Skip to main content

Tirana Observer: “Rama ngushëllon familjen e deputetit: E admiroja, nga hiçi u bë personalitet i Lezhës” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama ngushëllon familjen e deputetit: E admiroja, nga hiçi u bë personalitet i Lezhës” plus 9 more


Rama ngushëllon familjen e deputetit: E admiroja, nga hiçi u bë personalitet i Lezhës

Posted: 26 May 2017 09:39 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për vdekjen deputetit  të LSI-së Kadel Gjovalini.

Shefi i qeverisë shpreh konsiderata të larta për deputetin e Lezhës të cilin e quan si një njeri të admirueshëm për ambicjen pasi nga hiçi u bë një personalitet për qytetin që përfaqësonte në parlament.

"Miq, kundërshtarë, kolegë, po pavarësisht dallgëve në marrëdhëniet tona, Gjovalini ishte gjithnjë për mua njeriu i admirueshëm për ambicien e tij dhe faktin se nga hiçi, ai u bë me përpjekje e sakrifica të mëdha, një personalitet publik i Lezhës.

Me keqardhje thellësisht të sinqertë, mora lajmin për vdekjen e tij dhe nuk gjej fjalë për të ngushëlluar fëmijët që pas nënës humbën edhe babanë…

U prehsh në paqe Kadel!" shkruan Rama në Facebook.

PD e hedh në gjyq për emrin e partisë, përgjigjet Bilal Kola: S’keni asnjë bazë ligjore

Posted: 26 May 2017 09:19 AM PDT

Aleanca Popullore për Drejtësi ka reaguar pas gjyqit që ka hapur PD ndaj saj, për përafërsi me emrin.

Pas padisë, ka reaguar kreu i APD-së, Bilal Kola.

Kola, thotë se PD nuk ka asnjë bazë ligjore që e justifikon këtë.

Reagimi i PAD

Aleanca Popullore për Drejtësi, denoncon amoralitetin e subjektit zgjedhor, Partia Demokratike, e regjistruar së fundmi në KQZ, në lidhje me ankimimin e bërë prej saj për ndryshim të emrit të subjektit tonë.

Baza ligjore ku është mbështetur ankimimi i Partisë Demokratike, është neni 66 i Kodit Zgjedhor, "Identifikimi i Subjekteve Zgjedhore", ku citohet qartë:

“Nëse dy parti politike ose koalicione kanë emër ose emblemë të njëjtë apo të ngjashme në atë masë saqë mund të shkaktojë konfuzion ose lajthitje të votuesve atëherë KQZ-ja vendos se cila parti ose koalicion ka të drejtë të përdorë emrin ose emblemen përkatëse për qëllime zgjedhore, duke marrë në konsideratë datën e themelimit ligjor të partive ose datën e regjistrimit në KQZ…”.

Sqarojmë opinionin publik shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se ekziston një precedent në vitin 2001 kur Partia Demoratike paraqiti një ankim në Gjykatë në lidhje me ndryshimin e emrit të "Partise Demokratike të Re"të kryesuar nga Genc Pollo dhe Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së PD si të pabazuar ne ligj. Në rastin tonë, as që mund të diskutohet që nuk ka kurrfarë ngjashmërie midis emrave "Partia Demokratike"dhe "Aleanca Popullore për Drejtësi"!

Megjithëse baza ligjore nuk ekziston, PD si pjellë e PPSH që sot së bashku PS, me bijën tjetër të PPSH, kanë formuar koalicionin e madh të Diktatures se Proletariatit, asnjëherë nuk i janë referuar ligjit dhe moralit për të asgjësuar “Armiqtë e Klasës”. Mjafton asgjësimi i "Armikut të Klasës" me çdo mjet!

Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe ligji për to, kanë qenë dhe do mbeten fasadë!

Aleanca Popullore për Drejtësi, si parti me bazë dhe përfaqësim të Përndjekurit Politikë, Pronarët dhe Diasporën sot përbën "Armikun e Klasës" për bijat e PPSH-së.

I bëjmë me dije të gjithë elektoratit tonë, se Aleanca Popullore për Drejtësi do ta ndjekë fuqimisht këtë çështje në të gjitha instancat duke vënë në dijeni edhe partnerët tanë historikë në Uashington dhe Bruksel për sulmet amorale, për të na penguar në misionin tonë të përfaqësimit të së djathtës reale. Sigurojmë elektoratin tonë që Aleanca Popullore për Drejtësi do të vazhdoje rrugën e saj për përfaqësimin e shqiptarëve të ndershëm dhe kauzave tona të papërfaqësuara.

Koha për të dhënë edhe ne për Kishën

Posted: 26 May 2017 09:08 AM PDT

Nga Dr. Isidor Koti

Disa vite më parë, në një prej aktiviteteve të shumta rinore të Kishës sonë të shenjtë Orthodhokse në Manastirin e Shën Vlashit, në fillim të bisedës shpirtërore, ish-drejtori i Akademisë Theologjike, Hirësi Ilia na pyeti: Çfarë kërkon Perëndia nga ne? Secili nga të rinjtë dha mendimin e vet, që sigurisht përkonte me besimin dhe sjelljen e krishterë, por askush nuk e tha fjalën e duhur: VULLNETIN. Asokohe, edhe për shkak të moshës dhe formimit, nuk e kuptonim plotësisht këtë fjalë, aq domethënëse në gjuhën kristiane, por me kalimin e kohës sot ka ndryshuar botëkuptimi jo vetëm mbi konceptin e vullnetit, por edhe mbi Kishën e Krishtit.

Vullneti është një sfidë gjithëpërfshirëse, një marrëdhënie e gjallë me Zotin që kërkon të ofrosh ç'të mundesh nga vetja, me zemër të pastër, e jo racionalitet pragmatist. Nëse do të bënim një analizë në kohë, për më shumë se 25 vjet kemi marrë shumë dhurata nga Zoti dhe Kisha jonë, e udhëhequr nga Kryepiskopi Anastas. Kur themi dhurata, nuk nënkuptojmë thjesht e vetëm të mira materiale, por pasuri të shumta shpirtërore, që kanë lidhje me përmbajtjen e përhershme, e jo me formën e përkohshme. Përmes edukimit të krishterë, me frymën e mësimeve të Ungjillit dhe etërve të Kishës, çdokush që ka vullnetin e mirë për tu bërë njeri i vërtetë e i plotësuar, e ka kuptuar që nuk ka mënyrë më të mirë për të formuar karakterin dhe personalitetin, sesa puna shpirtërore që ka bërë Kisha me shpirtrat tanë.

Për 25 vjet me radhë janë kryer punë të mrekullueshme në Kishën tonë Orthodhokse, vepra të jashtëzakonshme në çdo fushë të jetës kishtare, arsimore e sociale, por puna më e madhe është kryer në formimin e brezit të ri, me kulturën dhe edukimin e drejt. Një kontribut i çmuar dhe një falenderim i paçmuar, që nënkupton jo vetëm nevojën për të shprehur mirënjohje, por edhe thirrjen për tu aktivizuar në jetën e Kishës, me ndihmën tonë konkrete. Kjo ndihmë nuk duhet parë e cunguar në mision, as e fokusuar vetëm në ofertën monetare, por secili nga ne ka ç'të japë nga mundësitë e veta, nga shpirti i tij kristian. Është koha për të dhënë për Kishën, sepse Kisha ka dhënë shumë për ne dhe Zoti na ka bekuar me shumë e shumë të mira, e mbi të gjitha me dashuri të painteres.

Puna në dobi të Kishës është punë e përkryer në dobi të shpirtit tonë dhe të familjes e komunitetit ku jetojmë. Është veprimtari e shkëlqyer sociale, që i shërben të gjithëve, në një mënyrë ose në një tjetër. Nuk është kurrësesi ofertë e tipit "shplarje truri" që interpretohet nga koncepti ateist mbi fenë, por një shprehje dashurie për njeriun dhe Zotin që na krijuar. Pak kush që nuk e njeh Kishën dhe mision e saj e kupton drejt, sepse besimi është përtej mendjes njerëzore, por që nis nga qenia jonë, nga vullneti ynë. Prandaj, nuk është asnjëherë vonë ta vendosim në dispozicion vullnetin tonë për hir të Krishtit dhe Kishës së tij. Kohët e fundit ndiej gëzim të veçantë kur shoh përpjekjet modeste, por me dashuri madhështore që vijnë nga klerikët nëpër fshatra e qytete, kur iu bëjnë thirrje besimtarëve që të ndihmojnë Kishën, duke ofruar diçka të vogël për ri-ndërtimin e saj, apo plotësimin e saj me objekte të nevojshme. Kjo është fryma që karakterizon komunitetin e krishterë, sepse siç shkruhet edhe në Ungjill, më i gëzuar është ai që jep, sesa ai që merr.

Listat, ankth dhe tensione në selinë blu

Posted: 26 May 2017 07:53 AM PDT

Selia e Partisë Demokratike po përjeton orë ankthi nga takimet e shumta të Lulzim Bashës me aleatët.

PD po diskuton ende listën e kandidatëve për deputetë dhe diskutimet më të komplikuara janë me aleatët.

Ajo që dihet është që dy nga aleatët e PD-së, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Nard Ndoka i PDK-së do të jenë në listat e Partisë Demokratike, përkatësisht i pari në Qarkun e Tiranës dhe i dyti në atë të Shkodrës.

Sa i takon republikanëve, që në zgjedhjet e vitit 2013 kanë marrë rreth 55 mijë vota, nuk përjashtohet asnjë skenar.

Rreth orës 15:00 në selinë e PD-së hyri kreu i PR-së, Fatmir Mediu për t'u takuar me Lulzim Bashën.

Pas takimit me kreun e opozitës Lulzim Basha, e cila zgjati 30 minuta  Mediu ka deklaruar për mediat se nuk ka marrëveshje me Partinë Demokratike.

Ndërkohë që Partia Republikane është regjistruar në Komision Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet elektorale të 25 qershorit, por ende nuk ka dorëzuar listën e kandidatëve.

Por nuk përjashtohet mundësia e një marrëveshjeje në minutë të fundit.

Në një situatë të ngjashme janë edhe Agrarët e Agron Dukës.

Deri më tani mund të hamendësohet se kush mund të jetë në lista, kush dhe ku do t'i kryesojë ato, por asgjë zyrtare nuk ka dalë nga selia blu.

Në plan është edhe një takim mes Bashës dhe kreut të Agrarëve, Agron Duka pak më vonë.

Mësohet se si PR, ashtu edhe PAA kërkojnë tre emra në listat e Partisë Demokratike.

Sa i takon vetë PD-së, tani ka një heshtje totale se kush mund të jetë dhe kush jo në listë.

Ajo që është e konfirmuar është mungesa e Genc Rulit, një ndër themeluesit të kësaj partie, i cili ka deklaruar tërheqjen nga jeta politike.

Ja sa do të jetë numri i përgjithshëm i punonjësve të Policisë së Shtetit

Posted: 26 May 2017 07:52 AM PDT

Qeveria ka miratuar së fundmi numrin e përgjithshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Konkretisht, sipas vendimit të fundit, numri i përgjithshëm i personelit të Policisë së Shtetit në organikë është 10 958 (dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) punonjës.

Numri i ri i punonjësve të Policisë së Shtetit u miratua nga Këshilli i Ministrave, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 19, të ligjit nr. 108/2014, "Për Policinë e Shtetit", me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme.

Ky vendim i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ngarkon Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e tij.

Ndahet nga jeta deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli

Posted: 26 May 2017 07:37 AM PDT

Ka ndërruar jetë në një spital në Itali Gjovalin Kadeli, deputeti i LSI për qarkun e Lezhës.

Prej 3 muajsh deputeti po kurohej në një spital në Itali, pasi u dërgua me urgjencë për shkak të pankreasit akut.

Trajtimi në Shqipëri në këto kushte ishte i pamundur dhe prej muajsh, Kadeli vijoi të kurohej jashtë, por nuk ka mundur t'i mbijetojë sëmundjes së rëndë.

Kadeli dha kontributin e tij në parlamentin e Shqipërisë si deputet i qarkut të Lezhës, dhe në legjislaturën e fundit, Kadeli iu bashkua LSI.

Govalin Kadeli në politikë

Gjovalin Kadeli ishte deputet i Partisë Socialiste para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.

Ai nuk u përfshi në listat e kandidateve për deputetë të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, për shkak të kontradiktave me kryetarin e Partisë, Edi Rama.

Pas largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeveritar me Partinë Demokratike ai votoi pro ndryshimeve në qeverinë e Partisë Demokratike.

Partia Demokratike e përfshiu atë në listat e saj të kandidatëve për deputetë nga ku ai zgjodh deputet i Partisë Demokratike.

Më pas Kadeli u largua nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe iu bashkangjit Grupit Parlamentar të LSI.

Si do të jetë Shqipëria e vitit 2021 sipas socialistëve

Posted: 26 May 2017 07:11 AM PDT

Partia Socialiste ka publikuar manifestin politik, që shtron piketat e programit qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Në pjesën e parë, dokumenti prej 33 faqesh përmbledh arritjet e qeverisë gjatë katër viteve të shkuara, ndërsa në gjysmën e dytë ai liston zotimet kryesore dhe vizionin socialist se si do të jetë Shqipëria e vitit 2021.

Socialistët zotohen që në katër vitet e ardhshme rritja ekonomike të jetë mesatarisht 4.5 për qind në vit, duke arritur 5.5 për qind vitin e fundit të mandatit. Së bashku me një politikë të kujdesshme fiskale, kjo do të bëjë të mundur që borxhi publik të ulen në 60 për qind e prodhimit kombëtar nga 71 për qind që është aktualisht.

Sipas socialistëve, përshpejtimi i qëndrueshëm i rritjes ekonomike do të mundësojë që në katër vitet e ardhshme të krijohen 220 mijë vende të reja pune duke bërë që papunësia në vitin 2021 të bjerë në 8.2 për qind.

Rritja e punësimit dhe zhvillimi ekonomik sipas dokumentit do të çojë në përmbushjen e zotimit të katërt, rritjes me 25 për qind të të ardhurave të disponueshme për çdo qytetar.

Rrogat në shtet do të rriten me 40 për qind ndërsa pensionistët do të shpërblehen çdo fundviti nga 7 deri në 10 mijë lekë. Nga ana tjetër, partia socialiste premton se do të ulë taksën maksimale mbi rrogat nga 23 për qind në 18 për qind.

Shteti do të ndihmojë familjet e reja për blerjen e shtëpisë së parë, në kuadër të një paketë të plotë që sipas socialistëve promovon rritjen e popullsisë.

Për sektorin bujqësor, socialistët premtojnë se në katër vitet e ardhshme do të financojnë 230 milionë euro më shumë. Investimet do të rriten edhe në arsim, ndërkohë që brenda vitit 2021 do të realizohet objektivi i shëndetësisë falas.

FOTO/ A ka qenë Erdogan “shkesi” i takimit Rama-Trump? Ja qëndrimi “vllazëror” mes dy lidërve ballkanas

Posted: 26 May 2017 06:41 AM PDT

as njoftimit jo formal të Kryeministrisë në lidhje me një takim të kryeministrit Edi Rama me presidentit amerikan Donald Trump dhe një letër-mesazhi formale të një kongresmeni nga Florida se ky takim ka ndodhur, në rrjete sociale ka nisur një debat i ashpër, si pasojë e denoncimit të faktit se ky takim nuk ka ndodhur, të paktën ashtu siç trumpetohet, nga ana mediave krah opozitës.

Këto të fundit, përfshirë dhe ndoca këshilltarë të Ilir Metës, kanë reaguar ashpër duke e quajtur Fake News njoftimin në lidhje me takimin Rama-Trump, që në fakt ngjan me të gjithë llojit e debateve për raste të ngjashme, sa herë flitet për takime të ndonjë politikani shqiptar me ndonjë lider botëror, gjegjësisht president amerikan; por kësaj radhe kjo është gjithsesi e përligjur, për shkak të qëndrimeve e deklaratave pa pikën e etikës politike të Ramës karshi Trump-it, pasi ky i fundit po bëhej gati për të garuar në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë.

Sipas tyre, takimi nuk ka ndodhur fare dhe kryeministria ka hapur lajm të rremë.

Ka shumë gjasa që sot të dalë ndonjë foto e shkrepur gjatë sallës së mbledhjeve të lidervë të NATO-s, përkatësisht nga fotografi i Shtëpisë së Bardhë, apo e ndonjë fotograf i protokollit të NATO-s, pasi gjatë samitit nuk lejohen mediat.

Është paksa e pabesueshme të mendohet se zyra e Ramës të ketë gënjyer për takimin me Trump apo kongresmeni Mett Ganz të ketë shkruar letrën pikërisht për të marrë meritat e këtij kontakti, pasi duket qartë se ka një lobim të kryeministrit për të arritur një kontakt politik me Presidentin e SHBA-së pas zgjedhjes së tij, aq më tepër kur kihet parasysh se që prej zgjedhjes së Trump-it qarqet e opozitës kanë bombarduar opinionin se presidenti i ri amerikan ka një qasje tjetër ndaj Ramës.

Por sipas të gjitha gjasave takimi duhet të ketë ndodhur në suazat e mbledhjes së mbyllur, siç edhe herët e tjera ka pasur shtrëngime duarsh mes presidentit amerikan dhe kryeministrit apo presidentit të Shqipërisë që ka qenë në samit.

Deri sa të presim njoftimin zyrtar të qeverisë shqiptare, mund të themi që në bazë të videove zyrtare të shpërndara nga televizioni i NATO-s, Edi Rama përveç ecjes së bashku me liderët e tjerë të aleancës ka pasur një afërsi mjaft "intime" me Presidentin e Turqisë Rexhep Tayiip Erdogan.

Në një video të "Washington Post"-it shfaqet kryeministri shqiptar përqafuar me presidentin turk, pikërisht në momentin e gjestit "anti-protokollar" kur Donald Trump shtyu kryeministrin e Malit të Zi, Dushan Markoviç.

Ndërsa Rama dhe Erdogan, me gjestin e tyre politik "krahëqafë", kanë shprehur dhe njëherë mesazhin e relacioneve të ngushta ndërmjet Tiranës dhe Ankarasë.

Nga disa burime mësohet se për takimin Rama-Trump ka pasur edhe një lobim të rëndësishëm nga ana e Ankarasë zyrtare, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë  Erdogan dhe Trump u takuan në Shtëpinë e Bardhë, ku biseda mes tyre u konsideruar tejet e suksesshme. Madje dhe ngërçi politik shqiptar morri fund fill pas takimit mes dy lidërve botërore, jo krejt pa lidhje mes njëri-tjetrit.  /tesheshi.com/

Dossier nga Mero Baze: “26 Maj 1996, si mbusheshin kutitë e votimit dhe tërheqja e PS”

Posted: 26 May 2017 06:20 AM PDT

Gazetari Mero Baze ka publikuar sot në gazetën TemA një pjesë nga libri "Viti 97", lidhur me ngjarjet në Shqipëri në 26 Maj 1996, ditën kur po mbaheshin zgjedhjet e Përgjithshme.

Partia Socialiste u tërhoq nga zgjedhjet në mesdite, zgjedhjet të cilat i fitoi thellë Partia Demokratike e Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha.

Nga Mero Baze

Prej mesditës, lajmi se socialistët do të braktisnin qendrat e votimit ishte rrokullisur në gjithë vendin dhe pasdite ishte bërë ortek. Kati i dytë i selisë së Partisë Socialiste, ku u kumtua zyrtarisht njoftimi, ishte i tejmbushur me gazetarë, militantë dhe vëzhgues të huaj. Ndërsa njëri nga nënkryetarët e kësaj partie lexonte deklaratën e largimit nga zgjedhjet, kisha një ndjesi se deklarata nuk përbënte më lajm për askënd aty në sallë. Të gjithë kishin pritur diçka që do t'i ndalte zgjedhjet. Viti i fundit i mandatit të Partisë Demokratike ishte shoqëruar me kriza të forta në raportet ndërkombëtare, për shkak të problemeve me drejtësinë, të qëndrimit ndaj liderit të burgosur të opozitës, të legjislacionit spastrues për kundërshtarët politikë, problemet me lirinë e medias dhe, sikur të mos mjaftonin këto, një konflikt nervangritës me krerët e pakicës greke në Shqipëri, që u jepte gjithë deformimeve një tis nacionalizmi, që i tërhiqte si një beze e kuqe brirët e të gjitha palëve mbi Sali Berishën. Një natë më parë, ende pa filluar zgjedhjet, një grup i vëzhguesve të ODIHR-it kishin bërë paralajmërime të ashpra për ditën e zgjedhjeve dhe kishin regjistruar çdo parregullsi paraprake, që kishte të bënte me listat, komisionerët dhe tensionin paraelektoral. Liderët e opozitës po ashtu. Shumica e atyre që drejtonin partitë politike nuk konkurronin dot për shkak të ligjit për pastërtinë e figurave, që ishte dukshëm i personalizuar për lidershipin e opozitës. Po t'u shtosh gjithë këtyre detajeve dhe një lloj arrogance dhe diference të thellë që kishin rrezatuar fushatat e të dyja palëve, të krijohej vetiu ndjesia e mungesës së garës. Madje, çasti i deklarimit ishte më shumë një lloj çlirimi nga makthi për të gjitha palët që e ndienin se zgjedhjet po prisheshin.

Vendimi ishte marrë nga kryesia e Partisë Socialiste në orët e para të ditës, ndoshta rreth orës dhjetë, por dukej qartë se nuk ishte një vendim spontan. Minimumi ishte një skenar rezervë, nëse gjërat do të shkonin keq. Arsyetimi i socialistëve ishte paksa paranojak, ndërsa e vërteta që shihej, ishte më e hidhur se paranoja e tyre. Nga bisedat që pata me dy-tre prej tyre, më thanë se Berisha kishte mbushur kuti dhe do t'i këmbente gjatë natës. Kjo nuk ishte e vërtetë, por nuk kishte asnjë rëndësi.

Zgjedhjet kishin nisur me një trysni kapilare qendër më qendër, të mbuluara nga civilë të paidentifikuar, kryesisht nën kontrollin e ShIK-ut, të cilët ishin aty për rezultatin përfundimtar dhe që, gjatë ditës, të përdornin çdo mundësi në favor të tyre.

Vetë ndërtimi i komisioneve vendore ishte diskriminues për opozitën, pasi struktura ishte ndarë në dy pjesë: në një strukturë administrimi, që kontrollohej e gjitha nga pushteti, si dhe një strukturë konsultative, që ishin përfaqësuesit e partive, por që kishin distancë reale nga procesi.

Trysninë para qendrave të votimit nuk e ndieje po të mos ishe socialist dhe as që e kuptoje fare po të ishe me PD-në. Dhe unë, realisht, isha një i tillë. Votova herët dhe dola të pija kafenë e mëngjesit e për të bërë planin e punës për atë ditë, bashkë me kolegun tim të ‚Zërit të Amerikës‛.

Fola në telefon me Sali Berishën dhe e ndjeva qartë shqetësimin në tonin e zërit të tij. Përsëriti disa herë frazën ‚ç'ka ndonjë gjë‛ dhe pastaj, si pa mendje, mori disa herë frymë pa folur dhe tha:

– Mirë, mirupafshim.

Kjo ishte thyerja e parë që pata. Ai nuk ishte i qetë.

Duke dalë për në qendër, shkova te Shallvaret, ku pashë se po votohej. Prapë qetë m'u duk. Kur dola nga qendra e votimit, disa civilë më shkelën syrin dhe qeshën me njëri-tjetrin. Mendova se më njihnin si gazetar dhe i përshëndeta pa ua varur shumë.

– E njohin, se është i Saliut, – dëgjova të flisnin dy të moshuar me njëri-tjetrin. U hodha një vështrim edhe atyre, por pa ndonjë kuriozitet.

– Ej, shoku gazetar, shikoji, shikoji ata rrugaçët, ata shiko ti, mos eja këtu dhe ikën sikur s'ka ndodhur gjë.

Dukej qartë se ishin gardë e vjetër, që votonin për opozitën.

– Çfarë bëjnë ata? – u thashë.

– Ata i ka dërguar Saliu të përgjojnë votat, – tha më i egërsuari prej tyre.

Ktheva dhe një herë kokën nga dy djemtë që më shkelën syrin, por s'më ngacmoi asgjë e re.

– Mos çani kokë, se s'bëjnë gjë, – u thashë dy pleqve me një ton që vërtitej mes përpjekjes për t'i qetësuar dhe humorit që më shkaktonte paniku i tyre.

Vetëm vështrimi i tyre gjithë përçmim, kur u largova, më bëri të mendoja pak më gjatë, ndërsa makina po merrte rrugën për në bulevard.

Ndërkohë që po dilja te bar ‚Dashuria‛, një kioskë e ngritur në anë të bulevardit, përballë hotel ‚Dajtit‛, nga pëshpërimat e disave mora vesh se socialistët mund të tërhiqeshin nga zgjedhjet. M'u kujtua reagimi i çoroditur i Berishës, por nuk i telefonova më.

Socialistët ndërkohë e kishin përhapur lajmin e tërheqjes në gjithë Tiranën, por ende nuk kishin dalë në konferencë për shtyp. Selia e tyre po fryhej dalëngadalë me gazetarë të huaj dhe vendas, ndërsa thashethemet fluturonin drejt Bënçës, atje ku mbahej në burg Fatos Nanoja. Një palë thoshte se ende nuk ka ardhur urdhri prej tij për tërheqje, çka e bënte të sigurt se tërheqja ishte skenar i Fatos Nanos për të destabilizuar procesin, pasi nuk kishte besim te partia, kurse pala tjetër, më protokollare, thoshte se ende nuk i ka shkuar mesazhi Fatos Nanos për vendimin që ka marrë kryesia e partisë për bojkot. Versioni i parë ishte më natyral, po të mbahej parasysh që Fatos Nanoja ishte në mëdyshje nëse i duhej pushteti i fituar nga kundërshtarët e tij në parti dhe pas sinjaleve se një pjesë e partisë së tij flirtonte me Berishën.

Versioni i dytë ishte zyrtar dhe ishte nga PS-ja, që donte të tregonte se kryetari për ta ishte thjesht një institucion që njoftohej për vendimet e partisë. Vetë e kam pasur gjithmonë të vështirë ta ndaj se ku fillonte një skenar e ku mbaronte tjetri dhe herë-herë më dukej se të dy ishin të vërtetë dhe se të dyja palët brenda – edhe partia zyrtare me nënkryetarët e saj, edhe kryetari i burgosur – nuk kishin nerva për atë betejë.

Nga selia e PD-së, reagimet ndaj bojkotit ishin të çoroditura. Një deklaratë e ashpër e pa asnjë domethënie u lëshua nga zyra e kryetarit të PD-së, që në atë

kohë, formalisht, ishte Tritan Shehu. Deklarata dënonte bojkotin dhe fliste për një skenar të humbësve. Për shkak të nevojës sime, më duhej një zë për deklaratën, për ta publikuar në emisionin e orës 20. 30, te ‚Zëri i Amerikës‛, ndaj shkova në selinë e PD-së. Kurrë nuk e kisha parë aq bosh dhe aq rrëmujë një parti që po e rifitonte pushtetin në mënyrë të diskutueshme. Kati i dytë i saj ishte thuajse bosh, ndërsa në katin e parë, një zyrë shtypi e rrëmujshme dhe pa asnjë standard profesional, shpërndante si njoftime çdo informacion apo koment rreth zgjedhjeve. Shumë afër zyrës vinte një erë mbytëse nga tualeti i katit përdhe, që dukej se e bënte më të fortë kontrastin mes luksit të fitores dhe standardit të protagonistëve. Akuza ishte fiksuar: ‚Bojkoti është shkaktuar nga frika që ka Partia Socialiste nga humbja në zgjedhje‛. Çdo gjë vërtitej rreth kësaj akuze ‚magjike‛. Tritan Shehu, ushtrues i detyrës së kryetarit të PD-së, kishte nevojë për tri duar për komunikim. Telefonin celular, shërbimi i të cilit sapo kishte filluar në Tiranë, e mbante të mbështetur mes veshit dhe shpatullës, me kokën mënjanë, ndërsa receptorin e telefonit kabllor, me të cilin fliste me Berishën, e mbante në dorën tjetër dhe, herë pas here, ulte dhe ngrinte telefonin e brendshëm të sekretares, së cilës i përcillte çdo minutë porosi që, në shumicën e rasteve, kundërshtonin njëra-tjetrën. Kaosi që sundonte në selinë e partisë fituese ishte dëshpërues dhe dukej se ishte një klonim i kaosit që shoqëroi vetë mungesën e kontrollit mbi zgjedhjet. Korridoret e zymta të PD-së dhe refrenet shteruese të Tritan Shehut për fitoren e madhe që po vinte pas ikjes së opozitës nga zgjedhjet, dukej se nuk ngjallnin asnjë hare fituesi në fytyrat e dyllosura nga një lloj makthi të nëpunësve të partisë dhe që ishin gjithsej 5-6 veta.

Erion Brace nje nga kandidatet per deputet te PS masakruar ne Berat gjate dites votimeve

Pasdite, të parët që u shfaqën në korridore ishin dy mjekë të njohur, të afërt me Shehun dhe Berishën, të cilët, ndryshe nga Tritani, rrezatonin trishtim përmes përpjekjes për t'u informuar për triumfin e pritshëm.

Njeriu kyç nuk ishte në atë seli, por në vilën nr. 4, ngjitur me Pallatin e Brigadave. Ai ishte Sali Berisha. Shfaqja e tij e parë publike ishte në televizionin shtetëror, ku njoftoi për shtyrjen e orarit të votimeve deri në orën 22.00 dhe për sigurinë se ‚votat e secilit do të numërohen me respekt‛.

Gjatë mesditës, kisha qenë deri në Rrogozhinë, që ‚t'i hidhja një sy‛ procesit. Në anë të rrugës kryesore, afër rrethrrotullimit ku ndahej rruga për Peqin, ishte një qendër votimi. Para saj kishte shumë njerëz që donin të votonin. Shkova të shikoj se çfarë problemi kishin. Ishin rreth 20-25 vetë, që pretendonin se nuk i kishin emrat në lista. Sapo hyra në qendrën e votimit, pashë se ishin edhe dy vëzhgues të Institutit Demokratik Amerikan dhe të Shoqatës për Kulturë Demokratike, një filial i tyre në Tiranë. I përshëndeta dhe po pyesja se ç'po ndodhte. U rezervuan të flisnin në sytë e komisionit. Një anëtar i bëshëm i komisionit, që dukej se më njihte, u gëzua që unë po flisja me ta dhe më pyeti se kush ishin ata vëzhguesit.

– Janë të Institutit Demokratik të SHBA-ve, – i thashë.

– Ama, demokratë qenkan, se na ngrinë gjakun, ngaqë s'po merrnim vesh! – tha. – Hajt, të rrojë Sali Berisha! – shtoi dhe duke ngritur dy gishta, futi një tufë me fletëvotimi në kuti. Më pas ngriti zërin:

– Të na marrin të keqen komunistët!

U vura në siklet dhe kafshova buzën duke i bërë shenjë të mos e bënte më atë veprim.

– Ça ke, mor jahu, – tha, – a janë demokratë këta dreqër, a çfarë janë?

Përfaqësuesi shqiptar i Shoqatës për Kulturë Demokratike qeshi me ironi, ndërsa po u shpjegonte dy vëzhguesve të huaj dialogun tonë. Pas pak, ata po tundnin kokën në shenjë miratimi të diçkaje që shihej qartë se nuk po u pëlqente.

– Çfarë kërkojnë këta jashtë? – e pyeta komisionerin.

– Janë çmend, mor jahu, s'kanë emrat në lista e duan të votojnë, – tha. – Janë socialistë. ‚Ç'dreqin keni, ore? – u thashë. – Partia juaj ka ik nga zgjedhjet e ju doni me votu. Ikni, ore, se ua kena zgjat shumë‛.

Nën këtë arrogancë dhe keqkuptim të madh për mënyrën se si ish- komunistët duheshin mbajtur larg pushtetit, shumica po rikonfirmohej përmes një procesi tërësisht jashtë kontrollit të ligjit, por dhe anekdotik, për sa i takonte mënyrës se si llogaritej rezultati.

Lajmi i dytë dramatik, përveç bojkotit, ishte ai që u prodhua nga Berisha, që kishte të bënte me ‚exit poll‛- et e të ashtuquajturit fondacioni ‚Faik Konica‛, një fondacion i themeluar një vit më parë, me arsyetimin se do të botonte gazetën ‚Albania‛, dikur botim i Faik Konicës. Sipas lajmeve që jepeshin çdo orë nga TVSH-ja , fondacioni kishte bërë publike rezultate paraprake të ‚hetuara‛ nga ‚exit poll‛-i, që i jepnin mbi 60 për qind fitore PD-së. Ishte thjesht një komunikatë shtypi e Berishës, që kishte përdorur emrin e fondacionit. Nuk kishte marrë as mundimin të njoftonte Ylli Rakipin, i cili formalisht kishte vulën e fondacionit. Ne që dëgjonim vetëm lajmin e sajuar në emër të fondacionit, qeshnim. Ndërsa Tirana ziente kundër dhe pro atij lajmi. Në të vërtetë edhe ai kishte qenë benzinë mbi zjarr, pas ikjes së opozitës nga zgjedhjet. Fondacioni ishte thjesht një ide, që një vit përpara zgjedhjeve, se si mund të mblidheshin ca lekë për të botuar një gazetë proqeveritare. Në të vërtetë, ai kishte vetëm një vulë dhe një sekretare. Me gjithë përpjekjet e Berishës, në rrugë zyrtare u siguruan shuma modeste, që kufizoheshin te një donacion i qeverisë së Kosovës në mërgim dhe me disa kërkesa pa përgjigje të Bashkim Gazidedes për konsujt shqiptarë në Perëndim. Dhe, si për t'i marrë taksën e këtyre të ardhurave, ende pa mbushur vitin, Berisha e bëri të famshme këtë sajesë me sondazhin e ‚exit poll‛-it, që i konsumoi të gjitha përfytyrimet dhe faktet për lidhjen e shkurtër të këtij fondacioni me zyrën e Berishës. Ishte një përdorim i egër dhe i pavlerë, një dhunim në trajtën e incestit, ashtu siç di t'i përdhunojë Berisha krijesat e veta, për të cilën ka ankth se mos rriten pa identitetin e tij dhe i shijon dikush tjetër para tij. Tek askush tjetër nuk e kam parë këtë instinkt incesti aq të fortë sa tek ai, ndaj çdo gjëje që i përket familjes së tij politike. Kishte një padurim për ta provuar vetë i pari, deri në përdhunim.

(Pjese nga libri "Viti 97. Neser do te lexoni "26 Maji ne zyren e Sali Berishes")

Televizionet bashkohen “kundër” Ramës dhe Bashës

Posted: 26 May 2017 05:44 AM PDT

Dhjetë televizionet kryesore në vend, i janë drejtuar me një letër Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe OSBE-së ku kërkojnë nga partitë politike që të marrin masa dhe të zbatojnë Kodin Zgjedhor.

Në letër, shprehet shqetësimi i vendimit të dy partive më të mëdha, ku parashikohet transmetim falas i fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Përfaqësuesit e subjekteve radiotelevizive në vend i janë drejtuar me një letër autoritetit të mediave audiovize dhe OSBE-së, ku kanë shprehur shqetësimin e vendimit të partive politike për të transmetuar pa pagesë fushatën elektorale.

Në letrën që mban firmën e 10 televizioneve, kërkohet që partitë politike të marrin masa për zbatimin e kodit zgjedhor.

"Ne, përfaqësuesit e mediave kryesore, unanimisht vendosëm tu njoftojmë se ligji i zbatueshëm për transmetimin e reklamave të partive politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, 25 qershor 2017, është Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i cili prevalon mbi ligjin për partitë politike. Lutemi, njoftoni subjektet elektorale të regjistruara në zgjedhje, që të marrin masa për zbatimin e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, nenit 84, të miratuar me konsensus prej tyre."

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more