Skip to main content

“Bëje një fëmijë, shpëtoje Shqipërinë!” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Bëje një fëmijë, shpëtoje Shqipërinë!” plus 1 more Telegrafi Opinione


Bëje një fëmijë, shpëtoje Shqipërinë!

Posted: 27 Sep 2018 03:26 AM PDT

Enio Civici

Shqipëria nuk ndodhet në kushtet e shfaqjes së një eventi të nivelit shfarosës dhe për këtë duhet të jemi të qartë. Secila deklaratë, lajm apo individ që i qëndron këtij arsyetimi, ka qëllime të tjera dhe asnjëra prej tyre nuk lidhet me shqetësimin e largimit të shqiptarëve apo uljes së lindshmërisë së tyre. Por, pavarësisht agjendave alternative, moslindja dhe emigrimi janë alarme serioze që duhen konsideruar më seriozisht se shumë probleme të tjera "shqiptare". Revista "SCAN" doli me titullin e këtij shkrimi disa muaj më parë e duket se nuk ra në veshë të shurdhër. Pas një kurioziteti frenetik gazetaresk, Kryeministri Rama ditën e djeshme shpalli vendimin e qeverisë për të disafishuar "çekun e bebeve" dhe për ta kthyer këtë pagesë nga të sheshtë, në progresive. Të gjithë çiftet që lindin nga 1 janari 2019 do të përfitojnë 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin.

Pse erdhi ky vendim?

Askush nuk mund të mohojë se kjo është një përgjigje ndaj shifrave shqetësuese të publikuara nga INSTAT-i në 18 muajt e fundit. A e dini se numri i lindjeve në Shqipëri në tremujorin e dytë të këtij viti ishte 25% më pak se viti i kaluar? A e keni mësuar se në vitin 2017 Shqipëria kishte 15 mijë banorë më pak? Sa prej nesh e dinë se në 12 muajt e fundit kemi rreth 1% më pak njerëz nën 14 vjeç dhe pothuajse 1% më shumë njerëz mbi 65 vjeç? Sa prej jush janë të ndërgjegjshëm se Bashkimi Europian projekton një Shqipëri me forcën më të vogël të aftë për punë deri në vitin 2050? A e dini se vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti janë 1500 shqiptarë që kanë aplikuar për azil vetëm në Francë? Këto janë fakte të mjaftueshme për të sjellë dhimbjen e kokës në qeveri, parlament, opozitë, shoqëri civile dhe në secilin individ të kësaj Republike.

A është "bonusi i bebeve" një politikë publike-sociale kundër këtyre problemeve? Përcaktimi i një shume parash të barabartë pothuajse me një rrogë mesatare mujore shqiptare është një vendim, jo një politikë. Pagesa për familjet që shtohen është vetëm qershia, ndërkohë që torta e popullsisë vazhdon të tretet. Nëse një qeveri kërkon të ushqejë dhe mbi të gjitha të frymëzojë njerëzit për të qenë të angazhuar në zhvillimin e vendit të tyre, nuk duhet të sillet si kompani lotarie, e cila kujt i bie bileta, shtatzënia, i jep çmimin në lekë. Serioziteti me gjëmën e tkurrjes së popullsisë duhet të jetë më i madh se kaq. Sigurisht që kjo pagesë e rritur dhe progresive është një element pozitiv, por aspak i mjaftueshëm. Për të ndërtuar antidotin e duhur ndaj sëmundjeve shqiptare të shekullit të 21-të duhen ngritur pyetjet e duhura të shoqëruara me përgjigjet e drejta. Pse shqiptarët po lindin më pak? Sepse një pjesë e vogël kanë rritur nivelin e jetesës, ndërsa një pjese e madhe përballet me kosto të fshehura ekzistence administrative, të cilat kushtëzohen nga korrupsioni, paqartësia dhe abuzimi me pronën, mungesa e meritokracisë etj.

Pse kemi më pak të rinj dhe më shumë të plakur? Sepse shqiptarët që munden, edhe për faj të tyre, po zgjedhin të largohen pasi kushtet e punësimit i përqafojnë pa zbatuar kodin e punës, përballen me punësimet sipas partive dhe dështojnë të arrijnë të kenë të ardhura të mjaftueshme për të gëzuar një jetë dinjitoze. Pse shqiptarët janë vendi i dytë pas Afganistanit, i cili ndodhet prej 10 vjetësh në luftë për të kërkuar azil në Europë? Sepse Shqipëria gjithashtu është një vend në luftë, jo ushtarake, por politike. Një klasë politike që prej 30 vjetësh e ka të pamundur të gjendet e bashkuar në identifikimin dhe adresimin e sfidave të ashtuquajtura kombëtare.

Si do të ishte e plotë një politikë publike që kërkon të rikthejë entuziazmin e të jetuarit në Shqipëri? Lufta kundër korrupsionit të vogël dhe atij të mesëm është një veprim i duhur. Rritja e ndërgjegjshme e të ardhurave për pjesën vulnerabël të shoqërisë, si ata me të ardhura minimale dhe pensionistët, është ideale për të stimuluar konsumin e për pasojë pozitivitetin popullor. Zgjidhja përfundimtare e pronësisë do të sillte gjithashtu qetësinë mendore dhe financiare të secilit prej nesh nga Vermoshi në Konispol. Siguria në punë dhe mbi të gjitha siguria fizike e garantuar do të ishin sjellje konkrete pro jetës, pro të jetuarit në Shqipëri. Sigurisht që këto sfida nuk zgjidhen me një ligj, por me angazhimin politik dhe personal të të gjithëve, parti dhe popull, në frymën pro Shqipëri që po mungon përditë e më shumë. A është momenti që në Shqipëri të ketë një frymë kombëtare kundër largimit dhe pro lindjeve? Jemi rreth 10 vjet me vonesë për këtë, por gjithsesi kemi ende shanse për të ndaluar zvogëlimin. Shumë shtete janë përballur me tkurrjen e popullsisë si pasojë e lindjeve të ulëta apo emigrimit dhe asnjëra nuk ka ndenjur duke parë lart në qiell. Maqedonia fqinje, Singapori i largët, Danimarka, Polonia apo Italia, të gjithë janë shtete, të cilat përveç sloganeve interesante, e kanë përballuar plakjen dhe uljen e popullsisë me politika ekonomike që fillojnë me subvencione për shtëpi të mëdha dhe mbarojnë me rroga të përmuajshme deri në moshën 18-vjeçare për secilën lindje

Krahas zvogëlimit, Shqipëria sot përballet dhe me plakjen e saj, pasi mosha mesatare e shqiptarëve ka arritur në 35 vjeç , ndërsa INSTAT ka parashikuar se në vitin 2031, nëse vazhdojmë të jemi indiferentë dhe pothuajse të tredhur, mosha mesatare do të jetë 42 vjeç. Kur 70% e popullsisë të jetë mbi 30 vjeç, Shqipëria do të ketë edhe më shumë probleme, për këtë të jeni të sigurt.

Deri më sot kishim një opozitë që i ngrinte problemet e uljes së lindshmërisë dhe emigrimit vetëm për të goditur qeverinë dhe në anën tjetër, një qeveri që hiqej sikur pikërisht ky problem nuk ekzistonte. Nga dje, me nismën e rritjes së konsiderueshme të pagesës për lindjet, ne mund të guxojmë të pretendojmë disa syresh politikëbërës më të ndërgjegjshëm për asfiksimin e kapitalit njerëzor në këtë shtet.

The post Bëje një fëmijë, shpëtoje Shqipërinë! appeared first on Telegrafi.

Evropa, tokë e lakmuar

Posted: 27 Sep 2018 01:21 AM PDT

Angelo Panebianco

I drejtohemi më shumë shëmbëllesave historike kur kohët turbullohen, kur shkimen pikat e referimit të zakonshëm, ato që më parë përdornim për të ndërpretuar botën. Kërkohen, në historinë e shkuar, çaste e gjendje të krahasueshme, për aq sa është e mundur me rrethanat e pranishme, me shpresë të gjendet një busull që të na ndihmojë ne të drejtohemi. Ta zëmë se Steve Bannon, ish-ortaku i Donald Trumpit e teoriku i nacional-populizmit, dhe mendimi i tij (ai që shumëve prej nesh na duket një distopi, një utopi e keqe) për një Evropë të rihedhur në garën mes Shtetesh, plotësisht sovranë, do të fitojnë. Ta zëmë se në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian do të vërtetohet fitorja e madhe zgjedhore e nacional-populistëve.

Ta zëmë se do të rritet kushtëzimi i ushtruar mbi qeveritë gjermane nga Alternativa për Gjermaninë, një lëvizje kundër të huajve (dhe kundër Evropës), sot partia e tretë në Bundestag, që në Francë rënia e pëlqimit popullor për Macronin do ta bëjë përsëri të besueshme sfidën lepeniste, që në Itali do të ngulin rrënjë nacional-populistët, sot në fuqi, e që lëvizje të tilla do të vazhdojnë të fuqizohen gjithandej. Bashkimi Evropian, larg kalimit të krizës së sotme, do të kishte pak mundësi të merrte veten. Le të përfytyrojmë, së fundi, se lidhjet ndëratlantike (edhe për shkak të ripohimit të një mandati të dytë presidencial të Trumpit, mbas dy vitesh), do të vazhdojnë të dobësohen.

Nëse gjithçka u tha më sipër do të sendërtohej, cilës hyllësie historike duhet t'i drejtohemi për t'u rrekur të kuptojmë gjendjen e re evropiane? Mund të kuturisim që në këtë rast Evropa do të gjendej në kushte të krahasueshme me ata të Italisë në gjysmën e parë të Pesëqindëshit: në harkun e kohës që shkon nga 1494, vit i zbritjes në Itali të mbretit të Francës, Karli VIII, deri në 1559, viti i traktatit të paqes të Cateau-Cambrésis.

Gjatë gjithë asaj periudhe, me pushime të shkurtra, Franca e Spanja (Franca dhe Perandoria Habsburge nën Karlin V, nga 1519 deri në 1556,) luftuan për kontrollin e Italisë. Sherret mbaruan më 1559 me ngadhënjimin e Spanjës, që siguroi mbizotërimin, nga Mbretëria e Napolit në Milano, në një pjesë të mirë të Gadishullit. Italia mbas 1494 ishte bërë tokë e lakmuar nga fuqitë Evropiane sepse kishte dy karakteristika (që i gjejmë edhe në Evropën e sotme): ishte e pasur në burime ekonomike dhe në prestigj dhe ishte politikisht e copëtuar, e ndarë në Shtete shemra, të paaftë të formonin një front të përbashkët kundër orekseve të atyre fuqive. Në një vepër klasike kushtuar "Historisë së republikave italiane" më 1832, historiani dhe ekonomisti Sismondi shkruan: "Në fund të shekullit XV zotërinjtë e kombeve francez, gjerman e spanjoll u tunduan nga begatia e mrekullueshme e Italisë, ku grabitja e vetëm një qyteti u premtonte atyre herë-herë më shumë pasuri se sa mund t'i zhvatnin miliona vartësve. Me pretekstet më të kota ata mësynë Italinë e cila, në dyzet vite lufte, herë pas here u shkatërrua nga gjithë ata popuj që mundën të depërtonin në të. Grabitjet e këtyre barbarëve të rinj shkaktuan zhdukjen e begatisë që i kishte joshur ata".

Le të mbajmë parasysh tani rastin e një Evrope "të shprishur": fundi i hegjemonisë së Shteteve të Bashkuara, fundi i integrimit Evropian, kthim i plotë në Evropën e Shteteve kombëtare të palidhura – siç kanë qenë deri tashti – nga ajo hegjemoni dhe nga ai integrim. Të përfytyrojmë gjendjen më ngjyrë trëndafili, një skenar në të cilin të mos jenë të pranishme, në ndryshim nga çfarë ndodhi në Italinë e Pesëqindit, kundërshtitë e armatosura (edhe se e dimë se gjatë kufirit mes Vendeve të NATO-s dhe zonave të ndikimit rus, shpejt a vonë mund të shpërthejnë përplasje të rënda). Evropa gjithsesi do të jetë tokë e lakmuar e fuqive të mëdha. E para që do të përfitonte nga rënia e hegjemonisë amerikane dhe ndalimi i njëhershëm i integrimit Evropian, natyrisht do të ishte Rusia (e cila, së bashku me disa miq të saj Evropianë, po punojnë me zell për atë përfundim). Do të synonte të zëvendësonte Shtetet e Bashkuara në rolin e lordit mbrojtës të Evropës. "Asgjë e keqe" thonë ata që nuk kuptojnë se çfarë pasojash do të kishte mbi shoqërinë në të cilën bëjnë pjesë e mbi vetë jetët e tyre, kalimi nga hegjemonia e një fuqie demokratike e liberale në atë të një Shteti iliberal. Merrni me mend: ekspertët e Rusisë mendojnë se Putini është më i miri që gjendet në sheshin e atyre anëve. Pasuesit e tij, për pjerrje autoritare dhe prirje imperialiste, do të jenë me gjasë, më të këqij. Por Rusia nuk do të kishte fushë të lirë. Do të haste pengesa në veprimin e të tjera fuqive të mëdha.

Edhe se politikisht të kufizuar, jo më në gjendje të ushtrojnë një hegjemoni të pakundërshtueshme, Shtetet e Bashkuara, sigurisht nuk do të braktisnin krejtësisht fushën: do të kërkonin gjithsesi të kundërshtonin trysninë ruse mbi Evropën. Pastaj është Kina me synimet e saj perandorake, rruga e re e Mëndafshit, e gjithçka tjetër me investimet e saj të mëdha jo vetëm në Azi dhe në Afrikë, por edhe në Mesdhe e në Evropë. Evropa e pasur dhe e ndarë do të bëhej pre (të shpresojmë së paku, paqësore) e garës ndërmjet fuqive të mëdha të sotme. Në një Evropë të ndarë do të rindizeshin shumë shemëri, deri tani (mbas 1945) vetëm të fashitura: ndoshta kundërshtia e fortë mes Italisë dhe Francës mbi Libinë paralajmëron një fazë tensioni ndërmjet Evropianëve për çështjet më të ndryshme. Nga ana tjetër, rifillimi i tensioneve do të lehtësonte, kryesisht në Vendet Evropiane më pak të fuqishme, lindjen e grupeve partiake ose të rrymave të partive, të lidhura me fille dyfishe me njërën apo tjetrën fuqi të madhe rivale. Nuk po zëmë në gojë faktin që në një Evropë të ndarë, dhe tokë mërgimi nga Lindja e Mesme, do të shtoheshin akoma më tepër prania dhe aftësia e ndikimit të ndonjë fuqie (autoritare) të asaj zone. Elitat evropeiste apo kozmopolite që mendonin se në Evropë Shteti kombëtar tashmë ishte tejkaluar, kanë bërë gabime të mëdha. Kanë lehtësuar kundërveprimin sovranist. Evropa duhet të mbajë parasysh gjallësinë këmbëngulëse të Shteteve kombëtarë. Por evropianët që pësojnë yshtjen e kushtrimit nacional-populist duhet të dinë mirë se çfarë çmimi do të paguajmë të gjithë, nëse ai projekt do të sendërtohej. /Corriere della Sera/Përktheu: Eugjen Merlika/

The post Evropa, tokë e lakmuar appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more