“Prokuroria e Durrësit shpall moskompetencë për çiftin Gina-Gashi” plus 9 more - Gazeta Dita |
- Prokuroria e Durrësit shpall moskompetencë për çiftin Gina-Gashi
- Kleriku akuzohet për pedofili, reagon Mitropolia e Fierit
- Bardhi: Prokuroria t’i japë drejtim hetimeve, të pyeten Rama dhe Xhafaj
- FOTOT: Në Parkun e Madh ka plot kosha për mbeturinat, por qytetarët i hedhin përtokë
- Suprizon moti, rriten temperaturat por sërish rrebeshe shiu gjatë pasdites
- Ervini bën ‘humor burgu’ përpara Prokurorisë
- Ardi Veliu në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
- Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët, rritet arkëtimi i gjobave
- Greqia i refuzoi, negociatat për emrin e Maqedonisë zhvendosen në Nju Jork
- TURIZËM / Babai i familjes ua mbledh ashpër kalamajve: Nuk do ndalojmë për të ngrënë
Prokuroria e Durrësit shpall moskompetencë për çiftin Gina-Gashi Posted: 21 May 2018 02:19 AM PDT Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën për hetimet ndaj çiftit të prokurorëve Dritan Gina dhe Rovena Gashi. Ata janë të pandehur pasi akuzohen për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë. Prokuroria e Durrësit ka çuar çështjet për gjykim në organin e akuzës në Fier. Ky vendim ka ardhur pasi çifti pretendon se hetimi po bëhet për hakmarrje personale. Ata pretendojnë se kryeprokurorja e Durrësit, Anita Jella, është shoqe e kryeprokurores Arta Marku. Nisur nga kjo situatë, për të mos i lënë vend llogaritjeve të kota, prokuroria ka transferuar dosjen në Fier. Në Elbasan dhe Tiranë nuk mund ta transferonin, pasi Gina ka shërbyer si drejtues në Elbasan, ndërkohë në Tiranë, Gina vijonte të ishte prokuror. Ndërsa bashkëshortja e tij Gashi ka shërbyer për disa vite në organin e akuzës në Tiranë. Më 14 maj kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, pezulloi nga detyra Ginën dhe Gashin deri në përfundim të hetimeve. s.a/dita |
Kleriku akuzohet për pedofili, reagon Mitropolia e Fierit Posted: 21 May 2018 02:05 AM PDT Në një kohë kur ish-pjesëtari i Kishës Ortodokse në Fier, Foto Cici, denonconte një klerik për abuzim ndaj një të mituri, ka ardhur publikimi i të njëjtit rast edhe nga gazetari Alfons Zeneli. Sipas Zenelit, nëna e djalit të mitur e kishte denoncuar ngjarjen tek kryepeshkopi Anastas Janullatos, por ky i fundit nuk kishte bërë asgjë. "Iu bëj thirrje ortodoksëve shqiptarë që t’i abandonojnë kishat e Janullatosit. T’i abandonojnë djajtë e veshur me veladon. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda. Vetëm kështu mund të shpëtohet nderi i ortodoksisë shqiptare, e cila është avangarde e namndritur e atdhedashurisë, dijes dhe besimit të vërtetë në Zot", shkruan gazetari. Përmes një deklarate, Mitropolia e Fierit i ka cilësuar akuzat si shpifje. Sipas Mitropolisë, dorëzimi në klerik ёshtё bёrё sipas gjithё rregullave dhe kanoneve tё Kishёs Ortodokse. Reagimi i plotë Deri tani nuk iu jemi pёrgjigjur shpifjeve dhe akuzave tuaja ndaj Klerikut tё Mitropolisё sonё, por duke dashur qё tё qartёsojmё besimtarёt tanё edhe opinionin publik po tregojmё tё vёrtetёn mbi dorёzimin e Klerikut nё fjalё. Dorёzimi i tij nё klerik ёshtё bёrё sipas gjithё rregullave dhe kanoneve tё Kishёs Ortodokse. Sё pari, kemi dёshminё e Atit tё tij shpirtёror, i cili nuk ka gjetur asnjё pengesё pёr dorёzimin e tij si klerik. Sё dyti, nё Mitropolinё tonё nuk ka ardhur asnjё ankesё, qoftё nga kleri qoftë nga besimtarёt, qё tё ngrejё akuza ndaj kёtij kleriku apo tё kundёrshtojё dorёzimin e tij nё shёrbesёn e priftёrisё. s.a/dita
|
Bardhi: Prokuroria t’i japë drejtim hetimeve, të pyeten Rama dhe Xhafaj Posted: 21 May 2018 02:02 AM PDT
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe Këshilltari Ligjor i PD Gazmend Bardhi kanë dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me hetimin e ndërmarrë për audio-përgjimin e publikuar nga selia blu e cila pretendon se vëllai i ministrit Fatmir Xhafaj dëgjohet duke bërë pazare droge. Pas dëshmisë, Bardhi ka dhënë një deklaratë për mediat, ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ,ku ai theksoi se dëshmuan mbi ato prova që tashmë janë publike. Bardhi ka kërkuar nga organi i akuzës të orientojë hetimet në drejtimin e duhur, duke hedhur dyshime mbi veprimet e Prokurorisë. "Unë jam jurist dhe do bashkëpunoj me organet sa herë të thirrem po nuk mund të rri dot pa thënë se është prokuroria e Krimeve të Rënda që heton krimin e organizuar dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge, nuk është marrë ai i pari në pyetje, po ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë ministri i Brendshëm që lehtëson veprimtarinë e vëllait, po ne që denoncojmë. Nuk është marrë akoma në pyetje kryeministri se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafaj dhe nuk ju bën me dije aktin e ekspertimit. Prokuroria duhet të kishte sekuestruar. Thirrja ime publike ndaj prokurorisë është ti fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji, dhe drejtimi i duhur është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individë të përfshirë në krimin e organizuar dhe që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të brendshëm", tha Bardhi. Ai bëri të ditur se në Prokurori deklaruan "gjithçka u pyetëm dhe gjithçka kemi bërë publike gjatë këtyre ditëve. Mbi faktet e materialet që kemi bërë publike. Sigurisht që Prokuroria i disponon dhe ne kemi dhënë sqarimet e tona". l.h/ dita |
FOTOT: Në Parkun e Madh ka plot kosha për mbeturinat, por qytetarët i hedhin përtokë Posted: 21 May 2018 01:48 AM PDT Pak javë më parë Liqeni Artificial i Tiranës mori çmimin "Flamuri i Bardhë" si një certifikim i pastërtisë së ujit dhe basenit të sigurt. Por që ky nivel vlerësimi të rikonfirmohet sërish në vjeshtë është e domosdoshme që jo vetëm ndërmarrjet e bashkisë të kujdesen çdo ditë për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e tij, por më së shumti kërkohet edhe kujdesi i qytetarëve për të mbajtur pastër ambientin dhe për t’i hedhur mbeturinat në vendet e caktuara. Siç shihet edhe nga fotot, pavarësisht punës së përditshme dhe mesazheve ndërgjegjësuese, punonjësit e APR-së vijojnë të nxjerrin çdo ditë nga liqeni masa pa fund mbeturinash urbane që qytetarë të papërgjegjshëm vijojnë t’i hedhin në ujë. E njëjta situatë vërehet çdo ditë edhe në investimet e tjera të kryera në një sërë objektesh në Parkun e Liqenit, ku qytetarët çdo mbetje të produkteve që konsumojnë e hedhin në tokë. Një situatë kjo që tregon se të investosh për të përmirësuar infrastrukturën dhe rritur aksesin në Parkun e Madh të Liqenit është njëra gjë, ndërkohë që për mirëmbajtjen duhet puna dhe angazhimi i të gjithë aktorëve, si ndërmarrjeve bashkiake ashtu edhe i qytetarëve. "Në Parkun e Madh ka plot kosha mbeturinash. Duhet vetëm 1 përpjekje nga Ju! Të mbani mbeturinat e t'i hidhni te koshi më i afërt! Jo në tokë, jo në liqen, jo kudo në ambient! Ne pastrojmë, çdo ditë, por ky mision është i pamundur pa mirësjelljen Tuaj!", shkruan APR ne faqen e saj ne Facebook.
l.h/ dita |
Suprizon moti, rriten temperaturat por sërish rrebeshe shiu gjatë pasdites Posted: 21 May 2018 01:41 AM PDT
Pjesa e parë e ditës së hënë do mbetet me kthjellime e vranësira të herë pas hershme më të shpeshta në zonat lindore. Pasditja fuqizon vranësirat duke sjellë rrebeshe shiu thuajse në të gjithë vendin por vijon me kthjellime dhe vranësira në jugperëndim. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare, ndërsa temperaturat e ajrit rriten lehtë në mëngjes dhe gjatë mesditës, duke variuar nga 11 në 31 gradë Celcius. l.h/ dita |
Ervini bën ‘humor burgu’ përpara Prokurorisë Posted: 21 May 2018 01:36 AM PDT Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bashkë me demokratin Gazmend Bardhi. Salianji në një prononcim për 'News24' ironizoi ministrin Fatmir Xhafaj, teksa mbante në duar një fletë të bardhë, ku shkruhej “Unë nuk jam Ervin Salianji”. Ai u shpreh se "sa mund të mohoj unë që jam Ervin Salianji, aq mund të mohoj Xhafaj që audio-përgjimi nuk është i vërtetë". Salianji ka zgjedhur pikërisht këtë taktikë diletante, teksa i drejtohet prokurorisë për çështjen e audio-përgjimit, ku implikohet vëllai i ministrit të Brendshëm , Fatmir Xhafaj. s.a/dita |
Ardi Veliu në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Posted: 21 May 2018 01:18 AM PDT
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka shkuar paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije për tvklan se Veliu zhvilloi takime në Prokurori në kuadër të hetimeve për sasinë prej 613 kg kokainë që u kap në Portin e Durrësit. Në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ardi Veliu ndodhej së bashku me partnerë ndërkombëtarë për të bërë analizën e dosjes së kokainës dhe hetimeve që po zhvillohen për këtë çështje. Për sasinë rekord të kokainës që u sekuestrua më 28 Shkurt në Durrës është arrestuar Arbër Çekaj, pronari i kompanisë së bananeve që kishte bërë porosinë nga Kolumbia. Lënda narkotike ishte fshehur pikërisht në një konteiner të mbushur me banane. Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 Maj pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe pritet që të ekstradohet në Shqipëri. Të arrestuar për këtë trafik ndërkombëtar droge janë edhe Armand Pezaku dhe Donald Lushaj, të cilët pritën ngarkesën në port. Për shkak të zhvillimeve intensive për këtë dosje, Ardi Veliu zhvilloi takime pune në Prokurori për të bashkërenduar hetimet mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim edhe me partnerë ndërkombëtarë. Në këtë takim nuk ka qenë e pranishme drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. l.h/ dita |
Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët, rritet arkëtimi i gjobave Posted: 21 May 2018 01:13 AM PDT Në katër muajt e parë të vitit përmbarimi ka ekzekutuar 104 raste gjobash të vendosura ndaj zyrtarëve. Shifrat i ka bërë publike Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, (ILDKPKI). "Për këtë periudhë të vitit janë ekzekutuar tërësisht 104 raste në vlerën 15.8 milionë lekë nga të cilat në 70 raste në vlerën 11 milionë lekë kanë kaluar në llogari të të ardhurave të ILDKPKI. Arkëtimi në favor të ILDKPKI i 34 rasteve të tjera të cilat përbëjnë vlerën 4.8 milionë lekë është në proces likuidimi. Po kështu të ardhurat e tjera vlerësohen në masën 23 mijë lekë" , thuhet në raportin e Inspektoratit ku analizohen të dhënat e shpenzimeve dhe të ardhurave. Shifra e ekzekutimit nga përmbarimi është të paktën 3 herë më e lartë sesa ajo e raportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur regjistroheshin në total 36 raste. Sakaq, ILDKPKI ka arkëtuar gjoba që janë paguar në mënyrë vullnetare nga zyrtarët; 25 raste me një vlerë prej 4 milionë lekë. Kjo tendencë është në rënie në raport me një vit më parë, kur vullnetarisht u paguan në arkën e ILDKPKI 77 raste gjobash me një vlerë 14 milionë lekë. Për periudhën janar-prill 2018, të ardhurat e Inspektoratit janë 15 milionë lekë. Këto të ardhura shkojnë në buxhetin e shtetit. ILDKPKI ka analizuar disa nga shpenzimet kyçe të saj, të cilat lidhen me funksionimin e institucionit, stafin prej 70 personash të punësuar pranë tij, blerjen e një seri mallrash dhe shërbimesh, si dhe programe të veçanta. Në raport me një vit më parë shpenzimet e ILDKPKI janë rritur me të paktën 12 për qind duke arritur në 41 milionë lekë./Monitor s.a/dita |
Greqia i refuzoi, negociatat për emrin e Maqedonisë zhvendosen në Nju Jork Posted: 21 May 2018 01:07 AM PDT
Pas refuzimit që i bëri Greqia propozimit "Republika e Maqedonisë së Ilidenit", si opsion për zgjidhjen e kontestit të emrit, më 24 dhe 25 maj në Njork do të zhvillohen bisedime të reja mes ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, në prani të ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz. Lajmin e ka bërë të ditura Ministria e Jashtme në Shkup ndërsa paraprakisht një gjë e tillë ishte kumtuar edhe nga pala greke, e të cilin e kishte kumtuar gazeta "To Vima". "Ky takim është i një rëndësie të veçantë për rrjedhën e bisedimeve. Ndoshta edhe shansi i fundit për përparimin pas dështimit të emrit 'Maqedonia e Ilindenit' dhe kthimin në tryezë të pesë emrave fillestar që ishin paraqitur nga ndërmjetësi Nimetz. Gjithsesi,si variante të mundshme mbeten emrat 'Maqedonia e Re' dhe 'Maqedonia e Epërme', dhe me siguri se bisedimet do të zhvillohet rreth këtyre skenarëve të mundshme", ka shkruar gazeta greke. Kryeministri grek, Alexis Tsipras u distancua nga propozimi "Maqedonia e Ilindenit", pasi ky emër ishte kundërshtuar nga nga të gjitha partitë në Greqi, me arsyetimin se paraqet vazhdimësi të tendencave irredentiste të Maqedonisë "Është për t'u përshëndetur fakti se pala tjetër në Shkup ka pranuar se nuk mund të ketë zgjidhje 'pa erga omnes', për të gjitha përdorimet. Megjithatë, ne i inkurajojmë fqinjët tanë, të vazhdojmë të punojmë së bashku që të gjejmë zgjidhje të përbashkët me përcaktim gjeografik ose kohor, siç është propozuar nga ana e negociuesit Matthew Nimetz", thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit grek Tsipras. Nga Qeveria e Maqedonisë kanë reaguar duke thënë se qëndrojnë pas propozimit të ri, si zgjidhje e mundshme dhe pranueshme nga opinioni i gjerë përfshirë edhe bashkësitë etnike. Por, reagime në opinion ka pasur edhe për shkak të emrit në shqip "Republika Ilinditase e Maqedonisë", të cilën për herë të parë e kumtoi kryeministri Zaev. Por, njohësit e çështjeve gjuhësore, akademikë, profesorë e intelektualë të ndryshëm kanë thënë se emri "Ilinditase" nuk ka asnjë kuptim në shqip dhe si i tillë paraqet vetëm se bastardim të gjuhës shqipe. Ata vlerësojnë se emri "Republika Ilindenska Maqedonija" në shqip duhet të jetë "Republika e Maqedonisë së Ilindenit" apo "Republika Ilindenase e Maqedonisë"./Rel l.h/ dita |
TURIZËM / Babai i familjes ua mbledh ashpër kalamajve: Nuk do ndalojmë për të ngrënë Posted: 21 May 2018 01:00 AM PDT
RRUGËS PËR NË VLORË – Kryefamiljari Çaço Këndezi, 48 vjeç, ndezi sinjalet, hapi krahun dhe e futi makinën në mjediset e një autogrilli diku në aksin Lushnje-Fier, duke ua bërë të qartë anëtarëve të tjerë të familjes se thjesht do të mbushnin naftë. Ngjarja ndodhi të shtunën paradite, pohojnë burime myzeqare namuzqare për Gojët e Liga, ndërsa deklarata solemne e shtetasit të Republikës së Shqipërisë Çaço Këndezi u bë në kuadrin e një ndalese gjatë udhëtimit me destinacion final Vlorën, ku familja do të kalonte fundjavën. "Kush do të shkojë në banjo, të nxitojë", theksoi Këndezi me autoritetin që e ka karakterizuar që në kohët më të lashta, duke parë nga e shoqja dhe dy fëmijët në sediljen e pasme. "Por 'ngjoni ktu, nuk do rrimë për të ngrënë," shtoi Çaço hijerëndë. "Do rrimë pak vetëm sa të mbush serbatorin!", ritheksoi burri me namuz, në mënyrë që askush, as djali Frenki, as vajza Uitni dhe as e shoqja Ballkize Këndezi të mos ushqente iluzione. Kulmi i lëshimit që bëri kryefamiljari me një zemërgjerësi të rrallë, ishte dalja jashtë makinës për pak minuta për çmpirë këmbët, thonë dëshmitarët. "Po ju hahet, keni mollët dhe bananet që ka marrë mami me vete", iu drejtua ai kalamajve të trullosur, duke shtuar prerazi, "duhet të jemi në rrugë për pesë minuta". Burimet bëjnë me dije se megjithë solemnitetin e qëndrimit të Çaço Këndezit, pas një vështrimi depërtues të së shoqes, burri ra dakord që kalamajtë të marrin nga një qese patatina dhe një kruasan. "Mmm, qenkan të mira. Jepi babit edhe një tjetër", u dëgjua zëri i pandryshueshëm autoritar i Çaços ndërsa nisi makinën.
Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e bindur se një burrë autoritar si Çaçua në shtëpi nuk i bën aspak keq familjes. |
You are subscribed to email updates from Gazeta Dita. To stop receiving these emails, you may unsubscribe now. | Email delivery powered by Google |
Google, 1600 Amphitheatre Parkway, Mountain View, CA 94043, United States |
Lexo edhe: