Skip to main content

“Tirana me një teatër të ri, Veliaj sot dëgjesë me artistët” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Tirana me një teatër të ri, Veliaj sot dëgjesë me artistët” plus 9 more Gazeta SHQIP


Tirana me një teatër të ri, Veliaj sot dëgjesë me artistët

Posted: 14 Jun 2018 12:21 AM PDT

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do të zhvillojë ditën e sotme një dëgjesë me komunitetin e artistëve për çështjen e ndërtimit të teatrit të ri. I ftuar në emisionin "Koha për t'u zgjuar", Veliaj deklaroi se paraditen e sotme në orën 11 ai do të bashkëbisedojë me artistët për këtë propozim që pritet t'i japë qytetarëve të Tiranës një teatër dinjitoz.
"Një shans fantastik është takimi i sot.

I kemi ftuar të gjitha palët, t'i dëgjojmë të gjithë dhe ata që kanë shqetësime dhe ata që janë pro dhe ata që kanë pyetje se ndoshta jo të gjithë i dinë detajet. Kështu që ne sot në orën 10: 30 do të kemi një konsultim publik Në Tiranë", tha Veliaj.

Ai sqaroi edhe pozicionin e Bashkisë së Tiranës në këtë çështje, teksa theksoi se bashkia do ta zhvillojë këtë pronë sepse nuk mund të kemi një ferrishte në qendër të qytetit. "Arsyeja pse bashkia është e përfshirë është sepse bashkia është një nga pronarët e tokës në tokën mbrapa teatrit. Do të thotë që bashkia me ose pa teatrin është në tagrin e vet ta zhvillojë. Unë jam ndoshta i vetmi kryetar bashkie i një kryeqyteti në rajonin tonë i cili mbas godinës së vet ka një ferrishte. Përpara kemi sheshin, një nga më të bukurit i cili po animohet, po ka jetë, po ka aktivitete, po ka koncerte.

Tani e kemi bërë të gjithin të transformuar për kampionatin botëror të futbollit. Fusha sportive, hapësira për të kaluar kohën, madje edhe foto e famshme e Skënderbeut është rikthyer tani që është mbaruar edhe lulishtja mbrapa Skënderbeut. Ndërkohë që pas bashkisë ne kemi një ferrishte të madhe. Mbrapa teatrit gjithashtu magazinat e dekorit të Tiranës, një parking, ish-godina e vjetër e PD kështu që bashkia gjithsesi do ta zhvillojë këtë pronë sepse nuk mund të kemi një ferrishte në qendër të qytetit", tha Veliaj.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

ZONJAT MUND TË KALOJNË EDHE NËPËR TË KUQEN …

Posted: 14 Jun 2018 12:15 AM PDT

Fadil LepajaNga Fadil LEPAJA

Shoqatat kërkojnë dorëheqje. Semaforët duhet të japin dorëheqje. Është antidemokratike, duhet çdo kund me vu rreth rrotullime. Rrotullohu, rrotullohu derisa të merren mentë dhe pastaj provo me ecë drejt nëse mundesh.

Po e marrim një situatë hipotetike, e cila me gjasë ka ndodhur por ne nuk e dimë kurë. Një zonjë desh u shkel në zebër, sepse e kishte kuptuar gabimisht se zonjat gjithnjë kanë përparësi. Ishte e ndezur e kuqja, dhe të gjithë po prisnin, ndërsa ajo eci nëpër zebër. Polici e kapi nga krahu, dhe e ndaloi mbase në të njëjtën kohë kur pranë saj kaloi një veturë e cila mund të e shtypte atë.

Rrjedhimisht, polici i cili intervenoi, duhet të pushohet nga detyra, sepse nuk e kuptoi që një zonjë nuk bënë të kapet për krahu, për të zbatuar ligjin. Tash, në vend të policit ka mundur të jetë edhe ministri i brendshëm, pasi po flasim vetëm në mënyrë hipotetike, sepse te ne kjo nuk mund të ndodhë. Te ne ministrat nuk ecin këmbë dhe nuk presin në semafor.

Do të thoni "mos ja fut kot", se nuk krahasohet semafori dhe rregullat e komunikacionit me protokollin e shtetit. Pra, s'ka tjetër, po kthehemi nga situatat hipotetike në realitet. "Kryeministri,të japë dorëheqje", po kërkojnë aktivistet për mbrojtjen e grave, dhe shumë shoqatave tjera të veçanta, të cilat , ekzistojnë që të harxhojnë buxhet, edhe pse zakonisht nuk kanë elektorat, por mendohet se duhet të jenë diku. Mjafton një deklaratë e paqartë, sjellje e pamatur dhe ja ku është skandali. Problemi ekziston, edhe ata ekzistojnë. Skandali sjell fonde.

Kësaj radhe zëri u ngrit për të mbrojtur një zonjë, me pedigre, e cila "nuk e pa" ose nuk deshi ta shoh protokollin, por dioptria ishte veç shkasi i këtij skandali, se te ne skandalit nuk i shihen dhëmbët. Skandali është skandal dhe portalistët e trajnuar e bëjnë atë mega ngjarje.

Pastaj, këto grupe, civile, direkt ose indirekt të varura nga buxhetet publike, kanë një spektër të gjerë angazhimesh, se nuk i mbrojnë vetëm zonjat kur kalojnë nëpër të kuqen. Sidoqoftë, ato kanë një logjikë të njëjtë veprimi. U duhet një gaf, një skandal i vogël, një deklaratë e fortë apo e pamenduar mjaftë e ndonjë zyrtari dhe çështja krijohet. Nuk është e thënë të jetë deklaratë zyrtare, mjafton të jetë edhe ndonjë postim në rrjetet sociale, edhe një cicërrimë, mjafton. Buxheti gjindet shpejt…

Njejtë edhe me shtazët. Kur i mbrojmë shtazët, për shembull, sidomos qenët që shëtisin rrugëve dhe e hanë herë pas here ndonjë fëmijë apo pensionist, ringjallet ideja për shfarosjen e tyre. Por qentë endacak gjithnjë vazhdojnë të shëtisin të papenguar në lagje, të bashkëjetojnë me ne, të mbrojtur nga zhurma që krijohet po " e hangre një qen".

Kur e han një qen, ke krijuar lajm, kështu na mësojnë doracakët tashmë të vjetruar për lajmin. Po të hangër qeni, kurgjo kërkujtë! Ku di qeni, askush nuk mban përgjegjësi. Pastaj, edhe grupet e margjinalizuara shpesh krijohen vetëm sa për të arsyetuar fondet. Këto i vetëdisojnë qytetarët, se të kesh prirje të caktuara mund të jetë profitabile.

Për shembull në paradat e krenarisë, krejt sharmin ngjarjes ja japin, pikërisht heteroseksualët, të cilët në krye me presidentin e të tjerë nga hierarkia e shtetit, vizatojnë ngjyrat e ylberit në flamurin politik të shoqërisë, duke e mbuluar kështu me panik të gjelbrën që ka pushtuar gjithkah. Nuk po flasim për të gjelbrën natyrore, por atë ideologjike. Kot ankohesh. Nuk ka ku të ankohet qytetari, i cili do një shtet për të qenë, që të jetë në shërbim të njerëzve të zakonshëm. Të jesh qytetar i zakonshëm, kjo nuk sjell fonde.

Kështu, kësaj radhe krejt filloi kot, pasi dështoi shërbimi protokollar i qeverisë, apo ndoshta thjesht, ata kanë menduar se një zonjë do të sillej patjetër si zonjë dhe nuk kanë reaguar. Kështu kryeministri vet, doli dhe e hoqi nga foltorja atë, pastaj ajo filloi të mos sillet aspak si zonjë. Duke u nisur nga e drejta trashëgimore, si mbesë nga linja e djemve, të një ish ministri të qeverisë së Ismail Qemailit, ajo theu protokollin , jo vetëm në Prizren, por edhe në Tiranë e gjetiu, kudo që mbahet ndonjë ceremoni që shënjon çlirimin nga perandoria e dikurshme osmane. Kjo duket të jetë sikur një mision i zonjës, anti protokoll.

Sido që të jetë, kur jemi te e drejta e trashëguar, pak a shumë, pajtohemi se të gjithë ne, e kemi origjinën nga Ilirët, dhe kjo vetvetiu paraqet meritë dhe na jep të drejtë të përzihemi në të gjitha punët dhe protokollet e Ballkanit, sepse ilirët e kishin sunduar dikur atë, para krejt perandorive që u dyndën këndej pari, sidomos para asaj osmane, pasi kësaj radhe po flasim për ceremoninë shtetërore lidhur me 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kudo të shohim një foltore, do të ngjitemi dhe do fillojmë… derisa të na largojnë.

Pajtohemi edhe kur disa thonë se e kemi origjinën nga majmuni, apo disa të tjerë nga Ademi, sido që të jetë, nuk jemi asnjëri pa origjinë të drejtpërdrejtë dhe secili mund të kemi një arsye për të folur gjerë e gjatë në një ceremoni solemne, pa e bërë hesap protokollin

Në fakt, nëse shohim për protokoll e bonton, ne si popull, paskemi qenë krejt gabim. Kompleksohesh, kur e sheh sa prapa kemi mbetur. Ne për shembull kemi pirë çaj, thjesht pas buke, ndërkohë që anglezët me shekuj, por edhe sot e kësaj dite shohin orën, për të pirë çaj. Krejt është e rregulluar me bonton. Logjikë krejt e gabuar, kjo e jona. Ora, pra e bënë bazën e kulturës moderne. Edhe protokolli, ose së paku bontoni. Ky popull në fakt nuk është thirrur kurrë në ceremoni shtetërore, mjafton ta largojmë nga ceremonitë e mbyllura, dhe të mos e shajmë…!

Bontoni dhe ne, si dy skaje të një litari, si do të thoshte poeti ynë , i sëmurë rëndë nga sjelljet tona, më shumë se sa nga tuberkulozi. Ne e sëmurëm, ndërsa tuberkulozi vetëm e mbyti.

"Rendi i nderimeve caktohet nga shërbimi protokollar. Ju duhet të u përmbaheni të gjitha pikave që ju janë dhënë: orari, vendet e rezervuara…",- thotë libri. Po çfarë protokolli ! S'ka protokoll! Shteti të japë dorëheqje, nuk mjafton veç kryeministri…! Zonjat mund të kalojnë edhe nëpër të kuqen! Kot semaforët! Duhet të japin dorëheqje edhe semaforët…edhe presidenti!

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Së shpejti nis rruga Shëngjin-Velipojë, Rama: Rrit ekonominë (Video)

Posted: 13 Jun 2018 11:51 PM PDT

Kryeministri Edi Rama e nisur ditën duke prezantuar një tjetër projekt që do nisë së shpejti. Këtë herë Rama ka treguar projektin e rrugës Shëngjin-Velipojë.

"Mirëmëngjes dhe me këto pamje të projektit të rrugës së shumëpritur turistike prej dekadash, Shëngjin-Velipojë, një aks panoramik që shkurton më shumë se një orë lidhjen mes tyre, hap perspektivën e zhvillimit të turizmit elitar, rrit ekonominë e punësimin në krejt zonën, ju uroj një ditë të bukur", shkruan Rama.

.

MIRËMËNGJES 😃dhe me këto pamje të projektit të rrugës së shumëpritur turistike prej dekadash, Shëngjin-Velipojë, një aks panoramik që shkurton më shumë se një orë lidhjen mes tyre, hap perspektivën e zhvillimit të turizmit elitar, rrit ekonominë e punësimin në krejt zonën, ju uroj një ditë të bukur🌹

Gepostet von Edi Rama am Mittwoch, 13. Juni 2018

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Berat, makina përplas këmbësorin 55-vjeçar

Posted: 13 Jun 2018 11:41 PM PDT

Një aksident me një person të plagosur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur Moravë në Berat.

Policia njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:45 minuta, ku shtetasi N.S. banues në Kuçovë ka aksidentuar këmbësorin A.P. 55 vjeç.

I plagosuri ndodhet në spitalin e Beratit, nga ku mësohet se është në gjendje të pastabilizuar.

Policia ka ndaluar drejtuesin e automjetit.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Pompeo: Denuklearizimi i Koresë së Veriut mbyllet në fund të mandatit të Trump

Posted: 13 Jun 2018 11:31 PM PDT

Shtetet e Bashkuara shpresojnë për një “çarmatim në përmasa mjaft të mëdha" të Koresë së Veriut brenda 2 vjetësh e gjysmë, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo të mërkurën, një ditë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një marrëveshje me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, ku parashikohet dhënia fund e programit të armëve bërthamore të Phenianit.

Diplomati më i lartë i SHBA, i cili informoi në Seul zyrtarët e Koresë së Jugut rreth takimit Trump-Kim në Singapor, tha se SHBA pa asnjë dyshim kërkojnë një veprim të verifikueshëm të Koresë së Veriut për të çnuklearizuar gadishullin Korean deri në fund të mandatit të parë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në Janar 2021.

“Unë jam i bindur se ata e kuptojnë se do të ketë verifikim në thellësi”, tha Pompeo, duke shtuar se bisedimet e mëtejshme me Korenë e Veriut mbi mënyrën se si dhe kur do të përfundojë programi i saj bërthamor do të rifillojnë “diku javën e ardhshme”.

Ai tha se Trump dhe Kim arritën mirëkuptime të cilat nuk u pasqyruan me shkrim në dokumentin që ata nënshkruan.

“Jo e gjitha u pasqyrua në dokumentin përfundimtar,” tha Pompeo. “Pati shumë aspekte të tjera ku u arritën mirëkuptime por ne nuk mundëm t'i pasqyrojmë me shkrim. Kjo do të thotë se ka ende punë për të bërë. Gjithsesi është bërë një punë të madhe përtej asaj që duket në dokumentin përfundimtar. Kjo do të jetë pika nga do të fillojmë kur të kthehemi në bisedime”, tha ai, raporton “Zëri Amerikës”.

Në SHBA, kritikët e marrëveshjes thanë se ajo ishte tepër e shkurtër dhe nuk kishte detaje dhe se Presidenti Trump i kishte bërë shumë lëshime Kimit, sidomos me njoftimin e papritur të tij Shtetet e Bashkuara do t'i jepnin fund manovrave të tyre ushtarake me Korenë e Jugut, diçka që prej kohësh e kishte irrituar Korenë e Veriut.

Presidenti Trump u kthye në Uashington, duke deklaruar në Twitter: “Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”, edhe pse marrëveshja që ai nënshkroi me udhëheqësin Kim Jong un nuk tregon në hollësi se si do të çmontohet nga Pheniani programin i tij i armëve bërthamore.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Digjet makina në aksin Levan-Vlorë

Posted: 13 Jun 2018 11:19 PM PDT

 

Një automjet është përfshirë nga flakët gjatë natës në rrugën Levan-Vlorë.

Mësohet se drejtuesi i automjetit sapo ka parë flakët ka arritur të dalë me shpejtësi nga makina e tij "Fiat Punto" dhe fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.

Nga të dhënat e para, shkak i rënies së zjarri në automjet dyshohet një shkëndijë elektrike.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Nis sot Kampionati Botëror i Futbollit ‘Rusi 2018’

Posted: 13 Jun 2018 11:16 PM PDT

Kampionati Botëror i Futbollit nis sot me ndeshjen midis Rusisë dhe Arabisë Saudite, në stadiumin Luzhniki të Moskës.

32 ekipe do të marrin pjesë në ngjarjen e madhe sportive. Ndeshjet do të mbahen në 12 stadiume, në 11 qytete.

Ngjarja pritet të tërheqë një milion e gjysmë tifozë në Rusi dhe një audiencë televizive globale prej mbi tre miliardë shikuesish.

Takimi do të nisë në orën 17:00, ndërsa nisjes së topit të parë do t'i paraprijë edhe ceremonia hapëse, me interpretimin edhe të këngëtares shqiptare Era Istrefi, e cila është në krah të Will Smith e Nicky Jam në këngën zyrtare të këtij Botërori.

Fituese e Kupës së Botës më 2014 ka qenë Gjermania, e cila në finale ka mundur Argjentinën.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 14 qershor 2018

Posted: 13 Jun 2018 10:00 PM PDT

Dashi

Do të fitoni betejat në punë, do të fitoni shumë para me iniciativat personale pavarësisht opozicioneve të forta që vijnë nga ambienti profesional. Kushtojini më tepër vëmendje çështjeve ligjore.

Demi

Planeti Marsit do të jetë edhe sot i disponueshëm për mashkullin e shenjës; nuk do të tejkalojë femrën, por ajo duhet t'i bëjë ende ballë Venerës negative. Gjithsesi, Hëna e plotë do t'ju jap ende fat.

Binjakët

Energji fizike jo optimale. Bëjini gjërat me qetësi dhe pa frikë, studioni ofertat e mundshme, por rezervoni pak kohë për të dhënë një përgjigje të mirë. Për dashurinë nuk keni nevojë të mendoni.

Gaforrja

Provoni që të jeni më të mirë dhe më bujarë. Pranoni ndihmën e dikujt që është më ekspert sesa ju, më i fuqishëm e më i pasur. Dashuria juaj do të triumfojë në mbrëmje.

Luani

Personat e moshës 30-40 vjeç po krijojnë suksesin për të ardhmen, sot më shumë se kurrë. Por gjithsesi ka shumë aspekte që duhet të definohen. Mendohuni nesër më mirë.

Virgjëresha

Fatin do ta gëzoni më shumë në aspektin e punës dhe të biznesit. Forca transite e planetëve do t'i tërheqë të dashuruarit në një botë, e cila do t'ju duket si në ëndërr, por që në të vërtetë është në formë të shkëlqyer.

Peshorja

Hëna do t'ju ndriçojë sot me fat për punën dhe suksesin. Nuk është e rastit që të ndërtoni kështjella në ajër, por lëreni veten të lirë, sepse rastësia do t'ju takojë me një shans për një aktivitet të ri.

Akrepi

Do të ndieni një ndjenjë bezdisje dhe negative. Shqetësime të dukshme në familje dhe për sa i përket shëndetit. Komprometues nuk do të jetë as suksesi dhe as biznesi që mund të keni.

Shigjetari

Për ju të shenjës së shigjetarit parashikohet një rritje e nivelit të stresit mendor dhe fizik, ndonjë alergji e stinës. Ju këshillohet një ditë pushimi.

Bricjapi

Shumë papritur do t'ju vijnë në mendje ide brilante për çdo aspekt të ditës së sotme. Nëse keni planifikuar një udhëtim të shkurtër, bëni shumë kujdes.

Ujori

Do të keni ndjesinë e të dëgjuarit të zërave të çuditshëm, që nuk do të mund t'i dalloni dot se nga vijnë. Por gjithsesi ndiqni programin tuaj të punës dhe të bizneseve, mos dëgjoni të tjerët.

Peshqit

Impulsivitet, mërzi, xhelozi, posesivitet…marrëdhëniet në çift do të bëhen të vështira, por dashuria dhe pasioni kështu e kanë. Për beqarët, situata është parashikuar më e mirë.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Sondazhi, Egjipti më i sigurt se SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar

Posted: 13 Jun 2018 01:52 PM PDT

Egjipti, në një anketë globale u rendit si vendi më i sigurt në Afrikë dhe madje më lart se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Qendra "Gallup" i ka pyetur njerëzit nëse ndjehen të sigurt të ecin natën rrugës dhe nëse kanë qenë viktima të krimit.

Anketa e radhit Egjiptin të 16-tin në mesin e 135 vendeve, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ndodhet në pozitën numër 21 dhe SHBA-ja në 35. Singapori radhitet si më i sigurti, ndërsa Venezuela është në fund të listës.

Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, e udhëheq këtë vend që nga viti 2013. Qeveria e tij vazhdon të luftojë militantët e Shtetit Islamik në disa rajone.

13 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Klodiana Vata: Menaxherët i shohin këngëtaret si burim fitimi

Posted: 13 Jun 2018 01:35 PM PDT

Këngëtarja bukuroshe Klodiana Vata ishte e ftuar në "Pop Culture", ku foli për projektet e saja të reja muzikore.

"Kam dy projekte të reja muzikore, të cilat do të jenë pjesë e dy kompeticioneve shumë të mëdha që i kam pasur ëndërr. Jam duke punuar edhe për një këngë që do të vijë me klip", thotë këngëtarja.

Ajo nuk është vajza që ekspozohet shumë edhe pse është goxha bukuroshe, por pse ndodh kështu me Klodianën:

"Unë nuk do të ndryshoj. Më habisin më shumë menaxherët, të cilët i shohin këngëtarët si para dhe jo si qenie njerëzore. Por unë do të rri në këtë drejtim nuk do të ndryshoj", shprehet Klodiana.

13 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more