Skip to main content

INSAJDERI: “Dy skuadra të Serisë A interesohen për Memushajn” plus 19 more

INSAJDERI: “Dy skuadra të Serisë A interesohen për Memushajn” plus 19 more


Dy skuadra të Serisë A interesohen për Memushajn

Posted: 28 Apr 2017 09:38 AM PDT

E ardhmja e mesfushorit shqiptar të Peskarës, Ledian Memushaj, duket se do të jetë në Serinë A, pavarësisht se ekipi i tij është rrëzuar tashmë matematikisht në Serinë B.

Mediat italiane kanë raportuar gjatë ditëve të fundit se skuadra e Bolognas është e interesuar për shërbimet e futbollistit të kombëtares kuqezi, por arritja e një marrëveshjeje nuk do të jetë e lehtë duke qënë se do të duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Empolit që gjithashtu ka shfaqur interesim.

Megjithatë mbetet për t'u parë se çfarë do të ndodhë kur të hapet merkato e verës, duke qënë se në prononcime të mëparshme Memushaj ka shprehur besnikëri ndaj Peskarës, ekipit ku është edhe kapiten, pavarësisht kategorisë ku do të luajë. /Insajderi.com

The post Dy skuadra të Serisë A interesohen për Memushajn appeared first on INSAJDERI.

Hajvalia edhe zyrtarisht bie në ligën e dytë

Posted: 28 Apr 2017 09:35 AM PDT

Klubi i futbollit nga Mitrovica, Trepça 89 ka vazhduar rrugën drejt titullit të kampionit duke fituar si mysafirë i Hajvalisë me rezultat 3-0.

Minatorëve nuk iu deshtë shumë punë për të ardhur deri tek kjo fitore.

Florent Hasani e nisi serinë e shënimeve në minutën e 26-të. Në pjesën e dytë shënoi John John, ndërsa ndeshjen e mbylli Fiton Hajdari me një gol në minutën e 72-të.

Hajvalia me këtë humbje edhe zyrtarisht bie nga kategoria pasi ka vetëm 7 pikë, 15 më pak se Drita që mbanë pozitën e 10-të pozitë kjo që e dërgon në barazh.

Trepça 89 pas kësaj fitoreje arrin  në kuotën e 68 pikëve, dhjetë më shumë se Feronikeli që ka një ndeshje më pak./Insajderi.com

The post Hajvalia edhe zyrtarisht bie në ligën e dytë appeared first on INSAJDERI.

Ibrahimi: Interpretimi i himnit, jo për provokim

Posted: 28 Apr 2017 09:31 AM PDT

Lëvizja "Besa" nuk e ka votuar Talat Xhaferrin për kryeparlamentar edhepse ka qenë në sallë në momentin e dhënies së betimit.

Deputetët e kësaj partie janë larguar nga kuvendi pak para përshkallëzimit të situatës.

Zeqirija Ibraimi shprehet i vetëdijshëm për nxitjen e reagimeve te protestuesit nga këndimi i himnit shqiptar në foltoren e Kuvendit, por arsyetohet me idenë që partia e tij nuk ka qenë e informuar me skenarin e LSDM-së dhe partive tjera shqiptare.

“Sikur ne do ta kishim ditur se një skenar i tillë do të ndodhte, edhe pse çështja e himnit kombëtar askush nuk mund të ma ndaloj, por ne nuk ishim paraprakisht të njoftuar se ka një skenar të përgatitur pas zgjedhjes së zotit Xhaferi në krye të Parlamentit”, ka deklaruar Ibraimi. /Insajderi.com

The post Ibrahimi: Interpretimi i himnit, jo për provokim appeared first on INSAJDERI.

Zaev refuzon tryezën e Ivanovit, pret mandatimin nga presidenti

Posted: 28 Apr 2017 09:21 AM PDT

Kreu i opozitës maqedonase, i cili pritet të marrë frerët e ekzekutivit, Zoran Zaev refuzoi thirrjen e presidentit Ivanov për bisedime urgjente mes udhëheqësve partiakë këtë të premte, vetëm pak orë pasi demonstrues nacionalistë, mbështetës të partisë konservatore të Nikola Gruevskit, pushtuan Parlamentin dhe sulmuan e gjakosën ligjvënësit e opozitës.

Një zyrtar i Partisë Social-Demokratike të Maqedonisë i tha agjencisë së lajmeve "Associated Press" se udhëheqësi i partisë, Zoran Zaev nuk do të shkonte në bisedime. Zyrtari, i cili nuk dha detaje të mëtejshme, foli në kushtet e anonimatit për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste për mediet.

Policia njoftoi se 102 persona u plagosën gjatë dhunës që shpërtheu mbrëmjen e së enjtes brenda dhe jashtë Parlamentit, vetëm pak pasi u zgjodh kryeparlamentari i ri i Maqedonisë, i pari shqiptar në këtë pozicion, Talat Xhaferi.

Zaev ishte mes viktimave, sikurse edhe kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, si dhe 22 oficerë policie.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Shkup, Zaev e përshkroi sulmin ndaj tij, që e la të gjakosur pas një çarjeje në pjesën e përparme të kokës, si një "tentativë për vrasje". Zaev akuzoi ish-kryeministrin Nikola Gruevski, si dhe presidentin Gjorge Ivanov, se provokuan dhunën dhe tha se ata të dy ishin të përgatitur për të "sakrifikuar interesat shtetërore" për interesat e tyre personale.

Maqedonia, e cila fitoi pavarësinë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, gjendet në krizë të thellë politike prej mbi dy vitesh, kur u zbulua i ashtuquajturi skandal i përgjimeve. Ndërkohë, zgjedhjet e dhjetorit që nuk sollën një fitues të qartë, komplikuan edhe më tej llogaritë për pushtet.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara dënuan dhunën e së enjtes, ndërkohë që njohën kreun e ri të Parlamentit, Talat Xhaferin, nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, duke thënë se do të punojnë së bashku me të.

Ndërkohë sot, Zaev tha se pret nga kryeparlamentari i ri Xhaferi t'i kërkojë presidentit Ivanov dhënien e mandatit për formimin e qeverisë kreut të LSDM-së, Zaev, brenda ditëve të ardhshme.

The post Zaev refuzon tryezën e Ivanovit, pret mandatimin nga presidenti appeared first on INSAJDERI.

Ilir Meta zgjidhet president i Shqipërisë

Posted: 28 Apr 2017 09:20 AM PDT

Ilir Meta është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit të mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Parlament.

Për kandidaturën e Metës kishin hedhur firmat 23 deputetë, 17 nga LSI dhe 6 të tjerët nga PDIU.

Për Metën kanë votuar 87 deputetë, asnjë nuk ka abstenuar deri sa vetëm 2 kanë qenë kundër.

Mbrëmjen e djeshme, Kryesia e Partisë Socialiste mbështeti unanimisht figurën e kreut të Kuvendit për të kandiduar për postin e kreut të shtetit.

The post Ilir Meta zgjidhet president i Shqipërisë appeared first on INSAJDERI.

AAK: Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është obligim

Posted: 28 Apr 2017 09:08 AM PDT

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar rreth dhunës së mbrëmshme në Maqedoni.

AAK e dënon dhunën, ndërsa thekson se autoritetet maqedonase nuk duhet të nxisin dhunë.

"Dhuna e mbrëmshme në Parlamentin e Maqedonisë është papranueshme dhe ne e dënojmë me forcë. Autoritetet e Maqedonisë duhet t'i pranojnë procedurat parlamentare dhe nuk duhet të nxisin dhunë, e cila në Maqedoni mund të ketë pasoja të pariparueshme", thuhet në komunikatë.

Sipas AAK-së respektimi i të drejtave shqiptare është obligim dhe jo zgjedhje.

"Shqiptarët në Maqedoni janë të barabartë dhe nuk mund të diskriminohen mbi baza etnike. Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, nuk është zgjedhje por obligim i shtetit Maqedonas, dhe kjo nuk mund të ndryshojë. Zgjedhja e Talat Xhaferit, për kryetar të Kuvendit, është legale dhe legjitime dhe kjo nuk mund të kontestohet, e aq më pak të shërbejë si shkas për përplasje etnike apo politike", thotë AAK.

AAK fton autoritetet politike të shtetit fqinjë që të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe inkurajon BE-në dhe SHBA-në që të marrin një rol më aktiv në kapërcimin e krizës politike në Maqedoni. /Insajderi.com

The post AAK: Respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është obligim appeared first on INSAJDERI.

Gjermani, sulmohet një xhami me koktej molotovi

Posted: 28 Apr 2017 08:56 AM PDT

Xhamia në qytetin gjerman Weil am Rhein mbrëmë ishte shënjestër e sulmit me koktej molotovi.

Sulmi është kryer nga persona të paidentifikuar. Xhamia e cila funksionon në kuadër të komunitetit islam turk në Dianetin-Gjerman, është sulmuar pas mesnate me katër koktej molotovi. Në këtë mënyrë, pesë sulmues u përpoqën që t’i vënë zjarrin kësaj faltoreje.

Megjithatë, moti me shi kishte penguar përhapjen e zjarrit. Janë dëmtuar pjesët e jashtme të xhamisë.

Kryetari i komunitetit të mbledhur rreth xhamisë Necati Coskun për AA tha se sulmin ndaj xhamisë e kishin vërejtur besimtarët që kishin dalur për namazin e sabahut.

Sulmi është regjistruar edhe në kamerat e sigurisë. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe ekipi i policisë e cila ka regjistruar rastin.

Coskun tha se ai ka lindur në Trabzon të Turqisë, por se jeton në Gjermani, ku merret me tregti.

“Ne me vite kemi jetuar në paqe në këtë vend. Nuk kemi ndërhyrë në politikë dhe ne nuk kemi mbajtur anën e askujt”, tha Coskun duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të autorëve.

The post Gjermani, sulmohet një xhami me koktej molotovi appeared first on INSAJDERI.

Klitschko do ta ketë shumë vështirë, kështu i mposhti kundërshtarët e tij Joshua

Posted: 28 Apr 2017 08:46 AM PDT

Wladimir Klitschko pritet ta ketë shumë të vështirë ndaj Anthony Joshuas.

Gjithçka gati në Wembley për atë që është përkufizuar si dueli i vitit. Vlen kurorën botërore në peshat super të rënda të versioneve WBA, IBF, dhe IBO mes Wladimir Klitschko dhe britanikut Anthony Joshua.

Joshua, kampion në fuqi i versionit IBF e mbrojti titullin prillin e vitit të kaluar kundër amerikanit Charles Martin.

Joshua është ende i pamposhtur në karrierën si profesionist ku ka fituar 18 ndeshje radhazi me K.O, statistika këto që duhet ta frikësojnë Klitschko.

Klitschko do ta ketë shumë vështirë, kështu i mposhti kundërshtarët e tij Joshua

The post Klitschko do ta ketë shumë vështirë, kështu i mposhti kundërshtarët e tij Joshua appeared first on INSAJDERI.

Një ditë pas incidentit – partitë në Maqedoni akuzojnë njëra-tjetrën

Posted: 28 Apr 2017 08:36 AM PDT

Pas një nate të tensionuar, ku për katër orë rresht protestuesit qëndruan në hapësirat e Parlamentit, organet e rendit publik kanë shtuar masat e sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve, objekteve dhe institucioneve të Maqedonisë. Sipas informacioneve të MPB-së në protesta janë lënduar 109 persona.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të mbahet përgjegjësi, ka thënë ministri i punëve të Brendshme Agim Nuhiu.

“Unë si ministër kam insistuar që të formohet shtab operativ dhe të ishin të kyçur persona nga të gjitha fushat e MPB-së. Udhëheqës i shtabit ishte zgjedhur Mitko Çavkov. Mbrëmë nga momenti i eskalimit të situatës deri në ora 22, udhëheqësi i shtabit operativ, Mitko Çavkov nuk ishte i kapshëm për mua edhe pse e kërkova përmes telefonit, por edhe në shtabin operativ. Dua të potencoj se për fat të keq shihet qartë se në strukturat e MPB-së ndikimi politik ka rol të madh që është për t’u dënuar", ka thënë Nuhiu.

Sipas ministrit Nuhiu, një pjesë e të punësuarve në MPB, në vend që të respektojnë ligjet dhe t’i kryejnë detyrat e tyre, kanë vepruar nën urdhrat e qendrave politike diçka që kërkon dënim dhe sanksione. MPB-ja është institucion që duhet të garantojë rendin publik dhe jo të jetë institucion nën ndikimin e strukturave politike, ka thënë ai. Ministri Agim Nuhiu ka paralajmëruar dorëheqjen e tij për shkak përgjegjësisë morale.

Kryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi e ka akuzuar presidentin e vendit dhe ish-kryeministrin Gruevski për dhunën në parlament. Ai njëkohësisht u ka bërë apel shqiptarëve të Maqedonisë të mos bien pre e provokimeve.

“Është e qartë tashmë se kreu i shtetit është burimi i kësaj gjendjeje të krijuar. Parlamenti ka baza ligjore për të hyrë në procedurën e zgjedhjes së Qeverisë së re. Javën e ardhshme duhet të vazhdojmë punët në parlament. Do të ndërmarrim veprimet e duhura që zgjedhja e qeverisë së re të hyjë në praktikë", ka deklaruar Talat Xhaferi.

“Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike sipas shumicës parlamentare, kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Parlamentit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve tjera. Uroj Xhaferin dhe kujtoj se ne e mbështesim atë", ka deklaruar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në paraqitjen e tij të parë në opinion pas dhunës që u ushtrua ndaj tij në Parlament.

Zaev duke komentuar dhunën e së enjtes, tha se një pjesë nga dhunuesit ishin pjesëtarë të policisë dhe disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij.

Lideri i VMRO-DMPNE-së, Nikolla Gruevski, ka dënuar ashpër incidentin në Parlament dhe kërkoi nga institucionet shtetërore hetim të shpejtë dhe efikas për të zbuluar autorët e dhunës.

Gruevski thotë se shkaktari kryesor i incidentit janë provokimet e shumta të LSDM-së ndaj popullit maqedonas dhe përzgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit, i cili sipas tij është bërë në mënyrë joligjore.

“Provokimet e shumta ndaj VMRO-DMPNE-së dhe ndaj popullit maqedonas janë shkaktarët kryesorë të eskalimit të situatës në Parlament. Mënyra, me të cilën ata e përzgjodhën kryetarin e ri të Parlamentit është tërësisht joligjore, jashtë kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. Unë dënoj dhunën e disa individëve që sulmuan deputetët", ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Ngjarjet e së enjtes duhet të gjykohen nga çdo parti politike, nga të gjithë qytetarët e RM-së, sepse ishin një akt i shëmtuar, ka thënë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

“Apeloj tek të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intraetnik mos të shndërrohet në problem ndëretnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin e duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit", thekson Ahmeti.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, i BDI-së Ali Ahmeti, Lëvizja Besa dhe LR-PDSH unanimisht kanë refuzuar ftesën për takim të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov për të diskutuar zgjidhjen e krizës të shkaktuar pas hyrjes në Parlament të protestuesve maqedonas që kanë sulmuar deputetët dhe gazetarët.

Presidenti Ivanov është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit, janë shprehur liderët e shumicës parlamentare, prandaj ata nuk e shohin të arsyeshme mbajtjen e takimit të liderëve partiak të thirrur nga Presidenti i shtetit.(DW)

The post Një ditë pas incidentit – partitë në Maqedoni akuzojnë njëra-tjetrën appeared first on INSAJDERI.

Kryetari i Istogut akuzohet se dëshiron që ilegalisht të japë në shfrytëzim tokën e Komunës

Posted: 28 Apr 2017 08:31 AM PDT

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova paraqiti sot në Kuvendin Komunal propozim-vendime për dhënie në shfrytëzim të katër parcelave komunale në fshatet Vrellë, Cerrcë dhe Lubozhdë.

E opozita e kësaj komune e bojkotoi seancën. Ata thonë se propozimi nuk ka asnjë dokument pëcjellës, dokument destinimi, kategori të tokës, dhe pa analizë rreth ndotjes së ambientit e pa sqarim se për çfarë do të shfrytëzohet.

Përmes një komunikate, Lëvizja Vetëvendosje në Istog ka thënë se komuniteti nuk përfiton asgjë nga ky propozim-vendim.

"Përkundër obligimeve ligjore, propozimi nuk ka asnjë dokument pëcjellës, hapësira, destinimi, kategoria e tokës, pa analizë rreth ndotjes së ambientit, pa sqarim se për çfarë do të shrytëzohet, pa analizë se çfarë përfiton komuniteti, pa analizë se a është në përputhje shfryëzimi i këtyre pronave me rregulloret dhe ligjet komunale, çfarë perfiton Komuna?!", thuhet në reagimin e VV-së.

"Përkundër kërkesës për largimin e këtyre pikave të rendit të ditës deri në mbledhjen e radhës ku këtyre propozimeve do t'u bashkëngjiten dokumente përcjellëse, qeverisja nuk tërhiqet dhe insiston në votim, pas kësaje opozita lëshon seancën dhe në mungese kuorumi ndërpritet seanca", njofton VV-ja.

Sipas VV-së, këto katër parcela janë duke u shfrytëzuar ilegalisht si gurëthyes nga persona të afërt të kryetarit të Komunës.

"Ne besojmë që këto parcela tashmë shfrytëzohen ilegalisht si gurëthyes nga persona të afërt më pushtetin, dhe konsiderojmë se e gjithë kjo është tentativë për ta kontrabanduar propozimin që ua mundëson arsyetimin e krimit që është bere tash e sa vite", thuhet në reagim. /Insajderi.com

The post Kryetari i Istogut akuzohet se dëshiron që ilegalisht të japë në shfrytëzim tokën e Komunës appeared first on INSAJDERI.

Trump i druhet një “konflikti madhor” me Korenë e Veriut

Posted: 28 Apr 2017 08:25 AM PDT

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se do të donte ta zgjidhte krizën me Korenë e Veriut në mënyrë diplomatike, por druhet se edhe një "konflikt madhor" është i mundshëm. Përballë këtij paralajmërimi, ministri i Jashtëm kinez ka bërë për të disatën herë thirrje për negociata dhe dialog.

Këshilli i Sigurimit në OKB është duke diskutuar mbi Korenë e Veriut dhe pritet të marrë në konsideratë masat e mëtejshme për të kundërshtuar programet bërthamore dhe raketore të vendit të izoluar komunist.

Koreja e Veriut ka zhvilluar disa stërvitje ushtarake si për të treguar forcën gjatë javëve të fundit, por testimi i fundit raketor i saj dështoi.

Amerika, nga ana e saj, ka dërguar në rajon luftanije dhe nëndetëse, ndërkohë që ka nisur të instalojë edhe një sistem të shumëdiskutueshëm të mbrojtjes antiraketore në Korenë e Jugut, në fillim të kësaj jave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se Uashingtoni do të negociojë me Korenë e Veriut, duke marrë në konsideratë heqjen dorë nga armët bërthamore, apo denuklearizimin e vendit komunist, pa përfshirë këtu ndryshimin e regjimit.

"Ne nuk synojmë dhe nuk do të synojmë ndryshimin e regjimit atje, nuk duam ta rrëzojmë regjimin ekzistues, sikurse nuk duam të ndihmojmë në përshpejtimin e ribashkimit të dy Koreve. Ne synojmë vetëm denuklearizimin e gadishullit korean, gjë që është tërësisht në përputhje me objektivat edhe të faktorëve të tjerë në rajon", tha Tillerson, njofton TCh.

Koreja e Veriut ka zhvilluar vazhdimisht teste raketore në muajt e fundit dhe ka kërcënuar se do të zhvillojë edhe testin e 6 bërthamor. Por Tillerson shprehu edhe mendimin e tij në lidhje me Kinën, sipas të cilit, edhe aleati më i madh i Koresë së Veriut duhet të nisë ta shohë regjimin koreano-verior si diçka që përbën rrezik për sigurinë e saj.

"Ajo çfarë po rivlerëson tashmë Kina është nëse Koreja e Veriut është një lloj aseti për ta, apo nëse vendi komunist dhe regjimi i tij është kthyer në një pengesë për sigurinë e brendshme të Kinës", tha Tillerson.

Vetëm pak pasi u zgjodh president, Trump akuzoi Kinën se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të frenuar Korenë e Veriut dhe sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmerrnin edhe veprime të njëanshme. Por ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi ka paralajmëruar se tensionet në gadishullin korean mund të dalin edhe jashtë kontrolli, duke shtuar përpara takimit të sotëm të Këshillit të Sigurimit në OKB se negociatat me Korenë e Veriut janë "e vetmja zgjidhje e mundshme".

Sipas Tillersonit, Kina i ka thënë Shteteve të Bashkuara se do të vendosë edhe ajo sanksionet e saj ndaj Koresë së Veriut, nëse zhvillon teste të tjera bërthamore.

The post Trump i druhet një "konflikti madhor" me Korenë e Veriut appeared first on INSAJDERI.

Protestuesit i largojnë tendat para Kuvendit

Posted: 28 Apr 2017 08:20 AM PDT

Tendat e vendosura para Kuvendit një natë më parë, janë larguar nga vetë protestuesit. Largimi i tendave është bërë në mënyrë të qetë vetëm nga një numër i vogël njerëzish.

Gjendja në Kuvend sot ka qenë më e qetë. Gjatë tërë ditës hyrja në Kuvend për gazetarët ka qenë rreptësisht e ndaluar.

Për dhunën e ushtruar mbrëmë në Kuvend policia deri tani ka arrestuar 8 persona./Altas-M/

The post Protestuesit i largojnë tendat para Kuvendit appeared first on INSAJDERI.

Behrami mund të kthehet në Itali

Posted: 28 Apr 2017 08:20 AM PDT

Jo vetëm Sioni e dëshiron mesfushorin shqiptar, Valon Behrami, i cili po kalon sezonin e fundit në futbollin anglez te skuadra angleze, Watfort, shkruan albinfo.ch.

Siç raportojnë mediat italiane, për Behramin është e interesuar edhe Udinese.

"Football Italia" raporton se skuadra italiane ka shfaqur interesim për 32-vjeçarin, i cili ka përvojë nga Serie A, pasi ka luajtur në Genoa, Lazio, Fiorentina e Napoli.

Behrami është edhe pjesë e Përfaqësues zvicerane dhe njëri nga lojtarët kyç të helvetikëve në vitet e fundit.

The post Behrami mund të kthehet në Itali appeared first on INSAJDERI.

Presidenti i Austrisë u bën thirrje grave të veshin shami

Posted: 28 Apr 2017 08:18 AM PDT

Presidenti i Austrisë u ka bërë thirrje të gjitha grave që të veshin shami koke në solidaritet me myslimanët për të "luftuar islamofobinë".

Alexander Va nder Bellen tha se liria e shprehjes ishte një e drejtë fundamentale.

"Është e drejtë e çdo gruaje që të vishet gjithmonë ashtu siç dëshiron, ky është mendimi im në këtë çështje", u tha ai disa nxënësve të një shkolle.

"Dhe jo vetëm gratë myslimane, të gjitha gratë mund të veshin shami koke, dhe nëse vazhdon islamofobia, atëherë do të vijë një ditë kur ne duhet t'iu kërkojmë të gjitha grave që të veshin shami koke – të gjitha – për t'u solidarizuar me ato të cilat e bëjnë këtë për arsye fetare", shkruan Independent.

Komentet e tij u bënë në mars por dolën kohët e fundit në një televizion austriak, pas debatit në shtetin fqinj të Gjermanisë rreth "ndalimit të burkas".

The post Presidenti i Austrisë u bën thirrje grave të veshin shami appeared first on INSAJDERI.

De Gea drejt rekordit, njihuni me 10 portierët më të shtrenjtë

Posted: 28 Apr 2017 08:07 AM PDT

Real Madridi ka riaktivizuar "Operation De Gea". Së pari, duke arritur një marrëveshje me portierin, i cili nënshkroi për pesë apo gjashtë sezone, me pagën rekord prej 12 milionë eurosh neto, me Manchester United.

Portieri spanjoll e bëri këtë pas dështimit të transferimit të tij të mëhershëm në "Bernabeu", për shkak të vonesës së kalimit të dokumentacionit.

Në Madrid, kjo pistë është rikthyer fuqishëm, teksa supozohet se De Gea do të jetë transferimi më i shtrenjtë i një portiere në histori: 70-75 milionë euro. Kur rinovoi me "djajtë e kuq", kontrata e re e De Gea përfshiu një klauzolë prej 60 milionë eurosh, nëse dëshiron të largohet.

Tani, kjo shumë po negociohet.Real Madridi e ka ndarë mendjen tashmë, duke pranuar që De Gea të bëhet transferimi më i shtrenjtë si portier, duke lënë shumë prapa 54 milionët e shpenzuara nga Juventusi për Buffon, që e mori këtë të fundit nga Parma 15 vite më parë.

Klubet kanë ende për të negociuar, por drejtuesit e "Los Blancos" duken të vendosur të rekrutojnë De Gea-n, si një blerje strategjike, për disa arsye: E para, për të përforcuar portën, një nga pozicionet e pakta që mund të përmirësohet, me një nga tre portierët më të mirë në botë për 8-10 vitet e ardhshme.

E dyta, rinovimi i grupit (David është 26 vjeç) dhe vazhdimin e spanjollizimit të skuadrës. Dhe e treta, duke marrë shërbimet e portierit spanjoll, i jepet një dorë e mirë marketingut.

Në infografikun bashkëshoqërues të shkrimit po ju paraqesim "top 10" transferimet më të shtrenjta, në rolin e portierit, vitet dhe destinacionin e tyre respektiv, nga klubi në klub.

The post De Gea drejt rekordit, njihuni me 10 portierët më të shtrenjtë appeared first on INSAJDERI.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor shkakton aksident me veturë zyrtare – një i lënduar

Posted: 28 Apr 2017 07:53 AM PDT

Drejtori i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Hilmi Mehmeti, ia ka rrezikuar seriozisht jetën një qytetari. Duke mos respektuar kufizimin e shpejtësisë, Mehmeti me veturë zyrtare ka shkaktuar një aksident rrugës për në Podujevë duke i shkaktuar lëndime shoferit të një kombibusi.

Incidentin e shkaktuar nga Mehmeti që lëndoi qytetarin, e ka bërë të ditur policia javën e kaluar në raportin e incidenteve.

Por, kryeshefi i IPK-së ka mohuar se ka qenë duke ngasur veturën me shpejtësi dhe se ka lënduar ndonjë pjesëmarrës në trafik. Ka thënë se ka qenë duke vozitur ngadalë.

Version krejtësisht të kundërt ka dhënë policia.

"Raportohet se i dyshuari mashkull, kryeinspektor i IPK-së, duke lëvizur me veturën e VW 'Taureg' me targa 01.379-Cd, pronë e IPK-së, nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, ka goditur veturën VW kombi që drejtohej nga viktima mashkull. Si pasojë e aksidentit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Podujevës për tretman mjekësor", thuhet në raportin e policisë të datës 21 prill të këtij viti.

I kontaktuar nga Insajderi, Hilmi Mehmeti ka thënë se askush nuk është lënduar në aksident.

"Kem nejt nja gjysmë ore sa ka përfunduar procedura policore, ma shumë nuk di. Ka qenë vetëm vozitësi (i kombibusit v.j.). Unë isha lidhur. I thash pse more nuk je lidh? E kam pyet a je lëndu. Më ka thënë jo. Ma shumë nuk di. Po nuk ka pas të lënduar në këtë aksident", ka thënë Mehmeti.

Ai ka mohuar se ka qenë duke ngasur veturën me shpejtësi.

"Aksidenti në shpejtësi të madhe nuk ka qenë, por udha për Podujevë është duke u punuar dhe i kanë heqë disa kufizime që kanë qenë për lëvizje të automjeteve. Ai (shoferi i kombibusit v.j.) nuk e di a ka qenë shpejt, po unë jam kanë kadale", ka thënë Mehmeti./Insajderi.com

The post Kryeshefi i Inspektoratit Policor shkakton aksident me veturë zyrtare – një i lënduar appeared first on INSAJDERI.

Mccain thotë se ka informuar zyrën e Trump dhe Mattis për Kosovën

Posted: 28 Apr 2017 07:51 AM PDT

Senatori amerikan John McCain ka njoftuar sekretarin e Shtetit të SHBA-vë James Mattis dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Donald Trump, rreth situatës në Kosovë.

McCain, i cili vizitoi Kosovën gjatë muajit prill të këtij viti, në një intervistë me portalin amerikan Politico ka thënë se Ballkani rrezikon të destabilizohet dhe për këtë duhet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të luajnë rol konstruktiv në këtë rajon.

Senatori McCain tha se zyrtarët e lartë të shtetit amerikan i kanë kuptuar rreziqet të cilat i ka parashtruar ai, rreth Ballkanit.

"Ai [presidenti Trump v.j] i dëgjon Mattisin dhe gjeneralin McMaster. Ai me të vërtetë i beson atyre", ka thënë McCain.

McCain po ashtu ka bërë të ditur se nga vizita e tij në shtetet ballkanike gjatë këtij muaji, liderët e këtyre shteteve kanë qenë të interesuara për qasjen e presidentit Donald Trump ndaj rajonit.

"Ka shumë pasiguri atje. Pyetja e parë që secili nga at liderë më bënë, ishte se cilat do të jenë politikat dhe strategjitë amerikane", ka thënë McCain.

Senatori republikan ka thënë se për tu zgjidhur problemet në Ballkan, duhet "Lidershipi Amerikan". /Insajderi.com

The post Mccain thotë se ka informuar zyrën e Trump dhe Mattis për Kosovën appeared first on INSAJDERI.

Politikan ambicioz, luftëtar i pamëshirshëm: kush ishte Sulejmani i Madhërishëm

Posted: 28 Apr 2017 07:49 AM PDT

Agimi i 29 gushtit 1526 ndriçon trupat e vendosura përballë njëra-tjetrës në fushën e Mohács, Hungaria: në njërën anë hungarezët, me 25.000 burra dhe 85 topa; në anën tjetër, osmanët, me 60 mijë burra dhe 160 topa. ri Mbreti i krishterë Luigji II nuk është shumë i shqetësuar, sepse e di që në ndihmë po i vijnë përforcime pej Bohemianëve, kroatëve dhe nga Transilvania, kështu që lejon kalorësinë e tij të galopojë drejt kundërshtarëve. Por diçka shkon keq, dhe ndërsa përforcimet vonojnë të vijnë, armiku kundërsulmon.

Brenda një kohe të shkurtër, ushtria hungareze shpërbëhet, dhe vetë Luigji bie në fushëbetejë, teksa përpiqet të shpëtojë kokën. Bashkë me të vdesin 20 000 ushtarë dhe shumica e fisnikërisë hungareze. Humbja i jep Perandorisë Osmane, e cila synon të pushtojë Europën, Hungarinë Qendrore dhe Transilvaninë.

Fituesi i betejës Mohács dhe njeriu në gjendje të konceptonte këtë fushatë madhështore e të tmerrshme njëkohësisht, është i destinuar të mbetet përgjithmonë në histori: Sulejmani i Madhërishëm.

Sulejmani lindi në Trabzon në vitin 1494. Pas marrjes së një arsimimi të rafinuar dhe mbulimit të disa pozicioneve qeveritare në krahina të ndryshme të perandorisë, në vitin 1520 ai pasoi babanë e tij, Selimin I.

Para se të vdiste, Selimi kishte eliminuar bijtë e tjerë, fajtorë se kishin komplotuar me një xhaxha që ta rrëzonin atë: zakoni i përgjakshëm i vrasjes brenda familjes ishte mjaft i zakonshëm në mesin osmanëve, aq sa me marrjen e lajmit të vdekjes së babait të tij, Sulejmani kishte besuar se ishte një mashtrim, për ta joshur të vinte në Konstandinopojë dhe të eleminohej.

Nuk ndodhi kështu, për fatin e tij të mirë, por edhe për ata që do të udhëhiqte, që ishin mësuar me grushtin e hekurt të Selimit. Sapo erdhi në pushtet, në fakt, Sulejmani u shfaq i mëshirshëm dhe largpamës, aq sa e quajti hipjen e tij në fron si "vesa qiellore në një lëndinë të pjekur nga Dielli". Fali shumë të dënuar, shfuqizohen ligjet më shtypëse dhe u shpërndau një çmim në para jeniçerëve, trupat elitare të perandorit.

Në Perëndim, ndërkohë, ndryshime të mëdha po ndodhnin: në vitin 1519, pikërisht ndërsa i biri i Selimit ishte gati për të marrë fronin e Perandorisë Osmane, në Frankfurt Duka i Borgognës Karli i Habsburgëve, perandori i kurorëzuar i Perandorisë së Shenjtë Romake, shkaktoi zemërimin e Françeskut I, mbreti i Francës dhe konkurrenti i tij i paepur në garën për fronin perandorak.

Në vitet që pasuan, Europa u dërrmua nga luftërat fetare, shkaktuara të prej Reformimit Protestant të Martin Luterit.

Sulejmani kuptoi menjëherë se kjo situatë e paqëndrueshmërisë së gjerë do të luante në favor të planit të tij të madh: të niste sfidën ndaj krishtërimit.

Në vitin 1521, më pak se një vit pasi mori fronin, ai pushtoi Beogradin dhe Serbinë. Në vitin 1526, siç e thamë më lart, ishte në Mohács dhe në vitin 1529 në Vjenë, në zemër të Evropës së trazuar nga ndasitë sektare, që Sulejmani do të ishte në gjendje t'i shfrytëzonte me aftësi të jashtëzakonshme.

Që nga viti 1528, në fakt, me lëvizje sa të guximshme, aq edhe fituese, Sulltani filloi të krijojë marrëdhënie tregtare dhe ushtarake me Françeskun I, kampion i katolicizmit, duke arritur në një marrëveshje të vërtetë në vitin 1536, e njohur si aleanca franko-osmane.

Kjo ishte marrëveshja e parë diplomatike jo ideologjike dhe, kuptohet, shkaktoi skandal të madh në botën e krishterë, e cila e pagëzoi si "aleanca e pafe", ose "bashkimi sakrilegj i Zambakut dhe Gjysmëhënës".

Megjithatë, sado e pafe dhe sakrilegj, marrëveshja ishte efektive për të dyja palët dhe veçanërisht afatgjatë, pasi ajo do të mbetej në fuqi për më shumë se 250 vjet, deri në fushatën egjiptiane të Napoleonit, në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Ndërkohë interesat e Sulejmanit kishin lëvizur nga toka në det, dhe ndonëse turqit nuk mund të mburreshin me një forcë të madhe detare, ata ishin mjaftueshëm të mençur për të ditur, se duhej t'u besopnin atyre që merrnin vesh nga detet.

Dhe kështu Sulejmani lidhi një aleancë të dytë, të bujshme dhe të papritur: jo me një mbret, këtë herë, por me një pirat. Emri i tij ishte Khayr ad-Din, i njohur në perëndim si Barbarossa. I lindur nga një poçar në Mytilene, Greqi, ai kishte preferuar të mos ndiqte hapat e babait, duke u vënë në krye të një grupi piratësh, të cilët shpejt u bënë tmerri i Mesdheut. Sulejmani e dinte se, në qoftë se dikush ishte në gjendje që të siguronte dominimin e deteve për Portën e Lartë, ky ishte pikërisht Barbarossa.

Në vitin 1533, pirati ishte futur në krye të 18 galerave në portin e Konstandinopojës, ku ai kishte marrë nga vetë Sulltani, titullin e Kapedan Pashës, Admiral i Madh. Në një kohë të shkurtër, në sajë të eksperiencës së piratit dhe pushtetit të sovranit, Sulltanati u bë një fuqi e madhe detare: ish pirati ishte në fakt i pari admiral i vërtetë i Perandorisë Osmane dhe marina turke u konsiderua, së paku deri në betejën e Lepantos (1571), më e fortë se çdo Marinë e krishterë.

Pra, pa pengesa, ngadalë por me siguri Perandoria Osmane u përhap nga toka dhe deti, nga Ballkani në Egje, për të siguruar kontrollin e fortë mbi pjesën më të madhe të Mesdheut, edhe në sajë të dëbimit të kalorësve të krishterë (Hospitalierët e Shën Gjonit) nga ishulli i Rodit: këta u detyruan të zhvendosen një herë në Qipro dhe më pas në Maltë, ku ndryshuan emrin e tyre në "Kalorësit e Maltës."

Shtrirja e sundimit osman në tokat evropiane, shtyu Sulejmanin e mençur që të krijojë një klimë të tolerancës fetare dhe kulturore, siç nuk njihej në atë kohë, madje edhe në Perëndimin e "civilizuar": këtu, në fakt, ishte thjesht e pamendueshme që një musliman mund të jetojnë ndërsa, në të kundërtën, në Perandorinë Otomane, të krishterët dhe hebrenjtë mund të kishin vendbanimet e tyre, të lëviznin dhe ushtronin lirisht besimet e tyre. Për më tepër, pothuajse gjysma e subjekteve të sulltanit besonin në Krisht, dhe ai e dinte se një klimë e tolerancës së ndërsjellë mund të sillte vetëm stabilitet dhe madhështi. Dhe nuk gabohej: në sajë të politikës së ndriçuar të Sulejmanit, Konstandinopoja u bë një qendër mikpritëse dhe e gjallërishme.

Vendosur mbi Bosfor, ngushtica që lidh Mesdheun dhe Detin e Zi, metropoli është karakterizuar gjithmonë nga shkëmbimet intensive kulturore dhe tregtare, në sajë të pozitës së vet ndërkombëtare, si një udhëkryq në rrugën e trafikut të madh mes popujve sllavë dhe popujve myslimanë.

Në kohën e Sulejmanit, tashmë kishte 400.000 banorë, të destinuar pothuajse të dyfishoheshin në fund Pesëqindës: në Evropën Perëndimore, në të njëjtën kohë, në Londër kishte 120 000 dhe në Paris pak më shumë se 40.000, ndërsa Roma vetëm 50 mijë.

Shumëkombësia e Perandorisë osmane përbënte edhe madhështinë e saj: forca ekonomike dhe ushtarake e Sulejmanit ushqehej nga ai bashkim popujsh dhe besimesh fetare, dhe oborri i sulltanit ishte ndoshta i vetmi që mund të thuhej se ishte me të vërtetë kozmopolit. Tashmë Perandoria Osmane dhe Perëndimi i krishterë ndanin kontrollin e kontinentit të vjetër, por asnjëri prej tyre (pavarësisht një konfrontimi të gjatë personal mes Sulejmanit dhe Karlit V) nuk mbizotëroi mbi tjetrin.

Evropa kishte gjetur diçka shumë të ngjashme me një ekuilibër, dhe Konstandinopoja rivalizonte për nga kultura dhe qytetërimi, me disa prej oborreve më të rafinuara të Perëndimit. Dashuria për luksin dhe artet nuk e mjegulluan asnjëherë kthjelltësinë politike të Sulltanit, që konsiderohej edhe nga kundërshtarët si një shtetar i madh: i quajtur "I Madhërishëm" nga evropianët, turqit preferonin ta quanin "Ligjvënësi", duke i thurur elozhe aftësive administruese dhe qeverisëse, që për shumë historianë, e bënin atë të krahasueshëm me perandorin Justinian.

Në vitin 1565, ylli i Sulejmanit duket se kishte arritur kulmin e vet, kur flota perandorake ishte gati për t'u marrë kalorësve të krishterë edhe ishullin e Maltës: në qoftë se kjo sipërmarrje do të kishte qenë e suksesshme, ndoshta Mesdheut do të bëhej, në fjalët e historianit Alessandro Barbero, një "liqen turk." Sulejmani nuk e harronte dot atë dështim, dhe vitin e ardhshëm udhëhoqi trupat edhe një herë në Hungari, ku, pikërisht dyzet vjet më parë, kishte filluar gjithçka. Objektivi tani ishte qyteti i Szigetvárit, që ndodhej nën rrethim, por Sulltani nuk do ta merrte dot atë fitore të fundit.

Në natën mes 5 dhe 6 shtatorit 1566, Sulejmani i Madhërishëm vdiq në një çadër kampi në moshën 72 vjeç. Një ditë më pas, Szigetvári ra. Kështu përfundoi parabola e sundimtarit të madh që e quante veten "Sulltani i sulltanëve, Sovrani i sovranëve, shpërndarësi i kurorave të monarkëve të globit, hija e Perëndisë mbi tokë", por drita e mbretërisë së tij legjendare nuk do të shuhej për gjatë. / StoriaIn – bota.al

The post Politikan ambicioz, luftëtar i pamëshirshëm: kush ishte Sulejmani i Madhërishëm appeared first on INSAJDERI.

Mali i Zi voton për hyrjen në NATO

Posted: 28 Apr 2017 07:34 AM PDT

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë votuar vendimin për hyrjen e Malit të Zi në NATO. Gjithsej 46 deputetët votuan.

"Këta deputetë sot kanë privilegj historik. Ky vendim nuk ka mund të merret askund tjetër pëerveç në Cetinje. Ditën e sotme e shkruajmë në historinë më të ndritshme të Malit të Zi", ka porositur në fjalën e tij të hryjes kryeministri Dushko Maroviq.

Ai ka paralajmëruar se vendimi në Senatin e Spanjës do të merret brenda dhjetë ditëve të ardhshme. Ky do të jetë verifikimi i fundit i nevojshëm që Mali I Zi të bëhet edhe formalisht anëtari I 29 I Aleancës.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq ka shprehur keqardhjen e tiji pse një pjesë e opozitës që e kundërshton anëtarëismin nuk do të jetë në sallë për të shprehur argumentet e saj.

Në seancën e Kuvendit ka marrëpjesë edhe presidenti Filip Vujanoviq, si dhe ish kryetarët e Kuvendit Radivoje Brajoviq, Velisav Vuksanoviq dhe Darko Pajoviq.

Përfaqësuesit e Frontit Demkoratikdhe organizatave që kundërshtojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kanë porositur nga tubimi në Cetinje pak para seancës se nuk do ta pranojnë vendimin e parlamentit për vërtetimin e marrëveshjes, me të cilën sigurohen kushtet për hyrjen e Malit të Zi në Aleancë.

The post Mali i Zi voton për hyrjen në NATO appeared first on INSAJDERI.

Maqedoni: Kronika e një krimi të planifikuar kohë të gjatë

Posted: 28 Apr 2017 07:29 AM PDT

Boris Georgievski

Ajo që ka ndodhur dje në Shkup i ka befasuar vetëm ata që nuk e njohin situatën. Sulmi në Parlament është një përpjekje e vazhdueshme e disa forcave për të rrënuar demokracinë.

Futja e djeshme me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë ka pasur vetëm një qëllim: që ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski dhe klika e tij nacionaliste e VMRO-DPMNE të mbeten në pushtet pavarësisht çmimit që duhet paguar. Kjo parti i ka fituar zgjedhjet e parakohshme në dhjetor të vitit 2016, por ajo nuk ka mundur të krijojë shumicën parlamentare për krijimin e qeverisë. Shumicën e ka krijuar lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev, së bashku me partitë e shqiptarëve. Partitë shqiptare e kanë refuzuar kërkesën e Gruevskit për bashkëpunim, për shkak të deklaratave të tij nacionaliste dhe ngulfatjes së demokracisë.

Pas humbjes së shumicës në Parlament, Gruevski dhe partia e tij e kanë bllokuar punën e Parlamentit dhe krijimin e qeverisë për një kohë të gjatë. Në këtë rrugë kanë mbështetjen e fuqishme të Presidentit të shteti Gjorgje Ivanov.

Zgjedhja dje e Kryetarit të ri të parlamentit u kundërshtua me dhunë nga mbështetësit e Gruevskit. Qindra njerëz nën komandën e drejtpërdrejtë të VMRO-DPMNE u futën me dhunë në Parlament. Disa prej tyre me maska të zeza dhe të armatosur me armë zjarri dhe armë të ftohta. Policia e cila është nën kontrollin e plotë të Gruevskit, jo vetëm që nuk i pengoi, por i përshëndeti dhunuesit. Njësitet speciale kanë ardhur vetëm dy orë më vonë dhe kanë shpëtuar deputetë dhe gazetarë që po mbaheshin të bllokuar në godinën e Parlamentit.

Objektivi kryesor i sulmuesve ishin deputetët e shumicës së re parlamentare, por janë sulmuar edhe gazetarë. Bilanci përfundimtar prej më shumë se 100 të plagosurve, ndër ta edhe shumë deputetë, flet për nivelin shumë të lartë të gatishmërisë për dhunë.

Krimi është planifikuar dhe organizuar nga VMRO-DPMNE dhe Gruevski. Nuk ka qenë spontan apo i rastësishëm. Humbja e pushtetit për Gruevskin dhe klikën e tij do të thotë një mundësi shumë e madhe që të përfundojnë në burg dhe të mbeten pas hekurave me vite të tëra. Shërbimet sekrete i kanë përgjuar qytetarët me vite, zgjedhjet janë manipuluar, ndërsa shumë prej tyre janë përfshirë në korrupsion. Gruevski është akuzuar nga Prokuroria Speciale për shumë raste të keqpërdorimit të pushtetit dhe për dhunë.

Gruevski dhe partia e tij po përpiqen prej muajsh të provokojnë konflikte ndëretnike. Ata po bëjnë një fushatë të qëllimshme kundër shqiptarëve dhe “tradhtarëve” në këtë vend. Ata mendojnë se destabilizimi i vendit do t’ia mundësonte Gruevskit amnistinë në negociatat me përfaqësuesit ndërkombëtarë, për krimet që i ka bërë gjatë pushtetit 10-vjeçar. Nëse kjo dështon, ai do të aktivizonte skenarin rezervë, që presidenti Ivanov të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të stopojë demokracinë edhe ashtu të dobët në Maqedoni.

Pas ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit, nga Gruevski dhe Ivanovi mund të priten të gjitha dhe nuk të befason asgjë. Do të ishte mirë sikur BE dhe vendet udhëheqëse si Gjermania të deklarohen bindshëm në anën e demokracisë në Maqedoni. Gruevski është shembulli më i mirë për politikën e gabuar të Brukselit ndaj Ballkanit, ku në vend të mbështetjes së forcave liberale dhe politikanëve demokratë, me vite të tëra është mbështetur Gruevski, sipas motos “stabiliteti para demokracisë". Tani Brukselit kjo po i kthehet si bumerang. Çmimi është humbja e demokracisë – dhe stabilitetit./DW/

The post Maqedoni: Kronika e një krimi të planifikuar kohë të gjatë appeared first on INSAJDERI.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more