Skip to main content

“PD në foltoren e Kuvendit, Balla: Shqiptarët nuk duan fjalë, po vepra” plus 9 more - Gazeta Dita

“PD në foltoren e Kuvendit, Balla: Shqiptarët nuk duan fjalë, po vepra” plus 9 more - Gazeta Dita


PD në foltoren e Kuvendit, Balla: Shqiptarët nuk duan fjalë, po vepra

Posted: 31 May 2018 03:02 AM PDT

Teksa deputetët e opozitës ishin në foltoren e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kërkoi që të hiqej dorë nga diskutimet dhe të kalohej menjëherë në votim.

"Shqiptarët nuk duan fjalë, po vepra. Votoni sepse në secilën për zonat nga keni ardhur mezi presin investime nga rrjeti vaditës. Zoti kryetar i Kuvendit dua t'ju kërkoja të hiqnim dorë nga diskutimet dhe të kalojmë menjëherë në votim", tha Balla.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi pranoi propozimin e Ballës duke kaluar menjëherë në votim, teksa opozita vijonte të fliste në foltore.

Pas votimit maxhoranca është larguar nga salla.

Seanca plenare është ndërprerë sot nga kryetari i Kuvendit katër herë.

s.a/dita

367 mijë shqiptarë aplikuan për Lotarinë Amerikane

Posted: 31 May 2018 02:52 AM PDT

 

Statistikat e reja të publikuara nga Departamenti i Shtetit tregojnë se gati 13% e popullsisë provoi fatin duke aplikuar për lotarinë amerikane, dhe aplikuesit janë shtuar nga viti në vit.

Nga Gjergj Erebara / BIRN

Në sezonin e vitit 2018 të lotarisë amerikane shqiptarët duket se thyen një rekord të ri duke plotësuar 189 mijë aplikime për 367 mijë aspirantë për emigrim, me një rritje të konsiderueshme me vitet e shkuara, bëhet e ditur nga statistikat e reja të publikuara nga Departamenti i Shtetit.

Më pak se 4500 shqiptarë u shpallën fitues të lotarisë për këtë vit, me një rritje të konsiderueshme nga 2400 të zgjedhur në vitin 2017.

Numri i vogël i përfituesve nuk i ndaloi shqiptarët të ëndërrojnë.

Në vitin 2015, shqiptarët patën mbushur 100 mijë aplikime për 200 mijë persona, ku te shifra e dytë përfshihen edhe familjarët e aplikantëve.

Në vitin 2016, numri i aplikantëve bashkë me familjarët e tyre u rrit më tej në 246 mijë ndërsa në vitin 2017 kishte 162 mijë aplikime për afro 316 mijë vetë. Viti 2018 duket se shënoi rekordin historik në këtë drejtim me 376 mijë aplikime.

Departamenti i Shtetit i publikon statistikat e aplikimeve një herë në tre vjet. Shqipëria rezulton një nga vendet me më shumë aspirantë për emigrim në SHBA nëse merren parasysh edhe përmasat e popullsisë. Për shembull, Algjeria, e cila ka 40 milionë banorë, ka krahasimisht më pak aplikime se sa Shqipëria. Kongo-Kinshasa, një shtet i stërmadh me 78 milionë banorë, kishte gjatë vitit të kaluar 775 mijë aplikantë.

Lotaria amerikane është bërë gjithashtu gjithnjë e më popullore edhe në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar Kosova regjistroi 25 mijë aplikime për afro 52 mijë aspirantë, gjithashtu me rritje në ndjeshme me pak vite më parë. Maqedonia pati shifra të ngjashme, 24 mijë aplikime për 47 mijë aspirantë ndërsa Serbia pati 30 mijë aplikime për 53 mijë shtetas. Edhe numri i aplikantëve nga Greqia është në rritje, megjithëse në shifra të ulëta. Gjatë vitit të kaluar kishte rreth 7 mijë aplikime nga Greqia për 13 mijë persona.

I gjithë Ballkani ka njohur emigrim masiv përgjatë dekadave të fundit, por Shqipëria duket se mban rekord si për sa i përket numrit të atyre që ikën, ashtu edhe sa i përket numrit të atyre që ëndërrojnë ende të ikin.

a.s/dita

Në kërkesë të një seance plenare normale, Ruçi gjen zgjidhjen

Posted: 31 May 2018 02:49 AM PDT

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka vendosur sot që rruga e vetme për të zhvilluar një seancë normale plenare është ajo e të lënurit pa internet opozitën.

Në foton e mëposhtme mund të shihet se në sallën e seancës plenare është ndërprerë lidhja që mundëson internet, ndërkohë që, opozita nuk është se është ndalur së raportuari fjalimet e saj përmes rrjeteve sociale.

Pak më parë, Ruçi iu drejtua me ironi deputetit demokrat, Edi Palokës se “ju erdhi ora e Facebook-ut, vazhdoni në Facebook”, duke nënkuptuar se tashmë i kishte përfunduar minutazhi i fjalimit në seancë.

s.a/dita

Kujtesë për luftëtarin Mane Nishova

Posted: 31 May 2018 02:48 AM PDT

 

Nga Bashkim Koçi

Mu përgjëruan dy luftëtarë të luftës së Dytë Botërore, Mustafa Bakiasi dhe Qemal Bego, të dy mbi 90-vjeçarë, të cilët, pavarsisht nga njëri tjetri, më kërkuan të shkruaja për Mane Nishovën, një nga pjeswmarrësit e dyfishtë nëpër luftra, atë të Spanjës dhe atë tonën, nacionalçlirimtaren.

Jeta e Mane Nishovës  është plot çudira, të thëna e të pathëna, nga ato që, kur njihesh me "marrëzitë" e tij, të nisura që në vogëli,  herë-herë të duken ëndërra, ëndërra që nuk kanë lidhje  me  njeriun, të cilit zoti ia dha jeta për t'a jetuar. Ai për sa jetoi nuk i hodhi hapat andej nga e shpinte shtegu, por çau e shkoi andej nga nuk kishte shteg. E di pse? Sepse Mane Nishova ngado që të shkonte dëshironte të linte gjurmë.

E, kur "lexon" jetën e njeriut Mane Nishova, ndjehesh sikur shfleton një nga ata librat që të mbërthejnë, që s'e lëshon dot pa ia lexuar edhe faqen e fundit të fletës së fundit. Ai paska lindur në vitin 1908 në një fshat të Nahijes së Beratit, në Nishovë. Rrënjët e fisit të tij janë edhe më të thella, nga Goxhabellinjtë e Gramshit të Tomorricës, andej nga kishte prejardhjen edhe arkitekt Kasëmi, kryearkitekti që bëri epokë në një perandori të tërë. Këtu na duhet të bëjmë një sqarim të vogël sepse lexuesi i këtyre radhëve edhe mund të çoroditet, madje edhe të pyesë: Ç'lidhje ka Gramshi, fshati nga ka origjinën arkitekt Kasëmi, me Nishovën, e cila ndodhet me dhjetra kilometra larg tij? Gramshi, për të cilin bëjmë fjalë, mori të tatëpjetën, u shpërbë, në kohën e shthurjes së spahillëkut, ku një pjesë e bejlerëve dhe spahinjve humbën pronat e tyre. Pas shthurjes së sistemit të Spahinjve, Gramshi u bë fije-fije. Shumë familje  shkuan në Turbohovë, fshat shumë afër Gramshit, pjesa tjetër më e kamur shkoi në Prrenjas, Mëlovë dhe Zaloshnjë, përtej lumit të Tomorricës; familje  të tjera u vendosën në nahijen e Beratit, në Novaj, Nishovë, Kapinovë etj. Me dy fjalë Koxhajt e Nishovës janë kushërinj të largët të Goxhaj-ve të Gramshit të dikurshëm të Tomorricës.

Por le të vijmë aty ku e nisëm, tek Mane Nishova (Koxhaj) tek ai që, ashtu si arkitekt Kasemi çuditi një perandori të tërë, ky do të linte nam si luftëtar internacionalist në Spanjën e largët, tutje në gadishullin Iberik.

Që i vogël Mania kishte ndjerë  në zemrën e tij dy gjëra kundërthënëse: Tmerrin e jetës dhe harenë e jetës. Të parën, pra tmerrin, e pa me sy, e ndjeu në të gjithë qënien e tij që kur ishte kërthi, i parritur mirë, atëhere kur u sistemua me punë si pastrues në zyrat e administratës Austro-Hugareze në fshatin Konak të Tomorricës, atëhere qëndër administrative e zonës. Ja, ky pastrues zyrash, duke parë se aty, në ato mjedise që i pastronte me fshesë, hynin e dilnin, qarkullonin  njerëz të kënduar, edhe pse ishin rracë e huaj, dhe aty gjendeshin si pushtues, i lindi dëshira të bëhej si ata, i shkolluar, por vetëm në gjuhën shqipe. Nga të dhënat e jetëshkrimit të tij mësuam se Mane Nishova, gjatw atyre viteve, paska mbaruar katër klasë në shkollën e fshatit Vërzhezhë, fshat goxha i dëgjuar në ato vite si qëndër mësimi e shkollimi.

Një jetë me kuptim të plotë nuk është duke qënë i pasur, duke qënë i njohur, duke qënë shumë i arsimuar ose i përsosur. Bëhet fjalë për të qënë i vërtetë, i drejtë dhe i përulur, në gjendje për të ndarë gëzimin apo hidhërimin me të tjerët, pra të prekin jetën e të tjerëve. Vetëm atwherë ne mund të kemi një jetë të plotë. Mane Nishova e paskësh bërë të tijën këtë mënyrë të jetuari, pra të ishte i drejtë e i përulur për të tjerët, që në ditët e para kur u njoh me revolucionarin Riza Cerova. Kur binte fjala për rrugën që kishte ndjekur si luftëtar, apo edhe faktin që u bë pjesë e Brigadave Internacoinale në luftën e Spanjës, ai thoshte me plot humor se e kishte patur peshqesh dhe e kish marrë "më qafë" Riza Cerova.

Kush mbyll sytë e veshët ndaj britmës së të varfërit, të të shtypurit, të deskriminuarit një ditë do të bërtasë edhe ai, por nuk do t'i përgjigjet kush. Mane Nishova e kishte mësuar këtë këshillë të vyer nga bashkëluftëtarët, nga miqtë e shokët që iu bashkua me dëshirë të zjarrtë për sa qe gjallë. Atë e gjejmë në të gjitha lëvizjet revolucionare të kohës, por edhe si pjeswmarrës e përkrahës i vendosur i progresit shoqëror. Vetëm për këtë, që ai nuk doronte padrejtësitë, kapadillëkun e një shteti të kalbur, i lindëte e drejta të motivonte  veprimet që binin ndesh me regjimin.  Gjatë këtyre viteve, pra në dhjetvjeçarin ku shumë patriotë  sakrifikuan edhe jetën, siç  e la të shkruar Riza Cerova "për popullin fukara", Mane Nishova e pa tre herë derën e burgut nga regjimi i oborrtarëve anadollakë.

Ndoshta nga ndjekja që u bëhej elementëve përparimtarë, por edhe në kërkim të një jetë më të mirë e më të sigurt, Mane Nishova mori rrugët e mërgimit. I mërguar ekonomikisht dhe politikisht. Ishte viti 1924, në Francë, kur ra në kontakt edhe me Kahreman Yllin e patriotw të tjerë. Punonte  në minierat e nxjerrjes së qymyrgurit. Por, "zanati" që kish marë që në rini të tij nuk mund ta harronte, madje bëri përpiekje për t'iu përshtatur nivelit të lëvizjeve përparimtare në shtetin francez. Kontaktet me njerëz të ditur e që ishin inkuadruar në shoqata e organizma të nivelit evropian, siç ishte KONARE, ndikuan dukshëm në ngritjen e nivelit politik e vetëdijes për të kryer punë të mëdha. Në ato vite duket se tek Mania shpërtheu  hovi krijues, duke u bërë njeri i ndikuar me ndjenja e ide të fuqishme përparimtare.

Vitet '36 Mane Nishovën e gjejmë në Kuçovë, aty ku shoqëria "Puna" e mbajti afër si njeri me aftësi të veçanta organizuese.  Bashkëkohësit thonë se programin  shoqërisë "Puna" ua dha Mania të gatshëm, të cilin  ai e kishte sjellë nga Franca e që ia kish dhënë  me dorën e tij patrioti Halim Xhelo në vitin 1935.

Ishin idetë përparimtare që e kishin bërë për vete, por tek ky djalë i ri njerëzit që e rrethonin, kryesiaht bashkëluftëtarët, shikonin që në bisedat e këtij djaloshi  dominonte nxitja  për të ndërmarë  veprime konkrete. Jo se ishte i shpejtuar, por nga "mospërmbajtja" për t'i dhënë grushtin e fundit një regjimi që duhej përmbysur, qoftë edhe me gjak, të jepte përshtypjen se ai kishte marë përsipër për të ndryshur botën. Ca gjëra Mania i kishte nga vetja, por ai, gjë të cilën e përsërishte shpesh, shpirtit të tij ia kish vënë "fitilin e zjarrit" Riza Cerova kur ky i fundit i kish vajtur në shtëpi, në Nishovë, për të krijuar "grupin edukativ" për kompaktësimin e fshatit, por edhe për të qënë të gatshëm për përkrahjen dhe pjesmarrjen në Lëvizjen e Fierit të muajit gusht të vitit 1935.

Pas dështimit të Kryengritjes së Fierit, shumica e organizatorëve  përfunduan nëpër burgje dhe morën dënime maksimale, por jo pak, përfshi edhe Mane Nishovën, u largaun jashtë atdheut për t'u shpëtuar  ndjekësve të mbretit Zog. Mania mbriti aty ku e gjente veten më të favorizuar, aty ku e ndjehej "si  në shtëpinë e vet", për çka  ia kish përkushtuar jetën, në Lion të Francës ku edhe e prisnin drejtues të KONARE-s.

Kur diku të çfaqet një dritëz, aq më tepër kur mendon se gjithçka është shuar, njeriu bëhet me krah. Për Mane Nishovën  kjo "dritëz" ishte ngritja në këmbë e të gjithë botës për të shpëtuar Republikën e Spanjës. Shumë shpejt shkoi atje, në fillim të vitit 1937, dhe u bë pjesë e brigadave Internacionale, ashtu si shumë djelmosha shqiptarë, të cilët, në një mendje  si ai, kishin ardhur për të luftuar, ndoshta edhe për të dhënë jetën. Ashtu si ndodhi në të vërtetë. Mania u bë mik dhe bashkëluftëtar me Musa Fratarin, Asim Vokshin, Ramiz Varvaricën, Mehmet Shehun, Veli Dedin, Petro Markon, etj. Ky i fundit, pra Petro Marko, e vendosi si personazh të librit të mirënjohur "Hasta la Vista" dhe e mbajti  mik "për kokë" përsa qe gjallë.

Në luftën e Spanjës, djemtë që kishin ardhur nga Shqipëria çfaqën virtytet më të mira, si trima e si njerëz të kënduar, të konkretizuara këto në betejat që u zhvilluan dhe mjetet e propagandës të luftës, gazeta "Vullnetari i Lirisë" dhe radiot Albaceta e Valencia, e pak më vonë në radio Brcelana e atë të Madridit. Dhe aty ballafaqimi ishte i drejtëpërdrejt, që merej vesh nga më shumë se 35 mijë vullnetarë të lirsë të ardhur nga 53 shtete të botës.  Në gazetën "Vullnetari i Lirisë", në një nga numrat e saj, në nëntor të vitit 1937,  ku përkujtohej 25 vjetori i Pavarsisë, në artikullin e shkruajtur nga Mane Nishova, thuhej: "Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarsisë së kombit tonë. Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste. Për të shpëtuar duhet t'u japim grushtin e vdekjes feudalizmit e fashizmit."

Lufta që shpërtheu në Spanjë, e cila u zhvillua midis muajit korrik të 1936 dhe prill 1939 përfundoi me humbjen e çështjes republikane, duke përfunduar në vendosjen e diktaturës së Frankos. Vullnetarët e lirisë, të ardhur nga e gjithë bota, u larguan për në vendet e tyre dhe, bashkë me ta, edhe shqiptarët.  Katër nga vullnetarët, “Heronjtë e popullit”. Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, Musa Kame-Fratari e Asim Vokshi "mbetën atje", duke e dhënë jetën për diçka të madhe, siç ishte shpëtimi i popujve nga murtaja fashiste. Personazhi ynë, Mane Nishova, përfundoi në kampin famëkeq të Francës ku qëndroi deri në fillim të vitit 1942. Pas largimit nga kampi frances kaloi kufirin për në Itali. Aty bje në duart e policisë italiane, por pas pak ditësh do ta gjente veten në qelitë e kuesturës së Tiranës. Me ndërmjetësinë e miqve, në nëntor të vitit 1942, u lirua nga burgu.

Si çdo shenjtor ka një të kaluar edhe "shenjtori"  ynë Mane Nishova ka të kaluarën e tij, të cilën, siç është lufta e Spanjës, ai i ka lënë kujtime të shkruara. Këto ditë më ra në dorë një libër, "Lufta e Spanjës", botim i vitit 1959, pra i shkruar 60 vjet më parë.  Aty "ishte" edhe Mane Nishova. Shkruan për luftën, atje në brigjet e Ebros. "Mendoj: si  kaluan gjithë këta muaj, si kaluan tërë këto luftra të ashpëra? Shumë shokë të dashur nuk i shoh më. Ata ranë me nder pëgjithnjë në gjirin e tokës spanjolle, në kodrat dhe në brigjet e saj të ngrohta me diell dhe të veshura me ullinj, portokalle dhe vreshta, në frontin e luftës në Madrid, Aragonë, Teurrel, Estremandurë, Kaspe dhe në Kandesa. Shikoj lumen Ebro që shkon i heshtur. Ai ka parë shumë gjatë shekujve, ka parë legjionet romake, kartagjenase, arrabe dhe ushtrinë e Napoleonit që kanë shkuar atje po me qëllime të kundërta me tonat". I lexoj, e përfytyroj, aq sa mundem,  vuajtjen shpirtërore të këtij luftëtari dhe, përse të mos e them: ndjem më shumë se çjam për çka kanë bërë bashkëkombasit e mij për kombet e tjerë.

Përvojën e luftës në brigadat Internacionale  të Spanjës, Mane Nishova e bëri pjesë të luftës nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë në vendin e tij. Ai, sapo doli nga qelitë e burgut të kuesturës  së Tiranës, u inkuadrua menjëherë në formacionet partizane, në fillim komisar i Çetës së Skraparit e më pas, komisar e Brigadës së X-të Sulmuese. Shtëpia e tij në qytetin e Beratit  u bë strehë për luftëtarët  heronj, motër e vëlla, Margarita e Kristaq Tutulani, për Ajet Xhindolen e të tjerë djem e vajza beratase. Kanë kaluar dhjetra dekada, por hija që ka lënë i miri Mane Nishova në Berat, ndjehet edhe tani, duke përfytyruar tek ai burrë njeriun që sakrifikonte për të tjerët. Dhimbjen për tjetrin, gjindjen pranë të vobegtit apo pranimin e ndjenjës së fajit, për këtë njeri të bredhur e të ditur, ishte shënjë e qënies së përsosur, siç është njeriu.

Mane Nishova kurrë nuk punoi e luftoi për t'u dukur, për ta marë grada e tituj edhe pse për këtë personalitet të jshtëzakonshëm ishin plotësisht të merituara. Tregon një fakt i cili flet sa për qindar faqe të shkruara për qëndresën, si njeri me karakterit të fortë. Atij, në qeverinë e ngritur pas luftës, iu propozua të mbulonte detryrën e zv/ministrit në Ministrinë e Punëve të Brenëshme. Jo, nuk mund ta bëj dot, paskësh kundërshtuar Mane Nishova. Jo, nuk mund të bëhem ndjekës i atyre që deri dje më ndoqën mua.

Qëllimi i jetës, për njerëz të vërtetë, është të tregojnë vullnet për të ndihmuar të tjerët. Për këtë Mane Nishova ishte model. Në të gjitha detyrat e larta që kreu, të parën gjë që kishte në krye të punëve ishte: t'u gjendej pranë njerëzve të thjeshtë. Për disa legjislatuara të Kuvendit Popullor, ai e përfaqësoi denjësisht Nahijen e Beratit.  Ishte merita e këtij burrri, thotë "Mësuesi i Merituar" Asqëri Koxhaj, njeri i afërt i tij,  që në fshatin e tij të lindjes, në Nishovë, të ngrihej shkolla 7-vjeçare, nga të parat në qarkun e Beratit. Ai shpesh i kthehej të kaluarës me qëllim që ajo të shërbente për të zgjuar të ardhmen. Besoj se nuk ka qënë rastësi që ky njeri i dhimsur e i gatshëm për të ndihmuar njerëzit, të zgjidhej dhe të qëndronte në krye të Kryqit të Kuq Shqitar për shumë vjet pa asnjë shkëputje. Nuk ka qënë rastësi, gjithashtu, që me inisiativën e tij të themelohej Organizata e Veteranëve të LANÇ-it. Në kongresin e tretë të kësaj organizate, i cili u mbajt më 5 korrik të vitit 1958, Mane Nishova u zgjodh delegat për të përfaqësuar Shqipërinë në Kongresin e Paqes që u mbajt në Stokholm.

Mane Nishova  bëri punë të mira edhe sepse e donte atë që bënte. Për këtë ka marë vlerësime të larta, si të luftës,  të punës dhe pas fillimit të proceseve demokratike tw viteve '90, është shpallur  "Qytetar Nderi" i Poliçanit dhe i Qarkut të Beratit.

 

554 vjet më parë: Liria si testamenti i bashkimit

Posted: 31 May 2018 02:43 AM PDT

 

"Lirinë s'e solla unë, atë e gjeta midis jush" – Skënderbeu

Nga Moikom Zeqo

Të shikosh mbas 554 vjetësh një dukuri të mrekullueshme dhe jashtëzakonisht të mençur të historisë kombëtare të shqiptarëve, siç është tubimi i Kuvendit të Lezhës në 2 mars 1444, do të thotë të shikosh një nga thelbet më të mëdha të vitalitetit dhe të mbijetesës së kombit, për të kuptuar sërish, në mënyrë shumëdimensionale, të kaluarën si prapavijë të lavdishme dhe krenare për të ardhmen, pa asnjë frikë dhe kompleks nga "horroi vaqui" ("frika nga boshllëku").

Shekulli XV është "shekulli i Skënderbeiadës" i Eposit të Lirisë.

Shekulli XV është shekulli i Shpatës, po edhe shekulli i Mendjes, emancipimit të vetëdijes.

 Kuvendi i princërve dhe prijësve shqiptarë, me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun, në Lezhë, qe personifikimi i mendjes, e cila projektonte çerekshekullin e fitoreve të shpatës, kundër vërshimit të kuçedërshëm osman, nga më kobzinjtë në historinë e njerëzimit.

Kuvendi i Lezhës qe kryevepra konceptuale e shqiptarëve.

Pa Kuvendin e Lezhës Skënderbeu nuk do të qe kurrë ai, që u bë.

Në rrethimet apokaliptike të Krujës mbrohej pikërisht figura bashkuese dhe frymëzuese e Lezhës.

 Nuk duhet harruar kurrë, se këto dy emra emërtonin tërë emrat e shqiptarëve, jo vetëm në shekullin XV, po edhe përtej këtij shekulli.

                                ***

Kuvendi i Lezhës do të fitonte kështu atributet e simbolit vigan, të përsëritshëm në shekujt e së ardhmes, përherë diellandritës, përherë të pashuar e të panemitur kurrë.

Historianët, specialistët e Shqipërisë mesjetare kanë shkruar jo pak për Kuvendin e Lezhës, por një rivlerësim më i plotë, më i shumëanshëm, më zhbirues dhe sidomos në rrafshin krahasues ballkanik e europian është më se i domosdoshëm.

 Vetëm kështu karakteri analitik, shpjegues i dijes historike bëhet sintezë, vijimësi sinkronike.

Mendoj, se Kuvendi i Lezhës duhet parë në substancë nga disa pika vështrimi.

1-Shqiptarët arritën te ideja e Kuvendit të Lezhës jo rastësisht.

 Në shek. XII-XIII dokumentat flasin për Shtetin e Arbërit.

Një figurë e madhe historike e pandriçuar ende, për fat të keq, nga historianët, Dhimitri i Arbërit, në 1209, quhet nga Papa Inoçenti III si kryezot dhe "gjykatës i arbëreshëve" ("judex").

 Në një dokument, tepër të rëndësishëm, Dhimitri nënshkruan si i pari i 15 bujarëve të lartë arbëreshë, që i quan "njerëzit e mi" ("homines mei").

 Ky, është me sa dimë, akti i parë i një shteti kombëtar shqiptar, pra, i një bashkimi centrifugal, që synon mënjanimin politik të partikularitetit feudal.

Kjo parakupton një marrëveshje.

Më 21 shkurt 1272 shpallet, ndonëse, nën siglën anzhuinase, "Regnum Albaniae" ("Mbretëria Shqiptare") që bashkon në një modus vivendi princërit dhe bujarët shqiptarë, emrat e të cilëve, në shekullin XIV stolisën stemat heraldike të principatave të pavarura shqiptare.

Si Shteti i Arbërit, si Regnum Albaniae përfaqësojnë njësi bashkimesh, pra, konvergjimesh, uniciteti, nën guaskat, që i mbështillnin, duke respektuar në thelb, një histori të brendshme, të vënë në reliev nga kontaktet e jashtme, pavarësisht nga siglat.

Të habit fakti, që një mendje e ndritur si Faik Konica, e ka kapur i pari këtë "kuptim të fshehur" të ngjarjeve domethënëse të historisë së jetës shtetërore të shqiptarëve të mesjetës.

 Shembulli konician duhet t'i inkurajojë hulumtimet në këtë drejtim, që historiografia për gjysëm shekulli i ka bishtnuar.

2- Shekulli XIV afirmon partikularitetin e principatave shqiptare, duke mos arritur në konvergjime më të mëdha. Balshajt, Topiajt, Muzakajt, Buajt, Shpatajt, etj., duke forcuar autonomitë vetiake përgatitën, megjithatë, idenë e shtetit të ardhshëm shqiptar, të epokës së postprincipatave. Ata përfaqësojnë kostelacionin paraskënderbejan.

 Sfidantë të tmerrshëm, rebelë, dinakë, luftëtarë të talentuar, ata u viktimizuan shpesh, pikërisht, nga mungesa e kodit të lidhjes midis tyre.

Pësimi i tyre u përsërit në histori edhe me rastin e mosmarrëveshjeve të Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatllinjve, shekuj më vonë, duke krijuar mitin e përçarjes së shqiptarëve.

Megjithatë e kemi një bashkim shqiptar, nën Balshajt, që e dëshmonte edhe mbishkrimi i Epitafit si mbiquajtur si i Gllavincës, në 1373, që nënvizonte kohën e zotërve "të gjithë Shqipërisë" që siç e ka analizuar Fan Noli zgjati deri në vitin 1379.

Bëhet fjalë për hapësirat etnike të shqiptarëve, dhe sipas fjalëve të Nolit "u ngjall një perandori iliriane, e cila ishte të paktën pesë herë më e madhe se sa Shqipëria e Konferencës së Londrës më 1913".

Shteti efemer,por i madh i Balshajve nuk pati jetë të gjatë.

 Po dukuritë e principatizmit shqiptar do të zhdukeshin përballë rrezikut të pushtimit osman, që depërtoi në Ballkan.

Disfata e koalicionit ndërballkanik, ku shqiptarët morën pjesë, në Betejën e Fushë Kosovës, në 1389, vuri në territoret shqiptare alternativën e rëndë e tragjike të pushtimit të huaj aziatik.

 Kryengritjet e Gjergj Arianitit dhe të Gjon Kastriotit u përshëndetën nga Europa e shqetësuar dhe përgatitën epokën skënderbejane, bazuar në idenë e anticipuar të bashkimit.

3- Në planin e brendshëm Kuvendi i Lezhës qe marrëveshja e madhe për t'u ngritur mbi partikularitetet, pra, shënon fundin e epokës së principatave.

 Rreziku i luftës, interesat kombëtare dhe ekzistenciale të përbashkëta krijuan projektin e koncentrizmit të forcave.

 Skënderbeu si "primus inter pares" u zgjodh Kapiteni i Përgjithshëm ("Capitaneus generalis").

Princërit shqiptarë krijuan me të, atë raport, që kishte dhe Dhimitri i Arbërit kur i quante bujarët e shekullit XIII "homines mei".

 Po ky raport, për shkak të përmasave të luftës, do ta lartësonte përherë e më shumë Skënderbeun si Zot i Shqipërisë ("Domines Albaniae").

 Ideja e bashkimit është ideja e konvergjimit, e krijimit të shteteve kombëtare, ide kjo tepër novatore e fundit të Mesjetës dhe e epokës së Rilindjes Europiane.

Që më përpara se sa Makiaveli ta bënte formulimin e shteteve kombëtare si teori për Europën, Kuvendi i Lezhës e mbartte mesazhin e vet, duke e bërë flamurin e shqiponjën dykrenare të Skënderbeut simbolin heraldik të krejt kombit shqiptar.

 (Të mos harrojmë se bashkimin fjala vjen të Italisë dhe të Gjermanisë përkatësisht Garibaldi dhe Bismarku e aspiruan dhe luftuan ta realizojnë shekuj më vone , ne shekullin e XIX).

 Kuvendi i Lezhës shpaloste një ide novatore në rrafshin europian.

Ky aspekt ndërkombëtar i tij nuk duhet mohuar.

 Në rrafshin ballkanik vetëm shqiptarët e bënë një Kuvend të tillë, kaq rezultativ, çka nuk e bënë dot popuj të tjerë të gadishullit, me përjashtim të hungarezëve etj.

 Në këtë kuptim Milan Shuflaj ka shkruar se "luftëtari më i tmerrshëm, që krijoi përgjithësisht përledhja e Europës me turqit, qe Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ky dhe për së gjalli u madhërua prej Europës Perëndimore me legjenda të ndryshme burrërie". Skënderbeu si luftëtar dhe strateg gjenial shkëlqeu në histori, sa që edhe vetë Napoleon Bonaparti në kujtimet e tij të shkruara në Shën Helenë e quan kryetrimin shqiptar si një nga ushtarakët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Skënderbeun e shoqëroi dhe gjenia e politikanit, që nisi dhe u pezmatua, pikërisht, me Kuvendin e Lezhës.

4- Në planin e jashtëm Kuvendi i Lezhës, si në rastet e paraardhësve të Shtetit të Arbërit dhe të Regnum Albaniae, që midis Perëndimit europian dhe Lindjes bizantine zgjodhën Perëndimin, bëri gjithashtu një zgjidhje të saktë jetike dhe strategjike: dmth lidhjen me Perëndimin kundër Lindjes, ku bizantizmi qe zëvendësuar nga otomanizmi, egërsisht i fuqishëm dhe fatal. Skënderbeu dhe bashkëkohësit e tij konfirmuan shkëlqyeshëm statusin europian të Shqipërisë.

 U lanë pasardhësve shembullin aktual të integrimit përfundimtar në Europë.

5- Vektori europian i padiskutueshëm i Kuvendit të Lezhës ja fuqizonte rezistencën dhe mbijetesën Shqipërisë. I krijonte lidhjet e mëdha me qytetërimin europian në aspektin kulturor, humanist, po edhe në aspektin fetar të krishterë.

 Sepse lufta titanike e shqiptarëve për liri u përjetua edhe në kuadrin e konfliktit madhor midis krishterimit dhe islamizmit, ndonëse nuk u fundamentalizua asnjëherë.

 Po që vektori europian qe edhe i krishterë kjo nuk duhet mohuar, po dhe as vulgarizuar.

 Kjo shpjegon pse, Skënderbeu u metafaforizua si "Atlet i Krishtit" dhe akoma dhe sot është emri shqiptar, që e lidh Shqipërinë me Europën më shumë se çdo emër tjetër. Kuvendi i Lezhës është dhe mbetet një guidë e Shqipërisë.

6- Mund të thuhet, se pa Kuvendin e Lezhës, ndoshta, s'do të kishim sot kombin shqiptar.

Kuvendi i Lezhës pati disa edicione të tjera në historinë tonë, po aq madhore: Lidhjen e Prizrenit, Kuvendin e Vlorës, Konferencën e Pezës.

 Këto janë stacione të vetëdijes së kombit.

7- Gjatë këtyre 554 vjetëve kombi shqiptar ka përjetuar ngjarje nga më të çuditshmet dhe më të rëndat. Ai ka përjetuar gjithashtu copëtimin e 1913, që shqiptarët nuk e kanë merituar kurrë.

 Kuvendi i Lezhës është ende sot një dëshmi e marrëveshjes dhe konsensusit të institucionalizuar kombëtar.

Deformimi i pluralizmit, ku partitë shpesh luajnë rolin e principatave, duke mos vënë në plan të parë marrëveshjen, po konfliktin, krijon një tjetër vonesë të pajustifikuar në histori.

8- Në kishën e Shën Kollit, ku u mbajt Kuvendi i Lezhës, u varrosën edhe eshtrat e Skënderbeut, si për të treguar pafundësisht, se pikërisht, origjina e unitetit kombëtar qe dhe sekreti i krejt epokës kastriotase, ku heroi identifikohet me kolektivitetin dhe esencën e kombit.

Si përfundim, Kuvendi i Lezhës pati rrënjë historike, ashtu si lëshoj dhe degë vigane në histori. Është simbol që ndërlidh epokat.

Kuvendi i Lezhës është një testament i patjetërsueshëm!

Botuar fillimisht në ZP, 25 shkurt 1994, 24 vjet më parë

Pas prokurës së ardhur nga Turqia, Komisioneri Publik: Pse duhet të vijojë Vettingu për Llallën

Posted: 31 May 2018 02:35 AM PDT

Në seancë e sotme dëgjimore të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik ka shpjeguar para gjyqtarëve arsyet përse vettingu për Adriatik Llallën nuk mund të ndërpritet.

“Adriatik Llalla kur ishte prokuror ka dërguar në KPK dokumentet për rivlerësim kur ishte në detyrë. Kjo trup ka nisur veprimet hetimore, ndërkohë që, Llalla më 24.1.2018 i ka dërguar letër KPK-së se nuk është më pjesë e drejtësisë, pas zgjedhjes se kryeprokurores së re. Në përgjigje të shkresës së tij, KPK i kthen përgjigje Llallës, duke e informuar se edhe pas përfundimit të mandatit ai ishte sërish magjistrat. KPK i ka thënë Llallës se vettingu ndërpritet vetëm kur jep dorëheqjen nga sistemi.

Llalla më 12 shkurt dërgon letrën e dorëheqjes te Presidenti i Republikës, ku shkruan se heq dorë nga të qenit magjistrat. Më 16 shkurt KPK ndërpret procesin e rivlerësimit për Llallën pas dorëheqjes së tij si magjistrat. Në rastin konkret, Llalla ka zgjedhur të mos i nënshtrohet vettingut. Por sipas nesh, KPK nuk mund ta ndërpriste vettingun. Pasi Llalla ishte magjistrat edhe ditën kur KPK ka vendosur të ndërpresë vettingun. Sipas ligjit, statusi i magjistratit mbaron kur subjekti jep dorëheqjen te Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i prokurorisë. Në kushtet kur këto dy institucione nuk janë ngritur akoma, ligji parashikon që duhet ta kishte dërguar dorëheqjen te KLD.”

Seanca e ditës së sotme u nis me prokurën e dërguar nga Turqia të Llallës, e përkthyer në shqip dhe me vulë apostile, përmes së cilës ai ngarkonte si përfaqësues avokatin Sokol Hazizaj.

s.a/dita

Matematicienët bëjnë kalkulimet: Finalja e Botërorit do të jetë Gjermani-Brazil

Posted: 31 May 2018 02:34 AM PDT

 

Kërkuesit e Universitetit të Insbrukut në Austri kanë llogaritur koeficientët e 26 kompanive të basteve të ndeshjeve të Botërorit dhe i kanë vendosur ato përballë statistikave të tyre, duke simuluar ndeshjet e mundshme dhe rezultatet.

Ata përdorën koeficientet e tyre si një bazë, por duke u hequr marzhin e llogaritur të fitimit.

Pastaj llogaritën probabilitetet e përballjes së një skuadre me një tjetër dhe i vendosën në një model kalkulimi që simulonte çdo variant ndeshjeje në një kompjuter. Dhe Brazili dhe Gjermania kanë dalë të parat, raporton Panorama Sport.

"Finalja më e mundshme, me një probabilitet 5.5% është Gjermani-Brazil dhe këta të fundit kanë shansin për t'u hakmarrë për gjysmëfinalen e humbur në 2014", tha një nga bashkautorët e studimit, profesori Akim Cailais.

Edhe pse kjo është finalja e mundshme, modelet e matematicienëve e patën të pamundur për të thënë se cila prej tyre do ta ngrinte trofeun. Por probabiliteti i "Seleçaos" për të triumfuar kundër "pancerave" është 50.6%, duke i lënë Gjermanisë 49.4%.

Simulimi i probabiliteteve të ndeshjes finale nga statisticienët është përsëritur me miliona herë. Pas Brazilit dhe Gjermanisë, dy ekipet e tjera favorite janë Spanja (12.5%) dhe Franca (12.1%). Gjysmëfinalja më e mundshme do të jetë Brazil-Francë (9.4%) dhe Gjermani-Spanjë 9.2%.

Rusia ka 28.9% shanse që të shkojë në çerekfinale, por shanset për të triumfuar në vendin e tyre i kanë vetëm 2.1%.

"Kompanitë e basteve duan të fitojnë sa më shumë para dhe koeficientët i vendosin në mënyrë sa më realiste që të jetë e mundur, duke marrë në konsideratë jo vetëm statistikat historike, por edhe shortin, madje edhe lojtarët e dëmtuar", shtoi profesor Cailais.

Kjo skuadër matematicienësh ka parashikuar saktë se Spanja do të triumfojë në Botërorin e 2010-ës, ndërsa në "Brazil 2014" parashikoi saktë tre nga katër ekipet gjysmëfinaliste.

a.s/dita

Fati i poetit!

Posted: 31 May 2018 02:25 AM PDT

Si një yll i zbehtë mes reve,

edhe ti poet do vuash,

se një ndjenjë-po s'e ndjeve,

e pamundur ta përshkruash!

Në fillim të vjeshtës tretë,

bien që të gjitha fletët,

dhe e shkreta moshë e tretë,

fillon herët për poetët!

Ndizen dhe fiken vullkanet,

nëpër shekuj pandërprerë,

po poeti është vullkani,

që ndizet vetëm një herë!

Nëse është poet vërtetë,

një dashnor i melodisë,

do ndizet në këtë jetë,

në moshën e dashurisë!

Është një gjë që unë e di,

sot tamam e kam kuptuar,

kryeveprat në rini,

gjithë poetët i kanë shkruar!

Në ritmin e poezisë,

ndihet fort ritmi i gjakut,

se zjarri i dashurisë,

s'e ngroh më kockën e plakut!

Po të zuri dashuria,

të hyn zjarri gjer në eshtër,

po kur të ikën rinia,

zjarri të duket gënjeshtër!

Bëre ç'bëre në rini,

e vulose fatin tënd,

dhe po bëre histori,

nga ato do mbahesh mënd!

Jeto kot-o i bekuar,

në çarkun e pleqërisë,

se kur zjarri të është shuar,

s'i këndon dot dashurisë!

Kur s'ke zjarr nëpër damarë,

shpirtin mos e mundo kot,

se zjarri rinisë së parë,

gjithë jetën s'të ngroh dot!

 

Rri me mua këtë natë!

Ku ta shkrij gjithë këtë akull,

këtë terr që po më mbyt,

për të shkrirë gjithë Antraktidën,

më mjafton veç trupi yt!

Rri me mua këtë natë,

këtë kohë që na mbeti,

na mjafton veç një krevat,

nga çdo gjë që ka qyteti.

Në një dhomë-në errësirë,

nuk ra zjarr,s'plasi dyfek,

po për dreq aty u dogj,

një krevat dhe një dyshek!

 

Ti…

Ti je për mua,

si asnjë tjetër,

që ma ngroh shpirtin,

si verë e vjetër.

Si verë e vjetër,

nga rrush i zi,

që s'më zë kurrë,

sado të pi!

 

Puthja…

Ngrihej mal Çezari,

mbi gjithë gjeneralët,

po kur puthte miken,

s'ish më me të gjallët!

Arben Duka

Përdhunoi dhe la shtatzënë 15-vjeçaren, dënohet me 4.8 vite burg

Posted: 31 May 2018 02:19 AM PDT

Libor Biba, 54-vjeçari që ka përdhunuar fqinjën e tij minorene, është dënuar nga Gjykata e Korçës me 4.8 vite burg.

Prokuroria kërkoi 8 vite burg për Bibën, ndërsa gjykata vendosi ta dënojë me 7 vite. Por për shkak se ai ka pranuar fajësinë për ngjarjen, ai përfitoi ulje në dënim.

Sa i takon minorenes, ajo mbeti shtatzënë nga ky përdhunim. Fëmija ka lindur tre muaj më parë dhe e ka lënë në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë.

Tashmë 16 vjeçe, ajo ka treguar më herët për Top Channel se është ndjerë e kërcënuar, pasi familjarë të 54-vjeçarit i vinin shpesh për vizitë, duke i kërkuar që ta falte.

s.a/dita

Paloka: ‘Laku’ ka ardhur te ministrat. Ruçi ndërpret për të dytën herë seancën

Posted: 31 May 2018 02:02 AM PDT

Seanca plenare e Kuvendit ka nisur ditën e sotme me akuza nga ana e deputetit demokrat, Edi Paloka dhe me bllokimin që opozita i bëri foltores.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka tërhequr disa herë vëmendjen Palokës se po i mbaronte koha, por ky i fundit nuk e la foltoren, duke detyruar Ruçin të njoftonte ndërprerjen e seancës.

"Kanë vetëm një hall dhe ky kuvend mblidhet vetëm për këtë hall, nuk bën asnjë orë punë Rama, 5 vjet vetëm ka mbrojtur krimin dhe interesat personale, se interesat e tij dhe të krimit janë një. Ka filluar duke mbrojtur kryetarët e bashkisë që vuri vetë të inkriminuar, deputetët e inkriminuar, sot laku i ka ardhur te ministrat, të parët janë të Brendshëm, të tjerët do të vazhdojnë më pas. Kam vetëm një pyetje, për atë që mban titullin e kryeministrit, që ua bëra edhe ju Ruçi: çdo të thotë kur ministri i Brendshëm përgjigjet për pyetjen a të kap ligji antimafia, ai përgjigjet teorikisht po, por praktikisht heshtje. E keni bërë prokurorinë si letër higjenike dhe e përdorni për çdo pisllëk që nxirrni ju", i është drejtuar Paloka Ramës.

Përpara se seanca të ndërpritej nga Paloka, Ruçi e ka ndërprerë fillimisht nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi.

Ajo e mori fjalën e para, por koha në dispozicion nuk i ka mjaftuar për të përfunduar fjalën e përgatitur. Kreu i Kuvendit duke zbatuar rregulloren, i ka ndërprerë fjalën, por Vokshi ka kërkuar që të flasë sërish.

Pas replikave mes Vokshit dhe Ruçit, deputetët e opozitës janë ngritur dhe kanë bllokuar foltoren në shenjë proteste, pasi sipas tyre u ndërpre fjala pa të drejtë.

Ndërkohë që, Partia Demokratike dhe Basha nëpërmjet ‘Facebook’-ut, ka pasqyruar fjalën e Vokshit, e cila i ka bërë thirrje Ramës për t’i kërkuar falje gazetarit Kasmi për dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës së zhvilluar më 26 maj.

Deputeti Edi Paloka drejtpërdrejt nga Kuvendi i Shqipërisë.

Publiée par Lulzim Basha sur jeudi 31 mai 2018

s.a/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more