Skip to main content

“Qysh me hi në Prishtinë?” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Qysh me hi në Prishtinë?” plus 2 more Telegrafi Opinione


Qysh me hi në Prishtinë?

Posted: 31 Jan 2018 02:20 AM PST

Krejt fajet i ka SHBA dhe "Air Ponteri" i saj, pra pajisja e instaluar e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, e cila paraqet ndotjen në nivel më të lartë për 20 për qind sesa stacionet tona matëse. Përse vëlla nuk ja ka besuar kalibrimin e këtyre pajisjeve faktorit lokal. Tash ishim rahat. Kështu diqysh po bie besimi i qytetarëve në zyrtarët qendrorë e lokalë.

Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të zyrtarëve tonë, gjendja ka qenë edhe më alarmante, por aso kohe qytetarët nuk ankoheshin aq shumë, se zyrtarët jepnin shifrat e tyre. Dilema t'u besosh mushkërive dhe fytit tënd apo Qeverisë, zgjidhej në favor të qeverisë, sepse vetëbesimi qytetarë ishte nën zero. Në minus,pra!

Ndërkohë, sipas medias vesh më vesh, krejt faji për sëmundjet e shpeshtuara të mushkërive, u lihej rrezatimeve nga bombardimet e NATO-s dhe duhanit. Sivjet, krejt shteti u ngrit në këmbë, dhe u barrikadua në qendër, edhe për një arsye shtesë se zyrtarët e lartë qëlluan këndej pari pasi nuk kishin viza të ikin jashtë, pastaj po akuzohen nga brenda dhe jashtë se nuk po mbajnë përgjegjësi për çështjet madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.

Pra, pak a shumë, thënë thjesht, qendra ku banon shteti, po mbrohet prej periferie. Në këtë mbyllje kufijsh në Prishtinë mundesh gjithsesi me hy, por veç me kontrabandë.

Grupet që po e zbraznin Kosovën kanë mbetur pa punë, sa për regjim të ashpërsuar në kufijtë e Evropës, sa edhe për faktin se populli që ka mbet as që është i motivuar me shkua në Evropë se jeton nga buxheti. Pastaj krejt kanë qëlluar afër, nëpër institucione, krejt rreth qendre, me një grup të mbyllur në "Viber" apo rrjetet e tjera sociale, i mbledh sa hap e mbyll sytë për çaj. Sidomos në atë të ambientit dhe integrimeve euroatlantike, mjafton dikush me lëshua kushtrimin.

Pra, o burra, në barrikada. Prishtina po mbrohet nga ardhacakët. Dikur këndohej një këngë, për të gjitha rrugët që qojnë në Prishtinë dhe çajtoret e famshme ku të gjithë vinin veç për të pirë qaj. Prishtina, kishte halle tjera, asokohe, se pushteti ishte i huaj i instaluar dhe i dhunshëm dhe askush nuk u shkonte në zyrë për të pirë qaj. Ndoshta "shlivovicë"!

Tash ka ndërrua situata. Qytetarët, sikur para apokalipsës ecin rrugëve me maska në gojë. Edhe Skënderbeu ka vu maskë, në Prishtinë. Kjo e bënë Skendën tonë të dallohet nga origjinali në Tiranë. Erioni ka ecë me autobusët elektrik! Në fakt, Skendës ia vunë maskën për të sensibilizuar opinionin për helmimin masiv të qytetarëve që po ndodhë ditëve të fundit, përmes emetimit të jashtëzakonshëm të gazrave në kryeqytet. Të gjithë kanë faj përpos (pu)shtetit.

Shteti, si shteti, po thotë, se fajtorë janë qytetarët e në mes tyre disa janë më fajtorë se të tjerët , Kështu, nga dita e mërkurë atyre ua ka ndaluar hyrjen në qendër. Munden me parkua ku të donë, në periferi, e drejt shtetit munden me ja mësy këmbë ose me autobusët lokalë të cilët edhe ashtu një kohë të gjatë po rrinë jashtë përdorimi.

Në krejt këtë zhurmë dhe mobilizim gjithëpërfshirës të (pu)shtetit, për të barrikaduar qendrën, askush nuk e fajëson pushtetin as atë qendror apo lokal, të cilët lejuan përdorimin e veturave të stërvjetra, as për "dizelin" me kualitet të ultë të cilin nuk e kontrollon askush, as për gazrat që emetohen pa kontroll nga tymtarët e lartë termocentraleve, të cilat nuk shpërndahen tutje kur nuk ka erë.

Fajtorë mbeten qytetarët të cilët sipas zyrtarëve, me veturat e tyre me 30 për qind i kontribuojnë ndotjes së ambientit, dhe kështu po e helmojnë shtetin që banon në qendër. Askush nuk e fajëson (pu)shtetin i cili për përfitime grupore apo individuale, lejoi hyrjen e dhjetëra mijëra veturave të skaduara në vend, dhe ende nuk ka siguruar transport publik të besueshëm dhe komod.

Mbetet e paqartë, përse ky reagim kaq i vrullshëm i shtetit, i cili nuk reagoi për shumë tema të rëndësishme për të ardhmen e vendit, dhe duke mos reaguar e bllokoi tërë vendin dhe qytetarët, duke mbetur kështu të vetmit në Evropë, pa viza.

Anash të gjitha fjalët, për ambientin e ndotur, sepse përkundër faktit se Prishtina është mbuluar me re pluhuri, të gjithë duan të hyjnë në (krye)qytet, sepse qysh e thamë edhe më herët, në Prishtinë, në qendër banon shteti. Shteti është biznesmeni kryesor dhe "idarja" e të gjithëve në këtë vend varet drejtpërdrejtë nga shteti. Për të shuar zërat e qytetarëve të cilët ankohen se shteti dhe sidomos disa nga zyrtarët më të lartë janë drejtë për drejtë përgjegjës për izolimin e vendit, dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale, ata vendosën të ua marrin bukën qytetarëve që ankohen se nuk kanë djathë, pra i vunë "vizat" për të hyrë në Prishtinë. Tash, viza janë e viza nuk janë. Vunë barrierë.

Të kthehemi tash te titulli! "Qysh me hy në Prishtinë", ishte pyetja e një qytetari, në një emision të drejtpërdrejtë televiziv, i cili në Prishtinë vjen për të bërë biznes dhe e ka të domosdoshëm udhëtimin me veturë?

Në fakt, mundesh edhe nuk mundesh me hy në kryeqytet, prej sot. Mund të hysh këmbë, me autobus, mundesh edhe nëpër male, edhe nëpër fusha, por jo nëpër autostrada. Mund të hyni me taksi, me bus, apo mund të shfrytëzoni lidhjet familjare, pra të ftoni vëllezërit ose kushërinjtë me vendbanim në Prishtinë të vijnë të ju marrin, ju që keni targa "të jashtme". Fundja, tri ditë do të zgjas e gjithë kjo parodi. E shumta dhjetë! (Pu)shteti e zbuloi edhe një instrument për të zhvendosur vëmendjen nga temat tjera emergjente.

"Ofroj një veturë Mercedes Benz të 2017-të për një kalë me apo pa pajton (karrocë)", klithi plot dëshpërim dhe satirë, një qytetar, në fakt vet ambasadori ynë i (vet)akredituar në "Facebook"! Për të hyrë në Prishtinë, gjithsesi. Derisa qytetarët, po klithin për një kalë, për të hyrë në kryeqytet, pushtetarët, me gjasë, secilën herë e më tepër po vijnë në situatë të klithin, sikurse bëri dikur një mbret i famshëm: "Jap mbretërinë, për një kalë…" !

Në fund, për t'i ikur ngatërresave, po japim targat e regjioneve, sipas një profili në "facebook": 01 Prishtina, 02 Mitrovica, 03 Peja, 04 Prizreni, 05 Ferizaj, 06 Gjilani, 07 Gjakova, 3Z Drenica!

Shpejt pritet edhe reagimi i komunave të tjera. Veturat me targa 01, nuk do të mund të hyjnë në qytetet e tjera. Do të sigurohen autobus, për bartjen prishtinasve, pinjollë apo të ardhur pas lufte, në brendi të qyteteve. As Qeveria nuk do të rrijë duarkryq, në këtë luftë ndër komunale. Qeveria do të fusë pasaportën komunale dhe vizat e brendshme, sikur në kohët e arta…! Pastaj do të vijë liberalizimi!

Mos të thotë kush se liberalizimi varet nga Evropa.

Po çfarë Evrope …!

The post Qysh me hi në Prishtinë? appeared first on Telegrafi.

Bie maska e BE-së për Kosovën

Posted: 31 Jan 2018 12:12 AM PST

U bënë vite të tëra që zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të vendeve anëtare të saj i thonë Kosovës se ajo një ditë do të anëtarësohet në këtë familje evropiane, përkundër faktit se anëtarësimi është i pamundur pa u njohur nga të gjitha vendet, për shkak të rregullës aktuale në fuqi për (mos)pranimin e anëtarëve të rinj.

Në nëntor pata shkruar në mjetet vendore të informimit se Kosova ndodhet në një rrugë të pa fund për hyrje në BE, pikërisht për këtë arsye.

Qëndrimi i Spanjës në letrën dërguar Komisionit Evropian vetëm se po shpalos gradualisht edhe publikisht të vërtetën e madhe dhe të hidhur për Kosovën për premtimet e maskuara, por edhe të kota nga Brukseli dhe vendet anëtare të saj për 'perspektivën' e saj (të pamundur) drejt BE-së.

Tash gradualisht maskat e fjalorit shterpë disavjeçar brenda BE-së po bien. Kjo do të shkaktojë huti dhe një udhëkryq të madh për vet Kosovën dhe qytetarët e saj.

Zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të vendeve anëtare tash gradualisht nuk do të jenë më të besueshëm kur përsëri do të thonë se Kosova ka perspektivë për hyrje në BE. Qytetarët e Kosovës gradualisht do ta humbin besimin ndaj tyre. Ndaj politikanëve kosovarë, për të njëjtin fjalor, po ashtu.

Kjo e vërtetë e madhe, gradualisht do të duhet që të provokojë një të menduar tjetër të vet qytetarëve të Kosovës, të politikanëve të saj, por edhe të vendeve anëtare të saj që ishin më të zëshmit në premtimet ndaj Kosovës për anëtarësim në BE.

Kosova dhe kosovarët gradualisht do të fillojnë që të mendojnë për alternative të tjera.

Dhe alternativa të tilla ka. Shembuj do të duhej marrë Zvicrën, Norvegjinë dhe Islandën. Që të tre këto shtete kanë raporte të forta me BE-në. Ekonomitë e tyre janë të ndërlidhura bukur shumë dhe madje të varura në shkallë të madhe nga blloku evropian.

Në mars të vitit 2006, pak muaj pasi Angela Merkel erdhi në pushtet (Nëntor 2005), ajo pat sugjeruar për vendet e Ballkanit Perëndimor një 'partneritet të privilegjuar', Në konferencën për shtyp në 15 mars 2006 doli me një sugjerim të këtillë edhe pse në vitin 2003 në Selanik vendet anëtare të BE-së premtuan anëtarësim të plotë për vendet e rajonit.

Përderisa Kosova nuk do të mund që të anëtarësohet në BE për shkak të pesë shteteve që nuk ia njohin pavarësinë, sugjerimi i para 12 viteve i Merkelit për krejt vendet e Ballkanit, duhet të shqyrtohet nga klasa politike e Kosovës, si alternativë, e jo që të vazhdohet me fjalorin shterpë për perspektivë për hyrje në BE.

Kosova nuk mund të vazhdojë me premtime ëndrrash, kur vet rregullat e zgjerimit të BE-së nuk e lejojnë atë që të bëhet anëtare e plotë.

Përvojat e tre shteteve (Zvicra, Norvegjia dhe Islanda) thonë se jetë të mirë edhe jashtë BE-se, se ka alternativa tjera për të forcuar shtetin, zhvilluar ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Por, për këtë opsion alternativ Kosovës i duhet një partner i fortë, një vend evropian, për ta shqyrtuar dhe gradualisht bërë synim, projekt dhe bërë realitet.

Gjermania është adresa më ë mirë për të ndihmuar që përvojat e tre shteteve të më lartë përmendura të marrin jetë, deri atëherë kur të gjitha shtetet do ta njohin pavarësinë, nëse do të njohin në ndonjë të ardhme të largët.

The post Bie maska e BE-së për Kosovën appeared first on Telegrafi.

Loja e fundit gjeopolitike e Turqisë

Posted: 30 Jan 2018 11:12 PM PST

Ditët e fundit Turqia ka nisur një ndërhyrje ushtarake në Siri, duke i dhënë konfliktit sirian një dimension tjetër. Operacioni në fjalë quhet – ironikisht – "Dega e ullirit", dhe Turqia aktualisht ka sulmuar pjesën veriperëndimore të Sirisë, një zonë e quajtur Afrin, e cila është tani pjesë e krahinës autonome – de facto – të Rojavas. Ky rajon, nën udhëheqjen e forcave kurde "YPG" ("Forcat e Mbrojtjes Popullore") – të mbështetura nga SHBA – fitoi autonominë në vitin 2012, në teatrin e luftës civile siriane.

Këto forca Turqia i ka konsideruar si pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një grupim terrorist i pranuar ndërkombëtarisht, dhe ka ndjekur një vijë të ashpër kundër tyre, me qëllim që të ndalojë krijimin e një shteti kurd në kufirin e saj jugor me Sirinë. Kundër këtij rajoni, përpara ndërhyrjes ushtarake të ditëve të fundit, Turqia, veç operacioneve të herëpashershme, ka vendosur bllokadë ekonomike dhe izolim ndërkombëtar, për ta dobësuar sa më shumë.

Duke marrë shtysë nga kjo lëvizje e turqve, ky shkrim ka në fokus që të hedhë dritë mbi sjelljen e Turqisë përkundrejt tri fuqive të tjera të huaja që kanë interesa në rajon: Rusia, Irani dhe SHBA.

Në fakt, Turqia zyrtare kishte deklaruar se nuk synonte përfshirjen në konflikt të drejtpërdrejtë dhe pushtimin ushtarak të territorit sirian, për shkak se nuk donte të bëhej pjesë e "mishmashit" sirian. Për të rrëzuar Assadin, Turqia ka mbështetur publikisht grupe të caktuara, por, kur u provua se qeveria siriane e mbajti pushtetin, atëherë ajo bëri marrëveshje me Rusinë dhe Iranin – duke anashkaluar SHBA-në – për të garantuar interesat saj përmes diplomacisë. Në këto kushte u krijua "Trojka e Astanës" – një aleancë mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë, si garantuese të një marrëveshjeje armëpushimi në Siri. Kjo "Trojkë" nuk mund të funksiononte, për shkak të interesave të ndryshme të palëve: Turqia mbështet rebelët antiqeveritarë, por jo kurdët; Rusia dhe Irani mbështesin regjimin e Assadit.

Sulmi në Afrin kishte në njëfarë mënyre miratimin e Rusisë, pavarësisht ngurrimit të kësaj të fundit. Turqia kërkoi paraprakisht që Rusia të tërhiqte një grup ushtarësh që kishte stacionuar në rajon, dhe që Rusia të lejonte përdorimin e hapësirës ajrore nga aviacioni turk. Pa miratimin e këtyre kërkesave, Turqia nuk mund të vepronte. Kjo tregon peshën e madhe që ka fituar Rusia në Siri. Pavarësisht "marrëveshjes" së mësipërme, duhet theksuar se Turqia dhe Rusia e kanë të vështirë të jenë aleate. Turqia nuk përballet me Rusinë vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë: Ballkan dhe Kaukaz. Në Siri, mbajtja e regjimit të Assadit forcon Rusinë dhe dobëson Turqinë. Nga ana tjetër, Turqia ndërhyri në Afrin, për të reduktuar sferën ruse të influencës në Siri.

Më tej, Irani, ashtu si Rusia, kërkon që Assadi të jetë në fuqi, por jo për arsyen e Rusisë (përshkruar për lart). Irani e ka shprehur qartë se kërkon të dominojë rajonin. Këtë synim, Irani nuk mund ta përmbushë pa pasur nën kontroll Irakun, Sirinë dhe Libanin (shto edhe Jemenin), për të cilët ka nevojë edhe në "Luftën e Ftohtë" që po zhvillon kundër Arabisë Saudite. Në këtë rrip gjeopolitik, Siria është ura lidhëse e Iranit me Mesdheun, ndaj humbja e dominimit mbi Siri, do ta dëmtonte pa masë. Deri tani duket se Irani e ka arritur këtë objektiv, por sulmin turk në Afrin Irani e kundërshton, për shkak të kërcënimit dhe presionit turk ndaj Assadit. Nëse Turqia vendos të shtrihet (pushtojë) më tej, Irani ka frikë se mos ajo i ndërpret daljen në Mesdhe.

Së treti, SHBA konsiderohet si tepër e shpërfillur në operacionin e fundit turk. SHBA, që në fillim të luftës civile siriane, ka armatosur forcat kurde, gjë që ka trazuar politikën turke. Kjo lloj "trazire" u pa edhe në fund të vitit të kaluar kur "Kurdistani irakian" shpalli pavarësinë, dhe më pas u tërhoq nga kjo përpjekje pas presionit turk dhe iranian (në këtë përplasje, kurdët e Irakut deklaruan se kishin mbështetjen e SHBA, gjë që në realitet nuk ndodhi). Në sulmin mbi Afrin, SHBA nuk mbrojti grupimin që e ka financuar prej vitesh, por është mjaftuar vetëm me dënimin e agresionit.

Turqia, në bashkëpunim me Iranin dhe Rusinë, ka synuar tërheqjen amerikane nga Siria: ky ka qenë edhe një ndër objektivat strategjikë të "Trojkës së Astanës". Ndoshta ky objektiv po arrihet, duke parë mosreagimin amerikan. Interesat e Iranit dhe Rusisë bien ndesh me ata amerikanë në lidhje me të ardhmen e Sirisë dhe gjithashtu, kanë për qëllim reduktimin e prestigjit të SHBA si superfuqi. Turqia, ndonëse me interesa të njëjtë me ata amerikanë për rrëzimin e Assadit, e konsideron praninë amerikane në rajon si forcim i elementit kurd, gjë që përbën kërcënim ekzistencial për Turqinë.

Si përfundim, në këtë lojë me disa aktorë të fuqishëm, Turqia i ka tejkaluar "frenimet" e status quo-së së dikurshme, madje kapërcen edhe "pengesat" që rrjedhin nga anëtarësia në NATO, dhe vepron në përputhje me interesat e vetë, duke shpalosur realpolitikë të pastër.

The post Loja e fundit gjeopolitike e Turqisë appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more