Skip to main content

Tirana Observer: “TAP i prezanton studentëve të Universitetit Politeknik projektin dhe programin e praktikave profesionale” plus 9 more

Tirana Observer: “TAP i prezanton studentëve të Universitetit Politeknik projektin dhe programin e praktikave profesionale” plus 9 more


TAP i prezanton studentëve të Universitetit Politeknik projektin dhe programin e praktikave profesionale

Posted: 24 May 2017 09:29 AM PDT

Gazsjellësi Trans Adriatik, TAP, organizoi sot një leksion të hapur për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës.

Studentët u njohën me ecurinë, sfidat dhe mundësitë që paraqet projekti TAP për Shqipërinë por edhe për ata vetë.

Leksioni i hapur u organizua në bashkëpunimin me stafin akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës, në përgjigje të kërkesës së studentëve të këtij universiteti për të mësuar më shumë mbi TAP. Studentët u njohën me një sërë procesesh nga ndërtimi i gazsjellësit si studimet paraprake të mjedisit dhe faktorëve social, marrja në përdorimin të tokës, vetë fazat e ndërtimit të gazsjellësit, standardet e sigurisë teknike në punë, përkujdesja ndaj trashëgimisë kulturore, investimet sociale etj.

Drejtori i Përgjithshëm i TAP për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, duke u ndalur tek zhvillimi i burimeve njerëzore në vend, tha: "Mbi 1'900 persona janë drejtpërdrejtë të punësuar në ndërtimin e TAP dhe më shumë se 80% e tyre janë shqiptar. Përvoja që ata po marrin duke u njohur, duke u trajnuar dhe duke zbatuar standardet e larta që ndiqen gjatë ndërtimit të TAP është një përfitim shumë i rëndësishëm. Transferimi i kësaj përvoje tek profesionistët vendas i ndihmon ata që të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe t'i krijojnë vetes mundësi punësimi në projekte të ngjashme përtej kufijve të Shqipërisë."

Në fund të këtij leksioni të hapur studentët u njohën edhe me Programin e Praktikave Profesionale të TAP. Drejtori i TAP për Shqipërinë i ftoi studentët që të aplikojnë pasi ky program është një mundësi e rrallë për të parë nga brenda sesi organizohet puna në një projekt të tillë. Studentët që do të përzgjidhen do të mësojnë duke punuar nga eksperienca e profesionistëve më të mirë ndërkombëtarë që po punojnë në TAP.

TAP është i përkushtuar që të nxisë dhe të mbështesë edhe në të ardhmen aktivitete të tilla si takimi me të rinjtë që duan të bëhen inspektorë terreni në TAP, konferenca për promovimin e praktikave më të mira mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo vetë programi i praktikave profesionale. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve studentëve i krijohet mundësia për të kuptuar më mirë sesi njohuritë e marra në auditore zbatohen në praktikë.

Pasuri të pajustifikuara; anëtarët e Gjykatës Kushtetuese deklarojnë miliona lekë cash

Posted: 24 May 2017 09:22 AM PDT

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se shtatë nga nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e justifikojnë pasurinë e tyre të paktën në një vit të deklarimit, ndërkohë që vlerat e larta të parave cash ngrenë dyshime mbi burimin e tyre.

 Autor: Aleksandra Bogdani | BIRN | 

 


Të vendosur nën projektorët e opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ngritën kartonin jeshil dhe i hapën rrugën zbatimit të ligjit të vetingut në dhjetor të vitit 2016. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese rrezikojnë të mos e kalojnë testin e vetingut në lidhje me pasurinë e tyre të deklaruar.

Të dhënat e siguruara përmes një analize të detajuar të deklaratave të pasurisë së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përgjatë viteve 2003-2015 tregojnë shtatë nga nëntë anëtarët e kësaj gjykate nuk e justifikojnë pasurinë e tyre për një ose më shumë vite të deklarimit.

Pasuria e pajustifikuar, sipas kontrollit aritmetik logjik të deklaratave të dorëzuara në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë kap vlerën e më shumë se 35 milionë lekëve, ose 11 për qind të aseteve totale neto.

Deklaratat e pasurisë administrohen nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Nëpërmjet një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, BIRN administroi nga ILDKPKI të gjitha deklaratat e depozituara nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2015.

Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Nga 97 deklarata të analizuara përmes kësaj metodologjie, 14 rezultojnë me probleme, pasi pasuria e shtuar nuk mbulohet nga të ardhurat e deklaruara. Sipas kësaj analize, vetëm dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese e kalojnë testin e justifikimit të pasurisë për të gjitha vitet e deklaruara.

Dyfishim pasurie

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pasuria e gjyqtarëve të Kushtetueses është dyfishuar përgjatë 12 viteve. Në vitin 2003, ata kanë deklaruar në total 160 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2015, pasuria e tyre kap vlerën e më shumë se 364 milionë lekëve.

Fatos Lulo rezulton gjyqtari më i pasur i Kushtetueses, i ndjekur nga gjyqtari Vladimir Kristo të cilit i ka përfunduar mandati. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se kryetari i gjykatës, Bashkim Dedja ka shënuar rritjen më të madhe në vlerë nga viti i pari i deklarimit deri në fund të vitit 2015, i pasuar në vend të dytë nga gjyqtari Fatmir Hoxha.

Gjendja e aseteve për secilin anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në datën 31 dhjetor 2015

Njësoj si gjyqtarët e tjerë të Shqipërisë, edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë preferuar tregun e pasurive të paluajtshme për të investuar të ardhurat e tyre. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 55% e pasurisë së tyre përbëhet nga pasuritë e paluajtshme, me një vlerë totale të deklaruar prej 1.6 milionë dollarësh.

Në një investigim të mëparshëm të realizuar nga BIRN, investimet në pasuri të paluajtshme dominojnë edhe pasurinë e gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri. Gjysma e pasurisë totale të 81 gjyqtarëve të Apelit përbëhej nga investimet në blerjen e shtëpive dhe dyqaneve, të cilat në fund të vitit 2014 kapnin vlerën e mbi 1 miliardë lekëve ose 8.8 milionë USD.

Përveç pasurive të paluajtshme, llogaritë bankare përbëjnë zërin e dytë më të lartë në buxhetin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Llogaritë bankare zënë 26 për qind të pasurisë, paratë cash 15 për qind, automjetet 3 për qind dhe sendet me vlerë të veçantë vetëm 1 përqind.

Dhjetra milionë në cash

Në praktikat më të mira ndërkombëtare, vlerat e larta të parave cash ngrenë pikëpyetje mbi trendin e transaksioneve apo burimin e pasurisë së funksionarëve shtetërorë. Por ndonëse ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurive ka vendosur si limit të parave që mund të mbahen në shtëpi shumën e 1.5 milionë lekëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e tejkalojnë shumëfish këtë vlerë.

Sipas analizës së BIRN, nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë deklaruar në ILDKP se zotërojnë në total më shumë se 54 milionë lekë cash ose 450 mijë dollarë. Të dhënat tregojnë se gjyqtari me pasurinë më të madhe, Fatos Lulo deklaron edhe vlerën më të larta të parave cash me rreth 18 milionë lekë.

Likuiditetet cash të gjyqtarëve të Kushtetueses në 31.12.2015

E dyta në listë me rreth 14.5 milionë lekë cash të deklaruara është gjyqtarja Altina Xhoxhaj, ndërsa pas saj vjen gjyqtari Gani Dizdari me më shumë se 9 milionë lekë cash.

Paga nga funksioni përbën vetëm gjysmën e të ardhurave në portofolin familjar të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në deklaratat e tyre të pasurisë evidentohen si të ardhura edhe pagat e familjarëve, fitimi nga shitblerjet apo qiratë e pasurive, mësimdhënia apo dhuratat në cash. Ndërkohë, detyrimet më të mëdha të tyre janë kreditë bankare, detyrimet ndaj shoqërive të ndërtimin apo huamarrjet pa afat dhe interes ndaj të afërmve apo rrethit familjar.

Nga totali i deklaratave të analizuara, BIRN arriti në përfundimin se pasuria e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese reflekton një sërë trendesh të dyshimta, të cilat lidhen me mbajtjen e shumave të larta të parave cash, huamarrjes në vlera të konsiderueshme nga familjarët apo detyrime të larta të pashlyera ndaj kompanive të ndërtimit.

Por pavarësisht se këto të dhëna duhet të ngrejnë këmbana alarmi për inspektorët e kontrollit, asnjëri prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është bërë pjesë e hetimeve për pasurinë e tyre.

Kur “Fenomeni” Ronaldo hëngri tre grushte pasi kishte premtuar një tripletë

Posted: 24 May 2017 08:00 AM PDT

Ronaldo, ose siç njihet nga të gjithë "Fenomeni", ka zbuluar një histori qesharake që ka ndodhur në kohët kur ishte akoma një adoleshent në Brazil.

Ish-lojtari i Real Madrid ishte i ftuar në një emision të ESPN Brazil dhe ka rrëfyer një ngjarje që ka provokuar të qeshura në studio.

"Isha 16 vjeç, dhe nuk e mbaj mend ku luaja. Konkurrenca në ato vite në Brazil ishte shumë e madhe. Sa herë hapja televizorin shihja deklarata sfiduese. Shihja Renato Gaucho që thoshte se ishte më i mirë se Romario. Romario thoshte se ishte më i mirë se Edmundo. Të gjithë thoshin se ishin më të mirë se tjetri.

Unë, si tip sfidues dhe me besim të madh në vete, në rastin e parë që mu dha mundësia deklarova se do të shënoja një tripletë në ndeshjen e radhës. Bëhej fjalë për një ndeshje të kategorisë së dytë dhe në atë kohë kishte vetëm një kamera. Sapo hyra në fushë më erdhi grushti i parë pa top. Më lëndoi jashtë mase, por vazhdova. Më vonë më erdhi grushti i dytë, i cili më gjakosi keq. Nuk ankohesha dot pasi askush nuk donte t'ia dinte, dhe kamera normalisht që nuk kapte gjë.

Në fund të pjesës së parë më erdhi edhe një grusht i tretë. Kam shkuar në dhomat e zhveshjes duke qarë. E gjithë kjo vetëm se kisha folur publikisht. Nejse, ndeshja përfundoi 3:0, dhe të tre golat i shënova unë."

Rritja abuzive e tarifave celulare, hapet hetimi për 3 operatorë të telefonisë celulare

Posted: 24 May 2017 07:59 AM PDT

Autoriteti i Konkurrencës ka zbuluar një skandal mes tre operatorëve të tregut të telefonisë celulare.

Dyshimet janë se të 3 kompanitë të cilat kanë pjesën më të madhe të klientëve, 95% të tregut, kanë bërë marrëveshje kartel, për të krijuar një situatë oligopoliste në dëm të konsumatorëve me tarifat që vendosin mbi klientët e tyre.

Të gjitha dyshimet nisën kur klientët e telefonisë celulare filluan të depozitojnë ankesat në zyrën e mbrojtjes së konsumatorëve.

Më pas pranë Autoritetit të Konkurrencës, shkoi një ankimim nga vetë qendra për mbrojtjen e konsumatorëve.

Konkurrenca monitoroi sjelljen e operatorëve dhe rezultoi se brenda 1 jave, nga 24 marsi deri në 4 prill të këtij viti, të tre kompanitë që kanë pothuajse të gjithë tregun kanë ndryshuar paketat për klientët me pakicë  dhe kanë afruar tarifat e shërbimeve duke sjellë dëme ekonomike për ta.

Autoriteti a pranon se tregu ka një strukturë oligopoli, pasi një kompani e madhe ka pozita dominuese dhe vendos sjelljen mbi çmimet për klientët, ndërsa dy të tjerat kanë pjesë të konsiderueshme të klientëve, çka mund konkurrencën dhe penalizon përdoruesit e celularëve.

Hetimet do të shtrihen nga 1 janari i 2017-ës dhe deri në 23 maj.

Pas tre muajve monitorimi, komisionit të konkurrencës do t'i shkojë një raport për të miratuar ose jo penalitete ndaj kompanive.

Rritja e tarifave

Dy muaj më parë, tre operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom rritën çmimet e paketave standarde (në varësi të llojit të paketës) në 1100 lekë, 1400 lekë dhe 2000 lekë, nga përkatësisht 1000 lekë, 1200 lekë dhe 1600 lekë.

Ethet e listave, Basha ndjek strategjinë e Ramës, i lë të gjithë në pritje

Posted: 24 May 2017 07:55 AM PDT

Partia Demokratike ka edhe një ditë kohë për të dorëzuar në KQZ emrat e kandidatëve për deputetë.

Por kreu i PD-së, Lulzim Basha, duket se po ndjek të njëjtën strategji si kryesocialisti Edi Rama, duke i lënë në pritje të gjithë ata që pretendojnë se do të kenë një emër në listën e kandidatëve për deputetë.

Nën ethet e listave të kandidatëve për deputetë, zyrtarët e strukturave të PD kanë nisur ecejaket në selinë e partisë Demokratike, këtë të mërkurë, ndërkohë që spekulimet nga mediat janë të shumta.

Një nga spekulimet është se Basha do të kandidojë në qarkun e Elbasanit, ndërsa ende nuk dihet se ku do të kandidojë ish-kryeministri Berisha, ndërsa flitet se ai mund të kandidojë në Tiranë, por jo në krye të listës.

Ndërkohë, në krye të grupeve të punës në terren u vendosën në Shkodër Edi Paloka, në Lezhë Arben Ristani, në Kukës Dhurata Cupi, në Dibër Ervin Salianji, në Durrës Florjon Mima, në Elbasan Albana Vokshi, në Fier Flamur Noka, në Berat Tritan Shehu, në Korçë Edmond Spaho, në Vlorë Grida Duma, në Gjirokastër Gent Strazimiri dhe në Tiranë Aldo Bumçi.

Hakmarrja e Gjinushit dhe Milos ndaj Edi Ramës

Posted: 24 May 2017 04:02 AM PDT

Skënder Gjinushi i PSD-së dhe Paskal Milo i PDS-së refuzuan thirrjen që doli sot nga selia rozw për t'u tërhequr nga gara e 25 Qershorit.

Të gjitha partitë e tjera, aleate të Ramës ranë dakord të tërhiqen nga gara dhe thirrja për Gjinushin dhe Milon u bë nga Petro Koçi këtë mëngjes.

Por Milo e quajti Petro Koçin mercenar të PS dhe tha se Edi Rama e kishte vetë numrin e tij të telefonit, nëse kishte ndërmend ta ftonte vetë.

"Deklaratat e zotit Koçit, në mënyrën se si është bërë, është për të ardhur keq. Ne nuk na ka ftuar njeri. Këtë takim nuk e realizojnë partitë e vogla. Ne s'jemi ftuar. Petro Koçi nuk është regjistruar si parti, s'ka si të tërhiqet si parti. Faleminderit Petro për thirrjen që bën, por më duket se ke marrë pozitat e mercenarit, nuk është e nevojshme që të tërhiqesh ti. Rama nuk duhet të më bënte thirrje të tërhiqem përmes të tretëve. Ne kemi identitetin tonë, politikat tona. Nuk mund të kthehemi në shërbëtor të dikujt që kërkon pushtet, dhe nuk ndajnë qeverisje në një kohë që s'kanë bërë asgjë. Do i bëj thirrje mbështetëseve të mi do i mbledh sot dhe do mundohemi të fitojmë në këto zgjedhje 1 mandat deputeti. Zoti Koçi si parti nuk është regjistruar për zgjedhje që muajin e kaluar. Se kuptoj se pse Zoti Koçi bëhet zëdhënës i PS. Kur ka dashur PS dhe Zoti Rama, të më ftojnë, më kanë ftuar. I dinë adresat dhe telefonin. Unë për kulturën që kam, nuk refuzoj ftesat", tha Milo për Neës24.

Cinik u tregua edhe Skënder Gjinushi, që i quajti të tërhequrit nga gara "manare".

"Afati ligjor për të tërhequr regjistrimin ka ngrirë. Ne nuk tërhiqemi nga zgjedhjet. "Manarët le të tërhiqen, deshët do të jenë në fushatë. PS nuk i merr dot 70 vota, duhet patjetër një aleat", tha Gjinushi në një prononcim për News24.

Në 25 Qershor, Edi Rama synon të fitojë 71 deputetë. Koalicionet janë të bllokuara, ndaj dhe synimet e partive janë në limitet e mundshme.

LSI dhe PDIU, që bashkëqeverisën me PS kanë mbetur të pakënaqura dhe e kanë lënë të hapur vendimin për aleancat në 4 vitet e ardhshme.

Zv/kryeministrja e PD thërret në takim tre ministra të LSI

Posted: 24 May 2017 03:10 AM PDT

Zv/kryeministrja nga radhët e Partisë Demokratike, Ledina Mandia, ka thirrur sot në një takim tre ministra të LSI, në zyrën e saj në Kryeministri.

Në këtë takim kanë marrë pjesë ministrat Klajda Gjosha, Lefter Koka, Sokol Dervishaj, ndërsa ka qenë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Në fokus të takimit ishte prezantimi i zv/kryeministres me ministrat si dhe diskutime lidhur me procesin zgjedhor të 25 qershorit.

Ministrat e rinj nisin fshesën që ditën e parë të punës

Posted: 24 May 2017 03:07 AM PDT

6 ministrat teknikë të PD-së dhe zëvendëskryeministrja kanë nisur dje detyrën, menjëherë pas betimit në Presidencë në mungesë të Edi Ramës.

E para që ka mbërritur në zyrë ka qenë pasuesja e Niko Peleshit, zëvendëskryeministrja e re, Ledina Mandia.

Ajo u prit në kryeministri nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, i cili e ka shoqëruar numrin dy të qeverisë në zyrën e saj duke e njohur me infrastrukturën dhe ku ka pasur një mbledhje të shkurtër me stafin ndihmës, raporton shqiptarja.com.

Më pas, Mandia, e shoqëruar nga Agaçi kanë shoqëruar gjashtë ministrat e rinj në marrjen e detyrës.

I pari ka qenë Kolonel Dritan Demiraj i cili është mirëpritur në zyrë nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pas 30 minutash bisedë, ata janë larguar së bashku për të vijuar më tej me prezantimin e ministrave të rinj.

Demiraj ka zhvilluar një mbledhje të shkurtër prezantuese me drejtorët e përgjithshëm të ministrisë dhe nuk mësohet të ketë pasur vendimmarrje të tjera brenda ditës së djeshme.

Në fakt, Fatmir Xhafaj i kishte paraprirë këtij vendimi duke liruar që para se të shkarkohej nga parlamenti, pra paraditen e së hënës, të gjithë stafin politik të tij.

Ministri i ri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka zhvilluar mbledhjen e parë në zyrën e Petrit Vasilit, ku është njohur me dorëheqjen e shefit të kabinetit, Bledi Dervishaj.

Më pas, Bardhi ka thirrur në mbledhje 5 këshilltarët e tjerë duke ju kërkuar dorëheqjen, me argumentin se kishte nevojë të punonte me të besuarit e tij.

Në ministrinë e Financave është larguar Arben Ahmetaj dhe Helga Vukaj ka bërë një mbledhje me stafin aktual, teksa një pjesë e këshilltarëve kishin dorëzuar dorëheqjen menjëherë pas largimit të Ahmetajt.

Detyrën e ka marrë edhe Mirela Karabino, Ministër i Arsimit dhe Sportit, e cila është ulur në zyrën e Lindita Nikollës, por nuk mësohet zëvendësime që në ditën e parë. Burime pranë kësaj ministrie thanë që mbrëmë se i gjithë stafi politik, këshilltarët dhe zëdhënësit ishin ende në detyrë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu i ka dorëzuar detyrën mjekut Arben Beqiri, dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe Olta Xhaçka, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, duke i dorëzuar detyrën Xhuljeta Kërtushës.

Kërtusha ka kryer veprime administrative duke firmosur udhëzime të brendshme, por nuk bëhen me dije zëvendësime të menjëhershme në personel.

Më përjashtim të zëvendëskryeministres që ka staf në organikën e kryeministrisë dhe jo të mëvetshme, thuajse në të gjitha ministritë, janë vetëlarguar shefat e kabineteve dhe disa nga këshilltarët e komunikimit, teksa pritet të mësohen gjatë ditës së sotme të mësohen emrat e stafeve politike të ministrave të rinj teknikë.

Foto nga vaska? Mbesa e Berishës i del në krah vajzës së ministres së re të Arsimit

Posted: 24 May 2017 02:54 AM PDT

Në disa portale u konsiderua skandaloze fakti që vajza e ministres së re të Arsimit, Mirela Karabina, Megi, kishte publikuar një foto artistike në 'Facebook'. Në foto shihej një vajzë brenda një vaske me një libër përpara.

Përballë këtij fluksi sulmesh, Megit i ka dalë në krah mbesa e ish-kryeministrit Sali Berisha, Dasara Malltezi.

Dasara uron Megin për pozicionin e ri të mamasë së saj në qeveri, ndërsa zbulon se në foto nuk është vajza e ministres, por gjithsesi e konsideron atë si normale.

"Megi Karabina, shpirt urime për mamin, po një gjë më habiti… ose jam qorruar unë e nuk shoh, ose mbase atyre që pretendojnë se qënke ti në foto u duhen syze. Either way, nuk besoj se njerëzit normal futen në vaskë me rroba", shkruan mbesa e Berishës.

Megi i është përgjigjur menjëherë Dasares me një koment: "Faleminderit për urimin dhe mbështetjen zemër 🙂 ti e di më mirë se unë, haters gonna hate 🙂 të përqafoj".

Zbulohet misteri i nënës së Da Vincit

Posted: 24 May 2017 02:48 AM PDT

Historianët e artit më në fund kanë zgjidhur identitetin e nënës së Leonardo Da Vincit, rreth 5 shekuj pas vdekjes së artistit.

Caterina di Meo Lippi, nëna e tij, ishte një jetime  që jetonte në një shtëpi me gjyshen e saj mes disa kodrave të largëta, një milje nga Vinci, kur ngeli dhe shtatzënë. Studimi i ri tregon se ajo ka qënë vetëm 15 vjeç kur u josh nga një avokat më i madh në moshë, dhe mbeti shtatzënë me Leonardon.

Historianët e artit kanë luftuar shumë kohë për të zbuluar jetën e nënës së artistit, me spekulimet se ajo ishte një skllave nga Afrika apo Kina, por studime të reja janë shumë më afër të vërtetës.

Libri i ri i profesorit Martin Kemp rrëfen se një vajze vendase, Caterina, mbeti shtatzënë  me avokatin Ser Piero da Vinci, i cili punonte në Firence. "Të jesh një 16-vjeçare me një fëmijë të paligjshëm  dhe pa shtëpi, nuk kishte më keq se kaq", thotë z. Kemp.

I ati i Caterina, Bartolomeo Lippi ishte zhdukur kur ajo ishte e re. Më pas jetoi me gjyshen që vdiq më 1451, për tu zhvnedosur tek xhaxhai dhe halla.

Leonardo, i cili lindi më 14 prill 1452 ndoshta u rrit në shtëpinë e babait të Ser Pieros, të cilën dr. Kemp e zbuloi duke parë mes arkivës, domethënë pagesës së taksave, ku ishte vënë në dukje se jetonte një djalë i paligjshëm.

Këto dokumente thonë se artdashësit kanë vizituar vendin e gabuar, Casa Natale në Anchiano, i cili është dy milje larg Vincit.

"Ser Piero po bënte karrierë në Firence kështu që nuk e donte një fëmijë të vogël vërdallë. Dhe gjyshi jetonte në rrethana shumë të mira. Ata ishin një familje pronarësh dhe noterësh. Duket se gjyshi sillej bukur. Kur Leonardo u zhvendos në Firence ai njihej edhe si Leonardo di Ser Piero da Vinci", vijon dr. Kemp.

Caterina u martua me një fermer vendas i quajtur Antonio di Piero Buti dhe Ser Piero da Vinci u martua me dikë tjetër. Caterina më pas pati dhe një tjetër djalë dhe katër vajza. Gjetjet janë detajuar në librin e ri "Mona Lisa: The People and the Painting", të cilin Kemp e ka shkruar me ekonomistin dhe studiuesin e artit Giuseppe Pallanti.

Më shumë se 40 vjet më vonë Caterina jetoi me djalin e saj në Milano ku dhe vdiq, thonë dokumentat.

Ka një shënim në bllokun e Leonardos, në 1949 në Milano ku thotë "Caterina erdhi të qëndrojë këtu". Studiuesit gjetën dhe një shënim të Leonardos për të paguar shpenzimet e funeralit të saj dhe të dhënat funerale të Milanos e lidhën me dikë që quhej Caterina nga Firence. "Ti vendos këto tre gjëra bashkë, dhe ajo vdiq brenda vitit nga ardhja e saj te Leonardo", thotë Dr. Kemp.  Ai e përshkruan atë si "një fund të qetë dhe romantik për atë që ndryshe është një histori melankolike".

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more