Skip to main content

Tirana Observer: “Atentat në Lushnje, vriten 2 të rinj” plus 9 more

Tirana Observer: “Atentat në Lushnje, vriten 2 të rinj” plus 9 more


Atentat në Lushnje, vriten 2 të rinj

Posted: 11 Oct 2017 09:40 AM PDT

Dy persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur në një atentat me armë zjarri që ndodhi në shëtitoren e qytetit të Lushnjes pasditen e sotme.

Mësohet se viktimat janë dy të rinj, ndërsa identiteti i tyre nuk është bërë ende me dije. Atentatorët qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një makinë dhe më pas u larguan në drejtim të paditur.

Identiteti i tyre nuk dihet, ndërsa policia ka ngritur postblloqe për kapjen e tyre.

Sipas ABC News, dy viktimat janë miq të familjes së Aldo Bares.

Ndërkohë, nuk ka informacione as për të plagosurin. Shkaqet e vrasjes mbeten ende mister.

Kartëmonedha shqiptare bën 100 vite!

Posted: 11 Oct 2017 09:00 AM PDT

Si sot, 100 vite më parë, më 10 tetor 1917, u hodh në qarkullim Seria C e kartëmonedhave të Krahinës Autonome të Korçës, me dy prerje, Gjysmë dhe Një Frangë.

Këto kartëmonedha njihen edhe si kartëmonedhat e para shqiptare, të cilat përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të disa prej ngjarjeve më madhore të historisë kombëtare, siç ishte shpallja dhe veprimtaria e Krahinës Autonome të Korçës.

Postimi i Banka së Shqipërisë në "Facebook":

Si sot, 100 vite më parë, më 10 tetor 1917, u hodh në qarkullim Seria C e kartëmonedhave të Krahinës Autonome të Korçës, me dy prerje, Gjysmë dhe Një Frangë. Këto kartëmonedha njihen edhe si kartëmonedhat e para shqiptare, të cilat përbëjnë një dëshmi të rëndësishme të disa prej ngjarjeve më madhore të historisë kombëtare, siç ishte shpallja dhe veprimtaria e Krahinës Autonome të Korçës.

Kjo seri ndryshon nga dy të parat për shkak të ndryshimit të statusit të krahinës. Tani kartëmonedha nuk mban më legjendën "Shqipërië Vetqeveritare", por "Republika Shqiptare". Përveç mbishkrimit, simbolet dhe dekoracionet janë po ato të dy emetimeve të para, por të nënshkruara tashmë nga Vasil Kondi, mbajtësi i radhës i kryesisë së Këshillës Qeveritare dhe Drejtori i Zyrës së Financës, Nikollaq Zoi. Legjenda dhe vlera e këtyre kartëmonedhave janë shkruar në të dyja gjuhët, shqip dhe frëngjisht. Në faqen e pasme të tyre, lart në të djathtë, kanë vulën e rrumbullakët me shqiponjë në mes, rreth së cilës shkruhet: "Direksia e Financës Korçë".

Pamja e të gjitha emisioneve të kartëmonedhave të Krahinës Autonome të Korçës u gdhend nga një ushtar francez, i quajtur Davier, të cilit në shenjë mirënjohjeje për realizimin e klishesë së kartëmonedhave, iu dhurua një orë e artë.

Si u krijuan njerëzit që janë sot?

Posted: 11 Oct 2017 08:45 AM PDT

Kushtet ekologjike në Europë i vendosën majmunët në rrugën për t'u bërë njerëz miliona vjet para se Homo Sapiensi të evoluonte, thotë antropologu Dejvid Began. Pa zhvillimet që ndodhën në Europë, njerëzit nuk do të mund të evoluonin kurrë

Nga David Began*

Fantashkencë? Jo, ka ndodhur vërtet. Midis 20 deri në 7 milionë vjet më parë, Toka realisht ishte planeti i majmunëve. Të paktën 100 specie popullonin botën, para se të shfaqeshin njerëzit e parë. Ata ishin të shquar në numër dhe diversitet, por janë edhe më interesante ato që mund të na thonë mbi vetë origjinën tonë. Tiparet kryesore të njeriut, duke përfshirë trurin e madh, duart e zhdërvjellëta, qëndrimin e drejtë të trupit dhe fëmijërinë e gjatë, mund të gjurmohen që në atë periudhë. Dhe gjëja vërtet e habitshme, është se të gjitha këto tipare evoluuan te majmunët europianë.

Lajmi është plot me zbulime që ndryshojnë idetë tona mbi evolucionin e njeriut. Por, kur mendojmë për paraardhësit tanë, ne priremi të përqendrohemi te 8 milionë vitet e fundi, aty ku prejardhja jonë ndahet nga ajo e shimpanzeve. Po çfarë kishte më herët? Tri dekada studimi, më kanë bindur se kjo periudhë e hershme qe absolutisht vendimtare.

Nuk ka dyshim se majmunët e kanë origjinën nga Afrika, apo se evolucioni ynë më i fundit ka ndodhur atje. Por, për një periudhë midis këtyre dy zhvillimeve, majmunët qenë në prag të zhdukjes në kontinentin e tyre, ndërsa po lulëzonin në Europë. Për më tepër, transformimi i specieve europiane gjatë kësaj kohe, na ka bërë ne njerëzit ata që ne jemi sot.

Të dhënat fosile, tregojnë se majmunët filluan të ekzistonin në Afrikë rreth 26 milionë vjet më parë, dhe u vendosën në mënyrë përfundimtare ka 4 milionë vjet apo më shumë më vonë. Një i afërm i ngushtë, që ka jetuar 18 milionë vjet më parë, na jep një tablo të jashtëzakonshme të këtyre majmunëve të hershëm.

Mbetjet e Ekembos janë gjetur të ruajtura në Pompei – ashtu si në shtresat e hirit vullkanik në ishullin Rusinga në Kenia të Afrikës. Ajo që ne kemi është një kafshë me krahë dhe këmbë me gjatësi të barabarta, një shtyllë kurrizore të orientuar horizontalisht, dhe një tru në madhësinë e një babuini të sotëm. Me fjalë të tjera, Ekembo ngjan si një majmun pak më i madh, por me një ndryshim thelbësor – pa bisht.

Bishti i mundëson shumë majmunëve të balancojnë qëndrimin, por Ekembo kompensohet përmes pasjes së më shumë kyçeve, duarve më të fuqishme dhe këmbët për t'u kapur. Kjo i vendos majmunët në një rrugë të ndryshme nga majmunët e Botës së Vjetër. Një ndryshim i dytë i rëndësishëm ndodhi me një bashkëkohës të Ekembos, i quajtur Afropiteku.

Të dy duken shumë të ngjashëm nga qafa e poshtë, por kanë nofulla dhe dhëmbë shumë të ndryshëm. Ata të Afropitekut janë shumë më të fuqishëm, të përshtatur për të bluar materiale të forta. Të pajisur me këto cilësi, ata mund të nxirrnin lëndën ushqyese nga bimët me lëvore të padepërtueshme, për nofullat më të holla të Ekembove.

Mund të mos tingëllojë shumë mbresëlënëse, por kjo aftësi ka pasur pasoja të mëdha për majmunët. Me kapacitetin për të ngrënë një shumëllojshmëri të gjerë ushqimesh, ata mund të zgjeronin gamën e tyre nga Afrika, në Europë dhe Azi. Në e dimë se majmunët e vjetër në Europë, i përkisnin gjinisë së Grifopitekëve dhe që datojnë 17.5 milionë vjet më parë.

Ata trashëguan kafshimin e fuqishëm të Afropitekëve, por dhëmbët e tyre qenë pak më ndryshe, më të ngjashëm me ato të paraardhësve tanë më të hershëm e të drejtpërdrejtë të Afrikës. Sipas të dhënave fosile, grifopitët jetonin në pjesë të Gjermanisë dhe Turqisë së sotme, rreth 17 milionë vjet më parë. Në këtë kohë shumë pjesë të Europës i përkisnin zonës subtropikale. Sezonaliteti ishte e ulët dhe klima e përshtatshme për kafshë si majmunët, të cilët mbështeteshin në një furnizim të vazhdueshëm me fruta gjatë gjithë vitit.

Megjithatë, kur grifopitët emigruan në veri, kushtet do të dëshmoheshin shumë më të vështira – duke i detyruar ata që në fund të zhvillonin disa përshtatje të reja. Pasi lëvizën drejt veriut, grifopitët u rikthyen në jug, ndaj deri në rreth 15 milionë vjet më parë lloji i tyre mbulonte një sipërfaqe që shtrihej nga Europa në Afrikën Lindore.

Një anëtar i familjes, Nakolapiteku, që jetonte asokohe në Kenia, kishte evoluar gjymtyrët në bërryla dhe kyçe duarsh më të mëdhenj, ndoshta duke i paraprirë zhvillimit të krahëve më të gjata, që gjenden te majmunët e sotëm dhe njerëzit më të hershëm. Megjithatë, grifopitët duket se vdesin në Afrikë, ndonëse ne nuk e dimë pse. Në fakt, të dhënat fosile tregojnë se ndërmjet 14 dhe 8 milionë vjetëve më parë, majmunët atje qenë diçka e rrallë, dhe shumica ishin nga linja e lashtë e trashëgimisë që lidhej me Ekembon dhe të detyruar për t'u zhdukur.

Mbretërit e ritmit

Ndërkohë në Europë, majmunët po shfaqeshin si majmunë me pamjen e sotme. Rreth 12.5 milionë vjet më parë, u shfaq majmuni i parë me një qëndrim më të drejtë. Pierolapiteku, ndonjëherë i quajtur Driopiteku, dhe që u zbulua në Katalonjë në veri të Spanjës. Skeleti i pjesshëm ka një shtyllë më vertikale, një gjoks të gjerë, krahë më të gjata se këmbët, kyçet e duarve shumë të lëvizshme dhe gishtërinj të gjatë, të lakuar dhe të fuqishëm për kapjen e objekteve.

Këto karakteristika e bënin Driopitekun të dukej më shumë si majmunët e sotëm të mëdhenj. Ato gjithashtu dëshmojnë një tranzicion të madh nga ecja si një majmun mbi 4 katër këmbë te lëvizja si majmuni, duke u kacavjerrë nëpër degët e pemëve. Hispanopiteku, që jetoi në Katalonjën e sotme disa milionë vjet më vonë, kishte krahë të gjata dhe shtyllë kurrizore më të drejtë.

Po kështu edhe Rudapiteku, bashkëkohësi i tij në atë që është tani Hungaria. Më e rëndësishmja, në dijeninë tonë, Rudapiteku është majmuni i parë tek i cili  zhvillohen dy karakteristika të tjera kryesore të majmunëve të mëdhenj modernë – një tru i madh dhe fëmijëri e zgjeruar. Në vitin 1999, ekipi im zbuloi një kafkë të mirëruajtur të Rudapitekut në sitin arkeologjik të Rudabanjas. Detajet strukturore – përfshirë skeletin, nofullat dhe bazën e kafkës – të gjitha ngjajnë me anatominë e majmunëve aktualë afrikanë, sidomos gorillave.

Truri ishte i krahasueshëm në madhësi me ato të shimpanzeve të sotme. Dhe dëshmitë nga studimet mbi rritjen e dhëmbëve, tregojnë se Rudapiteku ka patur një fëmijëri më të gjatë sesa paraardhësit e tij. Në librin tim të ri, "Planeti i vërtetë i Majmunëve", unë argumentoj se këto dhe zhvillime të tjera të rëndësishme në evolucionin e majmunëve, u nxitën nga kushtet e vështira ekologjike që janë hasur në Europë.

Majmunët kolonizuan kontinentin gjatë fazës së ngrohtë të Miocenit, por duke filluar nga 14 milionë vjet më parë ai ishte duke u ftohur, pyjet qenë duke u bërë më pak të dendur dhe ushqimi më i rrallë. Për të mbijetuar, majmunët u detyruan të zhvillonin strategji të reja për të gjetur ushqim si nëpër pemë ashtu edhe në tokë. Kjo çoi në ndryshime fizike dhe njohëse. Truri i madh dhe fëmijëria më e gjatë, janë të lidhura me nivele më të larta të inteligjencës, kujtesës, mësimit kompleks dhe të menduarit strategjik, mjete të rëndësishme për majmunët që jetojnë në mjedise sfiduese sezonale – dhe cilësitë karakteristike të vetë species tonë.

Gradualisht, kushtet në Europë u bënë shumë e vështira për majmunët, dhe rreth 10 milionë vjet më parë ata e braktisën kontinentin për të shkuar në Afrikë. Atje, linja të veçanta të të afërmve tanë evoluuan, fillimisht në gorilla dhe pastaj shimpanzetë në njerëz. Por, anatomia dhe sjellja e njerëzve më të hershëm ka kuptim vetëm në dritën e majmunëve të epokës së Miocenit. Unë do të shkoja aq larg sa të thosha se pa zhvillimet që kanë ndodhur në Europë, njerëzit nuk do të mund të evoluonin kurrë.

*antropolog, universiteti i Torontos

Si të hysh në Harvard. Këshilla të thjeshta, nga presidentja e Universitetit më të nderuar të Amerikës

Posted: 11 Oct 2017 08:29 AM PDT

Gjithkush e di se si të hyjë në Carnegie Hall: praktikë, praktikë, praktikë. Por, ç'të thuash, për ata që duan të hyjnë në universitetin më të nderuar të vendit?

Për studentët ambiciozë të shkollave të mesme sot, formula për të hyrë në atë shkollë mund të duket po aq e thjeshtë. Urtësia tradicionale thotë se ndjekja kokëulur, me mendjen tënde, e kualifikimeve është rruga e suksesit. Ajo e bën çdo zgjedhje për çdo organizatë të vogël një betejë të nxehtë, dhe i bën orët e mësimit pothuaj një mendim që rikthehet në kokë pas shumë kohësh. Çdo orë që nuk kalohet në mësim, kalohet për të ndërtuar një rezyme të mrekullueshme: Këshilli i studentëve, National Honor Society, kapiten i ekipit të futbollit ose volejbollit dhe anëtarësim në një duzinë organizatash të tjera studentore. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se një 4.0 bashkë me një grumbull lëndësh me provime të "Advanced Placement", nuk është ende thelbësor.

Bëni gjithë këto dhe do të hyni në Harvard, apo jo?

"Ne mund ta mbushnim klasën tonë dy herë më shumë me studentë të përsosur", i tha presidentja e Harvardit, Dru Gilpin Faust, një audience në Aspen Ideas Festival, sponsorizuar nga Instituti Aspen dhe The Atlantic. Kjo do të thotë se zyrtarët e pranimeve mbështeten në gjëra të paprekshme, si ese interesante ose rekomandime veçanërisht të pazakonta, për të vendosur se kush e përbën 5.9 përqindëshin e aplikantëve që pranohen.

Këshilla kryesore e Faust për të rritur një djalë apo vajzë të denjë për Harvard? "Bëjini fëmijët tuaj interesantë!"

Për prindërit dhe studentët, ky është edhe lajm i mirë, edhe lajm i keq. Lajmi i keq është se sigurisht, është shumë më e kollajtë ta thuash se sa ta bësh të ndodhë, ndonëse Faust rekomandoi që të nxiten fëmijët të ndjekin pasionet e tyre, si një mënyrë për të zhvilluar një personalitet interesant. Eshtë shumë më e kollajtë të plotësish një listë, sado e lodhshme, se sa të jesh interesant.

Por lajmi i mirë është se kur kolegjet vendosin këtë seri kriteresh, fëmijët mund të fokusohen në formësimin e viteve të tyre të adoleshencës, në një mënyrë që nuk është thjesht plotësim resht pas reshti i rezymesë, por të fokusohen në një sens më holistik të vetvetes. Kjo duket si një mënyrë shumë më e arsyeshme për t'u rritur në shkollë të mesme, se sa të tendosesh për të marrë disa pozicione, tek asnjë prej të cilëve nuk mundesh të përqëndrohesh. Kjo nxit një qasje diletante ndaj të mësuarit dhe shoqërisë, që është ekzaktësisht e kundërta e asaj që artet liberale janë përpjekur tradicionalisht të inkurajojnë.

Ka edhe një bonus me lajme të mira: nëse fëmija hyn në Harvard, ndoshta nuk do të ketë nevojë që të punojë paralelisht. 60 % e studentëve në Harvard marrin ndihmë financiare, thotë Faust, dhe ata po paguajnë një mesatare prej 12 mijë dollarë në vit, përkundër pagesës 60 mijë dollarë të shkollimit, konviktit dhe ushqimit. Kjo është pjesë e një tendence në rritje në universitetet elitare. Për vite, disa prej tyre kanë thënë se përmbushin 100 përqind nevojën e demonstruar, por në vitet e fundit vetëm pak prej tyre kanë filluar të ofrojnë shkollim tërësisht falas për studentë me të ardhura familjare, nën një nivel të caktuar. Kjo do të thotë që, edhe pse çmimi i etiketës, për ndjekjen e shkollës është rritur në lartësi edhe më marramendëse, gjithnjë e më pak studentë po e paguajnë atë çmim etikete.

Këto dy ndryshime nënkuptojnë që, ndërkohë që arsimi në kolegj nuk është më ai që ishte dy breza më parë, ai nga ana tjetër, nuk është kaq i papërballueshëm sa duket. / The Atlantic – Në shqip nga Bota.al

Armë & Naftë: Mbreti saudit në Moskë, si shenjë e lindjes së aleancave të reja

Posted: 11 Oct 2017 08:15 AM PDT

Nga Bernard Guetta

Mbreti Salman i Arabisë Saudite ishte për një vizitë në Moskë, ku bleu armë ruse, firmosi kontrata në seri u përpoq të gjejë mënyra për të rregulluar, së bashku me Vladimir Putinin, çmimin e naftës. Udhëtimi i Salman tregon shumë për gjendjen e botës.

Komuniste dhe ateiste, Rusia ka qenë prej kohësh "dega" tokësore e ferrit për Riadin. Rënia e Murit të Berlinit nuk i ndryshoi gjërat, sepse lidhjet ndërmjet amerikanëve dhe sauditëve ishin të thella.

Por pastaj Amerika e Bushit vendosi të përmbysë Sadam Huseinin në Irak, duke ia besuar komandën e vendit shumicës shiite, e njëjta rrymë islamike si iranianët, të cilët janë armiq të betuar të sauditëve. Pavarësisht kundërshtimit të Riadit, Barack Obama bëri një kompromis për çështjen bërthamore, i cili i mundësoi Iranit të shpëtojë nga kthetrat e sanksioneve ndërkombëtare, të cilët po e asfiksonin ekonominë e tij. Me abstenim e tyre nga konflikti sirian, Shtetet e Bashkuara kanë rihapur dyert e Lindjes së Mesme edhe për Rusinë, dhe kështu, pavarësisht vardisjes së Donald Trumpit ndaj Riadit, sauditët kanë vendosur të bëjnë ujdi me Moskën.

Interesat përtej naftës

Situata rajonale i shtyu ata në këtë drejtim, duke filluar me naftën, burimi kryesor i rusëve dhe sauditëve, të cilët në një fazë të vështirë ekonomike ndajnë interesin për të kontrolluar çmimet për fuçi. Ata e kishin bërë këtë në dhjetor 2016, duke gjetur një marrëveshje që parashikonte një ulje të prodhimit nga vendet eksportuese. Sot, Putini përpiqet të zgjasë marrëveshjen, e cila duhet të përfundojë vitin e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse ai ka takuar një herë Presidentin e Venezuelës dhe tani priti Mbretin Salman. Por në kundërshtim me atë që konspiratorët besojnë, nuk është vetëm nafta.

Në skenën e Lindjes së Mesme, rusët dhe sauditët janë në përplasje, sepse Moska është aleate e Iranit dhe regjimit sirian, dy armiq të Arabisë Saudite. Riadi dhe Moska nuk janë front i përbashkët në rajon, por referendumi për pavarësinë e kurdëve irakenë ndryshon shumë gjëra në Lindjen e Mesme.

Shtetet e rajonit po zbulojnë me shpejtësi se, përtej rivaliteteve të tyre dhe përplasjes mes shiitëve dhe sunitëve, duhet të gjejnë mënyrën për të bashkëjetuar, me qëllim pengimin e një ndryshimi të kufijve të tyre kombëtarë. Ka kurdë në katër prej këtyre vendeve, sunitë në Irakun me shumicë shiite dhe shiitë në Arabi Saudite, ku janë të përqëndruar në zonat më të pasura me naftë.

Raison d'État bën të pashmangshme një aleancë mes fuqive në Lindjen e Mesme dhe kështu, në Rusi, sovrani saudit e gjen veten duke bërë ujdi me një aleat të Iranit. / France Inter – Bota.al

Dosja e errët e Facebook: Njeriu i afërt i Putinit që prodhon lajme të rreme nga Shën Petërburgu

Posted: 11 Oct 2017 08:00 AM PDT

Nga Isabelle Hanne

Liberation

Tashmë provat ekzistojnë se Rusët janë hedhur me kokë dhe me gëzim në zemër për të ndikuar përmes Facebokkut në fushatën presidenciale amerikane. Llogari fallco, publicitet i targetuar deri në detaje, ata kanë përdorur në mënyrë inteligjente të gjitha mundësitë që të jepë rrjeti social (shiko në pjesën e Parë të dosiesë/shkrimi poshtë).

Masa dhe pesha me të cilën Kremlini ka ndikuar në zgjedhjen e Trump mbetet akoma të zbulohet dhe është në hetim e sipër, por amerikanët kanë arritur të zbulojnë se ku gjendet "fabrika e lajmeve të rreme" prej ku dirigjohej manipulimi i Fcebookut kundër kandidates Hillari Klinton. Nga periferitë e Shën Petërburgut disa qendra "Kiber- ushtare" punonin gjatë gjithë kohës përmes llogarish fallco për të mbështetur politikën e Kremlinit dhe për  të denigruar armiqtë e Rusisë. Edhe përpara se të fillonte fushata presidenciale në amerikë, mediat Ruse kishin raportuar për këtë fabrikë të prodhimit të lajmeve të rreme.

Një investigim i gazetës të pavarur "Novaia Gazeta" pati zbuluar një lidhje mes biznesmenit nga Shën Peterburgu Evgeny Prigogine dhe fabrikës së "trolls". Ky afarist i mbiquajtur ndryshe edhe kuzhinjeri i Putinit (shiko foton Prigogine majtas) që njihet për lidhjet e tij të afërta me Kremlinin është një nga aksionerët kryesorë të fabrikës së gënjeshtrave. Kompania e Prigoginit që njihet si një nga emrat më të mëdhenj të kuzhinës së Rusi, ka fituar shumë tendera shtetërorë, ka organizuar të gjithë ceremoninë e zgjedhjes president të Putinit, madje ai vetë i ka shërbyer shefave të shteteve kur ata takoheshin në Moskë dhe Shën Petërburg më liderin rus.

Të gjitha këto zëra Kremlini i ka mohuar kategorikisht. "Ne nuk kemi asnjë lidhje me këtë, ne s'kemi dëgjuar për këtë gjë, dhe s'duam që emri ynë të lidhet me këtë histori Facebook-u ka thënë zëdhënësi i presidencës ruse Dimitri Peskov. Por eksperti i pavarur dhe specialist i kibernetikës Andrei Soldatov, në një intervistë që i ka dhënë gazetës Libaration dhe që Lapsi.al e ka lexuar, pohon krejt të kundërtën. "Gjithçka vendoset në Kremlin" pohon ai dhe vazhdon: "Ka një ndryshim me periudhën sovjetike, atëherë ishin njerëz të ndryshëm që merreshin me çështjet e brendshme dhe të tjera që mbulonin ato të jashtme. Ndërsa tani është një rreth i ngushtë njerëzish në Kremlin që merret me të dyja".

Por Soldatov nuk i jep shumë rëndësi teorisë së ndërhyrjes në zgjedhjet e ShBA. "Shumat e harxhuara në para janë shumë pak (rreth 100 mijë dollarë ka pohuar shefi i Facebook, Mark Zucerberg). Kremlini ka vendosur shumë vonë të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane. Kjo ndodhi pas shpërthimit të skandalit Panama Papers ku dolën dokumenta për pasurinë marramendëse të Putinin. Vetëm pas kësaj, presidenti Rus vendosi të hakmerret dhe në fakt u bazua në të dhënat e "spiunëve" të Facebookut që për hir të së vërtetës Rusia i mblidhte që prej vitit 2015". Pra sipas tij këtu kemi të bëjmë me një lëvizje taktike jo strategjike. Por Soldatov shton: "Kjo nuk përjashton faktin se që prej tre vitesh ka pasur njerëz që paguheshin për të ndërhyrë në rrjetet sociale të Amerikës, Anglisë dhe Francës".

(Burimi: Liberation/ Përshtati Lapsi.al)

Rama-Gentiloni: Italia, avokatja kryesore Shqipërisë për në BE

Posted: 11 Oct 2017 07:50 AM PDT

Kryeministri Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Itali, ku është pritur nga homologu i tij, Paolo Gentiloni.

Pas takimit, liderët e dy vendeve zhvilluan një konferencë për mediat, ku pjesë e diskutimeve ishin bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, është diskutuar edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Gentiloni e ka nisur fjalën e tij, duke uruar kryeministrin Rama, pas konfirmimit të tij në mandatin e dytë qeverisës.

"Mendoj se kjo është vizita e parë bilaterale e kryeministrit Rama jashtë vendit, pas konfirmimit të tij si kryeministër, ndaj dua ta uroj atë në këtë mandate të ri qeverisës. Italia është një partner kryesor për Shqipërinë, kemi biznese italiane të vendosura në Shqipëri, por ajo çfarë duhet të bëjmë në këtë fushë është të intensifikojmë më tej raportet tona, ndaj duhet të bëjmë më shumë për përfaqësonin tonë atje."

Nga ana e tij, kryeministri Rama është shprehur se Italia është një partner strategjik, por edhe një vend që i ka ofruar ndihmë gjithmonë Shqipërisë.

"Italia nuk është vetëm një partner strategjik, por edhe një vend që i ka qëndruar dhe i ka dhëne shumë Shqipërisë. Ka ofruar mbështetjen e saj në vijimin e procesit të Berlinit."

Rama është ndalur në luftën kundër kanabisit, ku ka falënderuar kryeministrin Gentiloni për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, Rama foli edhe për procesin e integrimit, ku u shpreh se Italia është një avokat i rëndësishëm i Shqipërisë për në BE, ndaj sipas tij po bëhet e pamundura për hapjen e negociatave.

 

Nënshtetësia shqiptare për kosovarët, Meta kundër Thaçit

Posted: 11 Oct 2017 07:42 AM PDT

Debati mbi demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i cili mban peng dhe liberalizimin e vizave të Kosovës, sollën që Presidenti Ilir Meta, në vizitën e tij zyrtare në Prishtinë, të merrte një kërkesë të drejtpërdrejtë nga homologu i tij, Hashim Thaçi.

Pajisjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës me nënshtetësi shqiptare kërkoi Presidenti Hashim Thaçi, pasi dekoroi me urdhrin e pavarësisë në Prishtinë homologun e tij Ilir Meta.

Ai tha se ky është i vetmi opsion në kushtet kur Bashkimi Evropian refuzon liberalizimin e vizave.

"Pasi që aktualisht BE ka sjellë një rrethanë të izolimit klasik të lëvizjes së lirë të njerëzve, unë e diskutova edhe me Presidentin se e vetmja shpresë në ketë moment për qytetaret e Kosovës që të lëvizin lirshëm, që në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës tu jepet nënshtetësia qytetarëve të Kosovës", tha Thaçi.

Edhe kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta foli për domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij diskriminimi për qytetaret e Kosovës, të cilët sipas tij meritojnë të lëvizin lirisht në hapësirën europiane.

Por, edhe pse e cilësoi si të padrejtë këtë kusht të vendosur nga BE, Presidenti Meta, nuk e shikon këtë si zgjidhje të problemit.

"Është e padrejtë vendosja e këtij kushti, por nuk është zgjidhja dhënia e pasaportave shqiptare. Duhet dialog nga e gjithë politika", u theksoi Meta.

"Përgjigjja më e mirë është ta zgjidhim sëbashku. Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësi për të gjithë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Shpresoj që pas zgjedhjeve të ardhshme vendore me një dialog edhe me aktiv me BE e Malin e Zi", tha më tej Meta.

Pak ditë më parë edhe kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp në Tiranë me homologun Ramush Haradinaj i bëri thirrje Brukselit të heqë barrierat për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit që nuk lëvizin lirisht në hapësirën Shengen.

Ryshfet për tendera, biznesmeni italian: Si më mashtroi “Kaubojsi”

Posted: 11 Oct 2017 07:20 AM PDT

Top Channel ka siguruar kallëzimin e plotë që biznesmeni italian, Vincezo Ricci ka bërë ndaj ish-deputetit "kaubojs" Eduard Ndocaj, të cilin e akuzon për mashtrim.

Në kallëzim, biznesmeni 64-vjeçar fillimisht tregon rrethanat e njohjes me Ndocajn.

"Gjatë vitit 2016, në mes të muajit mars jam njohur në Itali me shtetasin shqiptar Eduard Ndocaj nëpërmjet një kolegut tim italian me të cilin kisha njohje që quhet Ambrogio Pozzi, duke ma prezantuar si deputet në Parlamentin shqiptar dhe që kërkon një ndërmarrje që merret me shtrimin e tubacioneve të gazit. Pas këtij prezantimi unë kam vazhduar  takimet me shtetasin Eduard Ndocaj, i cili më premtoj se qeveria shqiptare ka 50 deri 80 km tubacion për të shtuar, fliste në emër të qeverisë. Pas 2 javësh në këmbim të kësaj oferte më ka kërkuar një dhuratë e cila është automjeti Audi Q7, unë ja dhashë në përdorim", ka rrëfyer Ricci.

Po në kallëzim, biznesmeni Ricci denoncon se ish-deputeti kaubojs fliste në emër të qeverisë.

"Dua të kallëzoj se shtetasit Eduard Ndocaj i kam dhënë 78 mijë euro kesh, pa përfshirë gjobat prej 8 mijë eurosh që ishte gjobitur në Itali për tejkalim shpejtësie. Këto sasi monetare mi kërkoj një muaj pasi më mori makinën. Më pati deklaruar se për të marrë këtë tender një nga përfaqësuesit e qeverisë kërkon 50 mijë euro ku 25 i kërkoi menjëherë dhe pjesën tjetër më tha me firmosjen e kontratës. Në atë moment unë i kamë dhënë pa asnjë dokument 25 mijë euro dhe pas dy javësh edhe 25 të tjera. E kam pyetur vazhdimisht se kur do e fitoj këtë tender por Eduardi me nxirrte vazhdimisht justifikime, dhe brenda harkut të 3 muajve ka marrë dhe pjesën tjetër prej 28 mijë eurosh", vijon kallëzimi i italianit.

Eduard Ndocaj do të ndiqet në gjendje të lirë për akuzën e mashtrimit ndërsa të martën ai postoi një foto në rrjetet sociale ku po udhëtonte drejt Italisë duke mohuar çdo akuzë.

Edhe avokati i Ndocajt reagoi duke u shprehur se klienti i tij i është nënshtruar një verifikimi policor sikurse mund t'i nënshtrohet çdo qytetar tjetër i lirë dhe në asnjë rast atij nuk i është hequr liria si person i ndaluar ose arrestuar.

Shkenca, e shqetësuar: Nivele të larta rrezatimi në disa vende të Europës

Posted: 11 Oct 2017 07:15 AM PDT

Monitoruesit e rrezatimeve kanë zbuluar një rritje të pazakontë të grimcave radioaktive në disa pjesë të Europës Qendrore dhe Perëndimore që prej javës së shkuar, por origjina e tyre nuk është mundur të përcaktohet.

Mbi këtë çështje raporton Zyra Qendrore e Mbrojtjes nga Rrezatimi në Gjermani (BFS), shkruan Dita.

Bëhet fjalë për grimca ruteni-106, një izotop që përdoret në radioterapinë e kancerit për trajtimin e tumoreve të syve ashtu si dhe në gjeneratorët termoelektrikë të radioizotopeve që sigurojnë energji nga satelitët.

Sasi të larta të rrezatimit nga ky metal i rrallë janë regjistruar në Austri, Francë, Gjermani, Itali dhe Zvicër.

Për shkak se është zbuluar vetëm ruteni-106, BFS përjashton që të ketë qenë rezultat i një aksidenti në ndonjë qendër nukleare. Funksionarët gjithashtu pohojnë se nuk është vendi për panik pasi nivelet e rrezatimit, edhe pse të larta nuk janë rrezik për shëndetin e njeriut.

Edhe pse askush nuk e di se nga vjen materiali radioaktiv, autoritet evropiane kanë drejtuar gishtin nga Rusia. "Analiza të reja të burimit të materialit radioaktiv ka të ngjarë të tregojnë një çlirim rrezatimi në Uralet jugore", sugjeron BFS. "Megjithatë rajone të tjera të jugut të Rusisë nuk mund të përjashtohen", shton raporti.

Në shkurt gjurmë të jodit131 u zbuluan në disa pjesë të Europës. Izotopi radioaktiv u shpërbë dhe burimi i radioaktivitetit nuk u identifikua, por disa media komunikimi sugjeruan edhe atëherë se burimi ishte Rusia.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more