Skip to main content

“Uka i Bjeshkëve të Nemuna me traktorin e Uzinës së Tiranës shkon në Hënë: Odiseja hapësinore e të guximshmëve!” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Uka i Bjeshkëve të Nemuna me traktorin e Uzinës së Tiranës shkon në Hënë: Odiseja hapësinore e të guximshmëve!” plus 3 more Telegrafi Opinione


Uka i Bjeshkëve të Nemuna me traktorin e Uzinës së Tiranës shkon në Hënë: Odiseja hapësinore e të guximshmëve!

Posted: 27 Feb 2018 09:23 AM PST

Për regjisorin Stanley Kubrick, për njërën prej kryeveprave të kinematografisë botërore – filmin "2001: A Space Odyssey" në 50-vjetorin e premierës – dhe historinë që krijohet nga njerëzit e guximshëm, në shoqëritë mendjehapura…

Traktorin e parë (me avull) Anglia e prodhoi në fillim të shekullit XIX. Në vitin 1978 u prodhua traktori i parë në Shqipëri. Atë makinë, në Uzinën e Traktorit në Tiranë, e testoi kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, i cili inaugurimin për pak sa nuk e shndërroi në tragjedi duke shkelur për vdekje disa punëtorë!

Më 1977 u shkurorëzua dashuria Shqipëri-Kinë. Vendi më 1978 ishte në izolim total e varfëria veçse shtohej. Ndaj, prodhimi i traktorit ishte më shumë mjet propagande, "dëshmi" e krerëve komunistë shqiptarë për triumfin e sloganit "Me forcat tona"! Por, derisa kinezët – në fabrikën ku shqiptarët morëm më parë zanat – mund të prodhonin një traktor çdo 50-60 sekonda, shqiptarët prodhuan 100 traktorë në tre vjet – një çdo 11 ditë. Sepse, shpejt u shterën "forcat tona"!

Sidoqoftë, lajmi mori dhenë përmes valëve të fuqishme të Radio Tiranës. Atë lajm e dëgjoi edhe vëllai i vogël i artistit, intelektualit dhe disidentit Jusuf Gërvalla. Kur këtë informatë ia jep vëllait, me gëzim, i bindur se Shqipëria po bëhej përherë e më e fortë, aq e fortë sa që shpejt edhe do të na çlironte nga Jugosllavia, Jusufi ia kthen: "Eh more vëlla, ti flet për traktorë, e amerikanët moti kanë mbërri në Hanë"!

PËRTEJ IZOLIMIT E BUDALLAIT

Të guximshmit bëjnë ndryshime. Ndryshime kanë bërë edhe Enver Hoxha me shumë të tjerë që e deshën dhe e duan izolimin, sepse në të ndjehen më të fortë e më të sigurt. Por, të guximshmit e dijshëm, në mesin e të duhurve, shohin para dhe e bëjnë ndryshimin – veprën e mirë për dobinë e përgjithshme. Këtë e zbërtheu Milos Forman me interpretimin kinematografik të veprës së Ken Keseyt, "One Flew Over the Cuckoo’s Nest" ("Fluturimi mbi folenë e qyqes", 1975). "Prijësi" Bromden thyen xhamat, sepse kishte forcë dhe nuk ishte i çmendur. Ai del jashtë, e të tjerët lirinë e shohin me frikë – nga brenda mureve. Sepse, në Çmendinë nuk vërehet i mençuri. Ai as nuk e ka vendin aty, siç nuk e kishte gazetari Johnny Barrett në filmin "Shock Corridor" ("Korridori i elektroshokut", 1963), i cili i etshëm për të fituar Çmimin Pulitzer, shtiret i çmendur për të zbuluar një vrasje në Çmendinë, por që bëhet viktimë e seancave të elektroshokut – dhe ndryshon, njëjtë si Randle Mcmurphy i "Fluturimit…"!

Botës dobi i sollën Da Vinci, Newton, Maxwell, Voltaire, Shakespeare, Galilei, Leibniz, Einstein… Koeficienti i Inteligjencës (IQ) së këtyre emrave sillej te 200-shi. Sa e regjisorit Stanley Kubrick!

Botën e bënë vend më të mirë ata që zbuluan diodën, transistorin, qarkun e integruar dhe mikroprocesorin. Ata që projektuan të sotmen dhe të ardhmen. Edhe Kubricku që krijoi kompjuterin më të famshëm në histori, projeksionin më të mundshëm të së ardhmes: HAL 9000! Ai e "zbuloi" edhe tabletin. Më 1968! Së paku këtë e tha kompania Samsung në mbrojtje ndaj padisë për patente që ia kishte bërë Apple.

IQ-ja aq e lartë e Kubrickut thuhet edhe se është mit i krijuar nga adhuruesit e tij. Por, në fakt vet ai është mit në botën e kinematografisë; një profesionist dhe perfeksionist i rrallë, arti i të cilit ndërtohej me saktësinë e formulave. Çdo kuadër i tij kishte kuptim, çdo fjalë mendim.

Dhe, 10 vjet para prodhimit të traktorit të parë shqiptar, e 50 vjet para izolimit tjetër shqiptar në Kosovë, më 1968 shikoi përtej të tashmes dhe të mundshmes. Realizoi një prej veprave më të mëdha të kinematografisë botërore, "2001: A Space Odyssey" (2001: Odiseja hapësinore). Regjisori George Lucas ka thënë se do të jetë vështirë për dikë tjetër të bëjë film më të mirë se ky. Ndërkaq, Ridley Scott shprehet se ky është një film i pamposhtur, që në një mënyrë e ka vrarë zhanrin e fantastikës shkencore. Edhe për kritikun e filmit, Michel Ciment, “Kubrick ka konceptuar një film i cili me një goditje ka bërë të dalë nga moda kinemaja e fantashkencës"!

PROJEKSIONI I SË ARDHMES

"2001"-shi u realizua në vlugun e luftës për pushtimin e Hënës, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Pushtimi i Hënës ishte hapi drejt fitores së njërit bllok ndaj tjetrit (Lindjes komuniste të udhëhequr nga BRSS dhe Perëndimit kapitalist të prirë nga SHBA-të). Në këtë luftë hapësinore, Kubrick krijoi një vepër që edhe sot mahnit njerëzimin. Ndaj, gjenialiteti i tij u bë pjesë e teorive të komplotit.

Në një nga ato teori thuhet se dy agjentë të CIA-s infiltrohen në NASA ku fshehurazi kuptojnë se amerikanët nuk janë në gjendje të shkojnë në Hënë. Nga frika se rusët do t'ia dalin të parët, ata nisin të bëjnë plane që ta inskenojnë zbarkimin. Por, si të bëhet ky inskenim i bindshëm? Duke u infiltruar në sheshxhirimet e "2001"-shit dhe duke "vjedhë" zanatin e projektimit të imazheve dhe të krijimit të terreneve artificiale.

Kjo është fabula e filmit "Operation Avalanche" ("Operacioni Orteku", 2016), një film që përforcon më shumë teoritë e konspiracionit se anija "Apollo 11" kurrë nuk zbriti në Hënë më 20 korrik 1969.

Përfshirja e Kubrickut në këto teori nisi më 1995, me një lajm të rrejshëm në internet, në të cilin thuhej se regjisori i famshëm ishte shantazhuar nga CIA për të marrë pjesë në këtë mashtrim, ndryshe do ta pësonte vëllai i tij komunist, Raul. Kubrick nuk kishte vëlla me atë emër. Por, lajmi u përhap. Dhe, pas tij këtij lajmin dolën edhe "lajme" të tjera, si mokumentari "Dark Side of the Moon" ("Ana e errët e Hënës", 2002), që nga shumëkush çuditërisht perceptohet si i vërtetë.

Në dokumentarin "Room 237" ("Dhoma 237", 2012) trajtohet filmi "The Shining" ("Farfuritja", 1980) – bazuar në romanin e Stephen Kingut, me të njëjtin titull. Në të disa thonë se filmi flet për gjenocidin, qoftë ndaj indianëve indigjenë të Amerikës apo të hebrenjve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, Jay Weidner shprehet se Kubrick ka dhënë sinjale për përfshirjen e tij në mashtrimin e fluturimit në Hënë. Sipas tij, dhoma famëkeqe "217" e hotelit ku zhvillohet ngjarja, është ndryshuar në "237" meqë kështu quhej studioja ku janë bërë xhirimet e “rënies” në Hënë. Ndërkaq, 237 mijë milje është distanca Tokë-Hënë.

Kubrick ishte mjeshtër i imazheve. Thuhet se e njihte edhe joshjen e ndërdijes, teknikat që përdornin mjeshtrit e marketingut. Ndaj, mendohet se në veprat e tij luante jo veç me analfabetizmin literal, po edhe atë viziv të shumicës. Ndoshta…!

NXËNËSI I KEQ – GJIGANT

Kubricku ka qenë nxënës shumë i keq, me mesataren 67 (sipas sistemit amerikan të notimit në shkolla, nga 0-4 ku katërshi është më i miri, ai ishte në nivelin e parë kalues, në njësh). Madje thoshte se "nuk kam mësuar asgjë në shkollë dhe nuk kam lexuar libër për qejf deri në moshën 19-vjeçare". Për këtë kritikonte sistemin shkollor që nuk nxiste mendimin kritik dhe interesimet e nxënësve.

"Mendoj se gabimi i madh në shkolla është përpjekja për të mësuar fëmijët për çdo gjë dhe duke përdorur frikën si motivimin themelor…", ka thënë Kubricku, i cili mezi e përfundoi shkollën e mesme, për t'u bërë zhgënjim për prindërit pse nuk u bë "djalë me fakultet"!

Por, janë dy momente që do të ndikojnë në të ardhmen e tij. Në moshën 12-vjeçare Kubrick nis të luajë shah. Më vonë do të thotë se shahu e ka ndihmuar të zhvillojë durimin dhe disiplinën në përzgjedhjen e alternativave, sidomos kur vendimi impulsiv dukej atraktiv. Ndërkaq, në moshën 13-vjeçare pajisjet me fotoaparatin Graflex që do ta përcaktojë të ardhmen e tij. Nga kjo moshë nis studimi i tij për kinemanë. Në moshën 23-vjeçare realizon dokumentarin e parë, "Day of the Fight". Këtë dhe katër dokumentarët e filmat e ardhshëm do t'i bëjë duke kërkuar mjete, kudo që mundet. Këto realizime nuk patën sukses financiar, po e zbuluan gjeniun e ardhshëm të kinematografisë. Ndërsa, qëkur nisë të punojë me trupa dhe kushte profesionale – nga "The Killing" ("Vrasja", 1956) e deri te "Eyes Wide Shut" ("Sytë haptas të mbyllur", 1999) – do të realizojë (vetëm) 11 filma që do ta etablojnë si një prej regjisorëve më të mëdhenj të historisë.

Në krijimtarinë e tij ndikim të madh do të kenë regjisorët Max Ophuls, Sergei Eisenstein, G. W. Pabst dhe Orson Welles, si dhe sistemi i aktrimit i Konstantin Stanislavskit. Këta janë ata që më së shumti i ka studiuar. Ndërkaq, lista e atyre që do të ndikohen nga ai është shumë më e madhe dhe kap edhe këta emra të mëdhenj: Martin Scorsese, Steven Spielberg, George Lucas, James Cameron, Woody Allen, Terry Gilliam, Vëllezërit Coen , Ridley Scott, Paul Thomas Anderson, Christopher Nolan, David Lynch, Sam Mendes, Quentin Tarantino, Darren Aronofsky… E, frymëzuesi i dikurshëm, Orson Welles, do të thotë për të: "Në mesin e atyre që i quaj 'gjenerata e re', Kubricku më del të jetë gjigant"!

Kubricku, që më vonë do të jetë shumë studioz në krijimtarinë e tij, preferonte të adaptonte për ekran librat që nuk janë kryevepra, se kështu do ta kishte shansin t'i përmirësonte ato. Këtë ai e do ta bënte me çdo film, që nga viti 1956, përfshirë "2001"-shin!

MONOLITI SI BURIM…

Në vitin 1951, shkrimtari i njohur i fantashkencës, Arthur C. Clarke, publikoi tregimin “Sentinel of Eternity” ("Rojtari i përjetësisë"). Tregimi flet për zbulimin e një artefakti në formë tetrahedrale, të cilin para miliona vitesh e kishin lënë jashtëtokësorët që zotëronin teknologji aq të avancuar sa që shkonte përtej çdo imagjinate të njeriut. Më 1964 "Sentinel" do të jetë baza për filmin e ardhshëm të Kubrickut. Por, do të kalonin pothuaj dy vjet të bashkëpunimit Clarke-Kubrick, derisa tregimi do të transformohej në skenar filmi e gati tri të tjera (xhirimet filluan më 29 dhjetor 1965) derisa të jepej premiera më 1968.

Filmi fillon me një grup hominidësh që zbulojnë përdorimin e mjeteve për të vrarë e dominuar hapësirat me ujë, dhe me një monolit të zi që shfaqet para tyre. Miliona vite më vonë, në stacionin hapësinor kërkohet analizimi i një monoliti të varrosur katër milionë vjet më parë në Jupiter (i njëjtë si ai që u është shfaqur paraardhësve të njerëzve në Tokë). Më vonë nis një ekspeditë për në Jupiter. Por, kontrollin në anije e merr kompjuteri HAL 9000, e shkencëtari që udhëheq misionin kalon nëpër Portën Yjore për të përfunduar çuditërisht në një ambient me enterier viktorian…

Gjatë realizimit Kubrick u kujdes që të mos paraqesë pikëpamjen e tij në film, por që të ketë hapësirë për interpretime. Në një intervistë të vitit 1968, për këtë ai u shpreh: "Je sa të duash i lirë të spekulosh për kuptimin filozofik e alegorik të filmit. Nuk do ta jap asnjë hartë verbale rrugore për '2001'-shin…"!

“Nëse secili e kupton herën e parë, kemi dështuar në qëllimin tonë", ka thënë madje ai.

Në fakt, premiera ishte dështim. 241 vetë dalin nga salla, përfshirë aktorin Rock Hudson që thotë: "A po më tregon kush diçka se për çfarë dreqin është fjala"?!

Më vonë numri i shikuesve rritet, fillimisht nga narkomanët të cilët me përdorimin e drogave psikotropike – gjatë skenës së Portës Yjore – kalonin në ekstazë. Me kohë filmi shndërrohet çuditërisht në një sukses komercial, meqë vlerësohet nga kritika e mbi të gjitha nga publiku i rëndomtë që shkon ta shohë jo vetëm një herë.

Por, për çfarë flet filmi që ka 142 minuta e ku në 25 minutat e parë e në 23 të fundit nuk thuhet asnjë fjalë?

Kubrick ishte hebre, por e ndjente veten si ateist. Filmi, siç do të thotë ai, flet edhe për kërkimin e Zotit. Hyu mund të jetë edhe në formën e monolitit që nxiti evolucionin apo mutacionin e hominidëve.

"Nuk besoj në fetë monoteiste të Tokës, por besoj se dikush mund të konstruktojë një definicion intrigues shkencor për Zotin, kur e pranon faktin se janë përafërsisht 100 miliardë yje veç në galaktikën tonë dhe se secili yll është diell jetëdhënës, ndërsa janë afërsisht 100 miliardë galaktika në universin e dukshëm", ka thënë Kubrick.

Të tjerët thonë se filmi flet për mbinjeriun e Nietzsches apo të dihotomisë apolloniane dhe dionisiane – të konfliktit mes arsyes e rendit dhe instinkteve e kaosit. Të tjerët flasin për evolucionin, ngritjen apo fundin e njerëzimit.

HISTORIA E SHKRUAR PARA 50 VITESH

Njëjtë si regjisori polak Krzysztof Kieslowski, që nuk përfundonte filmat dhe që ishte i hapur për ta pranuar versionin e secilit shikues, e njëjta vlen edhe për "2001"-shin. Por, ajo që vërehet më shumë, sidomos si një parashikim për të sotmen, është raporti mes njeriut dhe teknologjisë. HAL 9000, kulmi i inteligjencës artificiale, evoluon e krijon emocione, lufton për ekzistencën e vet dhe në frikën ekzistenciale vret njeriun, krijuesin e tij – njëjtë si roboti Nexus-6 te filmi "Blade Runner" ("Vrapuesi në teh", 1982).

"2001"-shi thjesht është kryevepër e kinematografisë, është simbol i synimit të perfeksionit. Fotografia dhe skenografia edhe për kushtet e sotme janë pothuajse të paarritshme. Grafika kompjuterike më 1968 nuk ekzistonte, por Porta e Yjeve është një nga realizimet më unike. Ndërsa, ndonëse "Apollo 11" akoma nuk kishte shkelur në Hënë, Kubrick e krijon pamjen e parë të Tokës nga hapësira; jep ide të udhëtimeve të së ardhmes; dhe një pasqyrë të gravitet jashtëtokësor… Sepse, në tentimin për të qenë i saktë – jo vetëm në aspektin artistik po edhe atë shkencor – zgjeron bashkëpunimin me shkencëtarë të njohur, përfshirë ekspertët nga NASA.

Në film shihet komunikimi me video, ekranet e sheshta kolor, kompjuteri që si Alexa i Amazonit zbaton urdhrat dhe lehtëson punët ditore. Aty është animimi i suspenduar, identifikimi me zë, ushqimi dietal me nevojat elementare, lojërat virtuale, kostumet e zgjuara që inspirojnë madje NASA-n…

"Laptopi dhe telefonat e zgjuar janë aty, gjysmë shekulli para kohe", ka thënë Piers Bizony, gazetari i temave shkencore. "HAL 9000 është një proto-Siri"!

Pastaj ishte muzika, një si personazh në vete. Në një botë të së ardhmes, Kubrick përcaktohet për muzikën klasike (Richard Strauss, Johann Strauss II dhe Aram Khachaturian). Në këtë film ndodh që frymëmarrja e astronautit të konceptohet si muzikë, e në moment tensioni edhe heshtja. Mbi të gjitha, ky film vuri në pah një nga kompozitorët më avangard të shekullit XX dhe një nga më inovativët në histori, hungarezin Gyorgy Ligeti.

E, në këtë kohë, pra në vitin 1968, në Shqipëri u realizuan tre filma të lodhtë: "Estrada në ekran", "Horizonte të hapura" dhe "Prita". Ndërsa, në Kosovë filmi i parë "shqip", "Uka i Bjeshkëve të Nemuna", ku regjisor ishte një serb si dhe shumica e aktorëve. Madje, edhe rolin kryesor të Ukës e luante serbi, si dhe të djalit të tij që ia "merr fytyrën babës" sepse bëhet me italianët e "bën krime kundër popullit të tij"!

Skulptori i madh bashkëkohor shqiptar, Sadik Spahija, thotë se historia e artit është historia e popujve të fuqishëm. Por, e mira është që edhe popujt e vegjël e duan artin, e edhe kanë shansin të shohin vepra të mëdha, si kjo e Kubrickut.

"Por, e keqja e vetme e artistëve të vërtetë të popujve të vegjël është që lindin në kohë të gabuar, vend të gabuar e sidomos mes njerëzve të gabuar”, thotë Spahija.

Ndaj, Kubricku, artisti i guximshëm në Perëndimin e guximshëm, projektoi diçka të besueshme: Tokën dhe gjithësinë të dominuar nga bota anglosaksone, si dhe inteligjencën artificiale që flet veç anglisht.

Po shqip?

HAL 9000: "I’m sorry… I’m afraid I can’t do that"!

The post Uka i Bjeshkëve të Nemuna me traktorin e Uzinës së Tiranës shkon në Hënë: Odiseja hapësinore e të guximshmëve! appeared first on Telegrafi.

CDU me Merkel – CDU pas Merkelit

Posted: 27 Feb 2018 04:24 AM PST

Angela Merkel është tani në një situatë ngjashëm si ajo e Konrad Adenauerit dhe më vonë e Helmut Kohlit, kancelarët krisdtiandemokratë me mandatin më të gjatë përkatësisht 1949-1963 dhe 1982-1998. Ende ajo e drejton partinë, ende ajo është e parrezikuar. Sepse CDU-ja nuk bën puç. E njëjta gjë vlen edhe për sekretaren e përgjithshme të partisë. Partia zhvillohet.

Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare Merkel në kongresin e kristiandemokratëve bëri reklamë për një koalicion të ri me bazë të gjerë. E në këtë pikë ajo u mbështet në masë në votim. Kjo votë ishte si një thirrje “edhe më tej kështu!”. Por, megjithatë mesazhi i të deleguarve këtë ditë ishte: “Jo më kështu!”.

Takimi një ditor i CDU-së nuk ishte më një kongres partie i Merkelit. Ajo mbajti fjalimin më të gjatë për të bërë për vete delegatët për koalicionin e ri me socialdemokratët. Merkel shpjegoi dhe sqaroi. Annegret Kramp-Karrenbauer – gati katër orë më vonë – foli me zjarr. Sikurse mund të flasë në rastin më të mirë një sekretare e përgjithshme, partia e së cilës ndodhet në dilemë me vetveten.

Fjala e saj i drejtohej partisë së saj. Shumica e partive të tjera ajo nuk i përmendi fare. Vetëm një grupim tjetër politik përmendi Merkeli disa herë në fjalimin e saj një orësh: AfD, populistët e djathtë, që në luftën elektorale kancelarja nuk i pati përmendur aspak. Ajo e quajti antisemitizmin e AFD-së, antisemitizëm, që ekziston tek ekstremi i majtë dhe i djathtë.

Ajo që tërhoqi vëmendjen dhe la përshtypje ishte fjalimi, i cili e tejkaloi afatin e përcaktuar kohor. Ajo theu tabunë, për ato që ishin akumuluar prej kohësh dëshpërimi dhe zhgënjimi. Disa madje dolën para mikrofonit dhe deklaruan “Jo-në” e tyre ndaj marrëveshjes së koalicionit. Ishte për CDU-në zakonisht e mirëorganizuar në kongreset e saj, një debat mjaft i gjerë dhe kritik. Kur refereruesit flisnin për Merkelin, ata tentonin të shprehnin falënderim për ato çfarë kanë kaluar. Por kur ishte fjala për të ardhmen e punës së partisë me një program të ri, atë përmendin me plot besim emrin e sekretares së re të përgjithshme Kramp-Karrenbauer. Atë që kryesia e partisë ia kurseu vetes pas zgjedhjeve të 2017, një retrospektivë të hapur dhe kritike, iu kthye tani me zjarr të madh.

Duartrokitja më e përzemërt dhe më entuziaste nuk u dha pas fjalimit të kryetares së partisë, por gjatë vlerësimit që ajo i bëri ministrave që largohen tani jo me dëshirën e tyre nga kabineti Hermann Gröhe dhe Thomas de Maiziere, pasi u përmend për herë të parë emri i Kramp-Karrenbauer dhe i ministrit në largim të Financave Wolfgang Schäuble. Po ashtu katër minuta duartrokitje për Merkelin erdhën, sepse i gjithanshmi kryetar i të rinjve kristiandemokrat Paul Ziemiak, vazhdonte të duartrokiste pa e pasur mendjen, ndërkohë të tjerët kishin filluar të diskutojnë në grupime të vogla. Madje ndokujt as që i bëhej të duartrokiste pas fjalimit të Merkelit.

Dita në Berlin ishte me fjalimet befasuese dhe kritike një kongres tranzicioni i partisë: pas bisedimeve të koalicionit dhe para votimit që pritet nga anëtarët e partisë socialdemokrate për marrëveshjen e koalicionit. Para Annegret Kramp-Karrenbauer. Ende me Merkelin. E në pjesën më të madhe të tij ky u duk si një kongres i parë i CDU-së pas Merkelit.

The post CDU me Merkel – CDU pas Merkelit appeared first on Telegrafi.

Doktrina e frikshme e BE-së: Territor në këmbim të anëtarësimit

Posted: 26 Feb 2018 11:48 AM PST

Deklarata kërcënuese e "Mr. Konjakut" evropian, "të uritur" në Tiranë, Zhon Klod Junker, se Shqipëria, do duhet të zgjidhë çështjet territoriale me Greqinë, përpara se t'i hapet drita jeshile për në BE, zor se nuk sinjalizon aplikimin e një doktrine diplomatike të rrezikshme nga BE-ja, sipas së cilës, vendet aspirante do duhet të cenojnë territore ndaj fqinjëve veto-vendosës, në rast se duan t'i bashkohen Bashkimit Evropian.

E thënë shkoqur, ai i tha shqiptarëve që të bëjnë "deal" me Athinën për detin, e cila duhet kënaqur prej saj, pasi është kusht që të fillojnë negociatat për anëtarësim me Tiranën. Nënteksti është se Greqia mund ta bllokojë këtë proces. Dhe nuk është hera e parë që BE po aplikon një doktrinë të tillë. Në Kosovë, demarkacioni me Malin e Zi, është e njëjta gjë, sepse përndryshe nuk ka regjim vizash për kosovarët.

Imagjinoni se çfarë mund të kërkohet më vonë dhe në çfarë thele mund të katandisen kaposhët shqiptarë deri në anëtarësim të plotë, nëse lejohet të kalojë miu njëherë poshtë hundës.

Padyshim, BE-ja, me vende si ato nga Ballkani, që prodhon më shumë histori se ç'mund të konsumojë, dhe me aq shumë çështje të ndërlikuara territoriale, nisur edhe nga precedenti i Sllovenisë dhe Kroacisë, dëshiron t'i zgjidh këto çështje përpara se vendet kandidate të hyjnë në BE dhe të mos ketë kosto e vonesa, që rrjedhin nga vetot e mundshme të vendeve që janë ndërkohë anëtare ndaj fqinjëve të tyre kandidatë.

Kjo është e kuptueshme, por ajo që është e frikshme, është se kandidatët janë më të rrezikuarit dhe më të cenueshmit përballë fqinjëve paraprakisht anëtarë.

Dhe, të kërkosh humbje të tilla sovranitetetesh territoriale, si çmim për anëtarësim, është ku e ku, me humbjet e sovraniteteve kushtetuese, parlamentare apo ligjore, që kanë egërsuar shumë marrëdhëniet e shteteve anëtare me Brukselin, siç ishte rasti i BREX-it.

Rasti i marrëveshjes se Detit me Greqinë, dhe nevoja akute e qeverisë së ditës në Shqipëri, për një sukses të përkohshme politik, në kurriz të një humbjeje të madhe hipotetike afatgjatë, në rast të një marrëveshje në dëm të Shqipërisë, do të ishte një tradhti kombëtare në thelb.

Ramën e kam vlerësuar maksimalisht për politikën e tij të jashtme dhe qasjen në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi kam menduar dhe ende mendoj, se ka sjellë një element të munguar deri me sot në diplomacinë shqiptare; atë të dinjitetit të munguar dhe vetërespektin jokompleksiv me të huajt.

Unë nuk dua të paragjykoj dhe nuk mendoj se do të jetë rasti që Rama të këmbejë një arritje të vogël politike dhe diplomatike në kohë, siç është shumë e rëndësishme në vetvete, çelja e negociatave për anëtarësim me humbje territoresh, nëse do të ishte ky çmimi që do duhet të firmos, poqese e lanë ta firmosë, gjithsesi.

Negociatat, për nga përkufizimi klasik, nënkuptojnë gjetjen e një terreni të përbashkët dhe kompromisi për të dyja palët që negociojnë, përndryshe nuk quhet e tillë.

Por, në rast se një presion i shtuar si ky i Junkerit nga BE-ja, për të bërë medoemos kompromis dhe arritur një marrëveshje për çështjet territoriale detare me Greqinë, do të ishte haraçi shqiptar për hapjen e negociatave, atëherë kurrë mos u hapshin.

Më e ndershme në një rast, e përsëris hipotetik, do të ishte ose referendumi popullor për atë marrëveshje, ose çuarja e çështjes në gjykatën ndërkombëtare në Hagë, për t'i dhënë ajo zgjidhje, ç'ka do lehtësonte politikisht nga një barrë e madhe politike me elemente tradhtie kombëtare, çdo qeveri dhe kryeministër të ditës në Tiranë.

Maqedonia, të mos harrojmë, nuk lëshoi dhe nuk po lëshon territore edhe përkundër mos-hyrjes në NATO për çështjen e emrit, por thjesht po merret me konvencione, e heq emra aeroportesh e rrugësh, por nuk po cedon territore.

Nëse Shqipëria dhe administrata e saj aktuale, sërish poqese e lënë, do t'i hyjë kësaj rruge, do të krijojë përpos të tjerash, edhe një precedent të frikshëm edhe për procese të ngjashme në të ardhmen, edhe për vende të tjera të rajonit si Kosova, së cilës mund t'i kërkohen sakrifica të mëdha për kompromis me Serbinë, e cila do ç'bej territorialisht, atë që arriti ta ruajë fushata ajrore e NATO-s në ish-Jugosllavi.

Nuk besoj se Junker e lëshoi bombën në Tiranë se ishte nën efektin e paplotësuar të vartësisë së madhe nga konjaku dhe as nga kërcitjet e barkut nga uria, por dukshëm, kjo është një doktrine, në thelb selektive, e aplikueshme me vende fragjile dhe lehtësisht të shantazhueshme, të cilat anëtarësimin në BE e kanë ëndrrën më të madhe, ndërkohë që largimin prej tij, të tjerët e kanë po aq ëndërr, siç po ndodh me BREX-it. /Shqip/

The post Doktrina e frikshme e BE-së: Territor në këmbim të anëtarësimit appeared first on Telegrafi.

Pse Prishtina nuk flet për njohjen e Kosovës nga Serbia?

Posted: 26 Feb 2018 11:29 AM PST

Kosova dhe Serbia po ecin drejt një pike, ku duhet të nënshkruajnë kthesën e madhe në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e publikuar në datën 6 shkurt 2018, e përkufizon qartë këtë detyrë: "Një marrëveshje e plotë, legalisht detyruese e normalizimit të marrëdhënieve është urgjente dhe vendimtare, që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre respektive evropiane".

Për arsye të njohura, që diktohen nga situata e brendshme në BE, ku akoma pesë shtete filoserbe nuk e njohin Kosovën, Brukseli është detyruar të përdorë eufemizmin "marrëveshje detyruese e normalizimit të marrëdhënieve". Por ky përkufizim eufemistik, në vend që të nxisë palët drejt një përpjekje reale për afrim, duket sikur po i largon edhe me tepër nga bashkimi drejt kësaj pike. Duhet thënë që në fillim se përkufizimi "marrëveshje detyruese e normalizimit të marrëdhënieve" është thjesht ribotim i titullit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, e nënshkruar në Bruksel në 19 prill 2013, me ndërmjetësimin dhe garantimin e BE. Çfarë normalizimi solli marrëveshja e pesë viteve më parë dhe nëse i normalizoi ajo marrëdhëniet dypalëshe, është e lehtë të jepet përgjigje.

Ndonëse ishte marrëveshje ndërkombëtare dhe e garantuar nga BE, që do të thotë se ishte e detyrueshme për të dy palët, nuk u zbatua nga Serbia dhe i la marrëdhëniet në pikën e nisjes në aspektin politik dhe diplomatik. Marrëveshja e normalizimit të marrëdhënieve, kishte në nenet e saj angazhimin dhe detyrimin e Serbisë për të mos penguar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe madje edhe detyrimin mos ta pengonte as pranë palëve të treta integrimin evropian të Kosovës. Ishte një detyrim i pranimit të njohjes së tërthortë të Kosovës nga Serbia, sepse dihet që në BE pranohen shtete dhe jo krahina apo provinca. Mirëpo Serbia e shkeli në mënyrë të përditshme këtë angazhim ndërkombëtar dhe gjatë pesë viteve e ka penguar me çdo mjet procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, siç ka penguar edhe pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare që nga UNESCO e deri tek Interpoli. Është vërtet për t'u habitur që Brukseli, si ndërmjetës dhe garant, nuk e kritikoi asnjëherë Serbinë për këtë shkelje të detyrimeve të marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën. Dhe është vërtetë e paqartë se si do ta detyrojë tani, që po kërkon një marrëveshje të re të normalizimit të marrëdhënieve.

Gjatë pesë viteve, në planin politik dhe diplomatik, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur në vend për faj të Serbisë. Atëherë, përse duhet quajtur përsëri "marrëveshje e normalizimit të marrëdhënieve" dhe vetëm i shtohet cilësori "detyruese". A do të thotë kjo se marrëveshja e parë e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nuk ka qenë detyruese dhe ka qenë fakultative? Cili është ndryshimi midis marrëveshjes së vitit 2013 dhe kësaj që pritet tani nga BE?

Vendosja e emrave evazive të "normalizimit të marrëdhënieve" ka bërë që Serbia të ndjehet e lirë ta shtojë agresivitetin dhe intransigjencën e saj nacionaliste kundër pavarësisë së Kosovës. Dhjetë vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe tetë vjet pas vendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia po kërkon të kthejë mbrapa historinë dhe të ringjallë një të ashtuquajtur "çështje të Kosovës" dhe një ridiskutim të statusit të saj. Madje për ta bërë të pranueshëm absurditetin e të ashtuquajturës "çështje të Kosovës", presidenti i Serbisë po bën shumë zhurmë për një dialog të brendshëm me popullin serb se si do ta zgjidhin "çështjen e Kosovës". Udhëheqja aktuale serbe bën sikur harron se çështja e Kosovës është zgjidhur me pavarësinë e saj, por tani është çështja e njohjes reciproke të të dy shteteve fqinjë. Duhet që Brukseli t'ia bëjë të qartë Serbisë dhe Rusisë, se "normalizim" do të thotë njohje reciproke midis dy shteteve. Serbia bëri katër vjet luftë me Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, deri sa u detyrua t'i njihte në vitin 1995. Ajo bëri luftën dhe gjenocidin kundër Kosovës në vitet 1998-1999 dhe do të duhet të vijë tek njohja e Kosovës, nëse do të anëtarësohet në BE, siç ua tha në tavolinë ministri i Jashtëm gjerman në Beograd në 14 shkurt.

Në situatën aktuale diplomatike të komplikuar del në plan të parë një problem i madh, që lidhet me qëndrimin, që po mban dhe duhet të mbajë Prishtina zyrtare rreth kërkesës së Komisionit Evropian për një "marrëveshje detyruese normalizimi". Është vërtet e habitshme se si Prishtina po hesht rreth kërkesës themelore politike, diplomatike dhe strategjike, që ajo duhet të shtrojë si produkt të dialogut zyrtar me Serbinë dhe që është njohja e Kosovës nga Serbia. Konstatohet një memecllëk i pashpjegueshëm i udhëheqësve të Kosovës për kërkesën bazë të njohjes së Kosovës nga Serbia. Nuk kuptohet pse udhëheqësit e Kosovës po flasin me terma panegjirikë për "marrëveshje historike" me Serbinë për pranim në OKB dhe nuk flasin për objektivin dhe përmbajtjen kryesore të dialogut, që është njohja e Kosovës nga Serbia.

Unë e kam theksuar disa herë në analizat e mia që Kosova i ka bërë një favor shumë të madh Serbisë, sepse nëpërmjet hapjes së dialogut me të në Bruksel me axhendën e ngushtuar në tematikën teknike, ajo i dha Serbisë alibinë e avancimit në BE për bisedimet e pranimit. Heshtja dhe harresa e Prishtinës zyrtare lidhur me kërkesën themelore të njohjes nga Serbia ka nxitur një histeri të vërtetë të diplomacisë serbe dhe ruse kundër shtetësisë së Kosovës. Dikush e klasifikonte si "idiotësi diplomatike" thirrjen, që ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, në 22 shkurt në prani të ministrit të jashtëm rus në Beograd, i drejtoi SHBA dhe Britanisë së Madhe që të tërheqin njohjen e Kosovës. Kjo idiotësi diplomatike nuk është e rastit, por shpreh inkurajimin e Beogradit nga heshtja, po ashtu idiote, e Prishtinës për njohjen e detyrueshme nga Serbia. Përpara kësaj njohje të detyrueshme nuk ka vlerë as dialogu dhe as OKB-ja. Unë nuk kam informacion se cili nga këshilltarët jugosllavë i ka këshilluar Prishtinës këtë qëndrim, i cili po kulmon me tezën e re proserbe në qarqet zyrtare të Prishtinës se "Nuk ka nevojë që Serbia ta njohë Kosovën".

Në datën 15 shkurt ish-kryeministri i Suedisë, Karl Bildt, një nga diplomatët më të shquar evropianë dhe një nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të Ballkanit, në një analizë të tij për strategjinë e re të BE për Ballkanin Perëndimor, botuar në "ecfr.eu", hedh tezën se "është krijuar një e drejtë veto e Kroacisë dhe e Kosovës për hyrjen e Serbisë në BE". Veto e Kroacisë lidhet me zgjidhjen e grindjes kufitare me Serbinë për 135 kilometra përgjatë lumit Danub, ku Kroacia kërkon që për kufirin të respektohet shtrati i vjetër i lumit dhe jo ai i ndryshuar nga ndërhyrjet inxhinierike. Sipas Bildtit, veto e Kosovës lidhet me procesin e dialogut dhe të marrëveshjes detyruese të normalizimit, që kërkon Brukseli, para pranimit të Serbisë. E shprehur më thjesht, kjo do të thotë që Kosova mund ta ndalojë Serbinë për në BE, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën.

Kërkesa e parë dhe e fundit në një marrëveshje të re detyruese duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Nëse Prishtina do të devijojë nga ky objektiv strategjik imediat dhe do të verë firmën në ndonjë marrëveshje, ku shpërblimi do të jetë një anëtarësim në OKB pa njohjen si shtet, kjo do të quhet një autogol i madh i udhëheqjes së Kosovës, (për të mos përdorur një term akoma më të rëndë, që e preferon populli).

Prishtina, siç e ndriçoi me largpamësi diplomati i madh suedez, ka tani në dorë veton e saj për anëtarësimin e Serbisë në BE. Është një rast i artë diplomatik, që nuk duhet ta djegë për flamurin në OKB. Është një kartë e artë diplomatike, që duhet t'i shërbejë interesit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës për kushtin e parë dhe të fundit: njohja e Kosovës si shtet nga Serbia. Asnjë kompensim tjetër nuk mund të vihet në plan të parë, as UNESCO e as OKB. Ndaj thirrja ime drejtuar presidencës, qeverisë dhe diplomacisë së Kosovës është që në mënyrë kategorike produkti i një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke midis dy shteteve fqinje. /GSH/

The post Pse Prishtina nuk flet për njohjen e Kosovës nga Serbia? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more