Skip to main content

“Shijak, pranga 48-vjeçarit të dënuar me 7 vjet burg” plus 9 more - Gazeta Dita

“Shijak, pranga 48-vjeçarit të dënuar me 7 vjet burg” plus 9 more - Gazeta Dita


Shijak, pranga 48-vjeçarit të dënuar me 7 vjet burg

Posted: 30 Jul 2018 02:24 AM PDT

Policia ka arrestuar një person, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 7 vite e 10 muaj burg i akuzuar për disa vepra penale.

I arrestuari është Arben Haxhihyseni 48 vjeç, banues në Elbasan. Haxhihyseni në vitin 2014 u shpall në kërkim pasi është dënuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan me 1 vit, 10 muaj e 15 ditë burg.

Në vitin 2017, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 6 vite burg për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie e kryer në bashkëpunim” parashikuar në nenin 109/b të Kodit Penal.

Haxhihyesi është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan për ekzekutimin e vendimeve penale.

o.j/dita

Dhunoi prindërit dhe motrat, shkak problemet ekonomike

Posted: 30 Jul 2018 02:15 AM PDT

 

Problemet ekonomike kanë çuar deri në dhunë fizike në një familje në Dibër.

Policia bën të ditur se ka arrestuar Bilbil N., 26 vjeç pasi ka dhunuar prindërit dhe motrat e tij pas një sherri në shtëpi.

"Arrestimi i tij u bë pasi në banesë, për motive të dobëta ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj prindërve dhe motrave të tij, shtetasve N.N, 59 vjeç, H.N, 50 vjeçe, D.N, 18 vjeçe, dhe M.N, 26 vjeçe", thotë policia e qarkut.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprën penale "Dhunë në familje".

l.h/ dita

Santorini, aty ky gomarët përdoren për taksi

Posted: 30 Jul 2018 02:06 AM PDT

Gomarët e ishullit grek të Santorinit po gjymtohen duke mbajtur në kurriz turistët e shëndoshë, që paguajnë për xhiro me gomar nëpër rrugët e ngushta të ishullit piktoresk.

Nga maji deri në tetor, në Santorini vijnë rreth 1200 turistë në ditë.

Gomarët përdoren për transport nëpër rrugica ku nuk kalojnë dot makinat, por aktivistët e të drejtave të kafshëve thonë se obeziteti në rritje ka bërë që kafshëve t'u rritet ngarkesa dhe të shtohen dëmtimet e shtyllës kurrizore.

Banorët e zonës janë detyruar që të kryqëzojnë gomarë me mushka, që janë më të mëdha dhe mbajnë më shumë ngarkesë.

 

Aksident i trefishtë në autostradën Tiranë-Durrës

Posted: 30 Jul 2018 01:52 AM PDT

Tre automjete janë aksidentuar paraditen e së hënës në autostradën Tiranë-Durrës.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk ka persona të lënduar.

Si pasojë e përplasjes së trefishtë, është krijuar shumë trafik në këtë aks rrugor.

o.j/dita

“Fshehje pasurie”, i fundit i Gjykatës së Lartë, Medi Bici përballë KPK

Posted: 30 Jul 2018 01:52 AM PDT

 

Medi Bici, kandidat për në Kolegjin e Lartë Gjyqësor, është përballur paraditen e së hënes me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

ILDKPKI ka sjellë raport ku konstaton se deklarimi Bici nuk është i saktë në deklarimin e pasurisë. Ai ka kryer fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.

Komisioni kreu hetimin e tij të pavarur, prandaj deklarata e Bicit iu nënshtrua një hetimi të thelluar ku u konsistua se ka pasuri vilë 4-katëshe vendosur në truall 430 m2, ndërtuar gjatë 1993-1996, toka e blerë në 1986. Objekti është legalizuar. Vlera e ndërtimit është 6 milionë lekë. Ka autoveturë Craisler 10 mijë euro. Burimi, nga shitja e një automjeti ekzistues dhe të ardhura.

Gjyqtari ka deklaruar se vëllai emigrant e ka ndihmuar për shkollimin e fëmijëve në vlerën e 10 mijë eurove në total. Gjyqtari ka paraqitur një deklaratë ku vëllai thotë se e ka ndihmuar për shkaqe vështirësie financiare. Subjekti ka paraqitur prova për këtë gjë. KPK-ja thotë se nuk rezulton që gjyqtari Medi Bici të ketë pasuri të fshehura në emër të tij apo të personave të lidhur me të.

DSIK ka dërguar raport për figurën e Medi Bicit, në të cilin konstatohet përshtatshmëri. Nga hetimi i KPK-së nuk ka dyshime se zoti Medi Bici ka lidhje me persona të dyshimtë, nuk ka denoncime për të dhe nuk ka dyshime korrupsioni.

Medi Bici tha: "Po ju paraqes disa prova të reja për të sqaruar e për të provuar se kur kam blerë tokën isha banor në Shkozë sepse para vitit 1990 nuk mund të blije tokë pa qenë banor i zonës. ILDKPKI përpara se të dilte në përfundime të tilla duhet të shikonte dokumentet e të më thërriste".

l.h/ dita

Ardit Gjebrea mesazh për Teatrin? “Kur e vjetra rrënohet, ndjej gëzim për të renë”

Posted: 30 Jul 2018 01:45 AM PDT

 

Dje ishte e diela e fundit për këtë sezon i emisionit ‘E Diela Shqiptare’.

Ardit Gjebrea i tha ‘Lamtumirë’ ambientit ku punoi për dhjetë vjet, çdo të diel.

Por, sezoni i ri do ta gjejë moderatorin në një studio të re, për të cilën nuk e fshehu entuziazmin në këtë postim:

Nesër studioja ime e vjetër do të rrënohet, por do të ndërtohet një e re. I gëzuar që do të punoj në një ambient të ri“, shprehet ai.

Postimi i moderatorit është interpretuar si një mesazh në debatin për Teatrin Kombëtar.

l.h/ dita

Demaçi dhe Rugova, historia e parrëfyer e një mërie politike

Posted: 30 Jul 2018 01:33 AM PDT

Bedri Islami

Në fillimin e pranverës së vitit 1990, në një natë të vetme, ndoshta i gjithë qielli i Kosovës, u përflak nga pushkët. Ishte ndoshta hera e parë që kishte një dyndje të tillë nëpër rrugë, jo për të ripërsëritur demonstratat e një viti më parë, të cilat kishin pasur martirët e herojtë e tyre, si Afrim Zhitia dhe Fahri Fasliu, por në pritjen e një burri, i cili, më shumë se sa një emër, ishte një legjendë në më shumë se tri dekada, Adem Demaçi.

Ai ishte asaj kohe një pjesë thelbësore e historisë së Kosovës dhe shtëpia e tij, e cila nuk mund të zinte gjithë njerëzit që ishin sulur ta takonin, ishte jo vetëm e vogël, por ai as që kishte ndër mend ta bënte një rezidencë të lëvizjes çlirimtare. Ata që e kishin pritur këtë do të kishin një fillesë zhgënjimi, por bacës së tyre jo vetëm i falen gjithçka, por edhe duhej pritur më tej.

Adem Demaçi në pranvern e vitit 1990, kur mund të ishte shumë lehtë prijësi i shqiptarëve në Kosovë, çuditërisht bëri thirrje që të përkrahej Rugova, shefi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe këtë e përsëriti edhe dy vite më pas.

Demaçi tha fjalët e papritura për njerëzit e lëvizjes çlirimtare se, " Kosovën e kishte lënë dimër dhe e kishte gjetur verë" dhe, këtë "verim" e lidhte me Rugovën, megjithëse ky i fundit kishte qenë në strukturat e njohura politike të Lidhjes Komuniste të Kosovës, sekretar politik në Institutin Albanalogjik, e cila ishte cilësuar si qendra e nacionalizmit shqiptar. Demaçi, si dukej , po bënte atë çka u kishte thënë të tjerëve në fjalën kushtuese të librit të tij të njohur, "Gjarpërinjtë e gjakut", se ua kushton " jo atyre që ngrejnë gishtin e krimit, por atyre që shtrijnë dorën e pajtimit".

Po vinte pas burgimit të tretë që kishte zgjatur 15 vite, më shumë se gjysma e dënimeve të tij 28 vjeçare.

Tetë vite më vonë, në përpjekjet e të dërguarëve të Shteteve të Bashkuara, ambasadorit Hill dhe zotit Hoolbruck, për të krijuar në Kosovë, pas marsit të vitit 1998, një qendër të përbashkët koordinimi politik,  pikërisht me 4 korrik, Demaçi, duke ngulur këmbë që Rugova të kthehej në shtëpinë e tij si qytetar i zakonshëm, pasi politika e tij kishte dështuar, duke refuzuar postin e kryeministrit të Kosovës, do u thonte atyre se "Nuk është në interes amerikan të përkrahet një politikan krejtësisht i dështuar, çfarë është Rugova". Ai do të shtonte se "Rugova duhet të tërhiqet plotësisht, ai duhet të kthehet në banesë. Ju mund të bëni çfarë të doni…Më në fund, nuk është hera e parë, e qebesa as e mbrama, si po shoh, që ai juve do t'ju mashtrojë…E keni mbajtur në pushtet, vazhdoni ta mbani edhe tash e tutje.Falë ju qoftë…"

Biseda do të sillte shpërthimin e zotit Hoollbruck, " Kësi takimi kurrë nuk kam pasur…Ai, Demaçi, nisi të piskasë..Merre me mend, Demaçi po na mëson neve se cili është interesi amerikan në Kosovë dhe me kë duhet të bashkëpunojmë e me kë jo…Nëse merreni vesh ju, qysh sot mund ta shpallim Këshillin, Trupën e Përbashkët e çkado tjetër. Dhe brenda tij i dua edhe Demaçin, edhe Qosen. Dhe, nëse mendoni se Demaçi duhet të jetë patjetër në krye të tij, ashtu do të jetë".

Demaçi kundërshtoi përsëri. Ai , deri në fund, me gjithë presionin e gjithkahshëm, do të mbetej në mendimin e tij: Rugova duhej të largohej nga skena politike. Ai kishte dështuar, ai kishte mbajtur zgjedhjet e 22 marsit 1998,kur lufta kishte nisur, kishte përjashtuar Drenicën nga zgjedhjet dhe pas operacionit serb të qershorit kishte deklaruar se " tani jam më i fortë".

Çfarë kishte ndodhur mes këtyre dy burrave, tek të cilët ishte varur një pjesë e madhe e shpresës së Kosovës dhe të cilët, megjithëse të ndryshëm në shumëçka, për të mos thënë në të gjitha, ishin bërë tashmë dy vetë që e përjashtonin njëri tjetrin deri në fund?

Vdekja e Adem Demaçit, figurës më të shquar të rezistencës shqiptare në mesin dhe fundin e shekullit të shkuar dhe emblema rreth së cilës mblidheshin njerëzit në këtë shekull, sidomos varrimi i tij, zgjoi dhe hapi edhe një herë mëritë e vjetra politike, të cilat, herë të hapura dhe herë të tjera brenda vetes, në shumë raste kanë qenë të njohura, por që nuk është menduar se do të shkonin edhe pas jetës, në ditëvdekje.

Njerëzit e Rugovës, pra, të partisë që ai la pas vetes, herë të gjymtuar dhe herë të ndjeshme, papritmas, si të vinin direkt nga lufta e ftohtë e një kohe të shkuar, deklaruan se nuk do të jenë pjesë e varrimit të Demaçit,dhe, disa prej tyre, shkuan edhe më tej se kaq, duke synuar përdhosjen e një figure që i kishte bërë nder qëndresës shqiptare në Kosovë.

Si duket ka qenë një lëvizje politike e llogaritur ftohtësisht, si një hapje e hesapeve të vjetra që kanë qenë mes Demaçit dhe Rugovës, por edhe si një hakmarrje e vonë e një lëvizje politike, e cila pasi doli nga Lidhja Komuniste e Kosovës, kishte qenë pjesë politike e tri dënimeve të zgjatura të Demaçit, njeriut që kishte turbulluar shumë ujra të ndenjura dhe nuk kishte lënë të humbiste mendimi se mund të kishte rezistencë në Kosovë.

Rasti i Demaçit është shumë i ngjashëm me atë të Ukshin Hotit, staturës tjetër të shquar politike në Kosovë, që, po ashtu si Demaçi, kishte rënë nën mërinë politike të Lidhjes Demokratike dhe shefit të saj dhe që, kur ishte ridënuar, e vetmja gjë që kishte thënë kjo strukturë politike do të ishte se " ukshin Hoti ishte ashtu si ishte" dhe ishte lënë në harresën e tij.

Përse u zgjuan tani "hesapet" e vjetra mes dy figurave ndër më të njohura të politikës shqiptare në Kosovë: Demaçit dhe Rugovës?

A do të kishte ndodhur kjo nëse Rugova do të ishte ende në jetë apo kjo që ndodhi, kjo shfaqje e hapur refuzimi për të nderuar një figurë kaq emblematike, do të ishte shmangur nga ish presdenti i Kosovës?

Ku filloi mëria e tyre, më saktë, kjo ndarje e thershme politike mes njërit e tjetrit dhe a ka pasur raste kur ato kanë qenë sëbashku, në një vijë, ashtu si edhe në vija të ndryshme?

Demaçi dhe Rugova i takojnë dy lëvizjeve të ndryshme politike, jo vetëm pas vitit 1990, kur në Kosovë u krijua një tabllo fantazmagorike e lëvizjes pluraliste, por edhe shumë më herët.

Si njëri, ashtu edhe tjetri ishin njerëz të letrave. Demaçi ishte më shumë shkrimtar, Rugova e kishte lidhur veten më shumë me kritikën letrare. Romani i Demaçit, "Gjarpërinjtë e gjakut" do të jetë për disa dekada mishërimi i aspiratës së shqiptarëve, për të falur gjaqet brenda vetes dhe për të qenë sëbashku ndaj një armiku tjetër; ndërsa studimet e Rugovës, sidomos për Buzukun, do të jenë sinjale të një pune studimore serioze, por që u ndalën pas futjes së tij në thellësinë e politikës, pasi kishte qenë shumë vite në ujrat e ndërmjetme.

Demaçi dhe Rugova kishin përfaqësuar që herët dy rryma të ndryshme politike, nganjëherë të kundërta dhe në disa raste dy rryma që përjashtonin njëra-tjetrën.

Demaçi kishte ardhur në politikë përmes qëndresës. Në fakt ai ishte një nacionalist i bindur që kishte lëvozhgë lëvizjet marksiste, të cilat do i hedhë pa asnjë droje e dhimbje menjëherë pas vizitës së tij të parë në Shqipëri. Egon nacionaliste do e mbajë deri në fund pas vetes.

Rugova, me një fillesë të çuditshme në politikë, ka të dhëna se babai i tij, Ukë Rugova është vrarë nga forcat serbe pas vitit 1945, do të bëhej shumë shpejt antar i Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe njeri i besuar i saj.

Në kohën e burgimit të parë të Demaçit është edhe pranimi i Rugovës në parti.

Në kohën e burgimit të dytë të Demaçit do të jetë edhe rritja e parë politike e Rugovës brenda suazës komuniste kosovare dhe serbe, pasi Lidhja e Komunistëve të Kosovës varej drejtpërsëdrejti nga Lidhja Komuniste e Serbisë.

Në ditët e burgimit të tretë të Demaçit, tani në Staragradishkë, në Kroaci, Rugova do të ketë dy rritje politike, si sekretar i LKK dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve deri në fundvitin 1989 dhe pas pak si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovs.

Megjithatë, ata, herë pas here, e gjetën gjuhën e rrugën e përbashkët. Sidomos deri në mesin e vitit 1996 ata ishin një zë i përbashkët, por me disa nuanca të ndryshme.

Demaçi do të thyhej ngadalë nga besimi që kishte pasur dhe, ashtu si ishte, pak i vështirë për të punuar me të, shumë i drejtpërdrejtë dhe i hapur, impulsiv dhe rrezatues njëkohsisht, do e kishte gjithnjë e më të vështirë të pranonte ecjen e ngadaltë të Rugovës dhe do të zemërohej me deklarimet e tij politike ndaj UÇK-së.

Rugova, nga ana tjetër, më i qetë, më llogaritës, aspak impulsiv, me një besim të perëndimorëve ndaj tij, që herë zbehej dhe herë rritej, por që ishte një besim i pranishëm, nuk harronte kurrë në zemërimin e tij, megjithëse nuk e shfaqte.

Demaçi, pas emërimit të tij nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së të reprezantojë UÇK-në në proçesin e unifikimit të forcave politike shqiptare dhe krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, kishte ngritur zyrën në Prishtinë, kishte marrë pas vetes disa djem të rinj, mes të cilëve shquante Albin Kurti dhe fliste me një gjuhë krejt ndryshe nga ajo e Rugovës.

Krisja e tyre e parë erdhi në vitin 1996 dhe erdhi nga shteti shqiptar dhe presidenti i kohës , Berisha.

Po afrohej kriza e piramidave dhe synimi i shtetit shqiptar ishte që një pjesë të krizës të deportohej në Kosovë. Duheshin krijuar lëvizje politike dhe mosbindje qytetare, të cilat binin ndesh me politikën e Kosovës. Duhej krijuar një kauzë jashtë Shqipërisë, që të kërkonte pjesëmarrjen e Berishës në zgjidhjen e saj dhe, pavarësisht se vendi nuk ishte i përgatitur ende dhe UÇK-ja ishte në fazat e zhvillimit ,duke u shtrirë në disa zona, kështu që mund të kishte pasoja të pandreqshme, Berisha kërkoi të lëvizë boshtin.

Ai thirri në Tiranë Hydajet Hysenin, asaj kohe nën kryetar i LDK-dë, ish i burgosur politik dhe kërkoi të rriste protestat. Megjithë autoritetin e tij të dyfishtë, Hyseni nuk lëvizi gjë dhe më pas, ai bashkë me shumë të burgosur të tjerë politikë, Rugova i largoi qetësisht nga LDK-ja.

Pas tij , në lojë, ndoshta verbas,por me dëshirë për ndryshim, hyri Demaçi. Ishte një frut i papjekur ende dhe kështu që ra. Vetëm në vjeshtën e vitit 1997, kësaj here nën drejtimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Unionin Studentor , nisi lëvizja e qendresës përmes demonstratave.

Rugova nuk ia harroi kurë këtë Demaçit. Ai nuk bëri nota verbale apo protesta në publik. Ai vetë heshti, por njerëzit e tij, në media dhe përmes Qendrës për Informim të Kosovës, u sulën ndaj Demaçit. Ashpërsisht. Demaçi u ashpërsua edhe më shumë.

Ndarja e dytë, më e madhe e më reale , ishte në qëndrimin e tyre ndaj UÇK-së. Ndërsa njëri, Rugova, i mohonte krejtësisht, tjetri, Demaçi, ishte zëdhënësi i tyre. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Ishin dy njerëz që i takonin dy mendimeve të ndryshme politike, kishin bërë rrugë të ndryshme dhe kishin pasur qëndrime të kundërta.

Por, të dy, duam apo nuk duam, ishin e mbeten pjesë e historisë së Kosovës.

Demaçi, kundërshtari i rreptë i Rugovës, pas largimit nga jeta të këtij të fundit, nuk e përmendi asnjëherë negativisht. Ai heshti në shenjë nderimi për njeriun me të cilin kishin pasur përpjekje të mëdha dhe ishin përplasur sa herë kishin dashur.

Nëse Rugova do të ishte gjallë ende, nuk jam i bindur nse do të kishte qenë pjesë e ceremonialit të Demaçit. Jo vetëm sepse ishte idhnak i pandreqshëm që nuk harronte kurrë, por edhe nga precedenti tjetër: sa ishte në jetë ai nuk vajti asnjëherë tek Kullat e Adem Jasharit dhe Jasharëve të tjerë.

Nuk e di përse ishte bërë idhnak edhe ndaj tyre, ose më saktë, edhe nëse e di, kjo nuk është temë e këtij shkrimi.

 

KPK shkarkon gjykatësin e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi

Posted: 30 Jul 2018 01:32 AM PDT

Karriera prej dy dekadash e gjyqtarit Selimi në sistemin e drejtësisë duket se u mbyll mëngjesin e të hënës më 30 korrik 2018 me shkarkimin e tij nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me argumentin se është "i papërshtatshëm" për shkak të një serie lidhjesh me elementë të krimit të organizuar.

Selimi, 44 vjeç, u diplomua si magjistrat në vitin 2000 sipas CV-së zyrtare dhe ka punuar si gjyqtar për më shumë se një dekadë në Vlorë. Ai ishte gjyqtar i lartë që nga viti 2011 dhe iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës prioritare për shkak të postit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Në rastin e Selimit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk u përqendrua te pasuria por te raportet, sipas KPK  “të siguruara nga brenda dhe jashtë vendit për lidhjet e gjyqtarit me organizata kriminale”.

Agjencia BIRN shkruan se “Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit i cili po asiston Shqipërinë në procesin e vetingut ndërhyri në proces duke ofruar informacion të marrë nga shërbime të huaja të inteligjencës sipas të cilit gjyqtari ka ndikuar në mënyrë të paligjshme për mosekstradimin në vitin 2015 drejt Italisë të shtetasit Arben Isufaj, i cili është dënuar në vendin fqinj për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”

Sipas ONM-së në vitet 2010-2012 subjekti ka përdorur një makinë në emër të shtetasit A.Sh, i cili është dhe shoferi i Arben Isufajt – i njohur gjithashtu si Ben Qimja. Subjekti sipas KPK-së  ka pasur kontakte të papërshtatshme me Arben Isufajn, i cilësuar si anëtar i krimit të organizuar – shkruan BIRN.

Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, institucionit shqiptar që përpunon të dhënat sekrete të shtetit, e ka cilësuar gjyqtarin Selimi si të 'papërshtatshëm'.

Gjyqtari Selimi u paraqit me protestë në seancën dëgjimore të zhvilluar më 27 korrik duke kërkuar pezullimin e procesit dhe hetim të një rrjedhjeje informacioni sekret në media. Bëhet fjalë për një përgjim telefonik të publikuar nga Top Channel.

Ky i fundit e ka sulmuar gjyqtarin fort gjatë gjithë javëve të fundit.

Kanali nuk e tha kurrë në kronikat e tij, por Selimi ishte një nga gjykatësit që duhej të shqyrtonte në Gjykatën e Lartë, procesin mes ortakëve të Top Channel.

Selimi e braktisi seancën duke e cilësuar procesin të kompromentuar.

Megjithëse është gjykatësi që ka dhënë disa dënime me burgime të përjetshme për elementë të njohur të krimit në vend, kjo nuk mjaftoi të shmangej vendimi i shkarkimit të tij këtë të hënë, 30 korrik 2018.

Nga Gjykata e Lartë kanë mbetur edhe dy anëtarë pa kaluar procesin e vetingut, i cili ka shkarkuar deri tani katër dhe ka kaluar tre.

b.m. / dita

“Mora 5 mijë euro, kisha nevojë për pará”, kush është autori që i vuri tritol banesës së Gazmir Daçit

Posted: 30 Jul 2018 01:26 AM PDT

 

Policia e Tiranës ka arrestuar mbrëmjen e djeshme autorin që i vendosi tritol në banesë Gazmir Daçit , të dënuarit për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij.

Në pranga ka rënë 23-vjeçari Vilson Brahaj i cili ka pranuar dhe krimin përpara hetuesve.

Ndërsa në deklaratën e tij, 23-vjeçari është shprehur se kishte nevojë për para. "Jam i papunë, nuk kam asnjë të ardhur. Mora 5 mijë euro", mësohet të ketë deklaruar Brahaj.

Ai ka thënë mes të tjerash se me familjen Daçi ka njohje.

Brahaj thotë se tritolin e ka vendosur për para, pasi me Xhelal Daçin dhe Gazmir Daçin nuk ka asnjë problem.

"Të atin e Gazmir Dacit e njoh se jetoj në Kamëz. Nuk kam asgjë me Xhelal Daçin. Gjithçka e bëra për para", mësohet të ketë deklaruar Brahaj.

l.h/ dita

“Ramushi qau dhe na tha: Dua të bëhem njëherë kryeministër”

Posted: 30 Jul 2018 01:22 AM PDT

Një ish-veteran i luftës së Kosovës Shukri Klinaku ka postuar një rrëfim në rrjete sociale, të botuar më pas në mediat kosovare, ku flet për një moment dobësie të Haradinajt.

Shkruan Klinaku:

“Pak para se të dilnim nga "koalicioni" të thirrëm në selinë e LKÇK-së (aty ku sot është selia e LB-së). Ishte mbrëmje e errët dimri (dhjetor 2000), madje edhe pa rrymë. Në seli ishim vetëm 4, ne tre (Sabit Gashi, Fatmir Humolli, unë) dhe ti. Ishim të ulur përreth tavolinës së rrumbullakët. Sabit Gashi filloj duke i kujtuar disa nga shtyllat e idealit për të cilat kishim luftuar. Sabit Gashi i kujtoi aty disa emra të dëshmorëve, përfshirë edhe dy vëllezërit e tu. Pastaj, Sabit Gashi vazhdoi t'i përmend disa nga veprimet e tua të atij 6 mujori, e të cilat, sipas nesh, binin ndesh me ato të parat.

Pas kësaj, radhën e kishe ti. A të kujtohet Ramush, çka bëre dhe çka the ti? Në fillim qave Ramush! Po nuk qave pak, qave shumë! Jo si "dy lotët" metaforik, por dhjetëra lot të vërtetë lagën tavolinën. Kur u ngope vaj, u përpive dhe the: "Ju keni të drejt! Krejt ashtu është! Por, unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi"! Le të përfundoj këtu kujtimi, se edhe ashtu, takimi ishte i shkurtër.

Po sot Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin? Në fillim anulo vendimin për rritjen e pagave, largo të gjithë zëvendësministrat dhe disa ministra dhe grumbullo njerëzit e dijshëm dhe të pa korruptuar rreth vetes! – Po, por më prishet partia, thua ti. Po le të prishet o Ramush, se nuk të vlen gjë ajo parti që nuk të përkrahë për përparimin e Kosovës. – Po, vazhdon ti, edhe me vendos që mos me ruajt partinë, me punu drejt, ma prishë qeverinë PDK-ja.

Po le ta prishë, o Ramush, se nuk të vlen gjë qeveria që miraton demarkacion jo transparent, që bën dhe lejon korrupsion, që bën dialog jo transparent. Ti, tri vjetët në vijim mund t'i përdorësh që të përmendesh edhe 30 të tjera, si njeriu që shënoi epokën dhe filloi erën e Kosovës pa korrupsion dhe zgjidhjen e mbarë për të gjitha problemet. Vetëm kështu do të bëheshe kryeministër. Se, me qeverisjen e këtij viti që shkoj, për mua nuk je kryeministër.

E di, se kjo punë nuk bëhet duke thënë; por më fal, se nuk munda pa të thënë”.

b.m. / dita

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more