Skip to main content

“Konfliktet tregtare në samitin e G20” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Konfliktet tregtare në samitin e G20” plus 1 more Telegrafi Opinione


Konfliktet tregtare në samitin e G20

Posted: 01 Dec 2018 04:00 AM PST

Samiti i G20-s që po zhvillohet në Argjentinë, është i pari në Amerikën Latine. Presidenti argjentinas, Mauricio Macri, që lufton në vendin e tij me një krizë të fortë financiare, do që t’ua bëjë më të prekshme problemet e vendit të tij 20 vendeve më të rëndësishme ekonomike të botës. “Duhet të bëjmë gjithnjë të qartë, që kemi të bëjmë me një botë, në të cilën hendeku i padrejtësisë po zmadhohet e nuk po zvogëlohet, dhe madje kudo.”

Presidenti Macri ka bërë të ditur se duam “të bëjmë një G20 që sjell diçka konkrete për çdo njeri”. Kështu i përshkruan Pedro Villagra Delgado qëllimet e Argjentinës për samitin e G20-s. Ai është këshilltar i mikpritësit të samitit, presidentit argjentinas dhe ka punuar me 19 kolegët e tjerë për përgatitjen e samitit. “Mendohet se gjithçka është e vetëkuptueshme, por po të shohësh me vëmendje, nuk është kështu. Duhen vendime që përmirësojnë jetën e njerëzve”, thotë Pedro Villagra Delgado.

Samiti i G20- do të debatojë këtë herë edhe për të ardhmen e punës në botën digjitale, arsimin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë e artikujve ushqimorë. Për diplomatin me përvojë Pedro Mauricio Macri është e qartë, se një temë tjetër, e sidomos një president, ai amerikan do të sundojnë skenën në Buenos Aires. Me politikën “America first” Trump ka bërë të pakënaqur aleatët si BE e Kanada, por edhe Kinën. Christine Lagarde, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar u shpreh para samitit të G20-s se doganat ndëshkuese dhe konfliktet tregtare e reduktojnë tregtinë botërore. “Tregohen sigurisht edhe efektet që këto masa do të kenë në kapacitetin ekonomik. Në rastin më të keq, ekonomia botërore do të ulet me 0,5 për qind.”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe krerë të tjerë shtetesh e qeverish kanë vendosur të këmbëngulin tek ruajtja e tregtisë së lirë. Për momentin duket se do të kemi një samit sipas motos “Të gjithë kundër njërit, të gjithë kundër Trumpit”. As nuk mendohet që presidenti amerikan, që do të qëndrojë vetëm një ditë në samit, të reagojë ndaj këtyre qëndrimeve. Për të vlen “Amerika First”, siç e theksoi edhe para një jave.

Institucionet ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë, OBT apo edhe G20 janë për të të bezdisshme.

Trump kërkon gjatë qëndrimit në samitin e G20-tës të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, për të arritur një marrëveshje bilaterale. Në të njëjtën kohë ai edhe kërcënon. “Ne po ecim mirë me Kinën. Kina kërkon të mbyllë një marrëveshje. Ndoshta nuk ua thonë juve, por e duan shumë këtë. Unë kam edhe 250 miliardë të tjerë që mund t’i vë si dogana, po qe se nuk arrijmë një marrëveshje. Më besoni, unë do t’i vë ato, sepse Kina prej vitesh e vitesh e ka bastisur vendin tonë.”

Nuk dihet, nëse kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker do të ketë shansin të flasë me presidentin amerikan për doganat mbi çelikun dhe aluminin. Bisedimet transatlantike të filluara në verë kanë ngecur. Junkcer nuk e pëlqen strategjinë aktuale amerikane, ku secili mendon për veten. “Nuk e pëlqej unilateralizmin, sepse nuk merr në konsideratë nevojat e të tjerëve. Do të mbetem një multilateralist”, tha Juncker në një fjalim për gjendjen e Bashkimit Europian në shtator.

Ishte planifikuar edhe një takim i Donald Trump me presidentin Putin në kuadër të samitit, i cili nuk do të zhvillohet, me arsyetimin, se Rusia nuk liruar marinarët ukrainas të marrë në arrest. “Nuk më pëlqejnë agresionet”, tha Trump. Të dyja palët nuk grinden aq për çështje tregtare, se sa për marrëveshjen për ndalimin e raketave me rreze të mesme veprimi.

Mikpritësit argjentinas shpresojnë që krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve që përfaqësojnë 80% të kapacitetit ekonomik botëror të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht qëndrimit të Donald Trump. Dëshira ime është që në dokumentin përfundimtar të samitit të G20-s, të vihet re angazhimi i krerëve të shteteve e qeverive, duan të punojnë bashkë për të mirën e të gjithëve, thotë Pedro Villagra Delgardo.

The post Konfliktet tregtare në samitin e G20 appeared first on Telegrafi.

Rama s’lufton për kufij, por për “Like” në Facebook

Posted: 01 Dec 2018 03:08 AM PST

Si gjithmonë, sa herë që Edi Rama shkel në Kosovë, apo flet për çështjen e saj, ai lë nga pas një gjurulldi të vërtetë. Nuk bëri ndryshim as takimi i Pejës që, megjithëse me dekor modern, pati një brendi të denjë për shekullin XIX. Pas kësaj shfaqjeje sa folklorike, po aq edhe të pështirë, një pjesë e mirë e opinionistëve kosovarë i janë përveshur vençe kryeministrit të Shqipërisë.

Disa e kritikojnë se nuk respektoi shtetin e Kosovës dhe flamurin e tij. Disa të tjerë se si gjithmonë nuk e shmangu dot rolin e paternalistit duke folur edhe në emër të tyre. Ka që shkojnë edhe më përtej duke fantazuar për një plan të përbashkët me Vuçiqin, që prodhoi menjëherë trazirat në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa më të politizuarit mendojnë se zgjodhi të mbështesë Thaçin në idenë e marrë të shkëmbimit të territoreve.

Të lexuara fjalë për fjalë, thëniet e Ramës mund të interpretohen në secilën nga këto mënyra. Por, të para në një perspektivë afatgjatë, të gjitha këto kritika janë lavdërime të pamerituara për një njeri, që nuk ka as plan, as projekt dhe as strategji të mirëmenduar, por sillet thjeshtë si një adoleshent në kërkim të vëmendjes.

Të gjithë kolegëve të mi në Prishtinë, që i janë vërsulur Edi Ramës duke e marrë seriozisht, dua t'i kujtoj një ndodhi që ka ngjarë pak kohë më parë në një mbledhje të kabinetit qeveritar. E ka rrëfyer në vetë të parë një njeri që ka qenë aty prezent. Një nga ata personazhe që kryeministri ynë, ithtar i politikës spektakël, e gradoi zëvendësministër Arsimi, vetëm se kishte arritur të krijonte pak bujë në shtyp. Dhe, ky zëvendësministër që e turpëroi shefin e vet, sepse dha dorëheqjen vetëm pas dy javëve në detyrë, tregoi një skenë marramendëse nga mbledhja e qeverisë ku arriti të marrë pjesë. Një skenë kafkiane ku shefi i kërkonte llogari të rreptë vartësve ministra për pëlqimet që kishin marrë në rrjetet sociale. Ky ishte preokupimi madhor i atij tubimi. As sa detyra kishin realizuar, as dosjet qesharake që i dërgojnë Brukselit duke pretenduar se do të hapë negociatat, por vetëm e vetëm se sa atraktivë kishin qenë për konsumuesit e Twitter-it, Instagram-it, Facebook-ut.

Ndoshta po t'i kishin kushtuar vëmendjen e duhur këtij rrëfimi edhe kolegët e mi në Prishtinë nuk do të kishin qenë aq serioz në kritikat për Edi Ramën.

Ndoshta po ta shikonin me këtë sy, as do të ishin kapluar nga paranoja për një projekt ogurzi të gatuar mes Tiranës dhe Beogradit dhe as për ndonjë shitje të territoreve që sot i përkasin Kosovës.

Përpara tyre do të kishin ngritur pyetje pak më të thjeshta: Si shpjegohet për shembull që vetëm brenda katër ditësh ministri i Financave dhe kryeministri shfaqen me qëndrime krejt të ndryshme në publik për sa i përket taksës 100 për qind që u vu për prodhimet serbe? Si shpjegohet që shefi i diplomacisë në Tiranë ka një qasje ku e ku të pakrahasueshme me atë të Edi Ramës për shkëmbimin e territoreve? Si ka mundësi të shpërfaqet me kaq lehtësi ky amatorizëm për të cilin do të skuqeshin edhe qeveritë më qesharake të rruzullit? Si ka mundësi që në një ekip ku nuk pipëtin askush veç të parit, të ketë të tillë zëra alternativë?

Përgjigjet për këto pyetje janë fare të thjeshta. Kjo kakofoni është shembulli më ilustrues se qeveria e Tiranës nuk ka as plan, as strategji dhe as projekt. Prandaj ministri Arben Ahmetaj foli korrektësisht sipas traditës që ndjek Shqipëria prej vitesh dhe Edi Rama. Në një sfond me flamuj dhe me shqiponja, në Pejë, improvizoi një qëndrim krejt të kundërt.

Kryeministri, ndryshe nga qëndrimi i akullt i vartësit të vet, e ndjeu se shou që organizoi në tubimin e përbashkët të dy qeverive, i jepte më shumë "Like" në Facebook. Dhe sipas modelit të asaj mbledhjes së kabinetit, që tashmë është bërë e njohur në Tiranë, ai veproi menjëherë. Thjesht për shfaqje. Për të rënë në sy mbi të tjerët. Për të tërhequr pak më shumë vëmendje.

Për këto arsye qëndrimi i kritikëve të tij në Prishtinë u duk pak i ekzagjeruar. Sepse Edi Rama nuk duhet marrë seriozisht për ndonjë plan afatgjatë. Ai as nuk mund të ndajë, as të bashkojë shqiptarët. Ai thjesht do të shtojë ndjekësit e tij në rrjetet sociale.

The post Rama s'lufton për kufij, por për "Like" në Facebook appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more