Skip to main content

“Kapet me 20 doza heroinë, në pranga 46-vjeçari në Vlorë” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Kapet me 20 doza heroinë, në pranga 46-vjeçari në Vlorë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Kapet me 20 doza heroinë, në pranga 46-vjeçari në Vlorë

Posted: 31 May 2018 12:55 AM PDT

Një 46-vjeçar është arrestuar sot në Vlorë, pasi është kapur në flagrancë duke trafikuar drogëra të forta të llojit heroinë.

Mësohet se atij i janë kapur 20 doza heroinë dhe një peshore elektronike.

 

Strukturat Policore të Seksionit Kundër Narkotikëve në D.V.P.Vlorë, në kuadër të një procedimi penal proaktiv dhe të ndjekur me metoda speciale për goditjen e rasteve të drogërave të forta (heroinë), kanë finalizuar operacionin e koduar "Laica", ku si rezultat është arrestuar shtetasi :

Aleksandër.K., 46 vjeç, banues në Vlorë. Në banesën e këtij shtetasi, policia ka sekuestruar 20 doza lëndë narkotike të llojit Heroinë, si dhe një peshore elektronike.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale "Prodhim, shitja e narkotikëve".

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Dhunoi dhe kërcënoi me thikë vajzën e tij të mitur, arrestohet 63-vjeçari në Vlorë

Posted: 31 May 2018 12:51 AM PDT

 

Një 63-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Vlorës me akuzën e dhunës në familje.

Burime nga policia lokale bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi F.M, 63 vjeç, pasi në banesë ka dhunuar fizikisht dhe ka kanosur me mjete të ftohta prerëse vajzën e tij A.M., 17 vjeçe.

Polici ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Gruaja e marrë peng në Liezh: Nuk më vrau sepse jam myslimane

Posted: 31 May 2018 12:48 AM PDT

Pastruesja e shkollës e marrë peng nga vrasësi i Liezhit, nuk është qëlluar për vdekje për shkak se ishte e besimit mysliman. Këtë fakt e ka pranuar vetë gruaja, e cila ka rrëfyer për mediat belge: "Më tha që nuk do të bëj asgjë të keqe, vetëm sa të merrej me ata që ishin jashtë (policinë)". Mësohet se gruaja, në vend që të largohej, ka mbyllur dyert e shkollës, duke u gjendur përballë Benjamin Herman.

Prokuroria federale ka konfirmuar po ashtu se "killeri" ka ulëritur disa herë "Allah Akbar". Në fillim në rrugë, pasi kishte sulmuar dhe vrarë dy policet femra dhe në rastin e dytë teksa dilte nga shkolla dhe kishte marrë peng gruan. Ndërkohë, të mërkurën në mbrëmje ISIS ka marrë përsipër sulmin. "Vrasësi "ishte një ushtar i Shtetit Islamik", – lexohet në një mesazh të agjencisë Amaq të cituar nga "Site".

"Ngjarja është kualifikuar si vrasje terroriste de tentativë vrasje terroriste", – ka shpjeguar zëdhënësi i prokurorisë, Eric Van Der Sypt. Ndërkohë, një ditë para tragjedisë, "killeri" kishte kryer një tjetër vrasje para se të mbërrinte në qytetin perëndimor belg. Viktima ishte një i njohur i tij dhe është ekzekutuar me thikë. Arma është gjetur në makinën e tij në Liezh.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Zbuloni profesionet më fitimprurëse, ku u paguan më shumë punonjësit

Posted: 31 May 2018 12:44 AM PDT

Nëse jeni në kërkim të një pune që paguhet mirë, bankat dhe shoqëritë e sigurimit do të ishin idealet. Sipas të dhënave të INSTAT, të përditësuara për 2017-n, "aktivitetet financiare dhe të sigurimeve" kishin pagën më të lartë mesatare në ekonomi, me gati 104 mijë lekë në muaj, me një rritje prej 2.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Paga mesatare për bankat e sigurimet është dy herë më e lartë se mesatarja për të gjithë aktivitetet ekonomike.

Por ka vetëm një problem. Të paktën sektori bankar prej disa vitesh nuk po zgjerohet dhe si rrjedhojë po merr fare pak punonjës të rinj. Të dhëna të tjera të Shoqatës së Bankave tregojnë se në banka, deri në fund të vitit 2017, punonin gati 6900 punonjës, apo 56 më pak se një vit më parë.

Për më tepër, sistemi bankar është në fazë përqendrimi. Pas përthithjes së Veneto Banka nga Intesa Sanpaolo dhe blerjes së Bankës Kombëtare Greke (NBG) nga Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank), numri i bankave në sistem është ulur nga 16 në 14. Të paktën edhe dy banka të tjera, Tirana Bank dhe Societe Generale janë në shitje, duke ulur oreksin e sistemit për të marrë në punë punonjës të rinj.

Paga mesatare në ekonomi u rrit me 3% në 2017-n, kryeson administrata shtetërore

Paga mesatare për të gjitha aktivitetet ekonomike në vend ishte 48,966 lekë, sipas të dhënave të INSTAT, me një rritje prej 3% me bazë vjetore në krahasim me 2016-n.

Pas aktivitetit financiar e të sigurimeve, sektori që paguan më shumë punonjësit është ai i "Informacioni dhe komunikacionit", me rreth 74 mijë lekë në muaj. Paga në këtë sektor është ulur me 2.5% në 2017-n (i vetmi aktivitet që raporton rënie), teksa largimi i operatorit të katërt celular, Plus Communication, në gjysmën e dytë të vitit dhe rënia e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare rezulton të jetë shoqëruar dhe me ulje të pagave.

Bankat dhe telekomunikacionet janë në fakt dhe sektorët më të formalizuar në ekonomi, duke deklaruar pagat reale. INSTAT i raporton të dhënat bazuar në informacionin që merr nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe përpunime të vetat.

Sektori i tretë me paga më të larta është ai shtetëror, me pagën mesatare në administratën publikeqë ka arritur në rreth 60 mijë lekë. Administrata publike ka qenë më me fat në 2017-n, pasi ka përfituar  një rritje mesatare prej 6.7%.

Pas administratës, në vend të katërt renditen "Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; Aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse" (55,939 lekë); "Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera" (49,426 lekë); Ndërtimi (43,103 lekë); "Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit" (40,390 lekë).

Më pak të paguarat janë "Bujqësi, Silvikulturë dhe Peshkim" (36,264 lekë) dhe "Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor" (34,627 lekë)- shiko grafikun e parë.

Profesionet, pa dyshim që drejtuesit paguhen më shumë

Një tjetër tregues që raporton INSTAT, është ai i pagave sipas profesioneve. Në vend të parë janë "Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë", me një pagë mesatare mujore prej rreth 95 mijë lekësh, me një rëni efare të lehtë në raport me vitin 2016.

Në vend të dytë janë "Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)", me një pagë mujore prej rreth 66.3 mijë lekësh, me një rritje prej 2.6% në raport me një vit më parë.

Të tretët janë punonjësit e Forcave të Armatosura, që paguhen mesatarisht 58 mijë lekë në muaj dhe kanë pasur një rritje më të lartë se të tjerët, me 7.5%.

Më pas renditen teknikët, nëpunësit dhe në fund punëtorët e pakualifikuar dhe ata të bujqësisë. Për pagat e ulëta është shënuar dhe rritja më e lartë në 2017-n (shiko grafikun e dytë).

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Fotografia që vuri botën në lojë

Posted: 31 May 2018 12:40 AM PDT

Vrasja e Arkady Babchenkos nuk ka ndodhur, edhe pse pas raporteve për vrasjen e gazetarit rus, më 29 maj, ka dalë një fotografi e trupit të tij të zhytur në gjak.

Fotografia ishte e rreme, me gjasë pjesë e një dredhie që zyrtarët ukrainas të sigurisë thanë se është bërë për të penguar një komplot për vrasjen e Babchenkos.

Se kush e ka bërë fotografinë dhe kush e ka vënë në qarkullim, nuk dihet. Nuk është madje e sigurt nëse vetë Babchenko është në foto.

Ajo u publikua për herë të parë në faqen e Facebook-ut të një ish-gazetari ukrainas, i cili tani thotë se punon për një organizatë konsultimesh në Uashington.

Fotografia u shpërnda shpejt në mesin e gazetarëve ukrainas dhe rusë, edhe pse pak media, nëse ndonjë, e kanë publikuar atë, për shkak të përmbajtjes së rëndë.

Yevhen Lauer, gazetari që e publikoi fotografinë, i tha Radios Evropa e Lirë se e ka marrë atë nga një burim i zbatimit të ligjit, të cilin nuk pranoi ta identifikojë.

Lauer, i cili ka punuar për media të ndryshme në Ukrainë në të kaluarën, së voni është lidhur me kompaninë Trident Group në lagjen Arlington të Uashingtonit. Kompania thotë se është e specializuar në “zbatimin e ligjit, hetimet, mbledhjen dhe analizën e informacionit, parandalimin e konflikteve dhe zgjidhjen e konflikteve, kontrollin e rrezikut ndërkombëtar dhe operacionet speciale”.

Presidenti i kompanisë, Yuri Koshkin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Lauer ka bërë punë për Tridentin, porse ai nuk di për përfshirjen e tij në operacionin e Shërbimit ukrainas të Sigurisë, për të parandaluar vrasjen e Babchenkos.

As Radio Evropa e Lirë nuk e ka publikuar fotografinë fillimisht, jo vetëm për përmbajtjen e rëndë, por edhe për shkak të shqetësimeve rreth burimit.

Më 30 maj, pasi Babchenko doli në një konferencë për media dhe Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës shpalosi operacionin për të arrestuar komplotuesin e dyshuar, Lauer mohoi t'iu përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e tij, duke u përgjigjur vetëm në tekst-mesazhe me figura të fytyrës së buzëqeshur.

Edhe pse autoritetet e Ukrainës thanë se operacioni ka pasur sukses edhe në parandalimin e vrasjes së Babchenkos, edhe në zbulimin e përfshirjes së agjencive të inteligjencës ruse, mashtrimi u dënua nga shumë avokatë të shtypit, të cilët thanë se shqetësohen për minimin e besueshmërisë në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe në organizatat mediatike.

“E gjitha që duhet është një rast i tillë për të hedhur dyshime mbi të gjitha vrasjet e tjera politike”, tha Christophe Deloire nga organizata Reporterët pa Kufij.

Fotografia e falsifikuar është publikuar nga së paku një përdorues pro-rus i Twitter-it, i cili tha se edhe fotografive të tjera nuk mund t'iu besohet, për shembull atyre që postojnë Helmetat e Bardha që i ndihmojnë civilët në Siri.

"Ukraina sapo zotëroi gjithë gazetarinë. Tani e tutje, mos iu besoni fotografive dhe artikujve emocionalë", shkroi përdoruesi i Twitter-it, i identifikuar si Antikaratel.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)/REL

Dita Botërore, duhani shkaktar kryesor i sëmundjeve të zemrës

Posted: 31 May 2018 12:39 AM PDT

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë "Ditën Botërore pa Duhan". Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij. Kjo ditë është shpallur në vitin 1987 nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat synonin rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit, si dhe inkurajimin e reduktimit të prodhimit dhe përdorimit të duhanit.

Tema e Ditës Botërore pa Duhan për këtë vit është: "Duhani dhe sëmundjet e zemrës"

Fakte rreth duhanit, rreth zemrës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare

Sipas ISHP-së, sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij kontribuojnë në rreth 12% të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Përdorimi i duhanit është shkaku i dytë kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, pas presionit të lartë të gjakut.

Në mbarë botën, përdorimi i duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, nga të cilat rreth 900 000 janë joduhanpirës që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit. Përafërsisht 80% ose më shumë se 1 miliardë duhanpirës në mbarë botën jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Masat e OBSH-së janë në përputhje me Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (ËHO FCTC) dhe mund të përdoren nga qeveritë për të zvogëluar përdorimin e duhanit dhe për të mbrojtur njerëzit.

Këto masa përfshijnë:

Monitorimin e politikave të përdorimit dhe të parandalimit të duhanit.

Mbrojtjen e njerëzve nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit duke krijuar vende publike, vende pune dhe transport publik pa duhan.

Ofrimin e ndihmës për të lënë duhanin nëpërmjet mbulimit të kostos, mbështetjes në mbarë popullatën, përfshirjes së këshillave të shkurtra nga ofruesit e shërbimit shëndetësor.

Paralajmërimet për rreziqet e duhanit duke përdorur paketime të thjeshta dhe të standardizuara, paralajmërimet e mëdha grafike që demostrojnë sesi duhani dëmton shëndetin si dhe fushatat efektive antiduhan në media, të cilat informojnë publikun për dëmet e përdorimit të duhanit dhe të ekspozimit ndaj tymit të duhanit.

Zbatimin e ligjeve apo masave ndaluese për reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin e duhanit.

Ngritjen e taksave mbi produktet e duhanit për t'i bërë ato më pak të përballueshme.

Dita Botërore pa duhan 2018 synon:

Të theksojë lidhjen e përdorimit të produkteve të duhanit me shëndetin e zemrës dhe me sëmundje te tjera kardiovaskulare.

Të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi ndikimin që ka përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij në shëndetin kardiovaskular.

Të krijojë mundësi për publikun, qeveritë dhe aktorët e tjerë që të angazhohen për të promovuar shëndetin e zemrës duke i mbrojtur njerëzit nga përdorimi i produkteve të duhanit.

Të inkurajojë vendet të forcojnë zbatimin e masave të Konventës Kuadër të OBSH-së për kontrollin e duhanit.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Sot seanca e dytë për ish-kryeprokurorin Llalla në KPA

Posted: 31 May 2018 12:34 AM PDT

Do të mbahet në orën 11:00 të ditës së sotme seanca e dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Seanca e parë në KPA u shty nisur nga fakti se vetë Llalla nuk kishte dijeni për procesin dhe plotësimin e prokurës për avokatin e tij Sokol Hazizaj, për vazhdimin e procesit.

Gjatë seancës së parë, Hazizaj tha se vetë Llalla nuk është në dijeni të procesit dhe se vetë ai ka më shumë se 2-3 javë pa komunikuar me klientin e tij.

olegji i Posaçëm Apelimit mori në shqyrtim çështjen e dorëzuar nga Komisioneri Publik, ku kërkohet që ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla t'i nënshtrohet vettingut.

Procesi ndaj Adriatik Llallës u ndërpre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes së ish-kryeprokurorit nga e drejta për t'u emëruar gjyqtar apeli dhe rrjedhimisht nga i gjithë sistemi i drejtësisë.

Verdikti u mor në atë kohë nga trupi gjykues i KPK me kryesues Roland Ilia dhe anëtarët Pamela Qirko dhe Olsi Komçi. Por, ky është rezultat i njëjtë sikurse edhe ai i një trupe tjetër gjyqësore të KPK, e cila po për shkak të dorëheqjes si gjyqtar kushtetues i ndërpreu vettingun edhe Besnik Imerajt.

Shtegu për dorëheqje në çdo kohë, që do të thotë shpëtim nga vettingu u hap pikërisht nga Gjykata Kushtetuese gjatë interpretimit të ligjit të rivlerësimit.

Dosjet e të dorëhequrve dhe të të papërshtatshmëve arkivohen, por nëse kërkohen nga prokuroria, atëherë ata i nënshtrohen edhe kontrollit penal.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Edi Rama mbi motor policie në Austri

Posted: 31 May 2018 12:34 AM PDT

Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale nga Edi Rama, është kthyer në objekt humori nga komentuesit.

Në foto shihet kryeministri shqiptar i ulur mbi një motor policie dhe më konkretisht të asaj austriake.

Fotografi është realizuar këtë të mërkurë, teksa ndodhej në Austri, në kuadër të lobimit në favor të çeljes së negociatave për Shqipërinë.

Por ajo që bie në sy është ngushtësia e pantallonave të tij, çka ka bërë që Kryeministri të mos duket shumë këndshëm.

Kjo ka bërë që komentuesit të mos kursejnë komentet ndaj tij, ku njëri i shkruan, "Tamam si kur ke zbrit nga Kamza e po bën foto te sheshi 'Skënderbej'.

"Atletet të shkojnë më shumë, telefonin mos e mbaj në xhep se të prish vijën e pantallonave, këmishës mbyllja edhe një kopse, dhe pastaj ja prish mendjen edhe francezëve edhe holandezëve besoj", shkruan një tjetër.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Bjellorusia “leksion” Shqipërisë, kuqezinjtë eliminohen nga Europa League

Posted: 31 May 2018 12:28 AM PDT

Tjetër humbje me shifrat 3-0 përballë Bjellorusisë për kombëtaren shqiptare të volejbollit të meshkujve me kuqezinjtë që eliminohen kështu përpara kohe nga turneu prestigjoz Europa League.

As mbështetja e tifozëve në pallatin e sportit Feti Borova në kryeqytet nuk i mjaftoi skuadrës së trajnerit Jani Melka për të bërë diçka ndaj bjellorusëve që ashtu si në sfidën e parë ishin dukshëm më të fortë se kuqezinjtë duke fituar pastër.

Kur mbeten edhe 2 ndeshje për tu luajtur në grupin B, Shqipëria nuk ka asnjë shans për t'u kualifikuar në fazën me eliminim direkt të divizionit të argjentës të Ligës së Europës në volejboll për meshkuj, pasi në 4 ndeshjet e para në grup kuqezinjtë e rrjetës kanë grumbulluar vetëm 3 pikë, teksa numërojnë 1 fitore dhe 3 humbje duke u pozicionuar në vendin e 3-të në kuotën e 3 pikëve.

Shqipëri-Bjellorusi 0-3  (17-25, 22-25, 14-25)

 

Vrasja e inskenuar e gazetarit, Rusia: Një maskaradë

Posted: 31 May 2018 12:25 AM PDT

Rusia e dënoi vrasjen e inskenuar të gazetarit rus Arkady Babchenko, duke e cilësuar atë si një tjetër provokim anti-rus.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës e inskenoi vrasjen e tij në Kiev, për të parandaluar një komplot të agjentëve rusë për të vrarë vërtet Babchenkon. Babchenko u shfaq të mërkurën në një konferencë për media, një ditë pasi u raportua i vrarë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova cilësoi veprimin e autoriteteve të Ukrainës si “një maskaradë”, e bërë për “efekt propagandistik”. Ajo shtoi se Rusia është e lumtur që Babchenko është gjallë.

Babchenko, kritik i Kremlinit është zhvendosur në Ukrainë pas pretendimeve për kërcënime me vdekje në Rusi.

31 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more