Skip to main content

“Pse s’duhet ta harrojmë Srebrenicën” plus 1 more Telegrafi Opinione

“Pse s’duhet ta harrojmë Srebrenicën” plus 1 more Telegrafi Opinione


Pse s’duhet ta harrojmë Srebrenicën

Posted: 13 Jul 2018 09:25 AM PDT

Dunja Mijatovic

Çdo 11 korrik që nga viti 1995, qindra njerëz janë mbledhur në Qendrën Përkujtimore në Potoçarit për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës, krimi më i tmerrshëm i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave kërkojnë drejtësi, njohje dhe respekt.

Brenda pak ditësh atë korrik të 23 viteve më parë, më shumë se 8,000 djem dhe burra u ekzekutuan sistematikisht dhe brutalisht dhe 30,000 njerëz u zhvendosën me dhunë.

Që atëherë, të afërmit e viktimave – dhe në veçanti, nënat që kanë humbur bashkëshortët, djemtë, vëllezërit – kanë nisur një rrugë të gjatë dhe të guximshme drejt drejtësisë dhe njohjes.

Përgjatë kësaj rruge, ata kanë gjetur disa standarde. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka vendosur se në Srebrenicë u krye gjenocid dhe dënoi disa nga kriminelët e luftës që e organizuan dhe morën pjesë në të. Dhe organizatat bazë po kapërcejnë pengesa të mëdha për të nisur rrugën e gjatë drejt pajtimit.

E gjithë kjo mbart një rëndësi të madhe, por mbetet ngushëllim i vogël për të mbijetuarit e gjenocidit dhe familjet e viktimave.

Ata kërkojnë të gjejnë të dashurit e tyre, por procesi i ngadaltë i identifikimit i shkakton atyre vuajtje shtesë. Ata kërkojnë kujdes shëndetësor për të trajtuar traumën e tyre dhe marrin terapi nën standard. Ata kërkojnë përgjegjësi, por shumë kriminelë lufte janë ende të lirë dhe të pandëshkuar. Ata kërkojnë njohje, por vuajtja e tyre shpërfillet, mashtrohet ose mohohet.

Kjo e fundit është sigurisht një nga gjërat më të egra që ata kanë qenë të detyruar të durojnë gjatë periudhës pas gjenocidit. E megjithatë ata kanë gjetur forcën për të vazhduar luftën e tyre për të vërtetën dhe drejtësi, pavarësisht nga mohimi dhe minimizimi i gjenocidit, të cilin e shohim po ndodh edhe në arsim.

Shkollat monoetnike dhe sistemi "dy shkolla nën një çati" ende karakterizojnë arsimin në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai karakterizohet gjithashtu nga injoranca e së kaluarës dhe manipulimi i fakteve rreth luftës së fundit.

Një situatë e tillë përjetëson ndarjet etnike, të cilat bënë të mundura tensionet aktuale dhe ato të kaluara dhe pengojnë pajtimin dhe paqen. Ne duhet ta ndryshojmë këtë.

Viktimat civile të gjenocidit të Srebrenicës duhet të marrin mbrojtje adekuate sociale dhe ndihmë juridike të përmirësuar për të siguruar të drejtat e tyre dhe për të marrë dëmshpërblime.

Autoritetet politike dhe gjyqësore në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi duhet të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre për t'i dhënë fund mos ndëshkueshmërisë, duke identifikuar dhe ndëshkuar kriminelët e luftës.

Ata gjithashtu duhet të investojnë më shumë në identifikimin e të gjithë viktimave të gjenocidit dhe të sqarojnë fatin e atyre që mbeten të zhdukur. Ata duhet të shtojnë kërkimin për varre masive dhe të sigurohen që dëshmitarët që mund të zbulojnë informacione të nevojshëm për të identifikuar të gjithë vendet e tjera ku janë varrosur kufomat të ndihen të sigurt për ta bërë këtë.

Qeveritë dhe vendimmarrësit duhet të miratojnë politika largpamëse që krijojnë përgjegjësi dhe përqendrohen në arsim. Kjo duhet të bëhet një përgjegjësi e përbashkët, kryesisht për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë, por edhe për vendet e tjera evropiane, jo vetëm në ish-Jugosllavi.

Sistemet e arsimit në rajon duhet të bëhen më përfshirëse. Ata duhet t'i nxjerrin brezat e rinj nga shpellat e paragjykimit në të cilat realitetet e prodhuara turbullojnë të vërtetën dhe përhapin farën e urrejtjes.

Librat shkollorë, jo vetëm në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, por në të gjithë Evropën, duhet të përfshijnë një dëshmi objektive të gjenocidit të Srebrenicës, duke e portretizuar atë pa konotacione politike ose etnike. Ata duhet të edukojnë për të kaluarën, të edukojnë për të zbutur mitet, të edukojnë për drejtësinë dhe barazinë për të gjithë.

Vendet evropiane duhet të ofrojnë më shumë mbështetje për nismat bazë për pajtim. Ata gjithashtu duhet t'i bëjnë më shumë presion politikanëve dhe figurave të tjera publike në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë për të ndaluar mohimin e së kaluarës dhe për të ndërtuar sisteme dhe shoqëri arsimore gjithpërfshirëse.

Ashtu si holokausti dhe gjenocidi në Ruanda, gjenocidi i Srebrenicës nuk ishte një aksident. Ai nisi shumë kohë para se të ndodhte.

Ai filloi kur qeniet njerëzore u veçuan për shkak të përkatësisë së tyre etnike. U rrit me një diskutim publik, të nxitur nga disa media, të cilat i dehumanizuan ato dhe margjinalizuan zërat kritikë. Ai mori formë në shfarosjen sistematike dhe industriale të një grupi të madh njerëzish, nën sytë e një komuniteti pasiv ndërkombëtar. Dhe vazhdon sot, me mohimin dhe mosndëshkimin.

Gjenocidi i Srebrenicës shënoi një nga faqet më të errëta të historisë evropiane. Nëse duam të shkruajmë një të ardhme më të ndritur, duhet të kujtojmë atë që ka ndodhur dhe t'i trajtojmë të gjitha viktimat si viktima, pa konotacione politike ose etnike.

Duhet të pranojmë vuajtjet e të mbijetuarve dhe të familjeve të viktimave. Ne duhet ta bëjmë luftën e tyre për drejtësi qëllimin tonë.

Si komisionere për të drejtat e njeriut, unë do të vazhdoj të kërkoj drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të ndodhura gjatë luftërave në Ballkan. Vetëm duke i shërbyer drejtësisë mund të përballemi të gjithë me të kaluarën dhe ta parandalojmë përsëritjen e saj. /BIRN/

The post Pse s'duhet ta harrojmë Srebrenicën appeared first on Telegrafi.

Rama e Haradinaj nuk dinë as si të vishen e as si të sillen

Posted: 13 Jul 2018 07:28 AM PDT

Kohëve të fundit e keni parë se si vishet – dhe veçanërisht si mbathet – kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë takimeve diplomatike të shteteve ballkanike dhe ato të NATO-s, e keni parë se si sillen Ramush Haradinaj dhe Edi Rama. E keni parë se si këta dy u shkojnë pas burrështetasve, që në këtë rast ishin gra, duke u munduar që të bisedojnë me to. Haradinaj i fliste Angela Merkelit edhe pse ajo jepte shenja se nuk dëshironte të bisedonte. Haradinaj e zbatonte stilin: s'ka lidhje a po don ti, unë po du!

Edi Rama me patika (atlete) para udhëheqësve të botës. Me dy duart e tija të gjata e kapte nga pas në supe Theresa May-in. Demek, të kam shoqe të ngushtë apo të kam pikë të dobët. Ajo e ngrata e ulte kokën dhe mundohej ta minimizonte këtë rast duke e injoruar sjelljen e pahijshme të kryeministrit shqiptar.

Pyetja: Pse këta 'udhëheqës' tanë i bëjnë këto budallakina? Përgjigja: I bëjnë jo vetëm për shkak se u mungon edukata, por më shumë për shkak se mendojnë që ne mahnitemi (pozitivisht) me ta. Pra, do të fascinohemi sesa afër janë ata me udhëheqësit e superfuqive të botës. Këta udhëheqës tanë me siguri nuk e dinë që këto momente ne i shikojmë me turp, duke u munduar të fshihemi nën tavolinë para televizorit.

Kur flasim për turpin, por edhe për momente tjera të pavolitshme, njerëzit duhet të sjellin shembuj apo përvoja nga jeta e tyre. Unë një herë jam ballafaquar me turpin. Më poshtë po ua rrëfej një rast kur unë jam turpëruar për shkak se nuk kam ditur si të vishem ose kur jam veshur sikur Edi Rama.

Rasti ka të bëjë me vizitën time të parë në 'Reform Club' dhe takimin me Sir Reginald Hibbertin të cilin e kisha takuar disa herë dhe intervistuar. Duhet ta përkujtojmë se Hibbert është autor i një libri të shkëlqyeshëm që quhet 'Albania’s national Liberation Struggle: The Bitter Victory' e përkthyer edhe në shqip. Hibbert është shkolluar në Oksford dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer si oficer ndërlidhës britanik me partizanët e Shqipërisë. Pastaj Hibbert ka shërbyer në poste të larta diplomatike në Foreign Office, përfshirë pozitën e shefit të kuadrove, dhe ambasador britanik në disa vende të rëndësishme duke u pensionuar pas shërbimit si ambasador në Francë.

Një herë, gjatë vitit 1992, Sir Hibbert më ftoi që të takoheshim në 'Reform Club', që ishte klubi ku ai ishte anëtar e që gjendet në një vend prestigjioz të Londrës. 'Reform Club' është i themeluar në vitin 1841 dhe gjatë historisë është njohur si klub i burrave (Gentlemen's Club) me ide liberale që kanë ushtruar influencë të madhe në Britani dhe në botë. Ky klub edhe sot është aq i rëndësishëm sa që diku, në ndonjë shtet, më lehtë bëhesh kryeministër ose president sesa anëtar i këtij klubi. Ta zëmë, anëtarë të 'Reform Club' kanë qenë personalitetet siç është Winston Churchill dhe shumë të tjerë të këtij rangu, siç janë sot disa anëtarë të familjes mbretërore britanike.

Në ditën e takimit unë shkova në 'Reform Club' dhe u paraqita te recepcioni. Recepsionisti, një burrë i moshuar por tejet elegant, më pyeti për arsyen që isha aty. Kur i tregova se dëshiroja të hyja brenda se kisha takim, ai më shikoi në sy me habi të madhe. Pastaj, më 'skanoi' nga gishtat e këmbëve e deri te flokët. Nuk tha gjë me gojë, por shikimi i thoshte: 'Ku je nisë kështu?'

'Ju, zotëri, nuk keni mundësi ta takoni askënd në këtë klub', më tha me mirësjellje. Kur e pyeta pse, ai u përgjigj: 'Për shkak se nuk jeni i veshur siç duhet'. Pastaj ma shpjegoi kodin e veshjes: këpucë të zeza me lidhëse (toja), këmishë me kravatë dhe pantallona e sako të stofit me ngjyrë të mbyllur. Nga të gjitha këto rroba që kërkoheshin unë kisha vetëm këmishë të veshur. Rrobat tjera ishin këpucë ngjyrë kafe, farmerka (jeans) dhe për sako kisha një jakne (xhaketë) të lëkurës. Unë isha në rregull sikur të shkoja në koncert të 'Rock & Rollit' po jo për 'Reform Club'. 'Shko vishu dhe kthehu e hynë brenda', më tha recepsionisti. Pasi që për këtë gjë nuk kishte mundësi, unë kërkova që ai ta thërriste Hibbertin që ta shihja.

Sir Reginald Hibbert zbriti shkallëve duke më shikuar me habi. Por, shpejt e mbuloi habinë me një buzëqeshje të një diplomati të rryer. 'E rregullojmë këtë punë', i tha recepsionistit. Më kërko falje që nuk ma kishte shpjeguar kodin e veshjes. Në fakt, gabimi ishte më shumë i imi për shkak se unë duhej ta dija ku po shkoja. Sidoqoftë, ai më merr në një dhomë që në fakt ishte gardërobë ku anëtarët e klubit kishin rrobat e veta rezervë, por edhe për mysafirë të rastit siç isha unë. Pas një kombinimi u vesha dhe kur dolëm në korridor recepsionisti më tha:'That's it, Sir' (kështu duhet, zotëri) dhe i shkoi buza në gaz.

Domethënien e buzëqeshjes së tij e kuptova kur dola në pushimoren e parë të shkallëve dhe e pashë veten në një pasqyrë të madhe. Këpucët e dija që nuk ishin të numrit tim se filluan të më dhembnin gishtat e këmbëve. Por, tashti i pashë mirë pantallonat që vareshin në mes këmbëve si shallvare. Sakoja ishte më e ngushtë se që duhej. Me një fjalë, unë në 'Reform Club' nuk dukesha aspak si 'xhentëlmen'. E mbaj mend që për shkak që nuk ndjehesha mirë, nuk koncentrohesha në bisedë.

Turpi im nuk përfundoi këtu. Sir Hibbert për veshjen time i kishte treguar një shoqes sonë të përbashkët dhe ajo, pastaj, si një agjenci e lajmeve, tërë atyre që njiheshim reciprokisht. Nuk vonoi dhe tërë Londra e mori vesh stilin e veshjes time në 'Reform Club'.

Por, unë nga ky moment u mësova se si duhet të vishem kur shkohet në disa vende.

Do të ishte mire që në këto tubimet ku marrin pjesë udhëheqësit tanë të qëndrojë dikush te dera për t'ia ndaluar hyrjen Edi Ramës i cili nuk di as se si të vishet. Natyrisht, duhet edhe një tjetër të qëndrojë brenda dhe t'i nxjerr jashtë Ramushin dhe Edin për shkak se nuk dinë as se si të sillen. Pa gjuhë diplomatike t'ju thotë: 'Dilni jashtë, bre hajvana'!

The post Rama e Haradinaj nuk dinë as si të vishen e as si të sillen appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more