Skip to main content

“Pakti Detar/ Meta bën atë që nuk pritej, Bushati vazhdon ta kritikojë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Pakti Detar/ Meta bën atë që nuk pritej, Bushati vazhdon ta kritikojë” plus 9 more - Gazeta Dita


Pakti Detar/ Meta bën atë që nuk pritej, Bushati vazhdon ta kritikojë

Posted: 28 Feb 2018 02:40 AM PST

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të paraqitet në Komisionin e Jashtëm Parlamentar për t'u pyetur lidhur me kërkesën e Ministrit Ditmir Bushati për dhënien e autorizimit për marrëveshjen e Detit.

Reagimi i Metës vjen një ditë pasi ai i ktheu për herë të dytë kërkesën për autorizimin e nisjes së negociatave, ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Megjithatë, Bushati, gjatë ditës së sotme, në komisionin e Jashtëm kritikoi qëndrimin e fundit të Presidentit dhe ish kryeministrit Berisha.

“Deklaratat e Berishës dhe Metës për marrëveshjen e 2009-s ishin që e mbronin atë dhe e quanin si marrëveshjen më të mirë. Nuk e kuptoj tani se çfarë kauze i ka bërë bashkë këta të dy për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese", tha ai sot në komision.

Fill pas deklaratës së tij, reagoi deputeti demokrat, Tritan Shehu, i cili bëri të ditur se opozita do të bëjë një kërkesë me shkrim për të dëgjuar në seancë dëgjimore edhe Presidentin Meta.

"Ju shkelët rëndë etikën duke përdorur terma fyes ndaj Presidentit dhe anëtarëve të opozitës. Ne duhet të thërrasim në një seancë dëgjimore Presidentin e Republikës. Këtu u hodhën shumë akuza ndaj Presidentit. Ne do bëjmë kërkesë me shkrim," tha Shehu.

s.a/dita

Elbasan/ Nipi shkon të shohë xhaxhanë në morg, pëson atak kardiak

Posted: 28 Feb 2018 02:26 AM PST

Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në Elbasan, ku një 44-vjeçar ka humbur jetën teksa shihte të afërmin e tij në morg.

Burime zyrtare policore bënë të ditur se Astrit Osmani shkoi të shohë në morg xhaxhanë e tij, Riza Osmani, i cili kishte ndërruar jetë për shkak se vuante nga zemra, por që nuk ka mundur dot t'i bëjë ballë dhimbjes dhe ka pësuar atak kardiak.

Dyzet e katër vjeçari pasi ka pësuar atak kardiak, ka ndërruar jetë në pak sekonda. Ngjarja ka tronditur familjarët dhe personelin mjekësor, të cilët janë përpjekur ta rikthejnë në jetë, por ka qenë e pamundur.

Edhe nga ekzaminimet e ekspertëve dhe të një grupi hetimor, nga të dhënat paraprake rezulton se shkaku i vdekjes së 44-vjeçarit ka qenë pikërisht ataku kardiak.

s.a/dita

DETAJET: Vinte nga Kolumbia fshehur në banane, 180 milionë euro, vlera e kokainës së kapur në Durrës

Posted: 28 Feb 2018 02:23 AM PST

Vlera e 613 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit është 180 milionë Euro. Kështu ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë një konference për mediat.

Në pranga ranë dy persona Donald Lucaj 25 vjeç nga Tropoja dhe banues në Tiranë, si dhe Armando Pezaku 25 vjeç nga Durrësi.

Në kërkim është shpallur Arben Çekaj, drejtori i kompanisë "Abi Garden" me qendër në Maminas. Kjo kompani kishte bërë porosinë me banane që kishte ardhur nga Kolumbia së bashku me sasinë rekord të kokainës.

Deklarata e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu:
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar "Last Snow".

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.

Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.
Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse "Arbri Garden" shpk, me pronar shtetasin A.Ç.

Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:
– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;
– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.
Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë.

o.j/dita

Dominantja e poezisë tek Moikom Zeqo

Posted: 28 Feb 2018 02:16 AM PST

Vasil Vasili*

Dua të gjej dominanten artistike te poezia e Moikom Zeqos "Stinët e Pavdekshme".

E lexoj, e këqyr, e përsiat, e  përsëri kthehem te pika e nisjes.

E rilexoj me zë për ti dhënë një mundësi më shumë vetes:

" Deti, – kortezh mbretëror, – dhe unë, – rrufetë, – i thith, – papushim – si cingaret!

***

Dhe gjethet, – më vërtiten, – në vorbuj, – mbi supet e mia, – me peshën, – e një qyteti hyjnor, – të ardhur, – nga e Panjohura!

***

Pastaj, – vjeshta, – boshatiset, – si një humnerë!

***

Kundër stresit, – ende, – paguaj me ditë, – nga valuta kohore, – e fëminisë!

***

Të gjithë fenerët, – e qytetit, – i mbledh, – si fruta, – në frutierën, -time, – dhe përjetoj, – stinët e pavdekshme!"

***

Vasil Vasili

Është një mendim i pranuar se një poezi, që të ketë një dominante artistike duhet të eci mbi skeletin e kohës heraklitiane.

Po e kërkoj skeletin e kohës heraklitiane në këtë poezi, por nuk e shquaj.

Ndërkohë poezia më pëlqen.

Ajo është pikturuar nga metaforat, vargjet janë të thuktë dhe, po të hapen me përfytyrimin e lexuesit, do të gjenden nënshtresa imazhesh dhe kuptimesh plotësuese.

Poezia të jep më shumë se sa kuptimi linear i saj, të jep fjalët që i shpërndajnë  kuptimet me fuqinë e simbolit.

Që ta bëj të plotë kënaqësinë formale më duhet të gjej edhe dominanten artistike në këtë poezi.

Është një kërkesë e hershme e njohjes sime.

Por kjo poezi e ka lënë skeletin heraklitian në garderobën e historisë.

Me rënien e këtij skeleti ka rënë edhe dominantja artistike në formën klasike, kanë rënë edhe përbërës të tjerë.

Natyrisht, do ndryshojë edhe rrjedha e rrëfimit poetik.

Po e kqyr poezinë dhe pikas se  asaj i mungon Koha si rrjedhë.

Koha për poezinë është një shtrat, por mund të jetë edhe një mbivendosje e tepërt.

Heqja e një iluzioni e çliron nga pesha historike.

Poezia e ka të domozdoshme çlirimin nga pesha historike.

Poezia ka ndjekur dy rrugë, ajo i është përgjigjur skeletit heraklitian të kohës dhe rrugën tjetër e ka gjetur te Syri Pindarit.

Edhe kur i është përgjigjur skeletit heraklitian ajo e ka patur të nevojshme pak ajër jashtë kësaj kohe.

Ajo ka krijuar një çarje për t'u bërë më e lehtë nga pesha shtypëse e kohës.

Çarja ka lejuar dritën mbi kohën e njëtrajtshme.

Ndonëse rrëfimi ka qënë heraklitian, i mbathur me çizmet e kohës, çarja e ka tensionuar rrëfimin e njëtrajtshëm.

Çarja është takim me Jokohën.

Vetë Jokoha është Poezia, bërthama e Poezisë me skelet heraklitian.

Ajo është edhe dominantja artistike e kësaj Poezie.

Në Poezinë me skelet pindarik ose e parë me Syrin e Pindarit, qenia lëviz nëpër vrullet e saj.

Ajo s'ka një çarje të vetme, ajo është e çarë e tëra nga shpirti prej daljeve të tij jashtë kohës.

E çara, te Poezia me skelet heraklitian, vjen nga Syri i Pindarit dhe kqyret si fuqia jonë që del jashtë Kohës .

Ne fitojmë një jo kohë brenda në kohën tonë.

Ndërsa te poezia me sy Pindarik, sikur kërkojmë të kundërtën, mbylljen e çarjeve. Na duket më shumë subjektiviste se shoqërore. Dhe për ndihmë, ekuacionin poetik të saj e kthejmë në Shtratin Heraklitian.

Andej nisim njehsimin e Poezisë.

Numëri bazë i këtij arsyetimi është Koha.

Po arsyetimi fillon nga arketipi kohë dhe nuk është arsyetim i pastërt, për shkak të pafuqisë sonë për të  arsyetuar jashtë arketipeve.

Poezia e Moikomit është e çarë nga Jokohët, por ato mblidhen në "stinët e pavdekshme", për të kriijuar Kohën e Njeriut.

A kanë kohë "Stinët e pavdekëshme?

Po, kanë kohën e unit poetik.

Ajo është një Kohë e brendshme dhe e pamatshme.

Uni poetik është një nga tropet më intrigues të Poezisë.

Ai na lidh dhe na zgjidh me Kohën dhe me kohën e përgjithshme.

Ai na lidh edhe me një Jokohë.

Për këtë ai çmohet si krijues dhe si çelsi sol i Poezisë.

Ai është shpesh një qenie ekcentrike që bëhet i pranueshëm nga logjika poetike.

Ai e vë gjithnjë në provë logjikën, madje edhe logjikën poetike.

Ai është i lindur në qenie, ku psikika është më e qëndrueshme, ndërsa mendimet bëhen thurje të tij.

Në këtë poezi uni poetik çfarë kohë jep?

Jep një shenjëz të kohës, vjeshtën.

Ai është i lidhur me thelbin e natyrës së vjeshtës, me ikjen dramatike… të saj. "Pastaj, – vjeshta, – boshatiset, – si një humnerë!"

Fjalët janë të ndara nga vizat ndarëse dhe kanë fuqinë e një telegrami urgjent: Po zhduket një stinë!

Uni poetik i kësaj Poezie ka lindur nga përjetimi dramatik i vjeshtës.

Në vetvete koha s'është dramatike, por është cilësi e poetikës së Moikomit dramaciteti, por ai shfaqet si dramacitet i njeriut.

Si na zgjidh uni poetik  nga Koha?

Me dramacitetin e tij.

Brenda dramës nuk ka kohë, ka lëvizje të qenies.

Moikomi bën kalim të menjëhershëm, pa parapërgatitje, nga një shenjëz e kohës në estetikë.

Qenia nuk shpjegohet vetëm me rrëfim linear.

A kanë logjikë të brendshme vargjet e kësaj Poezie?

Ato i organizon vjeshta dhe uni poetik. Pra, ato kanë logjikën e ikjes dhe të dhimbjes që të jep ikja. Vjeshtë dhe qenie, ose un poetik i dalë nga takimi i qenies me vjeshtën, ose njeri dhe natyrë, ose kqyrja e vetvetes në pasqyrën e natyrës. Dhe ç'mbetet?

Ajo çka mbetet nga natyra te Njeriu.

Këtë filozifi Moikomi e njeh mirë.

Këtej ka rrjedhur si kundërpeshë e ikjes edhe vargu përmbyllës i poezisë: " Të gjithë fenerët, – e qytetit, – i mbledh, – si fruta, – në frutierën, – time, – dhe përjetoj, – stinët e pavdekshme!".

Ndihet iluzioni, ndihet pafuiqia e njeriut që bën një veprim poetik, mbledh dritën e fenerve për ti hedhur në stinën e pavdekshme të Njeriut.

Logjika e Poezisë është zbritëse, nëpër dhimbje, që vijon të përthyet në qenie, gjer në mbyllje të përjetimit.

Pra, kur themi logjika poetike është zbritëse, themi se ka edhe një rrëfenjë të brendshme të një skeleti të brejtur heraklitian.

Si e tillë duhet të ketë një dominante të vetme poetike. Natyrisht duhet ta ketë, por uni poetik i Moikomit e shpërfaq përjetimin me Syrin e Pindarit si përjetim të përthyer në unit poetik.

Ai del nga e tëra si shpërthim dhe i bën hije rrëfimit. Rrëfimi organizon të tërën, pindarizmi thekson pjesën, të çarën, jo Kohën.

Në brendësi poezia " Stinët e pavdekëshme" ka një skelet të ronitur heraklitian, por që s'të jep mundësi për ta pikasur pikën më të lartë të poezisë sipas këtij skeleti…. se poezia e Moikomit zhvillohet në psikikë.

Ajo është ksombël e psikikës poetike pindarike.

Ai nuk merr hua përjetimet e paraardhësve.

Ai edhe  arketipet i rikrijon.

Askush s'e ka thënë: "Pastaj, – vjeshta, – boshtiset, – si një humnerë!".

Mund të mos ta lexosh më tej poezinë dhe s'humb asgjë. Ky varg e ka mbledhur të gjithë poezinë rreth vetes me tensionin e një rrote që ecën në pjerrtësi.

Për një poet tjetër ky varg metaforë do të ishte i mjaftueshëm për të mbajtur një poezi dhe, do të ishte pika më e lartë e saj.

Por te poezia e Moikomit të gjitha vargjet janë metafora, janë pika të larta të barazvlerëshme me një dominante poetike, janë gjuhë psikike që shpërthen nga krijimi dhe nga kultura e tij.

***

Çdo varg në këtë poezi është një njësi poetike e mëvetshme dhe  bashkohet me vargun tjetër jo sipas parimit të nënrenditjes, por sipas parimit të pavarsisë relative.

Logjika poetike formale bashkuese e vargjeve është tërhequr në brendësi, në rastin tonë, në përjetimin e vjeshtës, dhe ka lënë në sipërfaqe imazhet e figurave dhe brenda tyre, natyrëfilozofinë.

Në lidhjen e vargjeve të kësaj poezie parimi i pavarsisë relative u ka dhënë më shumë liri vargjeve për të shprehur vetveten.

Por logjika e vargjeve nuk është anarkike.

Ajo është bashkim nëpërmjet lirisë i njësive poetike.

Vargu i parë, " Deti, – kortezh mbretëror, – dhe unë, – rrufetë, – i thith, – papushim – si cingaret!", duket më i pavaruri dhe më i palidhuri me të tjerët.

Një përkthim i lehtë semantik i vjeshtës do të na thotë se në vjeshtë ka shumë rrufe mbi det.

Nuk duam të theksojmë dobësinë e Moikomit për detin, që i thith papushim (dramatikisht) rrufetë  si cingaret.

Theksuam se vargu i parë është vjeshtë, e parë nëpërmjet psikikës së figurës.

Të gjithë tradicionalistët e poezisë nuk do ta përjetonin kurrë këtë varg.

Dhe kurrë nuk do ta mendonin unin poetik si feprishje poetike të hullisë së të hapur prej të parëve.

Ata do të tmeroheshin nga ky varg.

Logjika e brendshme e këtij vargu është e lidhur e tëra me vjeshtën.

Rrufetë djegin.

Duhet përsëritur ky togfjalësh, për ta risjellë ashtu siç ka lindur në psikikën e Moikomit, në çastin e krijimit të poezisë. Rrufetë djegin.

Në këtë çast ka lindur Poezia. Ka lindur si dhimbje e djegjes së stinës nga rrufetë.

A nuk krijohet vjeshta nga një djegje e brendshme?

A nuk është vjeshta vetëdjegje?

A nuk e përgatisin vjeshtën vizualisht ngjyrat e rufeve?

A nuk është fisnike, madhështore, utopike, mbrojtja, mosdorëzimi i vjeshtës nga uni poetik?

Dhe tymi i pashprehur, por i nënkuptuar, nga cingaret e rrufeve, që shfryn nga shqisat e poetit, është një gjendje, një prelud.

***

Poezia e Moikomit është në thelb natyrore, para se të jetë e rrymave letrare. Ai rrjedh nga Whimani.

Por natyroren e ka mbështjellë me psikikën e imazheve. Kultura i ka dhënë guximin e shprehjes,  në brendësi komandon natyraliteti psikik dhe kultura.

Edhe imazhi është natyrë, por i parë me përfytyrim.

Psikika krijon gjendje, arsyeja end rrëfim.

Arsyeja te Moikomi është thadruar në psikikë.

Kjo e shfaq poet të lindur dhe të madh.

Poezia e Moikomit është lirikë e psikikës dramatike.

Le të përpiqemi të nxjerrim një moral nga poezia "Stinët e pavdekëshme".

Morali do të ishte edhe një paralele e pikës dominante të saj.

Morali ka dalë nga përvoja njerëzore.

Ai priret ndaj virtyteve.

Në këtë poezi kemi metafora të fuqishme të nisura nga foljet, por vetë foljet janë të plogta, pësore.

Morali është aktiv, veprues.

Metaforat thadrojnë një gjendje të unit poetik.

Morali mund ta ndryshojë një gjendje.

Por ai përballë stinës vjeshtë është pa kuptim.

Uni poetik përball stinës vjeshtë është në gjendje ekzistenciale.

Ai mer trajtën e filozofisë estetike.

Uni poetik ndjen, por ndjen në vetvete dhe shprehet me të gjitha trajtat e ndjeshmërisë, por ai nuk ndryshon dot asgjë.

Ai shpjegon pozicionin e vetvetes përball asaj që e kemi emërtuar vjeshtë, shikon ndryshimin dhe fundin e saj.

Ndriçon të vërtetat e fshehura të natyrës me mjete të bukura.

Këtu mbaron e drejta e tij.

Këtu mbaron edhe e drejta e Poezisë.

Më tej e marin në dorë moralistët.

Në brendësi, dominantja artistike është dhimbja që na e nxjerr natyra me trajtat e saj, por ne duam edhe një dominante artistike të jashtme, të dallueshme.

Drama ka kuptim si mardhënie njerëzore.

Ajo ka edhe pikë kulminante.

Por  "Stinët e pavdekëshme" nuk janë dramë njerëzore, pavaresisht nga përjetimi dramatik i Moikomit.

Nëse s'ka dramë njerëzore s'ka edhe pikë kulmore të saj, se natyra është përjetësi dhe çdo dramë e njeriut përball natyrës bie.

Madje është mendim i stisur.

Atëherë duhet të rravgojmë në një hulli tjetër për të gjetur dominanten artistike të poezisë "Stinët e pavdekshme, ndonëse gjer tani i kemi lënë shenjat e saj nëpër rradhë.

Le të kqyrim përsëri foljet e kësaj poezie.

Ato janë vendosur në mes të vargut. Në të dy kahet shpërndajnë metaforat.

Një folje shpërndan dy metafora. Kjo është një mrekulli e fuqisë poetike të Moikomit.

Është një strukturë e re e fjalisë poetike me një ekonomizim të fjalëve, që rrallë mund ta ndeshësh.

Ky është edhe stil i epërm.

Le ti përsëritim foljet e Poezisë: thith, vërtiten, boshatiset, paguaj, mbledh, përjetoj.

Mbas tyre qëndron uni poetik, pak ekstravagant, pak dramatik, pak patetik, pak panteist, por gjithnjë i sinqertë. Brenda foljes nis uni poetik i Moikomit, i subjektit.

E nisur nga folja në metaforë, në predikat, gjendet rruga e dominantes artistike të poezisë së Moikomit.

Folja tregon veprim, pra është e lidhur me skeletin heraklitian aq  sa edhe me skeletin pindarik, figura është pa kohë, është përfytyrim i qenies, është e parë vetëm me Syrin e Pindarit.

Dominantja artistike në këtë poezi është e padukshme. Ajo është thellë, në përjetim.

Në qoftë se do të këmbëngulim për domominanten formale të kësaj poezie, atë do ta kërkojmë te vargu "Pastaj, – vjeshta, – boshatiset, – si një humnerë".

Por ajo është një dominante pindarike.

Ky varg ka aftësinë që të krijojë edhe skeletin e dominantes artistike me  kohë heraklitiane.

Edhe dominantja e tij do bjerë po mbi këtë varg.

Të dyja dominantet e neutaralizojnë njera – tjetrën paqësisht.

Patra, 8 shkurt 2018

*Vasil Vasili, autor i disa librave me poezi, eseistike dhe proze. Jeton  dhe punon në Greqi.

Përplasja me armë në Vlorë/ Zbulohet shkaku i sherrit që la 3 të plagosur

Posted: 28 Feb 2018 02:10 AM PST

Qyteti i Vlorës është tronditur mbrëmë nga shkëmbimi i zjarrit që patën dy automjete me njëra-tjetrën. Nga ky shkëmbim me armë zjarri kanë mbetur të plagosur tre persona, mes të cilëve njëri ndodhet në gjendje kritike.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:00, në lagjen "28 Nëntori", në afërsi të Kishës Ortodokse, ku mësohet se është përdorur një pistoletë dhe një armë kallashnikov.

Në ngjarje janë përfshirë tre automjete, një prej të cilëve dyshohet se nuk ka patur lidhje me shkëmbimin e zjarrit. Ndërsa nga ana tjetër, një prej automjeteve nga i cili është qëlluar, është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Në spitalin rajonal të Vlorës janë dërguar tre persona, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Të plagosurit janë Gazmir Canaj, 37 vjeç, me plagë në kraharor, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore; Taulant Beqiri, 28 vjeç, me plagë në këmbë, ndërsa i plagosuri i tretë është Elis Llanaj, me plagë në bark.

Në spitalin e Vlorës ka prezencë të lartë të forcave policore, FNSH-së dhe Delta Force për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes familjarëve të palëve të përfshira.

Përveç sekuestrimit të armës së zjarrit e gëzhojave të armëve, policia ka sekuestruar dhe dy automjete.

Një prej tyre një "Fiat Punto" me targa italiane DJ 252 RC, e përfshirë në ngjarje, dhe një "Toyota" (që nuk ka lidhje me ngjarjen), e cila është përplasur me "Fiat-in" në momentin e shkëmbimit të zjarrit.

Policia ngriti pak pas ngjarjes postblloqe të shumta për ndalimin e personave të përfshirë në përplasjen me armë, por nuk kishte asnjë të ndaluar, përveç të plagosurve.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, Policia ka ngritur dy pista hetimi.

E para pistë hetimi bazohet në dyshimin se konflikti mes dy grupeve mund të ketë lindur për shkak të pazareve të prishura të drogës. Dhe kjo përforcohet nga fakti se të përfshirët në konflikt kanë jetuar edhe jashtë Shqipërisë, kryesisht në shtetin fqinj të Italisë.

Por përveç kësaj piste, policia nuk përjashton dhe mundësinë që dy grupet që shkëmbyen zjarr në ecje, mund të kenë pasur konflikte të tjera të mëparshme me njëri-tjetrin dhe kjo ka çuar në hakmarrje.

Gjithsesi, dinamika e ngjarjes pritet të zbardhet nga kamerat e sigurisë së bareve pranë vendit të ngjarjes si dhe nga deklarimet e të plagosurve.

s.a/dita

Bushati: Presidenti jep autorizimin, plotfuqinë e ka ministri i Jashtëm

Posted: 28 Feb 2018 02:01 AM PST

Ministri i Jashtëm Bushati është thirrur për të raportuar në Komisionin e Politikës së Jashtme për marrëveshjet që pritet që të firmosen me Greqinë. Ministri u shpreh se palët kanë rënë dakord që të ketë një marrëveshje të re.

"Duhet një marrëveshje e re për detin. Takimet në Kretë dhe në Korçë kanë qenë frytdhënëse. Ia kam shpjeguar me maturi Presidentit. Janë bërë diskutime që në 2014 për të kuptuar shqetësimet dhe kufizimet që kanë palët për këtë proces. Është bërë leximi i qëndrimit të palëve në nivel teknik në 2014 dhe në 2017. Është bërë shumë punë për të hapur një faqe të re në marrëdhënie me Greqinë. Kemi rënë dakord me Greqinë për t'u ulur për një marrëveshje të re. Akoma nuk ka një marrëveshje", deklaroi ai.

Bushati ka sqaruar gjithashtu se Presidenti nuk jep plotfuqinë, por autorizimin. "Presidenti në bazë të ligjit nuk jep plotfuqishmërinë. Presidenti jep autorizimin, plotfuqishmëria është kompetencë e ministrit të punëve të Jashtme. Unë i kam kërkuar dhënien e autorizimit Presidentit të Republikës, për të filluar punën konkrete. Synojmë të arrijmë një marrëveshje. Presidenti nuk lëshon plotfuqinë, por ka autorizim, nuk e dinte edhe ai i shkreti", ndërkohë që në këtë moment ka ndërhyrë Kodheli duke i kërkuar që të ruajë etikën.

Në komision nuk ka munguar edhe debati me opozitën. Bushati është përplasur me Palokën, ndërsa ka shtuar se në këtë proces ka vetëm tre 'halle'. "Mos më ngri zërin. Egos, paranojës, dhe Saliut, nuk kam çfarë t'u bëj këtë proces. Këto janë tre hallet e mëdha",  tha ai.

o.j/dita

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, jo më hetues i krimeve të luftës në Kosovë

Posted: 28 Feb 2018 01:48 AM PST

Gazeta prestigjioze britanike, “The Guardian” i ka kushtuar një artikull kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, David Schwendiman, i cili nuk do të hetojë dot krimet e luftës në Kosovë, pasi do largohet nga Haga në muajin prill të këtij viti.

Schwendiman tregon arsyet e largimit të tij, dhe shprehet se momentalisht gjykata nuk ka ndonjë pasardhës të caktuar, dhe sipas tij kjo vjen kryesisht nga neglizhenca e departamentit të SHBA-së.

"Nuk më është dhënë asnjë garanci. Prej dy javësh është heshtje totale,” u shpreh ai në një thirrje telefonike me Guardianin, nga Haga.

David Schwendiman tha se kishte kërkuar nga departamenti i shtetit për më shumë se një vit që të merrte vendim për të ardhmen e pozitës në gjykatën e Hagës.

Kjo lëvizje që po ndodh në krye të Gjykatës së Kosovës, po vjen në një kohë të pasigurt për rajonin. Dhjetë vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, pas një kryengritjeje dhe ndërhyrjes së NATO-s, e ardhmja e vendit ende nuk është zgjidhur.

Megjithatë, Schwendiman këmbënguli se largimi i tij në një kohë të shkurtër nuk do të pengonte punën e gjykatës.

Gjykata, e njohur ndryshe edhe si "Dhoma e Specialistëve" që u krijua në vitin 2016, ka bërë përparime thelbësore, sa i përket akuzave kundrejt disa udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për mizoritë dhe krimet që kishin bërë kundër serbëve etnikë dhe kosovarëve në vitin 1998-99.

Kur gjykata u themelua në vitin 2016, Schwendiman u zgjodh si prokurori i saj i parë special, kryesisht për përvojën e tij të gjerë në rastet e krimeve të luftës ndërkombëtare.

s.a/dita

 

 

FOTO: Europa dridhet përballë “bishës lindore”

Posted: 28 Feb 2018 01:48 AM PST

E kanë cilësuar "bisha lindore" dhe po sillet si e tillë në gjithë rrugëtimin e saj në Europë.

Vala e të ftohtit siberian ka lënë gjurmë ngricash në të gjithë kontinentin dhe ka shkaktuar të paktën 20 viktima që prej fundjavës së kaluar.

Megjithatë  dëmet janë më të vogla se në janarin e vitit 2017, kur më shumë se 190 njerëz humbën jetën nga i ftohti, shkruan Dita.

Franca ka komunikuar deri më tani vdekjen e katër personave të pastrehë. Sipas autoriteteve franceze, kulmi i të ftohtit arriti dje me -10ºC të regjistruar në Paris dhe 20 gradë nën zero në zonat e larta malore.

Në Rumani, i ftohti ka shkaktuar dy viktima dhe në Sllovaki tre.

Në Hungari, shifrat janë të frikshme: vetëm këtë vit, më shumë se 140 njerëz kanë humbur jetën nga i ftohti.

Masat e ftohta të ajrit janë përqendruar prej dy ditësh në Gjermani. Berlini u gdhi dje me temperatura 18 gradë nën zero.

Ndërkohë autoritetet angleze, paralajmëruan për incidentet që mund të shkaktojnë reshjet ekstreme për 4 ditë me radhe dhe temperaturat -15 º.

Autoritetet u kërkuan shoferëve të ktheheshin në shtëpi para orës 18.00 për të shmangur rreziqet. Pavarësisht paralajmërimeve, katër persona vdiqën dje në aksidente rrugore për shkak të stuhisë.

o.j/dita

 

Sfida e dytë: Zajednica, “një republikë srbska e re”?

Posted: 28 Feb 2018 01:26 AM PST

Bedri Islami

(Vijon nga dje)

Sot, e mërkurë, është disa e provës së parlamentit të Kosovës për Demarkacionin. Askush nuk e di fatin e tij dhe, krejt e mundur, do të duhet të pritet një ditë tjetër, për të patur një përfundim.

Sidoqoftë, miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, nuk do të thotë se do të ketë një ndarje përfundimtare të kufirit, por, po ashtu, nuk do të thotë se me këtë proces përfundojnë sfidat e mëdha që ka përballë qeveria dhe parlamenti i shtetit më të ri.

Demarkacioni, sido që të ketë fatin e tij, heq një sfidë, më saktë, e saktëson atë, por i hap rrugë sfidës tjetër, krijimit të Asosacionit të Komunave serbe, e njohur shkurt si "Zajednica".

Për shumë vetë ende nuk është plotësisht e qartë se çfarë është e gjithë kjo, përse është ngritur me kaq forcë, e vazhdon të ngrihet, sidomos nga qeveria serbe, domosdoshmëria e krijimit të një Bashkësie të vetme të Komunave serbe në Kosovë.

Kaq e pranishme është kjo temë sa që, edhe një ditë më parë, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, e ngriti rishtas, me një ngjyrim tipik serb, duke lëshuar në sinjal edhe kundërshtimet e forcës së tij politike, vazhduese e partisë së Millosheviqit, ndaj presidentit serb. Megjithëse mund të duken se mes tyre ka kundërshti, ato janë më shumë kozmetike, krejtësisht të padukshme, dhe që të dy, si shumica e forcave politike serbe, e kërkojnë me ngulm kërkimin e kësaj bashkësie, Zajednicën e tyre.

Edhe në Kosovë, Lista serbe, ka vënë si kusht të panegociueshëm pranimin e Zajednicës për të miratuar Demarkacionin me Malin e Zi.

A është Zajednica, pra Asosacioni i Komunave serbe ripërsëritje e Republika Srbska, pra, a është ajo vazhdim i krijimit të një mini republike brenda republikës së Kosovës, ashtu si ka ndodhur në Bosnje?

Ngjyrimet janë të tilla. Kërkesa është e tillë. Përfundimi mund të jetë i tillë. Është krejt e mundur që, pas krijimit të kësaj bashkësie, politika serbe në Beograd të kërkojë zgjerimin e të drejtave, të kërkojë krijimin e minishtetit serb në Kosovë, ku shumë gjëra të jenë të pavarura nga qeveria dhe ligjet e Kosovës, ku gjithçka të jetë nën një politikë përdalluese, të veçantë dhe të jetë si shtojcë e qeverisë serbe, edhe më shumë e me hapur se sa janë tani.

Idea për lindjen e kësaj bashkësie serbe lindi pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004. Është pikërisht koha kur një strukturë e veçantë e ngritur në Beograd, me të drejta të pazakonta dhe ku janë përfshirë shumë institucione e figura të njohura politike, akademike dhe të krimit, hartojnë programin e tyre të ri për depërtimin sa më gjërësisht në shtetin e ri të Kosovës, i cili ende nuk është njohur në atë nivel sa të shpallë pavarësinë e tij.

Në marsin e vitit 2004 do të jenë revoltat më të mëdha shqiptare të pasluftës, spontane dhe masive, të padrejtuara nga forcat politike, por nga të cilat u ndezën përleshje të ashpra, qoftë me forcat e KFOR-it, por edhe me bandat e organizuara serbe. Shkak i dukshëm u bë mbytja në lumin e Ibrit e disa fëmijve shqiptarë që ndiqeshin nga serbë të armatosur dhe qenë, por edhe pritshmëria e një mrekullie kishte rënë dukshëm.

U dogjën disa kisha e manastire, shumica e tyre nga vetë forcat paraushtarake serbe, të cilat kishin vepruar edhe gjatë luftës dhe kishin gjetur mundësinë e organizimit klandestin, por edhe shqiptarë të mllefosur dhe të dëmshëm, bënë akte vandale, të cilat binin ndesh me atë çka bota perëndimore synonte të krijonte në Kosovë.

Kjo solli atë që më pas u quajt Dokumenti i Ahtisarit, një dokukent kompromisi mes palëve. Por në cilin, megjithë lëshimet e mëdha që u bëheshin pakicës serbe dhe pakicave të tjera, nuk parashikohej e nuk parashihet as tani krijimi i Bashkësisë së Komunave serbe.

Po ashtu, në Kushtetutën e Kosovës, Zajednica nuk është pjesë e saj. Në Kushtetutë ekziston një status i Asosacionit të Komunave të Kosovës, ku janë të pëfshirë edhe komunat me shumicë serbe.

Zajednica nuk është parashikuar as në Dokumentin Gjithëpërfshirës të Vjenës.

Çfarë do të thotë miratimi i saj?

Në radhë të parë bashkësia e komunave serbe është një nivel i ri i pushtetit serb në Kosovë dhe precedenti gjithnjë i rrezikshëm i kërkesës dhe presionit për një ndarje të re, rivendosjes së kufijve, copëzimit të administrimit të pushtetit qendror, krijimit të linjave paralele dhe vendosjes së një lidhje të drejtpërdrejtë dhe antikushtetuese mes pushtetit në Beograd dhe kësaj bashkësie. Me lindjen e saj, shumë shpejt, forcat politike serbe, për të bërë ndonjë lëshim rastësor, do të kërkojnë edhe një status juridik e politik të veçantë, krijimin e gjykatave të veçanta, policisë së veçantë, detyrimeve tatimore speciale, etj.

Në fakt, ata do të kërkojnë krijimin e një republike të re brenda republikës së Kosovës, por ndryshe nga sa ndodh në Bosnje, kjo bashkësi nuk do të ketë një kufi deri diku të saktësuar, por do të jetë e shtrirë në pjesë të ndryshme të vendit, ashtu si janë shtrirë edhe komunat serbe.

Ndërsa duket se Demarkacioni me Malin e Zi është pika e vlimit të politikës në Kosovë dhe të sfidave të saj, Zajednica mund të jetë shumë më e furishme dhe shumë më e tejzgjatur si vlim pasionesh dhe intereash politike që mund të çojnë në ngjarje tragjike në të ardhmen.

Nëse politika në Kosovë mendon shkurt, politika në Serbi mendon shumë më gjatë. Atje mendohet dhe janë bërë studime të veçanta për çdo rast të mundshëm politik, juridik e legjislativ. Në rastin e përcaktimit të kufirit mes dy shteteve, çka do të ndodhë një ditë, pra një Demarkacion mes Serbisë dhe Malit të Zi, pikërisht këto komuna, thellësisht shqiptare, ku në shumicë banojnë serbë të ardhur si pasojë e kolonizimit serb, do të kërkojnë shkëputjen dhe humbja e tashme, nëse ndodh, me Malin e Zi, mund të duket si një lojë fëmijësh.

Miratimi i Zajednicës, pavarësisht dëshirës për lëshime pushtetore të qeveritarëve dhe krerëve të institucioneve, nuk mund të bëhet fakt i kryer nga një firmë e vendosur diku. Ajo kërkon ndryshime themelore kushtetuese, sepse duhet të jetë një akt kushtetues.

Forcat politike në Kosovë ende janë përsëri të shkapërndara. Askush nuk e di se si do të jetë përcaktimi i forcave të djeshme opozitare, sot në qeveri, AAK dhe Nisma socialdemokrate, ashtu si askush nuk e di se si do të veprojnë deputtë, edhe brwnda PDK-së dhe LDK-së, që shpesh herë mendojnë në mënyrë të pavarur.

Vemendja është tani tek Demarkacioni. Forca e vetme politike që e ka mendjen në atë çka vjen më pas, është Lista serbe, votat e së cilës po kërkohen me ngulm për të bërë të mundur kalimin e Demarkacionit.

Demarkacioni, edhe pse duket se nuk i intereson Listës serbe, është në vemendjen e saj, për dy arsye themelore. Së pari, për të patur në të ardhmen një precedent se si mund të lëshohen kufijtë lehtësisht, dhe, së dyti, më e rëndësishmja tani për tani, për të përfituar në krijimin e Asosacionit të komunave serbe.

Deri më tani, askund në botë nuk ka ndodhur që një pakicë , lehtësisht e papërfillshme të sundojë mbi shumicën autotoktone, sidomos pas ngjarjeve tragjike të Luftës në vitet 1998 – 1999.

A do të ndodhë në Kosovë?

Askush nuk e di. Mbi qeveritarët shqiptarë në Kosovë qëndron një hije e rëndë, e cila duket në sfidën e tretë të madhe : gjykata speciale.

Vijon…

“The Guardian” shkruan për Tiranën!

Posted: 28 Feb 2018 01:25 AM PST

Jo më kot thonë që nga fëmija fillon jeta.

Ata janë gëzimi dhe vëmendja e çdo prindi dhe gjithçka ata urojnë është që të rriten të sigurt dhe shëndetplot.

E ndërsa çiftet e reja presin që të bekohen me frytin e dashurisë së tyre, kalkulojnë ndër vete pyetje të shumta rreth rritjes së fëmijës.

A është Tirana e sigurt? Nëse po, sa e sigurt është? A është kryeqyteti ynë ideal për sigurinë dhe rritjen e ngrohtë të fëmijës tim? Ka mjaftueshëm gjelbërim, parqe apo hapësira të tjera për të?

Në një artikull të ditës së sotme prestigjozja "The Guardian" shkruan mbi Tiranën e ditëve të sotme dhe raportin e saj në të mirë të fëmijëve.

Shkruan The Guardian cituar nga Dita:

"Në një qytet me financime të vogla,kanë arritur që nëpërmjet parneriteteve publik-privat,hapësirat aspak të përshtatshme,ti kthejnë në plot 10 ambiente të reja shumë efikase dhe të bukura për fëmijët.Këtë vit sheshi Skenderbej është kthyer tërësisht në një zonë për kalimtarë duke zgjeruar kështu numrin e rrugëve pa makina deri sa të arrihet që qendra të jetë komplet "car-free", pra pa makina. Nga kjo nismë, rezulton që ndotja është ulur me 15%".

“The Guardian” përmend edhe këndin e lojrave tek Liqeni Artificial, i cili solli shumë polemika por në fund puna mbetet për tu përshëndetur.

Në këtë konstatim të tyrin ata përfshijnë edhe një citim të kryebashkiakut tonë Erion Veliaj:

"Një grup i vogël njerëzish të lidhur me interesa të ndryshme gjithmonë do të krijojnë zhurmë e trazira, por pasi puna të ketë përfunduar me sukses, shumica e cila ruajti qetësinë do të shfaqet dhe do të shijojë rezultatin".

"Tirana gjithashtu ka edhe 'Këshillin e fëmijëve' që u krijon mundësinë të takohen me zyrtarë të ndryshëm dhe të diskutojnë mbi çdo problematikë që kanë dhe i shqetëson"– shkruan The Guardian.

a.k. / dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more