Skip to main content

RTSH: “Rama: Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte, por pa vetingun s’ka kompromis” plus 9 more

RTSH: “Rama: Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte, por pa vetingun s’ka kompromis” plus 9 more


Rama: Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte, por pa vetingun s’ka kompromis

Posted: 25 Apr 2017 01:26 PM PDT

Kryeministri socialist Edi Rama ka deklaruar sërish gadishmërinë e tij për dialog pa kushte me opozitën, por shprehu vendosmërinë për ndërmarrjen e procesit të vetingut. “Miq! Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por pa Vetingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet” shkruan zoti Rama në Fejsbuk. Deklarata e tij erdhi pasi udhëheqësi i opozitës  Lulzim Basha e akuzoi si përgjegjës për dështimin e negociatave me eurodeputetët McAllister dhe Fleckenstein.

Basha: Misioni i eurodeputetëve dështoi për faj të Ramës

Posted: 25 Apr 2017 01:07 PM PDT

Kreu i opozitës së djathtë Lulzim Basha ka deklaruar dështimin e misionit të Eurodeputetëve për ti dhënë zgjidhje krizës politike në Shqipëri. Duke folur para përkrahësve të tij në çadrën para selisë së qeverisë, zoti Basha bëri fajtor drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama i cili nuk pranon të japi dorëheqje dhe në vend të krijohet qeveri teknike. Ai e konsideroi qeverinë teknike si kusht të panegocijueshëm për opozitën. Zoti Basha ndërkohë tha se opozita do të përshkallëzojë veprimtarinë e saj deri edhe me mosbindje civile.

Eurodeputetët: Diskutimet kanë qenë pozitive

Posted: 25 Apr 2017 12:57 PM PDT

Përkundër komenteve të ndryshme rreth takimeve të së martës mes kryetarit të Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentit Evropian David McAllister, Raportuesit të Përhershëm të Parlamentit Evropian për Shqipërinë Knut Fleckenstein me krerët e politikës shqiptare Rama, Meta dhe Basha, eurodeputetët kanë dalë me një deklaratë për shtyp ku sipas tytre diskutimet kanë qenë pozitive. Sipas deklaratës që e publikon Zyra për shtyp e BE-së “Të dy deputetët paraqitën propozime për rrugën e zgjidhjes që përfshinte pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik. Ata gjithashtu propozuan ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme para-zgjedhore në strukturat qeveritare për të ndërtuar besimin afatgjatë në sistem”. Gjithnjë sipas deklaratës “Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për emërimin e një Kryeministri teknik dhe për miratimin e një sistemi votimi elektronik për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme” bëhet e ditur në deklaratë. Ndërkaq eurodeputeti Fleckenstein ka deklaruar  për disa media se bisedimet nuk do të vazhdojnë.

Misioni i eurodeputetëve, ende asnjë rezultat në zgjidhjen e krizës

Posted: 25 Apr 2017 12:31 PM PDT

Misioni i eurodeputetëve McAllister dhe Fleckenstein për të ndërmjetësuar mes maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë në Shqipëri për të zgjidhur krizën politike, ende nuk ka dhënë asnjë rezultat. Palët kanë zhvilluar takime të veçanta intensive gjatë pasdites të së martës, por në përfundim të tyre askush nuk ka pranuar të flasi. Mbetet shpresëdhënëse një deklaratë e zotit McAllister se ai do të bëjë më të mirën. Megjithatë disa media po përdorin gjithnjë e më shumë fjalën dështim.
Nga kancelaritë e maxhorancës dhe opozitës lajmet që dalin duket se shkojnë sipas interesave të palëve. Sipas maxhorancës kryeministri Rama ka pranuar gjithshka kanë paraqitur ndërkombëtarët. Nga ana e tij kreu i opozitës Basha nuk ka pranuar faktin që kërkesa për qeveri teknike nuk ka qenë pjesë e dokumentit.
Në vemendje duket se është edhe një plan i prezencës së OSBE-së në Tiranë e cila në fokus ka përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme, por edhe një kompromis për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

FUTBOLL FEMRA, SHQIPËRIA NJEH KUNDËRSHTARËT

Posted: 25 Apr 2017 07:02 AM PDT

Pas kualifikimit historik në turin paraeliminator të Kampionatit Botëror "Francë 2019", Shqipëria e futbollit të femrave ka mësuar sot kundërshtaret e radhës për Eliminatoret e ardhshme. Për Shqipërinë është e dyta herë që merr pjesë në Eliminatoret e Botërorit, teksa edhe më 2013-ën ishte kualifikuar po në tur paraeleminator ndaj Maltës, Luksemburgut dhe Letonisë. Kurse sivjet fitoi 3-2 me Kosovën dhe 2-1 me Greqinë, si dhe barazoi 0-0 me Maltën. E pas hedhjes së shortit, teksa do të jenë 7 grupe eliminatore, Shqipëria do të jetë në grupin e dytë, atje ku do të ketë përballë Zvicrën, Skocinë, Poloninë e Bjellorusinë. Në të dy edicionet që ka marrë pjesë, Shqipëria numëron vetëm një fitore, që i përket 30 tetorit 2013, teksa në "Niko Dovana" të Durrësit mundi Greqinë 1-0. Më pas, numërohen 17 ndeshje të humbura dhe me një mori golash të pësuar. Turi eliminator i Botërorit "Francë 2019" nis më 11 shtator 2017 dhe përfundon më 4 shtator 2018. Shtatë të parat e grupeve kualifikohen në finalet e Botërorit, kurse 4 më të mirat e vendeve të dyta bëjnë "play-off". Dy të kualifikuarat shkojnë në Botëror, ndërsa së bashku me Francën, si vend organizator, bëjnë 10 skuadra nga Evropa.

Rama dhe Meta takohen me McAllister dhe Flackenstein

Posted: 25 Apr 2017 07:01 AM PDT

Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta kanë pritur në mesditë në Tiranë  Zv/presidentin e Partisë Popullore Europiane njëherësh kreu i Komisionit te Jashtëm te Parlamentit Europian, David McAllister dhe raporterin për Shqipërinë Knut Fleckestein. Mendohet se dy europarlamentarët u kanë dorëzuar krerëve të maxhorancës draft-propozimet për gjetjen e një konsesnusi për zgjidhjen e krizës politike. Rreth orës  16 kreu i Komisionit te Jashtëm te Parlamentit Europian, David Mcallister, do të takohet me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Zoti McAllister dhe Fleckestein pritet të dalin në mbrëmje në një konferencë shtypi.

Artisti Fatmir Miziri vjen me ekspozitën “Prurje 2 dhe 3 D” në FAB

Posted: 25 Apr 2017 06:57 AM PDT

"Jeta e tij është arti i tij"… nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në përvojën e tij jetësore, por e jashtëzakonshme është mënyra si ai koleksionon momente jetësore për t’i sjellë si mundësi kujtese personale dhe memorie kolektive. Ky është përkufizimi që kuratori Ardian Isufi i bën artistit Fatmir Miziri, referuar ekspozites së çelur në galerinë Fab, me titull "Prurje 2 dhe 3 D". Në 13 punimet e ekspozuara gjen të alternuar telajon, gurin, drurin dhe hekurin. "Unë i shoh shumë thjesht gjërat, nuk i vë detyrë që do të ndërtoj këtë ide, do përcjell ktë mesazh por gjatë proçesit krijues shumë natyrshëm shfaqet dhe mesazhi që është pjesë e imja e brendshme ashtu sikurse të gjithë elementet që ndërtojnë një objekt apo një vepër. Po ta vini re edhe piktura nuk është thjesht pikturë, ajo shpesh herë merr materiale ekstra siç mund të jenë herë në material i mbivendosur tekstil apo kanavacë apo qoftë edhe ndonjë objekt tjetër. Po kështu ndodh edhe me pjesët dukshëm me materiale siç janë ato me metal, me dru, me gur" tha artisti Fatmir Miziri. Gjuha e artit të Mizirit është marrëdhënia e një ngjarjeje të rrëfyer dhe fshehur pas telajos ose objektit personal. E tillë është vepra "Epitafi i Gllavenicës" grabitur në vitin 1995. Vepra ka shërbyer si ngacmim, reflektim për të kaluarën. Rezultat i këtij ngacmimi ka qënë dhe vepra me të njëjtin titull, ekspozuar në galerinë FAB.

Manastirliu: Në 2018 do kemi vaksinën e re për rotavirusin

Posted: 25 Apr 2017 06:33 AM PDT

Pritshmëritë e shefes së kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino parathënë dy ditë më parë në TVSH, për futjen e vaksines së rotavirusit në kalendarin kombëtar të vaksinimit u konfirmuan sot zyrtarisht nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në kuadër të javës europiane të vaksinimit, ministrja së bashku me përfaqësues të OBSH dhe UNICEF tha nga qendra shëndetësore nr.3 në Tiranë se kjo do të ndodhe në Janar të 2018. "Kalendari jonë duhet ti afrohet sa më shumë kalendarit europian të vaksinimit dhe gjithashtu edhe me rekomandimin e OBSH-së, ne të fillojmë dhe të zgjerojmë ktë kalendar kështu që mendojmë dhe do tja arrijmë që nga viti 2018 të fusim dhe një vaksinë të re që është vaksina e rotavirusit.Pra për të gjitha ato problemet diarretike" tha ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Mjekët e konsultores i bënë thirrje prindërve që të mos hezitojnë të vaksinojnë fëmijet e tyre, pasi vaksinat janë efektive dhe të sigurta. Ndërsa ekspertja e shëndetit publik dr. Silva Bino u shpreh se mënyra e ruajtjes së vaksinave bëhet sipas standarteve të OBSH. Brenda këtij viti ne do të kemi kartelën e detyrueshme të vaksinimit për punonjësit e shëndetësisë, të cilët do të mbrojnë jo vetëm veten por edhe pacientët e tyre. E po kështu edhe një kalendar të përcaktuar vaksinimi për femrat e moshës riprodhuese dhe gratë shtatëzëna për të patur fëmijë të shëndetshëm.

Vritet në atentat ish oficeri i policisë dhe miku i tij

Posted: 25 Apr 2017 06:22 AM PDT

Një ish oficer policie dhe një person i shoqëruar me të kanë mebtur të vrarë sot në mesditë në një atentat pranë Sukthit në autostradën Tiranë-Durrës. Automjeti i tyre një "Audi A8", u qëllua në lëvizje nga një fuoristadë e zezë, e cila është larguar me shpejtësi. Sipas dëshmitarëve mbi Ervin Dalipaj dhe Xhino Dautaj janë derdhur të paktën 20 plumba. Ish-polici Dalipaj ishte prej disa kohësh person në kërkim si i dyshuar dhe bashkëpunëtor në vrasjen e një personi. Ai ka qenë zyrtar i lartë i krimit ekonomik në Policinë e Tiranës.

Protesta e PD-së, proçedohet kreu i saj Basha dhe disa deputetë

Posted: 25 Apr 2017 06:10 AM PDT

Gjysma e grupit parlamentar të Partisë Demokratike u kallzua penalisht nga policia për zhvillimin e protestës së ditës së henë ku për 1 orë pesë akse kryesore të vendit bllokuan qarkullimin e automjeteve. Me akuzën e Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe atë të pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit do të përballen 21 deputetë të opozitës , kreu i Partisë Demokratike dhe 8 organizatorë të kësaj force politike në rrethe. Lista që policia i ka referuar prokurorisë së Tiranës, një kopje të së cilës e disponon edhe Televizioni Shqiptar kryesohet nga kryedemokrati Lulzim Basha duke u pasuar nga deputetët Oerd Bylykbashi, Gerti Bogdani, Flamur Noka, Eduart Halimi, Gent Strazimiri, Asllan Dogjani, Igli Cara, Kastriot Islami, Genc Pollo, Keltis Kruja dhe Edi Paloka. Ndërkohë për bllokimin e transportit në rrethrrotullimin e Plugut , në prokurorinë e Lushnjës janë proçeduar penalisht deputetët Arben Ristani, Roland Bejko, Liljana Elmazi dhe eksponentë të partisë demokratike në disa rrethe Myslim Murizi, Lefter Maliqi, Luan Baçi, Agron Kapllani dhe Moisi Meminaj. Policia e Lushnjës ka proçeduar gjithashtu edhe qytetarët pjesmarrës në këtë tubim. Përsa i përket bllokimit të qarkullimit të mjeteve në rrethrrotullimin e Bradasheshit para organit të akuzës do të përgjigjen deputetët Luçiano Boçi, Edmond Spaho dhe organizatorët Ismail Elezi, Aurel Bylykbashi dhe Florenc Hoxha. Ndërsa në prokurorinë e Lezhës janë proçeduar deputetët Aldo Bumçi, Elidon Bushati, Irma Kopliku, Alban Zeneli dhe Albina Dede për tubimin e mbajtur në rrethrrotullimin e Milotit. Policia thotë se Partia Demokratike ka zhvilluar tubime të jashtëligjshme, por ky pretendim është hedhur poshtë nga organizatorët opozitarë të cilët thanë se sipas ligjit kanë njoftuar strukturat ligjzbatuese. Në bazë të akuzave të ngritura mbi deputetët demokratë dhe kryetarin e kësaj partie Lulzim Basha, ata rrezikojnë nga gjobë deri në dy vjet burg për akuzat, pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme dhe atë të pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit. Tashmë mbetet në dorën e prokurorëve për të parë nëse në denoncimet e policisë ka elementë të veprës penale ose jo.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more