Skip to main content

“Rusia: NATO s’do të ketë “vlerë të shtuar” me Malin e Zi” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Rusia: NATO s’do të ketë “vlerë të shtuar” me Malin e Zi” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Rusia: NATO s’do të ketë “vlerë të shtuar” me Malin e Zi

Posted: 28 Apr 2017 09:50 AM PDT

Ministria e Jashtme e Rusisë kritikoi vendimin e Parlamentit të Malit të Zi për të ratifikuar marrëveshjen për anëtarësim në NATO. "Marrë parasysh potencialin e Malit të Zi, Aleanca Veri-atlantike nuk ka gjasa të sigurojë vlerë të shtuar. Por, veprimi i Parlamentit pa llogaritur mendimin e popullit, është akt demonstrativ i shkeljes së të gjitha normave dhe parimeve demokratike", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse. E njëjta tha se vendimi u shërben interesave të "forcave të jashtme" që synojnë të krijojnë çarje midis Malit të Zi dhe Rusisë. Parlamenti i Malit të Zi ratifikoi të premtën marrëveshjen për anëtarësim në NATO me votat pro të të 46 deputetëve të pranishëm në seancë. Ligjvënësit e opozitës në legjislaturën me 81 vende e bojkotuan sesionin. Ushtria e Malit të Zi ka rreth 2,000 trupa. Mali i Zi pritet të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Aleancës Veri-atlantike në fund të majit ose fillim të qershorit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ilir Meta zgjidhet president i Shqipërisë

Posted: 28 Apr 2017 09:03 AM PDT

Ilir Meta është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit, të mbajtur të premtën në Parlament. Siç njoftojnë mediat në Tiranë, Meta ka marrë 86 vota për dhe 2 kundër. Emërimi i Metës, kryetar i Kuvendit, është mbështetur formalisht nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama. Meta është udhëheqës i partisë më të vogël qeverisëse, Lëvizja Socialiste për Integrim.  Ai ka qenë kandidati i vetëm i propozuar nga 28 ligjvënës. Votimi i së premtës pason tre rrethe të dështuara të votimit, në të cilat koalicioni qeveritar nuk ka nxjerrë kandidat, duke dashur të përfshijë opozitën në arritjen e një konsensusi më të gjerë. Opozita ka bojkotuar Parlamentin qysh në muajin shkurt, duker kërkuar dorëheqjen e Ramës para zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit dhe duke pretenduar se kabineti i tij do të manipulojë votimet. As parlamentarët evropianë nuk kanë arritur të bindin opozitën që të ndryshojë qëndrimin e saj. Presidenti i Shqipërisë ka një rol kryesisht ceremonial dhe është i kufizuar në dy mandate pesëvjeçare. Kandidatët propozohen nga një grup prej së paku 20 deputetësh në Parlamentin me 140 vende.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump: Ka shanse për një konflikt të madh me Korenë e Veriut

Posted: 28 Apr 2017 08:59 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të donte të zgjidhte krizën në Korenë e Veriut në mënyrë diplomatike, porse është e mundur të ndodhë edhe një "konflikt i madh". "Po, ka shanse të përfundojmë me një konflikt të madh në Korenë e Veriut. Absolutisht", tha Trump, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters. Koreja e Veriut ka kërcënuar se ka kapacitet të sulmojë SHBA-në dhe caqe të tjera me raketa balistike që mund të bartin koka bërthamore. Trump lavdëroi presidentin e Kinës, Xi Jinping, për trajtimin e çështjes së Koresë Veriore, duke thënë se ai është "një burrë i mirë" që e do vendin e tij. Trump, pasi është zgjedhur president, nëntorin e kaluar, ka thënë se Kina nuk bën mjaftueshëm për të frenuar Korenë Veriore dhe se SHBA mund të marrë hapa të njëanshëm.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

REL kërkon të hetohet rasti i gazetares së sulmuar në Maqedoni

Posted: 28 Apr 2017 07:55 AM PDT

Radio Evropa e Lirë bën thirrje për hetime pasi një gazetare e shërbimit të saj në Maqedoni është sulmuar nga një grup protestuesish brenda ndërtesës së parlamentit në Shkup. "Zorana Gadzovska Spasovska ka qenë në parlament kur protestues të zemëruar, disa me maska të zeza, kanë hyrë në ndërtesë, pas vendimit të diskutueshëm për të emëruar Talat Xhaferin, shqiptar, në postin e kryetarit të parlamentit. Sulmuesi, i cili e ka goditur dhe i ka thyer pasjisjet, është identifikuar si punonjës i qeverisë", thuhet në komunikatën e Radios Evropa e Lirë. "Gazetarja tjetër e REL-it, Frosina Dimeska, dhe kameramani Goran Stefanoviq kanë qenë në dhomën për media të parlamentit, në kohën e dhunës. Ata nuk kanë qenë në gjendje të largohen, për shkak të protestuesve jashtë, të cilët kanë bërë përpjekje të thyejën derën", thuhet në reagim. Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, u ka bërë thirrje autoriteteve të kryejnë hetime të shpejta dhe gjithëpërfshirëse për të siguruar se "dhuna kundër gazetarëve nuk kalon pa u ndëshkuar". Për më shumë rreth zhvillimeve në Maqedoni, lexoni këtu.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

I hapet rruga njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë

Posted: 28 Apr 2017 07:53 AM PDT

Qeveria e Kosovës, tre vjet pas miratimit të legjislacionit të nevojshëm, ka formuar Komisionin për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me funksionalizimin e këtij komisioni do të nisë edhe procesi i aplikimit për njohjen e statusit të këtyre viktimave dhe më pas edhe kompensimi. Në këtë mënyrë, 17 vjet pas luftës, institucionet shtetërore do t'i japin mbështetje edhe kësaj kategorie të luftës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha në mbledhjen e qeverisë së bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme, por të rëndësishme për vendin, e sidomos për personat e prekur. Ligji i miratuar siguron përfitime të veçanta dhe pensione në vlerë prej 300 eurosh. Besohet se rreth 20,000 persona i kanë mbijetuar dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mali i Zi voton për hyrjen në NATO

Posted: 28 Apr 2017 07:25 AM PDT

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë votuar vendimin për hyrjen e Malit të Zi në NATO. Gjithsej 46 deputetët votuan. "Këta deputetë sot kanë privilegj historik. Ky vendim nuk ka mund të merret askund tjetër pëerveç në Cetinje. Ditën e sotme e shkruajmë në historinë më të ndritshme të Malit të Zi", ka porositur në fjalën e tij të hryjes kryeministri Dushko Maroviq. Ai ka paralajmëruar se vendimi në Senatin e Spanjës do të merret brenda dhjetë ditëve të ardhshme. Ky do të jetë verifikimi i fundit i nevojshëm që Mali I Zi të bëhet edhe formalisht anëtari I 29 I Aleancës. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq ka shprehur keqardhjen e tiji pse një pjesë e opozitës që e kundërshton anëtarëismin nuk do të jetë në sallë për të shprehur argumentet e saj. Në seancën e Kuvendit ka marrëpjesë edhe presidenti Filip Vujanoviq, si dhe ish kryetarët e Kuvendit Radivoje Brajoviq, Velisav Vuksanoviq dhe Darko Pajoviq. Përfaqësuesit e Frontit Demkoratikdhe organizatave që kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kanë porositur nga tubimi në Cetinje pak para seancës se nuk do ta pranojnë vendimin e parlamentit për vërtetimin e marrëveshjes, me të cilën sigurohen kushtet për hyrjen e Malit të Zi në Aleancë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Analistët: Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, të formohet qeveria

Posted: 28 Apr 2017 06:37 AM PDT

Dhuna ndaj deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë nga protestuesit të cilët të enjten në mbrëmje për disa orë pushtuan institucionin ligjvënës vërteton kërcënimet e vazhdueshme të strukturave të VMRO-së dhe të presidentit Gjorge Ivanov se me të gjitha format e mundshme do të pamundësojnë konstituimin e organeve të reja nga shumica parlamentare e udhëhequr nga LSDM-ja e Zoran Zaevit. Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike. Por, pavarësisht kësaj, Nano Ruzhin, ish diplomat dhe rektor i Universitetit Fon, thotë se njohja e kryeparlamentarit të ri Talat Xhaferi nga shumë shtete me relevancë ndërkombëtare si nga SHBA-të përmes ambasadës amerikane në Shkup, por edhe zyrtarëve të lartë të BE-së, dëshmon se Gruevski po e humb mbështetjen dhe pushtetin të cilët refuzon ta dorëzojë duke u thirrur në atë të njihet si "Platformë e Tiranës". "Njohja e legjitimitetit në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi është një sinjal shumë i fuqishëm që hap mundësi të reja për zgjidhjen e krizës, përkatësisht për zgjedhjen e një qeverie të orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe Aleancës Veriatlantike", thotë Nano Ruzhin. Në këtë kuadër, Pero Dimshoski, ish zyrtar i lartë në sekretariatin për çështje evropiane thekson nevojën e vazhdimit të konstituimit të organeve të reja. Ai thotë se pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeparlamentar, duhet të pasojë akti tjetër i zgjedhjes së qeverisë së re. "Kryetari i ri i Kuvendit u zgjodh publikisht dhe të gjithë ne e pamë procesin e votimit të tij nga shumica parlamentare duke respektuar të gjitha procedurat që i takon partive që kanë shumicën në institucionin ligjvënës. Por, ky proces nuk duhet të ndalet këtu. Kjo shumicë duhet të ndërmerr edhe hapat tjerë të zgjedhjes edhe të qeverisë pavarësisht kundërshtimeve të VMRO-së. Është e qartë se Nikolla Gruevski nuk do të pranojë këtë, por zgjidhje tjetër nuk ekziston përveç konstituivit të organeve të reja, në pajtim me koalicionet mes partive që kanë numrar e nevojshëm", thotë Dimshovski. Por, nga ana tjetër, Aljadin Demiri, njohës i çështjeve politike thotë se Nikolla Gruevskit dhe grupi rreth tij nuk do të tërhiqen dhe sipas tij mund të ketë spirale të re të dhunës. "Struktura paramilitare dhe militare të VMRO-së të udhëhequra nga Ivanov dhe Gruevski, qëllimin e kanë të mos lejojnë formimin e qeverisë dhe unë mendoj se kështu do të vazhdojnë. Fakti që ata tani kanë rrethuar Kuvendin tregon se dhuna ende nuk ka përfunduar dhe se mund të ketë vazhdime. Fakti që policia u vu në mbrojtje të protestuesve tregon se skenari i tyre nuk ka përfunduar dhe se do të vazhdojnë me format që do të jenë të dhunshme", thotë Demiri. Analistët theksojnë nevojën e ndërhyrjes edhe më të fuqishme për zgjidhjen e krizës nga jashtë në mënyrë që situata të mos përshkallëzohet nga skenar të mundshëm destabilizues që kanë ndodhur edhe më parë në Maqedoni. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ahmeti: Nuk do të marrim pjesë në takimin e liderëve të ftuar nga Ivanovi

Posted: 28 Apr 2017 05:42 AM PDT

Ngjarjet e dhunshme në Parlamentin e Maqedonisë i ka dënuar dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Ai nga Tetova ka apeluar për gjakftohtësi dhe njëhërësh ka kërkuar që problemi të mos shndërrohet në problem ndëretnik. "Me këtë rast, apeloj tek të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por, siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin e duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit", ka theksuar lideri i Bashkimit për Integrim Ali Ahmeti. Ahmeti eshte shprehur i prerë se partia që drejton nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov, ngase siç është shprehur, tanimë Ivanovi nuk paraqet pjesë të zgjidhjes së problemit sepse ai është pjesë e problemit. "Mendojmë që Ivanovi është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit dhe nuk mendoj që vendimi në kryesi do të jetë që ne t'i përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhet përdorur mekanizma tjerë për t'i ulur palët, për t'i ulur gjakrat në fillim dhe tani të shihet se cilat masa duhet marrë për veprimet e ardhshme", deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. Ahmeti konfirmon se është në koordinim edhe me forcat tjera politike për të gjetur një zgjidhje të situatës. Ai ka theksuar se në vazhdimësi janë duke rrjedhë veprimet drejt konstituimit të institucioneve. "Mendoj se çdo deklaratë që nxit është e dëmshme në këto momente, që të gjithë duhet të apelojmë për ulje të tensioneve dhe vënie në funksion të institucioneve sepse në rrugë institucionale mund të kanalizohen gjërat dhe të hyjnë në binarë për zgjidhje përfundimtare dhe me thirrje dhe apele për revanshizëm mendoj që na çon në rrugë të pakrye dhe në rrugë të rrezikshme për vetë Maqedoninë", ka theksuar Ahmeti Ahmeti. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stoltenberg dënon sulmin mbi deputetët e Kuvendit të Maqedonisë

Posted: 28 Apr 2017 05:34 AM PDT

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar fuqishëm 'sulmin mbi anëtarët e Parlamentit në Maqedoni' dhe u ka bërë thirrje ' të gjithë aktorëve politikë që të përmbahen'. "E dënoj fuqishëm sulmin e djeshëm mbi anëtarët e Parlamentit në Shkup. Dhuna nuk ka vend në asnjë Parlament. Ju bëj thirrje të gjithë aktorëve politik që të tregojnë qetësi, përmbajtje dhe respekt për proceset demokratike. Dialogu politik është rruga e vetme e arsyeshme dhe e drejt përpara dhe është në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. Shumica e anëtarëve të Parlamentit kanë zgjedhur kryetarin e ri të Parlamentit. Ky është një hap pozitiv drejt zgjidhjes së krizës politike në vazhdim. Procesi demokratik duhet të respektohet. Autoritetet kanë përgjegjësi të plotë që të garantojnë sundimin e ligjit dhe sigurinë në Parlament dhe anëtarët e tij në çdo kohë. Aktet e dhunës, si ato që pamë dje, nuk duhet të lejohen që të ndodhin sërish", thuhet në kumtesën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Qeveria vendos: Demarkacioni procedohet në Kuvend javën e ardhshme

Posted: 28 Apr 2017 05:30 AM PDT

Qeveria e Kosovës do të procedojë javën e ardhshme për ratifikim në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja më e përfolur dhe më e kundërshtuar deri më tani në Kosovë, pritet t'i nënshtrohet procedurës së ratifikimit nga deputetët, me gjithë kundërshtimet e opozitës dhe një numri të deputetëve nga partitë në pushtet. Procedimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Faton Abdullahu. Ai ka thënë se kryeministri dhe Qeveria e Kosovës i kanë kryer të gjitha obligimet, si në aspektin procedural ashtu edhe atë profesional, që çështja e Demarkacionit të procedohet në Kuvend. "Konsiderojmë se marrë parasysh të gjitha rrethanat, si qeveri, është në vullnetin e palëve në koalicion dhe ky vullnet me jep të drejtën të konstatojë që së shpejti, pra jo brenda javëve, por brenda ditëve, përkatësisht javën tjetër, të procedohet çështja e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës", ka thënë Abdullahu. Për shkak të tensioneve dhe mungesës së votave në Kuvend për ratifikimin e Demarkacionit, kryeministri Isa Mustafa qëndroi këto ditë në Bruksel, ku ndër tjera, kërkoi nga Bashkimi Evropian pezullimin e ratifikimit të demarkacionit për dy vitet e ardhshme. Me këtë pezullim, ai kërkoi që për dy vitet në vijim, Kosovës t'i hiqen vizat, me kusht që demarkacioni të ratifikohej pas kalimit të kësaj periudhe kohore. Megjithatë, Brukseli ka insistuar që marrëveshja të vihet sa më parë në Kuvend për ratifikim. Po ashtu, edhe Partia Demokratike e Kosovës si partia më e madhe dhe pjesë e koalicionit qeverisës, i ka kërkuar kryeministrit Mustafa që marrëveshja të procedohet në Kuvend dhe në varësi të ratifikimit apo dështimit, pastaj të shihet nëse vendi do të shkojë në zgjedhje. Ndërkaq nga opozita, është bërë e qartë se Demarkacioni aktual do të kundërshtohet. Sipas partive opozitare, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, procesi duhet të kthehet në pikën zero, pasi që marrëveshja aktuale, siç pretendon opozita, i sjell humbje territoriale Kosovës në një hapësirë prej 8 mijë hektarësh. Qëndrimin kundër marrëveshjes aktuale për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj që në paraqitjen e tij të para qytetarëve, pas kthimit nga Franca, ku ishte mbajtur nën masën e ndalimit për afër katër muaj. "Ne me të drejtë po iu themi, më nuk ju japim, nuk merrni më prej shqiptarëve. Kur them kufiri është në Çakorr, është në Kullë, a e dini se sa pak jam kah kërkoj?-A e dini se sa tokë shqiptare këto 100 vjet na i ka marrë Mali i Zi? - Kosova nuk ka më tokë për t'i falë askujt", ka thënë Haradinaj.  Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes, ishte tërhequr nga votimi në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator të vitit të kaluar, pas tensionimit të gjendjes së sigurisë dhe mungesës së votave për ratifikim. Tani pritet që për herë të dytë, koalicioni qeverisës të provojë ratifikimin e kësaj marrëveshje, për të cilën nevojiten 80 vota të deputetëve. Procedimin sa më të shpejtë të demarkacionit në Kuvend e ka kërkuar së fundit edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, , Hoyt Yee. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Podgoricë: Kuvendi i Malit të Zi pritet të votojë për anëtarësim në NATO

Posted: 28 Apr 2017 05:01 AM PDT

Parlamenti i Malit të Zi sot pritet ta ratifikoj marrëveshjen për anëtarësim në NATO, duke e bërë një kthesë historike kah perëndimi, megjithë protestat nga aleati tradicional Rusia dhe opozita malazeze proruse. Partitë opozitare kanë thënë se do ta bojkotojnë seancën e sotme parlamentare. Disa qindra mbështetës të opozitës janë tubuar afër ndërtesës së parlamentit në Podgoricë duke brohorutir "tradhti" dhe "hajna", derisa ligjvënësit nga koalicioni i partive në qeveri kanë ardhur në parlament. Zyrtarët konsiderojnë se anëtarësimi në NATO do të sjell stabilitet dhe përfitime ekonomike për Malin e Zi, me 645 mijë banorë. Pas ratifikimit të pritur në Parlamentin e Malit të Zi pritet që ky vend të bëhet anëtar i plotfuqishëm i aleancës veriatlantike, në samitin e NATO-s më 25 maj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Një ditë pas kaosit në Parlamentin e Maqedonisë

Posted: 28 Apr 2017 04:18 AM PDT

Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën pranë objektit të Parlamentit të Maqedonisë, një ditë pas eskalimit të situatës, ku protestuesit e dhunshëm u futën në Parlament duke lënë të lënduar dhjetëra deputetë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Papa Françesk e viziton Egjiptin

Posted: 28 Apr 2017 03:59 AM PDT

Papa Françesk sot arrin në Egjipt, ku komuniteti i vjetër i krishter ballafaqohet me sulme të paprecedente të militantëve të Shtetit Islamik (IS). Në mesazhin e tij për popullin e Egjiptit më herët këtë javë, Papa ka shfaqur shpresë se vizita e tij do të ndihmoj në sjelljen e paqes dhe do ta stimuloj dialogun dhe pajtimin me botën islamike. Kjo vizitë e Papës po bëhet në një periudhë të dhimbshme për koptët e Egjiptit, që është komuniteti më i madh i krishter në Lindjen e Mesme, vetëm tri javë pasi nga dy sulme vetëvrasëse të pjesëtarëve të IS-it në kisha u vranë 45 vetë. Këto sulme u bënë pas atij në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur nga bombardimi në një katedralë janë vrarë 28 vetë dhe një vargu të vrasjeve, të cilat kanë ndikuar që qindra persona të krishterë të largohen nga Sinai Verior, ku grupi ekstremist, Shteti Islamik, është shumë aktiv. Përkundër shqetësimeve të sigurisë, Papa Françesk do ta përdorë makinën e tij të zakonshme për vizitën 72 orëshe në Kajro, në harmoni me praktikën e tij që tushmanget makinave të blinduara, me qëllim që të jetë më afër njerëzve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova me potencial të lartë për investitorët 

Posted: 28 Apr 2017 02:59 AM PDT

Disa nga industritë më atraktive për investitorët e huaj, të cilët vlerësohet se do të mund të vinin për investime në Kosovë, nga ekspertë të fushës së ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve konsiderohet të jenë sektori i agrobiznesit, minierat dhe mineralet, si dhe fusha e teknologjisë. Investime ndërkombëtare në Kosovë në vazhdimësi nga njohës të fushës së ekonomisë dhe nga vetë institucionet e Kosovës ishin cilësuar si promotor i zhvillimit ekonomik të vendit si dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës. Ish drejtori i përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka potencial të lartë për investitorë të huaj. "Industritë më atraktive do të ishin fusha e agrobiznesit, janë fusha që përdorin fuqi të lartë punëtore, forca punëtore kushton shumë në perëndim dhe ne mund t'i zëvendësojmë ato industri që në vendet perëndimore është më e shtrenjtë të paguhen. Ne kemi fuqi të lirë punëtore e cila po ashtu është e përgatitur mjaft mirë për të prodhuar produkte për Bashkimin Evropian", thekson ai. Ambienti biznesor në Kosova vazhdon të ketë edhe barriera thekson Lluka, dhe se si të tilla duhet të eliminohen. Kosova, shton Lluka, vazhdon të ketë probleme me furnizim stabil me energji elektrike. "Qeveria duhet t'u ofrojë investitorëve një garanci apo t'i lëjë hapur dyert për negocimin e këtyre problemeve, për shembull, duhet të merr përsipër përmirësimin e infrastrukturës së energjisë elektrike. Qeveria përmes kredive të butë apo në formë të garanteve duhet të ja sigurojë infrastrukturën e plotë dhe të mos e lënë investitorin e huaj të investojë në këtë pjesë", shton Lluka. Ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë e kishte penguar edhe situata jo e mirë politike në vend. Kjo situatë kishte pasur ndikim të madh në rënien e interesimit të kompanive të huaja që të kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë. Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjidhja e problemeve politike në të cilat po kalon vendi do të ishin një sinjal mjaft i rëndësishëm për ardhjen investitorëve. "Në Odën ekonomike Gjermane ka kompani që po interesohen për tregun e Kosovës dhe kjo është një shenjë e mirë dhe një shancë e jashtëzakonshme dhe nëse Kosova do të arrijë të ketë një klimë të mirë politike investimet e huaja nuk do të mungojnë në vitet e ardhshme", thekson Hoxha. Situata politike jo e mirë në Kosovë ishte theksuar edhe nga zyrtarët qeveritare se po pengon interesimin apo ardhjen e investitorëve ndërkombëtar në Kosovë. Megjithëkëtë, kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha, ka bërë të ditur se së shpejti presin një investim të madh të një investitori gjerman në fushën e përpunimit të metaleve. "Ne si Odë shumë shpejt do të shkojmë në një klub të bizneseve në Republikën e Bajernit dhe nga atje ka gjasa të mira që në drejtimin e metaleve dhe përpunimit të metaleve të sjellim në Kosovë një investitor me emër shumë të madh", thotë ai. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte në vend deri në muajin nëntor të vitit të kaluar kanë qenë rreth 220 milionë euro, kurse në vitin 2015 këto investime kanë qenë rreth 320 milionë euro. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Reagime në Kosovë për zhvillimet në Maqedoni

Posted: 28 Apr 2017 02:43 AM PDT

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve në Maqedoni, duke bërë thirrje për dialog "për interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo retorikë që përshkallëzon situatën e tensionuar". Në një komunikatë MPJ thotë se "dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike". Ndërkohë, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri në një deklaratë të tij të postuar në rrjetin social Facebook, ka shrkuar se "Maqedonia është ndërtuar dhe ekziston përmbi pabarazinë dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve" "Tolerimi i deritashëm i dhunës e shovinizmit të Gruevskit e ka sjellë këtë gjendje", tha Ymeri. "Shpresoj që Zijadin Sela, Zoran Zaev, e të gjithë të lënduarit tjerë të shërohen sa më shpejtë. Reagimi i Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë i shpejtë dhe i vendosur. Nuk bën në asnjë mënyrë të jemi indiferent e me dy mendje në kundërshtimin tonë ndaj instalimit të politikës shoviniste në një vend fqinj. Aq më tepër kur aty jetojnë shqiptarët. Aq më tepër kur ky shovinizëm është kundër shqiptarëve", shkruan në facebook Visar Ymeri.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Britani: Policia e ka parandaluar një komplot terrorist

Posted: 28 Apr 2017 02:22 AM PDT

Pas një ndërhyrjeje në një shtëpi në Londër, policia e Britanisë thotë se e ka parandaluar një komplot aktiv të terrorizmit. Neil Basu, zyrtar i lartë i policisë për kundërterrorizëm, tha se gjashtë persona janë arrestuar gjatë një operacioni në të cilin pjesëtarët e njësiteve të kundërterrorizmit përdorën gaz lotjellës, derisa kanë depërtuar me dhunë në në shtëpi në pjesën veriore të Londërs. Një femër në të 20-tat është qëlluar dhe plagosur gjatë ndërhyrjes së mbrëmshme. Raportohet se ajo është në spital në gjendje serioze, por stabile. Neil Basu thotë se po vazhdojnë kërkimet dhe policia beson se personat e arrestuar paraqisnin kërcënim. Ky zyrtar policor tha se personi i pajisur me thika, i arrestuar dje afër zyrës së kryeministres britanike, Theresa May, gjatë një operacioni të ndarë, mbetet në arrest.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Protestuesit shpërndahen me bombola gazi

Posted: 28 Apr 2017 01:21 AM PDT

Protestuesit maqedonas janë shpërndarë me bombola gazi pas kaosit që u krijua në Parlamentin e Maqedonisë ku mbetën të përgjakur dhjetëra deputetë. Ata kanë vazhduar natën në tenda përpara objektit të Parlamentit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Cassini: Fotografi nga distanca më e afërt prej Saturnit

Posted: 28 Apr 2017 12:45 AM PDT

Sonda kozmike, Cassini, e agjencisë së Shteteve të Bashkuara për gjithësi, NASA, dje ka dërguar fotografi nga disatanca më e afërt deri tash nga Saturni, pasi i ka shpëtuar depërtimit të saj të parë në unazat e këtij planeti, ka njoftuar NASA. Disa fotografi ku tregoheshin retë në formë të spirales së Saturnit dhe një stuhi masive, janë dërguar në Tokë nga sonda Cassini, e cila tash e 13 vite po zhvillon studime të Saturnit, në kuadër të një projekti të përbashkët edhe me agjencitë evropiane dhe italiane të gjithësisë. Tash Cassini është në rrethin e saj final rreth Saturnit, ndërsa pardje ishte afruar në një distancë që asnjë sondë tjetër deri tash nuk ka arritur ta realizoj. "Sonda Cassini edhe njëherë në mënyrë impresive ka lënë gjurmë, duke na treguar mrekulli dhe duke demonstruar deri ku mund të na çoj kureshtja jonë nëse ne jemi të vendosur", ka thënë Jim Green nga Administrata për Gjithësi dhe Aeronautikë Kombëtare. Pritet që Cassini t'i fotografoj disa hëna të vogla të brendshme dhe t'i studioj erërat e planetit, retë, dritat polare dhe gravitetin. Nëse Cassini ia del të mbijetoj gjatë udhëtimit të tij nëpër unaza deri më 15 shtator, ai parashihet që ta shkatërroj vetveten duke flutuaruar direkt në atmosferën e Saturnit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuvendi nën kontroll të policisë, Zaev kërkon formimin e qeverisë

Posted: 27 Apr 2017 11:59 PM PDT

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike se pas ngjarjeve të djeshme dhe trazirave 83 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Shkupit, nga të cilët 54 qytetarë, 25 policë dhe 3 deputetë e një gazetar. Shumica e të lënduarve janë lëshuar nga spitalet, ndërkaq disa dhjetëra janë mbajtur për shërim, për shkak të lëndimeve më serioze. Ministria bëri me dije se janë arrestuar 8 persona të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë dhe ata po mbahen në stacion policor.  Ministri i Punëve të brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se një pjesë e strukturave udhëheqëse të dikasterit të policisë nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi. "Kontrolli i brendshëm pranë MPB-së do të kërkojë përgjegjësi ndaj të gjithëve që nuk kanë vepruar në bazë të kompetencave përfshirë edhe anëtarët dhe udhëheqësit e shtabit operativ. MPB-ja është institucion që duhet ta garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike", tha ministri Nuhiu. Nuhiu tha se një pjesë e drejtuesve të dikasterit të policisë nuk kanë vepruar në bazë të ligjeve për të ruajtur qetësinë dhe rendin, por kanë vepruar në bazë të urdhërave që kanë marrë nga qendrat politike. Megjithatë, Agim Nuhiu tha se pjesa më e madhe të punësuarve në dikasterin e policisë janë profesionistë me ndihmën e të cilëve situata është vënë nën kontroll. Ministri Nuhiu tha se të gjithë ata të punësuar që kanë tejkaluar kompetencat, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë. "Apelojmë tek Prokuroria Publike që në mënyrë aktive të inkuadrohet dhe në afat sa më të shpejtë t'i zgjidhim këto çështje. Dua të theksoj se jam i dëshpëruar se një pjesë e protestuesve nuk lejuan që ndihma e parë të hyjë në Kuvend dhe t'u ofrojë ndihmë të lënduarve. Kjo është jo-njerëzore" ,tha ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë. Ai tha se për periudhën katër mujore sa është në krye të këtij institucioni, ndjen përgjegjësi se nuk ka arritur të mënjanojë politikën nga struktura udhëheqëse në MPB. "Për këtë arsye do të kërkojë tërheqjen time nga posti i ministrit të brendshëm", ka theksuar ministri Nuhiu. Zaev: Kemi zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vazhdojmë me institucionet tjera Lideri i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, i cili kryeson shumicën e re parlamentare zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit, edhe pwrkundwr zhvillimeve të dhunshme në këtë institucion gjatë ditës së djeshme, e ka cilësuar si njw hap shumw të rëndësishëm për proceset demokratike "Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike, sipas shumicës parlamentare. Kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve tjera. Uroj Xhaferin dhe e përkujtoj se e mbështesim fuqishëm", ka theksuar lideri I social demokratëve. Duke komentuar zhvillimet e dhunshme në parlament, me c`rast njw pjesë e protestuesve kishin sulmuar deputetët e shumicës parlamentare, ne mesin e të cilëve ishte dhe ai, Zaev tha se dhunuesit ishin pjesëtar të policisë dhe disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij. Lideri i LSDM-së tha se nuk do t'i përgjigjet ftesës së Ivanovit, duke e bërë përgjegjës për atë që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme. Në formë ironike Zaevpyeti se ku do të duhej të mbahet takimi. "Sipas të gjitha gjasave në qendrën klinike sepse veprimet e Ivanovit bënë që kryetarët e partive të marrin lëndime serioze trupore", duke treguar fashat me të cilat kishin lidhur plagët një pjesë e deputetwve që qëndronin pas tij dhe duke theksuar se lideri i LR PDSH, Zijadin Sela ende është i shtrirë në spital. Ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë i ka dënuar dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.  Nga Tetova ai ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe njëherësh ka kërkuar që problemi intra etnik politik të mos shndërrohet në problem ndër etnik. "Me këtë rast apeloj tek të gjithë qytetarët në RM që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit", ka thënë Ahmeti. Ndryshe, përpara Parlamentit të Republikës së Maqedonisë situata duket se është e qetë ndërkohë që në derën kryesore hyrëse të Parlamentit vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra protestues të cilët mbrëmë kanë ngritur tenda. Ndërkohë që rreth godinës së parlamentit ku janë vendosur barrikada metalike për të bllokuar qarkullimin e qytetarëve vërehet prania e përforcuar e forcave speciale të policisë të cilët kanë mbërritur nga shumë qytete të Maqedonisë. Shërbimi për informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se protestuesit të cilët dje kanë hyrë në këtë institucion kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në disa pjesë të kësaj godine përderisa një pjesë e hapësirave për punë, qendra për konferencë për shtyp, por edhe salla "Maqedonia" janë jashtë përdorimit. Nga ky institucion njoftojnë se po bëhen përpjekje maksimale për të kthyer në gjendje normaliteti këtë institucion. Kryetarja e komitetit të Helsinkit në Shkup Uranija Pirovska, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pjesë e inskenimit të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë janë dhe forcat policore të cilat kanë lejuar hyrje të papenguar të protestuesve në Kuvend. Piroska thotë se madje personat e maskuar janë orientuar nga policia se në cilën pjesë kanë qenë të vendosur deputetët të cilët më pas i kanë sulmuar fizikisht persona të maskuar. Ndryshe, gjatë ditës së djeshme qindra protestues në organizim të iniciativës për 'Maqedoni të përbashkët', kanë hyrë në Parlamentin e Maqedonisë dhe kanë sulmuar deputetët e shumicës së re parlamentare pasi ata paraprakisht në një situatë të tensionuar zgjodhën kryetarin e ri këtij institucioni ligjvënës. LSDM fajëson Gruevskin për orkestrim të dhunës në Maqedoni  Proceset demokratike në Maqedoni do të vazhdojnë pavarësisht dhunës së shfrenuar ndaj përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend nga Nikolla Gruevski dhe grupi i ngushtë rreth tij, thuhet në reagimin e LSDM-së, partisë së Zoran Zaevit. ​ Gruevski, sipas LSDM-së, shpëtimin e vetëm e sheh në nxitjes e dhunës, pasigurisë dhe destabilizimit të vendit.  "Askush nuk mund të pengojë besimin dhe vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë për jetë, drejtësi dhe përcaktimin euroatlantik të Maqedonisë. Prioritet kryesor i qytetarëve mbetet realizimi i vullnetit të shumicës së qytetarëve i shprehur në zgjedhje të besueshme dhe transferimit të pushtetit, në përputhje me kushtetutën, rregulloren dhe ligjet e Maqedonisë", thuhet në komunikatën me shkrim. "Institucionet duhet ti marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe të qytetarëve. Ftojnë qytetarët të jetë të qetë dhe të mos bien në provokim të sajuara nga regjimi përmes të cilave, Nikolla Gruevski dhe grupi i ngushtë i krimineleve rreth tij dëshirojnë të provokojnë dhunë dhe pasiguri, pasi nga kjo e shohin shpëtimin e vetëm", thuhet në reagimin e LSDM-së. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, e ka refuzuar ftesën për takim të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të diskutuar zgjidhjen paqësore të krizës së re në vend, të shkaktuar pas hyrjes në Kuvend të protestuesve maqedonas që kanë sulmuar deputetët dhe gazetarët. Të paktën 100 persona u lënduan, në mesin e tyre edhe lideri Social Demokrat Zaev dhe një numër deputetësh të partisë së tij dhe partive të tjera shqiptare, gjatë dhunës së përdorur nga protestuesit. Në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes, njësitet speciale të policisë së Maqedonisë kanë arritur të largojnë nga godina e Parlamentit, protestuesit maqedonas të cilët u futën me dhunë brenda, me ç`rast kanë sulmuar fizikisht deputetët e shumicës së re parlamentare. Qindra qytetarë maqedonas nën organizim të Iniciativës "për Maqedoni të përbashkët", të enjten pak pas orës 18:00 u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë pasi paraprakisht shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja për Reforma, në një situatë të tensionuar zgjodhën Talat Xhaferin për kryetar të ri të Parlamentit të Maqedonisë. Policia ndalon protestuesit Dikasteri i policisë ka bërë të ditur se gjatë natës së enjte ka ndaluar disa protestues të cilët kanë ushtruar dhunë në parlamentin e Maqedonisë duke nënvizuar se gjatë ditës së premte, do të informojnë për numrin e saktë të personave të ndaluar. Nga ky dikaster gjithashtu kanë bërë të ditur se janë evakuar të gjithë deputetët dhe gazetarët të cilët mbetën të ngujuar pas hyrjes me dhunë të protestuesve, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Qytetit ku kanë marrë dhe ndihmën e parë mjekësore. Protestuesit përkrahës të VMRO DPMNE-së i kanë shkaktuar lëndime serioze trupore liderit të Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, liderit Social Demokrat, Zoran Zaev ndërkohë që e kanë tërhequr zvarrë dhe deputeten e LSDM-së Radmilla Shekerinska. Nga partia e Zijadin Selës, Arben Taravari për Radion Evropa e Lirë ka thënë se zoti Sela mbetet nën përkujdesjen intensive të mjekëve përderisa gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Dikasteri i policisë përmes një komunikate për mediat ka bërë të ditur se mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë. Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë. Policia ka përdorur bomba ç'orientuese për t'i larguar protestuesit nga godina e parlamentit. Pas kësaj, një pjesë e protestuesve vendosën tenda para godinës së parlamentit për ta kaluar aty natën, siç kanë thënë, në mbrojtje të Parlamentit të Maqedonisë. Gruevski: Situatën e dhunshme e prodhoi sjellja e liderit të LSDM-së Lideri i VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski, në orët e hershme të mëngjesit ka theksuar se VMRO DPMNE nuk ka asnjë lidhje me dhunën e ushtruar. Ai u ka bërë thirrje oganeve përkatëse që sa më shpejtë të ndriçojnë rastin në fjalë, ndonëse për dhunën e ushtruar në Parlament ka fajësuar LSDM-në. "E dënoj mënyrën se si Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe partitë e tjera që e mbështesin vendosën që të përpiqen që në mënyrë joligjore të zgjedhin kryetar të Parlamentit të Maqedonisë duke i shkelur në formë eklatante të gjitha procedurat ligjore dhe demokratike dhe me vetëdije kontribuan në rritjen e tensioneve dhe polarizimin e shoqërisë sonë", ka theksuar Gruevski. Ai tha se duhet të mbështetet iniciativa e presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov pë realizimin e një takimi mes liderëve të partive kyesore politike për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e situatës së krizës së thellë politike. Por, kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se grusht-shtet ka bërë pikërisht VMRO DPMNE duke i mbajtur të uzurpuara institucionet. "S'do mend se populli nuk mund të jetë puçist. Puçist janë ata të cilët për aq kohë të gjatë i kanë uzurpuar institucionet dhe nuk lejonjnë të konsolidohen organet e parlamentit", ka theksuar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi. LSDM e Zoran Zaevit: Dhuna e përgjakshme nga regjimi në shpërbërje i Gruevskit Edhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaevi përmes një komunikate për mediat në mbrëmjen e së enjtes u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos t'u përgjigjen provokimeve dhe skenarëve të ndryshme të dhunshme. "Në momentet kur një nga sfidat më të mëdha në historinë e Maqedonisë, në dhunë të përgjakshme e nxitur nga regjimi në shpërbërje i Nikolla Gruevkit, LSDM bën thirrje për t'u përmbajtur në mënyrë maksimale nga çdo qytetar pa dallime. Bëjmë thirrje që të qëndroni të qetë dhe të mos bini pre e skenarëve të dhunshme dhe provokimeve të Nikolla Gruevskit dhe grupit të tij të ngushtë kriminal". "Regjimi nuk do të mund t'i ndalojë më proceset demokratike. Shumica parlamentare tani do të realizojë vullnetin e qytetarëve për një Maqedoni demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës", theksohet në komunikatën për media të LSDM-së. Edhe partitë politike shqiptare i kanë bërë thirrje popullatës që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bëhen pre e provokimeve. BE dhe SHBA e kanë përshëndetur zgjedhjen e kryetarit të parlamentit ndërkohë kanë dënuar ashpër dhunën. Zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetarit të ri të Kuvendit e kanë përshëndetur faktori ndërkombëtar, duke e dënuar ashpër dhunën e ushtruar në Parlamentin e Maqedonisë nga ana e përkrahësve të VMRO DPMNE-së. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pentagoni zhvillon hetime lidhur me pagesën e Flynnit në Rusi

Posted: 27 Apr 2017 11:35 PM PDT

Inspektori i përgjithshëm i Pentagonit i ka filluar hetimet lidhur me çështjen nëse Michael Flynn, ish-këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, ka marrë para nga Rusia, pa miratimin e autoriteteve përkatëse amerikane, kanë thënë mbrëmë demokratët në Dhomën Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara. Flynn ishte paguar 45 mijë dollarë amerikanë nga rrjeti televiziv rus RT, gjatë udhëtimit të tij në Moskë në vitin 2015, pasi ishte shkarkuar nga posti i drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës të Mbrojtjes dhe ishte pensionuar në gradën gjeneral në ushtrinë amerikane. Ligjvënësit thanë këtë javë se me gjasë zoti Flynn e ka shkelur ligjin pasi ka dështuar që të kërkoj leje për të marrë pagesë nga rrjti RT, për pjesëmarrje dhe fjalim të tij në një ceremoni, ku ishte ulur afër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Demokratët i kanë publikuar dokumentet e Departamentit të mbrojtjes ku thuhet se Pentagoni nuk ka dëshmi se Flynn kishte kërkuar leje për marrje të fondeve të jashtme, përkundër vërejtjes në vitin 2014 për të mos marrë pagesa të tilla. Robert Kelner, avokat i zotit Flynn, tha se klienti i tij i ka dhënë Pentagonit "informacion dhe dokumente" të nevojshme për vizitën në Moskë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more