Skip to main content

“Zhbllokohet ngritja e KLGJ-së, Zaganjori mbledh gjyqtarët për zgjedhjen e 6 anëtarëve” plus 9 more - Gazeta Dita

“Zhbllokohet ngritja e KLGJ-së, Zaganjori mbledh gjyqtarët për zgjedhjen e 6 anëtarëve” plus 9 more - Gazeta Dita


Zhbllokohet ngritja e KLGJ-së, Zaganjori mbledh gjyqtarët për zgjedhjen e 6 anëtarëve

Posted: 30 Nov 2018 01:43 AM PST

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjohuri ka njoftuar mbledhjen e gjyqtarëve kandidatë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Thirrja e mbledhjes vjen pasi KPK dorëzoi listën e gjyqtarëve që kaluan filtrat e Vettingut. Mbledhja është njoftuar për në datën 12 dhjetor nga ku do të zgjidhen 6 anëtarët gjyqtarë për në KLGJ.

Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. 6 prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nga të cilët; 1 anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 anëtarë nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.

Njoftimi i Gjykatës së Lartë

Në vijim të njoftimit të datës 22.08.2018 lidhur me rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e gjykatave të apelit jashtë Tiranës për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kanë paraqitur kandidaturën gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Vlorë Brikena Ukperaj dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit Shkodër Luan Dervishi.

Mbas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore, rezultoi se të dy kandidatët i plotësonin kushtet ligjore për t'u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Duke patur parasysh faktin e dorëheqjes apo skualifikimit për shkaqe ligjore të parashikuara në ligjin nr.115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë" të disa gjyqtarëve kandidatë, në mbështetje të ligjit nr. 115/2016, Gjykata e Lartë shpall zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t'u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, si më poshtë:

Nga Gjykata e Lartë:

  1. Medi Bici – Gjykata e Lartë

Nga Gjykatat e Apeleve:

  1. Ilir Toska – Gjykata e Apelit Tiranë
  2. Nertina Kosova – Gjykata e Apelit për Krime të Rënda
  3. Luan Dervishi – Gjykata e Apelit Shkodër
  4. Brikena Ukperaj – Gjykata e Apelit Vlorë

Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore:

  1. Alma Brati – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
  2. Astrit Faqolli – Gjykata e Gjyqësor Rrethit Tirane
  3. Brunilda Kadi – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
  4. Manjola Xhaxho – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
  5. Marçela Shehu – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin
  6. Dritan Hallunaj – Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda

Nis sot samiti i G20-ës nën hijen e krizës në Ukrainë dhe të luftës tregtare

Posted: 30 Nov 2018 01:20 AM PST

Udhëheqësit botërorë do të takohen sot dhe nesër në Argjentinë për samitin vjetor të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara.

Samiti zhvillohet në kohën e tensioneve të reja midis Rusisë dhe Ukrainës dhe të mosmarrëveshjeve tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Në Argjentinë, presidenti amerikan, Trump, pritet të zhvillojë bisedime dypalëshe me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në lidhje me tarifat tregtare.

Shtetet e Bashkuara, qysh në korrik, kanë goditur me tarifa mallrat kineze në vlerë prej 250 miliardë dollarësh dhe Kina është hakmarrë duke vënë taksë mbi prodhimet amerikane që kapin vlerën prej 110 miliardë dollarësh.

Samiti i G20-ës po ashtu shihet si test diplomatik për princin e kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, pas dyshimeve për përfshirjen e mundshme të shtetit të tij në vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, muajin e kaluar, në Turqi.

Khashoggi, kritik i Qeverisë saudite, është vrarë më 2 tetor në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Zemërimi ndërkombëtar për rastin vazhdon dhe Kanadaja, të enjten, vendosi sanksione kundër 17 shtetasve sauditë që dyshohet se kanë lidhje me vrasjen.

Grupi 20 mbledh së bashku udhëheqësit e 19 vendeve më të industrializuara në botë, plus Bashkimin Evropian.

Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja janë të gjitha të përfaqësuara.

Fokus i samitit dyditor këtë vit u tha të jetë “zhvillimi i drejtë dhe i qëndrueshëm”.

Takimi i vitit të kaluar, në qytetin gjerman të Hamburgut, është shoqëruar me protesta të dhunshme.

Në Buenos Aires, qytetin e sivjetmë mikpritës, mbi 20,000 policë do të kujdesen për sigurinë.

 

o.j/dita

Rreziqet që mbartin lindjet e parakohshme

Posted: 30 Nov 2018 01:11 AM PST

Gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë shifrat e lindjeve të parakohshme kanë pësuar rritje. Ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se një gjë e tillë ndodh si pasojë e rritjes së përdorimit të trajtimeve për fertilitetin, si dhe nga trendi i shtatzënive të mëvonshme.

Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, rezulton se 1 ndër 10 bebe në botë lindin para kohe, çka mund të jetë e rrezikshme për shëndetin e të porsalindurit.

Lindja e parakohshme është shkaktari kryesor i vdekshmërisë tek të porsalindurit dhe mund të shkaktojë probleme shëndetësore kronike të mushkërive, vonesa në zhvillim dhe paralizë cerebrale.

Lidhur me shkaqet që ndikojnë në lindjet e parakohshme, bluzat e bardha thonë se ende nuk dihen saktësisht, por njihen një sërë kushtesh që luajnë një rol të rëndësishëm në provokimin e kontraksioneve në mitër përpara se bebi të jetë gati të lindë.

Kryesisht janë faktorët mjekësorë dhe stili i jetesës që ndikojnë në lindjet e parakohshme. Po sipas ekspertëve të shëndetit, ju mund të keni një lindje të parakohshme edhe pa asnjë shkak kryesor.

Megjithatë, ekzistojnë një sërë masash që mund të merren gjatë shtatzënisë për të shmangur një lindje të parakohshme, si dhe ndërlikimet që mund të vijnë prej saj. E për këtë është shumë e rëndësishme është që gjatë shtatzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm jetese, bazuar në një dietë ushqimore të pasur dhe duke ndjekur në mënyrë të rregullt rekomandimet e mjekut specialist.

Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara këshillat dhe udhëzimet e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, në lidhje me rastet kur kemi të bëjmë me lindje para kohe, rreziqet që mbartin, si dhe masat që mund të merren për t'i parandaluar.

  

Rastet kur një lindje konsiderohet e parakohshme

Bluzat e bardha të ISHP-së thonë se fëmijë i lindur para kohe do të quhet çdo i porsalindur që vjen në jetë para javës së 37-të të shtatzënisë.

Sigurisht që rreziku për shëndetin e fëmijës varet nga java e shtatzënisë në të cilën ndodh lindja (sa më e vogël të jetë shtatzënia, aq më shumë rriten rreziqet për të). Praktikisht, gjendja e fëmijëve të lindur midis javës së 34 dhe 36 të shtatzënisë do të quhet "prematurë e lehtë".

Nëse fëmija vjen në jetë para javës së 32-të të shtatzënisë do të quhet "prematurë e rëndë". Në këto raste fëmija do të jetë mjaft i rrezikuar për të pasur një shëndet apo zhvillim jo të mirë, dhe do të ketë nevojë për përkujdesje të veçantë dhe kura intensive nga ekipet e specializuara mjekësore.

Shtatzënitë që janë më të rrezikuara për lindje të parakohshme

Zakonisht gratë që kanë shtatzëni me binjakë, ose që pritet të sjellin në jetë më shumë se 2 fëmijë, si edhe ato që vuajnë nga ndonjë patologji kronike (si përshembull hipertensioni, ose diabeti) janë më shumë të rrezikuara për të lindur fëmijë para kohe.

Një tjetër faktor rreziku konsiderohen edhe faktorët socialë: gratë që kanë një gjendje ekonomike jo të mirë, ose që punojnë në kushte të vështira janë të prirura të mos e çojnë deri në fund shtatzëninë. Për këtë arsye mjekët gjinekologë këshillojnë që gruaja shtatzënë të zgjedhë një stil jetese që fal qetësi dhe siguri, shoqëruar nga një trajtim i përpiktë ndaj patologjisë që ajo ka (sigurisht nëse vuan nga ndonjë sëmundje).

Lidhur me pyetjen se sa është  probabiliteti që një shtatzëni të përfundojë para kohe, ekspertët thonë se: "Çdo vit në botë vijnë në jetë rreth 15 milionë fëmijë të lindur para kohe. Shifrat janë më të ulëta në vendet perëndimore dhe më të larta në vendet në zhvillim. Nisur nga statistikat, vetëm në një nga maternitetet më të frekuentuara të vendit tonë nga rreth 4500 lindje vjetore, 8 për qind e lindjeve përfundojnë para kohe".

Këshillat si mund të parandalohet një lindje e parakohshme

Për të reduktuar rrezikshmërinë e një lindjeje të parakohshme, mjaft e rëndësishme është që gjatë shtatzënisë gruaja të ndjekë një stil jetese të shëndetshëm, bazuar mbi një dietë ushqimore të pasur me vitaminat, mineralet dhe përbërësit e tjerë të shëndetshëm, si dhe të ndjekë me kujdes dhe në mënyrë të rregullt takimet dhe rekomandimet e mjekut specialist

Çfarë ndodh në rast se një shtatzëni përfundon në lindje të parakohshme?

Në momentin që fëmija vjen në jetë, shëndeti i tij varet nga java kur ka ndodhur lindja dhe nga pesha që ai ka në momentin e lindjes. Ka shumë raste kur një fëmijë i lindur në javën e 35-të ose 36-të të shtatzënisë mund të qëndrojë në dhomë bashkë me nënën e tij dhe të ushqehet me gji, duke pasur pak a shumë të njëjtën përshtatje me jetën, njëlloj si fëmijët e lindur në kohë.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fëmijët e lindur para javës së 34 të shtatzënisë, të cilët kanë nevojë për një kujdes të madh mjekësor. Këta fëmijë qëndrojnë në repartin e specializuar për trajtimin e patologjive të fëmijëve të lindur para kohe.

Në rastet kur shfaqet nevoja e futjes së fëmijës në terapi intensive, fëmija duhet të mbahet nën kontrollin mjekësor spitalor për një kohë të gjatë, kryesisht derisa të jetë i aftë të jetojë pa ndihmën e aparaturave të posaçme.

Hapi i parë që "hedhin" këta fëmijë konsiderohet pavarësia në frymëmarrje dhe në ushqyerje, aftësi që duhet të zhvillohen normalisht gjatë shtatzënisë.

Bebet e lindura para javës së 35-të

Normalisht refleksin e të ushqyerit fëmija e fiton që në barkun e nënës, kryesisht nga java e 35-të e shtatzënisë. Nëse lindja ka ndodhur para javës së 35-të të shtatzënisë, fëmijës nuk i jepet të pijë gjatë 24 orëve të para.

Gjatë kësaj kohe ai ndihmohet me anën e një kateteri ombelikal. Më pas kontrollohet gjendja e përgjithshme e tij, ku mbahet nën mbikëqyrje ecuria e aftësive tretëse që ai shfaq. Mjeku gjatë kësaj kohe vlerëson fryrjen e barkut, të vjellat, ndonjë anomali të feceve, etj.

Si duhet ushqyer fëmija

Ushqimi kryesor i fëmijës duhet të jetë qumështi i nënës, i cili është i pasur me antitrupa të nevojshëm për të shmangur shfaqjen e ndonjë infeksioni.

Ushqyerja bëhet me anën e biberonit ose kateterit të vendosur në stomak, sepse fëmija mund ta ketë të vështirë të thithë gjirin.

Fëmijës nuk duhet t'i jepet qumësht artificial pasi ai mund të shfaqë vështirësi në tretje. A është përbërja e qumështit e njëjtë me atë të nënës që ka lindur në kohë? Sigurisht që po. Qumështi i gjirit është prodhuar për t'ju përshtatur nevojave të fëmijës në çdo moment.

DITA

“Shtyu të parën gruan, pastaj u hodh vet”, zbardhet dëshmia tronditëse

Posted: 30 Nov 2018 12:58 AM PST

"Pamë që plaku e shtyu gruan dhe pak sekonda më vonë u hodh dhe vet". Kjo ka qenë dëshmia tronditëse e një prej dëshmitarëve të ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Berat, ku një çift bashkëshortësh u hodhën nga kati i tetë i një pallati.

Sipas “BalkanËeb”, që i referohet  burimeve policore, Kujtim dhe Këze Agalliu, kishin pak muaj që ishin transferuar nga fshati Qereshnik në qytetin e Beratit, në një pallat të ri në zonën e quajtur 'Pjeshkore' në lagjen '30 Vjetori'.

Po ashtu mësohet se burri vuante nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa merrte edhe mjekime, ndërkohë që gruaja e tij, Këzja, ishte operuar dy herë për shkak të një sëmundje të rëndë.

Ka dyshime se ngjarja në fjalë ka qenë e planifikuar nga çifti, por siç duket gruaja ishte penduar në çastin e fundit, ndaj edhe ka ndërhyrë burri. Familjarët e viktimave pohojnë se ata nuk donin që të jetonin në qytet, por në fshatin e tyre.

Por duke qenë se fëmijët e tyre, 3 djemtë dhe vajza jetonin jashtë shtetit, çiftit iu kishin blerë një apartament dhe i kishin transferuar në Berat. Ndonëse burrë e grua jetonin vetëm, ata kishin edhe një shërbyese, e cila ju vinte në ndihmë.

o.j/dita

Defekt në avionin e Merkelit. Kancelarja gjermane humb hapjen e samitit të G20

Posted: 30 Nov 2018 12:51 AM PST

Kancelarja gjermane Angela Merkel e humbi hapjen e samitit të G20 në Argjentinë pasi avioni i saj u detyrua të kthehej pak pasi u nis në fluturim nga Berlini.

Zyra e kancelares Merkel tha se ajo dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit janë shëndoshë e mirë, por ulja e paplanifikuar në Këln u bë për shkak të një problemi teknik të avionit.

Avioni u kthye pas ndërsa po fluturonte mbi Holandë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Sipas raporteve, Merkel do të udhëtojë drejt Buenos Airesit gjatë ditës.

Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje për problemin teknik të avionit.

o.j/dita

Porositë e Fleckenstein për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Posted: 30 Nov 2018 12:39 AM PST

Parlamenti Europian miratoi raportin e vitit 2018 për Shqipërinë duke vlerësuar edhe përpjekjet reformuese të Shqipërisë. 459 vota pro Shqipërisë dhanë europarlamentarët europiane.

Për Deutsche wellen, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, i cili e mbështet fuqishëm hapjen e negociatave me BE, thotë se “me keqardhje, e shoh, se kjo nuk është bërë dhe shpresoj shumë për një zhvillim pozitiv menjëherë pas zgjedhjeve europiane”.

I pyetur nëse zgjedhjet europiane mund ta paralizojnë procesin e integrimit të Ballkanit në BE, në rast të shtimit të forcave djathtiste, Fleckenstein thekson:

“Forcat e djathta, antieuropiane janë forcuar ndjeshëm në vendet e Bashkimit Europian, kjo do të reflektohet me shumë gjasa edhe në përbërjen e parlamentit të ri. Por unë pres që edhe pas zgjedhjeve europiane të kemi një mazhorancë të qartë për politikën pro zgjerimit të BE-së”.

Për eurodeputetin gjerman, Knut Fleckenstein deri në atë kohë, Shqipëria duhet të përgatitet dhe të zgjerojë procesin e reformave.

Shprehimisht Knut Fleckenstein përmend reformën zgjedhore që Shqipëria duhet ta kryejë. Por edhe “një parlament konstruktiv dhe i besueshëm është i pazëvendësueshëm jo vetëm përsa i përket procesit të reformave, prandaj si opozita dhe mazhoranca qeverisëse janë të thirrura që të përballen së bashku me këto sfida”, theksoi Fleckenstein.

o.j/dita

Ç’po ndodh me diplomatët e huaj në Kubë? Sëmundja misterioze prek një tjetër zyrtar

Posted: 30 Nov 2018 12:28 AM PST

Një diplomat tjetër kanadez në Havanë është diagnostifikuar me sëmundjen misterioze të trurit e cila që nga viti 2016 filloi të paraqitet te zyrtarët amerikanë dhe kanadez të vendosur në Kubë.

Ky rast e çon në 13 numrin e diplomatëve dhe familjarëve të tyre të prekur nga kjo sëmundje, informon AFP.

Ndërkohë ka filluar një rishikim i pranisë diplomatike të Kanadasë në Kubë, ka thënë një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze në kushte anonimiteti.

"Rezultatet e testeve mjekësore tregojnë se punonjësi është prekur nga simptoma të pazakonshme shëndetësore", deklaroi ky zyrtar duke shtuar se simptomat janë të njëjta me ato që kanë përjetuar më parë stafi diplomatik në Kubë.

Autoritetet amerikane dhe kanadeze kishin dyshuar fillimisht për një sulm me një lloj arme akustike, që çoi në tensione ndërmjet Uashingtonit dhe Havanës.

Por nga kryeqyteti kanadez, më vonë u tha se kjo është "e pamundur".

Mjekët dhe zyrtarë amerikanë kanë thënë se bëhet fjalë për një "lloj të ri të dëmtimit të mundshëm të trurit".

Konkludimi u bë nga ekspertë të shëndetit në Universitetin e Pensilvanisë, pasi trajtuan 21 diplomatë amerikanë, që kishin simptoma të njëjta të sëmundjes.

Në prill të 2018, familjet e diplomatëve kanadezë të vendosur në Havanë u urdhëruan të kthehen në shtëpi si një masë mbrojtëse.

Simptomat e sëmundjes përfshijnë: marramendje, lodhje, dhimbje koke, komplikime në dëgjim, humbje e ekuilibrit dhe paaftësi në përqendrim.

o.j/dita

Çfarë do të ishte 28-a pa 29-n?

Posted: 30 Nov 2018 12:14 AM PST

Prof. Xhelal Gjeçovi

Edhe këtë vit, kremtimi i dy festave të mëdha 28 e 29 nëntori, u shoqëruan me polemika dhe u festuan të ndara. Një nga shkaqet që ndodhi kështu këtë vit ishte dhe rivarrimi i eshtrave të Mit'hat Frashërit, ish-Kryetarit të Ballit Kombëtar që bashkëpunoi me pushtuesit nazifashistë. Ceremonia shtetërore dhe qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama rindezi një debat të hershëm. Kryeministri dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste ndoshta ka menduar se kanë kaluar më shumë se 70 vjet nga lufta dhe shqiptarët i kanë harruar bëmat e Mit'hatit dhe Ballit Kombëtar. Pikërisht këtu gaboi!

***

28 dhe 29 nëntori janë dy data lapidare, të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën. Historia e ka vërtetuar këtë. 28 nëntori dita e flamurit dhe e pavarësisë, se shpallur në Vlorë me 1912 nga Ismail Qemali e patriotë të tjerë të njohur,delegat të zgjedhur për të përfaqësuar të gjitha krahinat e vendit  dhe 29 nëntori, dita e çlirimit të atdheut nga Ushtria Nacionalçlirimtare e udhëhequr nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha, janë dy data lapidare, të shkruara me germa të arta në historinë kombëtare, që jo rastësisht qëndrojnë pranë njëra tjetrës. Ajo që i lidh e i bashkon është pavarësia, një vepër e madhe historike e gjithë kombit shqiptar, e arritur pas një kalvari të gjatë luftërash, përpjekjesh e sakrificash të parreshtura të shqiptarëve, të cilëve u prinin patriotë e atdhetarë të njohur nga të gjitha krahinat, besimet e orientimet.

Prof. Xhelal Gjeçovi

Çdo përpjekje për t'i ndarë e shkëputur ato, për të vlerësuar njërën e për të mohuar apo minimizuar tjetrën, janë orvatje qëllimkëqia, që duan të gjymtojnë historinë, vendin dhe kombin shqiptar. Ato nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën, pasi i lidh një vlerë e madhe, e shenjtë, siç është pavarësia, i lidh gjaku i të rënëve për ta arritur, për ta fituar e për ta mbrojtur atë. Noli i madh ka shkruar se 28 nëntori 1912, ngjarja më e madhe në historinë kombëtare, pa 29 nëntorin e lavdishëm 1944, me siguri nuk do te ishte ajo që është. Pa 29 nëntorin 44, ajo do të ishte e mangët, e dobët, jo e plotë, e jo e qëndrueshme.

29 nëntori i dha pavarësisë kuptimin, përmbajtjen dhe shkëlqimin e duhur, që e priste dhe e meritonte, pasi iu dha fund një herë e përgjithmonë pushtimeve të Shqipërisë, trajtimit te saj si plaçkë tregu, për të kënaqur lakmitë e llogaritë e fuqive të huaja, e shndërruan atë në një vlerë reale, e bënë të gjallë, vepruese, të qëndrueshme, të pa prekshme, garanci për mbrojtjen e zhvillimin e pavarur të vendit e të jetës paqësore të qytetarëve shqiptarë.

Kjo është dhe arsyeja që as debatet e aq me pak sulmet e forcave të vjetra, që vazhdojnë ende edhe sot, pas afro treçerek shekulli, nuk kanë mundur të lëkundin e të ndryshojnë asgjë ne bindjen e popullit se Lufta ishte shpëtimtare për vendin dhe as vërtetësinë e trajtesave dhe vlerësimeve që historiografia shqiptare dhe ajo botërore i kanë bërë me kohë kësaj  ngjarjeje. Debatet dhe e studimet kane shërbyer sigurisht për të rishikuar e për të plotësuar analizat për aspekte të caktuara të Luftës, një proces i domosdoshëm e i vazhdueshëm, por ngjarja në vetvete, Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare mbetet, siç është vlerësuar me kohë, ngjarja më e madhe në historinë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë, me 28 nentor 1912. Po çfarë e bën atë të tillë? Çfarë i solli realisht ajo vendit? Lufta rivendosi pavarësinë kombëtare, të shpallur në Vlorë më 1912, e cila qe shkelur e likuiduar që më 7 prill 1939. Por, kjo nuk ishte një  rivendosje e thjeshtë e pavarësisë që kishim, por një rivendosje mbi baza krejt  të reja, pasi  mbështetej në faktorë realë, të fuqishëm e të qëndrueshëm, nga masat popullore brenda dhe nga aleatët e mëdhenj jashtë. Kësisoj, për herë të parë, Shqipëria dhe shteti i saj dilnin në arenën e historisë me një sovranitet të plotë, që s'e kishin pasur e s'e kishin njohur kurrë më parë, çka e bënte vendin zot të fateve të veta, të aftë të mbrojë e të garantojë integritetin territorial, paprekshmërinë e kufijve dhe jetën paqësore të qytetarëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, lufta i dha fund ndërhyrjeve të huaja, pazareve në kurriz të vendit, trajtimit si plaçkë tregu, për të mbajtur në këmbë ekuilibrat e vendosur nga të mëdhenjtë, duke kënaqur orekset e satelitëve të tyre Ballkan, në kurriz të një vendi e shteti të vogël, të dobët e të pa përfillur, siç ishte Shqipëria para lufte.

***

Lufta Antifashiste e shpëtoi kombin shqiptar nga rreziku i asimilimit e asgjësimit po të kemi parasysh planet dhe projektet e okupatorit, të shpallura me bujë nga Musolini, kreu i fashizmit italian, për të ndryshuar brenda disa dhjetëvjeçareve përbërjen etnike te popullsisë së vendit, përmes kolonizimit, mbushjes së vendit me kolonë italianë dhe zbatimit të një programi masash në fushën arsimore, kulturore, shkencore etj., që synonin italianizimin dhe fashistizimin e vendit, zhveshjen e popullsisë autoktone nga tiparet më të qenësishme kombëtare, drobitjen e shpirtit "rebel" të shqiptarëve, që shprehej në mospajtimin me të keqen, kundërshtimin e çdo zgjedhe të huaj dhe çdo tiranie në vend, elemente e pjesë të identitetit të tyre të veçantë, të formuar në shekuj, si nevojë për të qëndruar e mbijetuar, përballë furtunave dhe rrebesheve të kohëve të shkuara.

Së dyti, Lufta e rreshtoi Shqipërinë me Koalicionin Antifashist Botëror, me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë. Edhe ky një element i ri, që do të ndikonte fuqishëm në rrjedhat e kohës, në fatet e në përfundimet e luftës, një meritë kjo e atyre që e organizuan dhe e udhëhoqën luftën.

Bota, siç dihet, ishte ndare dysh, mund të shkojë nga njëri krah, por dhe nga tjetri. Propaganda, premtimet, kërcënimet vinin nga dy blloqet. Ka patur në atë kohë vende dhe shtete më të fuqishëm e më me përvojë se ne, që nuk arritën të orientohen drejt, të zgjedhin rrugën e duhur dhe aleatët e duhur, e kjo do t'u shkaktonte probleme e do t'u sillte pasoja, në mbarim të luftës, kur do të bëheshin bilancet e saj. Kurse, Shqipëria doli nga lufta e rreshtuar me fitimtarët, me një kapital të rëndësishëm politik e me një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, që do të shërbenin për të përballuar situatën e vështirë të krijuar menjëherë pas lufte, ne raport me fqinjët ziliqarë që kërkonin ta identifikonin e ta cilësonin Shqipërinë si aleate të boshtit, duke e akuzuar se gjasme i qe bashkuar agresorëve fashistë italianë në agresionin kundër Greqisë fqinje, një shtrembërim flagrant i realitetit historik, pasi dihej fare mirë se Shqipëria, para agresionit kundër Greqisë, ishte pushtuar e aneksuar dhe vetë nga Italia Fashiste. Edhe pse nën okupacion, në konfliktin italo-grek, shqiptarët morën qysh në fillim, anën e Greqisë fqinje, duke mbështetur pa rezerva rezistencën e popullit grek. Dhe këtë mbështetje, Musolini do ta konsideronte njërin ndër shkaqet kryesore të disfatës së trupave italiane.

Së treti, Shqipëria është ndër vendet e pakta që u çlirua me forcat e veta, me veprimet e ushtrisë së vet nacionalçlirimtare, pa qenë nevoja që në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë e vendeve aleate, siç ndodhi në disa vende të rajonit, si në Jugosllavi, Rumani, Bullgari e Greqi, ku hyrja e trupave ruse në Beograd, Bukuresht e Sofje, dhe atyre anglo-amerikane në Athinë, u dha fund pushtimit të tyre. Është e çuditshme që një pohim i tillë, që përbën padyshim një fakt historik që na nderon, një vlerë e shtuar e luftës sonë, pritet me trishtim e shoqërohet me reagime e përpjekje për ta injoruar, denigruar e mohuar, nga forcat e vjetra, kryesisht kolaboracionistët dhe trashëgimtarët e tyre, që u ka ngelur ora në vitin '44. Tek po shkruaja këto rreshta, mu kujtua një rast, që lidhet me këtë çështje. Para një viti, në një emisionin  në Njuz 24, të përgatitur nga  gazetari Rezart Xhaxhiu e të transmetuar në orët e vona të natës, pashë një gazetar tjetër, të njohur për manipulimet e bëra qysh në fillimet e tranzicionit me dokumente historike, që për këtë arsye kisha reaguar e debatuar me një shkrim në një të përditshme, tek po i tregonte Xhaxhiut një shkrim timin pa e zënë në gojë emrin, në të cilin theksohej se Shqipëria është çliruar me forcat e veta, pa qenë nevoja që në territorin e saj të kryenin veprime luftarake ushtritë  e vendeve aleate. Ua, ua, ja bëri menjëherë Xhaxhiu, ç'po na dëgjojnë veshët. Po kush është ai qe e thotë kete mo?, pyeti ai me një farë naiviteti, por dhe shqetësimi. Menjëherë gazetari manipulator e shtyti shkrimin edhe një cikë, qe Xhaxhiu të shihte emrin tim. Ua,ua, ia bëri përsëri Xhaxhiu.

Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë, thashë me vete, duke përsëritur një shprehje të njohur të popullit. Me cilin të merresha më parë,me gazetarin manipulator, që vazhdon edhe sot manipulimin me dokumente apo me Xhaxhiun, që bie kaq lehtë në grackën e tij? Me asnjërin, vendosa.  Nuk ia vlen te harxhohet kohë në debate të tilla kallpe dhe fyese, pasi ka dhe jo pak nga kjo sërë, të angazhuar në një veprimtari të ethshme për të hedhur balte ndaj të kaluarës, sidomos ndaj Luftës sikursendodhi edhe ditët e fundit kur me paturpësinë më të madhe një sërë kalemxhinjsh u përpoqën të ngrenë në piedestal Ballin Kombëtar dhe Mit'hat Frashërin, u përpoqën të fshehin dhe të fshijnë kolaboracionizmin e tyre pushtuesit gjatë luftës. E kanë të kotë pasi ajo njollë e zezë nuk u hiqet në jetë të jetëve asa Ballit dhe as Mit'hatit. Nuk kam çfarë t'u shtoj këtyre radhëve që shkruante dje në DITA historiani Pëllumb Xhufi për figurën e Mit'hat Frashërit:

"Egoizmi e protagonizmi i pafre, i ndrydhur në vitet e qeverisjes së Zogut, e çoi Mit'hat Frashërin në rrugën pa kthim të bashkëpunimit të hapur me pushtuesin dhe me kriminelë të regjur, si Isa Toska, Kadri Cakrani apo Hamit Matjani, e komprometuan rëndë figurën e tij përpara popullit shqiptar e përpara aleatëve anglo-amerikanë, të cilët i ndërprenë marrëdhëniet me të qysh në nëntor të vitit 1943. Akoma më zi, Mit'hati shkeli mbi historinë e tij personale dhe atë të familjes së tij, kur në fund të luftës, më 1944, i propozoi përfaqësuesve të qeverisë greke, gjeneralëve Chrysochou e Sarandis, krijimin e një federate greko-shqiptare dhe paraqitjen në Konferencën e Paqes me një delegacion të vetëm. Mit'hati propozonte që Shqipëria të hynte në këtë bashkim federal me Greqinë me kufijtë e Londrës, d.m.th. pa Kosovën e Çamërinë dhe me statusin e një province të nënshtruar, përderisa drejtimi i ushtrisë dhe i politikës së jashtme i liheshin prej tij Athinës."

Me pak fjalë thuhet shumëçka. Le t'i kundërshtojë ndokush këto fjalë të Profesor Xhufit.

Megjithatë, apologjetët e kolaboracionizmit nuk kanë faj, pasi e kanë amanet nga paraardhësit e tyre,  të cilëve lufta antifashiste ua preu në mes ëndrrat e projektet për rikthim të pushtetit e të privilegjeve, që kishin para dhe gjatë luftës.

***

Argumentet që sillen janë vërtetë sa të pathemelta e aq dhe qesharake, që tregojnë më së pari injorancën e tyre. Sipas tyre, faktori kryesor i fitores së komunistëve paska qenë ndihma e Britanisë së Madhe, ishte Çërçilli, sipas tyre ai që paska sjellë komunizmin dhe komunistët shqiptarë në pushtet, se fitorja e luftës qenka përcaktuar nga ardhja e dyzetë apo pesëdhjetë misionarëve anglezë, në kohë e në pika të ndryshme të territorit shqiptar, shumica e të cilëve të orientimit të djathtë, që bënë çmos që të mbështesnin e të ngrinin jo komunistët, por ballistët e legalistët, duke i këshilluar që të hyjnë në luftë se vetëm kjo do t'u krijonte mundësi që t'i ndihmojnë të realizojnë dhe ëndrrat për pushtet. Por shpejt anglezët do të bindeshin edhe vetë dhe të alarmuar do të njoftonin qendrën në Londër se krerët nacionalistë këetu duan pushtetin në pjatë, si dhuratë nga jashtë, nga ne, pa luftuar e pa sakrifikuar.

Deri këtu arrin logjika e mbrapshtë e ballistëve dhe kolaboracionistëve të tjerë, që për inat të vjehrrës, siç thotë populli, vete e fle me mullixhinë, që për të zbehur apo dhe mohuar meritat e Frontit e të PK, rivalëve të tyre për pushtet, mohojnë luftën dhe sakrificat e popullit, duke ua atribuuar ato të huajve, në këtë rast anglezëve. Këtë nuk besoj se e ben kush, se e bën ndonjë forcë politike në çfarëdo vendi e kontinenti qoftë. Nga kjo pozitë mjerane e me këtë mentalitet, shkakun e vendosjes së komunizmit nuk e shohin edhe tek gabimet e tyre, tek braktisja që i bënë luftës dhe rreshtimi përkrah forcave te Boshtit Nazifashist, çka u dha mundësi komunistëve të përfitonin e të afirmoheshin si forca e vetme që luftonte kundër okupatorit, që pashmangërisht do t'i çonte dhe drejt pushtetit.

Dua t'u kujtoj këtyre zotërinjve që mohojnë Luftën tonë Antifashiste, se ky fakt, çlirimi i vendit me forcat e veta, nga veprimet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, shërbeu si një argument i fuqishëm, të cilin kryeministri shqiptar Enver Hoxha ua kujtoi dhe përfaqësuesve të shteteve aleate në Konferencën e Paqes të vitit 1946 e që u mbështet pa rezerva dhe prej tyre, duke hedhur poshtë akuzat greke, sipas të cilave Shqipëria i qenkësh bashkuar agresionit të fashistëve italianë kundër Greqisë, e se për këtë arsye, duhej dënuar siç po dënoheshin dhe pjesëtarët e tjerë të boshtit, jo vetëm me dëmshpërblime financiare por dhe me gjymtime territoriale. Në këtë rrugë e me këto akuza false, qarqet verio-epiriote të përfaqësuara në Konferencë, nga kryeministri Metaksai, kishin llogaritur që me mbështetjen e Britanisë së Madhe, të cilën ajo ia kishte premtuar qeverisë mbretërore në mërgim, të vendosur në Londër, të arrinin të shkëpusnin nga trungu i vet, të ashtuquajturin Vorio-Epir, pra Shqipërinë e Jugut, duke zgjidhur kështu çështjen vorio-epiriote, të sajuar për këtë qëllim, për të grabitur pjesë të tjera të territorit shqiptar. Harronin qarqet shoviniste verio-epiriote se përballë  tyre nuk ishte Mit'hat Frashëri, që t'ua plotësonte orekset e tyre, por ishte Enver Hoxha, që ishte gati të niste një luftë tjetër, si ajo kundër agresorëve fashistë nëse do të ishte nevoja, për të mbrojtur integritetin dhe  dinjitetin e Shqipërisë se re. Ndoshta këto peripeci e rreziqe, që u tejkaluan në sajë të Luftës Nacionalçlirimtare kishte parasysh Noli kur shkruante se historianet kur të shkruajnë Historinë e Shqipërisë nën vështrimin e njëqind vjetëve më vonë, nuk do të jetë çudi që ta nisin jetën indipendente të popullit shqiptar jo me 1912, por me 1944, atëherë kur pavarësia u shndërrua në një realitet të gjallë, të qëndrueshëm e të fuqishëm, të aftë që të garantojë paprekshmërinë e kufijve dhe jetën paqësore të qytetarëve shqiptarë.

Dhe, merita për këtë ndryshim që solli lufta, qe solli 29 nëntori i lavdishëm, u takon të gjithë pjesëmarrsve në luftë, të gjitha forcave patriotike pa dallim, komuniste, antifashiste e nacionaliste, të bashkuar e të organizuar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, të udhëhequr me urtësi e largpamësi nga PK dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha, numri një i luftës e i fitores së saj, komisar e në fazeë përmbyllëse e vendimtare të luftës dhe komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe bashkëpunëtorëve të tij, patriotëve të mëdhenj, si Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani, Omer Nishani, Spiro Moisiu, Shefqet Peçi, Mestan Ujaniku etj.; Udhëheqësve të talentuar të Shtabit të Përgjithshëm e të njësive partizane, si Mehmet Shehu, Tuk Jakova, Nako Spiru, Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Ramadan Çitaku, Ramiz Alia, Rita Marko, Rrahman Parllaku, Sadik Bekteshi, etj.,e mbi të gjitha, dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të LANÇ-it, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Manush Alimani, Misto Mame, Mihal Duri, Zonja Çurre, Kajo Karafili, Asim Zeneli, Perlat Rexhepi, me dy shoket e tij, Jordan Misja e Branko Kadia që shkruan një epope që tronditi qytetin; pesë heronjtë e Vigut, bij të Shkodrës, djepit të dijes e të kulturës; të Lezhës së njerëzve të urtë e të mirë, të Mirditës së trimave e të besës, të vrarë tradhtisht e mizorisht nga forcat reaksionare të kapidanit shpirtzi e shërbëtor i çdo të huaji që shkelte këtë vend; 84 qytetarët e Tiranës, të ekzekutuar në masakrën e tmerrshme të 4 shkurtit 1944, që organizuan ballistët e kolaboracionistët e tjerë, masakër që pasi mori bekimin e Mit'hat Frashërit, u udhëhoq nga dy figura të errëta, Xhafer Deva e Kadri Cakrani, i pari ministër i brendshëm, shërbëtor i zellshëm i gjermanëve dhe i dyti, komandant i forcave të Ballit. Vijnë më pas plot të tjerë, një radhë e pafund të rinjsh e të rejash, shumica e të cilëve s'i kishin mbushur ende të njëzetat, për të mbërritur shifrën e 28 mijë yjeve të rënë për lirinë e Shqipërisë, për ta parë atë të lirë, të pavarur e sovrane. Aktet e tyre heroike, janë gdhendur me germa të arta në historinë e Shqipërisë dhe askush nuk ka mundur e nuk do tëe mund t'i fshijë e t'i mohoje, pasi ato janë të rrethuar edhe sot nga mirënjohja e nga dashuria e pa fund e popullit, që çmon e nderon si gjënë më të shenjtë, kujtimin dhe veprën e tyre, lirinë dhe pavarësinë që ata i sollën vendit.

Çifti i të moshuarve hidhet nga kati i 6-të i pallatit në Berat

Posted: 30 Nov 2018 12:09 AM PST

Një çift të moshuarish janë gjetur të pajetë në lagjen "30 Vjetori" në Berat.

Kujtim dhe Keze Agalliu, rreth 80 vjeç, dyshohet se janë hedhur nga kati i 6-të.

Ata u hodhën rreth orës 07:00 të mëngjesit të së premtes (30 nëntor) në vendin e quajtur "Pjeshkorja".

“Më datë 30.11.2018, rreth orës 07:00, në vendin e quajtur "Pjeshkorja", në lagjen "30 Vjetori", Berat, shërbimet e patrullës konstatuan një çift të moshuarish të cilët dyshohet se janë hedhur nga kati i gjashtë i pallatit, duke gjetur vdekjen”, raporton policia.

 

o.j/dita

30 nëntor 2018

Posted: 29 Nov 2018 05:00 PM PST

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more