Skip to main content

INSAJDERI: “Serbia ka pesë ditë kohë të ankohet për lirimin e Haradinajt” plus 19 more

INSAJDERI: “Serbia ka pesë ditë kohë të ankohet për lirimin e Haradinajt” plus 19 more


Serbia ka pesë ditë kohë të ankohet për lirimin e Haradinajt

Posted: 27 Apr 2017 09:38 AM PDT

Gjykata e Colmarit në Francë e ka liruar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbajtjes për katër muaj, për shkak të një fletëarresti të lëshuar nga Serbia në Interpol.

Tani Serbia do të provojë që luftën e saj në këtë çështje ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit që sipas rregullave të drejtësisë franceze, ka afat pesë ditë, njofton Klan Kosova.

Për lirimin e Haradinajt kanë raportuar të gjitha mediat botërore, përfshirë edhe gazetën prestigjioze amerikane, The New York Times.

The Times në artikullin për lirimin e Haradinajt ka përmendur edhe deklaratën e Daut Haradinajt, se nëse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit vëllai i tij, nuk lirohet, por ekstradohet në Serbi, atëherë Kosova futet në luftë.

 

The post Serbia ka pesë ditë kohë të ankohet për lirimin e Haradinajt appeared first on INSAJDERI.

Kushti i deputetëve të LDK-së për të votuar demarkacionin

Posted: 27 Apr 2017 09:25 AM PDT

Deputetët 'rebelë' të LDK'së, që kundërshtojnë Demarkacionin, kanë propozuar tek Kryeministri Isa Mustafa një zgjidhje që do t'i bindte ata ta votonin këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe do të shpëtonte Qeverinë Mustafa nga shpërbërja e saj.

Rreth 15 deputetë të LDK'së, në mesin e tyre edhe ata që publikisht kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit për shënjimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, përmes një letre të drejtuar kryeministrit Isa Mustafa, i kanë propozuar atij që para se ta procedojë në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin, t'i shtohet asaj një nen i ri.

Në letrën e tyre, përmbajtën e së cilës e ka siguruar Gazeta Express, deputetët propozojnë që drafti për demarkacion që shkon në Kuvend, të përmbajë edhe një pikë të nenit që obligon Qeverinë e Kosovës që pas dy viteve ta rishqyrtojë një pjesë të vijës kufitare me Malin e Zi.

Kulla e Zhlepit dhe Çakorri janë zonat kufitare që këta deputetë duan të rishqyrtohen, pasi pretendohet se në këtë pjesë Kosova ka humbur disa hektarë tokë, që kanë kaluar në pronësi të Malit të Zi, shkruan Gazeta Express.

Deputetët, tutje i kanë sqaruar kryeministrit Mustafa se kësisoj ata do ta votonin Demarkacion, procedimi i të cilit është paralajmëruar të ndodhë javën e ardhshme. Kjo sipas tyre do ta shpëtonte koalicion me PDK'në nga shpërbërja e tij, pas sinjaleve të këtyre të fundit se në rast se LDK'ja nuk siguron votat për votimin e kësaj marrëveshje, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gazeta Express ka provuar të enjten që të marrë konfirmim për letrën në fjalë nga deputetët të cilët e kanë nisur atë, por asnjeri prej tyre nuk ka pranuar të komentojë. E as nuk e kanë mohuar se kanë ofruar ndonjë zgjidhje.

Këtë kërkesë të cilën e mbështeten 15 deputetë të LDK'së e ka konfirmuar për gazetën Express nënkryetari i parë i LDK'së, Lutfi Haziri, i cili po ashtu heq dilemat se një propozim i tillë ka ardhur për t'i evidentuar zgjedhjet e jashtëzakonshme.

"Kryeministri Mustafa vazhdimisht ka takime me deputetët e tij. Një kërkesë e tillë ekziston. Ne po mundohemi që i evitojmë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Diskutimet e tilla janë normale për kryeministrin, por edhe për deputetët", konfirmoni kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Gazeta Express, po ashtu, ka provuar të enjten që të marrë komente për letrën në fjalë nga deputetët të cilët e kanë nisur atë, por asnjeri prej tyre nuk ka pranuar të komunikojë rreth saj.

 

The post Kushti i deputetëve të LDK-së për të votuar demarkacionin appeared first on INSAJDERI.

FIFA dënon Shqipërinë për incidentet në Palermo

Posted: 27 Apr 2017 09:17 AM PDT

FIFA ka dënuar Shqipërinë me një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane për incidentet e shkaktuara në ndeshjen me Italinë.

Mendohej se do të kishte një dënim më të rëndë pas ngjarjeve që shkaktuan ndërprerjen e takimit në Palermo.

Por FIFA ka vendosur që Shqipëria të dënohet vetëm me gjobë, duke shmangur kësisoj dënimin e fushës apo zhvillimin e ndeshjeve jashtë pa praninë e tifozëve.

The post FIFA dënon Shqipërinë për incidentet në Palermo appeared first on INSAJDERI.

“Kloni” i Lionel Messit

Posted: 27 Apr 2017 09:08 AM PDT

Një person në Iran po quhet si personi që ngjanë më së shumti në botë me Lionel Messin. Riza Perestes quhet ky njeri që të jep përshtypjen se është vëllau binjak i Leos.

Madje Riza ka filluar ta ndjekë stilin e futbollistit argjentinas duke mbajtur stilin e njëjtë të flokëve dhe mjekrës së tij.

Shumë media të huaja po tentojnë të kontaktojnë me të pas famës që ka arritur si “kloni” i Messit./Indeksonline/

The post “Kloni” i Lionel Messit appeared first on INSAJDERI.

BE reagon ndaj dispozitave për shpifjen e fyerjen në Kodin Penal

Posted: 27 Apr 2017 09:01 AM PDT

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se është e brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për të ndryshuar e plotësuar Kodin Penal të Kosovës me dispozita të reja për shpifjen dhe fyerjen.

"Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim", thuhet nw njw njoftim pwr media tw Zyrws sw BE-sw.

"Dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet", thuhet tutje nw njoftim.

Në komunikatë thuhet se BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane.

Kodi aktual Penal i Kosovës parashikon që fyerjet dhe shpifjet të dënohen me gjobë, dhe trajtohen përmes Ligjit për Shpifje.

Por, drafti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë tashmë ka një plan tjetër për njerëzit që nuk mund të përmbahen në shprehjen e mllefit ndaj udhëheqësve të tyre apo shtetit.

"Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë", thuhet në draftin e këtij projektligji.

Përkufizim i njëjtë vlen edhe për shpifjet ndaj "Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese, ose një prej anëtarëve të tyre."/Insajderi.com

The post BE reagon ndaj dispozitave për shpifjen e fyerjen në Kodin Penal appeared first on INSAJDERI.

Rrjeti i dyqaneve Meridian organizon “Ditët e pastrimit në lagjen tone”

Posted: 27 Apr 2017 08:48 AM PDT

Rrjeti i dyqaneve të lagjes Meridian Express, për të tretin vit me rradhë, organizoi sot aktivitetin tradicional "Ditët e pastrimit në lagjen tonë". Pikënisja e këtij aktiviteti, ishte në lagjen Ekrem Rexha në Prishtinë, ku kontribut në këtë lagje ofroi edhe organizata "Let's do it Kosovo" si dhe nxënësit e Shkollës Fillore "Model".

"Ne besojmë se është detyrë e jona e përbashkët që t'a mbrojmë ambientin dhe rrethinën ku jetojmë dhe i rrisim fëmijët tanë. Mirëpo, duke synuar që të jemi qytetari më i mirë korporativ në Kosovë, ne si Meridian e kemi filluar këtë aktivitet bashkë me shumë partner dhe qytetarë tjerë që po na mbështesin, dhe me këtë aksion ne duam t'a ngrisim vetëdijen e gjithmbarshme qytetare për rëndësinë e ambientit dhe rrethinës tonë, si dhe të nxisim aktinizëm qytetarë për ruajtjen e ambientit" ka thënë Yllka Mustafa Menaxhere Marketingu në Meridan Express.

I njejti aktiviteti, po organizohet nga stafi dhe banorët e lagjeve ku operojnë 35 pikat Meridian Express.

The post Rrjeti i dyqaneve Meridian organizon "Ditët e pastrimit në lagjen tone" appeared first on INSAJDERI.

Gjykata franceze: Ekstradimi i Haradinajt do të kishte pasoja të rënda

Posted: 27 Apr 2017 08:33 AM PDT

Gjykata franceze ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e Haradinajt pasi siç ka thënë ajo, nuk janë plotësuar të gjitha kërkesat formale nga Serbia.

Arsyetimi i vendimit të Gjykatës franceze renditet në katër pika të cilat çuan që gjykata të mos e ekstradoj Ramush Haradinajn në Serbi.

* Gjykata ka konsideruar se në kërkesën e 01/06/2017 nuk janë plotësuar të gjitha kërkesat formale të nevojshme nga ana e Serbisë.

*Franca ka kërkuar fakte dhe dëshmi të reja dhe jo ato me të cilat është marrë gjykata e Hagës.

*Ramush Haradinaj nuk ka qenë dakord që të ekstradohet në Serbi.

*Gjykata konsideroi se ekstradimi i Ramush Haradinajt do të llogaritej si padrejtësi dhe do të kishte pasoja të rënda.(lajmi.net)

The post Gjykata franceze: Ekstradimi i Haradinajt do të kishte pasoja të rënda appeared first on INSAJDERI.

Britani, për herë të parë një shumicë kundër Brexit

Posted: 27 Apr 2017 08:29 AM PDT

Britania e Madhe vazhdon të jetë e ndarë për vendimin e daljes nga BE. Por për herë të parë, një shumicë e pyetur e kundërshton Brexit.

Për herë të parë një shumicë britanikësh shpreh keqardhjen për vendimin për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kjo rezultoi nga një sondazh e institutit demoskopik Yougov, të botuar në gazetën britanike The Times. Gazeta gjermane Die Zeit që e citon këtë sondazh, shkruan në numrin e sotëm online se 45 përqind e personave të pyetur shprehën keqardhje për këtë vendim, 43 përqind e përshëndesin këtë vendim dhe dymbëdhjetë përqind qenë të pavendosur.

Pyetja që iu bë britanikëve ishte: “A mendoni, tani më pas, se pati të drejtë apo e pati gabim Mbretëria e Bashkuar (kur vendosi) të largohet nga BE?”. Die Zeit vëren njëkohësisht se rezultati i sondazhit tregon edhe më tej se britanikët janë edhe më tej të dyzuar në vlerësimin e Brexitit. 89 përqind e atyre që votuan pro qendrimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian i përmbahen vendimit të tyre të atëhershëm, kurse te mbështetësit e Brexitit kjo shifër është 85 përqind.

39 përqind e të pyeturve janë të mendimit se gjendja ekonomike e Britanisë së Madhe do të keqësohet jashtë Bashkimit Evropian. Dhe 36 përqind janë të bindur se vendi i tyre do të ketë ndikim më të vogël në botë, përballë 19 përqind që mendojnë se ndikimi britanik do të rritet.(dw)

The post Britani, për herë të parë një shumicë kundër Brexit appeared first on INSAJDERI.

Si u bë Facebook, “shtëpia” e psikopatëve

Posted: 27 Apr 2017 08:22 AM PDT

Thënia e vjetër "kujdes se çfarë kërkon" të vjen menjëherë në mendje. Pak kohë më parë, Facebook filloi Facebook Live, një shërbim që u mundëson përdoruesve të transmetojnë video të drejtpërdrejta para botës. Menjëherë pasi u aktivizua shërbimi, themeluesi dhe CEO i kompanisë, Mark Zuckerberg, tha se ai do të mbështeste të gjitha mënyrat "personale dhe emocionale dhe të papërpunuara" me të cilat njerëzit komunikojnë. Përdoruesit u inkurajuan të "shfaqeshin live" në mjedise të rastësishme – duke pritur bagazhin në aeroport, për shembull, ose duke ngrënë në një restorant.

Vini re frazën "të papërpunuara". Facebook Live ka transmetuar tashmë live momentet kur një burrë me aftësi të kufizuara lidhet, rrihet dhe pritet me thikë. Në mars, dyadoleshentë në Chicago u shfaqën live duke përdhunuar një adoleshente. Dhe afro 40 përdorues të Facebook e panë videon, pa e raportuar tek Facebook apo policia.

Me sa duket ishte vetëm preludi. Të dielën në mëngjes, Robert Goduin, një 74-vjeçar po ecte në rrugë në Cleveland, Ohio, duke parë punën e vet. Atij iu afrua një 37-vjeçar me emrin Steve Stephens, që i kërkoi të thoshte emrin "Joy Lane". Goduin e tha, dhe pas kësaj Stephens e qëlloi për vdekje. Stephens hodhi më pas tre video në Facebook, mes orës 11.09 dhe 11.22. Në të parën, shpallte qëllimin e tij për të kryer vrasje. Dy minuta më vonë, hodhi në Facebook një filmim të vrasjes. më pas në 11.22 doli "live" në Facebook duke u rrëfyer. Facebook e mori raportin e parë për vrasjen në orën 12.59 dhe e çaktivizoi llogarinë e Stephens 23 minuta më vonë. Joy Lane ishte emri i të dashurës së tij, me të cilën kish patur vështirësi kohët e fundit.

Facebook, natyrisht, është i tmerruar nga e gjithë kjo. "Ky është një krim i tmerrshëm dhe ne nuk lejojmë këtë lloj përmbajtjeje në Facebook," tha një zëdhënëse në një deklaratë të dërguar në Uashington Post. "Ne punojmë shumë për të mbajtur një mjedis të sigurt në Facebook dhe jemi në kontakt me organet e zbatimit të ligjit në raste emergjencash, kur ka kërcënime të drejtpërdrejta për sigurinë fizike".

Dakord. Por çfarë është kjo? Kompania ka një blog zyrtar të dedikuar për Facebook Live. "Që nga dalja e Facebook Live," thotë artikulli në 18 prill – domethënë dy ditë pas vrasjes së Goduin – "kemi parë njerëz dhe botues anembanë botës që shfrytëzojnë mundësinë për të ndarë përvojat e tyre, teksa ato ndodhin, sidomos gjatë momenteve të rëndësishme kulturore. Ne kemi qenë të frymëzuar nga kreativiteti që kemi parë".

Pra, po shohim shfaqjen e një modeli: një përqindje e vogël e përdoruesve të Facebook (dhe duke qenë se janë 2 miliardë tillë, ky është një numër i konsiderueshëm njerëzish) janë psikopatë, sociopatë ose të çmendur. Disa gëzojnë duke shkaktuar dhimbje ndaj të tjerëve dhe – më keq – transmetojnë veprimet e tyre për sytë e botës. Deri kohët e fundit, kjo dëshira e fundit ka qenë e vështirë për t'u plotësuar. Por tani teknologjia digjitale, në formën e aplikacioneve të tilla si Periscope dhe shërbime të tilla si Facebook Live, u ka ardhur në ndihmë. Mendojeni si kanali "Psikopatët jemi ne".

Çdo kompani normale që do të kishte një produkt tnë gjendje për të prodhuar rezultate të tilla toksike, do ta mbyllte. Por Facebook nuk është një kompani normale: nuk i bën paratë e veta nga shitja e gjërave për ne, por nga analiza e veprimeve tona dixhitale, pëlqimeve dhe klikimeve, dhe fiton duke ua shitur ato të dhëna reklamuesve, të cilët shpresojnë që reklamat e tyre në këtë mënyrë mund të shënjestrohen më saktë.

Duket se Facebook mund të kërkojë më shumë para, për reklama që vendosen në video, kështu që shërbimi Live sjell më shumë fitime. Duke pasur parasysh këtë, problemet e PR që vjen nga abuzimet me shërbimin nga psikopatët, është thjesht kostoja e të bërit biznes. Përveç kësaj, a nuk do të ishte gabim të lejonim disa të marrë, që të frenonin kreativitetin e njerëzve që dëshirojnë të "ndajnë përvojat e tyre ashtu si ato ndodhin, veçanërisht gjatë momenteve të rëndësishme kulturore"?

"E gjithë jeta njerëzore është aty", ka qenë dikur një slogan i "News of the World", tashmë e mbyllur. Nuk ishte asnjëherë e vërtetë për atë organ. Por është e vërtetë për internetin, dhe këtë po mësojmë; jo vetëm nga Facebook Live, por nga media sociale në përgjithësi. Duket sikur Interneti mban një pasqyrë për natyrën njerëzore. Shumë prej atyre që shohim të reflektohen janë banale dhe të parashikueshme, por disa prej gjërave që na thotë për veten tonë janë ashtu si vrasja e Goduin, thellësisht shqetësuese.

Ndoshta kjo është arsyeja përse Facebook mendon që ne nuk duhet të vrasim korrierin. Eshtë një variant i argumentit të Shoqatës Kombëtare të Pushkatarëve: armët nuk vrasin njerëz – janë njerëzit që vrasin njerëz. Dhe është një gjepur. / The Observer – bota.al

The post Si u bë Facebook, "shtëpia" e psikopatëve appeared first on INSAJDERI.

Guardiola thotë se Premier Liga po e bën trajner më të mirë

Posted: 27 Apr 2017 08:15 AM PDT

Pep Guardiola pranon se jeta e Premier League ka qenë një "mësim i madh" për të. Ai mendon se tashmë është "një trajner më i mirë", pavarësisht dështimit për të siguruar "argjend" me Manchester City, në sezonin e parë.

Trajneri katalanas nuk e ka diçka të zakonshme për ta përfunduar sezonin duarbosh, pasi nuk i ka ndodhur kështu më parë, në stolin e Barcelonës dhe Bayern Munich. Guardiola, megjithatë, mendon se përvoja e tij te Manchester City e bën atë trajner më të mirë, ndërsa shikon përpara dhe vazhdon të punojë drejt qëllimeve afatgjata.

"Unë nuk jam një trajner më i keq, sepse nuk kam fituar titullin. Përkundrazi, ndihem sikur jam trajner më i mirë se më parë, sepse kam mësuar shumë në këtë vit të parë në Premier League, kam fituar më shumë përvojë. Kam mësuar të merrem me situatat edhe më mirë se më parë. Normalisht, kur ndodh diçka për herë të parë, mbetet në mendje, kështu që mbetja pa asnjë trofe pas nëntë vitesh të suksesshme nuk është gjë e mahnitshme", ka thënë ai për Sky Sports

"Në Spanjë ka ekipe fantastike, që nuk do të fitojnë asgjë këtë vit, por kjo do të ndodhë në të gjithë Europën. Unë pres që të kem një karrierë të gjatë si trajner dhe kjo situatë do të ndodhë përsëri, një vit tjetër", ka shtuar ai.

Ekipi i Guardiolas u mopsht nga Arsenali në gjysmëfinale të Kupës FA duke shuar përfundimisht shpresat për trofe këtë vit.(telesport)

 

The post Guardiola thotë se Premier Liga po e bën trajner më të mirë appeared first on INSAJDERI.

Mediet në Serbi kujtojnë “sulmet” e UÇK-së ndaj Serbisë

Posted: 27 Apr 2017 07:49 AM PDT

Përmes dy videove nga arkivat ku Ramush Haradinaj, dëgjohet duke përgatitur mbrojten e Kosovës nga Forcat Serbe, mediet në Serbi kanë kujtuar siç i kanë quajtur ato sulmet e Haradinajt ndaj Serbisë.

Në videon e parë Haradinaj si komandant i zonës operative të Dukagjinit, tregon për strategjinë e mbrojtjes së UÇK-së ndaj forcave serbe.

Në këtë video Haradinaj tregon strategjinë e UÇK-së e cila përdorej për të mos lejuar sulmet e Serbisë.

Haradinaj ndër të tjera tregon për betejën tek "Ura e Demës", ku janë vrarë më shumë se 30 ushtarë serb.

"Gjatë tentimet për të depërtuar forcat serbe për 3 ditë radhazi janë detyruar të tërhiqen për shkak të sulmeve nga krahët që i janë bërë", thotë Haradinaj.

Mediet në Serbi kujtojnë "sulmet" e UÇK-së ndaj Serbisë

Në videon tjetër të Tanjugut nga Serbia ka shfaqur një dokumentar të UÇK-së, nga televizioni francez ku Haradinaj si komandant i zonës së dukagjinit, tregonte për gjendjen e asaj kohë që mbretëronte.\

Këto video të publikuara në Serbi, vinë pasi vendimit të Gjykatës franceze në Colmar, për refuzimin e kërkesës së Serbis për ekstradimin e Ramush Haradinajnt.

Haradina është akuzuar nga Serbia për krime lufte gjatë viteve 1998-1999 sa ai kishte qenë komandant i zonës operative të dukagjinit.

Haradinaj ishte shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, që ishte themeluar për krimet në ish-Jugosllavi, ndërsa ka vazhduar një proces disamujor tash në Colmar të Francës./Insajderi.com

The post Mediet në Serbi kujtojnë "sulmet" e UÇK-së ndaj Serbisë appeared first on INSAJDERI.

Merkel: Britania të mos ketë iluzione për lëshime nga BE

Posted: 27 Apr 2017 07:37 AM PDT

"Britania nuk duhet të ketë iluzione për lëshime nga ana e Bashkimit Europian". Ka qenë mjaft e ashpër deklarata e Angela Merkelit në "Bundestag"-un gjerman lidhur me qëndrimin e Berlinit ndaj "Brexit"-it.

Mesazhi në fakt u drejtohej njëkohësisht edhe anëtarëve të tjerë të bllokut. Kryetarja e ekzekutivit gjerman e paralajmëroi Londrën të mos ketë iluzione e të mos presë një marrëveshje privilegjuese.

"Një shtet i tretë nuk mund të shijojë të njëjtat avantazhe, ose të pozicionohet më mirë sesa një vend anëtar i BE-së. Unë kam ndjesinë se disa njerëz në Britani kanë iluzione në këtë drejtim. Por janë duke e humbur kohën kot", tha Angela Merkel.

Në fjalën e mbajtur pak përpara takimit të Këshillit Europian mbi "Brexit"-in, këtë fundjavë, Merkel shtoi se Britania e Madhe duhet të sqarojë raportin e saj me Bashkimin Europian, e vetëm pas kësaj do të mund të kalohet te negociatat.

Mes çështjeve që presin shpjegim është edhe ajo financiare. "BE-ja, – tha kancelarja, – do t'i drejtojë bisedimet në mënyrë të ndershme e konstruktive dhe pret që Londra të bëjë të njëjtën gjë".

Ajo shtoi se Gjermania dhe BE-ja mbeten për çdo rast të interesuara për një Mbretëri të Bashkuar të fortë e në mirëqenie, duke kujtuar këtu interesat e përbashkëta jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

The post Merkel: Britania të mos ketë iluzione për lëshime nga BE appeared first on INSAJDERI.

Vdes duke lexuar live Kuranin

Posted: 27 Apr 2017 07:30 AM PDT

Një recituesi indonezian i Kuranit, Sheik Ja'far Abdulraham ka vdekur duke recituar vargje nga libri më i vlefshëm i Islamit gjatë një ceremonie zyrtare.

Abdulrahman ishte duke recituar vargje nga Surja al-Mulk në prezencë të Ministrit për Punë Sociale kur pësoi sulm në zemër duke mos mundur ta përfundojë recitimin e tij. Më pas ai u largua që aty nga mjekët.

Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane. Islami ishte pranuar së pari nga indonezianët në Sumatra në shekullin e 13-të pas ndikimit të tregtarëve myslimanë dhe mësuesve sufi.

Islami u bë feja kryesore në vend në shekullin e 16'të.

The post Vdes duke lexuar live Kuranin appeared first on INSAJDERI.

OVL e UÇK-së kërcënon me jetë dramaturgun Jeton Neziraj

Posted: 27 Apr 2017 07:01 AM PDT

Shfaqja "Bordel Balkan" me regji të regjisorit të njohur serb Andras Urban dhe tekst të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, e cila është pararparë të shfaqet nesër ka zëmëruar drejtues të Organizatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës.

Drejtuesit e kësaj organizate e kanë kërcënuar edhe me jetë dramaturgun Neziraj, me pretendimin se teksti i shfaqjes është denigrues për UÇK-në.  Kurse përmes një komunikate për media i kanë bërë thirrje publikut ta bojkotojë shfaqjen.

"Ky reagim vjen si rezultat i informacioneve që kemi Ne, se shfaqja është denigruese për Luftën e UÇK-së, dhe bastardohen vlerat tona kombëtare, por edhe si rezultat që kishim sot një takim me autorin e të ashtuquajturës shfaqje, i cili edhe pas kërkesës sonë, nuk na tregoj skenarin".

"Ju bëjmë thirrje që mos të merrni pjesë në këtë shfaqje përqeshëse për vlerat tona kombëtare, sepse ne nesër si veteran të luftës së UÇK-së, do ta pengojmë për t'u shfaqur", thuhet më tej në njoftim.

Lidhur me këtë ka reaguar vet dramaturgut Jeton Neziraj, duke thënë se nuk e ka të qartë përse OVL ndihen të fyer, kur shfaqja akoma nuk është dhënë para publikut.

"Ky reagim i parakohshëm lë të nënkuptohet se ata janë të manipuluar nga dikush që dëshiron që me këtë shfaqje të prodhojë një skandal të përmasave të pariparueshme dhe synon ta kthejë këtë vend në terrinë, ku, ndër të tjera, edhe standardet dhe vlerat estetike teatrore kontrollohen e caktohen nga jo-profesionistët", tha Neziri për gazetën Express.

Ai ka treguar se një grup prej 8 personave nga kjo shoqatë e kishin vizituar në Teatrin Kombëtar të cilët thotë se i kanë bërë me dije se nesër do ta pengojnë mbajtjen e premierës.

"Ata, ndër të tjera, më kërcënuan edhe me jetë", ka thënë Neziri. /Insajderi.com

The post OVL e UÇK-së kërcënon me jetë dramaturgun Jeton Neziraj appeared first on INSAJDERI.

Vuçiq: Biznesmenë shqiptarë planifikojnë blerjen e tokës dhe fabrikave në jug të Serbisë

Posted: 27 Apr 2017 06:51 AM PDT

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, tha sot se ka prova se shqiptarët, përmes tre biznesmenëve të tyre, janë duke planifikuar që të blejnë tokë dhe fabrika në jug të Serbisë, por që Serbia do të gjejë një mënyrë për të mbrojtur interesat e saj.

Në konferencën për shtyp, Vuçiqi ka thënë se këto transaksione janë planifikuar që të kryhen me anë të njerëzve të tjerë në mënyrë që të mos jenë të dukshme dhe se autoritetet në Beograd janë në dijeni të planit, raporton Blic.

Duke iu përgjigjur pyetjen nëse udhëheqësi i shqiptarëve në jug të Serbisë, Jonuz Musliu, do të përgjigjet penalisht për deklaratat në lidhje me nevojën për formimin e një "Shqipërie të Madhe", Vuçiqi u bëri thirrje të gjithëve që të lejojnë autoritetet që të bëjnë punën e tyre dhe shprehu besimin se ata do të marrin një vendim që do të jetë në interesin më të mirë të shtetit.

"Na lini që të bëjmë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai (Musliu) nuk e ka thënë atë vetë, sepse, me gjithë respektin e duhur, nuk është shumë intelektual dhe akademik. Kjo nuk është menquri e tij por e huaj, mendje e importuar. Po edhe kjo menquri nuk ishte e tyre por e importuar", tha Vuçiqi.

Vuçiq tha se janë shumë domino dhe hallka që kanë punuar kundër interesave të Serbisë, por theksoi se Serbia, edhe pse një vend i vogël, me maturinë, vetëpërmbajtjen, durimin dhe forcën, duke mos vënë në pyetje paqen dhe stabilitetin, do t'u kundërvihet atyre. /GazetaExpress/

 

The post Vuçiq: Biznesmenë shqiptarë planifikojnë blerjen e tokës dhe fabrikave në jug të Serbisë appeared first on INSAJDERI.

Kultivimi i shpargut sjellë përfitime të mëdha

Posted: 27 Apr 2017 06:50 AM PDT

Në ditën e promovimit të kultivimit të bimës së shpargut, ministri i Bujqësisë dhe ambasadori i Amerikës, Greg Delawie, kanë vizituar shtanget e fermerëve të cilët merren me kultivimin e kësaj bime.

Ministri Krasniqi ka thënë se vendi ynë ofron kushte të përshtatshme për kultivimin e kësaj bime duke thënë se është një nga kulturat që sjellë shumë përfitime.

"Duke parë që vendi ynë ofron kushte të përshtatshme klimatike për kultivimin e kësaj kulture me potencial të lartë por edhe mjaft profitabil, falë partneritetit me USAID-in, fillimisht përmes projektit të NOA-s dhe tani me projektin AGRO kemi arritur të ndërtojmë shtigje të reja për fermerët tanë dhe ndër to janë edhe mundësitë që u kemi ofruar fermerëve të kultivimit të shpargut dhe padyshim se ka hapësirë për zgjerim të numrit të ndërmarrësve për t'u marrë me kultivimin e kësaj kulture bujqësore, meqenëse vërtetë është një nga kulturat që sjellë përfitime të mëdha", ka thënë ministri Krasniqi.

Ndërsa ambasadori Delawie është shprehur shumë i kënaqur me kultivimin e kësaj bime nga bujqit kosovarë, duke theksuar se gjatë këtij viti ata kanë shitur 2 tonë shparguj, duke shprehur se në vitin e ardhshëm të rritet numri i kultivimit të tyre.

"Duke marrë parasysh që vetëm në sezonin e parë të mbjelljes së kësaj kulture, kultivuesit e saj arritën të shesin 2 tonë me shparg (asparag). "Prej atëherë rritja ka qenë me të vërtetë e stërmadhe dhe këtë vit presim që fermerët të shesin më shumë se 25 tonë vetëm në tregun vendor dhe fitimi i kultivuesve do të jetë rreth 80 mijë euro", ka thënë Delawie.

Asparagusi mbështetet nga MBPZHR përmes subvencioneve, me nga 300 euro për hektar. Në Kosovë llogaritet të jenë rreth 10 hektar të kultivuar me asparagus, dhe përfitimet për fermerët janë mjaftë të volitshme. /Insajderi.com

 

 

The post Kultivimi i shpargut sjellë përfitime të mëdha appeared first on INSAJDERI.

Përkrahësi i Haradinajt që deshi ta rrah qytetarin midis sheshit

Posted: 27 Apr 2017 06:49 AM PDT

Një qytetar i cili ka qenë duke ecur nëpër Sheshin "Nëna Terezë" për pak nuk ka përfunduar i rrahur sot gjatë kohës kur përkrahës të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, festonin nëpër kryeqytet, lirimin e tij.

Bëhet fjalë për Nazmi Mulakun i njohur edhe mjek popullor me emrin Bio Mulaku që pretendon se shëron shumë sëmundje, prej "pengesat në dashuri" e deri te "mbrojtja nga xhinet".

Me banim në Zvicër, sipas të dhënave në profilin e tij, Mulaku që është nga Vushtrria kishte vendosur që me veturën e tij që vozitej nga një person tjetër të hynte mes për mes Sheshit "Nëna Terezë".

Madje këtë rrugëtim të tij nëpër shesh kishte vendosur ta bënte publik duke hyrë LIVE në Facebook, përmes faqes së tij prej mjeku popullor "Bio Mulaku".

Me muzikë patriotike dhe me veturën e mbuluar me emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mulaku në një moment del jashtë veture për tu konfrontuar me një qytetar i cili i del përpara makinës për t'ia kujtuar se sheshi është vend për këmbësorë.

"Çka u ba..", pyet Mulaku qytetarin i cili i thotë se "sheshi është për këmbësorë".

"Shko bre se po ta q** nanen", vazhdon Mulaku i cili del edhe jashtë veturës për t'u marrë me qytetarin.

Megjithatë duket se "festa" nuk e ka lejuar atë që ta rrah qytetarin pasi siç shihet në video ai shpëton pa dajakun që ka mundur ta hajë nga të Mulaku dhe shoferi i tij që në një video tjetër e prezanton si Vandama aka Tigri.

E kjo nuk është e tëra.

Mulaku dhe Tigri në një LIVE video tjetër shihet teksa vozisin drejt stacionit policor.

"Një mesazh policisë dhe shqipfolsav: Ja kom prish rregullat, ajrin do serbëve që me ju ra në sy. Këtë festë që e bëjë për Ramushin, qetash shkoj në stacionin e Policisë po qysh hije si kral dalë", thotë ai në videon të cilën mund ta shihni më poshtë.

Insajderi ka provuar që të kontaktojë me Mulakun për të mësuar nëse është ende në Stacionin e Policisë por nuk e ka hapur telefonin. Njëjtë edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti./Insajderi.com

The post Përkrahësi i Haradinajt që deshi ta rrah qytetarin midis sheshit appeared first on INSAJDERI.

Blegtorëve të Prishtinës u dhurohen makina mjelëse

Posted: 27 Apr 2017 06:40 AM PDT

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me Drejtorin për Bujqësi, Ferat Makollin, u kanë shpërndarë blegtorëve të Prishtinës makina mjelëse, përmes të cilave siç thotë komuna, do të rritet dukshëm efikasiteti i punës së blegtorëve.

Siç njofton komuna, këto makina janë donacion nga shteti i Turqisë.

Drejtori Makolli falënderoi Turqinë për këtë ndihmë, duke theksuar se është në bisedime edhe me organizata të vendeve të tjera ashtu që të rriten donacionet për bujqësinë dhe blegtorinë në Prishtinë.

Kurse në fjalën e saj të rastit, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, tha se sot po realizojnë një projekt shumë të rëndësishëm për ekonomitë familjare të Prishtinës.

"Falënderoj Komunën e Prishtinës për angazhimin në këtë bashkëpunim, dhe gjithashtu organizatën TIKA. Po i dhurojmë sot këto makina mjelëse, si përkrahje e duhur për juve. Pranoni këto si dhurata nga populli turk, në emër të miqësisë në mes dy popujve tanë", tha para blegtorëve Ambasadorja Kılıç, njofton Komuna e Prishtinës.

Kurse Ahmeti ka thënë se pa zhvillimin e bujqësisë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

"Pa bujqësi nuk mund të zhvillohemi. Prandaj kemi kërkuar ndihmë edhe nga donatorët. Nuk ka ditë më të mirë për Kryetar të Komunës, sesa kur pranon ndihma të tilla për qytetarët e vet", tha ndër të tjera Ahmeti.

Ai në emër të blegtorëve falënderoi Turqinë për këtë ndihmë, duke shpresuar se në të ardhmen do të kemi sa më shumë projekte të tilla të bashkëpunimit.

The post Blegtorëve të Prishtinës u dhurohen makina mjelëse appeared first on INSAJDERI.

Sëmundja e së ardhmes

Posted: 27 Apr 2017 06:30 AM PDT

Varësia nga teknologjia, nga interneti dhe smart phone, janë sëmundjet mendore që do të jenë më të përhapura në dhjetë vjeçarin e ardhshëm në nivel botëror.

Kështu bën të ditur raporti i XVIII i Kongresit Botërore të Psikiatrisë dinamike, që u mbajt në Firence.

Pas tyre janë çrregullimet nervore, si dementia apo amnezia. Në rritje janë problemet psikologjike, me 10% në vitet e fundit, ku përveç kequshqyerjes është dhe depresioni si pasojë e stresit.

"Duke analizuar patologjitë e të ardhmes në nivel botëror, del në pah se shoqëria aktuale është e karakterizuar nga një formë e industrializimit postmodern që është në dëm të cilësisë së jetës, dhe gjeneron pasoja patologjike. Duhet të angazhohemi të gjithë se si të përballojmë në të ardhmen dhe ta përmirësojmë", thotë Vera Slepoj, psikiatri.

The post Sëmundja e së ardhmes appeared first on INSAJDERI.

Joshua-Klitschko, afron dueli i vitit në Wembley

Posted: 27 Apr 2017 06:13 AM PDT

Këtë fundjavë, Wembley nuk do të presë një ndeshje futbolli, por një dyluftim boksi. Përballë njëri-tjetrit, në stadiumin mitik të Londrës, do të vihen Wladimir Klitschko dhe Anthony Joshua për fronin e "Mbretit" në peshat e rënda të kësaj disipline sportive.

27-vjeçari Joshua është bërë boksier profesionist në vitin 2013 dhe që nga ai moment ai ka zhvilluar 18 ndeshje, duke mos humbur asnjë.

Britaniku, në prag të kësaj super përballjeje me gjigantin ukrainas, deklaroi se nuk është i shqetësuar se mund të ndëshkohet në ring, kjo falë edhe punës së tij të kryer në bazë të një programi intensiv.

Ai shtoi gjithashtu se pret një nga ndeshjet më të forta dhe më madhështore të karrierës së tij, duel që do të zhvillohet përballë një numri shumë të madh shikuesish, ndoshta më i larti që është regjistruar në Britani në 80 vjet.

Në krahun tjetër, është një boksier me shumë eksperiencë. 41-vjeçari Klitschko, i cili nuk njihte humbje prej 11 vitesh përpara se të dorëzohej përballë Fury.

Ukrainasi ka 64 fitore në karrierën e tij dhe vetëm 4 humbje dhe këtë të shtunë do të kërkojë që t’i rrëmbejë Joshuas titullin në IBF si dhe të fitojë titujt në WBA dhe IBO.

The post Joshua-Klitschko, afron dueli i vitit në Wembley appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more