Skip to main content

“Kush është treguar kaq bujar me ‘ushtarin’ Thanza?” plus 9 more - Gazeta Dita

“Kush është treguar kaq bujar me ‘ushtarin’ Thanza?” plus 9 more - Gazeta Dita


Kush është treguar kaq bujar me ‘ushtarin’ Thanza?

Posted: 11 Jul 2018 02:18 AM PDT

Partia Demokratike nxitoi të lante duart si Pont Pilati me gjyqtarin Admir Thanza.

Nga SHQUP dje deklaruan se gjyqtari i Gjykatës së Lartë duhet të shkarkohet dhe të nisë hetimi ndaj tij, përpara se të marr vendim KPK-ja.

Për dikë që e ka memorien e shkurtër duket se kemi të bëjmë me një qëndrim parimor të opozitës ndaj sistemit të drejtësisë.

Por e vërteta është krejt ndryshe.

Gjyqtari Thanza ashtu si shumë të tjerë është një produkt kryekëput i PD-së.

Ai i ka ngjitur të gjithë shkallët e karrierës si një 'ushtar' i demokratëve.

Thanza u bë anëtar i Gjykatës Kushtetuese me votim nga shumica demokrate.

Më pas u propozua, u votua dhe u dekretua nga PD për në Gjykatën e Lartë.

Në 19 prill të vitit 2013, Admir Thanza me Nr. Dekreti  8115 mori bekimin e Bujar Nishanit për të shkuar në Gjykatën më të lartë të vendit. Bashkë me Thanzën, Nishani dekretoi edhe Tom Ndrecën, një tjetër gjyqtar militant të PD, mjafton të kujtojnë vjedhjen e zgjedhjeve apo dhe 21 Janarin.

Kujtojmë është kohë kur për tre muaj PD do të humbiste pushtetin, ndërsa sa kishte prishur aleancën me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në raste të tilla, kur një njeri që të ka shërbyer në mënyrë të jashtëligjshme dhe të verbër nuk e mbron dot, të paktën hesht.

I vetmi që duhet të flasë është ish-presidenti, i cili duhet të tregojë pse është treguar kaq bujar me një njëri që shkeljet e ligjit i ka të shkruara në ballë.

Dekreti i Bujar Nishanit per Admir Thanzen

e.h/dita

 

Greqia dëbon diplomatët rusë, Moska paralajmëron kundërpërgjigje

Posted: 11 Jul 2018 02:15 AM PDT

 

Greqia vendosi të dëbojë dy diplomatë rusë dhe të ndalojë hyrjen në vend për dy të tjerë.

Vendimi është marrë pasi pretendohet se ata kanë kryer veprimtari që nuk janë në përputhje me statusin e tyre.

Mirëpo, Ministria e Jashtme në Moskë deklaroi se do t'i përgjigjet me të njëjtën monedhë vendimit të Athinës.

Zyrtarët grekë nuk kanë bërë ende asnjë koment në lidhje me çështjen.

Sipas "Kathimerinit", Athina e mori masën pas përpjekjeve të perceptuara nga diplomatët rusë për të minuar një marrëveshje që Greqia nënshkroi me Maqedoninë muajin e kaluar, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje të vjetër diplomatike mbi emrin e saj.

a.s/dita

Trump nis me akuza samitin e NATO-s: Gjermania kontrollohet nga Rusia

Posted: 11 Jul 2018 02:08 AM PDT

 

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur me tone të ashpra samitin dyditor të NATO-s në Bruksel, duke kritikuar Gjermaninë për marrëveshjen me vlerë miliarda dollarëve me Rusinë rreth tubacioneve të gazit natyror.

Duke folur në mëngjes, teksa është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Trump theksoi: "Ne jemi duke mbrojtur Gjermaninë. Ne jemi duke mbrojtur Francën. Jemi duke mbrojtur secilin. Kjo është e padrejtë ndaj shtetit tonë. Është e padrejtë ndaj taksapaguesve tanë".

Trump ka thënë se Gjermania është e kontrolluar plotësisht nga Rusia, për shkak të varësisë së gazit natyror dhe marrëveshjes për tubacione të gazit me Moskën.

Samiti pritet të jetë një nga mbledhjet më të vështira të aleancës në disa vjet, pasi Trump vazhdon të bëjë presion te aleatët për të rritur shpenzimet në mbrojtje.

Trump ka kritikuar vazhdimisht anëtarët e aleancës për nivelet e tyre të shpenzimeve edhe para nisjes së takimit.

a.s/dita

Impakti Gjeopolitik i Marrëveshjes: Greqi-Maqedoni

Posted: 11 Jul 2018 02:05 AM PDT

Prof. Dr. Blerim Reka*

Marrëveshja epokale midis Greqisë dhe asaj që nga tani do quhet Republika e Maqedonisë Veriore është shumë më tepër se sa një emër. Marrëveshja bilaterale përfundimisht hap dyert e integrimit të saj në BE dhe NATO. Por sfidat politike mund të vonojnë procesin – së paku- dyvjeçar implementues.

U deshën 27 vite të vështira, të ndërmjetësuara nga OKB-ja për Republikën e Maqedonisë për të siguruar një marrëveshje me Greqinë me një emër të ri. Marrëveshja, e arritur nga dy kryeministrat: Zaev dhe Tsipras, më 17 qershor 2018, hap rrugën për atë që së shpejti do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO. Dy proceset ishin bllokuar nga vetoja e Greqisë që nga viti 2006.

Por me gjithë arritjen e marrëveshjes bilaterale, pritet një proces i komplikuar implementues nër dy vitet në vijim. Proceduralisht, ashtu edhe dhe politikisht, mbeten për tu zbatuar dy detyra të vështira. Kundërshtarët në të dy vendet (duke përfshirë edhe presidentin e Maqedonisë) tashmë po mbledhin opozitën populiste kundër marrëveshjes. Në rajon, ndërkaq marrëdhëniet më të ngrohta midis: Athinës dhe Shkupit; dhe potencialisht, midis Greqisë dhe Tiranës; nuk do të mirëpriten nga Turqia, e cila tashmë ka shtrirë me vite ndikimin e saj në Ballkan. As Rusia nuk do të jetë e "lumtur", pasi që kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Është shumë e mundshme që zbatimi i kësaj marrëveshjeje, do të kërkojë më shumë kohë. Megjithatë, tashmë janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm: Kuvendi i Maqedonisë,  e ratifikoi marrëveshjen, fillimisht më 20 qershor dhe pastaj edhe më 5 korrik, pasi presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi të miratonte marrëveshjen, duke argumentuar se ajo "shkel Kushtetutën". Më 25 qershor, Ministria e Jashtme e Greqisë njoftoi zyrtarisht me shkresë, BE-në dhe NATO-n se heq veton mbi kërkesën e Maqedonisë për t’iu bashkuar këtyre organizatave.

Jo rastësisht, vetëm pesë ditë pas marrëveshjes midis Athinës dhe Shkupit, ministrat e financave të eurozonës ranë dakord mbi një plan për të lejuar Greqinë të dalë nga programi i saj i shpëtimit tetëvjeçar. "Kriza greke përfundon këtu sonte", tha komisionari i çështjeve ekonomike të BE-së, Pierre Moscovici. Shumë shpejt, marrëveshja për të dyja palët duket se po kthehet në një fitore të dyanshme: Win-Win.

Sfidat procedurale

Megjithatë, mbetet një rrugë e gjatë. Këtë vjeshtë, Maqedonia pritet të mbajë një referendum për ndryshimin e emrit – nëse mbështetet me më shumë se gjysma e më pak se 1 milion votuesve të saj. Pas tij, amendamentet kushtetuese duhet të aprovohen para fundit të vitit, me një shumicë prej dy të tretash në Parlament, ndërkohe  që tash qeveria ka vetëm 69 prej 80 votave të kërkuara. Vetëm pas tejkalimin e këtyre dy pengesave, Parlamenti i Greqisë do të ratifikojë të njëjtën marrëveshje.

Maqedonia mbase do të marrë ftesën për NATO, në Samitin e saj më 11-12 korrik, por ratifikimi i anëtarësimit të vendit, mund të marrë të paktën dy vite (siç në rastin e Malit të Zi: 2015-2017). Siç deklaroi kryeministri grek Alexis Tsipras (më 29 qershor, pasi takoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg): "Së pari zbatimi i marrëveshjes, pastaj anëtarësimi në NATO".

Sa për BE-në, Maqedonia (dhe Shqipëria) nuk do t'i nisin negociatat anëtarësuese këtë vit. Më 29 qershor, Këshilli Evropian miratoi vendimin që data e fillimit të këtyre negociatave të shtyhet deri në qershor të vitit 2019. Pasi të fillojë "procesi i skriningut" i BE-së, pranimi parashihet të zgjasë rreth tetë vjet (deri në vitin 2027), me një vit tjetër ose dy për ratifikim. Mirëpo, vetëm, nëse zgjerimi mbetet në agjendën e BE-së në dekadën e ardhshme, gjë që tash nuk është, duke marrë parasysh mos-mbështetjen e kësaj politike, nga disa shtete anëtare, si Franca, Holanda dhe Danimarka.

Edhe pranimi i Maqedonisë në OKB do të jetë i ndërlikuar pasi ndryshimi i emrit do të kërkojë veprime të mëtejshme nga shtetet anëtare që tashmë e kishin njohur vendin nën emrin e tanishëm kushtetues – Republika e Maqedonisë.

Derisa rruga teknike (procedurale) është relativisht mirë e precizuar, aspektet politike janë shumë më pak të parashikueshme; si në vend ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Si do të reagojnë kundërshtarët e marrëveshjes në Maqedoni dhe Greqi dhe çfarë do të bëjnë fuqitë rajonale dhe ato të mëdha?

Politika e brendshme

Në Maqedoni, duket se të paktën dy parti politike do të vazhdojnë të kundërshtojnë "marrëveshjen e emrit të ri". Njëra është VMRO-DPMNE, (partia kryesore e opozitës, e cila e quajti marrëveshjen "kapitullim" dhe "tradhti kombëtare"). Partia tjetër është e vogël (Maqedonia e Bashkuar, e cila ka organizuar demonstrata kundër marrëveshjes me flamuj maqedonas dhe rusë dhe udhëheqësi i saj Janko Bachev nuk e ka fshehur që partia është me Kremlinin).

Së fundmi, Presidenti Gjorgje Ivanov, ka refuzuar dy herë të nënshkruajë marrëveshjen, duke thënë se është "jokushtetuese". Ky veprim mund të sjell krizë kushtetuese, pasi që presidenti nuk mund të refuzojë nënshkrimin e ligjit që është miratuar nga parlamenti për herë të dytë. Bojkoti i tij, i kombinuar me demonstrata të rregullta rrugore të organizuara nga partitë e opozitës, do të mbajë atmosferën politike të tensionuar dhe të paqëndrueshme, sa më shumë afohet referendumi i vjeshtës.

Dy fuqitë e jashtme nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre. Zyrtarët rusë thanë se nuk kishin "asgjë kundër marrëveshjes", por u kujdesën për t'i nënvizuar shqetësimet e tyre se do të lejonte Maqedoninë t'i bashkohej NATO-s. Serbia ishte më eksplicite, duke mos uruar Qeverinë maqedonase për përparimin diplomatik. "Nuk kemi asgjë për të uruar", tha ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Greqia ka po aq kundërshtar të brendshëm. Partia kryesore e opozitës, Demokracia e Re, ka kritikuar marrëveshjen, ndërsa partnerja e koalicionit të kryeministrit Alexis Tsipras, Grekët e Pavarur (ANEL), thotë se do të kundërshtojë marrëveshjen nëse nuk miratohet nëpërmjet një referendumi nacional apo zgjedhjeve të reja. Mosmarrëveshja për këtë çështje brenda qeverisë është e rëndësishme, pasi Tsipras duhej t'i mbijetonte mocionit të mosbesimit në Parlament vetëm një ditë përpara nënshkrimit të "marrëveshjes së emrit të ri". Gjykata Kushtetuese greke gjithashtu ka pranuar kërkesën për anulimin e marrëveshjes. Megjithatë, kryeministri grek, së paku gëzon një avantazh ndaj homologut të tij maqedonas: Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, ka deklaruar mbështetjen e tij.

Rivalitetet rajonale

Ndikimi rajonal i marrëveshjes bilaterale është një tjetër rrëfim. Greqia mund të ketë zgjidhur një çështje me Maqedoninë, por mbetet me çështje të hapura me dy fqinjët e tjerë: Shqipërinë dhe Turqinë. Dyjat, kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet territoriale, veçanërisht mbi të drejtat e rezervave të naftës dhe të gazit në det të hapur. Në rastin e Shqipërisë, çështja kryesore e mosmarrëveshjes është shiriti detar prej 140 kilometrash e detit Jon; me Turqinë, ndërkaq janë Ishujt Egje dhe Qiproja e Veriut.

Grupet punuese diplomatike shqiptare dhe greke, duket se janë afër përfundimit të një marrëveshjeje për Detin Jon, por opozita shqiptare kritikon për "falje" të territorit të kontestuar. Fillimisht, të dyja palët kishin shpresuar të nënshkruanin një marrëveshje përfundimtare para takimit të Këshillit Evropian në Bruksel më 28-29 qershor, e cila ishte anluar në moment të fundit. Pritet që dy kryeministrat ta diskutonin përparimin në margjinat e samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, që filloi më 10 korrik 2018.

Një afrim i mundshëm mes Athinës, Shkupit dhe Tiranës do përcillet me shumë kujdes nga Ankaraja. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Turqia ishte fuqia kryesore rajonale në Ballkani – si ekonomikisht, (nëpërmjet tregtisë së konsiderueshme dhe investimeve), ashtu edhe në aspektin kulturor, (përmes programeve për të promovuar gjuhën dhe kulturën turke nëpërmjet shkollave turke lokale)

Në pesë muajt e parë të vitit 2018, eksportet e Turqisë në Ballkan u rritën 22 për qind, ndërsa Agjencia Turke për Çështje Kulturore rriti donacionet e saj për kulturën dhe arsimin në rajon. Zyrtarët e lartë turq kanë lidhje të ngushta personale me homologët e tyre në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Ndjenja pro-turke është gjithashtu e dukshme në disa pjesë të popullsisë, siç u pa nga festimet e rrugëve në disa qytete të Ballkanit Perëndimor pas fitores së presidentit Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet presidenciale të 25 qershorit në Turqi.

Ri-rregullimi i marrëdhënieve të Greqisë me fqinjët e saj, do të zhvendoste busollën gjeopolitike midis Athinës dhe Ankarasë. Turqia tashmë ka bërë një investim të madh financiar dhe kulturor në rajon. Greqia, ndërkaq duke zhbllokuar procesin e integrimit euro-atlantik për fqinjët e saj verior, mund të bëhet një lojtar më i madh Euro- Atlantik dhe të riformësojë bilancin rajonal.

Fuqitë e mëdha

Elementi i tretë në këtë trekëndësh rajonal është përfshirja e fuqive të mëdha. Rusia ka kundërshtuar fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke ushtruar ndikim nëpërmjet aleatit të saj më të madh rajonal – Serbisë. Megjithatë, marrëdhëniet më të ngrohta midis Moskës dhe Ankarasë do të tentojnë të punojnë kundër ndikimit të Greqisë në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht tani që Athina po rishfaqet si një lojtar konstruktiv.

Kjo mund të shihet edhe nga toni më i lehtë në marrëdhëniet e ShBA-Greqi. Në dëgjimin par Senatit Amerikan, ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Wes Mitchell tha: "Ne po e mbajmë Greqinë si një spirancë të stabilitetit në Mesdhe dhe në Ballkanin Perëndimor". Uashingtoni ishte një nga të parët që përgëzoi Maqedoninë dhe Greqinë për marrëveshjen e tyre bilaterale dhe zëvendëspresidenti i ShBA-së Pence, përgëzoi dy kryeministrat Zaev dhe Tsipras, vetëm pesë ditë përpara samitit të NATO-s. Këto sinjale duket se do lëkundin kambanat diplomatike të Ankarasë.

Po aq duhet të shqetësohet edhe Moska. Pasi të zgjidhen mosmarrëveshjet Greqi-Maqedoni dhe Greqi-Shqipëri, hapet rruga për strategjinë euro-atlantike në Ballkan. Me Greqinë, Turqinë dhe Shqipërinë tashmë anëtarëtë NATO-s dhe Maqedoninë që do të bashkohet, siç e bëri vjet Mali i Zi, matematika rajonale do të ndryshojë vendosmërisht kundër Kremlinit.

Kjo është arsyeja pse disa anëtarë të BE-së, kritikuan vendimin për të vonuar bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë vetëm në nxitjen e ndikimit rus. Është e qartë se politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka një ndikim të rëndësishëm gjeopolitik. Largimi i rajonit nga sfera Euro-Atlantike, do të paraqiste një rrezik të madh gjeopolitik.

Skenarët: Rivalitet ose ndarje

Skenari më i mundshëm është se Greqia do të ketë sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të saj bilaterale me fqinjët e saj verior. Kjo do të mbyllte unazën jugore të NATO-s, por do t'i sfidojë marrëdhëniet me Turqinë. Deri tani, Ankaraja ka ushtruar ndikim vendimtar në Maqedoni dhe Shqipëri.

Po aq po rritet ndikimi i Turqisë në Serbi, ku qeveria e Beogradit po tërheq investimet turke. Edhe Moska dhe Ankaraja do preferonin Beogradin si një lider rajonal, duke kundërshtuar përpjekjet e ShBA-së për të mbështetur Athinën.

Duke qenë anëtare e NATO-s, vështirë që Turqia do mund të punojë shumë ngushtë me Moskën. Si rezultat, nuk do të ketë opozitë turke ndaj aspiratave të Maqedonisë për në NATO. Por, në vend të kësaj, Ankaraja do t'i përqendrojë përpjekjet e saj në bllokimin e Athinës nga të qenit një lojtar rajonal.

Skenari i dytë, më pak i mundshëm, është që Turqia dhe Greqia të bien dakord mbi sferat e tyre të ndikimit në Ballkanin Perëndimor. Dy parametrat kryesorë për çdo ndarje të tillë do të ishin energjia dhe kultura.

Sa i përket energjisë, ndarja do të bëhej në bazë të projekteve kundërshtuese gazsjellëse:  "Rrjedha Turke" e Rusisë dhe Gazsjellësi "Trans Adriatik Pipeline" (TAP), i BE-së, pjesë e Korridorit Jugor më të madh të gazit. Për Ankaranë dhe Moskën, një nga çelësat e projektit të Rrjedhës Turke është bashkëpunimi me Maqedoninë dhe Serbinë, që gazi të arrijë tregun e BE-së nëpërmjet Hungarisë. Sa i përket TAP-it, Greqia duhet të punojë me Shqipërinë, (por ehe Kosovën dhe Malin e Zi) për t'i siguruar dërgesat në Itali, drejt BE.

Në aspektin kulturor, Ballkani Perëndimor, poashtu mund të ndahet midis Turqisë dhe Greqisë përgjatë vijave fetare. Nëse kjo do të ndodhte, do të krijonte ndarje sektare përgjatë vijave në Europë, sipas modelit të Lindjes së Mesme. "Ballkani Ortodoks", (Serbia dhe pjesët e Maqedonisë), do të dominohej nga Rusia. Vendet me shumicë myslimane (Shqipëria, Kosova dhe një pjesë e Maqedonisë) do të dominoheshin nga Turqia.

Mirëpo, ky skenar në praktikë, është më pak i besueshëm për shkak të hartës së ndërlikuar fetare – e cila përshkon pothuajse të gjithë kufijtë shtetëror. Serbia është kryesisht ortodokse dhe me ndikim të fortë rus, por përmban të paktën dy territore kompakte me shumicë popullsi myslimane – Sanxhaku (shumica boshnjake etnike) dhe Lugina e Preshevës (shumicë etnike shqiptare). Bosnjë dhe Hercegovina është edhe më keq, pasi është e ndarë përgjatë vijave fetare dhe politike. Republika Srpska, me shumicën e saj serbe, mban lidhje të ngushta me Beogradin dhe Moskën, ndërsa Federata (e ndarë midis boshnjakëve dhe kroatëve) kërkon udhëzime nga Turqia dhe BE-ja.

Ndarja fetare duket e pamundur, vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, shtetet më pro-amerikane në Ballkan, sepse shqiptarët edhe pse kanë tre religjione, ato kurrë nuk kanë pasur asnjë luftë fetare gjatë historisë.

(Botuar në Geopolitical Intelligence Service)

* Ish-ambasador i Maqedonisë në BE

Prokurori i “21 Janarit” hutohet në seancën e Vetting-ut

Posted: 11 Jul 2018 01:59 AM PDT

 

Prokurori i Tiranës Adriatik Cama ka dalë sot para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit për t'u njohur me gjetjet që kanë kryer anëtarët e këtij komisioni, gjatë hetimit të tyre për veprimtarinë profesionale, morale dhe pasurinë e tij.

Cama është edhe kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Trupa gjykuese përbëhet nga Genta Tafa, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko, në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar është Xhon Leonardo.

Prokurori Cama u shfaq i shokuar nga seanca publike para trupës gjykuese dhe në momentin kur iu kërkua të prezantohej dhe të jepte kartën e identitetit, mbeti i ngrirë për disa sekonda dhe më pas reagoi.

ILDKPI thotë se prokurori nuk ka fshehje pasurie apo mos justifikim pasurish, por sipas KPK, nga hetimi i thelluar, prokurori ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë.

"Ai ka kryer gjatë komunikimit elektronik deklarata kontradiktore për vlerën e një shtëpie, duke cenuar rëndë figurën e prokurorit".

Kush është Adriatik Cama

Cama, prej disa vitesh ushtron veprimtarinë e tij si prokuror në Tiranë, duke qenë pjesë e hetimit në disa çështje të nxehta si ajo e dosjes "21 janari", mosdënimi i Mark Frrokut për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë dhe çështje të tjera hetimore.

Cama ka shërbyer dhe në qytetin e Lushnjës, ku ka hetuar disa nga anëtarët e bandës së Lushnjës, hetime këto që nuk kanë sjellë rezultat.

Prokurori Cama, është një nga kandidatët për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por për tu bërë pjesë e këtij institucioni ende të paformuar, duhet më parë të kalojë lupën e "Vetting-ut".

Karriera e tij nis në Tepelenë, pikërisht në këtë qytet mësohet të ketë qënë zv/drejtues prokurorie, por me sa duket pas një çështje të përfunduar jo mirë, Cama, shkarkohet nga detyra e prokurorit, duke u ulur në detyrë si oficer i thjeshtë, dhe transferohet në një qytet verior në Has.

a.s/dita

Sistemi “veting pas vetingu” ose prit gomar të mbijë bar

Posted: 11 Jul 2018 01:52 AM PDT

 

Nga Çapajev Gjokutaj*

Lajmi i ditës: një gjyqtar, jo dokudo, por i Gjykatës së Lartë, ka pasë qenë dënuar në Itali. Për vjedhje ordinere në një supermarket.

Me një fjalë, një hajdut radhikó ka arritur të bëjë karrierë në majat më të larta të shtetit shqiptar. Epo, s'thonë kot që rasti është mbret i botës.

Por çudi të tilla s'qenkan dhe aq të rastit. Gjatë muajve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme me prokurorë e gjykatës që bëjnë pasuri me shpejtësi prestigjatori, tak-fak.

Herë në lojërat e fatit, herë me darovitjet e të ftuarve në dasëm dhe plot herë të tjera me dhurata që u bëkan të afërmit. Dhe s'janë dhurata disido, po shuqe dhjetëra mijëra eurosh.

Të gjitha këto çudi meritojnë të bëhen lajme të ditës.

Por a s'ju duket se, duke bredhur pas lajmesh të tilla, po bëhemi si mileti i kohës së baba Qemos? Herë pas here e ftonin të dilte në pjacë e të engledisej me varjet e kriminelëve.

Në fakt ka disa gjëra të tjera, shumë më të rëndësishme, që meritojnë vëmendjen e publikut. Psh ç'ka bërë gjithë këtë kohë ILKPD, që mbikqyr pasurinë e gjithë nëpunësve të lartë: qeveritarë, deputetë, gjykatës, prokurorë, kryebashkiakë, etj.?

Dhe akoma më e rëndësishme: ç'ndryshime ligjore dhe institucionale duhen bërë që ky institucion dhe të tjerë të këtij lloji, të ndajnë shapin nga sheqeri dhe jo të marrin rrogat e të bëjnë sikur punojnë?

Pas vetingut të gjyqtarëve, thonë, do fillojë vetingu i politikanëve.

Të presësh vetingje pas vetingjesh për të bërë zap korrupsionin politik e administrativ, është si ajo fjala: prit gomar të mbijë bar.

Ajo që duhet të kërkojmë është të gjejmë se ç'duhet bërë që hallkat e shtetit të punojnë me seriozitetin e organeve që po bëjnë vetingun në drejtësi.

Po qe se do presim që sistemi 'veting pas vetingu' të dublojë shtetin, do vazhdojmë traditën e Baba Qemos: herë pas here do bëjmë sehir si kapet e ndëshkohet ky apo ai dinjitar i lartë e hajdut, kurse ditë për ditë do vidhemi e shfrytëzohemi nga lukunia e politikanëve që bëjnë shfaqje a, më saktë, thiatro.

(Nga cikli 'Selanik e tatëpjetë')

*Marrë nga profili i autorit në Facebook/ Titulli i redaksisë

a.s/dita

Raportimet e Markut dhe Gjonajt, opozita letër Ruçit: Shtyni mbledhjen e komisionit

Posted: 11 Jul 2018 01:49 AM PDT

 

Dy partitë më të mëdha opozitare, partia Demokratike dhe LSI i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi të shtyjë mbledhjen ku parashikohet të raportojnë për kriminalitetin në vend Kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Nëpërmjet një letre drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryetarët e grupeve të PD dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili shprehin kundërshtimin e opozitës për zhvillimin e mbledhjes pasi ndryshe nga sa parashikon neni 29, raportimi është futur në rend dite pa qenë më parë në kalendarin e punimeve të Kuvendit, i miratuar deri në fund te sesionit.

Opozita thotë edhe caktimi i programit dhe kalendarit të Komisionit nga kryetari Ulsi Manja pa u këshilluar më parë me nënkryetarin Alibeaj, siç e detyron neni 33 i Rregullores së Kuvendit, është në shkelje të rregullore.

Në kërkesën drejtuar Ruçit, kryetarët e grupeve të opozitës theksojnë se dy raportet janë voluminoze dhe duan një kohë të mjaftueshme për shqyrtim serioz. Për më tepër, ata vënë në dukje se dy anëtarë të opozitës, përfshirë nënkryetarin janë me detyrë nga Kuvendi jashtë vendit.

a.s/dita

 

Elvis Roshi pranon akuzën për falsifikim të formularit të dekriminalizimit

Posted: 11 Jul 2018 01:44 AM PDT

Ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi ka pranuar ditën e sotme akuzën për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

"Plotësimi i gabuar i formularit ka ardhur për shkak të neglizhencës", është shprehur Roshi.

Prokuroria ka kërkuar dy ditë kohë për të përgatitur pretencën për Elvis Roshin.

Në formularin e dekriminalizimit, Roshi kishte shënuar se nuk kishte pasur precedentë të mëparshëm penale. Por, nga verifikimi i Prokurorisë rezultoi se kishte pasur disa masa sigurimi, ndalime dhe dëbime në Itali, Zvicër dhe Gjermani.

o.j/dita

Admir Thanza u filmua duke shkëmbyer para me gruan e të kërkuarit

Posted: 11 Jul 2018 01:37 AM PDT

 

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, është drejt shkarkimit, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme të rënda në të paktën dy nga tri kriteret e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Thanza ka qenë nën hetim për korrupsion në vitin 2016 dhe ka pasur lidhje me një person të shpallur në kërkim, i cili rezulton se ka qenë regjistrues i Shkodrës, shtetasi SH.B.. Thanza është takuar me bashkëshorten e regjistruesit në Tiranë dhe është filmuar të shkëmbejë para, sipas KPK-së.

Sa i përket këtij rasti, avokati i gjyqtarit, Theodori Sollaku, tha në seancë se bëhej fjalë për një takim të zotit Thanza me bashkëshorten e një miku të tij të vjetër, të identifikuar me inicialet Sh.B.

Ai ka qenë regjistrues në Shkodër dhe në vitin 2016 ka qenë nën hetim për korrupsion dhe i shpallur në kërkim.

Thanza, sipas Sollakut është takuar në një kafe në Tiranë me bashkëshorten e këtij shtetasi, e cila ishte nën hetim gjithashtu, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, por nuk ka pasur kontakte me të.

Në këtë mënyrë, avokati shpjegoi edhe pse Thanza ka qenë nën hetim për korrupsion, çështje kjo që u pushua nga prokurori Kostaq Beluri. Mirëpo, gjetjet e KPK-së thonë ndryshe.

Bashkëshortja e Sh.B., pasi ka takuar Thanzën në vitin 2016 në një lokal në Tiranë, ka telefonuar personin nën hetim dhe është shprehur se "pallati kushton 50 mijë euro".

Prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për gjyqtarin, por për moskompetencë e kaloi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila pas dy muajsh e pushoi atë, duke mos administruar si provë një video ku shihet se gjyqtari shkëmben para me shtetasen L.H.

a.s/dita

Kukësi nis sot aventurën në Champions

Posted: 11 Jul 2018 01:32 AM PDT

Kukësi do të luajë me maltezët e Valletta në orën 19:00 në "Loro Boriçi" takimin e parë në këtë sezon të Champions League. Skuadra e Peter Pacult vjen në këtë takim me shumë lojtarë të rinj në grup, por synohet që të ketë një rezultat pozitiv për të hedhur hapin e parë drejt turit të dytë kualifikues.

"Jemi të vetëdijshëm që nuk jemi në 100%, por jam i bindur që jemi gati për këtë ndeshje. Do të jemi të kujdesshëm, pasi ata marrin pjesë rregullisht në Kupat e Europës. Por ne do të japim maksimumin për të arritur një rezultat sa më pozitiv", thotë Pacult.

Ndërsa kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti shprehet se "duke dhënë maksimumin në fushë që ta zgjidhim që këtu".

Kukësi fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në Champions League pas vendimit të UEFA-s për të përjashtuar Skënderbeun për 10 vite nga kupat e Europës.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more