Skip to main content

“Loja me parime më e rrezikshme se loja me kufij” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Loja me parime më e rrezikshme se loja me kufij” plus 1 more Telegrafi Opinione


Loja me parime më e rrezikshme se loja me kufij

Posted: 26 Sep 2018 07:04 AM PDT

Deklaratat e presidentit të Kosovës për korrigjimin e kufijve, edhe pse me të drejtë kanë ngjallur shqetësim te qytetarët dhe disa subjekte politike, megjithatë janë lojë fëmijësh përpara projektit serioz, jashtë-evropian, për të rrënuar parimin bazë mbi të cilin është ngritur paqja në Ballkan dhe konjuktura e sotme, e ky është principi i mos ndryshimit të kufijve të njësive federale të ish-Jugosllavisë.

Më shumë se prekja në Kushtetutën e Kosovës dhe cilësimet, madje edhe për tradhti për presidentin e Kosovës, lidhur me angazhimin e tij të sforcuar dhe të befasishëm për korrigjim kufijsh, atë e vë nën përgjegjësi për shkelje me të dyja këmbët mbi parimin bazë rreth të cilit u rindërtua konjuktura e sotme ballkanike.

Në vend se të debatohet se sa është me interes që shqiptarët, dhe në këtë rast Kosova si shtet, të hyjnë në aventurën e rrënimit të këtij parimi përmes një marrëveshjeje me asgjë obliguese, dhe ende krejtësisht të paqartë, gati private në mes të tij dhe presidentit serb Vuçiq, agjitpropi i presidentit e ka sforcuar fushatën për të mbrojtur presidentin, gjoja nga sulmet mbi personalitetin e tij, i cili në fakt nuk sulmohet nga askush personalisht, përpos që emri i tij përmendet në kontekst kur ka debate për krimin e organizuar, korrupsionin dhe bisedat e fshehta me presidentin serb.

Në vend se të merren me llafet e z. Thaçi i cili edhe ashtu, u pa puna, nuk ka çfarë të bëjë përpos të shpërndajë dekorata dhe të japë deklarata kot dhe grindavece, në të shumtën e rasteve me ngarkesë emocionale të cilat pastaj provokojnë një hajgare të përgjithshme kolektive nëpër portale dhe televizione, qarqet serioze politike dhe analitike do të duhej të merreshin me parimet të cilat po preken rrezikshëm, duke u maskuar me ideale qindvjeçare të shqiptarëve për bashkim.

Prekja e parimit për mos ndryshimin e kufijve, në fakt është karremi i rrezikshëm që u është hedhur forcave politike dhe shoqërore që angazhohen për bashkim kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, dhe më e keqja është se e gjithë kjo është orkestruar asisoj që shqiptarët edhe të marrin gjithë përgjegjësinë për rrënimin e këtij parimi, e rrjedhimisht edhe pasojat që do të prodhojë kjo.

Përkundër disa luftërave të cilat Serbia i bëri në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, e besa edhe konspiracioneve në Mal të Zi e në Maqedoni, ajo nuk arriti të lëvizë këtë parim i cili, në fakt, ishte edhe baza e shtetit të ri të Kosovës, i cili thirrej në ish-autonominë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës si njësi federale e ish-Jugosllavisë dhe kufijtë e saj të përcaktuar.

Loja me fjalë se po ndreqen padrejtësitë historike dhe thirrja në dëshirën e qytetarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, është një dinakëri tjetër e tejdukshme e cila në fakt po të pranohej si arsye e mjaftueshme për të lëvizur kufijtë, do të përligjte të gjitha luftërat serbe të zhvilluara nën pretekstin e korrigjimit të padrejtësive, e sidomos ato në Republikën Serbe të Bosnjës.

Deklarimet e z. Vuçiq në Mitrovicë se "Millosheviq ishte një burrështetas i madh, i cili kishte qëllime të mira", porse i njëjti nuk kishte bërë aleancat e duhura dhe ishte konfrontuar me më të fuqishëm se vetja, shpalos strategjinë e tij që të ndërrojë aleatët dhe të ndërrojë parimet bazike të BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin, e parimi më i rëndësishëm ishte pikërisht ai i mos ndryshimit të kufijve, por edhe ai i shteteve shumë etnike.

Politika evropiane dhe ajo euroatlantike nuk e kishte përkrahur rindërtimin e Ballkanit mbi platformat shtetmëdha, të bashkimit të kombeve të mëdha në Ballkan si ai serb, shqiptar e kroat, për çka edhe ishte filluar lufta e fundit në Ballkan, e cila e rrënoi ish-Federatën Jugosllave dhe po të mos ishte ndërhyrja ndërkombëtare, kryesisht e NATO-s, do të rrënonte edhe baraspeshën mes BE-së, Rusisë dhe Turqisë në Ballkan duke i hapur rrugë depërtimit të ambicieve imperialiste ruse apo neo-osmaniste drejt BE-së.

Është e tejdukshme edhe përpjekja për të modifikuar sulmin mbi këtë parim, gjoja me një marrëveshje të vullnetshme shqiptaro-serbe, e përcjell me një retorikë përplot emocione ndaj shqiptarëve të presidentit serb i cili gati sa na bëri edhe ne ta duam ish-presidentin "e pafat" serb Millosheviq, i cili paska pasur qëllime të mira veçse nuk paska ditur të rreshtohet. Një marrëveshje Kosovë-Serbi mund të arrihet vetëm brenda parimeve mbi të cilat është ndërtuar paqja në Ballkan dhe çdo dalje nga këto parime, në këto rrethana të paqarta, çojnë sërish në luftë.

Kujt i intereson lufta sërish? A është e mundur të bëhen marrëveshje të vullnetshme në Ballkan, ku të gjitha palët do të ishin të kënaqura? Kush janë palët jashtë-ballkanike të cilat duhet të jenë të kënaqura, përpos popujve ballkanik dhe për të cilët presidentët po duan të rrënojnë një parim themel?

The post Loja me parime më e rrezikshme se loja me kufij appeared first on Telegrafi.

A po vjen fundi i Angela Merkelit?

Posted: 26 Sep 2018 03:26 AM PDT

Kryetarët e grupeve parlamentare quhen të suksesshëm atëherë, kur opinioni nuk merret shumë me punën e tyre. Në sistemin partiak gjerman, ata janë përgjegjës për t’i organizuar kreut të partisë mazhorancat e deputetëve të partisë së vet. Nëse kryetarja apo kryetari i partisë është edhe kancelare apo kancelar, atëherë ata kujdesen, që këta ta bëjnë punën e tyre pa shumë zhurmë. Teorikisht.

Por, çështja është se aktualisht në qeverinë gjermane asgjë nuk zhvillohet pa zhurmë. Edhe negociatat për krijimin e qeverisë u shoqëruan nga intrigat, dorëheqjet dhe rreziku i përhershëm i zgjedhjeve të reja. E gati në të njëjtën ditë, një vit pas zgjedhjeve të Bundestagut, duket se është vetëm çështje kohe shpërbërja e koalicionit dhe Gjermania do të fillojë sërish të kërkojë një qeveri të re.

Jo vetëm pse partitë qeverisëse grinden me njëra-tjetrën si në pazar duke e humbur besueshmërinë tek popullata me luftërat për pushtet. Tani Angela Merkelit i ka ikur nga dora edhe mazhoranca në radhët e veta. Mos zgjedhja e të besuarit të saj prej vitesh dhe kryetarit të fraksionit, Volker Kauder, është një revolucion në pallat, që mund të përfundojë në një skenar: Zgjedhje të reja pa Angela Merkelin, që për 13 vjet përcaktoi fatet e Gjermanisë dhe Evropës.

Fakti që zgjedhja e politikanit gati të panjohur, Ralph Brinkaus, u bë e njohur pikërisht në atë moment kur Donald Trump sërish e sulmoi verbalisht Gjermaninë, hedh një dritë të çuditshme mbi Gjermaninë si fuqinë më të madhe ekonomike evropiane.

Shumë deputetë të Parlamentit aktual gjerman duket se nuk e kanë kuptuar ende seriozitetin e momentit. Ata u zgjodhën nga qytetaret e qytetarët e këtij vendi për t’u angazhuar për të mirën e Gjermanisë. Dhe jo për ta pezulluar me javë qeverisjen, për t’u grindur për vogëlsira, për personelin e me këtë duke ndihmuar vetëm të forcohet AfD.

Nga dita e parë, kësaj qeverie i mungonte një projekt i përbashkët politik, sidomos personalitete aktive, që kanë dimensionin e drejtimit të Gjermanisë në kohë të vështira. Personaliteti i vetëm i i besueshëm ishte Angela Merkel, deri në të martën historike (25 shtator) e cila e mbulonte dhe tejkalonte përçarjen e thellë në koalicionin qeveritar dhe në radhët e veta.

Kjo tani ka marrë fund. Deputetët e CDU dhe CSU-së nuk refuzuan vetëm Volker Kauderin, si kryetar grupi parlamentar të CDU/CSU-së. Ata e denigruan publikisht kancelaren në këto kohë ta pasigurta. Me këtë tani çështja nuk shtrohet më, se a po vjen fundi i Angela Merkelit, por se sa shpejt do të vijë ai.

Një zhvillim që meriton vëmendje! Jo vetëm sepse po gëzohen AfD dhe Donald Trump gëzohen.

The post A po vjen fundi i Angela Merkelit? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more