Skip to main content

“Robert Ndrenika: Mos më kryqëzoni që dua teatër të ri bashkëkohor” plus 9 more - Gazeta Dita

“Robert Ndrenika: Mos më kryqëzoni që dua teatër të ri bashkëkohor” plus 9 more - Gazeta Dita


Robert Ndrenika: Mos më kryqëzoni që dua teatër të ri bashkëkohor

Posted: 30 Jun 2018 01:52 AM PDT

Aktori i njohur i skenës shqiptare, Robert Ndrenika këmbëngul se Shqipërisë i duhet një Teatër i ri Kombëtar. Nëpërmjet një komenti në Facebook, Ndrenika kërkon të sqarojë të gjithë ata që këto ditë e kanë kritikuar pse do një teatër të ri.

"Ju lutem mos më kryqëzoni" e nis reagimin e tij Ndrenika duke iu drejtuar pikërisht atyre që sot e kritikojnë pse ai do që të ndërtohet një teatër i ri. Ai sqaron se ky ka qenë mendimi i tij që në fillim të këtij debati dhe se meraku që ai ka pasur ka pasur të bëj vetëm me mos tjetërsimin e pronës së teatrit.

Më poshtë statusi i plotë i Ndrenikës:

Ju lutem… mos më kryqëzoni! Për dijeni mikeshës sime, gazetares Fatmira Nikolli, por le ta dijë dhe 'tan bota mbarë'! Kam qenë (prej vitesh) dhe jam për një Teatër Kombëtar të ri dhe bashkëkohor, të cilin e ka për Detyrë ta bëjë shteti shqiptar (paratë le t'i marrë ku të dojë, ndoshta dhe atje ku i merrte Josif Broz Tito)!

Këtë gjë nuk e kam mbajtur të fshehtë, por ua kam bërë të ditur prej kohësh kolegëve të mi, por kur ka qenë rasti dhe në opinionin publik.

I vetmi lëshim që kam bërë ditët e fundit është se kam pranuar PPP me kushtin e vetëm që përveç godinës (teatër) që do të ndërtohet në favor të PPP nuk do të lëshohet asnjë cm katror nga TOKA e TEATRIT KOMBËTAR!

Të kanë gënjyer do të thotë dikush dhe unë përgjigjem po BESA e shqiptarit ku vete? Së fundi, ju bëj të ditur se nuk jam JEZU KRISHI bile as BARRABA dhe gojën nuk e kam vetëm për të ngrënë kos (pa yndyrë) dhe të pi ilaçe, por e kam edhe për të FOLUR!.

Me respekte të ndërsjella, Robert Ndrenika.

Spartak Braho kalon parainfarkt, dërgohet me urgjencë në spital

Posted: 30 Jun 2018 01:47 AM PDT

Deputeti i Partisë Socialiste Spartak Braho ka kaluar një parainfrakt. Gjatë ditës së djeshme deputeti ka pasur dhimbje gjoksi, shtrëngim dhe probleme me frymëmarrjen.

Pasi është vizituar nga mjekët në spitalin e Durrësit, ai është dërguar në Tiranë ku i është nënshtruar vizitës nga mjekët kardiologë.

Mjekët kanë konstatuar se Braho ka pësuar parainfarkt.

Deputeti Braho ndodhet i shtruar në një spital privat në Tiranë.

o.j/dita

Ferid Hudhri, kujtesa figurative për shqiptarët

Posted: 30 Jun 2018 01:43 AM PDT

Moikom Zeqo

Shkenca albanologjike ka substancë linguistike, antropologjike dhe historike.

Por shkenca albanologjike thith në substancën e saj edhe informacione të tjera të rrafsheve të ndryshme të dijes dhe të instrumenteve mendore.

Është tepër interesante të rikrijosh gati një pikë zero një dimension artistik, ku përtej trillit krijues të zbulohet struktura e dokumentit.

Kjo gjë është pafundësisht e vështirë dhe kërkon një pasion të madh.

Askush nuk ka dyshim se albanologjia rizbulon historinë e kombit dhe konstrukton identitetin e tij.

Kështu kapërcehet kufiri i kuriozitetit, ekzotika grish nocionet e qarta të së vërtetës.

Shkenca ka burime substanciale, monumentet arkeologjikë, dëshmitë shkrimore, krijimtarinë shpirtërore folklorike, por në mënyrë të patjetërsueshme edhe dëshmitë piktorike.

Kjo është një e vërtetë e palëkundshme.

Pikturat prehistorike në shkëmb dhe në shpella janë dokumentet e para të njerëzimit.

Moikom Zeqo

Kështu, piktura prehistorike e Lepenicës afër Vlorës është në gjenezën e popullit tonë në etapën e skajshme më të largët, shumë më përpara monumenteve mbivarrorë të mrekullueshëm, siç janë tumat ilire.

Figurat piktorike çojnë në piktografi.

Çdo simbol piktografik çon në simbolet e ideogramave.

Këto të fundit çuan në shkrimin e abstraguar dhe konvencional.

Është shkrimi që skalit përfundimisht historinë në faqet e librave.

Por triumfi madhështor i shkrimit asnjëherë nuk e zbehu rëndësinë e amshuar të arteve piktorike.

Me zbulimin e fotografisë, shkencës historike iu ofrua një shërbim i ri i dokumentar, që është një rol i dytë, është një plotësim akoma më i saktë i dëshmive piktorike.

Këtej rrjedh rëndësia kolosale e imazheve piktorike të fiksuara në shekuj për historinë e çdo kombi, pra dhe të kombit shqiptar.

Ato që thashë më sipër nuk janë thjesht një meditim. Përkundrazi.

Në boshësinë e frikshme të botimeve të rëndësishme për kulturën shqiptare që ekziston sot, duhet përshëndetur si një ogur botimi me karakter enciklopedik „SHQIPËRIA PËRMES ARTIT",  e autorit vullnetmadh, serioz dhe rezultativ, dijetarit te njohur  shqiptar, Ferid Hudhri, që paraqitet me dinjitet të madh dhe të veçantë me informacionin kulturorologjik shqiptar dhe atë global.

***

Ferid Hudhri

Në pjesën e parë jepet një vështrim i shkurtër i historisë së artit shqiptar, nga gjurmët më të hershme deri te krijimtaria e ditëve tona; e ndarë në kapituj të veçantë si Arti Ilir, Periudha Greko-Romake, Diaspora e hershme, Arti Pasbizantin, Arkitektura, Arti Katolik, Arti Islam, Arti Popullor, Artistët e Huaj, Arti i Rilindjes dhe Pavarësisë, Arti i Realizmit Socialist, Artistët e Diasporës, arti në Kosovë dhe treva të tjera shqiptare, Drejtimet e reja bashkëkohore.

Pjesa e dytë titullohet Shqipëria nëpërmjet artistëve të huaj.

Këtu janë përmbledhur mbi 100 piktura me temë shqiptare të autorëve të huaj. Shumë nga ato tablo botohen për herë të parë dhe janë rezultat i kërkimeve shumëvjeçare të autorit në galeri, muze, arkiva dhe koleksione të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në pjesën e tretë, që titullohet Shqipëria nëpërmjet artistëve shqiptarë, janë zgjedhur mbi 100 tablo nga autorët e parë të Rilindjes dhe të Pavarësisë si Idromeno, Mio, Kolombi etj., piktorët më të shquar të periudhës së realizmit socialist dhe përfundon me disa nga autorët më të njohur të ditëve tona.

Libri është botuar në gjuhën angleze, për ta bërë më të njohur kulturën shqiptare nëpër botë.

Pas botimeve të pakta të këtij lloji për disa periudha të veçanta, është hera e parë që në një botim të vetëm pasqyrohen të gjitha periudhat e artit kombëtar, botohen mbi 300 imazhe të jetës shqiptare të realizuara nga autorët e huaj, si dhe nga artistët më të njohur shqiptarë.

Së shpejti libri do të botohet edhe në gjuhën shqipe.

***

Ferid Hudhri është miku im i kahershëm.

Njihemi prej vitesh me të dhe kemi bashkëpunuar në një mirëkuptim të plotë.

Ai i ka kushtuar jetën historisë së artit dhe është historiani më i njohur shqiptar në këtë rrafsh.

Për publikun e gjerë dhe pak të informuar, dëshiroj të paraqes Curruculum Vitae të Ferid Hudhrit.

Prof. dr. Ferid Hudhri lindi në vitin 1949. Ka mbaruar Akademinë e Arteve (Tiranë, 1974), kursin pasuniversitar për Histori dhe Kritikë Arti (Tiranë, 1986), specializim për Histori Arti në Muzeun e Luvrit (Paris, 1990).

Gjatë viteve 1974-1985 ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si redaktor për artet figurative.

Në vitet 1992-1997 ka qenë drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve të Akademisë së Shkencave, 1997-2007 n/drejtor dhe shef i sektorit të arteve figurative.

Tani punon në Qendrën e Studimeve Albanologjike.

Ka bërë disa udhëtime studimi: Francë 1990, 1994; Angli 1994, 1999, 2006; Australi 1987, 1989; Itali 1994; Greqi 1990, 19995; Egjipt 1999. Është autor i disa artikujve, studimeve, kumtesave dhe konferencave për Historinë e Artit Shqiptar.

Librat e tij më të njohur janë: "Murat Toptani, artist i Rilindjes", Tiranë 1987; "Mësimi i Vizatimit" (bashkautor), Tiranë 1987; "Shqipëria në veprat e piktorëve të huaj", Tiranë 1989; "Albania in the World Art", Athens 1990; "Arti i Rilindjes Shqiptare", Tiranë 2002. (Vlerësuar me çmimin Penda e Argjendtë). "Shqipëria nëpërmjet artistëve", Tiranë 2004. "Albania Through Art", Tiranë 2008.

Ka në proces botimin enciklopedik "Rizbulimi i Shqipërisë nëpërmjet artistëve të huaj".

***

Ky libër album ka dy subjekte, ose më mirë të themi një matricë të dyzuar: së pari, imazhet e dëshmuara në truallin shqiptar gjatë shekujve dhe së dyti: imazhet e artistëve të huaj për shqiptarët.

Pra, kemi dy botë të ngjizura në një të vetme.

Kemi dy përvoja: përvojën kombëtare të artit dhe përvojën ndërkombëtare të artit, që ndërlidhin me një objekt të vetëm: historinë e kombit shqiptar.

Megjithatë, kjo paradigmë kuptimore është gjithashtu e dyfishtë.

Arti shqiptar në shekuj gjithashtu ndërkombëtarizon shqiptarët në botë.

Arti ndërkombëtar çuditërisht kombëtarizon shqiptarët brenda tyre. Janë dy optika herë-herë të pavarura, që kanë një vartësi të mrekullueshme.

Komunikimi artistik është që në hershmëri global. Koha e sotme vetëm e ka rizbuluar këtë dukuri.

Në të vërtetë ne na mungon një histori e shkruar e artit shqiptar që nga zanafilla.

Studiuesit mungojnë, ose janë të mangët në profesionalizëm.

Ky boshllëk është i pajustifikueshëm.

Botimet janë të pakta në raport me popujt e tjerë që kanë bërë të kundërtën.

Studimet e artit shqiptar vetëm sa e kanë cekur pak historinë e ikonografisë shqiptare apo thonë diçka për artin e kohërave moderne, që nis me rilindjen kombëtare të Shqipërisë.

Arti i shekullit të 20-të është deri diku i njohur, por ende i studiuar përciptazi.

Po kështu mund të thuhet edhe për etapën post-totalitare mbas vitit 1991 deri në ditët e sotme.

Kështu, për një njeri profan historia e artit shqiptar duket e mangët, por injoranca nuk është argument.

Duhet të shtoj se historia e artit në të vërtetë nis me objektet arkeologjike.

Dhe këtu informacioni është i përciptë.

Një univers pikturik dhe simbologjik lidhet me kostumologjinë dhe etnografinë shqiptare, me zejet artistike të metaleve të çmuara, të drurit e të gurit, të tekstileve etj.

Kjo shumësi e rrafsheve është shpresa jonë dhe potenciali për të kuptuar thesarin e mrekullueshëm kombëtar të shqiptarëve.

Këto arsyetime përcaktojnë rrugët.

Kjo vetëdije na fuqizon dhe na e bën më të mprehtë mendjen për studime të nivelit të lartë shkencor për të modeluar historinë e artit të kombit shqiptar me dinjitet dhe madje me krenari.

Ferid Hudhri me të drejtë e nis studimin e tij me dëshmitë e lashtësisë, që nga prehistoria me objektet tipologjike të artit ilir, por dhe të simbiozës universale me artin grek dhe romak, që ka shkëlqyer në trevat e Shqipërisë.

Edhe këtu spikat dimensioni universal, komunikimi i qytetërimeve shpjegon dhe historinë politike të kombit tonë.

Vetvetiu mund të themi se historia e skulpturave të Apolonisë, Butrintit dhe të Durrësit parakupton një akulturim konceptesh artistike të avancuara të rrafshit ndërkombëtar.

Këtu nuk duhet harruar edhe historia e arkitekturës antike, tempujt, modulet arkitektonikë, teatrot, stadiumet etj.

Etapa e antikitetit të vonë, shekulli i 6-të pas Krishtit, përbën një rilindje madhështore të artit në një proces të shndërrimit të ilirëve të vjetër tek arbrit e hershëm. Kultura e hershme arbërore nuk mund të kuptohet pa nocionet e reja artistike të krishterimit bizantin dhe atij perëndimor.

Kështu, mozaikët e antikitetit të vonë në Butrint, në Bylis, në Lin, në Durrës janë të nivelit evropian, kompozimet e tyre simbolike kanë një sintaksë të saktë të artit universal.

Mbas kësaj etape vetëkuptohet që epoka e ikonografisë shqiptare është tejet e rëndësishme dhe e mrekullueshme.

Në shekullin e 14-të në Shqipëri dokumentohet stili bizantin paleolog.

Në shekullin e 16-të Onufri bëhet piktori gjenial i stilit metabizantin shqiptar.

Në shekullin e 18-të shfaqen si gjeni të ikonografisë dy artistë të kalibrit botëror: Kostandin Shpataraku dhe David Selenica nga Vlora.

I përmenda këto fakte për të kuptuar jo varfërinë, por pasurinë e artit tonë.

Natyrisht, që në historinë e artit shqiptar kemi një mungesë të rëndësishme dhe të pakapërcyeshme të artit humanistik të rilindjes evropiane, për shkak të pushtimit osman të Shqipërisë mbas shekullit të 15-të të Skënderbeiadës heroike.

Vijnë kohë të errëta dhe me mjegull për historinë e artit në Shqipëri.

Mendimi i Leon Rejit se, përveç ikonografisë metabizantine duhet vlerësuar edhe arti islamik në monumentet e Shqipërisë është i drejtë në kuptimin enciklopedik dhe historik.

Edhe arti pikturik autentik shqiptar ringjallet në Rilindjen Kombëtare Shqiptare në epokën e romantizmit, si dhe të ideve të reja lançuese evropiane të Revolucionit Francez.

Ky konstrukt historik shpjegon shkëlqyeshëm pikërisht interesimin e pazakontë të piktorëve të huaj të mëdhenj të botës për shqiptarët.

Kjo shpjegon nismën madhështore të Bajronit, që i vlerëson shqiptarët si askush në poezi, duke i ndërkombëtarizuar ata.

Kjo shpjegon pse piktorë të tillë si: Delakrua, Zherom, Eduard Lir, Tomas Filips, Dupre, Kamil Koro etj., bënë tablo të mrekullueshme dhe me art të madh për shqiptarët.

Kjo është epika e vërtetë e zbulimit të kombit shqiptar nëpërmjet artit pikturik në botë.

Pikturat e mjeshtërve evropianë i njohën shqiptarët me kostumet e tyre i një populli jashtëzakonshëm, me një antropologji fisnike, me armë dhe kostume princërore.

Jo më kot Bajroni i madh u pikturuar nga Tomas Filips me një kostum shqiptar.

Kjo përbën një metaforë të jashtëzakonshme.

Kjo metaforë vizuale ndërkombëtarizon njeriun shqiptar me kostumin e tij, jo rastësisht me fytyrën dhe trupin e Bajronit.

Në këtë kuptim të dytë dhe të fshehtë mund të themi se Prometeu i romantizmit evropian, Bajroni, e dëshiroi vetë këtë paraqitje të tij shqiptare në ballon e madhe evropiane të kulturës.

Asnjëherë më përpara në të gjithë historinë e gjatë të kombit shqiptar nuk ka pasur një interes kaq të madh për subjektet burrërore të bukurisë enigmatike të shqiptarëve sesa në epokën e romantizmit evropian.

Sepse këtu vetë qëndron dhe një nga sekretet më të mëdha dhe inkandeshente të vetë romantizmit evropian.

I mahnitshëm është cikli i pikturave të piktorit Leon Zherom.

Të gjitha këto piktura të shkëlqyera përbëjnë gati një ikonografi të re, por tashmë laike për shqiptarët. Evropa hapi portën e saj të madhe për kombin tonë.

Dhe të mos harrojmë që shqiptarët ishin ende të pushtuar. Evropa i pranoi shqiptarët të lirë shumë më përpara sesa Shqiptaria të shpallej e pavarur më 1912-ën.

***

Ferid Hudhri ka meritën e tij më të madhe si historian, pikërisht në zbulimin e tërë enciklopedisë pikturike të mjeshtërve të mëdhenj të romantizmit evropian. Informacioni i tij i kujdesshëm dhe korrekt e bën atë një studiues, gati të vetëm në Shqipëri për këtë epokë.

Këtu spikat më shumë profesionalizmi dhe akribia e Feridit.

Këtu është merita e tij e jetës.

***

Ky libër-album u rikthehet përsëri piktorëve shqiptarë. Ky alternim është i domosdoshëm dhe i dobishëm. Arti laik shqiptar me Kolë Idromenon, Ndoc Martinin, Vangjush Mion, Zef Kolombin etj., institucionalizohet, bëhet një institucion i mëvehtshëm dhe i rëndësishëm kombëtar.

Nis kështu një tjetër epokë e madhe e artit, e artistëve shqiptarë për Shqipërinë.

Dhe kjo fushë ka qenë një specialitet tjetër i Feridit. Informacioni i paraqitur me krijimet më përfaqësuese është gjithashtu tipologjik.

Arti i Pavarësisë pasohet nga arti i quajtur i realizmit socialist, ku padyshim dogma e imponuar komuniste synoi të krijonte një ikonografi, që disa studiues e kanë quajtur ikonografia bizantino-komuniste, pra një art i programuar. Por, megjithatë, fusha e artit është autonome shumë më tepër nga ç'mendohet në raport me sistemet politike. Emrat e mëdhenj të artistëve të tillë të nivelit evropian, si Odise Paskali dhe Abdurahim Buza nuk mund të harrohen. Artistë të tjerë të shquar si Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi etj., krijuan një traditë dhe dinjitet në krijimet e tyre më të mira.

Përtej politizimit të dëmshëm, artistët shqiptarë, megjithatë, krijuan art.

Historiani i artit nuk niset për të studiuar nga pikëpamja politike.

Kronologjia nuk studiohet në vetvete.

Por estetika e dokumentuar merr karakter historik.

Kështu, duke hedhur tej komplekset, studiuesi rizbulon, madje dhe rikoncepton historinë reale të vendit të tij.

Drejtimet e reja të artit pikturik pas përmbysjes së sistemit totalitar dhe dogmës së realizmit socialist kanë krijuar vlera të reja, rinovuese.

Edhe ky aspekt i këtij libri-album ka rëndësinë e vet.

***

Zonja Donika Bardha, kjo shqiptaro-amerikane e paepur, ka themeluar „Albania Art Foundation".

Ky është një akt për t'u lavdëruar.

Ajo ka projektuar botimin e disa librave-album të ngjashëm, duke e bërë të njohur Shqipërinë nëpërmjet artit pikturik në Amerikë dhe në botë.

Kështu afirmohet imazhi i kombit shqiptar në një pikëpamje eterne.

Kështu imazhi i kombit shqiptar përfaqësohet në epokën e globalizmit.

Kështu imazhi i kombit shqiptar nuk tjetërsohet dhe nuk mohohet dot.

Pavarësia e Kosovës, një mrekulli që ndodh një herë në 2000 vjet, përfaqëson gjithashtu një rilindje të re të të gjithë kombit shqiptar.

Aktori shqiptar, në kuptimin pozitiv, është i rëndësishëm.

Sidomos kur afirmohet nëpërmjet artit.

***

Dua të ngre një çështje të mprehtë dhe jetike: qarkullimin e vlerave artistike dhe shpirtërore të shqiptarëve sot në botën globale.

Mos të harrojmë se është bota e madhe dhe e pafund e internetit, bota perandorake e imazhit dixhital.

Këto mundësi të mëdha hapin para nesh horizonte dhe hapësira të mëdha.

Në përgjithësi, Shqipëria artistike dhe kulturore është përcjellë pak ose shumë pak në internet.

Këtu jemi të mangët.

Por pikërisht këtu mund të bëhet pafundësisht më shumë.

Rasti i „Mezuraj Museum", që ka ndërtuar tërësisht në internet sozien e vet, d.m.th., që imazhet fotografike të objekteve dhe të vlerave piktorike që disponon, shoqëruar me pasaportat shkencore në shqip dhe në anglisht, pra gati tërë strukturën muzeore e ka hedhur në internet, duhet ndjekur dhe nga institucionet e tjera në Shqipëri.

Pse nuk bëhet një gjë e tillë është e pakuptueshme për mua. Por të paktën shpresoj që të bëhet.

Kurse, çështja e botimeve të librave-album si ky për të cilin po flasim, është diçka më e vështirë në pikëpamje të burimeve financiare, të stimulimit studimor, të përzgjedhjes, të qarkullimit në gjuhën ndërkombëtare të anglishtes në të gjithë botën. Institucionet muzeore shtetërore në Shqipëri, për shkak të fondeve financiare të pakta, janë më të shtangura dhe të rrudhura. Institucionet private të licensuara, si dhe fondacionet e rëndësishme private, për arsye të vetëkuptueshme financiare mund të kenë dhe kanë një lëvizshmëri më të madhe.

Nismat e tyre private për këto botime e kapërcejnë shkëlqyeshëm karakterin e tyre privat.

Kështu, fondacioni i znj. Donika Bardha ka bërë diçka me rëndësi kombëtare, duke ndërkombëtarizuar vlerat kombëtare të Shqipërisë.

Për shumë studiues të huaj dhe historianë arti në botë këto botime, ku studimi i thugët shkencor përcjell katalogimin me cilësi të lartë të imazheve, janë befasira të mëdha dhe një tërheqje e vëmendjes për t'u bërë partnerë në studimin shkencor të vlerave kombëtare të Shqipërisë. Këtu, pa mohuar edhe rëndësinë e rinjohjes së vlerave të grupuara të piktorëve dhe artistëve të huaj për Shqipërinë, që për arsye të ndryshme herë-herë kanë qenë të harruara dhe të pavëna në reliev.

Botimi i librit-album „Albania Through Art" kanë karakter unik në botimet tona, është tejet i dobishëm, por edhe tejet estetik.

Estetika e shpalosur e fuqizon historinë, e interpreton, por çuditërisht edhe e dokumenton.

Për Donika Bardhën dhe Ferid Hudhrin ky nuk është bashkëpunimi i parë.

Besoj se nuk do të jetë edhe i fundit. Kështu, dy vetë kur e kanë të qartë domethënien mund të bëjnë punën e një ose të disa institucioneve.

Kjo ide nuk është e tepruar, përderisa është bërë praktike në realitet.

 

FOTO: 10 shkencëtarët aziatikë që mund të ndryshojnë botën

Posted: 30 Jun 2018 01:38 AM PDT

Revista prestigjoze "Nature" ka përzgjedhur 10 shkencëtarët më brilantë të Azisë Lindore, kontributet e të cilëve supozohet se do të kenë një ndikim në shkallë globale në fusha të ndryshme që nga inteligjenca artificiale, zhvillimi i biodjegies, tek lufta kundër sëmundjeve emergjente apo edhe të zbulimeve të reja në fushën gjenetike.

Hong Kongu, Malajzia, Koreja e Jugut dhe Tajvani janë vendet e origjinës së këtyre shkencëtarëve. Një nga faktet më interesante është edhe roli i femrave në këtë fushë.

Malik Peiris, roja i viruseve

Në fund të 2002 një sëmundje respiratore misterioze lindi në provincën kineze të Guangdongut dhe më pas u shtri në Hong Kong dhe më tej në të gjithë botën. Sindroma repiratore akute e fortë, Sars doli nga hiçi, vrau 800 njerëz në më shumë se 24 vende. Bilanci mund të ishte më i madh, nëse nuk do të kishte qenë ky virolog nga universiteti i Hong Kongut, një nga pjesëmarrësit specialistë në sëmundjet emergjente. Pavarsisht se virusi mund ta vriste, Peiris dhe kolegët e tij shpejt gjetën shkakun dhe krijuan masa për ta kontrolluar.

 

Jingmei Li kundër kancerit të gjirit.

Shkencëtarja nga instituti i genomit në Singapor analizon informacionin e marrë nga gratë me kancer të gjirit për të zbuluar faktorët e riskut që e bëjnë më të ndjeshëm për ta patur këtë sëmundje. Për të bërë këto parashikime, Li kërkon markuesit gjenetikë si dhe faktorët e stilit të jetës si obeziteti që lidhet me një sërë sëmundjesh tumorale.

Ajo gjithashtu studion imazhet mamografike për të studiuar densitetin e gjirit. – Besoj se gjenetika është rruga për të ndjekur. Nuk zgjidh gjithçka, por të paktën mund të identifikojë popullatën në risk, në mënyrë që mjekët të mund t'i dërgojnë këta persona për ekzaminime, – shprehet ajo.

 

Huey-Jen Jenny Su, rojtarja e ajrit.

Pasi ka kaluar një dekadë duke matur nivelet e kontaminimeve në shtëpi dhe në vendet e punës në mënyrë që të dihet sesi ndikojnë mbi shëndetin, Huey-Jen Jenny Su u propozoi qeveritarëve të Tajvanit diçka radikale; adoptimi i rregullave për të garantuar cilësinë e ajrit në brendësi të ndërtesave.

Në vitin 2005 ky vend vendosi kufizime për nivelet e ndotjes së ajrit në brendësi dhe në 2012 qeveria ndërmori ligje për t'i rregulluar ato. Thuhet se shkencëtarja dhe ekipi i saj kishin kaq shumë prova të pakontestueshme shkencore, saqë askush nuk mund ta sfidonte këtë vendim.

 

Suzana Yusup kthen plehrat në lëndë djegëse

Inxhinierja Suzana Yusup shndrron mbetjet agrare të Malajzisë në lëndë të biodjegshme. Për këtë përdor vaj kuzhine të përdorur, vaj gomash dhe distile të hedhura të rafinerive të vajit të palmës. Sidomos kur mësoi se kultivuesit e orizit përreth universitetit të saj po luftonin kundër parazitëve, bimëve të këqija me pesticide kimike të dëmshme për shëndetin, Yusup fillloi të krijojë biopesticide më të sigurta të bazuara në përbërësit vegjetalë. Për t'i prodhuar adoptoi teknika dhe instalacione në laboratorin e saj.

 

Loh Kian Ping, nga bretkosat tek grafeni.

Kur ishte fëmijë Loh Kian Ping u dashurua pas shkencës, pasi kishte parë ekzemplarë  bretkosash. Dekada më vonë dhe në universitetin kombëtar të Singaporit kimisti fizik filloi të frymëzohet nga bretkosat, por për të bërë një nga zbulimet e tij më kyç. Duke imituar sesi amfibët ngjiten tek gjethet, Loh krijoi një metodë për të zhvilluar grafenin më "vafera" silici, çka mund të ndihmojë në aplikimet industriale si përmirësimi i komunikimeve optike.

 

Yvonne Ai Lian Lim, gruaja e feçeve.

Ka punuar më shumë se dy dekada për të ulur infeksionet parazitare në popullatën indigjene në Malajzi. Si pjesë e doktoraturës së saj Lim mblodhi mostra feçesh të individëve në zona të ndryshme në perëndim të vendit për të verifikuar, nëse kishte shenja parazitësh protozoarë, ndërkohë që shkonte kasolle më kasolle dhe njerëzit thoshin: "po vjen gruaja e feçeve". Ajo e merrte me humor, çka e bëri shumë popullore mes njerëzve.

Dy dekada më vonë Lim është parazitologia dhe zëvendësdekane në fakultetin e mjeksisë në universitetin e Malajzisë në Kuala Lumpur, ku vazhdon e studion parazitët tek tributë indigjene. Ka zbuluar se shkalla e infeksioneve për krimba është këmbëngulëse vetëm në disa popullata të caktuara dhe në përgjithësi në vendet e prekura nga varfëria dhe mungesa e higjenës.

 

Vivian Yam, zonja e dritës

Një pjesë e elektricitetit e prodhuar në nivel botëror ka të bëjë me ndriçimin dhe një pjesë e kësaj energjie humb për faj të llambave jo efikase, disa janë më shumë, por përbëhen nga materiale të rrezikshme si mërkuri. Vivian Yam, kimiste në universitetin e Hong Kongut punon për të prodhuar opsione që të jenë të lira dhe ekologjike. Dizenjon dioda organike që emetojnë drita që mund të përdoren për të përmirësuar ekranet e televizionit.

 

Jin-Soo Kim, redaktori i genomit.

Jin-Soo Kim është një shkencëtar nga Koreja e Jugut, pioner i zhvillimit të teknikës  së redaktimit të geneve, CRISPR, ajo që njihet gjerësisht si copy-paste gjenetik. Në të vërtetë kërkon të përmirësojë genomin duke e ndryshuar. Doli në faqet e gazetave të të gjithë botës para disa vitesh për krijimin inxhinierik gjenetik të një lloj derri me muskuj jo të zakonshëm. Këta derra dyfish muskulozë ishin krijuar për qëllim të prodhonin sasi më të mëdha mishi.

 

Lin-Shan Lee do që Google të flasë.

Kalon shumë kohë duke eksploruar kurse në rrjet, nuk do që të mësojë një gjuhë, apo të studiojë historinë antike, në të vërtetë po stërvitet për një algoritëm për të nxjerrë fjalë kyç dhe fraza të regjistrimeve në audio dhe video. Si një inxhinier informatike  në universitetin kombëtar të Tajvanit, në Taipei ka krijuar një software të njohjes së zërit në gjuhën mandarine dhe po punon për të krijuar një version të folur të Google-it.

 

Narry Kim, eksploratorja e geneve.

Narry Kim që punon në universitetin kombëtar të Seulit ka krijuar një punë pionere në molekula të vogla të ARN-së që rregullojnë shprehjen gjenetike. Ka mundur të shohë si janë krijuar që deri më tani kanë qenë një mister. Kim është një frymëzim për të rinjtë që duan t'i përkushtohen shkencës në Korenë e Jugut.

b.m. / dita

Cili është ndryshimi mes eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar?

Posted: 30 Jun 2018 01:28 AM PDT

Me eutanazi kuptohet procedura vullnetare dhe e ndërgjegjshme që realizojnë mjekët për t'i dhënë fund jetës së një të sëmuri terminal me kërkesë të vetë atij, me qëllimin që t'i japë fund vuajteve.

Ndryshimi tek vetëvrasja e asistuar është se tek e para është mjeku që i jep fund materialisht jetës së një pacienti, ndërsa tek e dyta mjeku nuk është një agjent aktiv, por kufizohet vetëm me vënie në dispozicion të mjeteve dhe për t'u kujdesur për pacientin në mënyrë që të jetë vetë pacienti që e vret veten.

Nga pikëpamja mjeksore eutanazia është aktive ose pasive. Eutanazia aktive ndodh kur mjekët i japin fund direkt jetës së një pacienti dhe eutanazia pasive ndodh kur i ndërpresin trajtimin ose kurën duke ia përshpjetuar kështu fundin. Eutanazia pasive quhet ligjërisht ortotanazi që zakonisht përdoret termi vdekje dinjitoze dhe kur eutanazia aplikohet pa miratimin e pacientit emërtohet kakotanazi (cacotanasi).

Termi distanazi përdoret për të përcaktuar të kundërtën, të ashtuquajturën këmbënguljen sanitare, pra kur zgjatet artificialisht jeta e pacientit edhe pse nuk ka më mundësi rikuperimi ose edhe për reduktimin e vuajtjeve të tij.

Aktualisht eutanazia është e ligjshme në Hollandë, Belgjikë, Kolumbi dhe Luksemburg. Vetëvrasja e asistuar është e ligjshme në Zvicër, Gjermani, Japoni, Kanada dhe në 7 shtete të Amerikës.

b.m. / dita

Protestoi kundër Trump për emigrantët, arrestohet aktorja e njohur

Posted: 30 Jun 2018 01:17 AM PDT

Aktorja Susan Sarandon ishte një nga 600 femrat e arrestuara gjatë një proteste kundër Trump në ndërtesën e Senatit Amerikan.

Aktorja ishte në protestë në mbështetje të emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në SHBA dhe kundër ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre në kufirin jugor.

Policia në Washington tha se 575 persona u akuzuan për demonstrim të paligjshëm të enjten.

Sarandon, e cila ka fituar një çmim Oskar për ‘Dead Man Walking’ në vitin 1996 dhe gjithashtu luajti në filmin ‘Thelma and Louise’ në vitin 1991 si edhe The Witches of Eastwick në 1987, njoftoi arrestimin me anë të një postimi në Twitter.

Ajo është arrestuar edhe në vitin 1999 gjatë një proteste kundër të shtënave të policisë ndaj një të riu të paarmatosur afrikano-amerikan në New York.

Përfaqësuesja Demokratike, Pramila Jayapal, i cila gjithashtu u arrestua, e përshkroi politikën e qeverisë mbi migrimin e fëmijëve si mizor.

o.j/dita

“Nxehet” Botërori, faza e 1/8 starton me dy supersfida

Posted: 30 Jun 2018 01:03 AM PDT

Pas përfundimit të fazës në grupe dhe një dite pushim ndërmjet, botërori "Rusi 2018" rifillon sërish sot me fazën e tij më të "nxehtë", atë të eliminimit direkt.

Kështu sot startojnë dy takimet e para të fazës së 1/8-ave, që do të vijojë deri më 3 korrik, për të përcaktuar 8 skuadrat çerekfinaliste. Francë-Argjentinë është sfida e parë e kësaj faze, një ndeshje që fare mirë mund të quhet edhe finale e parakohshme.

Kjo pasi të dy këto skuadra kanë udhëtuar në Rusi me "petkun" e pretendentit dhe kanë pasur si synim që t'i shkojnë deri në fund këtij kompeticioni. Gjithsesi, sot në orën 16:00 dy skuadrat do të matin forcat dhe pas kësaj sfide, njëra do të vijojë rrugën për në finale, ndërsa tjetra do të duhet të bëjë gati valixhet për t'u kthyer në shtëpi. Franca e mbylli fazën në grupe si kryesuese, duke marrë dy fitore dhe një barazim, por gjithsesi skuadra e Deschamps nuk arriti të bindë plotësisht në asnjë prej 3 takimeve.

Nga ana tjetër, Lionel Messi u zgjua vetëm në ndeshjen e fundit të Argjentinës, duke shënuar golin e parë të tij në këtë kompeticion, ndërsa "Albiçelestët" u kualifikuan mes shumë vështirësish. Për vetë skuadrat dhe lojtarët që do të zbresin në fushën e lojës, natyrisht që është gati e pamundur të bëhen parashikime për këtë sfidë. Gjithsesi Franca do të synojë të shfrytëzojë atmosferën aspak të mirë në kampin argjentinas, që është gjithnjë e më shumë i varur nga Messi.

Sfida tjetër e ditës së sotme do të jetë ajo mes Uruguait dhe kampionëve në fuqi të Europës, Portugalisë, që do të luhet në orën 20:00. Edhe kjo është një sfidë e vështirë për t'u parashikuar, pasi bëhet fjalë për dy skuadra të të njëjtit nivel, mjaft të kujdesshme në mbrojtje dhe me lojtarë që bëjnë diferencën në sulm.

Portugalia edhe njëherë do të shpresojë te forma e mirë e Cristiano Ronaldos, që pavarësisht 11-metërshit të humbur ndaj Iranit, ka shënuar 4 gola në këtë kompeticion dhe duket në një formë mjaft të mirë fizike.

Nga ana tjetër, edhe Uruguai ka treguar se është një skuadër që lufton shumë dhe nuk ka pësuar ende asnjë gol në këtë kompeticion. Shpresat e skuadrës së Tabarezit janë që të eliminojnë kërcënimin "Ronaldo" dhe të presin ndonjë magji nga dyshja sulmuese Cavani-Suarez, që me kanë një fizik që mund të kërcënojë prapavijën portugeze dhe jo vetëm.

o.j/dita

Paratë e pista/ Spartak Braho: Basha të merret në pyetje

Posted: 30 Jun 2018 01:00 AM PDT

Deputeti Spartak Braho, ish-kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtar nuk ka dyshimet se kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka dekonspiruar aksionin policor për bllokimin e 3.4 milionë eurove që po transportoheshin ilegalisht në Shqipëri dhe kapjen e autorëve të krimit.

Në një reagim për Shqiptarja.com, Braho u shpreh se organi i akuzës duhet të marrë me urgjencë Lulzim Bashën në pyetje, për të shpjeguar deklaratat e tij.

Pa dyshim që jemi para një ngjarjeje shumë të rëndë. Është e domosdoshme që organi i prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet dhe veç të tjerave, të thërrasë me urgjencë Lulzim Bashën për të shpjeguar deklaratën e tij.

Zvarritja e procedurave hetimore ose mundësia e fshehjes së provave nga autorët rrezikon hetimin.

Shpresoj dhe besoj se këto rrethana prokurorët e çështjes do t'i vlerësojnë me objektivitet dhe paanshmëri pa u tërhequr dhe ndikuar nga ndërhyrjet dhe presionet, që jam i bindur se do të ketë mbi ta“, u shpreh deputeti i PS, Spartak Braho.

Braho shton se çështja më e rëndësishme që shtrohet është se kush e informoi Lulzim Bashën për ngarkesën me euro.

Dekonspirimi i operacionit policor është tashmë evident. Ka një autor që është shfaqur publikisht si i tillë.

Dhe ky është Lulzim Basha, i cili me deklaratën e tij në Kuvend ka pohuar dijeninë për ekzistencën e një grupi kriminal që do të transportonin nga Belgjika në Shqipëri disa milionë euro në rrugë të paligjshme, ndërkohë që janë bërë të njohura lidhjet e tij nëpërmjet fotove me të afërm të ngushtë të këtij grupi, të cilët janë shpallur në kërkim si autorët e dyshuar të transportit klandestin të 3.4 milionë eurove. 

Me deklaratën e tij para përfundimit të operacionit policor për arrestimin e autorëve, Basha dekonspiroi ndjekjen dhe hetimin e këtij grupi kriminal dhe fshehjen e autorëve kryesorë të tij. Çështja shtrohet se nga kush u vu në dijeni Lulzim Basha për këtë transport, ndjekjen, hetimin dhe gjurmimin e tij nga Policia e Shtetit?

Kjo rrethanë duhet hetuar dhe këtë fakt për rrjedhjen e sekretit mund ta shpjegojë vetëm Basha. Tashmë ka një denoncim dhe një akuzë nga Taulant Balla në prokuroi për këtë çështje“, vijoi Braho.

o.j/dita

Grabitet banesa në Fushë Krujë, “maskat” marrin paratë dhe makinën

Posted: 30 Jun 2018 12:53 AM PDT

Një banesë është grabitur në fshatin Larushk mbrëmjen e së enjtes, në familjen e Ndue Latës.

4 persona të maskuar dhe të armatosur me automatikë kanë grabitur nën kërcënimin e armës, kasafortën në të cilën familja mbante një sasi lekësh si dhe automjetin tip "Benz".

Grabitësit të maskuar kanë hyrë në banesë gjatë kohës që familja po darkonte dhe i kanë mbyllur familjarët në një ambient të shtëpisë.

Ndërkohë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

o.j/dita

Një monument dinjitoz për Lidhjen e Prizrenit

Posted: 30 Jun 2018 12:48 AM PDT

Vladimir Muça*

(Në vëmendje të ministrit të Kulturës  të Republikës së Kosovës, zotit Kujtim Gashi)

I ftuar në manifestimet e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Lirën poetike "Drini Poetik" pata nderin që si adhurues i skulpturës monumentale, të ndiqja në ambientet e Muzeut të Lidhjes, konkursin përzgjedhës për Monumentin e Lidhjes.

Përzgjedhja paraprake me bocete dhe angazhimi i qeverisë për të monumentalizuar kujtesën historike me një vepër të tillë, është një angazhim sa atdhetar, aq dhe politik, i rëndësishëm për të transmetuar në memorien e brezave një histori kaq të lavdishme te popullit Shqiptar, si produkt i kujtesave historike të popullit tonë.

   Kur i pashë me syrin e shpirtit të 11 bocetët, e kur në memorie më gëlonin shumë këngë, krijime letrare, monografi dokumentare disi u zhgënjeva nga shumica e boceteve. U zhgënjeva për atë çka duhet të përfaqësonin në këtë monument. Aq më tepër kur nga juria e përbërë: Kryetarë Skënder Bushtrakaj, anëtarë Arjeta Myftari, Parim Kosova, Ibo Avdiu dhe Ehat Oreshka, u vlerësuan: fitues i parë boceti i Gëzim Muriqit me bashkëpunëtorë Agron Bllaçkorin, me çmim të dytë formal Idriz Balani dhe çmimi i tretë formal Luan Mulliqi.

U ndala dhe meditova pranë bocetit fitues të Gëzim Muriqit, se boceti i tretë dhe të tjerët as që të ndillnin ndopak kënaqësi përfaqësimi e simbolike.

Mendoj, në bindjet e mija, se ky monument,i cili do te përjetësojë, një moment kulminant në historinë e kombit tonë, si një pararendës i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, krahasuar me Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, duhet të përmbajë po ato simbole, mesazhe historike, me një përfaqësim sa më dinjitoz të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

   Boceti fitues, po ta krahasojmë me monumentin e Pavarësisë, Pesë heronjtë e Vigut, Luftëtarin kombëtar, Themistokli Gërmenjin, Isa Boletinin në Shkodër dhe ata të vendosur në Isniq, Mitrovicë e Saraj të Shkupit, monumentin e ambasadorit Woker, kjo përzgjedhje qëndron shumë larg asaj që duhet të përfaqësojë në zgjedhjet artistike dhe reflektimin e kujtesave të memories kombëtare në funksion të kësaj ngjarje madhore.

Për vepra të tilla madhore, mendoj se duhet të ndalemi në studime e meditime më shumë profesionale e të mos zhgënjejmë syrin e shpirtin e shikuesit  me vepra të tilla siç jane Presidenti Bill Klinton neë Prishtinë, monumenti i Nënë Terezës (ish) në aeroportin e Rinasit, një katrahurë e vërtetë, apo siç është Ismail Qemali para ndërtesës Qeverisë në Prishtinë, tek  ish Rilindja, dhe shtatorja  e Fehmi Aganit tek Korpusi Universitar e tjerë.

Për vepra jo dinjitoze te vendosura në mjedise të ndryshme në trevat shqiptare, herë pas here ka folur, shkruajtur e ngritur zërin kritiku e studiuesi i artit z. Ilir Muharremi.

Këto monumente të japin përshtypjen se nuk transmetojnë tek vizitori vlera të mirëfillta artistike, vijnë si të pa arrira në përfaqësimin dinjitoz.

I solla këto shembuj si shumë të tjerë në qytete e fshatra te ndryshme, sepse gjatë meditimit në bocetin përzgjedhës, i cili fitoi të drejtën e ngritjes të monumentit m′u përqasën të njëjtat mangësi: si solemniteti dhe monumentaliteti jo i duhur i personazheve.

Jepet përshtypja e një skulpture kavaletit tregimtar. Disnivelet e shprehisë të simbolikës përfaqësuese të Ymer Prizrenit si kryetar qeverie, qëndrestar jo i tejlodhur. Përse duhet të jete i ulur në karrige Ymer Prizreni, apo të tregojmë kapitullimin, … sa kohë e mbajti Qeverinë dhe sa plak vdiq. Sulejman Vokshi si "ministër" i mbrojtjes, Abdyl Frashëri si ministër i jashtëm, vizionarë, në një disnivel skulptural më në përqasje. Nga këto kompozime vihen re mospërputhje e vlerave e kontributeve historike.

Boceti  i vlerësuar si i dytë  mua me duket më i plotësuar, jep më shumë mesazhe, raportet shtetërore të personazheve historik janë më të konverguara, ku dallohet në qendër "kryeministri" Ymer Prizreni, vital, përfaqësues dinjitoz, me programin vizionar të Lidhjes (qeverisë).

Pra kemi një kryeministër intelektual, por edhe nga ana kompozicionale i ngritur pak më lart nga dy ministrat Sulejman Vokshi në krahun e djathtë, mbështetës qëndrestar i qeverisë, ngulitur forte në platformën kryeministrore. Abdyl Frashëri, krahu i majtë mbështetës, vizionar i ardhmërisë e përfaqësimit.

Me gjithë këtë, kam mendimin se për një vepër të tillë monumentale, skënderbejane e një kohe të re, reflektimet e mendimet duhet të jenë më të angazhuara në simbolikën e tyre. Mos vallë dhe këtu është future krimbi i korrupsionit?!…

Të mos pendohemi më vonë siç jemi penduar në shumë e shumë raste te tjera. Kam mendimin se përzgjedhja nga komisioni nuk i përmbush kërkesat e memories historiko- shoqërore e cila trashëgohet nga Lidhja e Prizrenit, si një pararendëse e shtetit të ri shqiptar.

Mendoj se për nivelin artistik e ideor ky konkurs nuk e ka kryer funksionin e vet e për këtë, nevojitet në tërësi një rikualifikim skulptural, pra propozoj që të rishpallet edhe një herë konkursi ku të ftohen skulptorët më të mirë e më me emër (shqiptarë) që kemi në mbarë botën.

*Shkrimtar, kritik

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more