Skip to main content

“Ibrahim Rugova, nga refuzimi estetik tek ai politik” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Ibrahim Rugova, nga refuzimi estetik tek ai politik” plus 9 more Gazeta SHQIP


Ibrahim Rugova, nga refuzimi estetik tek ai politik

Posted: 06 Dec 2018 02:52 AM PST

Ndue Ukaj

Në fund të viteve të 80-ta, në Gadishullin e trazuar Ballkanik, ashtu sikurse edhe në pjesën tjetër të Europës, shembeshin muret e komunizmit dhe hapeshin perspektiva për integrime euro-atlantike. Për popujt që përjetuan tiraninë dhe shtypjen komuniste, kjo ishte dita e shumëpritur e lirisë. Mirëpo, për shqiptarët e Kosovës, gjërat morën kahe tjetër. Në këtë rrëmujë ngjarjesh e zhvillimesh të shpejta globale, ata u gjenden para regjimit brutal të Serbisë, ku shpërtheu një hegjemoni e tërbuar nacionaliste kundër shqiptarëve të Kosovës.

Atëkohë, vendi ynë, i shkëputur padrejtësisht nga trungu amë, Shqipëria, përjetonte një ferr të vërtetë. Në Beograd, projektohej robëria dhe shtypja mbi shqiptarët. Kjo bëhej nga politika, përkrahej nga Kisha Serbe, dhe, nga shkrimtarë dhe akademikë në zë. Ndërkaq, në anën tjetër, në Prishtinë, po ashtu, projektohej liria dhe shkëputja e prangave të robërisë. Kjo ishte betejë e pabarabartë, në kuptimin e plotë të fjalës: shqiptarët e Kosovës përballë regjimit të egër ushtarak e policor, ishin të armatosur me të vetmen gjë: ligjërimin- letërsinë si alternativë.

Pa dyshim, kjo betejë, si gjitha betejat e mëdha, nisi me fjalë dhe përfundoi me luftë. Në këtë përplasje të egër, pushteti tiranik i Beogradit shtrinte frikën, me tërë aparatin e dhunës që i shkonte pas, kurse, në anën tjetër, po në këtë rrëmujë, befas, si alternativë shfaqet letërsia dhe fuqia e epërme e saj. Si një thirrje hyjnore. Dhe, në krye të herës, Ibrahim Rugova, letrari që hyri në politikë, shkruante: "Për mua, denoncimi i terrorit së pari ka nisur përmes ligjërimit, letërsisë."

Me gjuhën e epërme, letërsia bëri punën e vet, në funksion të mbrojtës së lirisë, duke demaskuar pushtetin e të keqes, dhe duke dhënë kushtrimin për liri, siç bënin, ta zëmë, shkrimtarët e mëdhenj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, dhe shumë të tjerë. Pra, shkrimtarët shqiptarë e sfiduan ankthin dhe shtypjen: duke shkruar dhe duke vepruar.

Siç mund ta kuptojmë, për shqiptarët e Kosovës, shkapja nga komunizmi- sistemi më çnjerëzor i shekullit- që më i pazakontë se për popujt tjerë. Sepse, derisa dielli i demokracisë perëndimore dhe entuziazmi për këtë ditë të madhe përfshinte të gjithë popujt e lindjes, në Kosovë shtohej terrori millosheviçian.

Bota kapërcente ankthshëm nga nata e errët komuniste në pragun e shpresës, por shqiptarët e Kosovës, të dërmuar nën regjimin komunist, zgjoheshin me një pasiguri të plotë. Me një makth të ri, dhe të kërcënuar nga shfarosja. Kjo bëri që, për ta, proceset demokratike, të mos ishin të lira dhe as të lehta.

Përkundrazi, ata njëkohësisht mësoheshin me rendin demokratik, dhe përballeshin me regjimin e çmendur të Beogradit dhe politikën shtypëse serbe, që ata i privoi nga çdo e drejtë dhe liri.

Përballë kësaj situate të tendosur, ku drama luhej në shumë akte dhe me shumë personazhe- në Prishtinë dhe Beograd- shqiptarët e Kosovës, sinkronizuan veprimet dhe rezistuan: fillimisht kulturalisht dhe pastaj politikisht.

Atëkohë, ata nuk kishin ushtri, por kishin armën e fortë morale: fjalët si mburojë, për t’ i artikuluar të drejtat e një populli të shtypur, por të papërkulur. Kjo zgjedhje ishte e qëlluar, sepse, asnjë fushë këtë gjë nuk mund ta bënte më mirë se arti, përkatësisht letërsia. Kështu që, shkrimtarët e Kosovës, politikën serbe, njëherë e demaskuan me ligjërim dhe refuzim estetik, pastaj u vunë në aksion të drejtpërdrejtë politik, duke formuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës i priu njeriu i letërsisë, Ibrahim Rugova.

"Aty është ferri që e mbajnë mbi supe dy milionë shqiptarë"- shkruante Ismail Kadare në parathënin e librit të Ibrahim Rugovës, “Çështja e Kosovës”, një libër, që, siç thotë Kadare përfshinë të vërtetën e Kosovës dhe për Kosovën.

Pra, në këtë dramë, e cila, për shqiptarët qe tragjedi, ndesheshin dy botë: përplasej pushteti ushtarak e policor serb, i përkrahur nga makineria propaganduese e paskrupullt, dhe, ai shqiptarëve duarthatë, me institucione paralele, me një ekonomi të brishtë, të udhëhequr nga një president, që siç do të shprehej Ismail Kadare: "Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës" (frele), siç është quajtur shpesh, është një president "sui generis."

Presidentë të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota diçka ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit."

Pra, me pushtetin e gjuhës, shqiptarët forcuan kampin e lirisë.

Natyrisht, në këtë betejë të ashpër dhe të pabarabartë, strategjema ishte e menduar mirë. Në fakt, ajo më shumë qe etike sesa politike, më shumë qe aureola e pushtetit të artit, letërsisë dhe historisë, sesa e të vërtetave që mund t'i prodhonte politika, në kuptimin e parë të fjalës.

Në sajë të kësaj strategjmë të mrekullueshme dhe të panjohur më parë në rajon, ndodhi mrekullia: shqiptarët, si kurrë më parë, fituan besimin e botës së civilizuar. Kështu që, zëri i tyre, i prajshëm, i urtë, por kumbues, u dëgjua në Uashington, Londër, Berlin, Paris dhe Romë. Dhe bota e përparuar doli në krah të popullit të Kosovës, duke e përqafuan kauzën e saj. Dhe në fund, luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjatë viteve të rënda të 90- tave, ndonëse të robëruar dhe me një aparat shtetëror terrorizues, shqiptarët e kishin fituar lirinë e brendshme, siç thoshte Rugova, atë liri të shpirtit, që ishte më e fortë se ajo e ushtrisë dhe policisë serbe. Pa dyshim, kjo ishte beteja e parë e fituar në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë. Sepse, ishte triumfi moral, dhe, siç tregon historia, triumfi moral ka domethënie të veçantë.

Liria e brendshme e shqiptarëve vinte si rezultat i vetëdijes kulturore dhe identitare, dhe ishte mbështjellë me të vërtetat historike: me gjuhë dhe kulturë. Siç mund ta shohim, hallka e parë që lidhi zinxhirin e gjatë dhe të fortë të betejës për Kosovën e lirë, qe letërsia, arti i përherëshmërive njerëzore, që në betejat për liri dhe përparim, është i pamposhtur dhe i pakompromis.

Në përkim me mësimin se, nuk ka politikë pa kulturë, siç shkruan Norberto Bobbio, filozofi dhe juristi i shquar italian, elita politike e kohës kulturën e vuri në epiqendër të organizimit politik.

Ideja e lirisë e ngjizur si ide kulturore- si ide e mosnënshtrimit dhe e refuzimit-kulmoi si leksion moral dhe u bë detyrë politike. Pra letërsia nuk qëndroi vetëm duke i kënduar lirisë, por u përbirua nëpër labirintet e errëta, duke u bërë flakadan i rezistencës aktive.

Prijësi i programit politik të Kosovës, nga pozicioni i kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku, përpara se të vepronte politikisht, rezistonte me letërsi, doli në ballë të platformës politike.

Refuzimi estetik, si kategori e proklamuar në fushën e artit, për të dhe popullin e tij, u shtri shpejt edhe në sferat tjera, dhe u bë vetëdije e popullit të Kosovës, që luftonte për liri, demokraci dhe pavarësi. Ata formuan institucione paralele, organizuan shëndetësinë, shkollimin, bënë pajtimin e gjaqeve dhe kështu krijuan kauzën e madhe të pavarësisë.

Aksiomë e politikës së kohës ishte intelektualizmi aktiv. Përkitazi me këtë, Rugova shprehej: "E dini, intelektualët kanë vetëm dy rrugë, të mbetën te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë."

Po ashtu, mund të thuhet se, në vetëdijen kulturore dhe politike të Kosovës, është e vështirë të gjendet ndonjë figurë që të mund të ketë ushtruar ndikim më të madh kulturor dhe politik, sesa Pjetër Bogdani, heroi i kulturës shqiptare të shekullit XVII, që u bë model me të cilin personifikohej Ibrahim Rugova, studiues dhe më vonë si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës.

Ai, si studiuesi i pasionuar dhe lexuesi i thellë, duke e parë popullin e vet të katandisur në robëri, mori detyrën e protagonistit, por asnjëherë s'u shkëputë nga idealitet kulturor. Përgjatë viteve të angazhimit politik, Rugova, vazhdonte t'i shprehte idetë e tij për interesin e përgjithshëm, duke i përzier ndjeshmëritë prej letrari e politikani, në funksion të mirës së përgjithshme.

II.

Të shkruash për raportet ndërmjet letërsisë dhe politikës, ndërmjet letërsisë dhe historisë, ndërmjet letërsisë dhe robërisë, dhe, më thelbësorja, ndërmjet letërsisë dhe lirisë, është të rrokësh dhe të trajtosh tema dhe probleme komplekse të artit dhe të pushtetit, që lidhem ontologjinë e vet ekzistencës së artit letrar.

Letërsia, gjithmonë i ka ushqyer qeniet njerëzore me ndjenjat e lirisë dhe i ka ngritur kampet kundër robërisë. Në kulturën perëndimore, ku bënë pjesë edhe letërsia shqipe, debati lidhur me këto tema është i vjetër, aq sa vetë ekzistenca e artit letrar.

Shkrimtari, dijetari dhe politikani, Ernest Koliqi, në tekstin "Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë", shkruante me vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashëri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940), mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme."

Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova. Mendimit të Koliqit i japin të drejtë studiues e njohës të kulturës shqiptare. Kjo për faktin se, kultura shqiptare, me tiparet shënjuese nacionale, më tepër se nga çdo kush dhe nga çdo fushë tjetër shoqërore, u mbrojt dhe u kultivua nga shkrimtarët.

Një dijetar tjetër i madh, Eqrem Çabej, në studimet e tij, po ashtu nënvizonte ngjyrën politike të shkrimtarisë. Në këtë aspekt, ai shkruan: "Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkë." Pra, shkrimtarët shqiptarë, në gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, qenë njëkohësisht krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformave për çlirim, pavarësi dhe emancipim. Atyre iu kërkua që shpeshherë, të linin librin dhe krijimin artistik, dhe të viheshin në aksion politik.

Në vazhdën e një tradite pararendëse, të trasuar nga korifenjtë e kulturës shqiptare, prej Buzukut, Bogdanit, de Radës, Vëllezërve Frashëri, Fishtës, Gurakuqit, Konicës, Nolit, dhe shumë të tjerëve, edhe Ibrahim Rugova, së bashku me pjesën dërmuese të elitës së kohës, nga letërsia kaloi në politikë, duke u bërë protagonisti kryesor i gjitha zhvillimeve politike që ndodhën në Ish Jugosllavinë komuniste.

Letërsia shqipe, përkatësisht shkrimtarët shqiptarë, përgjatë historisë sonë, kanë patur rol protagonistë në çështje të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Ajo, që në krye të herës, me Buzukun, Budin e Bugdanin, ka pasur funksion ju parësor estetik, siç do të thoshte studiuesi Northrp Frye. Buzuku e Bogdani shkruan për dashni ndaj vendit, dhe për të mos lejuar dvarrjen e gjuhës shqipe.

Kjo traditë e shtresuar letrare, u përcoll veçmas te Rilindja Kombëtare dhe letërsia e independencës, pra e viteve të 30-ta. Në fakt, programi politik i Rilindjes, kishte bazë te letërsia, e cila, me një hov të fuqishëm u bë paradigma themelore rreth së cilës u tubuan intelektualë e atdhetarë, ndërsa shkrimtarët qenë apostuj të idesë së lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

III.

Ndonëse në rrafshin universal, ka ekzistuar dhe ekziston një betejë ndërmjet letërsisë dhe pushtetit të politikës, në kontekstin shqiptarë, këto dy veprimtari, ndonjëherë janë gjendur në llogore të njëjta, dhe janë sinkronizuar për ta ndihmuar njëra-tjetrën në misionin fisnik për ndërgjegjësim, liri dhe drejtësi. Kjo ka ndodhë për shkak të mungesës së lirisë, dhe, dihet, kur një populli i mungon liria, letërsia nuk mund të heqë dorë nga ajo.

Në këtë aspekt, mund të thuhet se, letërsia shqipe dhe shkrimtarët shqiptarë, kanë kontribuar më shumë se çdo veprimtari tjetër në atë çfarë është Kosova e sotme. Nëse kthehemi prapa dhe i analizojmë zhvillimit politike në Kosovë, gjatë Jugosllavisë, robërisë, pra viteve të 90-ta, evidencat e shumta të arealit kulturor dhe politik, provojnë se, protagonistët kryesorë të shtetit të Kosovës, ishin shkrimtarët.

Po ashtu, platforma e shqiptarëve për liri, pavarësi, në thelbin e vet kishte substrat të fortë letrar e gjuhësor. Kështu që, shkrimtarët, përveç faktit që e bënë punën e tyre, duke shkruar vepra letrare, shumë prej tyre dolën në aksion politik, duke u bërë prijatarë të kombit, siç ishin: Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti, Anton Çetta, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, dhe shumë të tjerë.

IV

Kosova po e përmbyllë dekadën e parë të pavarësisë dhe po i afrohet dekadës së dytë si vend i lirë. Kjo mrekulli ndodhi pas një periudhe të egër, në të cilën, shqiptarët iu nënshtruan vrasjeve, terrorit, reprezaljes dhe luftës.

Dhjetë vjet pas pavarësisë, ekzistojnë interpretime dhe rrëfime të ndryshme që lidhen me Kosovën. Ka shumë të vërteta, gjysmë të vërteta dhe të pavërteta.

Në perspektiven e re të zhvillimeve politike dhe kulturore, rrëfimet për historinë e Kosovës do të jenë të pafundme. Nuk do të mungojnë trillet, sajesat dhe deformimet e të vërtetës. Por, kultura tekstuale shqiptare, njeh një lëvizje letrare të shndërruar në lëvizje politike, që u bë flamurtare e proceseve themelore që ndodhen në Kosovë.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Roli i Fatmir Xhafajt në luftën mes klaneve brenda PS

Posted: 06 Dec 2018 02:46 AM PST

Ish-deputeti Kastriot Islami, e ka quajtur Fatmir Xhafajn një vegël të Partisë së Punës për shkak të angazhimeve të tij në sistemin e drejtësisë gjatë komunizmit.

"Është një personazh, është një vegël e PPSH që Rama e ka përdorur me efikastitet deri në minutën e fundit", tha Islami.

Por, mbështetja nga Rama duket se e kishte një kufi. Disa ditë pasi policia prangosi dy ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka, gjatë operacioneve ndaj 4 grupeve kriminale, krejt papritur kryeministri Edi Rama njofton në rrjetet sociale dorëheqjen e Xhafajt.

"Thuhet se është detyruar të largohet për shkak, këtyre konjulturave që janë vendosur nga lufta e grupeve, bandave të Rilindjes", tha Islami.

"Nuk besoj se ka qenë përplasje e hapur, por rruga që mori Xhafaj po shkonte drejt goditjes së atyre kokave të mëdha që quhen Padrino siç është rasti Dako apo siç është rasti i kryetarit të bashkisë së Elbasanit", tha analisti Dritan Hila.

Tensioni u rrit më tej pas aksionit ndaj grupit të Avdylajve nga Shijaku. Njësoj si me Tahirin, edhe me kësaj here u shpërndan në media disa përgjime që implikonin Vangjush Dakon në pazare të votave me njërin prej pjestarëve të bandës së Avdylajve.

"Qasja e pakompromis që po bënte zoti Xhafaj edhe mund ta ketë trembur zotin Rama për goditjen ndaj kokave të larta të PS dhe e ka shtyrë tletë themi një presion që e ka shtyrë Xhafën në dorëheqje", tha Hila.

Këto përgjime qëndronin prej më shumë se 1 viti në zyrën e Prokurorisë, por dolën pikërisht në momentin kur sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama ishin intesifikuar. Dukej si një luftë e brendshme mes klanesh, mes Xhafajt dhe Tahirit.

"Sot janë interesa të ngushta të grupeve që i lidh interesi i çastit por të jeni të sigurt që asnjë nuk është kundër zotit Rama, asnjë nuk guxon të dalë kundër udhëheqësit absolute dhe komandantit supreme që ua pret kokat", tha Marko Bello.

"Ka dhe një gjë tjetër që kur hyn në një parti nuk i bën dot të gjitha siç i bëje përpara. Diskutojmë ne me njëri-tjetrin dhe thotë unë jam njeri i lirë. Jo, s'je njeri i lirë. Je njeri i lirë ta thuash këtu dhe ta diskutojmë, po s'je i lirë të dalësh atje dhe t'i gjuash shtëpisë ku jemi bashkë se s'ka kuptim", thotë Rama.

Pikërisht për këtë arsye vjen largimi i papritur i Xhafajt si Ministër i Brendshëm. Ai i kishte dërguar kryeministrit Rama një letër dorëheqje pa asnjë motivacion. Këtë letër, Rama e ka përcjellë numri 2 i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Dy ditë para se Rama të njoftonte publikisht largimin e Xhafajt, zhvillohet një takim ku ishte i pranishëm edhe Ruçi. Top Story mëson nga burime konfidenciale se aty Xhafaj i ka shprehur pakënaqësi Ramës duke pretenduar se nuk ka pasur mbështetjen e duhur të qeverisë.

Në ato momente, Rama ka ngritur tonet duke e shkarkuar në vend dhe duke e nxjerrë nga zyra. Në këtë debat nuk ka mundur të ndërhyjë as Gramoz Ruçi, i cili thuhet se e kishte bërë ai Xhafajn Ministër të Brendshëm.

Analisti Baton Haxhiu, i njohur për afrimitetin me kryeministrin Edi Rama, duket se lë pak dyshime mbi pyetjen nëse Xhafaj u largua apo e larguan. Në studion e "Open" ai zbulon se Xhafaj u shkarkua.

"Për shkak të sondazheve, që kërkonin që 76% e njerëzve në Shqipëri, i kryer dy javë më herët, kanë kërkuar që Xhafaj duhet të ikë. Dhe kjo është arsyeja që një kryeministër, kur njerëzit kërkojnë largimin e një njeriu, ai detyrohet dhe i thotë që opinioni publik nuk do", deklaroi Baton Haxhiu.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Po kalonte rrugën, i moshuari përplaset për vdekje nga makina

Posted: 06 Dec 2018 02:31 AM PST

Një aksident me vdekje është shënuar pasditen e djeshme në Pogradec. Viktimë ka mbetur një i moshuar, i cili humbi jetën disa orë pasi  përplas nga një automjet tip Audi. Burime nga policia raportojnë se  në aksin rrugor Pogradec-Korçë pranë Çërravës është përplasur shtetasi  Njazi Hyka 77 vjeç.

I moshuari u përpoq të kalonte nga njeri krah i rrugës në krahun tjetër për të shkuar në shtëpi kur u përplas nga automjeti. Për shkak të plagëve të marra ai është ndarë nga jeta.  Policia arrestoi drejtuesit e mjetit Fiordi Miminllari, 25 vjeç, Pogradec.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Unaza e Re”, Veliaj e nis ditën me një kafe me banorët

Posted: 06 Dec 2018 02:30 AM PST

Dita e punës sot ka nisur ndryshe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai zgjodhi që kafen e mëngjesit ta pijë me banorë të zonës së Astirit, të cilët kanë filluar tashmë që të lirojnë vetë ndertesat e tyre pa leje dhe t'i hapin rrugë projektit të zhvillimit të Unazës së Madhe. "Ishte një kënaqësi e veçantë që takoja të gjithë miqtë këtu në "Astir" e ta filloja ditën me një kafe dhe një raki të mirë "Skrapari".

Siç u takuam me miqtë nga Tropoja, sot me miqtë nga Tepelena, Korça, Skrapari, sepse besoj që është shumë e rëndësishme të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ajo që kemi një konsensus sot, siç patëm me miqtë nga Tropoja, Kukësi e Dibra, ashtu edhe me tepelenasit, skraparllinjtë e korçarët është që ky projekt duhet të vijojë dhe ne duhet të ecim përpara me zhvillimin e Tiranës", tha Veliaj.

Teksa falenderoi banorët që janë distancuar nga politika dhe kanë filluar që të zbrazin vullnetarisht objektet që janë në gjurmën e Unazës së Madhe, Veliaj theksoi se ky projekt nuk do të ndalet. "Dua t'i falenderoj për bashkëpunimin. Shumica prej tyre kanë zbrazur vetë vullnetarisht të gjithë asetet që kanë, dyqanet apo shtëpitë që do preken nga projekti. Dua të falenderoj masivisht banorët e "Astirit" që janë distancuar nga politika. Secili po shikon hallin e vet, të familjes së vet, që të zgjidhë punët e veta.

Politika i ka zgjidhur punët e veta, ndaj jam shumë i kënaqur sot për këtë bashkëpunim. Unë besoj që para Vitit të Ri kjo punë do të ketë marrë fund dhe për të gjithë ata që besojnë që mund ta pengojnë qytetin ose mund t'i përdorin protestat si "mish për top" për interesat e tyre politike e kanë davanë e humbur", u shpreh Veliaj.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ekskluzive / Zhdukja e Mateos, familjarët: Dyshojmë për ekzekutim mafioz

Posted: 06 Dec 2018 02:23 AM PST

"Dyshojmë se Mateo është marrë peng ose është ekzekutuar nga mafia dhe se në pritë e ka nxjerrë një shoku i tij që ai i ka pas besuar", është deklarata e fortë që familjarët kanë  dhënë në polici. Gazeta “Shqip Online” ka mundur që të sigurojë të tjera detaje rreth zhdukjes së 21-vjeçarit.

Për herë të fundit Mateo Aga është parë në një lokal në Grezhdan të Dibrës me një shokun e tij. Ai ka qëndruar aty deri më 21: 30 minuta dhe prania e tij është konfirmuar nga kamerat e instaluara në objekt. Gjatë kësaj kohe ka folur me një shokun e tij nga Tirana nëpërmjet telefonit të shokut që ishte në tavolinë. Ky e ka  pyetur Mateon se kur do të rikthehet në kryeqytet dhe ai i është përgjigjur se pas dy ditësh do të takohen.

Pas orës 21:30, të datës 28 nëntor, i riu ka dalë nga lokali dhe iu ka thënë shokut se do të shkojë në banesën e tij dhe jo në atë të gjyshërve ku ai shkonte zakonisht. Kjo ka qenë hera e fundit që Mateo është parë nga banorët e zonës dhe pas kësaj është çdo gjë në terr. I riu nuk ka pasur telefon. Familjarët e denoncuan zhdukjen e tij në polici dhe kjo e fundit ka shkuar në banesën e Mateos në Grezhdan. Aty është gjetur xhupi, një palë pantallona dhe këpucët që i riu kishte veshur në lokal. Rrobat që kishte veshura janë fiksuar nga kamerat e sigurisë.

"Mateo ka shkuar në banesë sepse aty janë gjetur rrobat e tij. Besojmë se një shok mund të ketë shkuar atë natë në banesë dhe e ka thirrur Mateon. Ai mund ta ketë nxjerrë në pritë. Dyshojmë se bëhet fjalë për ndonjë shok të afërm me Mateon, sepse ai ka mundur që të futet në banesë dhe ta nxjerrë djalin prej aty", janë shprehur të afërmit në polici.

Gazeta “Shqip Online” mëson se i riu kishte folur me të ëmën në telefon dy ditë më parë dhe se nuk i kishte shfaqur asnjë shqetësim. Madje kjo e fundit nuk ka kuptuar ndonjë shqetësim rreth djalit, sepse ai është sjellë si zakonisht.

Në pyetje nga policia janë marrë edhe shokët që Mateo kishte takuar mbrëmjen e 28 nëntorit. Ata kanë thënë se Mateo ishte i qetë dhe se nuk iu ka shprehur asnjë shqetësim.

Është larguar nga lokali për të shkuar në banesën që ndodhej 3 km larg lokalit. Ai shkonte shpesh në Grezhdan për të punuar me të vëllain, ku ky i fundit kishte biznesin e sinjalit të kabllorit.

Herë të tjera, Mateo shkonte për të kaluar natën tek gjyshërit, sepse ishte dimër, por mbrëmjen e zhdukjes ka vendosur që të shkojë në banesën e tij, që ndodhet pak larg nga ajo e gjyshërve. Nuk dihet se pse ai e ka bërë një veprim të tillë.

Në polici, familjarët kanë thënë se Mateo nuk është larguar ndonjëherë dhe se ai nuk ka probleme me shokët, që mund të çonin deri në zhdukjen e tij. Familjarët nuk i kanë ndalur kërkimet për asnjë moment. Ata i kërkojnë Prokurorisë që të vazhdojnë kërkimet, sepse bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë.

Dëshmia e banakierit:  Atë natë ishte disi i vrenjtur

Banakieri i lokalit, ku ka qenë Mateo, ka thënë se ai ka qëndruar mbrëmjen e 28 nëntorit rreth orës 21 e 40. Ai iku bashkë me një bashkëfshatarin e tij, që kishte rrugën me makinë afër shtëpisë.

Që prej këtij momenti banakieri nuk di asnjë rreth Mateos. "Mateo ka qenë në tavolinë me një shokun e tij. I ka  marrë dikujt telefonin dhe ka chatuar me një shokun e tij nga Tirana.

Gjatë gjithë kohës ata kanë luajtur letra me njëri-tjetrin dhe më pas janë larguar së bashku. Mateo tha se do largohej për në shtëpi dhe bashkëfshatari i tha që do të vinte edhe ai", – tha banakieri.

Ky i fundit dëshmon se atë natë, Mateo është shfaqur i mërzitur, paksa si i vrenjtur. Ai nuk ka pirë kafe në lokal, por ka qëndruar aty rreth një orë ku dhe kanë luajtur me letra dhe ngroheshin pranë sobës.

Silvana Muça

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Muzat e “Pirelli”-t në një kalendar ‘hot”! (Foto)

Posted: 06 Dec 2018 02:20 AM PST

Një kalendar që nuk përkufizon vetëm trupat, por jetët. Kalendari Pirelli, The Cal 2019, u prezantua në Milano të Italisë, këtë të mërkurë, i realizuar me mjeshtëri nga fotografi i modës skoceze Albert Watson.

Janë katër muzat e filmuara në 40 imazhe me ngjyra dhe bardhë e zi, foto të realizuara nga Miami në New York.

Në to shfaqen aktoret Laetitia Casta, Julia Garner, modelja Gigi Hadid dhe balerina Misty Copeland.

Nëpërmjet kalendarit përcillen katër filma të vegjël, siç i përkufizon Watson, katër histori mes ëndrrës dhe realitetit.

Gigi jeton në Manhattan dhe është një zonjë e pasur e dominuar nga mërzia dhe vetmia, Misty është një balerinë në kërkim të suksesit.

Ndërsa Laetitia është një piktore e cila jeton në banesën-studio me partnerin e saj dhe Julia një fotografe e re.

Katër “modelet” bëhen interpretuese të ëndrrave dhe ambicjeve dhe si në jetën e përditshme ato kanë pranë tyre burra të angazhuar ose miq, të cilët mbështesin dhe ndajnë me angazhimet, zhgënjimet dhe sfidat e tyre. “Albert u përpoq të kapte diçka nga shpirtrat tanë më shumë se nga trupat tanë”, – përfundon Casta.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

A është e rrezikshme ta mbani telefonin në xhepin tuaj?

Posted: 06 Dec 2018 02:15 AM PST

Pyetje dhe përgjigje / Rreth kësaj teme flet eksperti Alessandro Polichetti, studiues i parë i Qendrës Kombëtare për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Fizika Kompjuterike.

Fushat elektromagnetike

Pse përdorimi i tyre mund të shkaktojë zhvillimin e tumoreve?

"Telefoni celular është një pajisje që lëshon fusha elektromagnetike radiofrekuese. Për dekada janë studiuar rreziqet e parashikuara për shëndetin e njeriut të valëve elektromagnetike, të tilla si ato që lindin nga telefonia celulare dhe rrjetet Wi-Fi, por deri më sot askush nuk ka demonstruar përfundimisht ekzistencën e një lidhje shkak-efekt, – shpjegon Alessandro Polichetti, studiues i parë i Qendrës Kombëtare të Mbrojtjes nga Rrezatimi dhe Fizikës Kompjuterike të Institutit Superiore di Sanità. – Puna më e gjerë, 'Interphone', e publikuar në vitin 2010 dhe e kryer nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit, në thelb liroi celularët për mungesë të provave, duke treguar vetëm një rritje të lehtë të rasteve të gliomës (tumor malinje të trurit) dhe neurinoma e nervit akustik (tumor beninje) në mesin e atyre që kishin shpenzuar më shumë se 1.640 orë në telefonin celular. Por, vetë autorët kishin deklaruar se është shumë e vështirë të provohet lidhja e drejtpërdrejtë midis dy ngjarjeve në një mënyrë të padiskutueshme. Një vit më vonë, në vitin 2011, Agjencia e njëjtë klasifikoi valët elektromagnetike midis 'kancerogjenëve të mundshëm'. Janë në këtë listë (grupi 2B) të gjithë agjentët për të cilët për momentin ka vetëm disa dyshime për rrezik për njeriun".

Pasojat

Çfarë ndodh me organizmin kur flasim me telefonin celular?

"Fusha elektromagnetike e prodhuar nga telefonat celularë është shumë e dobët dhe nuk dimë se përmes cilit mekanizëm mund të lidhet me zhvillimin e një tumori. I vetmi efekt i provuar i depërtimit të valëve elektromagnetike në trupin e njeriut është ngrohja, por nivelet në të cilat normalisht jemi të ekspozuar janë shumë të ulëta për të pasur pasoja të rëndësishme në trupin tonë".

Si ta mbani atë

A është e rrezikshme ta mbani për shembull në xhepin tuaj?

"Disa studime kanë spekuluar se rrezatimi i telefonit celular mund të ndërhyjë në fertilitetin mashkullor, duke ulur lëvizjen e spermës. Por, shkencëtarët kanë paralajmëruar: pjellshmëria varet nga një numër faktorësh (duke përfshirë ushqimin, gjumin, pirjen e duhanit, aktivitetin fizik), kështu që është e vështirë të tregohet një lidhje shkak-pasojë me valët elektromagnetike. Tek ata që kanë probleme me zemrën, disa studime kanë treguar se telefoni celular mund të ndërhyjë me stimuluesin e zemrës: është më mirë të mos e mbani në xhepin e gjoksit".

Në shtrat

A mund të mbahet telefoni pranë krevatit gjatë natës?

"Nëse nuk përdoret, telefoni celular (si dhe Wi-Fi) lëshon shumë pak rrezatim që nuk kontribuojnë dukshëm në ekspozimin, kështu që ju mund ta mbani atë edhe gjatë natës. Por, edhe në mungesë të provave shkencore të rrezikut, është mirë të mbështetet në maturi dhe sens të mirë. Ekspozimi i ndjeshëm ndaj valëve elektromagnetike ndodh gjatë bisedave: është praktikë e mirë të përdorësh kufje ose pajisje të tjera pa duar. Ju mund të përpiqeni të zvogëloni numrin dhe kohëzgjatjen e telefonatave. Fëmijët duhet të kenë qasje të kufizuar në telefon celular dhe vetëm në rast nevoje. Së fundmi, një rrezik i madh për telefonat celularë është për shoferët: bisedat (pa altoparlant ose kufje), biseda dhe mesazhet tekstuale në timon, në fakt, rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve të trafikut".

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Protesta e studentëve, Berisha-Kryemadhi përshëndesin të rinjtë

Posted: 06 Dec 2018 02:09 AM PST

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, përshëndet protestën e studentëve, të cilët kërkojnë uljen e tarifave.

"Bravo! Ju meritoni të jetoni të lumtur në Shqipëri. Politika duhet të mësojë prej jush. Respekt dhe mirënjohje", shkruan Kryemadhi.

Ajo ka publikuar një video me pamje direkte nga protesta, në shenjë mbështetje ndaj tyre.

Edhe ish-kryeministri Berisha ka përshëndetur protestën e studentëve, ku me një mesazh iu është drejtuar gjithë qytetarëve që t’i bashkohen të rinjve.

"Arsim publik, falas kërkesa e drejtë e studentëve grevistë. Ju bëj thirrje qytetarëve të bashkohen me studentët", – shkruan Berisha në faqen e tij në “Facebook”, teksa ka postuar video nga protesta e studentëve, e cila po vijon.

Arsim publik, falas kerkesa e drejte e studenteve greviste. Ju bej thirrje qytetareve te bashkohen me studentet. sb

Gepostet von Sali Berisha am Donnerstag, 6. Dezember 2018

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Kriza Rusi-UKrainë, SHBA gati të dërgojnë një luftanije në Detin e Zi

Posted: 06 Dec 2018 02:00 AM PST

Gjiganti mediatik CNN, duke cituar tre zyrtarë amerikanë, raporton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për të dërguar një anije luftarake në Detin e Zi, përkundër sfondit të tensionit midis Moskës dhe Kievit.

Uashingtoni synon të informojë Ankaranë për lëvizjen e mundshme, siç kërkohet nga Konventa e Montreuksit që rregullon kalimin e anijeve ushtarake përmes Bosforit dhe Dardaneleve.

Pentagoni tashmë ka kërkuar nga Departamenti i Shtetit të njoftojë autoritetet turke për kalimin e mundshëm të një anije luftarake amerikane, një lëvizje që është një përgjigje ndaj veprimeve ruse në ngushticën Kerç, theksuan burimet e CNN.

Nga ana e saj, informon transmetuesin e Atlanta, ministria e mbrojtjes ruse njoftoi se trupat e saj në pjesën lindore të Krimesë, aneksuar nga Moska në 2014, zhvilluan një stërvitje ushtarake me sistemet raketore anti-ajrore Pantsir.

6 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Dokumentari për Lorikun, Meta: Një ambasador i shkëlqyer

Posted: 06 Dec 2018 01:45 AM PST

Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën e sotme me një nga ikonat e futbollit shqiptar. Ai thotë se kapiteni legjendar i kombëtares kuqezi, Lorik Cana, është padyshim një nga personalitetet e spikatura të futbollit tonë dhe një ambasador i shkëlqyer i vlerave më të mira njerëzore e sportive të shqiptarëve në botë.

"Jeta dhe karriera e tij, e përmbledhur mjeshtërisht në filmin dokumentar 'Loriku' është jashtëzakonisht frymëzuese për rininë e fëmijët shqiptarë. I uroj suksese në angazhimin e ri me Fondacionin e tij në shërbim të fëmijëve e sportit. Faleminderit Kapiten për emocionet që na ke dhuruar me talentin tënd dhe për promovimin e Shqipërisë", shkruan Meta.

Për këtë ai publikon një fotografi, ku të dy shihen duke bërë simbolin e shqiponjës me duar. Në filmin dokumentar në nderim të futbollistit përmblidhen fazat më të rëndësishme në jetën dhe karrierën e Canës.

Përmbledhja e jetës së tij u prezantua mbrëmjen e kësaj të mërkure, mes personaliteteve të shumta të sportit, artit dhe politikës.

6 dhjetor 2018 (gazeta-shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more