Skip to main content

“Drunjtë të cilët duhet të largohen nga sheshi i qytetit zhvendosen tek Pallati i Sporteve (Foto lajm)” plus 9 more Ferizaj Press

“Drunjtë të cilët duhet të largohen nga sheshi i qytetit zhvendosen tek Pallati i Sporteve (Foto lajm)” plus 9 more Ferizaj Press


Drunjtë të cilët duhet të largohen nga sheshi i qytetit zhvendosen tek Pallati i Sporteve (Foto lajm)

Posted: 17 Apr 2017 08:38 AM PDT

 Drunjtë të cilët gjendeshin në sheshin e qytetit “Adem Jashari” me projektin e ri duhet të largohen.
Por këta drunj kompania “Kopshti i Artë” nuk i la të shkojnë dëm. Këta drunj kjo Kompani u kujdes me profesionalizëm që ti zhvendos para Palestrës së sporteve “Bill Klinton” që të mos shkojnë dëm por edhe pjesa para Palestrës  të vazhdoi të mbushet me drunj dekorativ.

Reçica: Nëse nuk kalon Demarkacioni, PDK e gatshme për zgjedhje

Posted: 17 Apr 2017 06:28 AM PDT

Nëse Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi nuk kalon në Kuvendin e Kosovës atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kështu ka deklaruar deputeti nga radhët e Partisë Demokratike, Elmi Reçica.

Sipas tij, PDK është gjithmonë e gatshme të shkoj në zgjedhje kur është në pyetje interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

"Nëse nuk kalon Demarkacioni si parakusht për liberalizim të vizave gjë që i prek qytetarët e Republikës së Kosovës, atëherë Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të shkoj në zgjedhje të parakohshme", ka thënë Reçica për Telegrafin.

Ndërkohë që kryeministri Mustafa ditë më parë ka thënë se brenda muajit prill do ta procedojë në Kuvend çështjen e demarkacionit.

Prite të gjelbrën, mos rreziko jetën

Posted: 17 Apr 2017 05:27 AM PDT

Përkundër fushatave sensibilizuese  dhe kohëve të fundit edhe të një projekti të policisë për siguri në komunikacion aksidentet ende nuk janë të vogla.

Se secili duhet të kujdeset për jetën e vetë tregon edhe një foto e dërguar nga një lexues i FerizajPeress i cili  me të parë se një qenë pretë dritën e gjelbër në semafor nuk ka  kaluar pa e fotografuar këtë rast.

Në foto shihet se dritat në semafor janë në të kuqen dhe qeni i cili është ndalur dhe po pret radhën e tij,pra po pret të gjelbrën.

Më mirë të presësh një minut se sa të kërkosh të drejtën tënde nëpër gjykata si invalid.

 

Agron Bajraktari- model i ri udhëheqësi në një universitet

Posted: 17 Apr 2017 04:52 AM PDT

Këtë javë, në rubrikën "Profil", do t'ua prezantojmë rektorin e Universitetit te Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof.Dr. Agron Bajraktari.

Suksesi i Bajraktarit lidhet me personalitetin e tij shumë energjik, aftësisë për të vepruar shpejt në situata të paparashikuara, logjikën moderne të menaxhimit, si dhe dëshirës dhe vullnetit për përgatitje të vazhdueshme profesionale.

Më 15 mars 2016, ai u zgjodh rektor i universitetit më të ri publik në vend dhe të vetmit të profilizuar – Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ndërsa, është edhe anëtar i Konferencës së Rektorëve të universiteteve publike të Kosovës. Para zgjedhjes së tij rektor, Bajraktari ka qenë prorektor në Universitetin e Prishtinës (2012-2014),  anëtar i Bordit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës (2013-2016), si dhe Këshilltar Politik në fushën e pylltarisë në Qeverinë e Kosovës (2008-2012).

Në vitin 2004 u zgjodh koordinator i ECTS dhe Zhvillimit Akademik. Ndërsa, në vitin 2006 u zgjodh shef i Departamentit të Përpunimit të Drurit. Pastaj, Bajraktari u zgjodh Dekan i Fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara në Ferizaj pranë Universitetit të Prishtinës në vitin 2006, si dhe u rizgjodh për mandatin e tij të dytë në vitin 2009. Bajraktari është zgjedhur Ligjërues në Universitetin e Prishtinës në vitin 2003, ndërsa në vitin 2006, Universiteti i Prishtinës e zgjodhi z. Bajraktarin Profesor Asistent, në vitin 2011 Profesor i Asocuar dhe së fundi, në korrik të vitit 2016 u zgjodh Profesor i Rregullt (thirrja më e lartë universitare që mund të merret në Kosovë).

Ai ka mbi 90 prezantime në konferenca të ndryshme ndërkombëtare (në Amerikë, Argjentinë, Brazil, Kinë, Japoni, Korenë e Jugut, Rusi dhe shtete të ndryshme evropiane).  Gjithashtu, ka publikuar punimet e tij në revista të njohura ndërkombëtare me recension ndërkombëtar dhe impakt faktor, e po ashtu, recensent në 6 revista ndërkombëtare dhe anëtar i organizatave më të rëndësishme në botë në fushën e pylltarisë dhe industrisë së drurit. Gjithashtu, pjesëmarrës në shumë komitete shkencore dhe ngjarje të ndryshme nga fusha e tharjes së drurit.

Prof. Dr. Agron Bajraktari ka publikuar tre libra nga fusha e tij e studimit (2 monografi dhe 1 libër universitar). Studimet bachelor dhe master i mbaroi në Departamentin e Industrisë së Drurit – Fakulteti i Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në vitin 2004 e mori titullin Doktor i Shkencave, ndërsa ka vazhduar për të dytën herë me studimet master në fushën e ekonomisë (MBA) pranë Universitetit Staffordshire në Angli.

Prof. Dr. Agron Bajraktari flet gjuhën angleze, italiane dhe atë gjermane.

Prof. Bajraktari ka punuar edhe në shumë projekte dhe kompani private në sektorin e përpunimit të drurit.

Vlerësohet po ashtu dedikimi i tij në ngritjen dhe zhvillimin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në një Universitet model të zhvillimit profesional të të rinjëve në fushën e sektorit të përpunimit të drurit dhe atij të  plastikës, duke bashkërenduar një bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat dhe njësitë e kërkim-zhvillimit shkencor e aplikativ.

Pasi sektori i përpunimit të drurit dhe atij të plastikës janë ndër më të zhvilluarit në vend edhe nevoja për kuadro të reja me aftësi aplikative në industri bazuar në trendet globale zhvillimore është mjaft e madhe, këto arritje të reja të Universitetit Publik në Ferizaj i japin rektorit Bajraktari dhe stafit të tij vlera të shtuara për shoqërinë kosovare./Gazeta Observer

Rrugëtimi tetëvjeçar i Spitalit “Uroplastica Medicus” në Ferizaj

Posted: 17 Apr 2017 04:27 AM PDT

( Një histori e shkurtër , por krenare !)
Poliklinika " Uroplastica Medicus" është themeluar nga Dr. Isa I. Haxhiu, urolog dhe Dr. Hysni M. Arifi, kirurg plastik, në Korrik të 1991-ës, me seli në Shtime. Vetë emërtimi " Uroplastica " shenjëzon specialitetin e lëmisë së themeluesëve, ndërsa Medicus, shenjëzon profesionin e mjekut. U themelua si një imanencë e kohës, pas përjashtimit të shumicës së mjekëve nga institucionet shëndetësore të Kosovës, nga regjimi sërb, për shkak të papajtueshmërisë së tyre me këtë rexhim dhe kërkesës së tij për nënshtrim dhe lojalitet
Ne fillim te punës së Poliklinikës punonin vetëm Dr. Isa Haxhiu dhe Dr. Hysni Arifi, por më vonë filluan të bashkëpunojnë edhe Dr. Nazim Ymeri, pediatër dhe Dr. Sylejman Rexhepi , reumatolog e Dr. Ejup Pllana, kardiolog si dhe Behxhet Kaqiu,pediatër e dr. Jakup Ismajli, mjek i sapodiplomuar
Hapja e kësaj poliklinike u konsiderua si një hap i qëlluar për popullsinë e Shtimes dhe gati e gjithë popullsia e saj dhe e fshatrave përreth ,filluan të merrnin shërbime shëndetësore nga kjo poliklinikë e cila ofronte shërbime cilësore , të nivelit parësor e dytësor ( shërbime nga mjekësia e përgjithshme dhe specialistike), me çmime të ulëta, 2 marka për vizitë, ndërsa për ata që deklaroheshin se janë pa të ardhura, ofroheshin shërbime falas .
Meqë Poliklinika " Uroplastica Medicus" kishte një shërbim cilësor dhe të qasshëm për të gjithë ata që kishin nevojë të merrnin shërbime të tilla,të kapshme për të gjitha kategoritë, lindi nevoja e ofrimit të shërbimeve të saj edhe në Ferizaj, ndaj në bashkëpunim me Dr. Sami E. Salihun, kirurg maksillofacial dhe Ragip Hysenin, pronar i një objekti të "destinuar" për spital, i vumë themelin e spitalit të parë privat shënetësor , "Uroplastica Medicus " në Ferizaj i cili filloi punën më 02.01. 1994 duke dhënë shërbime shendetësore të nivelit parësor ( nga mjeksëia e përgjithshme) dhe atyre të nivelit dytësor ( shërbime specialistike) aty filluan të b=ëhen edhe intervenimet epara kirurgjike nga kirurgjia abdominale, urologjia, kirurgjia plastike, kirurgjia maksillofaciale, gjinekologjia, otorinolaringologjia, pediatria dhe ortopedia .

Njëherit , në kuadër të këtij spitali , që në nismë filloi punën edhe laboratori i hematologjisë dhe biokimisë, të cilin në fillim e udhëhoqi Prof. Dr. Fetah Halili, një profesor I biologjisë, I cili kishte mbetur I papunë nga fshesa sërbe, që kishte fshirë e mundohej të fshinte çdo gjë që kishte firmë shqiptare.Më vonë atë e udhëhoqi aj Dr. Ganimete Minci dhe Dr. Hatixhe Latifi-Pupovci,ndërsa deri në fund të shërbimit e udhëhoqi Musa Arifi
Vlen të theksohet se që nga dita e parë, Spitali " Uroplastica Medicus" filloi me shërbimin e kujdestarisë gjatë natës dhe kjo ishte edhe një ndihmesë e madhe për popullsinë e Ferizajt , Shtimes , Kaçanikut dhe Vitisë, meqë deri atëherë në Ferizaj kujdestaritë ishin organizuar nëpër ambulanca të ndryshme, sipas radhës që kishin caktuar, duke bërë që pacientët të endeshin sa nga një cep i qytetit , në cepin tjetër, patur mundësinë e një shërbimi në një lokacion të caktuar.

Meqë Spitali " Uroplastica Medicus" ishte thuaja afër Qendrës së qytetit , lehtë i qasshëm për pacientët, ai që nga fillimi u bë epiqendra e frekuentimit të të sëmurëve nga Ferizaj , rrethina, Kaçaniku, Vitia dhe Shtimja, meqë shërbimet ishin të shumëllojshme dhe të kapshme për xhepin e gjithsecilit. Ai ofronte edhe shërbime falas, sepse politika shëndetësore e Poliklinikës në Shtime dhe e Spitalit në Ferizaj, që nga fillimi kishte këtë moto: shërbime për të gjithë, pa dallim kombësie, gjinie, moshe dhe kategorie. Tashmë atë kishin filluar ta frekuentonin edhe jo pak serbë, ndonëse kishin shërbime të tyre , qoftë në Ferizaj apo Prishtinë, por falë korrektësisë së personelit dhe cilësisë së shërbimeve, tashmë edhe serbët vendorë nga Shtimja, Ferizaj, Vitia e Kaçaniku, kërkonin shërbimet tona dhe ishin më se të kënaqur.
Spitali tashmë kishte një staf tejet profesional dhe të shumëllojshëm : në shërbimin e mjekësisë së përgjithshme punonin Dr.Jakup Ismajli, Dr. Beqir Beqa dhe Dr. Mehmet Alibegu, ndërsa shërbime specialistike jepnin: nga urologjia Dr. Isa Haxhiu; nga kirurgjia plastike Dr. Hysni Arifi; nga kirurgjia maksillofaciale Dr. Sami Salihu; nga otorinolaringologjia Dr. Qazim Hysenaj; nga ortopedia Dr. Faton Morina; nga pediatria Dr. Feti Hetemi; nga gjinekologjia Dr. Syheda Latifi dhe Dr. Halil Kelmendi; nga anesteziologjia Dr. Burbuqe Bruqi e Dr. Tefta Hetemi . e më vonë edhe Dr. Nehat Baftiu. Në gjysmën e parë të vitit 1994 , Spitali u pajis edhe me rëntgen dhe tashmë edhe ekzaminimet rentgenologjike ofroheshin në kuadër të tij.
Spitali "Uroplastica Medicus" tashmë ishte bërë qendër jo vetëm e shërimit dhe mjekimit të pacientëve, por ai ishte bërë edhe qendër e shkollimit të studentëve dhe nxënësve të mjekësisë të Ferizajt dhe rrethinës. Aty zhvillonin praktikën të gjithë nxënësit e shkollave të mjekësisë së Ferizajt, Shtimes dhe Kaçanikut , por edhe studentët e mjekësisë , meqë Dr. Isa Haxhiu, Dr. Hysni Arifi, Dr. Qazim Hysenaj, Dr. Faton Morina, Dr. Syheda Latifi dhe Dr. Ganimete Minci e Dr. Hatixhe Latifi-Pupovci , ishin edhe asistentë të Fak. të Mjekësisë dhe në mungesë të zhvillimit të veprimtarisë së tyre në klinikat e Fak. të Mjekësisë, zhvillonin veprimtarinë arsimore në Spitalin " Uroplastica Medicus".
Nga ky spital, morën udhën dhe siguruan mjete për shkollim specialistik nga gjinekologjia Dr. Jakup Ismajli e Dr.Heroid Arifi dhe Dr. Nehat Baftiu, nga lëmi i anesteziologjisë dhe reanimacionit,
Do përmendur punën e palodhshme dhe me përkushtim edhe të gjithë atyre infermierëve e infermiereve, të cilët pa marrë parasysh rrezikun edhe në gjysmë të natës ishin të gatshme e u përgjigjeshin thirrjeve për të shërbyer, pa përtesë e plot përgjegjësi:Hasime Gashi, Halide AliI, Bukurije Mehmeti, Suzanë Brahaj, Afërdita Zhinipotoku, Metije Sadiku . Ajtene Jashari, Raza Shabani, Lirije Hyseni, teknikët Bashkim Hyseni, Osman Ismajli, Musa Baftiu,Agim Gashi, Sadri Reshani, furnizuesin e Spiatalit , Ismet Vata ( Dajën Ismet ), i cili u nxirrte me çmime të favorshme furnizuesve vjedhacakë serbë , të cilët vidhnin material e barëra nga klinikat e pushtetit dhe na e shisnin neve, shoferin e palodhshëm ,i cili deri në fund shërbeu me besnikëri e devotshmëri . Do u hynim në hak edhe nxënëseve të palodhshme , të cilat u rriten me "Uroplastikën…" dhe u bënë infermiere të vyera, të cilat punuan pa kompensim deri në ditën e fundit; infermierja Nifa ( Hanife Grainca) , Pranvera Hyseni, Afërdita Prushi dhe shumë të tjera .
Në kohën kur flloi lufta në Kosovë, pra që nga viti 1997, ky spital u vu në shërbim të saj dhe shërbeu UÇK-në, jo vetëm me material sanitar e mjete të nevojshme për shërbimin mjekësor, por në shërbim të saj vuri edhe vetë personelin: Dr. Jakup Ismajli, që në shtator të 1997-ës, shkoi në Krojmir , ndërsa Dr. Hysni Arifi, Dr. Sami Salihu dhe Dr. Nehat Baftiu, frekuentonin stacionet shëndetësore të UÇK-së , në mbarë Kosovën. Në këtë spital u mjekuan e u operuan edhe mjaft ushtarë të UÇK-së dhe familjarë të tyre, duke vënë në rrezik edhe jetët e personelit. Shumë nga ta që operoheshin në Spital, për shkak të rrezikut të zbulimit të tyre, meqë jo rrallë frekuentohej nga sigurimcat serbë dhe shqiptarë, që ishin në shërbim të pushtetit sërbë,e që na akuzonin se ishin në dijeni se po mjekonim "terroristë", që ditën e dytë të operimit , transferoheshin në ndonjë jatak më të sigurt dhe atje shkonim e përkujdeseshim për ta, me autoambulancën , që tashmë dispononte spitali.
Më 05. 01. 1999, në rrugë për në punë, në Porodime, një lokalitet midis Shtimes dhe Koshares, policia sërbe, ndalojnë drejtorin e Spiatalit,Dr. Isa Haxhiun , bashkë me dy nipërit e tij ( djemtë e vëllait ), Sedatin dhe Ariantin dhe fillimisht i kthejnë në Stacionin Policor në Shtime e pastaj në Ferizaj, duke I akuzuar për bashkëpunim me UÇK-në, përkrahje të Fondit " Vendlindja thërret" dhe mbështetje logjistike e kadrovike të Shërbimit Mjekësor të UÇK-ës. Nën kërcënime dhe shantazhe, se " ne dimë gjithçka " dhe "pazi shta radish" , u lëshuam të "lire",me ndërhyrje të pronarit Ragip Hyseni dhe gjetjen e "rastësishme" të inspektorit serb , Sllavishës, të cilit disa herë ia kishim vizituar babain e sëmurë në shtëpi.
Kur më 23 Mars 1999, në ora 13-të, u dha alarmi për sulm nga NATO, të ish Jugosllavisë , ishim duke e kryer operacionin e fundit në Spital, te një paciente me apendicit ( zorrë qorre), të cilën që atë ditë e transferuam për në shtëpi, sepse që nga ajo ditë, pushoi së punuari Spitali " Uroplastica Medicus", por disa nga mjekët e tij, Dr. Hysni Arifi, Dr, Nehat Baftiu dhe Dr. Isa Haxhiu, kaluan në shërbim të UÇK-së dhe deri në mbarim të luftës ishin në shërbim të ushtarëve dhe popullatës civile.
Në këtë spital tashmë ishin mjekuar e shëruar mijëra pacientë, ishin sjellë në jetë mijëra jetë të njoma , me çmime tejet simbolike dhe të shumtën edhe pa para, ndërkohë që lista e "borxhlinjve" kalonte dhjetëra e mijëra marka gjermane .Aty kishin gjetur punë dhe kishin siguruar mbijetesën me dhjetëra mjekë e infermierë dhe ishin shpëtuar me dhjetëra familje nga rruga e vështirë e gurbetit. Ai ishte vendi ku shpëtohej dhe bënte të vazhdohej jeta, por edhe vendi nga ku mësohej dhe përgatiteshin kuadrat e të ardhmes, të Republikës së Kosovës.
Megjithatë , rrugëtimi i tij dhe i burrave , grave, i djemëve dhe i vajzave të tija nuk mbaron këtu. Ai tashmë, nga dita e nesërme, pra nga 24 Marsi 1999, vazhdon rrugëtimin e tij luftarak, bëhet pjesë e UÇK-së dhe burrat , djemtë dhe disa nga vajzat e tija , u bënë pjesa më vitale dhe më shpresëdhënëse e ditëve të vështira, por krenare, të Zonës Ushtarake të Nerodimës, sepse ata frymuan gjer në fund me UÇK-në dhe ushtarët e kësaj Zone. Bile, në fund të luftës, Spitali i Mollopolcit, që ishte Spitali i Zonës së Nerodimes , ishte spitali i vetëm që kishte shpëtuar i tëri funksional dhe që në fund grumbulloi të gjithë të plagosurit e të gjitha zonave të luftës së Kosovës dhe u bë streha e vetme e përkujdesjes së tyre.
Ditët e para , nga 24.03. 1999, deri më 31.03. 1999, Dr. Isa Haxhiu bashkë me Dr . Agim Zejnën, organizuam një ambulantë në Rashincë, me mjete të "vjedhura" nga Ambulanca " Nëna Terezë " në Shtime, ku dërguam disa vullnetarë dhe e bartën thuaja të tërën në Rashincë. Kjo ambulantë , nën përkujdesjen e mëvonshme të Dr. Mehmet Alibegut, shërbeu deri në fund të luftës duke dhënë shërbime dhe mjekim falas për banorët e fshatrave përreth , për një popullate prej afro 20-të mijë banorëshe!
Një prilli i 1999-ës, Dr. Isa Haxhiun dhe Dr. Nehat Baftiun, i gdhiu në Mollopolc, ndërsa dr. Hysni Arifi iu bashkua Dr. Jakup Ismajlit , në Krojmir.
Në Mollopolc tashmë ishte një "Stacion Shëndetësor". Pas inspektimit që i bëmë që në mëngjes në pamë se s kishte as kushtet më elementare për punë dhe ishte vendosur në një ahur, e përpara kishte një grumbull plehu, ndërkohë që Logjistika e Zonës, kishte zënë shtëpinë më të mirë e më të përshtatshme, për një stacion shëndetësor. Po mendoja se ç’mendje e fantaksur ishte ajo që e kishte vendosur në ahur Stacionin Shëndetësor, të plagosurit e të sëmurët,dhe si të mos mjaftonte kjo, edhe një grumbull plehu përpara derës! Me gjithë pakënaqësinë time , bashkë me dr. Besim Hoxhën, të cilin sulmet e NATO-s, e kishin zënë në Mollopolc dhe Nehatin ( Baftiun) filluam të përgatisnim sallën e operacionit aty afër , në dhomën ngjitur me të plagosurit, por më larg grumbullit të plehut . Instrumentet , të cilat që më parë i kishim dërguar ,bashkë me sterilizatorin dhe aparatin e anestezionit, të cilat i kishim blerë nga disa serbë që na e kishin sjellë edhe rëntgenin, nga Nishi i Serbisë, nuk mjaftonin për intervenime të mëdha, sepse nuk kishim ekartera te thellë, ndaj filluam të gjurmojmë për lugë e garuzhda .Filluam të mbledhim tenxhere e kusija , që do na shërbenin për t i mbajtur sterile instrumentet që do sterilizoheshin ,bashkë me " ekarterat", që i bëmë nga garuzhdat dhe lugët që gjetëm . Të nesërmen filluam me operacionin e parë, komandant Tamulin, të cilit mina antitank i kishte këputur të katër gjymtyrët.Intervenimi kaloi me sukses, ia ndaluam gjakderdhjen nga gjymtyrët duke bërë përpunimin e "cungjeve " të mbetur, por të vetëdijshëm se ai nuk mund të mbijetonte edhe gjatë.
Për fat të keq, tashmë lufta ishte në kulm dhe betejat që zhvilloheshin për Mollopolcin nuk kursenin jetërat e ushtarëve e të civilëve. Në sallën e improvizuar të një shtalle e operuam edhe Agron Bytyqin , nga Fushtica të cilin e kishin plagosur policët sërbë, kur po merrte miell në Gjyrkovc , për t i dërguar familjes së tij dhe plumbat dum-dum i kishin bërë shoshë zorrën e hollë, në një segment prej afro 30 cm. Agronit i rezekuam 30 cm zorrë dhe i bëmë anastomozë mbarim-mbarim dhe ditën e katërt e lëshuam nga Spitali, të "shëruar" . Disa vite më pas Agroni erdhi t më takoj në Klinikë, në Prishtinë, i shëndoshë e dhe i martuar. Po në këtë "Spital" patëm nderin të mjekonim edhe anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm, Ramë Bujën, shokun e dikurshëm të jetës studentore, nga plaga që i kish përshkuar tejpërtej faqen e majtë dhe i kishte dalë afër veshit. Po këtu dhe me mjete tona të "përkryera", tenxhere , lugë e garuzhda, nën dritën e gjeneratorit që shpesh na mbetej pa benzinë, nën dritën e qirinjve operuam edhe "Çobanin" të cilit plumbi i kishte shqyer uretren e përparme dhe i bëmë uretroplastikë, të cilat edhe në kushte paqe dhe në sallat më modernë sfidojnë kirurgun dhe jo rrallë ia nxjerrin namin e keq. Po në këto kushte e operuam fshatarin nga Manastirci të cilit plumbi i policit sërb iI kishte përshkuar anë e tej fshikzën dhe i kishte këputur zollën e hollë, në momentin kur po përkujdesej p[r lop[t e tija , në oborrin e shtëpisë; këtu dhe nën këto kushte punuam edhe ushtarin Naser Tërshana, të cilit plumbi i ushtarit sërb i kishte këputur zorrën e trashë , pjesën transverse të saj dhe i kishte dëmtuar edhe faqen e pasme të lukthit. Ai na erdhi në Spital në gjendje të një shoku hemorragjik dhe u detyruam ta fusim drejt e në sale. Ai e përballoi ndërhyrjen si më mirë , falë transfuzioneve nga ushtarët dhe personeli që kishin grup të gjakut O+ dhe që shërbenin si dhënës univerzal. Nën këto kushte dhe me këto mjete , e sollëm në jetë edhe Liridonin,djalin e ushtarit të UCK-së, me prerje cezariane ,gruaja e të cilit s kishte guxuar të shkonte në Prishtinë dhe s mund të lindte me rrugë normale, me që fryti kishte nxënë pozitë të tërthortë.Dhe mu në çastin kur ishim duke e nxjerrë nga mitra frytin bashkë me placentën, harxhohet benzina e gjeneratorit duke bërë që ta vazhdojmë ndërhyrjen nën dritën e qirinjve . Megjithatë gëzimi ishte i pa përshkruar kur sollëm në jetë, një jetë të re dhe bëmë të shpëtohet një tjetër, e cila ishte rrezikuar, për shkak të pasigurisë , për të lindur nën kushte normale, si gjithë gratë tjera të botës. Pas këtij "heroizmi " , na erdhi në vizitë komandant Shukriu ( Buja) dhe na përgëzoi për veprën,ndërsa ne ia lame në dorën e tij pagëzimin e djalit të ushtarit. Ai e pagëzoi me emrin Lliridon, ndërsa gruaja bashkë me djalin, ditën e tretë pas intervenimit , shkuan e u bashkuan bashkë me të tjerët në çadra , atje ku gjallonin civilët, për t’u lëshuar vend të tjerëve, meqë shtretërit( shtretër u thënçin !) i kishim tepër të kufizuar. Po këtu dhe me sharrat e marra hua nga fshatarët, bëmë edhe amputacionet e këmbëve , të të gjithë atyre që kishin pasur fatin e keq të shkelnin nëpër mina e granata që ushtria serbe i kishte shpërndarë pa kursyer nëpër fusha , luadhe e male, për të qenë të" sigurtë" për veten e tyre.
Më pastaj erdhi maji kur ne u detyruam të lëviznim nga Mollopolci për në Shpellën te Guri i Shtrenjtë , atje ku do i strehonim ushtarët dhe civilët e plagosur. Por, armiku që na ndiqte këmba këmbës, na detyroi të ngjiteshim edhe në Devetak, atje ku tashmë kishim transferuar disa nga të plagosurit që nuk kërkonin ndonjë përkujdesje intensive. Pas tre ditësh edhe ne që ishim strehuar në shpellë, te Guri i Shtrenjtë, lëvizëm me traktorin e Plakut ( Ahmet Mujota) deri në Devetak. U vendosëm në shatorin që kishin lënë Shtabi i Përgjithshëm dhe ia filluam këngës. Por , armiku i cili ishte vetëm treqind metra larg,vijë ajrore, me një raketë na e beri të ditur se nuk ka vesh për këngët shqip dhe donte ta shurdhonte tingujt e saj. Megjithatë, ne këngën e vazhduam dhe deri aty nga gjysma e natës kënduam e llafosëm, pasi u kishim bërë vizitën e fundit ushtarëve dhe të plagosurve tjerë. Gjithsesi më e rendë dukej Lulja , vajza e re e cila kishte humbur syrin , ishte plagosur në të dy këmbët,duke e humbur njërën nga to, kur po kthehej nga mulliri me babain dhe vëllanë e saj, edhe ky i plagosur nga granata e një minahedhësi serb.
Të nesërmen vije ushtar "kingji" dhe na thotë se duhet të lëvizim , meqë parashikohej që për së shpejti të futeshin forcat serbe dhe mund të na nxinin bashkë me të plagosurit. Tashmë kishim humbur lidhjet me Komandën e Zones dhe Besimi ( Hoxha) të cilin e kishim zgjedhur shef të Stacionit Shëndetësor meqë as unë , dr. Isa Haxhiu dhe as Nehati ( Baftiu) nuk kishim pranuar të marrim këtë rol, në kohën kur shef i Shtabit të Zonës ishte komandant Feri ( Imri Ilazi), për të cilin kishim rezervat tona, ndërsa Shukriu ( Buja) atëherë ,ishte jashtë Zonës, me detyrë për të organizuar Zonën e Karadakut . Pra , të gjendur nën rrethim dhe me mundësinë për t na sulmuar nga çasti në çast, kur ne ruheshim nga dy apo tre ushtarë të armatosur me nga një pushkë, i them Besimit se unë marrë përgjegjësinë për zhvendosjen e të plagosurve drejt fushimit të Lumit të Topillës, atje ku ishte i vendosur Shtabi dhe ushtarët e UÇK-se. I vendosëm shumicën e ushtarëve të plagosur, ata që nuk kishin nevojë për përkujdesje intensive dhe me traktorin e "Plakut" i dërguam për tek lumi , ndërsa ne personeli dhe tetë të plagosur mbetem deri në mbrëmje. Ishim të sigurt se mëngjesi nuk duhet të na gjente në Devetak. I përgatitëm për rrugë, të plagosurit tjerë, tetë nga ta më të rendët, që kërkonin përkujdesje mjekësore të vazhdueshme , morëm të gjithë sallën operatore me vete, madje edhe shatorin e Shtabit të Përgjithshëm dhe në ora 23.00, filluam marshimin tonë bashkë me të plagosurit, nëpër një dhiare, nën një rrebesh shiu e bubullimash, nën krismat dhe gjëmimet e pushkëve, topave e granatave , , por që në ora katër të mëngjesit , sosëm te Lumi. I vendosëm të plagosurit nëpër çadra, ndërkaq unë e Nehati "fjetëm" bashkë në një shtrat portativ, por u gdhimë në tokë, nën rrezet e një dielli që kishte nisur të na I lëbyrte sytë e pangopur për gjumë. Të nesërmen në ora pesë të mëngjesit, ushtria serbe kishte hyrë në Devetak, por kishte gjetur vetëm hirin e zjarrit të mbrëmshëm dhe asgjë më shumë.
Pasdite vonë, përsëri u desh të ngjitemi në Shpellë, bashkë me ushtarët dhe aty t i kalojmë tre ditë e tre netë, nën shoqërinë e lakuriqëve të natës , gjëmmit dhe ofshamat e të të plagosurve dhe bisedave me ta. Tashmë ishim familjarizuar aq shumë me ta, na ishin bërë aq të dashur e të afërm , sa kishim harruar se ne ishim mjekë e ata të plagosur, pra ishim bërë njësh me ta dhe plagët dhe dhembjet e tyre i përjetonim, si të ishin plagët e dhembjet tona.
Pas tre ditësh qëndrimi në Shpellë, pasdite erdhi urdhri për lëvizje drejt fshatit Rancë, meqë forcat serbe tashmë kishin hyrë në Topillë dhe nga momenti në moment mund edhe të na sulmonin . Pas një udhëtimi rraskapitës, prej tetë orësh , në ora katër të mëngjesit kishim mbërritur në Rancë. U futëm në thasët që na I kishin dhënë për fushim dhe nën kundërmimin e rendë të vendit ku do flinim, unë e Nehati u detyruam të vendosëm maskat, për të mposhtur këtë kundërmim, kishim fjetur paq deri aty kah ora shtatë. Natën tjetër e kaluam në një shtëpi të vjetër, ku banorët e saj kishin ikur , para frikës së terrorit sërb. Tashmë na ishte bashkangjitur edhe personeli i Jezercit dhe ai i Reqakut e i Llanishtit dhe numëronim afër 40-të gjithsejtë , nga trembëdhjetë sa kishim qenë në Stacionin Shëndetësor të Mollopolcit, që ne kishim filluar ta quanim Spital, prej nga zu fill Spitali i sotëm i Ferizajt.
Pesëmbëdhjetë maji i 1999-ës, na gjeti prapë në Mollopolc, por më s pranuam të vendoseshim në ahuret e mëparshëm, por kërkuam shtëpinë më të mirë, që deri atëherë e kishte përdorur Logjistika e Zonës. Aty tashmë kishim kushte shumë të mira për punë dhe plagët e të plagosurve shumë shpejt filluan të mos kullonin më. Tashmë natën rrallë dëgjoje gjëmimet dhe ofshamat e të plagosurve, por dëgjoje këngët që ia merrte Agimi dhe Ylli, që kishin mbetur pa një këmbë, por që dielli i lirisë , po i ushqente mushkëritë e tyre plotë jetë, këngë e dashuri dhe malli për shokët , familjet dhe të afërmit ,i bënte t ia merrnin këngës, këtij "vaji të burrit", meqë nuk dihej se nga kishin tretur, por që shpresa i mbante se do të takoheshin e do të ishin bashkë përsëri.
Kështu mbërrimë deri te 12-të qershori i 1999-tës, atë ditë kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës dhe përfundimisht kapitulloi ushtria serbe dhe eskorta shfarosëse e Millosheviqit , këta piromanë të katër luftërave, të cilat i humbën , por me viktima të shumta civilësh, përdhunime, vrasje e shkatërrime .
Pesëmbëdhjetë maji na gjeti në Maternitetin e Ferizajt , pas dorëzimit të çelësave nga dy mjekë serbë të cilët i takuam para dyerve të Shtëpisë së atëhershme të Shëndetit dhe kur maternitetin e dikurshëm të Ferizajt e shndërruam në Spital të Ferizajt, aty ku vendosëm pesëdhjetë të plagosurit dhe ku filluam të bëjmë intervenimet e para në liri.
Në këtë rrugëtim të mundimshëm e triumfal, nuk duhet lënë pa përmendur udhëtarët tanë të pandashëm, infermierët e infermieret tona trimëresha e te vyeshme : infermieren Valbona Dërguti, Hasime Ademajn, Hazire Nuredinin, Besa Hoxha,Lendita Kamberin ( nga Presheva), infermierin e palodhshëm e të devotshëm Ali Shaqirin, infermierin e vijës së parë të frontit, Bashkim Hyseni ( Skifteri), Nusretin dhe shumë të tjerë, që koha e ka bërë të veten dhe ndoshta mund të kem harruar ,ndonjërin nga ta .
Tashmë në Spitalin e Ferizajt kishim mbi 50-të të plagosur dhe që kërkonin një përkujdesje më të specifikuar, ndaj më 21 qershor të vitit 1999, bashkë me dr. Nehat Baftiun dhe dr. Hysni Arifin organizuam edhe vendosjen e 32 ushtarëve tanë , në Klinikën e Kirurgjisë dhe përfundimisht morëm nën zotërim edhe klinikat e Fak. Të Mjekësisë, të cilat deri atëherë administroheshin nga regjimi serb. Ky ishte edhe momenti më pikant i gjithë rrugëtimit tonë, kur vendosëm ushtarët tanë nëpër repartet e klinikave dhe tashmë nuk kishim frikë se mos po na qëllonin granatet dhe plumbat e policëve dhe ushtarëve serbë, të cilët na kishin ndjekur ngado për 78 ditë rresht !
Shpresoj që kjo "përvojë" të mos përsëritet kurrë më , por ky ishte rrugëtimi tetëvjeçar i Spitalit "Uroplastica Medicus", i atyre burrave e grave , djemve dhe vajzave, të cilat , kaluan me dinjitet dhe humanizëm të pashoq, kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve tetëvjeçare, nën thundrën e pushtetit serb , por të dinjitetshëm e krenar , për të gjithë atë që bënë, në shërbim të popullit dhe gjithë atyre që patën nevojë për ta, në ditët kur fshesa pushtetare serbe , mundohej të fshinte çdo gjurmë shqiptare, të nën qiellit të Kosovës.
Spitali "Uroplastica Medicus" e mbijetoi këtë kalvar dhe u bë gurthemeli i Spitalit të tashëm të Ferizajt, meqë që në Mollopolc, unë dhe Nehati kishim marrë vendim për ta bërë të tillë, çfarë është sot, me dëshirën që në të ardhmen e afërt të bëhet edhe më i ri, më i bukur, por gjithmonë i përgatitur për shërbime sa më cilësore e më me nivel.
Ndoshta , gjeneratave të adhshme i gjithë ky rrugëtim yni do ju duket si një tregim imagjinar , i një njeriu me fantazi të bujshme, por e gjithë kjo, në pika të shkurtëra ishte rruga nëpër të cilën ka ecur deri më 21 qershor 1999, atëherë kur edhe përfundimisht mbaron rrugëtimi I tij dhe gjithë atyre që e mbajtën mbi shpatulla , ngado që shkuan !
Dr.Sci. Isa I. Haxhiu, ish drejtor i Spitalit "Uroplastica Medicus "

Tentim grabitje në Ferizaj, plagosen dy familjarë, arrestohet grabitësi

Posted: 17 Apr 2017 04:00 AM PDT

Një i dyshuar mashkull i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në shtëpinë e viktimës mashkull në fshatin Lloshkobare të Ferizajt me qëllim grabitje.
Siç bën të ditur policia, në momentin kur i dyshuari është vërejtur nga viktima ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës duke e plagosur atë me ç' rast dy familjar të viktimës janë përleshur fizikisht me të dyshuarin dhe kanë pësuar lëndime ata dhe i dyshuari.
"Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë duke arrestuar të dyshuarin, ndërsa në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar : Një revole CZ, 2 gëzhoja ,2 predha ,një maskë dhe një palë dorëza.
Të lënduarit si dhe i plagosuri janë dërguar në tretman mjekësorë në QKUK", thuhet në njoftimin e policisë.
I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër te prokurorit dërgohet ne mbajtje.

Çka po fshihet nën maskën e demarkacionit dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe

Posted: 17 Apr 2017 03:50 AM PDT

U bënë gati dy vite që Kosova po rrezaton tym e flakë nga përleshjet në mes forcave politike në vend, për të vendosur ose refuzuar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Kur i dëgjon palët nëpër ballafaqime e besa jo rrallë edhe në përleshje me njëri tjetrin, të krijohet përshtypja se gjithsecili ka të drejtë.
Por po të analizohet çështja me kujdes duket qartë se secila palë është e zhytur skajshmërisht në demagogji dhe po synon nën maskën e prizmës së patriotizmit ta mashtrojë, shantazhojë dhe përvetësojë opinionin publik për ti fituar zgjedhjet e radhës.
Së pari loja gjoja për ta definuar kufirin me Malin e Zi mbështetur në këtë apo atë hartë gjeografike, përkatësisht në këtë apo atë dokument është më tepër se një lojë e ndyrë sepse të gjitha hartat shtetërore dhe dokumentet tjera zyrtare, me të cilat forcat politike po betohen se ku është kufiri, janë të Serbisë dhe Malit të Zi. Për fat të keq kufirin asnjëherë shqiptarët e Kosovës nuk e kanë patur nën kontrollin e tyre dhe as që janë pyetur ndonjëherë se deri ku është tokë e tyre. Prandaj janë tepër bajate deklaratat si ajo e Pal Lekajt se kufirin më mirë se qeveria dhe delegatët e pozitës, e dinë (Lopët e Deçanit dhe Pejës) sepse atje ku ato kanë pirë ujë d.m.th në Qakorr është kufiri. E kur fjala dhe mendimi qoftë edhe i gabuar është pa asnjë përgjegjësi, pse ndonjë tjetër të mos thotë se edhe Cetina është e jona sepse atje kanë mrizuar arinjtë dhe ngaqë kanë këtë emër ato janë shqiptare prandaj argumente të tilla dhe broçkulla të ngjashme të parlamentarëve shqiptarë kosovarë dëshmon për nivelin intelektual dhe përgjegjësinë institucionale të zyrtarëve politike.
Derisa qeveria në njërën anë ngriti një komision nga akademia e shkencave të Kosovës për ta matë territorin e vendit, opozita formoi një komision tjetër intelektualësh për ta shmang gjegjësisht kundërshtuar vijën e kufirit Dihet historikisht që para dyndjeve të sllavëve I tërë gadishulli ballkanik deri në Ilirska Bistric ishte i yni por ja që dyndjet e popujve barbarë dhe pastaj të sllavëve ndikuan që hapësirat shqiptare të tkurreshin në mënyrë ekstreme dhe për çështjen që po diskutojmë qytetari I shkretë ka rënë në hall se kujt ti besojë sepse shqiptarët janë mësuar me elita intelektualësh që jo rrallë mashtrojnë e besa edhe marrin pozicione antipopullore si shembull për këtë po e vejmë në spikamë vitin 1988 kur në Kosovë u mbajtën debate për ndërrimet kushtetuese. Masat e gjëra popullore i thanë jo suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe ishin të gatshëm për çdo sakrificë, por në çastet e fundit, intelektualët, ekspert të jurisprudencës thanë para qytetarëve se nuk humbim asgjë me ndërrimet kushtetuese që i kishte propozua dhe detyrua Serbia. Me 23 Mars 1989 fillimisht gratë, rinia dhe masat e gjëra popullore u përleshën me njësitë speciale të Serbisë kurse jo pak intelektual e strukën kokën nën sqetullat e Rrahman Morinës dhe Milosheviçit.
Kur sot dëgjon njeriu zërin pompoz dhe me tone të shfrenuara të patriotizmit të Dr. Riza Smaka të krijon përshtypjen si për ata burrat e rrethinës së Ferizajt të cilët në vitin 1980 me një fije kashte e matnin kanalin e Suezit se sa i takonte Palestinës e sa Izraelit e edhe Riza Smaka ka marrë një pozicion dhe me kutin opozitar po e matë kufirin me Malin e Zi. Për hir të së vërtetës do i themi ati njeriu se nëse ai ka harruar neve që na këshillonte bashkë me Llaziq Strehinjën nga Serbia në vjeshtën e vitin 1988 në shkollën e mesme Zenel Hajdini në Ferizaj, se duhet dhënë pëlqimin ndryshimeve kushtetuese në favor të Serbisë sepse ne me këtë rast nuk humbim asgjë prandaj ne që ua dimë burrërinë këtyre lakenjve pavarësisht nga titujt që i bartin, e kemi tërësisht të qartë se ata po të ballafaqohen me egërsinë e palës kundërshtare, kufirin e Kosovës do ta tkurrin deri në Prishtinë.
A mund të konsiderohet ndryshe përpos si servilizëm sjellja e disa deputetëve të parlamentit të Kosovës siç bie fjala Donika Kada Bujupi e ndonjë tjetër të cilët në rrethanat kur ekzekutohet himni i Kosovës,ata nuk lëvizin nga vendi.
Sikur kanë harruar të sipër përmendurit se pikërisht ata ishin nënshkrues e bile edhe rrahagjoks të pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 e cila prodhoi këtë himn dhe këtë flamur, e besa pas nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë i morën edhe nga 500 euro shpërblim, e sot na hidhen si baballarë kombi që dashkan tërë Ballkanin ta bëjnë Shqipëri. Qytetari që mendon racionalisht i kupton çartë dhe drejt hilet e këtyre faqezinjve nga secili krah politik qofshin ata. Në trungun shqiptarë për një pyetje nuk ka përgjigje të çartë: Pse ndodh që nga secila anë të sulmohet substance kombëtare. Në njërën anë del një doktor jurisprudence si Ismet Salihu i cili nëpër debate televizive edhe pse se morri mundimin që profesionalisht ta mbrojë autonominë e Kosovës e cila po rrëshqiste nën sqetullat e Serbisë, ati i paska ngelur meraku se pse në kohën kur pedagogët universitarë nga Tirana mbanin ligjërata në universitetin e Prishtinës paskan kërkuar ndihmë prej kosovarëve për ta përmbysur pushtetin popullor të Enverit në Tiranë dhe për ta vendosur atje "demokracinë" të kryegjelatit Tito, dhe ky doktor "I famshëm" sikur e ndien veten fajtor që një ndihmë të tillë ska mundur të ua ofroj njerëzve me frymë titiste që vinin nga Shqipëria në Kosovë . Gjithashtu edhe disa albanologë dhe analistë politikë, llum i demokracisë po i bëjnë luftë të pa reshtur për ta përmbysu standardin gjuhësor sepse gjoja shqiptarët dhe Shqipja nuk janë rreziku nga asimilimi, gjenocidi dhe dhuna e shfrenuar nga pushtuesit por nga gjuha e unisuar e dalë si rezultat i kongresit drejtshkrimor 1972. Këta far llaskuca të politikave ditore si Rrahman Paqarizi Halil Matoshi Migjen Kelmendi Nexhmedin Spahiu e të tjerë pasi që vetë nuk mund ta zotërojnë si duhet standardin gjuhësorë, duan që atë të ua suprimojnë të gjithë shqiptarëve.

Remzi Hasani

Kastrioti vazhdon me suksese, rrëmben 17 medalje në Kampionatin Shtetëror të Karatesë

Posted: 17 Apr 2017 01:30 AM PDT

Në Kampionatin shtetëror të karatesë për pioneer dhe kadet të rinjë,që u organizua nga Federata e Karatesë së Kosoves,dhe që u mbajt dje në pallatin e rinisë në Prishtinë, Kastriotët shkëlqyen me gjithësejt 17 medalje:
7 medalje ARTA,
4 medalje ARGJENTA, dhe
6 medalje BRONZIT.

Medaljet e arta:
– FJOLLA BEHLULI, në diciplinën KATA ,10 VJEÇ
– ALMA LOKI ,në diciplinën KATA ,12 VJEÇ,
– ALMA LOKI ,në diciplinën KUMITE,12 VJEÇ,-42 kg,
– RIZA MAHALLA ,në diciplinën KUMITE,13 VJEÇ,-55 kg.
– ARBORA BEHLULI ,në diciplinën KUMITE, 13 VJEÇ,-47 kg.
– BLEONA BEHLULI ,në diciplinën KATA,14 VJEÇ,-47 kg
– BLEONA BEHLULI ,në diciplinën KUMITE,14 VJEÇ,-47 kg
Medalje të argjenta:

– VALËZA LOKI ,në diciplinën KATA ,9 VJEÇ
– DIELLZA MAHALLA ,në diciplinën KATA ,11 VJEÇ,
– ERËZA SALIHU ,në diciplinën KUMITE,12 VJEÇ,-37 kg.
– ARBORA BEHLULI ,në diciplinën KATA, 13 VJEÇ.
Medalje të bronzit:
– ARBI REXHEPI,në diciplinën KUMITE,10 VJEÇ,-40 kg
– BLINË SADIKU , në diciplinën KUMITE,11 VJEÇ,+40 kg.
– ERËZA SALIHU , në diciplinën KATA,12 VJEÇ.
– ENSAR HAMZA , në diciplinën KUMITE,12 VJEÇ. -55 kg
– YLLI BISLIMI , në diciplinën KUMITE,14 VJEÇ. -55 kg
– ILMI DËRGUTI , në diciplinën KUMITE,14 VJEÇ. +60 kg

Kosova në vendin e parë në rajon për përdorimin e internetit

Posted: 16 Apr 2017 02:34 PM PDT

Enver Beqiri i cili ka pasur për objekt studimi këtë fenomen, thotë se përdorimi i tepërt i internetit lë pasoja negative tek popullata.

Studimi ka të bëjë më tepër me efektet që rezultojnë në përdorimin e tepërt të internetit, siç është varshmëria nga interneti, efektet negative në të folur në imagjinatë në socializim, pra gjithnjë duke i referuar përdorimit të tepërt – tha profesori Enver Beqiri.

Sociologët thonë se pasojat negative nga përdorimi i tepërt i internetit mund të vërehen tek fëmijët.

Barra kryesore bie mbi prindërit që ua blejnë fëmijëve këto smartfonë prandaj njëkohësisht duhet t'i kontrollojnë, t'i monitorojnë se çfarë kontrollojnë cilat programe gjenerojnë derisa janë përballë ekraneve të celularëve apo internetit të kenë parasysh edhe limitin e kohës ambientet në të cilat i përdorin sa performojnë me fotografi e kështu me radhë –deklaroi Ardita Abduli, sociologe.

Disa nga shkollat fillore dhe të mesme në vend kanë bllokuar rrjetin me qëllim që nxënësit të mos kenë qasje në internet. Abdylmexhit Shaqiri, që ligjëron informatikën thotë se gjatë mësimit nxënësit kontrollohen, por ai thotë se celularët janë ata që s'mund t'i ndalojnë.

Këtu në shkollë janë të mbrojtur drejtë për drejtë nga sistemi i qasjes në internet nga arsimtarët që ligjërojnë po ashtu dhe është bllokuar sistemi nga qasja jo-adekuate për nxënësit – tha profesori Abdylmexhit Shaqiri.

Sipas EuroStat'it, përdoruesit më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor janë pikërisht kosovarët, shtet ky që me përdorim ua kalon edhe disa shteteve evropiane, siç është Sllovenia, Kroacia apo shtetet e tjera, ndërsa në Evropë, me përdorimin e internetit, kryesojnë shtetet skandinave.

Zbulohet një kishë mesjetare në Kamenicë

Posted: 16 Apr 2017 02:33 PM PDT

Por për arkeologun Shaban Berisha, i cili vepron në këtë pjesë të vendit, pjesa e parë e objektit mund të ketë qenë tempull, pasi për këtë flasin rozetat, të cilat janë të gdhendura në mure.

Por, sipas tij, komuna asnjëherë nuk është interesuar për këto monumente.

Në Komunë nuk kanë qenë të informuar rreth këtyre gërmimeve dhe as nuk kanë informacion se kush janë gërmuesit.

Por ata shprehen të gatshëm për restaurimin e këtij objekti.

"Sipas informacioneve të para, arkeologët vlerësojnë se kisha i takon kohës mesjetare dhe ngjason me ato bregdetare".

Instituti Arkeologjik i Kosovës menjëherë ka filluar të punojë në këtë lokacion.

Sipas Rexhës, ky monument do të gëzojë mbrojtje ligjore dhe se shumë shpejt do të fillojnë me gërmime shtesë në këtë lokacion, ku do të jepen informata të sakta sa i përket kohës së ndërtimit të këtij objekti të kultit.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more