katërt për PBB-në nuk janë bërë ende publike, por mbështetur në të dhënat e nëntëmujorit dhe shtesën e të ardhurave buxhetore gjatë  tremujorit të katërt, krahasuar me periudhën paraardhëse, pritshmëria është që rritja e PBB-së të jetë rreth 4.3%.

Nga përfaqësues të mazhorancës , ish Ministri i Financave është theksuar "Shikoni vitin 2013-të që metaforikisht do ta quaja si "lugina e errët e ekonomisë shqiptare", me një rritje statistikore 1%. Siç e shikoni, 9-mujori i vitit 2018 është me rritje 4.35% dhe tremujori i tretë i vitit 2018-të është 4.45%, që është më i larti në rajon, rritja ekonomike më e lartë në rajon " Ky lexim i gotës gjysmë plot,  sado rozë mund të duket, nuk ka të krahasuar me euforinë e  ish mazhorancës paraardhëse. Mjafton të mbahet parasysh disa fakte. PBB në terma absolute për vitin 2018 është parashikuar dhe prezantohet në  pasqyrat ekonomike  në nivelin e  1 647.6 miliard lek.

Tabela nr 1.

Burimi: Ministria e Financave dhe INSTAT

Por në se i hidhet një sy KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL, PËR PERIUDHËN 2011-2013, të miratuar në  07.01. 2010, niveli i PBB-së në terma absolute për vitin 2013, ishte parashikuar, të arrinte  1654.6 miliard lekë!?. Kjo do të thotë se është parashikuar brenda  tre vjetëve të arrihej një nivel i tillë  i produktit  të brendshëm bruto, sa ose dicka më i lartë se sa ai i vitit që lamë pas ose 5 vjet më vonë. Për rrjedhojë dhe të ardhurat buxhetore për vitin 2013, ishin parashikuar në nivele të larta, ose 448,1 miliard lekë, nga vetëm 1 miliard më pak se sa janë realizuar në fakt në vitin 2018, ose 449.4!? Ndërkohë në vitin 2013, niveli i të ardhurave buxhetore në fakt u realizua vetëm në nivelin e 327.2 miliard lekë, me një nivel më të ulët madje se ai i  shpenzimeve korente që kanë rezultuar 328.6 miliard lekë. Kjo do të thotë që gjithë investimet publike  mbuloheshin  të gjitha me borxh. Ndërkohë kjo situatë  ishte më e agravuar se është shoqëruar me detyrime të fshehura te prapambetura ndaj biznesit apo subjekteve të tjera në masën e 54 miliard lekë, që do të shlyheshin vetëm nga mazhoranca aktuale.

Në këtë situatë gjatë viteve 2011-2013, këto të fundit u zhndruan në një pengesë reale për ecurinë e biznesit sipërmarrjes private duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të kredive të pakthyera nga njëra anë duke reduktuar rritmet e rritjes të PBB-së nga ana tjetër që ranë në nivelin e 1% nga ana tjetër. Këto të dhëna dëshmojnë qartë se ka patur jo thjesht mangësi dhe pasaktësi serioze në parashikimin e ecurisë së ekonomisë dhe prognozimin e treguesve ekonomikë shoqërore, me kuadrin makroekonomik të vitit 2010. Dhe kjo ka patur dhe kish efektet e kostot përkatëse për ecurinë makroekekonomike të vendit, duke u shoqëruar me stopimin e ecurisë të të ardhurave buxhetore.

Mbështetur edhe në këtë situatë përfaqësues të mazhorancës aktuale, ish Ministri i Financave  nuk ka munguar të theksojë duke iu drejtuar gazetarve nga pozicioni  i Ministrit dhe në vitin 2019 se"  Ndërkohë, diskutuam për të ardhurat. Në 5 vite mblodhëm 1.2 miliardë dollarë më shumë sesa momenti që e morëm… Sigurisht që puna nuk ka fund, por unë në momentin tim personal, kam kënaqësi që e ndaj me ju dhe me qytetarët këtë shifër. Ka bërë të mundur të zgjerohemi në investime."  Për hir të së vërtetës  kjo është fakt. Duke iu referuar të dhënave të realizimi të buxhetit për vitin 2019,që dolën këto ditë rezulton se me të ardhurat buxhetore gjithsej përveç shpenzimeve korrente, nga to, janë mbuluar për vitin 2018 52.2 miliard lekë investime –shpenzime kapitale publike, kurse pjesa tjetër është mbuluar me borxh, dhe  ose PPP, kur në vitin 2013 ky nivel ishte më pak se zero.

Është në të drejtën e kujdo që të mos besojmë verbërisht  në çdo statistikë të ofruar, qoftë dhe të prezantuar  në këtë shkrim nga ana ime  mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë apo INSTAT. Kushdo para se t'i konsiderojë të mirëqena  le ti kontrollojë e verifikojë nëse këto shifra janë të vërteta dhe nuk janë përdorur për të mashtruar njerëzit. Kjo aq më tepër ka vlerë për gazetarët ose opinion bërësit. Por si ish pedagog  i hyrjes në Ekonomiks, në fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, do iu drejtohesha studenteve që të lexonin në mënyre të pavarur të dhënat e mësipërme, për të gjykuar vetë se cila situatë ekonomike është më e mirë dhe më shprese dhënëse, ajo aktuale apo ajo para zgjedhjeve te qershorit 2013? (Është në të drejtën e tyre por dhe të mbarë publikut, që ata të sqarojnë veten por dhe mbarë shoqërinë shqiptare, se sa janë studentet e këtij fakulteti, apo të tjerë jashtë tij, që mbajnë peng godinën e këtij fakulteti për të mos bërë mësim, me ata që duan të bëjnë mësim)

Personalisht jam i vetëdijshëm se do ketë gjithmonë njerëz që nuk kufizohen e mbështeten në atë që të dhënat që të jenë të vërteta dhe të sakta, por gjithashtu, të dëshirojnë e duam të mund lexojmë diçka që  i u përshtatet bindjeve të veta. Ky shkrim nuk i plotëson këto dëshirat e fundit, por synon të ofrojë një hapësirë ku secili të shqyrtojnë sipas njohurive e këndvështrimit të vet duke shoshitur gjithçka që është ofruar, dhe iu është vënë para syve të tyre. Shoqëria e demokracia jonë pavarësisht nga infantiliteti dhe mangësitë  i ofron  dhe duhet t'i ofrojë kujtdo mundësinë për të zgjedhur në cilën udhë të eci. Natyrisht këtu nuk mund të mos ndalem sidomos për pedagogët e Fakultetit Histori-Gjeografi, sidomos dega e gazetarisë, që pasi i kanë privuar studentet e tyre përfshi pjesën dërmuese e gazetarëve të rinj të sotëm, nga lënda e Ekonomiksit, pra i kanë privuar ata nga njohuritë e domosdoshme ekonomike për të gjykuar në mënyrë të pavarur mbi dukuritë ekonomike sociale, janë angazhuar t'i privojnë ata studentë që duan të bëjnë mësim, sado të paktë apo të shumtë të jenë në numër, duke u imponuar mosbërjen e mësimit, duke shpallur kërkesa ultimative nën pretekstin e  rishikimin e ligjit të arsimit  të lartë?!

Pozicionet partiake të hapura apo të kamufluara duke qëndruar me fanatizëm në istikame  jo vetëm në këndvështrimin gjysmë plot apo gjysmë bosh, apo simpatizantët duke zgjedhur të keqen më të vogël, si po konfirmon koha, nuk janë të mjaftueshme. Ato mund të shërbejnë për mbajtjen ose marrjen e pushtetit, dhe si të tilla do të ekzistojnë  dhe do s'do do hedhin stërkalat e tyre tek të gjithë.  Por koha po tregon se është e rëndësishme se përveç tyre, apo qoftë krahas tyre, të shihet se çfarë përfaqëson gota e mbushur përgjysmë, qoftë kur  nuk i ke për zemër aritmetikën apo nuk ke simpati për numrat?! Realizmi, objektiviteti i mbështetur edhe nga statistika nuk përjashton optimizmin, por përkundrazi e bën atë më të qëndrueshme më solid.  Kundërshtim për kundërshtim mbi premisa të ngushta partiake, po kthehet në një kosto të madhe, do të thosha të jashtëzakonshme për shoqërinë dhe ekonominë tonë, duke lënë vetëm pak hapësirë për të menduar për zgjidhjen e sfidave të mëdha e duke e semplifikuar zgjidhjen e tyre dhe sidomos përballimin e konkurrencës si brenda dhe sidomos jashtë vendit. Ndërsa europianët gjithnjë e gjithnjë përsërisin dhe na kujtojnë ne shqiptarëve dialog, dialog e përsëri dialog…

Kjo kërkon që të shihen më me vëmendje grafikët e prezantuar, të cilët në disa raste mund të mos   jenë të pëlqyeshëm, madje as të pranuar nga disa gazetarë. Si dashamirës i numrave pavarësisht në se e voton ose jo, madje ngrihesh në protestë e nuk mungon të kërkosh politika ndryshe, ndoshta ja vlen të dëgjohet  autori i radhëve vijuese, që thotë:"Është kollaj, të flasësh kur nuk ke gjë në dorë; pastaj është pak më vështirë të flasësh kur sheh numra dhe pastaj është shumë më vështirë kur mbi bazën e numrave duhet të bësh politikë" Kjo si  për faktin se me sa duket është një konkluzion më se i natyrshëm i nxjerrë nga periudhë të  gjatë pune  në vendimmarrje.

Duke patur parasysh dhe këtë,  le ti kthehem numrave. Hulumtimi i numrave të mësipërm të tabelës nr 1, të shtyn ose më saktë më ka shtyrë,  të mos kufizohem vetëm në to, sado simpatike e vetëshprehëse  është në vetvete tabela dhe paraqitja grafike ku janë mishëruar ato. Krahas tyre i jam drejtuar dhe kam prezantuar në tabelën nr 2, bashkëlidhur  përmasat absolute të shtesës së  Produktit të Brendshëm Bruto, të pasqyruar më poshtë në vite, me ngjyrë bojë qielli. Ato kanë ndjekur dhe ndjekur prirjet e tendencat në rënie ose në rritje që përfaqësonin ritmet e rritjes të PBB-së në periudhën 2010-2018. Kushdo mund ti lexojë drejtpërdrejt ato. Ndërkohë këto të dhëna janë shoqëruar me shtesën e të ardhurave buxhetore në vitet përkatëse. Ajo që të bie në sy për vitet 2010-2013, është se shtesa e të ardhurave buxhetore jo vetëm ka pasuar rënien e ritmeve të rritjes ekonomike, por ka qenë më e madhe duke pasur limit zeron ose madje dhe nën zero, me ndikimin e ndërsjelltë në rënien e ritmeve të PBB, rritjen e borxhit publik, duke e shpënë ekonominë drejt kolapsit.

Një pamje tjetër paraqesin të dhënat në periudhën 2014-2018. Niveli më i lartë i shtesës të të ardhurave buxhetore, është vënë re në vitin 2014, çuditërisht, kur niveli i rritjes të produktit të brendshëm bruto është në nivelin më të ulët, krahasuar me vitet pas. Si mund të shpjegohet ky paradoks e karakteristikë dalluese e tij!?

Kushdo mund të kujtojë  se ajo ishte produkt i mbështetjes buxhetore të FMN-së e donatorëve të tjerë, për të shlyer detyrimet e prapambetura të qeverisë ndaj sipërmarrësve. Një masë e tillë që u shoqërua me efekte pozitive në shlyerjen e detyrimeve bankare nga ana e këtyre të fundit, por dhe si rrjedhojë e rritjes të tatim- taksave bëri të mundur  rritjen e të ardhurat buxhetore, në nivelin më të lartë gjatë kësaj dekade. Shtesa e këtyre të fundit ka qenë  39.5 miliard lekë, nga 45.3 miliard lekë që ishte shtesa e PBB-së në atë vit. Pra nga totaliteti i shtesës të PBB-së po thuaj e gjitha është tërhequr në buxhetin e shtetit duke rënduar barrën fiskale- tatim taksat mbi grupime të tërë biznesesh në kushtet e stanjacionit të pagave dhe pensioneve por dhe të rritjes së taksave dhe tarifave edhe për këta të fundit duke ushqyer privime e pse jo  pakënaqësi tek të cenuarit . E gjithë kjo  është  shoqëruar me një defiçit e borxh të konsideruar, por  duke vazhduar rritjen. Kjo e fundit u stimulua dhe nga dy investimet e huaja të drejtpërdrejta si ato të TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Mazhoranca e cila nuk ka munguar të angazhohet në sfidimin e gazetarëve të takime biseda e intervista asnjëherë nuk ka bërë transparencën lidhur  përmasat dhe se cili ka qenë efekti i këtyre të fundit si në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto por dhe shtimin e  të ardhurave buxhetore, në çdo vit, duke u rrezikuar të bëhet viktimë e trumbetimit të efekteve të tyre si të vetat.

 Vazhdimi i ecurisë së  PBB-se  kërkon shlyerje e menjëhershme e detyrimeve të   prapambetura

Pas një luhatje e reduktim të të ardhurave buxhetore  në vitin 2015, në vitin 2016, krahas me rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto janë shtuar kënaqshëm të ardhurat buxhetore në nivelin e 27.8 miliard lekëve. Kjo mundësonte shtimin e të ardhurave buxhetore për investime me burimet e buxhetit duke mundësuar ritmin e rritjes të PBB-së, reduktimin e deficiti buxhetor, por pse dhe marrjen e masave lehtësuese.

Tabela nr 2

Por ajo që të bije në sy në vitet në vijim, ndërsa shtesa e produktit të brendshëm bruto më se dyfishohet në vitin 2018, krahasuar me atë të vitit 2016 ose rritet 2.3 herë më tepër, shtesa e të ardhurave buxhetore ka rënë nga një vit në tjetrin, për të mbërritur në vitin 2018 në 18.9 miliard lekë. Këtë mund ta shohë kushdo. Natyrisht këtu ka faktorë të ndryshëm, që nga faktorë të jashtëm të mishëruar në kursin e këmbimit,  në aftësitë konkurruese të  biznesit, punonjësve por dhe universitet tona deri tek amplifikimi i ankesave, duke hequr vëmendjet  nga përballimi i sfidave (mjafton të shihet se si trajtohet problemi i largimit të specialisteve dhe të rinjve nga Shqipëria dhe Ballkani.

Këto probleme dhe sfida nuk janë vetëm shqiptare por dhe ballkanike. Kjo mund të vërtetohet lehtësisht. Por në se në vendet e tjera ato trajtohen dhe si sfida reale për tu përballuar e zgjidhur nga mbarë shoqëria, duke i kërkuar Qeverisë të luajë rolin e vet, tek ne kufizohemi vetëm në këtë të fundit duke amplifikuar ankesat)  niveli i qeverisjes dhe politikat e saj…

Këto të fundit janë mishëruar në disa aspekte por po ndalem vetëm në njërin prej tyre, drejtimin e buxhetit  me Akte Normative. Realizimi i të ardhurave buxhetore për vitin 2017, u realizua mbi 12 miliard lekë më pak se Akti Normativ Nr 3 i  6 Nëntori. Me gjithë efektet negative që kish ky mos realizim sidomos në kryerjen e shpenzimeve të parashikuara, nuk u nxorën mësimet përkatëse. E njëjta gjë ndodhi edhe me Aktin Normativ nr 2 të 19 Dhjetorit 2018, ku diferenca e realizimit të të ardhurave buxhetore në fakt me ato  sipas  Aktit është për më se 12 miliard lekë.

Kjo diferencë është e keqja më e vogël. Me një nivel të tillë  kjo është shoqëruar me një mungesë transparence për detyrimet e prapambetura të krijuar rishtazi  ndaj biznesit dhe mos shlyerjen e tyre. FMN ka qenë e qartë në deklaratën e saj të Nëntorit 2018" Rritja e detyrimeve të prapambetura buxhetore që nga 2016 duhet të trajtohet pa vonesë. Detyrimet e prapambetura, përfshirë ato të pushtetit vendor, çmohen se janë sa 1,5 për qind e PBB-së në fund të muajit shtator 2018. … Rimbursimi në kohë i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) është me rëndësi për të krijuar besim te administrata tatimore dhe te funksionimi i sistemit të TVSH-së.

" Por këto të fundit nga ana e tyre shndërrohen në një faktor frenues të ecurisë së biznesit, pa bërë fjalën për pengimin e rritjes së tij. Po të mbahet parash rënia e depozitave bankare në dy vitet e fundit, rënia e stokut të kredisë nën nivelin e vitit 2011,( çka flet se sfidat e ekonomisë dhe zhvillimit të biznesit janë serioze) dhe mbarimi i dy investimeve të huaja të drejtpërdrejta të mëdha; recidivizmi i detyrimeve të prapambetura në rritje,  bën apel se praktika e qerthullit  të viteve 2011-2013, ka rrezik të përsëritet.

Ja përse  tërmeti e ndryshimet në kabinetin e Qeverisë nuk janë të mjaftueshme pa ndryshimin e mënyrës së  qeverisjes. Transparenca e plotë për detyrimet e prapambetura dhe shlyerja sa më e shpejtë e tyre është sa një problem  i drejtpërdrejtë fiskal- financiar por aq edhe me efekte në ecurinë e mëtejshme të PBB duke prekur të gjithë.

Kjo aq më tepër kur duke ecur drejt përfundimit të TAP dhe disa hidrocentraleve, ndërsa përmasat e rimbursimit të TVSH-se ndaj tyre, konform kërkesave ligjore, kanë ardhur duke u rritur dukshëm, shlyerja e tyre është shoqëruar me  shtimin e detyrimeve ndaj bizneseve të ndryshëm vendas!? Ndërkohë përmasat e borxhit të huaj, të marrë gjatë vitit të kaluar kanë arritur në nivelin e jashtëzakonshëm 83.7 miliard lekëve (shih publikimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë) janë të frikshme.

Një nivel i tillë kërkon që të bëhet një transparencë e plotë për borxhin publik të brendshëm e të huaj, stokun e tij në vitin 2018 e detyrimeve të prapambetura. Ky hap i domosdoshëm  duhet shoqëruar me shlyerjen sa me shpejt   të gjithë detyrimeve të prapambetura. Diferencat midis borxhit bruto dhe neto e mundësojnë atë. Sentenca simpatike, e qeveritarëve tanë, Dëgjim, Bashkëveprim, Bashkëqeverisje, s'ka përse të mbetet retorike. Ecuria e ekonomisë në vitet 2011-2013 po bën apel, që të mos përsëritet qerthulli i atyre viteve.

*Ekonomist

 

Ligji i ri i punësimit, kategoritë që do të kenë përparësi

Posted: 31 Jan 2019 01:01 AM PST

Qeveria 'Rama' ka depozituar një projektligj të ri në Kuvendin e Shqipërisë, i cili përcakton rregullat e reja të punësimit dhe të kualifikimit profesional, ngritjen e institucioneve përkatëse, funksionimin e tyre dhe disa mekanizma, me qëllim rritjen e punësimit të shqiptarëve.

Projektligjit parashikon ngritjen e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, i cili do të ketë statusin e juridik të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Krahas institucionit përgjegjës për punësimin, do të ngrihen edhe dy këshilla të reja, Këshilli Konsultativ Tripalësh dhe Këshilli Vendor Tripalësh.

Grupet e veçanta që do kenë përparësi

  1. Të rinjtë me moshë nën 29 vjeç
  2. Personat me moshë mbi 55 vjeç
  3. Personat me aftësi të kufizuara
  4. Jetimët
  5. Kryefamiljarët e vetëm, me fëmijë në ngarkim
  6. Personat nga komuniteti rom dhe egjiptian
  7. Personat që kanë apo janë duke vuajtur dënimin me burgim;
  8. Personat nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura
  9. Punëkërkuesit e papunë afatgjatë (të regjistruar si punëkërkues të papunë prej më shumë se një viti)
  10. Punëkërkuesit e papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni;
  11. Të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin
  12. Viktimat e trafikut e të dhunës me bazë gjinore dhe në familje.

o.j/dita

Keni aplikuar për Lotarinë Amerikane? Ambasada: Dërgoni dokumentet…

Posted: 31 Jan 2019 12:40 AM PST

Ambasada amerikane në Tiranë ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë ata që kanë aplikuar për lotarinë amerikane DV 2019.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Facebook, ambasada e SHBA thotë se të gjithë fituesve të lotarisë do t'u kërkohet të dërgojnë me email një listë me dokumentet.

Njoftimi i ambasadës së SHBA në Tiranë:

🇦🇱 | Jeni i përzgjedhur i programit të Lotarisë DV2019? KCC do t'ju kërkojë t'i dërgoni me email një listë të dokumenteve tuaja. Për më tepër informacion, lutemi vizitoni 👉 https://dvselectee.state.gov #pyetanen

o.j/dita

Specializimet në Mjekësi/ Garohet për 309 kuota, ndarja për secilin specialitet

Posted: 31 Jan 2019 12:32 AM PST

Ditën e hënë nis zyrtarisht gara për kuotat e specializimeve afatgjata në mjekësi. Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë ka miratuar tashmë procedurat e aplikimit, konkurrimit, si dhe përzgjedhjes së kandidatëve që duan të garojnë përgjatë këtij viti për të fituar një të drejtë studimi në programet e specializimeve afatgjata.

Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, konkurimi për kuotat e miratuara do të zhvillohet në disa faza, duke nisur nga aplikimi me dosje, intervista me gojë, si dhe testimi i informatizuar që do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sipas një kalendari të përcaktuara datash.

Për të konkuruar për specializimet afatgjata, kushti bazë që duhet të plotësojë secili kandidat është që të ketë kryer një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë “Master i shkencave” në fushën e mjekësisë, teksa janë zbardhur edhe kriteret e tjera specifike që i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit. Rezultati final i çdo kandidati përcaktohet nga pikët e marra në të tria fazat e konkurimit. Renditja e fituesve nis me kandidatët që kanë pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës.

Kuotat e pranimit
Në vendimin e miratuara nga Senati Akademik i këtij universiteti janë përcaktuar edhe kuotat e pranimeve për të gjitha specialitetet mjekësore. Konkretisht, kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë, për programet e ciklit të tretë të studimeve, specializime afatgjata me kohë të plotë, për vitin
akademik 2018-2019, do të jenë në total 309. Këto kuota ndahen në: 80 kuota pranimi për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 196 kuota të lira, 2 kuota për Ministrinë e Brendshme, 20 kuota pranimi për Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe 11 kuota pranimi për Ministrinë e Drejtësisë. Ndarjen e plotë të kuotave për secilin specialitet e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit.

Afatet e aplikimit
Faza e parë e konkurrimit përfshin aplikimin me dosje. Sipas vendimit të zbardhur, kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për një program specializues afatgjatë në fushën e mjekësisë për vitin akademik 2018-2019 duke nisur nga data 4 shkurt. Pranimi i dosjeve të konkurrimit do të vijojë deri në datën 15 shkurt. Në vijim gjeni të plotë edhe listën e dokumenteve që duhet të përfshini në dosjen e aplikimit.
Kanë të drejtë që të aplikojnë për programet e specializimeve të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë një program të integruar të nivelit të dytë "Master i shkencave", të dasmuar nga diploma përkatëse, teksa duhet të fituar edhe të drejtën e ushtrimit të profesionit në vendin tonë. Për këto programe mund të konkurojnë edhe të gjithë kandidatët e tjerë që janë diplomuar jashtë vendit në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë të nivelit shkencor dhe që kanë kryer njehsimin e diplomës pranë strukturave përgjegjëse të MASR në vendin tonë.
Në përfundim të aplikimeve, dekanatet pas kryerjes së verifikimeve shpallin brenda datës 25 shkurt listën përfundimtare të kandidatëve, si dhe kalendarin e zhvillimit të intervistave me gojë dhe testimit të informatizuar. Datat e zhvillimit te testimit të informatizuar konsultohen me Qendrën e Shërbimeve të Arsimit lidhur me disponibilitetin për zhvillimin e testimit të informatizuar.

Specialitetet ku mund të konkuroni
Janë rreth 36 programe në të cilat kandidatët do të mund të aplikojnë për vijimin e studimeve të specializimit afatgjatë. Konkretisht programet e studimeve të specializimeve afatgjatë do të përfshijnë kuota pranimi për specialitetet në Alergologji, Anatomi patologjike, Anestezi-reanimacion, Dermatologji, Endokrinologji, Gastrohepatologji, Hematologji, Diagnozë me imazhe, Kardiokirurgji, Kardiologji, Kirurgji e përgjithshme, Kirurgji maksilo-faciale, Laborator klinik-biokimik, Mikrobiologji, Mjek familjeje, Mjekësi interne, Mjekësi ligjore, Nefrologji, Neurologji, Neurokirurgji, ORL, Obstetrikë-gjinekologji, Okulistikë, Onkologji, Ortopedi-traumatologji, Pediatri, Pedodonti, Pneumonologji, Psikiatri, Psikiatri e fëmijëve dhe e adoleshentëve, Reumatologji, Sëmundje infektive, Shëndet publik, Terapi stomatologjike, Toksikologji klinike, si dhe stomatologji (kirurgji orale, kirurgji maksilo- faciale, protetika fikse, protetika të lëvizshme, protetika kirurgjikale, ortodonci periodontologji).

Intervista me gojë
Përfaqësuesit e Senatit Akademik kanë vendosur që pas fazës së aplikimit konkurrimi do të vijojë me fazën e dytë që është intervista. Sipas afateve të përcaktuara, të gjithë kandidatët e kualifikuar në datën 28 shkurt do të dalin para komisioneve të ekspertëve për t'ju nënshtruar intervistës me gojë.
Gjatë intervistës, ekspertët e komisionit do të vlerësojnë kandidatin për aspektet që kanë të bëjnë me: "Aftësitë e gjykimit të kandidatit, motivimin për të vazhduar specializimin për të cilin ka aplikuar, profilin e përgjithshëm psikologjik, predispozicionin për të punuar në grup, aftësitë dhe nivelin e komunikimit, nivelin e kulturës së përgjithshme, nivelin e shprehjes dhe kulturës mjekësore, aftësinë për të punuar në kushtet e stresit të zgjatur, tiparet e përgjithshme të metodës në punë dhe aftësinë për të lexuar dhe analizuar një material të mirëfilltë shkencor mjekësor.

Testimi i informatizuar
Faza e tretë e konkurrimit do të jetë testimi i informatizuar. Sipas udhëzimit të miratuara nga Senati Akademik, testimi i informatizuar fillon jo më parë se 30 ditë nga publikimi i fondit të pyetjeve, për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë.
Testimi i informatizuar zhvillohet në Qendrën e Sh6rbimeve Arsimore (QSHA) sipas kalendarit të përcaktuar nga Dekanatet, bazuar në disponibilitetin e ambienteve të testimit të përcaktuara nga QSHA. Ditën e zhvillimit te provimit, kandidatët duhet të kenë me vete dokumentacionin në vijim: "Dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë), një fotokopje të saj, si dhe mandat pagesën e hyrjes në testim. Ditën e provimit duhet të paraqiteni në ambientet e përcaktuara 30 minuta para fillimit të provimit.

Shpallja e fituesve
Shpallja e fituesve do të bëhet nga pikët finale që kandidati do të sigurojë nëpërmjet mesatares së studimeve, intervistës me gojë, si dhe testit të informatizuar. Pas këtij procesi, Komisioni i Vlerësimit shpall listën e kandidatëve të kualifikuar, duke i renditur sipas pikëve kumulative në rend zbritës, ku kandidati i fundit ka jo më pak se 380 pikë, për vijimin e procedurës së përzgjedhjes së programit të studimit.
"Zgjedhja e programit të specializimit bëhet nga vetë kandidati brenda dy ditëve nga shpallja e rezultateve finale. Kandidatët që kanë grumbulluar jo më pak se 380 pikë nga numri i pikëve totale të konvertuara (maksimumi 1000 pikë, kualifikohen për procesin e përzgjedhjes së programit të specializimit sipas sistemit të meritës)", thuhet në udhëzimin e zbardhur nga Universiteti i Mjekësisë.

Tarifa e aplikimit
Tarifa e aplikimit dhe konkurimit (intervista me gojë) në programet specializuese afatgjata apo tarifa për transferim studimesh është 5000 lekë. Tarifa vjetore e shkollimit për studentet që ndjekin programet specializuese afatgjata në fushën e mjekësisë, do jetë 115,000 lekë. Studentet e shpallur fitues duhet të paguajnë menjëherë 30 për qind të tarifës vjetore të shkollimit, ndërsa pjesa tjetër e pagesës do të arkëtohet me këste të përcaktuara sipas fakulteteve përkatëse ku kandidati është shpallur fitues. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së plotë të studimeve në vitin akademik ku vijojnë studimet.

Konkurrimi me dosje përfshin:
• Formular aplikimi, sipas modelit të përcaktuar.
• Një letër motivimi e aplikantit.
• Fotokopje e dokumentit të identifikimit të vlefshëm, kartë identiteti ose pasaportë.
• Kopje e njehsuar me origjinalin e diplomës universitare dhe e listës së notave.
• Për rastet e diplomave të huaja paraqitet kopje e njësuar me origjinalin e vërtetimit të njohjes në vendin tonë, e shoqëruar kjo me diplomën dhe listën përkatëse të notave. Në rast se njohja e diplomës nuk ka përfunduar, kandidati paraqet vërtetim që ka dorëzuar dokumentacionin për njohje në ministrinë përgjegjëse për arsimin, dhe duhet të dorëzojë dokumentin e njohjes jo më vonë se data e parashikuar për testimin e informatizuar, si dhe përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar nga Komisioni i Vlerësimit.
• Kopje e njehsuar e dokumentit që vërteton njohjen e gjuhës së huaj sipas kushteve të përcaktuara.
• Fotokopje e licencës për ushtrimin e profesionit në profilin përkatës, si dhe dëshmisë së regjistrimit në Urdhrin Profesional.
• Dëshmi penaliteti e vlefshme.
• Mandat pagesën e aplikimit dhe konkurrimit.

DITA

Sondazhi i KE: Banesat në Shqipëri nuk ofrojnë jetesë cilësore

Posted: 31 Jan 2019 12:13 AM PST

Megjithëse shqiptarët janë ndër vendet me përqindjen më të lartë në Europë për pronësinë e shtëpive të tyre ata vuajnë nga mungesa e hapësirave dhe kushteve minimale si prania e një tualeti apo e dushit brenda në shtëpi.

Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës të zhvilluar nga Komisioni Europian rreth 17% e të anketuarve janë shprehur se kanë mungesë të tualetit apo dushit në shtëpi, ndërsa 43% e të pyeturve (më e larta në Europë) janë shprehur se nuk kanë mjaftueshëm hapësirë në shtëpitë e tyre.

Mesatarisht, të anketuarit, në Shqipëri janë shprehur se kanë vetëm 2 dhoma, numri më i ulët i vendeve të Bashkimit Europian dhe kandidateve për t'iu anëtarësuar.

Shqipëria mban vendin e parë edhe për cilësinë e dyerve, dritareve dhe dyshemesë dhe ka rezultuar me përqindjen më të lartë të të pyeturve të cilët kanë pohuar se kanë lagështirë apo rrjedhje në shtëpi.

Sipas Anketës së Cilësisë së Jetës rreth 40% e të anketuarve në Shqipëri janë përgjigjur se kanë lagështire apo rrjedhje të ujit.

Rreth 12% e të pyeturve janë përgjigjur gjithashtu që kanë mungesë të tualetit me ujë të rrjedhshëm, ndërkohë që Malin e Zi vetëm 3% e të pyeturve kanë pohuar se kanë mungesë të tij, 4% në Serbi dhe 7% në Maqedoni.

Shqiptarët kanë vështirësi edhe për të ngrohur apo për të mbajtur në temperatura optimale shtëpitë e tyre.

Komisioni Europian ka zhvilluar Anketën e Cilësisë së Jetës në vendet e Bashkimit Europian dhe kandidatëve për t’u anëtarësuar. Në secilin shtetet është marrë një kampion përfaqësues, ku të anketuarit janë pyetur mbi fusha të caktuara të mirëqenies./ Referuar Monitor.al

o.j/dita

Tusk: Marrëveshja e Brexit-it nuk rinegociohet

Posted: 30 Jan 2019 11:58 PM PST

Bashkimi Evropian po i përmbahet marrëveshjes së tërheqjes së Britanisë nga unioni, shkroi Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk të mërkurën, në atë që ai tha se ishte një mesazh për Kryeministren britanike Theresa May.

"Marrëveshja e Tërheqjes nuk është e hapur për rinegociim. Dje, ne kuptuam se çfarë nuk dëshiron Mbretëria e Bashkuar, por ne ende nuk e dimë se çfarë dëshiron Britania e Madhe", tha ai.

Në të njëjtën linjë me presidentin e Këshillit Europian, ishte edhe kryenegociatori i Brexit-it, Michel Barnier, i cili theksoi se koha ishte tepër e shkurtër për të gjetur një alternativë ndaj marrëveshjes së kufirit irlandez, të rënë dakord në marrëveshjen e nëntorit, që gjithsesi nuk ishte e hapur për rinegociim.

Me vetëm dy muaj të mbetur para se Britania të largohet me ligj nga Bashkimi Europian, një shumicë e ngushtë në parlamentin britanik udhëzoi kryeministren May të martën, për t'u kthyer në Bruksel dhe për të rishikuar atë që është ndoshta pjesa më e vështirë e marrëveshjes.

Michel Barnier i tha radios RTL të Francës se negociatat dyvjeçare të divorcit kishin kërkuar një alternativë ndaj "backstop irlandez", i projektuar për të siguruar kufirin midis Irlandës anëtare të BE dhe krahinës britanike të Irlandës së Veriut.

"Askush, në njërën anë, nuk ishte në gjendje të thoshte se çfarë aranzhimi do të nevojitej për të siguruar kontrollin mbi mallrat, pa pasur kufizim", tha Barnier. "Nuk kemi as kohë, as teknologji."

Në thelb, May do të përdorë kërcënimin e nënkuptuar të një 'Brexiti' pa marrëveshje për të kërkuar një marrëveshje nga 27 anëtarët e tjerë të BE-së, ekonomia e kombinuar e të cilave është rreth gjashtëfishi i madhësisë së Britanisë.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more