Skip to main content

“Mblidhet “Legjislacioni”, PD: Të shkarkojmë Arta Markun. PS: U zgjodh konform Kushtetutës” plus 9 more - Gazeta Dita

“Mblidhet “Legjislacioni”, PD: Të shkarkojmë Arta Markun. PS: U zgjodh konform Kushtetutës” plus 9 more - Gazeta Dita


Mblidhet “Legjislacioni”, PD: Të shkarkojmë Arta Markun. PS: U zgjodh konform Kushtetutës

Posted: 27 Feb 2018 02:04 AM PST

Këshilli i Legjislacionit u mblodh këtë të martë për të diskutuar nën për nen propozimet e opozitës për ndryshimet kushtetuese në pjesën ku flitet për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Amendimet e Partisë Demokratike mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, propozojnë shkarkimin e menjëhershëm të Arta Markut, që opozita thotë se është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese dhe pa kaluar procesin e vettingut.

"Duhet t'i ndërpresim mandatin kryeprokurores. Askush nuk e di nëse kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun", deklaroi Bylykbashi.

Zgjidhja, sipas deputetit demokrat është ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më pas zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm, pasi të ketë kaluar vettingun.

"Ky është një test për mazhorancën nëse e do drejtësi të pavarur apo jo", vijoi Oerd Btlykbashi.

Ulsi Manja nga socialistët foli për një vakancë të Kushtetutës sa i takon dispozitave tranzitore në rastin e zgjedhjes së kryeprokurorit.

"Shqipëria sot ka Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas Kushtetutës, që ushtron detyrën deri në zgjedhjen e prokurorit të ri konform Kushtetutës. Nuk jemi në konflikt me Kushtetutën.

Kuvendi është në respektim të Kushtetutës dhe të ligjit. Dispozita tranzitore e Kushtetutës nuk e ka zgjidhur rastin e vakancës së krijuar në mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, siç e ka zgjidhur për organet e tjera kushtetuese. Këtë e ka bërë ligji numër 97, 2016 për prokurorinë", u shpreh ai.

o.j/dita

 

Pezullohet mësimi në universitetin e Shkodrës

Posted: 27 Feb 2018 01:59 AM PST

Në datat 27 dhe 28 shkurt, pra të martën dhe të mërkurën është pezulluar procesi mësimor në universitetin e Shkodrës.

Shkak për këtë është bërë moti i keq me reshje dëbore dhe situata e rënduar e rrugëve, e cila në shumicën e rasteve ka penguar lëvizjen e banorëve.

Vendimi është marrë nga senati pasi  gjatë mëngjesit të sotëm një numër shumë i vogël studentësh është paraqitur në mësim.

l.h/ dita

Sfidat e mëdha politike të Kosovës

Posted: 27 Feb 2018 01:56 AM PST

Bedri Islami

Kosova i ngjan ende një kantieri të stërmadh, në të cilin gjërat e ndërthurura me njëra tjetrën janë ende një mishmash i pakapërdishëm.

Tashmë nuk është e vështirë të pranohet se eksperimenti "Kosova" është ndër më të dështuarit e botës diplomatike, e cila, si duket e mjaftuar me faktorin përcaktues në lirinë e saj, veproi më tej në një rrëmujë provash dhe fillesash, të cilat sollën, edhe sot e kësaj dite, një gjendje amorfe, e papërcaktuar, ku ligjësitë jo rrallë herë i bien ndesh njëra tjetrës.

E gjithë bota ishte e një pjesë e saj vazhdon të jetë në Kosovë. Ka pasur drejtues policie egjiptianë, që pasi nuk merrnin përgjigje pozitive për martesë të tretë a të katërt nga përkthyesja e tij, e vrisnin dhe "dërgoheshin" për gjykim në vendlindje; ka pasur drejtues bashkie – komunash deri nga Bangladeshi, gjykatës që më pas u akuzuan për korrupsion, prokurorë për krimet e luftës që më pas shkonin si ndihmës të prokurorit special serb për këto krime, duke marrë me vete fashikuj të tërë dosjesh, ende në hetim, etj.

Të gjithë janë paguar mirë, por jo aq sa deklaron me gojë Lulzim Basha. Po të ishin "paguar" të gjithë si ai, buxheti i Bashkimit Europian do të kishte pasur disa dhjetëra e dhjetëra milionë euro më pak.

Duke u larguar, të huajt, që kishin bërë ligjet, ikën duke lënë pas vetes tre probleme të mëdha dhe që, në zgjidhjen e tyre, do të krijojnë ndasi të mëdha politike, por edhe probleme për të ardhmen.

Problemi i parë: Demarkacioni me Malin e Zi

Më tepër se një lojë politike, e gjithë kjo ka të bëjë me rreth 8200 hektarë tokë shqiptare që mund të kalojë në pronësinë e malit të Zi. Zona të njohura historikisht shqiptare mund të tjetërsohen. Perëndimorët ngulin këmbë se kjo është rruga më e mirë për të shkuar drejt Europës, por një shumësi politikanësh në Kosovë nuk janë të bindur për këtë, ashtu si edhe shumica e popullsisë nuk beson se ndarja e kufijve, në këtë mënyrë, është në dobi të vendit të tyre.

Fillimisht Demarkacioni u mbështet nga dy partitë më të mëdha të kohës, PDK dhe LDK. Dy liderët e saj, Thaçi dhe Mustafa, ishin më të prirë për kalimin e shpejtë të Demarkacionit dhe nënshkruan disa vite më parë një marrëveshje, e cila, ishte pak politike dhe shumë kufitare.

Demarkacioni në fillimet e tij u kundërshtua nga opozita e kohës, AAK e Haradinajt, VV e Kurtit dhe Nisma e Limajt.

Pakicat serbe, të njohur si Lista serbe, fillimisht bënë sehir se deri ku mund të shkojnë grindjet brenda shqiptare, për të përfituar më shumë.

Në kohën kur ujërat u mendua se mund të qetësoheshin dhe mund të kishte një fillesë të re, Lista Serbe doli në skenë, ashtu si sot, me një propozim tjetër, edhe më bjerraditës, që i fuste zekthat gjithë politikës. Kjo ka ndodhur përherë; nga grindjet brenda shtëpisë kanë përfituar të ardhurit.

Qeveria ndryshoi. Kundërshtarët e djeshëm u bënë aleatë, ndërsa aleatët e djeshëm u bënë kundërshtarë. AAK, PDK dhe Nisma, tri parti politike shqiptare që drejtohen nga ish figura të larta të UÇK-së, që kanë qenë pjesë e së njëjtës organizatë klandestine çlirimtare, ndërtuan një qeveri të përbashkët dhe, meqenëse nuk u dilnin votat, thirrën në ndihmë Listën serbe dhe , si pa u ndjerë, ndonjë deputet i opozitës shkau pa u ndjerë në mbështetje të qeverisë Haradinaj.

Me to u bashkua edhe Pacolli, mjeshtri i përftimit masiv, pasi, me tre a katër deputetë të futur në Listën e LDK-së, mori më shumë nga sa kishte parë në ëndërr; zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, ministra e zëvendësministra, si dhe premtimin e shkruar se, pas mbarimit të mandatit të presidentit aktual Thaçi, ai do të jetë kandidati i bashkimit të forcave çlirimtare për presidentin e ri.

Një marrëveshje e pashembullt

Qeveria e re e ka kthyer edhe një herë në parlament çështjen e Demarkacionit. Ajo ngriti një grup të ri pune, i cili, pasi hodhi poshtë marrëveshjen e parë, ndërtoi një të dytë, që në thelb nuk kishte asgjë të re. Gjërat mbetën ashtu si më parë. Vetëm se tani është shtruar një paragraf, ide e zotit Limaj dhe sugjeruar nga presidenti i Shqipërisë, zoti Meta, përmes së cilës krijohet mundësia që në të ardhmen të verifikohen mes dy shteteve gabimet e bëra dhe të korrigjohen ato.

Pyetja e parë: kush do i korrigjojë? Parlamenti i Malit të Zi e ka miratuar menjëherë Demarkacionin dhe qeveria e tij është e kënaqur me atë çka është arritur. Ajo vetë, më mirë se të tjerët, e di se përfitimi është shumë i madh se sa humbja e ndonjë përroske. Do të jetë e vështirë që një parlament, ku mbi 35 për qind, në mos më shumë, janë nacionalistë nostalgjikë me sytë nga Serbia, të rikthehet nesër, edhe një herë, dhe të zhbëjë atë që kanë përfituar në një tavolinë të shpejtë.

Pasi u bënë lojërat e zakonshme shqiptare mes forcave politike që duan miratimin e Demarkacionit, pra, si i thonë, hiq këtë e mos shto aty, tani, katër forca të mirëfillta politike dhe një partizë qeveritare, janë të gatshme ta votojnë atë, por, si duket edhe brenda tyre do të ketë "rebelë" që do të bëjnë si ua thotë mendja. Njëri prej tyre, i njohur për rebelizëm, herë-herë spontan, Nait Hasani, deputet i PDK-së së Kadri Veselit, që tani është gati të mos e votojë. Nëse votimi do të jetë i fshehtë mund të ketë edhe të tjerë. Dhe votimi bëhet vetëm një herë. Nëse nuk kalon përmes votave të duhura, 80 të tilla, ligji hidhet në kosh, loja me Demarkacionin merr fund, gjithçka është bërë dhe nënshkruar kthehet pas dhe do të duhet një fillim i ri.

Ndërkombëtarët ngulin këmbë që duhet votuar dhe pa asnjë vonesë. Ka edhe kërbaç, edhe kulaç. Kërbaçi jepet herë pas here me mos dhënien e vizave, vizitat e ambasadorëve në selitë partiake, në qeveri, bisedat kokë më kokë. Kulaçi është më i freskët – premtimi për liberalizimin e vizave. Por, askush nuk është i sigurtë nëse do të ketë liberalizim të vizave këtë pranverë apo do të pritet një pranverë e ardhshme dhe një lëshim i ardhshëm, si për shembull, projekti i quajtur Zejednica, që është edhe sfida e dytë e Kosovës.

Por, le të rrimë këtu, Demarkacioni. Një fjalë që, ose rikthen 8200 hektarë në kufirin shqiptar të Kosovës, ose i tjetërson ato.

Vetëvendosja është kundër, si edhe më parë. Ajo bëri disa lëvizje propagandistike, të cilat nuk sollën asgjë, si ngulja e një flamuri në kufirin e dikurshëm dhe të tashëm, ende pa u ndarë, të cilin e hoqi era një ditë më pas. Në Komisionin e ri ata nuk u pyetën,megjithëse presioni i tyre kishte rol.

Por edhe ajo, si të tjerat, është ndarë – sëmundje tipike e politikës aguridhe shqiptare. Të inatosurit, ku prin ish-shefi i VV, Ymeri dhe ku roli i Dardan Moliqajt është më i ndjeshëm, ende nuk dihet se çfarë do të bëjnë. Do të shkojnë me shokët e tyre të vjetër, apo, për inat të tyre do të shkojnë dhe të flenë me shumicën. Inatet shqiptare nuk kanë fund.

Demarkacioni do të kalonte, sipas përllogaritjeve, këtë të mërkurë. Por, si duket, do të presë një ditë tjetër marsi. Për këtë të mërkure ishte ftohtë. Lista Serbe, e zgjuar nga heshtja, tani kërkon haraçin e saj. Nëse do të japë votat e saj, të domosdoshme në këtë rast, ajo kërkon edhe kalimin e projektit Zajednica, krijimit të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, një Serbickë e vogël, e shpërndarë nëpër Kosovë. Pak këtu e shumë atje.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë

Nëse ligji do të kishte një emër, si ndodh kudo në botë në raste të tilla, askush nuk do e vinte emrin e tij.

Sepse askush nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja.

Historia e së djeshmes i ka njerëzit të mendojnë seriozisht.

Vazhdon …

 

Sarandë, aksion anti-drogë, sekuestrohen 20 kg kanabis

Posted: 27 Feb 2018 01:47 AM PST

Policia e Sarandës ka zhvilluar një aksion anti-drogë mbrëmjen e djeshme, nga ku janë sekuestruar 20 kg kanabis.

Mësohet se janë shoqëruar 12 persona në polici dhe gjithashtu disa automjete janë bllokuar nga uniformat blu të Sarandës.

Sakaq janë duke vijuar hetimet dhe detaje të tjera nuk janë bërë ende publike.

l.h/ dita

Goditet nga një pemë, gruaja padit qytetin e Nju Jorkut

Posted: 27 Feb 2018 01:33 AM PST

Një grua e cila ishte duke ecur bashkë më 3 fëmijët e saj në "Central Park" në Nju Jork, u godit nga një pemë që u rrëzua në ato momente nga erërat e forta duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Ditën e sotme ajo ngriti një kërkesë padi për dëmshpërblim prej 200 milionë dollarësh.

En Monoki paditi qytetin e New Jork-ut, administratën e Parkut Qendror dhe tri kompanitë që veprojnë dhe administrojnë parkut për dëmshpërblim ndaj saj.

l.h/ dita

Përse u çart mendsh Sali Berisha?

Posted: 27 Feb 2018 01:33 AM PST

Bedri Islami

Mbrëmë, në një emision të gazetares Eni Vasili, ndodhi një e papritur e paralajmëruar.

Në panelin e saj gazetarja e njohur kishte ftuar, mes të tjerëve, edhe gazetarin Artan Hoxha. Gazetar investigativ, i cili, sikur asgjë tjetër të mos kishte bërë, do të ishte e mjaftueshme dëshmia e tij televizive për 21 janarin, filmimi live i vrasjeve të ndodhura kur gjithçka po thyhej e njerëzit po iknin dhe hedhjen poshtë të pohimit të rremë e të fabrikuar të Berishës se vrasjet kishin ndodhur nga brenda demonstruesve, për të mbetur në gazetarinë shqiptare.

Kronika e 21 janarit e Artan Hoxhës, në mbrëmjen e vonë, kur po ngjizej mashtrimi dhe vrasësi po vishte dorëzat e bardha të pafajësisë, është një ndër ngjarjet më të spikatura, por i krijoi atij edhe hasmin e madh, Sali Berishën.

Berisha nuk ia ka harruar kurrë këtë Artan Hoxhës, por si duket edhe ky i fundit nuk ia harron Berishës vrasjet e shumta të ndodhura dhe që lidhen me emrin e tij.

Një përplasje që ndodh rrallë: gazetari investigativ, që sjell dëshmi me zë dhe figurë dhe, nga ana tjetër, pushtetari, i cili, pasi ka kapur dikur të gjithë shtetin, pra edhe mediat, mendon ende se kjo kapje duhet të vazhdojë deri në mbylljen e syve të tij.

Çartja e Berishës ka tri arsye themelore:

Së pari, do të nënshkruhen disa marrëveshje të reja me shtetin grek. Njëra prej tyre është edhe ajo e Marrëveshjes për Detin.

Nuk ka histori më fatkeqe dhe fatkobe se sa kjo. E nënshkruar gjatë qeverisjes Berisha, nga ministri i tij i punëve të jashtme, Basha, e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, ajo në vetvete është një fillesë e tradhtisë kombëtare, e shfaqur në dhurimin, për shkaqe politike e ndoshta jo vetëm politike, të një sipërfaqeje të madhe të hapësirës detare shqiptare.

Marrëveshja e re, që është në horizont dhe që nuk ka fajet e Marrëveshjes Berisha, do të nxjerrë edhe më tej përgjegjësitë e pashembullta që u bënë nga vetë ai.

Në pamundësi për të mbrojtur atë që ka ndodhur, Berisha dhe një grup i njerëzve pranë tij, po bëjnë gjithçka është e mundur që, ose kjo marrëveshje të mos bëhet, të cilën edhe para dy muajve e ka mbrojtur egërsisht, ose të shtyhet nëpër dyer gjykatash, sikur të ishte gjithçka malli i tij.

Sa më shumë që afron koha e Marrëveshjes së re, aq më shumë do të çartet ai. Kështu që, ajo që ndodhi mbrëmje nuk është e para plasaritje e thellë mendore e një njeriu që nuk e duron dot shkundjen e pushtetit të tij, por nuk do të jetë as e fundit.

Së dyti, në emision, në studio, “hasmi” i tij gazetar sapo bëri një deklarim të hapur dhe të nevojshëm. Ai tha se, nëse Berisha akuzon dikë për spiun të një shërbimi të huaj, duhet ta dokumentojë dhe se, si do të ishte normale, prokuroria e shtetit duhet të hetojë këtë deklaratë. Sepse janë dy prononcime të ndryshme dhe nuk shkon përjetësisht kështu: hidh akuza dhe fshihu.

Kohët e fundit emri i prokurorisë po fillon e bëhet i zakonshëm në familjen Berisha. Çka më parë ishte një temë tabu dhe ku askush nuk ka guxuar të trokasë.

Ka njerëz që e ndjejnë se kur po u rrëshqet gjithçka. Berisha është njëri prej tyre. Ai po bën çka është e mundur që emri i tij dhe i familjes së tij të mos lidhet me emrin e prokurorisë, ku shumë nga njerëzit e dërguar nga ai tani nuk kanë më forcën e duhur. Ose, më saktë, kanë frikë.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen jo të largët.

Në Kosovë, partia më e fuqishme opozitare, VV, po përgatitet të dërgojë në gjyq presidentin aktual, Thaçi, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, pavarësisht se ajo mund të miratohet nga shumica parlamentare.

Llalla e mbylli denoncimin shtetëror për marrëveshjen e Detit të Berishës dhe të Bashës.

Tani Llalla nuk është më. Ai është në hall për fatin e tij.

Po sikur zonja Marku ta hapë këtë çështje?

Së treti, në Shqipërinë postkomuniste nuk ka ndodhur asnjëherë që një burrë shteti të jetë kaq skajmërisht gojaç i pandreqshëm. Që në ditën e parë të futjes në politikë, ai i dha gojës si askush, duke u marrë me gra, nëna, motra, dashnore, duke futur veshin brenda familjes, duke i dhënë gojës, duke përfolur, sajuar, ngritur teori seksiste dhe konspiracioni. "Zoti e faltë!", do të thoshin besimtarët e devotshëm.

Ai e ndjen tani se gjuha e tij po bëhet e pabesueshme. Në media e duan për disa like më shumë, jo për idetë;  gazetarë të shumtë e dinë tashmë se çfarë qëndron pas luhatjeve të tij psikike,në vetë partinë e tij, në se do hiqej frika, do a kishin mbyllur derën.

Veten ai mund ta mbajë vetëm duke treguar forcë, agresivitet, dhunë dhe çoroditje.

Dhe, kur një gazetar i tregon se çfarë qëndron pas tij, dhe ia tregon me zë dhe figurë, e ndjen se toka po rrëshqet më shpejt se zakonisht dhe për të mbajtur i duhet të harbohet edhe një herë politikisht. Duke u çartur mendërisht!

Si mund të konsultoni online faturën tuaj të UKT-së?

Posted: 27 Feb 2018 01:20 AM PST

Krahas hapjes së pikave të reja të UKT në çdo lagje, Bashkia e Tiranës po modernizon të gjithë sistemin për të lehtësuar shërbimin ndaj qytetarëve.

Ju mund të regjistroheni shumë thjesht në adresën online.ukt.al duke shënuar saktë të dhënat tuaja personale ose të aplikoni si përdorues i regjistruar nëse keni akses në faqen tonë.

Lançimi i faqes së re të aksesimit online të faturës së ujit tashmë ofron lehtësi në navigim duke ju siguruar mundësi aksesi të pavarur në faqen kryesore online.ukt.al.

Një tjetër lehtësi për ju është mundësia e ripërtëritjes së fjalëkalimit drejtpërdrejt nga faqja e website duke plotësuar të dhënat tuaja të sakta pa patur nevojë të drejtoheni në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit.

Gjithashtu, përmes këtij aplikacioni, ju mundësohet që të shihni historikun tuaj të pagesave në pikat e UKT apo banka.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës u ka bërë thirrje konsumatorëve familjarë që të përfitojnë nga afati deri më 28 shkurt, për të lidhur kontratat e rregullta me UKT-në dhe për të nënshkruar akt-marrëveshjen për pagesat e prapambetura, duke përfituar nga skema e pagesës me këste.

o.j/dita

Policia nis vendosjen e gjobave në Tiranë për shoferët e parregullt

Posted: 27 Feb 2018 01:17 AM PST

Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar masat për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në akset e qendrave të banuara si dhe pas ankesave të herëpashershme të banorëve, për vështirësinë në qarkullimin normal të mjeteve zjarrfikëse dhe atyre të autoambulancave në zonat e banimit.

Në këtë aspekt, Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur gjoba për drejtuesit e mjeteve që nuk respektojnë sinjalistikën rrugore, që nuk u japin përparësi këmbësorëve dhe që parkojnë mjetet në mënyrë të parregullt brenda komplekseve të banimit.

Gjithashtu, Policia Rrugore e Tiranës në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, ka nisur fazën e evidentimit dhe njoftimit të pronarëve të mjeteve, që kanë zënë për një kohë të gjatë hapësirat publike, mjetet dukshëm të braktisura apo ata që shfrytëzojnë hapësirën publike për tregje shitjeje, duke u lënë njoftimin me afatin e përcaktuar, për të marrë masa për heqjen e tyre nga rruga.

Janë vendosur 134 masa administrative, konkretisht 45 gjoba për qarkullim në korsitë e dedikuara për shërbimin publik, 75 për parkime të gabuara dhe 14 për mosdhënie përparësie këmbësorëve.

Policia ka njoftuar 125 pronarë mjetesh dukshëm të braktisura ose të vendosura për shitje në hapësirat publike, që të lirojnë hapësirën e zënë brenda 15 ditësh. Në të kundërt do t'i nënshtrohen sanksioneve ligjore që parashikon Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë.

Policia Rrugore e Tiranës u bën apel qytetarëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi kontrollet dhe masat do të jenë të ashpra.

l.h/ dita

Kapet në Tiranë 50-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar

Posted: 27 Feb 2018 01:06 AM PST

Policia e Tiranës ka arrestuar një 50-vjeçar nga Laçi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.

Ai është Kastriot Menga, i dënuar në mungesë me 6 vite burgim nga Gjykata e Trentos në Itali.

Ai është dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, grabitje, armëmbajtje pa leje, shfrytëzim prostitucioni dhe emigracion të paligjshëm.

Menga do të ekstradohet në Itali ku do të vuajë dënimin me burg.

o.j/dita

“Spiuni” mes negociatorëve

Posted: 27 Feb 2018 12:57 AM PST

Erion Habilaj 

Me daljen e emrave të zyrtarëve që do të negociojnë kufirin detar me Greqinë kanë shpërthyer polemikat mes opozitës dhe mazhorancës. Ka qenë Sali Berisha, i cili ka shigjetuar një prej anëtarëve si spiun për shërbimet e huaja dhe se nuk duhet të jetë në listën e negociatorëve. Bëhet fjalë për Artur Meçollarin, Kapiten i Rangut të Parë.

"Ministria e Jashtme ka përgatitur grupin e negociatorëve me njerëz të dyshimtë. Në grupin e negociatorëve është një spiun që nuk ka interesa kombëtare. Marrëveshja është e bazuar në vizatimet e këtij spiunimi që i shërben një vendi tjetër", akuzoi dje ish-kryeministri Berisha jashtë sallës së Parlamentit.

Artur Meçollari

Po kush është kapiten Meçollari

Ushtaraku Artur Meçollari është Kapiten i Rangut të Parë me certifikatë nga NATO. Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se koloneli ka certifikatën e NATO 'Cosmic Top Secret'. Kjo certifikatë është niveli i pestë i sekretit (niveli më i lartë i Sigurisë).

Gjithashtu, Meçollari është dekoruar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg për kontributin e veçantë në misionet ushtarake.

Ai është cilësuar si një ndër oficerët shqiptarë më të zotë nga SHBA, pasi amerikanët i besuan atij një mision delikat në Afganistan. Meçollari ka marrë falënderime të veçanta nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mattis.

Një burim i pyetur nga DITA rreth arsyeve të sulmeve të Berishës u shpreh: "Sali Berisha godet Meçollarin, si më i afti dhe më me përvojë në komision, me qëllim që të mos arrihet marrëveshje e mirë, nëse ai dorëhiqet apo largohet nga komisioni. Është në stilin e tij, sepse kështu do ketë mundësi të godasë marrëveshjen".

Vetë zoti Meçollari ishte i padisponueshëm për komente apo reagim ndaj akuzave.

Meçollari është me origjinë nga Vlora dhe ka shërbyer për 27 vjet si oficer i Forcave Detare, në detyra operacionale, planifikimi, dhe akademike, deri në detyrën e Zëvendëskomandantit të Forcës Detare / Rojes Bregdetare. Për shumë vite ai ka qenë dhe komandant anije duke e njohur hapësirën detare me detaje.

Lirimi nga detyra nga Arben Imami

Artur Meçollari së bashku me Admiral Kudret Çelën u larguan nga detyra nga ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pasi kundërshtuan privatizimin e bazës së Bisht Pallës.

Meçollari është treguar i rezervuar lidhur me shkaqet e shkarkimit, ndërsa admiral Çela tha në atë kohë se "Ministria e Mbrojtjes i ka të qarta synimet, bazën do ta prekë komplet dhe do ta shkrijë fare. Janë 75 hektarë që do të kalojë nga administrimi i ministrisë si një bazë detare në pronësi të një privati".

Pas këtij fakti, ministri Arben Imami hodhi firmën mbi urdhërin Nr. 1691 datë 04.10.2012 “Për dalje në lirim të oficerit aktiv Z. Artur Meçollari”.

Motivacioni lirimit ishte: "shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore, kërkesave të disiplinës ushtarake, mos-ushtrimit të përgjegjësive e të detyrave". Ky urdhër është nxjerrë në bazë të relacionit nr. 977 datë 01.10.2012 të Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Vendimi i ministrit Arben Imami u ankimua në Gjykatën Administrative në Tiranë.

Vendimi i kësaj gjykate i datës 05.08.2015 që disponohet nga DITA me të cilin Gjyqtari Gentian Hamiti e quan të jashtëligjshëm urdhërin, thotë se "Pala e paditur nuk ka paraqitur asnjë provë mbi bazën e të cilit të provojë faktet e përshkruara në urdhërin e lirimit. Pra gjyqtari thekson se nga Ministria e Mbrojtjes nuk janë provuar shkeljet e pretenduara prej saj".

Nga sa kuptohet ministria e Mbrojtjes nuk i paraqiti gjykatës as relacionin e SHIU-t përmes të cilit u hartuar urdhri i shkarkimit.

Akuzat për spiunazh

Në rrugë jo-zyrtare DITA ka arritur të sigurojë disa detaje nga raporti i SHIU-t për kapiten Meçollarin.

Kapiteni i Rangut të Parë Artur Meçollari është survejuar dhe përgjuar nga SHIU, i dyshuar për spiunazh.

Hetimi i SHIU-t, ka mbledhur disa foto dhe video gjatë takimeve të Meçollarit me atasheun ushtarak të Holandës në Tiranë.

Këto takime Meçollari i zhvillonte pasi atij i ishte ngarkuar mbikëqyrja e ndërtimit të tre anijeve luftarake në një nga bazat ushtarake shqiptare dhe tenderi ishte fituar nga një kompani holandeze. Pikërisht, këto takime të tij me atasheun e Holandës që është një vend partner në NATO, në këndvështrimin e SHIU-t përbënin spiunazh.

Por këto të dhëna të klasifikuara sekret që ishin dhe motivi i largimit nga ushtria, asnjëherë nuk u bënë publike apo të përdoreshin në gjykatë kundër Artur Meçollarit.

Burime pranë çështjes pohojnë se këto të dhëna nuk u paraqitën në gjykatë pasi do të diskreditonin Ministrinë e Mbrojtjes përballë shtetit të Holandës, një vend anëtar i NATO-s dhe as nuk dihet nëse përgjimet ishin të ligjshme.

Me vendimin e gjykatës në dorë, Artur Meçollari trokiti në Ministrinë e Mbrojtjes ku u ripranua në ushtri.

Falë ndjekjes së 3 akademive ushtarake në SHBA, Meçollari do të bëhej një prej drejtuesve kryesorë të një misioni ushtarak në Afganistan.

 Dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more