Skip to main content

Tirana Observer: “Letra e Hahn, Bregu fajëson Bashën: Demokratët nuk e meritojnë turpi” plus 9 more

Tirana Observer: “Letra e Hahn, Bregu fajëson Bashën: Demokratët nuk e meritojnë turpi” plus 9 more


Letra e Hahn, Bregu fajëson Bashën: Demokratët nuk e meritojnë turpi

Posted: 11 May 2017 09:37 AM PDT

Deputetja demokrate, Majlinda Bregu, ka reaguar pas letrës sw fortw të Komisionerit Europian për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johanes Hahn.

Në një postim të gjatë në Facebook, Bregu thotë se mesazhi i Hahn i drejtohej direkt Partisë Demokratike.

 

Kumti i Hahn për turpin që se meritojnë demokratët!

Nga Majlinda Bregu

Komisioneri Europian për Politika Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johanes Hahn u dërgoi sot, me shqetësim të madh, shqiptarëve një kumt,që për të keq tonë i drejtohet, absolutisht, direkt Partisë Demokratike.

Kjo është letra më e trishtë që s'do doja të kishte mbërritur kurrë. Kjo ka qenë prej kohësh frika dhe arsyeja e vetme për të cilën kam folur e kërkuar që të paktën me veten e me miqtë të mos flisnim sikur i flisnim murit! Që as Europa e as Washingtoni, por asnjë shqiptar me arsye të mos na e drejtonte gishtin duke na bërë me turp për vendimet që në fakt nuk u morën as me diskutim,as me shqyrtim,as me parashikim nga demokratët, por nga kush nuk desh të dëgjojë.

Ja ku jemi sot! Izolim! Pasi na foli e u përpoq të na bindë me gjuhë diplomatike e dashamirësi demokratike, me oferta e negociatorë, pasi ra në vesh të shurdhët e kokëfortësi, Europa sot vendosi të na bjerë kokës: "Zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës. Opozita aktuale, qëllimisht ka bojkotuar zgjedhjet. Demokracia nuk do të pengohet duke bojkotuar institucionet. Veprimet që dëmtojnë të drejtën e qytetarit për të votuar dhe liritë e tjera themelore janë të papranueshme."

Është e pamerituar kjo e keqe që i ndodhi sot Partisë së parë antiopozitare në Shqipëri.

Është i rëndë ky qëndrim për të gjithë ata qindra e mijëra demokratë që shkulën diktaturën me ëndrrën për t'u bashkuar me perëndimin e mohuar dhunshëm prej vitesh.

Është e pamerituar për të gjithë ata që e lanë rininë e tyre burgjeve të regjimit komunist vetëm pse donin Europën, e dolën me thinjat e pritjes për ta shijuar më në fund atë.

Është i papranueshëm ky qëndrim për të gjithë ata burra e gra që u vranë pa gjyq, pse guxuan të mendonin ndryshe.

Është e pamerituar për të rinjtë që po mbeten ende në udhëkryq e për të gjithë ata punonjës të institucioneve shqiptare, që kanë punuar ndër vite, ore e pa orë, për ta afruar Shqipërinë me Europën e me të gjitha standardet që kërkon ajo.

Europa sot e drejtoi gishtin nga PD-ja, por u bën thirrje shqiptarëve (të gjithë demokratëve) të mos bien në të njëjtën humnerë me të!!!!

"Le të jemi të qartë. Përgjegjësia do të jetë e liderëve, nëse ata do të shkelin aspiratat legjitime të popullit, për një jetë më të mirë"- tha Hahn.

Nuk qaj hallin as të kryetarit të PD -se as të ndokujt tjetër që nuk e ndali dot këtë shkarje, por të atyre qindra mijëra demokratëve që nuk e donin PD-në rrugëve. Kryetari e deshi PD-në në çadër e jo në Parlament; në mosbindje civile e jo në zgjedhje!

U gëzua nga e ashtuquajtura "fitore e Kavajës", që veç si e tillë s'duhej festuar asnjëherë.

Sot ne nuk e meritonim këtë!

Ikja nga beteja për asnjë arsye nuk është rezistencë ndaj kësaj maxhorance të frikshme, as përballje me Edi Ramen, por dorëzim para të keqes që ka zaptuar të përditshmen e shqiptarëve, duke i dhënë një pushtet të pakufizuar të vetmit që pushtetin e lakmon dhe me të tallet.

Parlamenti i nesërm do të jetë i pari në 27 vjet ku "demokracia" do të përdoret për të çrrënjosur demokracinë!

Dhe jo vetëm s'do ketë pikë vullneti të luftojë drogën e krimin, por përkundrazi rrezikon ta çojë Shqipërinë drejt presidencializmit turk!

Ka vetëm një rrugë për të mos e lejuar rëndimin e fatit të shqiptarëve dhe copëtimin vetëshkatërrues të PD –së: Kurajo e shpresa e të gjithë demokratëve, për të rindërtuar partinë që sot përballet pamerituar, me dilemën të jesh a të mos jesh!

Letra e Hahn për qytetarët shqiptarë, reagon Rama: Mesazh i pazakontë…

Posted: 11 May 2017 08:38 AM PDT

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas letrës që iu dërgoi eurodeputeti Hahn shqiptarëve.

Me anë të një statusi në "Facebook", Rama shkruan: NJË MESAZH I PAZAKONSHËM NGA KOMISIONERI EUROPIAN JOHANNES HAHN, PËR QYTETARËT SHQIPTARË PA DALLIM🇦🇱🇪🇺

Letra e plotë e Hahn

"Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq,

Ju drejtohem sot me një shqetësim të madh.

Gjatë javëve të fundit, janë bërë disa përpjekje për të nxitur dialogun midis partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE-së, përfshirë këtu mua vetë dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha palët, duke u përpjekur për krijimin e lehtësirave që do të çonin drejt një zgjidhjeje të krizës së vazhdueshme.

U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit do të vepronin në bazë të përgjegjësive të tyre, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Për fat të keq, nuk kishim të bënim me një rast të tillë. Pra, sot jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa.

Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve – ODIHR – kohët e fundit ka nisur aktivitetet e vëzhgimeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jo vetëm që e mbështesim fuqishem ODIHR-in – por presim gjithashtu që të gjitha institucionet përkatëse në Shqipëri, të sigurojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë në misionin e tyre, si gjatë javëve para zgjedhjeve, ashtu edhe në vetë ditën e zgjedhjeve. Është në interes të Shqipërisë dhe autoriteteve të saj që OSBE / ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë në menyrën më të mirë rolin e tyre vendimtar dhe vlerësimin e zgjedhjeve.

Prandaj, le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj fuqishëm çdo njoftim që bën thirrje për "veprime" që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto "veprime" nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Përkundrazi, është një vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike – pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo – të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, nga të gjitha anët.

Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe një gjë. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë.

Të dashur qytetarë,

Kam besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE.

Le të jemi të qartë:

Udhëheqësit do të mbahen përgjegjës nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

Bashkimi Europian do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Më tutje, ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian."

Ambasada e SHBA jep detajet zyrtare për vizitën e kongresmenëve në Shqipëri

Posted: 11 May 2017 08:33 AM PDT

Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhënë detaje në lidhje me takimet e kongresmenëve amerikanë në Shqipëri, që mbërritën ditën  e djeshme.

Ambasada thotë në një deklaratë se në fokus të takimeve ishin reforma në drejtësi dhe pjesëmarrja e partive në zgjedhje.

DEKLARATA

Një delegacion me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, udhëhequr nga kongresmeni Bob Goodlatte, kreu një vizitë në Shqipëri të mërkurën, gjatë së cilës nënvizuan partneritetin strategjik midis ShBA dhe Shqipërisë, rëndësinë e reformës në drejtësi për vendin, dhe çështje rajonale.

Përfaqësuesit Steve King, Matt Gaetz, Dave Trott, David Cicilline, dhe Peter DeFazio iu bashkuan Z. Goodlatte, i cili shërben si Kryetar i Komitetit të Drejtësisë të Kongresit, gjatë takimeve me Presidentin Bujar Nishani, presidentin e zgjedhur Ilir Meta, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.

Anëtarët e delegacionit i nxitën të gjitha palët për t'u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë.

Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik.

LETRA/ Hahn: Zgjedhjet do të bëhen, opozita u vetëpërjashtua qëllimisht

Posted: 11 May 2017 07:51 AM PDT

Komisioneri Europian për Zgjerim, Johanes Hahn, i është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë në kushtet kur vendi është futur në kolaps politik.

Hahn nënvizon se janë bërë përpjekje të mëdha për të nxitur dialogun mes palëve politike nga përfaqësues të BE dhe partner të tjerë  ndërkombëtarë, por që për fat të keq nuk kanë pasur sukses.

Fatkeqësisht, thotë Hahn, zgjedhjet e 18 qershorit do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, pasi sipas tij "ishte zgjedhja e qëllimtë e kësaj të fundit për të mos u bërë pjesë e garës".

Teksa shpreh keqardhjen, Hahn thotë se procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë prapa.

Komisioneri Europian shpreh mbështetjen e BE ndaj OSBE, ndërsa kërkon dhe angazhimin  e të gjitha institucioneve shqiptare për një proces të rregullt zgjedhor.

Nga ana tjetër Hahn dënon çdo thirrje për "veprime" që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto "veprime" nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

"Kam besim të plotë se njerëzit e Shqipërisë do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të demonstrojnë përmbajtjen dhe maturinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE".

Hahn është i qartë kur paralajmëron se: "Udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë. BE do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Dhe edhe më thellë: ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në BE".

Letra e plotë Johannes Hahn:

Të dashur qytetarë të Shqipërisë! Të dashur miq! Ju drejtohem sot me shqetësim të madh. Javët e fundit kemi bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun mes partive politike në Shqipëri, përpjekje të përfaqësuesve të BE-së, unë i përfshirë dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Kemi dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e palëve dhe njëkohësisht jemi përpjekur të lehtësojmë dialogun për daljen nga kriza. Për këtë u ofruan disa propozime, me shpresën se udhëheqësit e partive do të binin dakort për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

Fatkeqësisht nuk patëm marrëveshje. Ndaj sot jemi në një situatë kur përgatitjet  për zgjedhjet e 18 qershorit vazhdojnë dhe zgjedhjet do të mbahen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Bojkoti ishte një zgjedhje e opozitës. Unë e respektoj këtë zgjedhje, por njëkohësisht ndjej keqardhje për këtë vendim të saj. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me standarde. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse dikush vendos që të qëndrojë pas.

Demokracia dhe standardet e saj nuk mund të pengohen nga bojkotimi i institucioneve dhe i zgjedhjeve. Këto të fundit do të vlerësohen në bazë të meritës dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve, ODIHR, së fundmi nisi misionin vëzhgues në Shqipëri. Ne jo vetëm e mbështesim fuqimisht këtë, por presim nga gjitha institucionet shqiptare që të garantojnë një bashkëpunim të plotë dhe transparent me këtë mision, si gjatë fushatës, ashtu edhe në ditën zgjedhjeve. Është në interesin e Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare që OSBE/ODIHR dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtare t'u krijohen të gjitha kushtet për kryerjen e misionit të tyre vëzhgues.

Prandaj, më lejoni që të tregohem i qartë; dënojmë fuqimisht çdo thirrje për "aksione" që do të minojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto "aksione" nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Është thelbësore për vlerat europiane, që të idetë dhe propozimet politike, pavarësisht nëse ju pëlqejnë apo jo, të diskutohen brenda institucioneve demokratike, sidomos në Parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politik të të gjitha palëve në vendin tuaj.

Në këtë këndvështrim, me lejoni të them një gjë: fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan, nuk është fitore për askënd; është një humbje për demokracinë.

Kam besim të plotë se qytetarët shqiptarë do të kërkojnë prej udhëheqësve të tyre politike që të tregojnë përmbajtje dhe maturi në një vend që shpreson të jetë anëtar i Bashkimit Europian.

Të jemi të qartë, udhëheqësit do të jenë përgjegjës nëse përpiqen të minojnë aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

Bashkimi Europian do të ndjekë dhe monitorojë nga afër procesin zgjedhor dhe më kryesorja, do të vazhdojmë t'ju mbështesim në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE.

Nga Blendi FEVZIU /A ka realisht përplasje në PD?

Posted: 11 May 2017 07:28 AM PDT

Disa deklarime publike të pak deputetëve të PD-së dhe disa debate në grupin parlamentar të saj janë shndërruar në sagën e re mediatike në Shqipëri. Në varësi të orientimit politik që portalet kanë, ato janë trajtuar o si një rezistencë e fortë e brendshme kundër "autoritarizmit të Bashës" ose si një lëvizje e sponsorizuar nga Rama dhe PS për të thyer aksionin opozitar në rritje të Bashës.

Në varësi të pozicionimit fillestar, të gjithë ata që kanë qenë skeptikë janë sulmuar personalisht, janë anatemuar apo fyer, pa ju gjykuar idetë që kanë shprehur, ose janë pompuar po artificialisht, për t'i bërë më të zhurmshme dhe më alarmante disa debate thuajse fare të zakonshme. Në këtë kontekst, ajo që bie në sy është kultura e përhershme dhe që nuk po rresht e manipulimit, ku të gjithë merren me pikëpyetjen se për çfarë arsye një politikan e thotë një gjë, nga se është shtyrë dhe jo me debatin se sa real apo racional është diskutimi i tij. Një histori e vjetër në Shqipëri, atavizmi më evident i Shqipërisë së mbyllur dhe mendësisë totalitare që kemi trasheguar nga diktatura komuniste.

Natyrisht nuk kanë munguar as mediat e balancuara që e kanë konsideruar këtë si një veprim normal, madje një lloj debati që në asnjë rast nuk i ka kaluar kufijtë e normalitetit, edhe pse personat që e kanë ngritur atë kanë ndjekur rrugë të ndryshme dhe jo të ngjashme të opozitarizmit në këto 4 vjet.

Personalisht kam mbetur i befasuar nga niveli shumë i zbehtë dhe fare formal i kontestimit për vendimin e PD-së. Jo vetëm që nuk kam parë ndonjë stuhi brenda PD-së, përkundrazi, ky mund të jetë një ndër vendimet më konsensuale të saj. Që një parti të vendosë të mos regjistrohet në zgjedhje dhe të marrë vendimin që zgjedhjet të mos lejohen të zhvillohen, nuk është aspak e lehtë. Personalisht kisha menduar se ky vendim do merrej në debate të forta dhe të ashpra; në kryqëzime analizash dhe idesh të kundërta, shterimi i të cilave, një nga një, do të çonte tek vendimi më i mirë. Besoja se të gjithë politikanët me eksperiencë do ishin aty me idetë dhe opinionet e tyre, por kjo nuk ndodhi. Të konsiderosh një qëndrim të Majlinda Bregut, disa fjali të Jozefinës apo të Patozit si kontestim, është as më pak e as më shumë t'i vësh emrin një liqeni, oqean. Nuk po llogaris këtu qëndrimin e Selamit sepse ai as nuk u duk në diskutimin që u bë në parti. Fryrja e "kontestimit" ishte thjeshtë një shërbim ndaj mazhorancës, por i pasens.

E dyta, debati i brendshëm vetëm sa e forcon dhe e konsolidon një parti. Personalisht do kisha kërkuar më shumë debat edhe për t'i dhënë  forcë opozitës dhe më shumë legjitimitet aksionit të saj.

E treta, anatemimi dhe denigrimi personal i atyre që shprehën dyshime për vendimin e Bashës, gara e postimeve në facebook  kundër tyre, ishte më shumë se sa një neveri. Kjo histori e huazuar nga komunizmi, ku të gjithë solidarizoheshin me kryqëzatën për të dënuar armiqtë e partisë, është qesharake në vitin 2017. Aq më tepër denigrimi personal dhe jo debati mbi idetë e tyre. Në këtë kontekst, disa postime në facebook kundër atyre që shprehën ndonjë ide skeptike apo kundër, duke u marrë me ta personalisht dhe jo me idetë, ka qenë turpi i vërtetë i politikës së djathtë!

Natyrisht, të katër ata që janë shprehur publikisht kanë ndjekur rrugë të ndryshme opozitare. Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kanë pasur vërejtje për vendimin e jo rrallë këto katër vite edhe për drejtimin e Bashës. Por të dy ata kanë qenë zëra të spikatur opozitarë në parlament. Nuk e kanë rreshtur asnjë sekondë kritikën ndaj Qeverisë Rama, ndaj kontestimi i tyre duhet marrë seriozisht. Dhe ky qëndrim 4 vjeçar e bën kontestimin e tyre edhe më dinjitoz.

Majlinda Bregu ka zgjedhur që herët një profil të ndryshëm opozitar. E ka parë veten më shumë si një figurë konsensuale dhe e matur, një lloj vijimi i profilit që pati në vitin e fundit si Ministre e Integrimit. Ajo ka pasur më shumë qëndrimin e një "ndërkombëtareje" brenda PD, me një lloj distance nga të dyja palët, se sa atë të një opozitareje aktive. Së fundmi ajo e ka qartësuar edhe vetë pozicionin e saj, duke deklaruar në disa postime në Facebook, se ka vetëm një filozofi politike, atë të Europës. Duke lënë të kuptohet se vetë po ndjek për të shkuar atje rrugën administrative të BE dhe jo atë që Basha e quan, rruga e vlerave të vërteta të BE.

Eduard Selami është pak më i vështiri për t'u klasifikuar. Në këto 4 vite ai s'ka folur asnjëherë në Parlament, por ka qenë aktiv së paku dy herë në intervista në VOA. Kjo është rruga që ai ka ndjekur për të qenë në politikë, një rrugë që më gjasë është "rrugicë qorre". Por edhe kjo është zgjedhja e tij. Një njeri që ka qenë themelues i PD, i pari Sekretar i Përgjithshëm dhe më pas Kryetar i saj për 3 vjet, duhej të kishte luajtur një rol më aktiv në këto 4 vite.

Për të gjitha këto arsye, debati brenda PD është më shumë se sa normal, madje shumë më pak i tensionuar se sa ai që kam pritur unë dhe shumë vetë. Ai duhet stimuluar dhe jo të goditet, sepse vetëm një debat i hapur dhe tolerant e bën edhe vetë aksionin e PD më të besueshëm!

Conte “mesazh” Interit: Dua të qëndroj te Chelsea për shumë vite

Posted: 11 May 2017 07:27 AM PDT

Antonio Conte thotë se do të qëndrojë te Chelsea për shumë vite pas raporteve se mund t'i bashkohet Inter në fund të sezonit. Trajneri italian është pranë titullit me Blutë në vitin e parë në "Stamford Bridge", teksa gjithashtu është në finalen e FA Cup ndaj Arsenal.

Gjithsesi, thashethemet për një kalim të tijin tek Inter janë rritur në ditët e fundit me Zikaltrit që kërkojnë ta joshin me rikthimin në vendlindje.

Sipas burimeve të ndryshme të mediave, klubi italian ka premtuar 15 milionë euro dhe fuqi të plotë më merkato për Conte- që t'i rikthejë në majë.

Spekulimet janë intensifikuar pas shkarkimit të Stefano Pioli-t të martën, por duke folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes që luhet të premten ndaj WBA, trajneri i Chelsea insiston se do të qëndrojë.

"Kam edhe dy vite të tjera në kontratë. Është logjike që kur fillon të punosh në një klub të ri, do të vijosh punën për shumë vite në vazhdim," ishin komentet e ish-trajnerit të përfaqësueses italiane për sa i përket kësaj çështjeje.

Ëndrra e Elseid Hysajt: Dua të bëhem si Havier Zaneti

Posted: 11 May 2017 07:16 AM PDT

Mbrojtësi i Kombëtares Elseid Hysaj ka dhënë ditën e sotme një intervistë për "Radio Kiss Kiss Napoli".

Shkodrani që aktivizohet në radhët e Napolit ka folur në këtë intervistë për ecurinë pozitive që po kalon skuadra e tij gjatë këtij sezoni, si dhe për dëshirën e madhe për të fituar një titull kampion me Napolin.

Si Zaneti

Hysaj vlerëson maksimalisht ish-kapitenin e Interit, Havier Zaneti për profesionalizmin dhe mënyrën se si ai luante. Për Hysajn, argjentinasi është modeli më i mirë për t'u ndjekur.

"Skuadra jonë zbret gjithmonë në fushë për t'u argëtuar, e di që argëtojmë edhe tifozët tanë. Po rritemi shumë dhe me punë po përmirësohemi, por ka ende gjëra për të rregulluar. Roma? Mendojmë vetëm për ndeshjen tonë. Torino është një skuadër e madhe, do të kërkojnë shpagim pas barazimit në derbi me Juven. Ne do të jemi të përqendruar për të fituar. Mertens apo Beloti? Dris është më i forte. Modeli im është Havier Zaneti, për profesionalizmin e tij dhe për mënyrën se si luante. Shpresoj të arrij në nivelin e tij. Lojtarët më të mirë? Ata që kemi ne", deklaroi shkodrani

Kampionati

"Kemi bërë dy pikë më shumë sesa Juve në pjesën e dytë të kampionatit. Kjo është pika nga e cila duhet të fillojmë sezonin e ardhshëm. Jemi përmirësuar shumë dhe vitin e ardhshëm duhet ta nisim me këtë ndërgjegjësim. Kemi treguar se mund të vendosim në vështirësi këta skuadra dhe të arrijmë edhe të fitojmë. Është një pikënisje për t'u përmirësuar. Empoli është një qytet i vogël në të cilin rritesh e pastaj largohesh. Më pas erdha në një qytet dhe skuadër të madhe. Jam rritur shumë si futbollist dhe si njeri në ketë qytet. Ëndrra ime është të fitoj diçka në këtë qytet që e meriton. Shpresoj që herët a vonë të vijë kjo ditë. Nuk dua të bëj premtime por shihet qartë që jemi një grup i madh. Është e rëndësishme të qëndrojmë të gjithë këtu dhe të provojmë të fitojmë diçka vitin e ardhshëm. As nuk e imagjinoj çfarë feste do të bëhej nëse ndodh. Shpresoj që të fitoj këtu pasi është më bukur se çdo vend tjetër", ishin fjalët e Hysajt

Në ketë sezon, Hysaj është aktivizuar në 40 ndeshje titullar me skuadrën e Napolit, duke u kthyer në një lider te napolitanët.

Mbrojtësi nuk ka pa arritur të gjejë asnjëherë rrugën e rrjetës gjatë këtij sezoni.

Katër kryetarë partish kapen “mat” në Bllok. Çfarë po komplotojnë së bashku?

Posted: 11 May 2017 06:43 AM PDT

Çfarë mund t'i bëjë bashkë një demokristian, një minoritar grek, një agrar dhe një "tironas puro"? Kauza. Ose protesta e 13 Majit. Ja ku janë 4 kryetarë partie të opozitës, bashkë në një tryezë modeste në zonën e ish-Bllokut, duke gjerbur kafe së bashku.

 

 

Nishani për Metën: Do të jetë president i balanceve politike

Posted: 11 May 2017 06:35 AM PDT

Edhe pse u zgjodh pa votat e opozitës, presidenti aktual i Shqipërisë Bujar Nishani beson se Ilir Meta në krye të shtetit do të jetë një figurë që do të ofrojë ekuilibër në jetën politike. I ftuar në emisionin "Komiteti" të gazetarit Berat Buzhala, Presidenti në detyrë tha se eksperienca politike e Metës, e veçanërisht ajo në krye të Kuvendit të Shqipërisë, e ndihmon për të qenë President i balanceve politike.

Ashtu siç ka dëshmuar me qasjen e tij për gjetjen e konsensusit në situata të ndryshme politike që ka kaluar vendi, njëjtë, sipas Nishanit, Meta do të jetë edhe në krye të angazhimit të tij të ri si President. "Z. Meta ka një eksperiencë të gjatë politike dhe në eksperiencën e tij të gjatë politike, në shumicën e aktivitetit të tij politik, ka treguar se është njëri që është i qasur nga ekuilibrat, është i qasur nga paqësimi, kështu që besoj se edhe në pozicionin e presidentit, Z. Meta do të jetë një figurë e cila, edhe për shkak të kësaj dialektike politike që ka ai në politikën shqiptare dhe institucione, do të vazhdojë ta ofrojë këtë", ka thënë Presidenti Nishani.

Referuar mungesës së opozitës për votimin në Kuvend të kreut të ri të shtetit, Nishani tha se kjo nuk ka të bëjë me kandidatin por me objektivat politike të partive. Njëjtë ka ndodhur edhe me Bujar Nishanin kur është zgjedhur president: në Kuvend ka munguar opozita e asaj kohe, sot në qeverisje. Ilir Meta u zgjodh president i Shqipërisë me votat e shumicës ndërsa më 24 korrik do të marrë zyrtarisht detyrën, kur pritet të betohet në përfundim të mandatit 5-vjecar të Bujar Nishanit. Me zgjedhjen President, Ilir Meta hoqi dorë nga drejtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke ja lënë 'timonin' e partisë Petrit Vasilit

Intervista

Buzhala: z.Meta u zgjodh pa pjesëmarrjen e opozitës, ajo legale është sepse votat ishin..

Nishani: Është legale, patjetër…

Buzhala: A është legjitime?

Nishani: Është legjitime, patjetër, sepse kushtetuta parashikon mënyrën e zgjedhjes së presidentit, raunde të caktuara dhe me numër votash të caktuara dhe jo domosdoshmërish me pjesëmarrje të opozitës. Unë kur u zgjodha president, patjetër se do ta kisha kënaqësinë që të ishin edhe opozita, e cila nuk ishte në atë kohë. Në çdo rast, unë mendoj se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjen e kreut të shtetit është, jo legjitimet, por të themi, i jep kredibilitet imazh të shtetit – vendit. Kjo është bërë një kulturë politike, tashmë, e përsëritur, jo aq shumë për kundërvënie ndaj kandidatit se sa për objektivat politikë të palëve në moment. Kështu që, ndoshta ka ardhur koha që kjo të shikohet në këtë kontekst dhe për ta shmangur këtë, duhet vajtur drejt zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë me votat e popullit.

Buzhala: Me kalimin e kohës, opozita e cila u kthye në mazhorancë e pranoi zgjedhjen tuaj.. A do ta pranojë PD Metën president? Pra, a do të jetë Meta president i unitetit?

Nishani: Ajo varet nga dy gjëra në gjykimin tim. Së pari, varet nga qëndrimi politik i opozitës dhe i Partisë Demokratike, të cilën unë nuk marrë përsipër të them se cili do të jetë. Ajo i takon kreut të PD-së, i takon institucioneve të PD-së. Dhe e dyta, do të varët nga sjellja institucionale e Presidentit të zgjedhur, z. Meta. Unë besojë se kjo e dyta do të jetë… kam një parashikim pozitiv; z. Meta ka një eksperiencë të gjatë politike dhe në eksperiencën e tij të gjatë politike, në shumicën e aktivitetit të tij politik, ka treguar se është njëri që është i qasur nga ekuilibrat, është i qasur nga paqësimi, kështu që besoj se edhe në pozicionin e presidentit, Z. Meta do të jetë një figurë e cila, edhe për shkak të kësaj dialektike politike që ka ai në politikën shqiptare dhe institucione, do të vazhdojë ta ofrojë këtë. Varet pastaj edhe se cilat do të jenë rrethanat politike. Ka shumë rëndësi së si do të jetë situata pas 18 qershorit/express

 

Policia zbulon ADN-në e vrasësit të komisarit, Artan Cuku

Posted: 11 May 2017 06:21 AM PDT

Policia ka mundur të grumbullojë disa prova shumë të vlefshme biologjike të cilat, raporton "BalkanWeb", që i kanë mundësuar edhe zbulimin e profilit gjenetik të AND-së së autorit të vrasjes së Komisarit, Artan Cuku më 8 prill në Tiranë.

Profili gjenetik i zbuluar nga provat biologjike të gjetura në vendin e krimit, do të përdoret në hetime duke e krahasuar me profilet gjenetike të personave që po hetohen në 3 pistat kryesore ku është orientuar policia: vrasje për hakmarrje, për shkak të biznesit dhe për shkak të detyrës si drejtor policie në Vlorë.

"BalkanWeb" ka mësuar se në vendngjarje policia ka grumbulluar edhe një numër të konsiderueshëm shenja gishtash, por këto nuk e kanë ndihmuar hetimin, pasi në hollin e pallatit ku ndodhi ngjarja, para policisë kishin qenë edhe të tjerë njerëz, të cilët kanë prekur dyert e ashensorit apo të derës së jashtme.

Paralelisht me provat e grumbulluara në vendngjarje policia po punon edhe me pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë. "BalkanWeb" raporton se këto pamje përveçse janë bërë publike në media po iu tregohen edhe të gjithë agjentëve kriminalistë të policisë dhe personave të cilët vuajnë dënimin me qëllim identifikimin e personit të shfaqur në video.

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more