Skip to main content

INSAJDERI: “Krasniqi: U bëmë bashkë me PDK-në se po rrezikohej siguria kombëtare” plus 19 more

INSAJDERI: “Krasniqi: U bëmë bashkë me PDK-në se po rrezikohej siguria kombëtare” plus 19 more


Krasniqi: U bëmë bashkë me PDK-në se po rrezikohej siguria kombëtare

Posted: 20 May 2017 09:39 AM PDT

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, përmes një opinioni të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ka arsyetuar koalicionin e arritur me PDK-në e Kadri Veselit.

Krasniqi ka thënë se një prej arsyeve të këtij koalicioni parazgjedhor me PDK-në ka qenë rrezikimi i sigurisë kombëtare, e po ashtu edhe tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik.

"Në rrethana politike, kur rrezikohet siguria kombëtare, tërësia territoriale, sovraniteti i shtetit e zhvillimi ekonomik, po kërkohet bashkimi ynë përtej programeve politike a ideologjike të partive politike. Ne duhet të jemi aty ku kërkohet bashkimi për kombin e shtetin! Sot, nga ne po kërkohet ky veprim dhe ne, nuk guxojmë të hezitojmë! Ne rrethana të tilla, vendimet janë të shpejta! Koha le t'i verifikoj", ka shkruar Krasniqi.

Më tutje Krasniqi është shprehur i bindur në të ardhmen Nisma për Kosovën do ta ndryshoj rrënjësisht me nga qeveria e kaluar.

"Ne jemi të bindur se edhe në të ardhmen, NISMA, duke qenë pjesë e koalicionit fitues do të vihet në shërbim të një qeverisje që do të ndryshojë rrënjësisht nga qeverisjet e kaluara. Vendime tjera të mëdha e presin NISMËN për Kosovën duke qenë pjesë e qeverisjes se ardhshme", ka shkruar Krasniqi.

"Lirinë që e sollëm dje me qytetarët e për qytetarët, sot se bashku me qytetarët do ta forcojmë sovranitetin pa fusnotë, do të vendosim prioritet zhvillimin, sigurinë, shtetin e se drejtës, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin me arsim të avancuar e shëndetësi të përparuar", ka theksuar Krasniqi,

Krasniqi ditë më parë ka hequr dorë nga kandidimi për deputet, duke ia lëshuar vendin anëtarit të ri të partisë, ish-gazetarit Milaim Zeka./Insajderi.com

The post Krasniqi: U bëmë bashkë me PDK-në se po rrezikohej siguria kombëtare appeared first on INSAJDERI.

Marrëveshja ndërmjet LDK-së dhe Alternativës

Posted: 20 May 2017 09:29 AM PDT

Ditë më parë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alternativa kanë nënshkruar një marrëveshje parazgjedhore.

Alternativa nuk ishte regjistruar fare si subjekt politike, ndërsa si e tillë e kishte të pamundur të garonte në zgjedhje si e vetme.

Marrëveshjen ndërmjet dy partive politike e ka publike anëtari i Alternativës, Ilir Deda, në profilin e tij në Facebook.

Kjo marrëveshje është nënshkrua nga dy krerët e partive Isa Mustafa dhe Mimoza Kusari-Lila./Insajderi.com

The post Marrëveshja ndërmjet LDK-së dhe Alternativës appeared first on INSAJDERI.

Kurti: Gjilani është gati për të vendosur vetë

Posted: 20 May 2017 09:04 AM PDT

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët e Gjilanit janë gati për të vendosur vetë për fatin e tyre, në zgjedhjet parlamentare.

Kurti, bashkë me anëtarë të tjerë të kësaj lëvizjeje kanë vizituar disa pjesë të qytetit të Gjilanit.

"Gjilani është gati për të vendosur vetë. Sot tri javë është heshtja zgjedhore. Ndërkohë do të jemi të zëshëm si kurrë më parë, drejt fitores", ka shkruar Kurti në faqen e tij të rrjetit social Facebook.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 11 qershor të këtij viti. /Insajderi.com

The post Kurti: Gjilani është gati për të vendosur vetë appeared first on INSAJDERI.

Mavraj me Hamburgun sigurojnë mbijetesën në xhiron e fundit

Posted: 20 May 2017 08:49 AM PDT

Hamburgu ka siguruar mbijetesën në Bundesliga fal golit të shënuar në minutën e 88-të të ndeshjes, duke e mposhtur 2:1 Wolfsburgun.

Hamburgu  i mbrojtësit shqiptar, Mërgim Mavraj, nuk do të luajë në barazh për të mbetur në Bundesliga pasi ka siguruar një gjë të tillë falë fitores prej 2:1 ndaj Wolfsburgut.

Ishte Gianluca Waldschmidt ai që shënoi golin e tre pikëve dhe të festës për vendasit, të cilët edhe matematikisht mbeten në Bundesliga.

Derisa golin tjetër për Hamburgun ku luan edhe Mavraj e shënoi Filip Kostiq, kurse për mysafirët realizoi Robin Knoche.

Hamburgu shpëton, kurse Wolfsburgu është skuadra që do të luajë në barazh për të siguruar mbijetesën. /Insajderi.com

The post Mavraj me Hamburgun sigurojnë mbijetesën në xhiron e fundit appeared first on INSAJDERI.

Biznesmeni rus ofron një miliard paund për blerjen e aksioneve të Arsenalit

Posted: 20 May 2017 08:45 AM PDT

Biznesmeni rus me origjinë nga Uzbekistani, Alisher Usmanov, ka ofruar një miliard paund për të marrë nën pronësi shumicën e aksioneve të klubit anglez të futbollit Arsenal.

Siç raportojnë nga mediet britanike, Usmanov, i cili aktualisht zotëron 30 për qind të aksioneve në Arsenal, ka ofruar biznesmenit amerikan Stan Kroenkeu madje një miliard paund për tu bërë pronar i shumicës së aksioneve të “topçinjtëve”.

Më tej theksohet se Kroenke, i cili që nga viti 2007 ka shumicën e aksioneve në Arsenal, nuk është i interesuar për ofertën e Usmanov-it.

Përveç pasigurisë për aksionet e Arsenalit këto ditë në klubin anglez është e pasigurt edhe e ardhmja e trajnerit Arsene Wenger, pasi topçinjtë kanë mundësin që të kualifikohen në Ligën e Kampionëve për herë të parë në këtë mijëvjeçar.

Wenger ka drejtuar Arsenalin që nga viti 1997.

The post Biznesmeni rus ofron një miliard paund për blerjen e aksioneve të Arsenalit appeared first on INSAJDERI.

Presidenti Thaçi takon krerë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën

Posted: 20 May 2017 08:30 AM PDT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Jordani me ftesë të Mbretit të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, mori pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut, që këtë vit organizohet nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë.

Në margjinat e këtij Forumi, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me shumë krerë të shteteve të ndryshime të botës, me të cilët ka biseduar për promovimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka takuar Mbretin e Spanjës, Felipe VI, me të cilin ka diskutuar për promovimin dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Presidenti Thaçi po ashtu ka falënderuar Mbretin Felipe VI për mbështetjen që Spanja i ka dhënë Kosovës në kuadër të KFOR-it, në sigurimin e paqes dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.

Në një tjetër takim, presidenti Thaçi ka zhvilluar një bashkëbisedim edhe me presidentin e Qipros, Nicos Anastasiades. Presidenti Thaçi ka theksuar se shtetet e vogla duhet të bashkëpunojnë më shumë, sidomos në shkëmbim të përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fusha tjera.

Ai ka kërkuar nga presidenti Anastasiades që të fillojë një etapë e re në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka takuar edhe presidentin e Irakut, Muhammad Fuad Masum, me të cilin ka biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Presidenti Thaçi në këto takime ka kërkuar nga krerët e këtyre shteteve që sa më parë të marrin vendimin e njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim edhe presidentin e Republikës së Nigerit,Mahamadou Issoufou, me presidentin e Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas dhe me shumë krerë dhe përfaqësues tjerë të shteteve, pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror.

The post Presidenti Thaçi takon krerë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën appeared first on INSAJDERI.

Limaj: Haradinaj do të punojë për ç’kapjen e shtetit

Posted: 20 May 2017 08:26 AM PDT

Kryetari i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se anëtarët e kësaj partie nuk kanë ndryshuar as në qëndrime e as në parime.

Limaj ka thënë se janë në gjendje të sakrifikohen sa herë është e nevojshme për atdheun.

"Ne besojmë në çkapjen e Shtetit. Besojmë se Kryeministri do të punojë në çkapjen e këtij shteti, Do të punojmë në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, arsim. Besojmë në ndryshimet që do t'i sjellë Kryeministri Haradinaj", ka thënë Limaj, në Konventën Parazgjedhore të NISMA.

"Nuk do të ketë më tre kryeministra. Do të jetë një qeveri që do t'ia kthejë dinjitetin Kosovës", ka thënë Limaj.

"Ne kemi thënë që në fillim se Qeveria e 2014 do ta hajë vetveten. E patë në Parlament. Ndryshimi kemi thënë se do të jetë Kryeministri nga Opozita. Dhe, është Ramush Haradinaj. Ne para katër viteve jemi rreshtuar dhe i kemi dhënë besimin z. Haradinaj për Kryeministër të Kosovës", ka shtuar ai.

Fatmir Limaj bashkë me Ramush Haradinajn kanë hyrë në koalicion me PDK-në dhe kanë nominuar Kryetarin e AAK-së për Shef të Qeverisë. /Insajderi.com

The post Limaj: Haradinaj do të punojë për ç’kapjen e shtetit appeared first on INSAJDERI.

Kapiteni i FSK-së, më i miri në Amerikë

Posted: 20 May 2017 08:21 AM PDT

Kosova ka marrë edhe një lajm të mirë, që sigurisht të gjithë i bën krenarë. Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Mentor Ibrahimi u shpall oficeri më i mirë ndërkombëtar në kursin "Kapiten Karriere" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në njoftimin për media.

Kapiten Ibrahimi që nga shtatori i vitit 2016 e deri më 18 maj 2017 ka marrë pjesë në kursin "Kapiten Karriere" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjenerata 17-1, dhe prej të gjithë oficerëve nga shtete të ndryshme u shpall më i miri, përcjell albinfo.ch.

Kapiten Mentor Ibrahimi gjatë shkollimit të tij në "Kursin e Karrierës" për Kapiten të Këmbësorisë në Qendrën e Ekselencës (Maneuver Center of Excellence) në Fort Benning të SHBA-ve, ka shfaqur performancë të jashtëzakonshme në fushat, si: Procesi i Vendimmarrjes Ushtarake, Terminologjia dhe Grafika Ushtarake dhe në Doktrinën Amerikane në përgjithësi.

Ndërkaq, pas përfundimit të kursit ai u shpall studenti më i mirë ndërkombëtar, me ç'rast nga komandanti i kursit gjeneral major Eric Wesley, si shenjë mirënjohjeje për arritje të jashtëzakonshme, i dhurohet libri me përmbajtje ushtarake "Fjalë për luftëtarët".

The post Kapiteni i FSK-së, më i miri në Amerikë appeared first on INSAJDERI.

Mustafi tregon si emigroi familja e tij në Gjermani

Posted: 20 May 2017 08:10 AM PDT

Shkodran Mustafi verën e kaluar iu bashkua Arsenalit nga Valencia për rreth 45 milionë euro dhe këtë sezon është shndërruar në njërin nga lojtarët kryesor të skuadrës londineze.

Mustafi në një dokumentar të shkurtë për televizionin zyrtar të Arsenalit ka treguar si familja e tij shkoi në Gjermani dhe karrierën e tij të deritanishme.

"Babai im ka ardhur nga Shqipëria në Gjermani në moshën 4-vjeçare dhe është rritur në Gjermani. Gjithashtu edhe gjyshi im erdhi në Gjermani. Normalisht nuk ishte e lehtë në fillim, por jam i lumtur që kam arritur deri këtu. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në kampionatin anglez", ka thënë Mustafi.

Ai më herët ishte pjesë e Evertonit, por nuk kishin shumë besim në të, derisa kaloi më pas në Sampdoria, ku filloi të shkëlqej dhe u ftua nga Kombëtarja gjermane, transmeton albinfo.ch

Më pas ai kaloi në Valencia, kurse tani është pjesë e Arsenalit, madje njëri nga lojtarët kryesor. Ai gjithashtu është shumë i kënaqur me pritjen e tifozëve./Insajderi.com

Mustafi tregon si emigroi familja e tij në Gjermani

 

The post Mustafi tregon si emigroi familja e tij në Gjermani appeared first on INSAJDERI.

Apostolova: Kosova vendos a do ta rinegociojë demarkacionin

Posted: 20 May 2017 08:00 AM PDT

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB ka ritheksuar se nga dy kushtet e mbetura [demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit v.j.], demarkacioni është kushti kryesor për liberalizimin e vizave.

"E di se disa prej jush nuk mendoni se është e drejtë, por për fat të keq, dëshiroj të ritheksoj se procesi i zgjerimit nuk është gjithmonë i drejtë. Unë vij prej një shteti të vogël ku edhe ne është dashur të bëjmë aq shumë që të marrim vendime të vështira që të jemi anëtare e BE-së. Ky është një klub, ku rregullat i përcaktojnë ata ndërsa ne duhet t'i përmbushim", u shpreh ajo.

Apostolova, këtë kusht të BE-së ndaj Kosovës e arsyetoi duke thënë se më parë kanë qenë dy shtete anëtare të cilat kanë pasur problem me përcaktimin e kufirit, dhe sipas saj, këtë BE-ja nuk ka dashur ta lejojë që të ndodh edhe me Kosovën edhe Malin e Zi.

"Çdo cikël i zgjerimit sjell në vete mësimet e zëna si për komisionin dhe një prej këtyre cikleve, kemi pasur probleme në mes të dy shteteve anëtare ku çështja e kufirit është bërë aq problematike sa që vet anëtarësimi prej këtyre shteteve anëtare është vonuar për një vit e gjysmë vetëm për shkak se nuk kishin të përcaktuar kufirin. Në mënyrë që të përjashtojmë mundësitë e tilla apo incidente të tilla, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është si kusht i rëndësishëm që është vendosur për brenda këtij procesi në Kosovë", tha Apostolova.

Ajo gjithashtu shtoi se demarkacioni ka qenë çështje shumë teknike, por që është shndërruar në çështje shumë politike.

"Demarkacioni ka qenë çështje më teknike, ka ekzistuar një komision i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë që duke u bazuar në shumë hulumtime e analiza shkencore, duke diskutuar me njerëzit e shoqërisë civile të partive politike, e kanë përcaktuar kufirin. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Nga ana e Kosovës, nga një çështje shumë teknike është shndërruar në diçka shumë politike. Kjo është e vërteta e dhimbshme që kjo çështje është politizuar", vlerësoi shefja e BE-së në Kosovë.

Sa i përket mundësisë se Kosova mund të humbas territore dhe se një mundësi e rinegociimit mes palëve mund të jetë një opsion pas legjislacionit të ri në Kosovë, Apostolova tha se BE-ja do ta pranojë çdo zgjidhje që vjen mes Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin.

"Raporti ka qenë shumë i qartë që ka thënë se Kosova nuk humbet territor. Në pajtueshmëri me botëkuptimin tonë, ky demarkacion është i drejti, i duhuri. Por, nëse Kosova vendos që ta gjejë ndonjë mënyrë tjetër për zgjidhjen e kësaj çështje, rinegociimi me Malin e Zi, angazhimi i një komisioni të ri për shqyrtimin e kësaj çështje, të kalohet në arbitrazh apo çfarëdo mënyre për zgjidhjen e demarkacionit, do të pranohet nga BE-ja. Nuk jemi ne ata që të ju mësojmë se si ta bëni, por për neve është me rëndësi rezultati. Gjithmonë varet prej jush, ju vendosni se si e bëni këtë", u shpreh ajo.

Në këtë ligjëratë, shefja e BE-së në Kosovë foli edhe për situatën e fundit në Maqedoni, ku tha se marrëdhëniet ndërfqinjësore mes shteteve janë bazamenti i integrimit në BE, por sipas saj, në Ballkanin Perëndimor ka ende probleme të natyrës së tillë, të cilat do të marrin shumë kohë.

"Gjëja më e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor është fakti se për të gjitha këto shtete ekziston perspektiva evropiane. Nëse mund të bazohemi te mbështetja e jonë, do të jetë më e lehtë që t'i tejkalojmë këto retorika dhe këto gjuhë në lidhje me marrëdhëniet fqinjësore në lidhje me çfarë përqindje p.sh sa për qind të serbëve jetojnë në Veri të Kosovës, sa për qind të shqiptarëve jetojnë në Republikën e Maqedonisë […] kjo retorikë nuk është ajo që na kryen punë, nuk është e dobishmja", u shpreh Apostolova.

Shefja e BE-së në këtë ligjëratë përmendi edhe tre problemet e rëndësishme të BE-së që janë largimi i Britanisë së Madhe, emigrimi dhe problemet me terrorizmin. Gjithashtu ajo foli edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të BE-së karshi Ballkanit Perëndimor, duke mos lënë anash dhe zhvillimet e fundit në Turqi si dhe perspektivën evropiane të saj.

The post Apostolova: Kosova vendos a do ta rinegociojë demarkacionin appeared first on INSAJDERI.

Veseli: Qëllimi ynë është investimi në zhvillimin ekonomik

Posted: 20 May 2017 07:59 AM PDT

Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj kanë bërë paraqitjen e dytë publike, bashkë, pas koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-NISMA. Ata në hapësirat e një fabrike në Rahovec kanë bashkëbiseduar me një grup qytetaresh dhe ndërmarrës të kësaj komune.

E pikërisht, Rahoveci është komuna prej nga vjen kundërkandidati i Ramush Haradinajt për kryeministër nga koalicionit LDK-AKR, Avdullah Hoti.

Ajo që bie në sy, nga kjo paraqitje e dy krerëve të PDK-së dhe AAK-së, është edhe flamuri kombëtar që ndodhet në prapavijë të tyre, krahas atij të Kosovës, shkruan Express.

Në këtë bashkëbisedim në Rahovec, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka folur edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, në rast së qytetarët me 11 qershor votojnë koalicionin që kandidon me Ramush Haradinajn për Kryeministër.

Ai tha se i ushtrisë do të jetë vendimi i parë i qeverisë PDK-AAK-NISMA.

Për këtë tubim parazgjedhor ka njoftuar në facebook, kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

"Është koha për një ekip udhëheqës të aftë të marrë vendime, të arrijë rezultate dhe ta çojë Kosovën përpara më shpejt", ka shkruar ai.

"Pikërisht në fabrikën "Osa", në Rahovec, e specializuar për ftohje-ngrohje dhe ventilim, e udhëhequr nga e mrekullueshmja zonja Sadbere Osa, ritheksova se ekipi ynë i udhëhequr nga unë dhe Ramushi do të investojë në bizneset e Kosovës, do t'i fuqizojë gratë dhe të rinjtë, do ta integrojë vendin në BE dhe në NATO. #FillimiRi", shkruan Veseli në facebook, duke shpërndarë edhe fotografi nga takimi.

"Duhet të investojmë në Kosovë në zhvillimin ekonomik, ky është qëllimi ynë. Ne duhet të lëvizim përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Vendimmarrja e parë duhet të jetë transformimi i FSK në ushtri të Kosovës. Kjo është arsyeja pse jam shumë i lumtur të jem sot me mikun tim dhe kryeministrin e ardhshëm Ramush Haradinaj, bashkë do të jemi edhe më 11 qershor ku do të kemi një nga fitoret më të mëdha. Nga data 12 qershor ne do të fillojmë të kryejmë përgjegjësitë tona", ka thënë Veseli.

The post Veseli: Qëllimi ynë është investimi në zhvillimin ekonomik appeared first on INSAJDERI.

Problemet teknike vështirësojnë votimin e diasporës më 11 qershor

Posted: 20 May 2017 07:47 AM PDT

Organizata jo-qeveritare Germin ka reaguar ndaj pengesave teknike që diaspora shqiptare po has gjatë procesit të regjistrimit për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor 2017.

Shumë mërgimtarë e kanë pasur të pamundur mbrëmë t'i dërgojnë online formularët e tyre për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Të gjithë ata që kanë provuar t'i dërgojnë formularët e nënshkruar në e-mailat zyrtarë kanë pranuar një mesazh që thotë: Inboxi është i mbushur me shumë mesazhe dhe për momentin nuk mund të pranojë mesazhe të tjera.

"Ju lutem provoni ta dërgoni më vonë këtë mesazh, ose kontaktoni direkt me marrësin e mesazhit", thuhet në vazhdimësinë e e-mailit automatik, shkruan Gazeta Express.

Ky problem teknik, pamundëson që diaspora të marr pjesë në zgjedhjet në Kosovë. Afati i shkurtër për t'u regjistruar nga jashtë, mungesa e organizimit të votimeve në diasporë, tani edhe problemet teknike për të votuar, sfidojnë trefish mërgimtarët të realizojnë të drejtën e tyre për votim.

Germin thotë që diaspora është grupi më i madh shoqëror në Kosovë. Për këtë arsye, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje, e drejtë e cila u garantohet me ligj, do të bënte që Kosova të ketë demokraci përfaqësuese. Teknikisht, diasporës në praktikë po i mohohet e drejta elementare e votës, edhe kësaj radhe.

"Për këtë, ne kërkojmë nga KQZ-ja dhe të gjitha organet relevante që:

Të zgjidhin problemin e të gjitha kërkesave të dërguara përmes postës elektronike deri më sot;

Të adresojnë të gjitha problemet teknike që i kanë mërgimtarët gjatë periudhës së shkurtë për votim nga jashtë;

Të lehtësojnë procesin e votimit nga jashtë (zgjasin afatin kohor për aplikimi, të shqyrtojnë alternativa të tjera për votim jashtë Kosovës)”, thuhet në reagimin e organizatës jo-qeveritare Germin.

The post Problemet teknike vështirësojnë votimin e diasporës më 11 qershor appeared first on INSAJDERI.

Tirana kërkon “autonomi”

Posted: 20 May 2017 07:40 AM PDT

Me modele si ne Romë, Londër, Parisit apo kryeqyteteve të tjera në botë, Bashkia e Tiranës mendon se është koha për një ligj të posaçëm edhe për statusin e kryeqytetit shqiptar. Ligji synon më shumë autonomi financiare si qyteti jo vetëm i rezidentëve të saj por i të gjithë shqiptarëve.

"Tirana i ofron shërbim jo vetëm 1 mln qytetarëve të saj po çdo ditë vijnë fjala vjen rreth 70 mijë mjete që nuk janë të Tiranës, këto mjete kalojnë në rrugët e Tiranës dhe i amortizojnë më shpejt, krijojnë mbeturina që duhen mbledhur mbi ato që krijojnë qytetarët e Tiranës që domethënë ofrimi i shërbimeve të mirëmbajtjes dhe riparimit të qytetit nuk behet vetëm për rezidentët e Tiranës, por edhe për ata që vijnë në Tiranë", shprehet Arbian Mazniku, nënkryetar i Bashkisë.

Ky funksion i kryeqytetit, sipas nënkryetarit Mazniku, duhet mbajtur në vëmendje nga  qeveria qendrore  kur shpërndan të ardhurat për pushtetin vendor.

"Në shumicën e rasteve që ne kemi parë nga vendet e tjera, kryeqytetet kanë një grant të posaçëm për faktin se janë kryeqytete dhe më pas janë si çdo qytet tjetër në pjesë të formulës pra vendosja në formulën e shpërndarjes së grantit", tha Arbian Mazniku.

Përmes ligjit të ri kërkohen edhe më shumë kompetenca edhe për Policinë Bashkiake.

"Detyrat që policia bashkiake në Tiranë, parkimi fjala bie, është problem më i madh në Tiranë se në vende të tjera, menaxhimi i trafikut të lagjeve, transporti publik, transporti ndërqytetas, pra ka një set çështjes që janë ndryshe nga qytete të tjera ndaj edhe kompetencat e policisë bashkiake në Tiranë duhen parë si kompetenca të posaçme, të ndryshme nga rregullat e përgjithshme të Policive Bashkiake në territor", shprehet Mazniku.

Bashkia kërkon që Tirana të ketë status të veçantë edhe përdorimin e hapësirave publike të kryeqytetit. /Insajderi.com

The post Tirana kërkon "autonomi" appeared first on INSAJDERI.

IS merr përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Irak

Posted: 20 May 2017 07:38 AM PDT

Grupi militant, Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmet vetërasëse ndaj disa pikave të kontrollit në Bagdad dhe në jug të Irakut.

Nga këto sulme janë vrarë të paktën 35 persona dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë, kanë thënë zyrtarët.

Sulmet që ndodhën të shtunën në mbrëmje, erdhën teksa forcat irakiane janë duke zhvilluar një operacion masiv në Mosul, me qëllim që të largojnë ekstremistët nga qyteti i dytë më i madh në vend.

Në Bagdad, një sulm me makinë bombë ka goditur pikat e kontrollit në zonën Abu Dsheer, ku janë vrarë 24 persona dhe janë plagosur 20 të tjerë.

Ndërkaq në jug të Irakut, sulmuesit vetëvrasës po ashtu kanë sulmuar një pikë të kontrollit policor në periferi të qytetit Basra, duke vrarë 11 persona dhe plagosur 30 të tjerë.

The post IS merr përgjegjësinë për sulmet vetëvrasëse në Irak appeared first on INSAJDERI.

Dionis Avdijaj shënon gol të bukur për Schalken [video]

Posted: 20 May 2017 07:34 AM PDT

Sulmuesi i Përfaqësues së Kosovës, Dionis Avdijaj e ka shënuar gol në minutën e dytë në ndeshjen e fundit të Schalkes në udhëtim te Ingolstadt.

Goli i Avdijajt erdhi në fillimin e ndeshjes pas një aksioni të ndërtuar mirë nga skuadra me të  katërta, ku Avdijaj u asistua nga gjermani  Leon Goretzka./Insajderi.com

The post Dionis Avdijaj shënon gol të bukur për Schalken [video] appeared first on INSAJDERI.

Kush duhet të jenë deputetët e ardhshëm të Kosovës?

Posted: 20 May 2017 07:20 AM PDT

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë në Kosovë, thonë se përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, ka nevojë për deputetë që janë të denjë, me integritet të plotë dhe të profesioneve të fushave të caktuara.

Ata kërkojnë përfshirje sa më të madhe të të rinjve, duke besuar se ata do të sillnin një frymë të re në përbërjen e legjislaturës së re.

Kosova pritet t'i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor, pas rënies së Qeverisë nga një mocion mosbesimi në Kuvend dhe shpërbërjes së institucionit ligjvënës.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike në Kosovë, në këto zgjedhje, duhet të sjellin njerëz, të cilët kanë vlera.

"Legjislatura e ardhshme ka nevojë për profil të deputetëve që së pari janë të denjë, me integritet të plotë dhe janë profesionistë të fushave të caktuara. Nevoja është që të ketë sa më shumë profesionistë të fushës së sundimit të ligjit dhe të fushës së ekonomisë, dy fusha ku Kosova vazhdon të ketë shumë probleme", vlerëson Musliu.

Janë shumë vendime e procese që e presin edhe legjislaturën e re, ka nënvizuar Musliu, duke veçuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Po ashtu, sipas tij, mbetet të punohet shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë.

Për të gjitha këto procese, shton Musliu, përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës i duhen deputetë profesionistë.

"Shpresoj shumë që partitë politike në listat e tyre kanë vendosur emra që kanë integritet të plotë dhe janë profesionistë të këtyre fushave, ndërsa se kush do të jetë, besoj që qytetarët do të vetëdijesohen dhe do t'i votojnë ata që kanë vlera, kanë merita dhe jo ata të cilët janë 'gladiator' të partive politike që i shohim në sa e sa zgjedhje", shton Musliu.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 100 u ndahen partive nga radhët e shumicës shqiptare, 10 atyre serbe dhe 10 komuniteteve joserbe.

Në këto ulëse të Kuvendit të Kosovës, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi, do të duhej të ulen njerëz, të cilët kanë kredibilitet dhe të kaluar jo kriminale.

"Mendimi im është që kategoria kryesore që do të duhej ta rriste prezencën në Parlamentin e Kosovës do të duhej të ishin të rinjtë dhe gratë, për arsye se ne jemi vendi me popullatën më të re në Evropë dhe jemi me përqindje më të ulët të rinjve në proceset vendimmarrëse, duke përfshirë edhe Parlamentin. Po ashtu duhet një përfaqësim adekuat dhe dinjitoz i grave jo vetëm në Kuvend, por edhe në Qeveri dhe në të gjitha institucionet tjera ekzekutive të shtetit", thekson Gashi.

Legjislatura e deritashme në Kosovës, nga shoqëria civile, ishte cilësuar nga më të plogështat deri më tash, kur bëhet fjalë për vendimmarrje, përmbushje të agjendës së punës dhe miratim të ligjeve.

Ndryshe, të ardhurat mujore të deputetëve, përfshirë edhe mëditjet, arrijnë apo edhe e tejkalojnë shumën prej 2000 eurosh. /REL

The post Kush duhet të jenë deputetët e ardhshëm të Kosovës? appeared first on INSAJDERI.

Skuadrës që i’u lëvrua fusha fillon të mbledhë nënshkrime për peticion

Posted: 20 May 2017 07:19 AM PDT

Skuadra e futbollit nga Gjakova, Dardanët kanë filluar peticionin për të mbledhur nënshkrime për të mbrojtur fushën e tyre e cila u lëvrua nga disa persona.

"Sot me fillim ne ora 11, nen organizimin e kryesisë se klubit FC DARDANET dhe udhëheqjes se Bashkësisë se V Lokale- Dardania-Gjakove, ne qendër te qytetit, ne sheshin Nene Tereza u mbajt tubim protestues dhe filloj mbledhja e nënshkrimeve për peticionin kundër shkatërrimit dhe tjetërsimit te fushës se Futbolit te klubit Dardanet", thuhet në njoftimin e këtij klubi.

Sipas klubit Dardanët shumë qytetar nënshkruan këtë peticion dhe shprehën pakënaqësinë e tyre rreth kësaj ngjarje.

"Qindra qytetarë nënshkruan peticionin dhe shprehën pakënaqësinë e tyre rreth kësaj ngjarje e cila u vlerësua si sulm kundër sportit dhe rinisë në përgjithësi", thuhet më tej.

Me anë të këtij peticioni qytetaret e mbledhur dhe futbollistet kërkuan mbështetje nga Kuvendi Komunal i Gjakovës që të mos lejohet qe kjo fushe e dedikuar për sport te shitet apo tjetërsohet dhe sa me shpejt te ju rikthehet ne mënyrë qe te gjitha grupmoshat e sidomos fëmijët te kenë hapësirën e tyre ku te zhvillojnë aktivitet sportive./Insajderi.com

The post Skuadrës që i'u lëvrua fusha fillon të mbledhë nënshkrime për peticion appeared first on INSAJDERI.

Mustafa: PDK-ja u dorëzua para partisë së vogël, AAK-së

Posted: 20 May 2017 07:07 AM PDT

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se pas turit të dëgjimit, PDK-ja u dorëzua para partisë së vogël, AAK-së.

"PDK e AAK për dy tre ditë paralajmëruan vendimet kapitale për Kosovën. Por, pasi dështoi në maraton, pas dy vjet e gjysmë, vendimin më të madh PDK e mori pas turit të dëgjimit. Populli i tha dorëzohu se nuk dini me qeverisë dhe u dorëzuan para një partie të vogël", ka shkruar Mustafa.

"Tani, për koalicionin e karavanit të partive, pason “turri”i votës, i cili bashkërisht do t’ua tregoj vendin. Pastaj Do kanë kohë të mendojnë, me kokë, sesi merren vendimet e mëdha", ka shkruar Mustafa./Insajderi.com

The post Mustafa: PDK-ja u dorëzua para partisë së vogël, AAK-së appeared first on INSAJDERI.

Dështimi i Hysenit për ta bindur “The New York Times” se Kosova nuk është çerdhe e terrorizmit

Posted: 20 May 2017 06:51 AM PDT

Shkrimi i gazetës prestigjioze "The New York Times" i disa ditëve më parë ku Kosova konsiderohej se "fidanishte e pëlleshme për terroristë", ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka thënë se raporti i kësaj gazete nuk qëndron aspak në të vërtetë.

Hyseni ka thënë se Kosova është vendi më i suksesshëm në Evropë sa i përket luftimit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe se pretendimet e gazetës "The New York Time" nuk qëndrojnë.

"Ato nuk qëndrojnë, absolutisht jo. Unë e mbaj mend artikullin e famshëm të 'New York Times' i cili fliste për Kosovën si një vend i pëlleshëm për terroristë, një vend që prodhon terroristë, një fidanishte e terrorizmit kështu ishte quajtur Kosova por nuk qëndron", ka thënë Hyseni.

Hyseni ka treguar se ka biseduar për një orë e gjysme me gazetaren e "New York Time" por nuk kishte arritur ta bindte ta përfshinë të paktën një fjalë të Hysenit në raporti.

"Me gjithë respektin për një gazetë si 'New York Times' unë kam biseduar vet me Karllota Galme autoren e atij shkrimi një orë e gjysmë dhe nuk ka mbërri qoftë edhe një fjali timen ta përfshijë në raport", ka thënë Hyseni për Ekonomia Online.

Sipas tij e dëshmon fakti se ka më shumë se një vit që asnjë qytetar i Kosovës nuk iu ka bashkangjitur ISIS-it ose qendrave të krizës në Lindje.

"Për aq sa ne kemi informacione, ka gati diçka më tepër se një vjet që asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës nuk i është bashkangjitur ISIS-it ose qendrave të krizës në lindje. Gjithsesi nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që në rrugë dytësore ose të treta ndonjë qytetarë mund të jetë përvjedhur, por unë po flas për informacionet dhe raportet që ne kemi", ka thënë Hyseni.

Fillimet e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak kishin filluar që nga viti 2012, ku sipas të dhënave thuhet se këtyre luftërave iu bashkuan mbi 300 persona, prej tyre 117 janë kthyer përsëri në Kosovë./Insajderi.com

The post Dështimi i Hysenit për ta bindur "The New York Times" se Kosova nuk është çerdhe e terrorizmit appeared first on INSAJDERI.

Zgjedhjet për Bajram, myftiu i Tiranës: Nuk përbën shkelje

Posted: 20 May 2017 06:30 AM PDT

Myftiu i Tiranës, Ylli Gura ka bërë një deklaratë për shtyp në lidhje me marrëveshjen politike Rama-Basha.

Ai ka sqaruar edhe qëndrimin e Komunitetit Mysliman për çështjen e zgjedhjeve, që zhvillohen në ditën e Bajramit.

"Ne sot, si Komuniteti Mysliman Shqiptar rikthejmë në vëmendje të opinionit kërkesën dhe thirrjen tonë të sinqertë për të patur një proces zgjedhor sa të lirë, të qetë e të sigurtë, duke qenë se dita e Bajramit të Madh mendohet të jetë 25 qershor 2017, ditën e zgjedhjeve, ditë kur ne si komunitet fetar do të japim mesazhin tonë përmes zgjedhjes së udhëheqësisë së vendit", ka thënë Gura.

Duke qenë se edhe muaji i Ramazanit përkon me fushatën zgjedhore, myftiu ka ftuar politikanët që të tregohen të kthjellët.

"I drejtohemi klasës politike që përgjatë këtij muaji të begatë të jenë të kujdesshëm, të matur, që të krijohet një atmosferë paqësore, për mos nëpërkëmbjen e vlerave të Ramazanit. E drejta e votës është përgjegjësi sa historike aq dhe qytetare", ka shtuar Gura.

The post Zgjedhjet për Bajram, myftiu i Tiranës: Nuk përbën shkelje appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more