Skip to main content

Tirana Observer: “Zbulohet Qarku ku do kandidojë Lulzim Basha. Nuk është Tirana” plus 9 more

Tirana Observer: “Zbulohet Qarku ku do kandidojë Lulzim Basha. Nuk është Tirana” plus 9 more


Zbulohet Qarku ku do kandidojë Lulzim Basha. Nuk është Tirana

Posted: 23 May 2017 08:33 AM PDT

Priten me mjaft interes listat që do dorëzojë Lulzim Basha në KQZ për zgjedhjet e 25 qershorit.

E ndërsa në media prej më shumë se dy ditësh po qarkullojnë lista emrash të mundshëm sipas qarqeve respektive, newsbomb.al mëson se ku do të kandidojë vetë kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Burimet bëjnë me dije se kreu i demokratëve ka zgjedhur të kandidojë në Elbasan si i pari i listës. Pas tij, pra i dyti në listë do të jetë deputeti aktual i PD-së, Luçiano Boçi.

Strukturat e PD-së në Elbasan kanë nisur menjëherë punën dhe po angazhohen maksimalisht në mënyrë që rezultati në qarkun ku kandidon vetë kryetari mos jetë zhgënjyes. Basha rikthehet në Elbasan pas 8 vitesh pasi në vitin 2009 ishte kryesuesi i listës, kohë kur PD-ja korri goxha sukses duke marrë 7 deputetë, rezultat historik i demokratëve, raporton newsbomb.al.

Basha këtë herë do të jetë përballë Taulant Ballës nga PS, Monika Kryemadhit nga LSI dhe Aqif Rakipit të PDIU.

Sulmi i simuluar me armë kimike, çfarë ndodhi sot në Rinas (VIDEO)

Posted: 23 May 2017 08:32 AM PDT

Reagimi i Strukturave të Përgjigjes së Parë në Incidentet që shkaktohen nga lëndët kimike ishte qëllimi i stërvitjes që u zhvillua nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, pranë MPB – 23 maj 2017.

Kjo stërvitje u mbajt në kuadër të projektit të Bashkimit Europian ''EuropeAid''.

Ministria ka publikuar edhe videon që shoqëroi stërvitjen.

Stërvitja zhvillohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, dhe në të do të marrin pjesë një sërë forcash të tjera nga Zjarrfikësit, Agjencia e Mjedisit, Urgjenca etj.

Stërvitja do të zhvillohet në segmentin rrugor Kodër Kashar- Rinas, dhe rruga do të jetë e kalueshme vetëm në një anë. Por për shkak të akumulimit të shumtë të automjeteve, pritet që edhe në Tiranë trafiku të rëndohet në orët e zhvillimit të stërvitjes.

"Njoftojmë të gjithë qytetarët se për shkak të stërvitjes segmenti rrugor Kodër Kashar – Rinas, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 në datën 23 maj do të funksionojë me një kalim për shkak të lëvizjes së mjeteve të emergjencës, të cilat do të jenë pjesë e operacioneve të ndërhyrjes në këtë stërvitje."- shkruhet në njoftimin e MB.

Misteri: Çfarë i çoi speciet në monogami? Nuk ishte dashuria

Posted: 23 May 2017 08:30 AM PDT

Listës së mistereve të pazgjidhura të botës i është bashkangjitur prej kohësh pyetja se çfarë i shtyu njerëzit të zhvillonin monogaminë.

Përgjigje të reja dhe divergjente në lidhje me monogaminë janë ofruar nga dy studime të reja, secili i panjohur me rezultatet e tjetrit, duke qenë se janë publikuar në të njëjtën javë.

Sipas njërit prej studimeve, primatët janë monogamë, ndaj meshkujt e paçiftëzuar nuk i vrasin fëmijët e tyre. Sipas tjetrit, kafshët janë monogamë, sepse kjo ishte e vetmja mënyrë sesi ata mund të ruanin partnerët dhe rrjedhimisht edhe të drejtat e tyre të mbarështimit.

Monogamia, siç mund ta përkufizojnë disa, është e panatyrshme. Shumë pak specie e praktikojnë atë, me përjashtim të zogjve. Monogamia sociale, një marrëveshje në të cilën dy krijesa çiftëzohen dhe punojnë së bashku për të arritur nevojat e tyre bazë, është veçanërisht e panatyrshme mes shpezëve gjakftohtë.

Vetëm 5 për qind e 4000 specieve mamale në tokë jetojnë me vetëm një partner. Këtu përfshihen ujqërit, kastorët dhe lakuriqët e natës.

Meqenëse çiftëzimi me vetëm një femër në një periudhë të caktuar kohore, ka si qëllim të ulë shanset e një mashkulli për prodhimin e sa më shumë pasardhësve, çfarë të mire evolucionare mund të sjellë monogamia?

Një arsye e monogamisë, sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Shkencave në Amerikë, është se meshkujt qëndrojnë me një femër për të qenë të sigurt që të vegjlit e tyre nuk do të vriten nga të tjerë meshkuj.

Lindja e fëmijës dhe sigurimi se ai do të mbijetojë dhe do të vazhdojnë riprodhimin e gjeneve që mban, janë dy gjëra të ndryshme.

Bazuar në sjelljet prindërore, të mbledhura nga 230 primatë të ndryshëm për shtatë breza, kërkuesit arritën në përfundim që burrat filluan të balanconin nevojën për të shpërndarë gjene dhe nevojën për të mbrojtur të vegjlit nga sulmet e të tjerëve.

Sulmuesit duhej të vrisnin të vegjlit në mënyrë që të mund të kishin të bënin me nënën e tyre, e cila do ta vononte ngjizjen e një pasardhësi tjetër nëse fëmijët e vrarë do të ishin në fazën e ushqimit me gji.

Që këto gjëra të mos ndodhin, babai qëndron rreth fëmijëve të tij, në mënyrë që t'i sigurojë mjedisin e duhur për të vazhduar tejçimin e gjeneve të tij. Kështu edhe nëna do të vazhdojë të lindë pasardhës të tjerë, nëse mashkulli kujdeset që fëmijët e vegjël të rriten.

"Kjo është hera e parë që teoritë e evolucionit të monogamisë janë testuar sistematikisht, duke treguar përfundimisht që është vrasja e foshnjave ajo që ka çuar drejt monogamisë", shprehet Kristofer Opie, një kërkues në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Londrës.

Një tjetër studim i publikuar në revistën "Science", përdori një lloj të ngjashëm analize, por duke përdorur më shumë specie, rreth 2500 mamalë ose thënë ndryshe gjysmën e specieve që njohim.

Autorët nga Universiteti i Kembrixhit, zbuluan se nuk kishte asnjë lidhje mes vrasjes së të vegjëlve dhe monogamisë.

"Monogamia zhvillohet në vendet ku femrat jetojnë me përqendrim të ulët", thotë Lukas, një nga autorët e studimit. Meshkujt nuk mund t'i shmangin rivalët e tyre që mund t'ua rrëmbejnë femrat, sepse këto të fundit janë shumë të shpërndara.

Për këtë arsye, ata qëndrojnë duke ruajtur vetëm një femër. Për më tepër ata nuk mund të sigurojnë nëse pasardhësit që femra mbart janë të tyret, ndaj për të qenë të sigurt qëndrojnë me një partnere.

Studimi i publikuar në "Science", vëren se në speciet mamale që janë monogame, femrat tentojnë të jenë të vetmuara dhe të patolerueshme kundrejt femrave të tjera.

Të dyja studimet mbështesin idenë se teoria e mëparshme, sipas së cilës monogamia është zhvilluar sepse meshkujt duan të rrisin të vegjlit e tyre, ka shumë pak gjasa të jetë e vërtetë.

Te njerëzit, studimi i Agjencisë Kombëtare të Shkencës duket më i sigurt. Njerëzit kanë tru më të madh, të vegjlit e njeriut kërkojnë më shumë kohë për t'u formuar dhe janë të dobët për më shumë kohë.

Për këtë arsye, meshkujt duhet të qëndrojnë më shumë me familjen dhe të mbrojnë femrat derisa fëmijët të rriten dhe ta sigurojnë transmetimin e gjeneve.

Monogamia te njerëzit, duket se ka ardhur prej shijes së fituar dhe aftësive të mësuara. Mbetet pyetja se cila është kostoja e mësimit të monogamisë./NYT

Zbulohen emrat e sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së

Posted: 23 May 2017 07:10 AM PDT

Pas marrëveshje me Ramën, Basha ka filluar punën për përpilimin e listës së deputetë për zgjedhjet e 25 qershorit.

Mësohet se pjesë e kësaj liste do jenë edhe ata që cilësohen fitues të sigurt pasi do të jenë kryesues të listave.

Emra të tillë si: Edi Paloka, Arben Ristani, Dhurata Çupi, Florjon Mima, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Tritan Shehu, Grida Duma, Ervin Salianji, Aldo Bumçi e Gent Strazimir, Jorida Tabaku, Eduard Halimi, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Helidon Bushati.

Basha ka përfshirë edhe aleatët e tij, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule, në këto "lista të sigurta".

EMRAT E SIGURT:

KOORDINATORËT

Edi Paloka

Arben Ristani

Dhurata Çupi

Florjon Mima

Flamur Noka

Albana Vokshi

Edmond Spaho

Tritan Shehu

Grida Duma

Ervin Salianji

Aldo Bumçi

Gent Strazimiri

ANËTARËT E KOMISIONEVE TË VETTINGUT

Jorida Tabaku

Eduart Halimi

Oerd Bylykbashi

Luciano Boçi

Helidon Bushati

 

ALEATËT

Fatmir Mediu

Dashamir Shehi

Nard Ndoka

Vangjel Dule

STRUKTURAT

Belind Këlliçi

Enno Bozdo

Fatbardh Kadilli

EMRAT ME PESHË

Lulzim Basha

Sali Berisha

Jozefina Topalli

Halim Kosova

Romët, integrimi kërkon buxhet

Posted: 23 May 2017 07:03 AM PDT

Në Tiranë diskutohet gjendja e romëve në rajon

Një forum dy-ditor i dialogut publik, i cili diskutoi zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020, u hap sot në Tiranë.

Forumi, duke u përqendruar në pesë përparësitë kryesore – arsimi, punësimi, mbrojtja sociale, strehimi dhe shëndeti me arritjet dhe sfidat përkatëse – është organizuar nga Grupi i Veprimit të Romëve për Integrimin 2020 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe Ministria Shqiptare e Mirëqenies Sociale.

Znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave Sociale në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Pika Kombëtare e Kontaktit të Romëve, theksoi rëndësinë e përmirësimit të koordinimit mes ministrive që merren me integrimin e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Shqipëri. “Kjo është veçanërisht e dukshme përmes emërimit të pikave të kontaktit në secilën ministri të linjës, bashkëpunimit të zgjeruar me Ministrinë e Financave dhe koordinimit të fortë për përfundimin e raportit vjetor për zbatimin e Strategjisë për Integrimin të romëve dhe egjiptianëve. Ky forum do të na mundësojë të  vazhdojmë punën para nesh dhe të krijojmë prioritetet për të ardhmen“, shtoi Xhafaj.

Siç e dimë, romët vazhdimisht ballafaqohen me përjashtimin social, diskriminimin, ndarjen dhe margjinalizimin që çon në mungesë të arsimit, papunësi kronike, qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor, strehimin rudimentar, qasjen e kufizuar në shërbimet esenciale dhe varfërinë e përhapur”, tha udhëheqësi i ekipit të KBR-së RI2020 Orhan Usein.

“Promovimi i integrimit të romëve nuk kërkon vetëm një angazhim të shtuar politik për përfshirjen e romëve, por edhe alokimin e burimeve të përshtatshme në buxhetet kombëtare, koordinimin më të mirë me të gjithë donatorët dhe aktorët kryesorë në përgjithësi, si dhe vlerësimin sistematik dhe monitorimin e përforcuar”.

Ky forum është një mundësi dhe mekanizëm për hapjen e procesit të politikave për të gjithë aktorët relevantë, pasi KBR ofron ndihmë të vazhdueshme direkte dhe mbështetje teknike për qeveritë për të krijuar mekanizma institucionale për të koordinuar, konsultuar, zbatuar dhe raportuar mbi çështjen e romëve.

Ky  është aktiviteti i parë e tillë në Shqipëri e organizuar në kuadrin e iniciativës RI2020 të KBR që bashkon përfaqësues nga të gjitha ministritë e linjës, përfshirë ministrinë e financave, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, pushtetit lokal dhe akademisë.

Integrimi i Romëve 2020 është një nismë trevjeçare e zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Grupi për Integrim i Romëve 2020. Është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur. Objektivi i saj i përgjithshëm është të kontribuojë në zvogëlimin e hendekut socio-ekonomik në mes të romëve dhe jo-romëve në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi dhe për të forcuar detyrimet institucionale të qeverive për të inkorporuar dhe përmbushur synime specifike të integrimit të romëve në zhvillimet kryesore të politikave.

Nga Andi Bushati/ Pse u zemëruan bosët e mediave me paktin Rama- Basha?

Posted: 23 May 2017 07:00 AM PDT

Një fortunë në gotë po ngrihet nga pronarët e televizioneve lidhur me ligjin që miratoi dje parlamenti dhe që i detyron ekranet private të trasmejtojnë falas reklamat e partive gjatë fushatës elektorale. Shumica e mediave, pothuajse njëzëri, e konsideroi ligjin e miratuar me 118 vota një skandal. Ata i bombarduan sytë e shikuesve me tituj të rëndë dhe bombastike. Ata ngritën zërin se ky draft ishte bërë fakt pa u konsultuar me grupet e interesit, se deputetët e kishin votuar atë pa e lexuar fare më parë, se ai ishte në kundërshtim edhe me ligjin e mediave të aprovuar nga OSBE, etj.

Në fakt, pavarësisht këtyre shqetësimeve "parimore", lajmet që u hartuan drejtëpërdrejtë nga zyrat e pronarëve (në mos nga sallonet e shtëpive, sepse Shqipëria është një rast unuikal ku çdo televizion është në pronësi të një familjeje të vetme), kishin një shqetësim të fshehtë. Atë që bosët e mediave e artikulonin privatisht: Kush janë këta Rama dhe Basha, që të vendosin për paratë tona? Si mundet që ata të marrin vendime për të ardhurat e një biznesi privat? Si mund të blejnë partitë e tyre mall pa lekë në dyqanet tona?

E gjithë kjo fabul haluçinante është shembulli më i mirë se sa larg nga problemet reale të shoqërisë janë mediat këtu tek ne; Se sa kollaj një hall i katër apo pesë oligarkëve, mund të serviret si shqetësim kombëtar; Se me sa lehtësi cekja e buxhetit të katër apo pesë familjeve, mund të shitet si një shqetësim demokratik.

Pretendimi i ngritur prej tyre nuk qëndron as ligjërisht, as moralisht.

Ligjërisht sepse biznesi i televizioneve private nuk është thjeshë një biznes i rëndomtë si shitja e qepëve apo pantoflave. Ai ngrihet mbi një pasuri kombëtare që janë frekuencat ku ata transmetojnë si pasuri e patjetërsueshme publike. Ai ka për qëllim përpos prodhimit të parave për Hoxhajt apo Frangajt, edhe informimin e publikut. Prandaj rregullimi i reklamave të partive në ekranet tona, ku gjithmonë pjesën e luanit e merr pushteti dhe financuesit e tij, ishte një domosdoshmëri. Në këtë kuptim, Klani, Topi edhe Vizioni, si përdorues të frekuencave publike që i kanë marrë me qera përkohësisht, e kanë për obligim pasqyrimin në mënyrë sa më të ndershme dhe sa më të barabartë të fushatës elektorale. Pronarët e tyre nuk i gjen ndonjë gjëmë se në emër të këtij parimi do të fitojnë pak më pak para se në zgjedhjet e kaluara.

E këtu mbërrijmë pastaj tek argumenti moral.

Vështirë të ketë ndonjë shqiptar që të arrijë të kuptojë ankesën gjëmëmadhe të këtyre oligarkëve, të cilët kanë rëmbyer gjithçka në këtë vend. Boll të shohësh kioskat që kanë mbirë në çdo cep të Tiranës, boll të shikosh kullat që po ndërtohen dhe ato që tashmë janë planifikuar, për të kuptuar, se këta njerëz po përvetësojnë çdo pasuri publike. Falë dy liderëve që arritën marrveshjen për zgjedhjet dhe falë partive të tyre ata janë pasuruar në kuriz të të gjithë shqiptarëve. E tani kërkojnë para të tjera për të përçudnuar informacionin që i jepet publikut për zgjedhjet. Për të vazhduar nxjerrjen e përfitimeve me mënyra që shkojnë në drejtim të kundërt me interesin publik.

Prandaj si i tillë shqetësimi i tyre nuk duhet marrë seriozisht. Ai duhet trajtuar si një shaka, si ato që vetëprovokojmë për të qeshur, atëhere kur nuk qajmë dot.

Por, duke saqruar këtë, nuk mund të thuhet se ndryshimet ligjiore për pasqyrimin e fushatës janë të mira apo të pranueshme. Tallavaja e kotë që ngritën pronarët e mediave fshehu problemet reale të tij. Sepse kjo përpjekje vërtet mëton të ekuilibrojë raportin e kohës televizive mes PS dhe PD, vërtet synon të bëjë një mbulim më të ndershëm dhe të pa ndikuar nga paratë e pushtetit, të mesazheve të tyre elektorale, por nga ana tjetër, ajo penalizon të gjitha ato që mund të konsiderohen forca anti establishmet. Duke sanksionuar se partitë e mëdha kanë nga 90 minuta kohë televizive falas, se ato parlamentare nga 45 minuta dhe të tjerët vetëm nga 10, ai krijon një garë të pabarabartë në start. Ai është në thelb një tentativë për ruajtjen e status quo dhe ngulfatjen e një kaste politike. Ai është armiqësor ndaj lindjes së çdo nisme të re.

Po të njëjtat parti që kanë komisionerët dhe që numërojnë votat e të gjithëve, tani i japin vetes edhe privilegjin që të bëjnë më shumë propagandë. Po të njëjtat parti që i hoqën të drejtën të vegjëlve për të pasur koalicione, tani i japin vetes edhe një avantazh më shumë.

Kështu psh partia e Blushit do të ketë të drejtën vetëm e gjysmës së vizibilitetit të PD-së së Bashës, ndërsa ajo e Bojaxhiut edhe më keq, do të shfaqet në ekrane sa  1/10 e PS së Ramës. Dhe e divulguar kjo është njësoj sikur Hysain Bolt ta niste garën 2-3 sekonda më parë sesa sprintierët e tjerë, vetëm se ai është rekordmen botëror, apo sikur Mesi dhe Ronldo ta gjuajnë penalltinë me portë më të madhe, ngaqë ata njihen si futbollistët më të mirë të globit.

Kjo është e meta e madhe e këtij ligji. Ai është një hap më shumë në kalcifimimin e "republikës së vjetër". Ai ruan pushtetin në duart e Berishëve dhe Ramëve të cilët mund ta konsumojnë atë ose veç e veç ose si tani duke e ndarë së bashku.

Në këtë këndvështrim ai është i ngjashëm me pamjet që pamë dje në parlament, kur pas shumë e shumë kohësh, Rama dhe Berisha u bënë në mënyrë të shpifur bashkë, për të goditur të dy kundër Blushit. Kur deputetët e njërit krah dhe tjetrit ngazëlleheshin dhe duartrokisnin fjalën e palës armike, vetëm se ajo drejtohej kundër një të treti që i bezdiste.
Mirë po ky spektakël i shëmtuar i demokracisë sonë, kjo përpjekje flagrante e kastës për të ricikluar vetveten kaloi pothuajse e pavërejtur për sytë e publikut. Sepse zhurma u përqëndrua tjetrërkund. Ajo u ngrit si një stuhi në gotë për hallin e katër pesë njerëzve, të atyre oligarkëve që si zengjinët e rij, nxitojnë të mbledhin dhe qindarakat që mund t'u bien nga xhepat. (Lapsi.al)

Kur fiton blofi dhe humbet shahu

Posted: 23 May 2017 06:47 AM PDT

Nga Ilir Hashorva

Pas tre muajsh protestë të Lulzim Bashës, pas thirrjeve me një gjuhë lufte për shkatërrimin e PS-së dhe Edi Ramës, të dy udhëheqësit e urtë: Lulzim Basha dhe Edi Rama, u bashkuan kokë më kokë, në prani të askujt, në mes të natës dhe, në fshehtësi, ngjizën atë që nuk ia priste mendja kujt e që e quajtën "Marrëveshja Basha-Rama". Nga mediet u cilësua si historike, disa uruan që ai bashkëpunim i sinqertë PD-PS të vazhdonte, e të tjerë dhanë siguri se ai bashkëpunim do të vazhdonte edhe pas zgjedhjeve.

Vetë protesta e Bashës dhe plotësimi i pjesshëm i kërkesave të saj nga Rama janë veprime të papërgjegjshme që nuk mund të ndihmojnë në forcimin e shtetit, madje mund të përbëjnë një precedent të rrezikshëm për t'u përsëritur herë pas here në periudha parazgjedhore në të ardhmen.

Nuk ka asnjë dyshim se as qeveria teknike, as zgjedhjet pa Ramën kryeministër dhe as Republika e Re nuk qenë synimet e vërteta të protestës së PD-së. Edhe vetë Basha e dinte se ato ishin të pa realizueshme dhe shërbenin vetëm si mjete propagandistike për të elektrizuar dhe mbajtur gjallë frymën në çadër, për t'i bërë të pranishmit në çadër: miqtë vendas e të huaj si dhe kryetarë partish të djathta që e kanë humbur me kohë identitetin e tyre, të mbanin aty fjalime, të besonin se ishin pjesë e një revolucioni të madh që do të fshinte një herë e përgjithmonë "Republikën e Vjetër" dhe do të ndërtonte "Republikën e Re", pa drogë, pa kriminelë e pa Ramën.

Qëllimi i vërtetë i protestës, ashtu siç ka deklaruar edhe Rama, ka qenë vetëm pengimi i realizimit siç duhej i vettingut dhe reformës në drejtësi.

Ilir Hashorva

Megjithatë, Basha dhe Rama, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, u morën vesh, nënshkruan një marrëveshje, dhe PD-ja e kënaqur, pasi arriti diçka, do të futet në zgjedhje. Çështja e kanabisit, çështje që përsëritej me qindra herë çdo ditë në çadër, për të mos u lënë jashtë, zuri vendin e fundit në marrëveshje, ndërsa për çështje të tjera, vërtet të rëndësishme, si korrupsioni, pronat, drejtësia etj. në marrëveshje nuk kishte vend. Ato nuk përbënin probleme që të shqetësonin dy partitë e mëdha!

Një pyetje që besoj se bën çdokush në këtë rast është: ç'e detyrojë Bashën t'i hynte një aventure që mund ta linte jashtë zgjedhjeve dhe të kryente një vetëvrasje së bashku me partinë e tij? Ishte pikërisht vettingu dhe reforma në drejtësi që mendohej se do të kishin pasoja për Berishën dhe për Bashën që i bënin ata të mendonin se do të ishte më me leverdi të bënin presion me sakrifikimin e zgjedhjeve dhe partisë së tyre deri në fund, sesa të rrezikonin veten. Tashti, të mos presë më njeri që, qoftë reforma në drejtësi dhe qoftë vettingu, si pjesë e saj, do të kryhen ashtu siç duhet. Ato me siguri janë sakrifikuar dhe sakatuar. Një pyetje tjetër: ç'e ndihmojë Bashën që, ndonëse pa asnjë forcë reale politike a ligjore, të bënte me dhjetë fjalë dhe me pesë fraza, kërkesa absurde e kërcënime të frikshme dhe të arrinte me to sukses? Blofi!

Sali Berisha, mjeshtër i krijimit dhe manipulimit të situatave dhe njerëzve, mjeshtër i njohjes së karakterit të njerëzve dhe i shfrytëzimit të tyre, tutori i Bashës, e mësonte nxënësin e tij që të godiste fort dhe pa ndërprerje, me tone të ashpra e me kërcënime, se nuk kishte rëndësi se ç'thoshte, por si i thoshte; e siguronte se kundërshtari i tij, pavarësisht nga paraqitja prej kokoroshi, ishte i brishtë, se batutat me të cilat ai mburrej dhe e mburrnin nuk kishin asnjë vlerë, se atij i mungonte kuraja dhe guximi. Këto ai ia kishte provuar më parë. Ndërsa Basha pati këtë instruktor me përvojë e me kurajë, Rama nuk pati ndonjë të tillë dhe, edhe po të kishte, nuk do ta dëgjonte.

Po ashtu, lind pyetja tjetër: ç'e detyrojë Ramën të bënte ç'qe e mundur, të pranonte pjesërisht kërkesa absurde të Bashës dhe të fuste PD-në në zgjedhje, kur as logjika, as ndërgjegjja e as ligji nuk e detyronin, kur interesi i tij dhe i partisë së tij ia donin që PD-ja të përjashtonte veten nga ato zgjedhje dhe PS të merrte shumicën absolute të votave në zgjedhje dhe të krijonte e vetme qeverinë me të në krye?

Duke parë se të huajt bënë çmos që PD-ja të hynte në zgjedhje, sepse donin një proces zgjedhor pa probleme, mund të jetë e mundshme që Rama, për t'u treguar para tyre si perëndimor, si tolerant, si person që vë interesat e bashkekzistencës politike para interesave të tij dhe të partisë së tij, si burrë shteti, u tërhoq. Gjithashtu, mund të jetë e mundshme që tërheqja e tij të lidhet me maninë e madhështisë që i vihet re dukshëm dhe që e bën të mendojë se është i padiskutueshëm, se fitoren e shumicës në zgjedhje e ka të sigurt edhe me pjesëmarrjen e PD-së. Ndoshta mund të ekzistojë edhe ndonjë sekret kundër tij që mund ta dinë vetëm Berisha e Basha dhe që e bënë Ramën të stepet.

Marrëveshja e arritur analizohet sot në formën e përcaktimit të fituesit: cili fitoi Rama apo Basha? Ithtarët e të dy partive pretendojnë të sigurt se fitoi udhëheqësi i tyre. Për mendimin tim, si krejtësisht jashtë atyre partive, tërheqja e Ramës, në mos qoftë ndonjë tërheqje taktike, që për momentin nuk kuptohet, tregon për dobësi të Ramës, të pranimit prej tij të kushteve që parashtroi Basha, të cilat nuk do t'i kishte guxuar t'i paraqiste asnjë tjetër dhe nuk do t'i kishte pranuar asnjë tjetër përveç Ramës. Mendohet se triumfi i Bashës është arritja e futjes në qeveri të gjashtë ministrave teknikë. Kjo është fare pa rëndësi, sepse zëvendësimi i disa ministrave për një muaj nuk do të luajë asnjë rol në rezultatin e zgjedhjeve, pasi, për më tepër, stafet e ministrive nuk do të ndryshojnë. Megjithatë, pranimi i zëvendësimit të tyre, tregon për një tërheqje të panevojshme të Ramës, në mënyrë që Basha të mos dilte kokulur nga e gjithë zallamahia që krijojë.

Rezultati i marrëveshjes si dhe fituesi i saj nuk kuptohen dot sot. Ato do të kuptohen pas zgjedhjeve. Ka shumë gjasa që PS-ja, me pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje, pavarësisht nga analizat në tym që bëhen sot, nuk do të fitojë dot më shumë se gjysmën e deputetëve që i duhen për të krijuar e vetme qeverinë dhe qeveria e ardhshme do të jetë përsëri bashkëqeverisje: ose PS-LSI, ose PD-LSI. Një bashkëqeverisje PD-PS ka pak gjasa që të ndodhë, ndonëse në vendin tonë ndodhin çudira. Më e sigurt është që LSI-ja, ndonëse më e vogël se dy partitë e tjera, në një pozicion tepër komod, do të jetë, ashtu si në tetë vitet e shkuara, ajo që do të përcaktojë karakterin e qeverisë së ardhme. Ka më shumë gjasa që LSI-ia të bashkohet me PD-në sesa me PS-në dhe të krijojnë qeverinë e tyre. Përvoja e deri tanishme si dhe shenjat që po tregohen sot nga deklarata dhe qëndrime të udhëheqësve të saj, të japim të kuptosh se mund të jetë më e mundshme një bashkëqeverisje PD-LSI, sesa një bashkëqeverisje PS-LSI dhe, në ndodhtë kjo, Edi Rama do të kuptojë se ç'gabim bëri që e futi me zor PD-në në zgjedhje, se Mbreti u zu mat dhe loja e shahut humbi. Në këtë rast, ithtarëve të tij nuk do t'u mbetet gjë tjetër, veçse t'i këndojnë këngën e famshme rome: "Vare veten me kollare o Dino”.

Vrasja me thikë në Durrës, dëshmitari: Si ndodhi ngjarja dhe kush qëlloi mbi punëtorin

Posted: 23 May 2017 06:44 AM PDT

Pak minuta pas ngjarjes së rëndë në Rrushkull të Durrësit ku një 40-vjeçar mbeti i vrarë me thikë, dëshmitarët okularë shkruajnë në adresë të "BalkanWeb" se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:15 dhe se pronarët dhe menaxhuesi i rezervatit kanë qëlluar me thikë duke plagosur punëtorin e tyre, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital.

"Përshëndetje, si gazetarë të pavarur dhe si televizion i pavarur verifikoni një ngjarje të cilën ka pak çaste që ka ndodhur në fshatin Rrushkull të Durrësit në rezervatin e mbrojtur të Rrushkullit kur pronarët dhe menaxhuesi i saj ka qëlluar me thikë duke plagosur punëtorin e tyre flitet se ka vdekur po burimi nuk është i sigurt", shkruan një dëshmitar për "BalkanWeb".

Po kështu ai akuzon policinë se e mban të fshehur ngjarjen, dhe se personi që ka qëlluar keqtrajton dhe godet punonjësit vazhdimisht.

"Ka forca të shumta policie dhe ambulanca, e cila nga policia mbahet e fshehur dhe nuk bëhet publike. Verifikoni rastin se rastet e këtij personi të cilën keqtrajton dhe godet punonjësit nuk është parë, të falënderoj si qytetar i indinjuar", shkruan dëshmitari për "BalkanWeb".

40-vjeçari me inciale L.Q. mbeti i vrarë pas një sherri në rezervatin e Rrushkullit në Durrës, ndërsa 2 persona të tjerë mbetën të plagosur.

 

Sherr për parkimin, dy të vrarë me thikë në Durrës

Posted: 23 May 2017 06:38 AM PDT

Një ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Rrushkull të Durrësit, ku dy persona kanë mbetur të vdekur pasi janë qëlluar me thikë.

Nga të dhënat e para dyshohet se ngjarja ka nisur pas një konflikti për një vend parkimi, ku nga konflikti verbal kanë përfunduar në sherr me thika.

Policia bën të ditur se shtetasi Lulzim Qamo është gjetur i vdekur në vendin e ngjarjes pasi ishte qëlluar me thikë, ndërsa në spital ishin dërguar në gjendje të rëndë edhe dy shtetas të tjerë, të cilët ishin konfliktuar me viktimën.

Yzedin Shallari, 60 vjeç dhe Eduard Xhaferri rreth 50 vjeç.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, shtetasi Yzedin Shallari nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marrë me thikë dhe ka ndërruar jetë pak pasi kishte mbërritur në spital.

Fotot e rralla / Kur Serbia bashkëpunonte plot zell me nazizmin për zhdukjen e hebrenjve

Posted: 23 May 2017 06:14 AM PDT

Në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, ku nazistët kishin fituar terren në të gjithë Europën dhe kishin nisur operacionin e zhdukjes masive të hebrenjve, Beogradi shfaqet me një tjetër "fytyrë", duke dhënë një kontribut vullnetar lidhur me këtë operacion të nazistëve.

Studiuesi dhe gazetari Armand Plaka, ka sjellë në Facebook një konstatim me vlerë, edhe pse i referohet fakteve tashmë botërisht të njohura, duke na ofruar tri foto të rralla nga Arkiva Federale Gjermane dhe Muzeu i Holokaustit në SHBA, ku sidomos bie në sy ajo nga Beogradi i 76 viteve më pare, ku shfaqen hebrenj jugosllavë që regjistrohen nga policia vendase për t'u përcjellë më pas në kampet famëkeqe naziste të punës.

Më poshtë postimi i plotë i Armand Plakës në Facebook:

Beograd, prill 1941: Hebrenj jugosllavë regjistrohen nga policia për t'u përcjellë më pas në kampet famëkeqe naziste të punës.

Vini re se aty mungojnë plotësisht ushtarët gjermanë; Beogradi ishte qyteti i parë në Ballkan e madje në Europë, veç vetë Gjermanisë, ku kjo punë bëhej plot zell nga qeveria dhe policia vendase, ndryshe nga ajo "kolaboracioniste" shqiptare, e cila tashmë është vërtetuar se në asnjë rast nuk dha ndonjë urdhër dhe nuk mbikqyri aktivitete të tilla në territoret që ajo vetë zyrtarisht kontrollonte, as gjatë pushtimit italian, e as gjatë atij gjerman.

Beogradi ishte pikërisht qyteti i parë i cilësuar "Judenfrei" ( i çliruar nga hebrenjtë) në kontinent, një rekord ky që stonon 100% me rekordin shqiptar në kahje të kundërt me të, ku hebrenjtë jo vetëm u shpëtuan në masën 100%, por numri i tyre u rrit.

Fotoja daton vetëm pak ditë pas pushtimit zyrtar e marshimit pa luftë të trupave gjermane në Beograd më 12 prill 1941, çka e bën edhe më intrigues këtë fenomen.

Beograd, prill 1941: Hebrenj jugosllavë regjistrohen nga policia për t'u përcjellë më pas në kampet famëkeqe naziste të punës. Marre nga Arkiva Federale Gjermane

Prej kohësh është vërtetuar me dokumente, se veç individëve e familjeve shqiptare që strehuan e ushqyen hebrenjtë që kishin mundur t'i shpëtonin persekutimit në vendet fqinje, duke i shpëtuar ata në masën rekord 100%, vetë qeveritë "kolaboracioniste" shqiptare ushtruan me forcë në këtë aspekt të drejtën e tyre për neutralitet dhe madje penguan me urdhëra konkretë zbatimin e planeve naziste në lidhje me hebrenjtë në territoret ku ata ishin prezent.

Shqiptari Refik Veseli pozon me njerin nga djemte e familjes hebreje qe strehonte gjate L2B. Marre nga Muzeu i Holokaustit, SHBA

Nxenes te shkolles fillore ne Kavaje ne vitet 1942-43. Mes tyre gjenden edhe femije te familjeve hebreje jugosllave qe kishin ardhur ne Shqiperi per t'i shpetuar perndjekjes naziste ne kulmin e saj. Marre nga Muzeu i Holokaustit, SHBA

Familje hebreje e strehuar ne nje familje shqiptare gjate L2B. Marre nga Muzeu i Holokaustit, SHBA

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more