Skip to main content

Mesazhi.com: “A është Asociacioni “pazar” politik?” plus 9 more

Mesazhi.com: “A është Asociacioni “pazar” politik?” plus 9 more


A është Asociacioni “pazar” politik?

Posted: 29 Mar 2017 08:55 AM PDT

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të nis procesin e hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thotë se pas kthimit të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e ekzekutivit presin që javën e ardhshme të diskutojnë me përfaqësuesit e kësaj liste edhe për kthimin e tyre në ekzekutivin e vendit.

Gjithashtu, sipas tij, pritet të diskutohen edhe mundësitë e ndryshimeve të kuadrove apo të individëve që do ta përfaqësojnë Listën Serbe në qeverinë e vendit.

"Sapo të ndodhë kjo, ne i kemi emrat e Grupit menaxhues, të katër serbëve, të cilët duhet të koordinohen me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku unë punoj si zëvendësministër, me ministrin e ri, të cilin do ta vendosë Lista Serbe. Pastaj, ky koordinim duhet të bëhet edhe me OSBE-në dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që ne të fillojmë punën në përpilimin e statutit (të Asociacionit), e cila punë, besoj që do të marrë një kohë. Pastaj, nëse ka nevojë, kur ta kemi një draft të statutit, atëherë këtë draft mund ta diskutojmë gjithashtu edhe në Bruksel".

Më 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pati vlerësuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese pati marrë vendim, që Asociacioni të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë.

Por, njohësit e aspekteve juridike në vend, e kanë ngritur dilema rreth mundësisë së zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se Gjykata Kushtetuese, në rastin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka dështuar të instalojë doktrinën juridike që dy asociacionet, siç thotë ai, i shqiptarëve dhe ai i serbëve, të jenë të veçanta, por të barabarta.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin nuk ka arritur të zbatohet deri më tash dhe siç thotë ai, gjykata Kushtetuese nuk e ka denoncuar ekzekutivin në Prokurorinë e Shtetit për një gjë të tillë.

"Moszbatimi për 15 muaj, që nga dhjetori i vitit 2015, nënkupton që Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje – për shkak se është peng i një pazari politik me Listën Serbe, me qeverinë e Beogradit dhe me një dialog, i cili është jo proporcional me Qeverinë e Serbisë – për ta zbatuar këtë aktgjykim dhe për ta lejuar krijimin e asociacionit në fjalë. Meqenëse nuk kemi zbatim, atëherë kjo nënkupton se që, të dyja, Gjykata Kushtetuese dhe Qeveria e Kosovës, kanë dështuar që ta përcaktojnë se çka është fryma kushtetuese e Republikës së Kosovës nëse dy asociacione të komunave janë monoetnike".

Megjithatë, sipas Gjykatës Kushtetuese, çdo hartim i statutit të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e saj dhe mund të bëhet vetëm pasi ta ketë vlerësuar sërish vetë kjo Gjykatë.

Zëvendësministri Gecaj, konfirmon se në fund të procesit, statuti i Asociacionit do t'i dërgohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

"Pasi të përpilohet komplet statuti, ai statut, me një dekret të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese . Fjala përfundimtare në të do të jetë e gjykatës Kushtetuese", tha ai.

Por, profesor Qorolli konsideron se do të jetë e pamundur që hartim i statutit të Asociacionit të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht edhe në përputhje me kërkesat e Listës Serbe për kompetencat e Asociacionit.

"Do të jetë një mision i pamundur, sepse kjo përcakton një lindje të re të një entiteti kushtetues në rendin tonë juridik, për shkak se ai aktgjykim dhe vet statuti do të ketë defektet e saj në frymën kushtetuese. Prandaj, këtu po duhet një pazar i ri politik që duket se do të negociohet në Berlin ose gjetiu, në mes të Kosovës dhe Serbisë, për ta lejuar ndoshta edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës, për ta lejuar edhe lirinë e lëvizjes së Kosovës. ky është një karrem më tepër politik".

Përfaqësuesit e Listës Serbe, thonë se do ta vazhdojnë punën në Kuvendin e Kosovës, por ata nuk kanë dashur të japin ndonjë përgjigje lidhur me atë se a do të kthehen në qeverinë e vendit në javën e ardhshme, ashtu siç presin zyrtarët e ekzekutivit.

The post A është Asociacioni "pazar" politik? appeared first on Mesazhi.com.

Kushtetuesja rrëzon një nen të Ligjit për Veteranët e UÇK-së

Posted: 29 Mar 2017 08:54 AM PDT

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që neni 3 (2) i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u shtuan paragrafët 5 dhe 6 në nenin 16 të Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 të Kushtetutës.

Sipas këtij neni "Veterani luftëtar i UÇK-së që jeton në shtet tjetër, gëzon të drejtën në benificione tjera, sipas këtij ligji, por nuk gëzon të drejten në pension".

Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushteuee thuhet se "Gjatë seancës së mbajtur më 28 mars 2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi në rastin KO 01/17, "Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L -261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", përkitazi me kërkesën e parashtruar nga Aida Dërguti dhe 23 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:

Gjatë seancës së mbajtur më 28 mars 2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës u këshillua dhe votoi në rastin KO 01/17, "Vlerësim i kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L -261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", përkitazi me kërkesën e parashtruar nga Aida Dërguti dhe 23 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që:

TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

TË SHPALLË që neni 3 (2) i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u shtuan paragrafët 5 dhe 6 në nenin 16 të Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me nenin 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 46 të Kushtetutës;

TË SHPALLË që neni 4 i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u shtuan neni 16A, paragrafët 1, nënparagrafët 1.1, 1.2 dhe 1.3 në Ligjin Nr 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në pajtueshmëri Kushtetutën;

TË SHPALLË që neni 5 i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u fshi neni 18 i Ligjit Nr. 04/L-241 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në pajtueshmëri me Kushtetutën;

Teksti i plotë i Aktgjykimit do t'u komunikohet palëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare në kohën përkatëse.

The post Kushtetuesja rrëzon një nen të Ligjit për Veteranët e UÇK-së appeared first on Mesazhi.com.

Washinton, te shtena ne Capitol Hill

Posted: 29 Mar 2017 08:29 AM PDT

Policia ne Washinton iu eshte pergjigjur nje gjuajtjeje me arme ne afersi te Capitol Hill, si dhe nje veture qe iu kishte drejtuar nje oficeri te policise.

Sipas oficereve, nje grua qe po ngiste makinen ne Independence Avenue SW, goditi me veture nje veture te policise dhe pastaj u perpoq te godiste me veture oficeret.

Situata shume shpejt u morr nen kontroll dhe zyrtaret thane se nuk ka asnje evidence se incidenti lidhet me terrorizmin.

Policia e Washingtonit pranoi nje thirrje telefonike ku raportohej per te shtena ne Capitol Hill, por me pas u supozua se te shtenat ishin paralajmerim nga oficeret e policise, pasi nje grua nuk ndaloi kur ia kerkua.

FBI erdhi menjehere ne vendin e ngjarjes dhe iu ofroi ndihme oficereve.

Kapitol Hill u mbyll perkohesisht per shkak te incidentit, por me vone u hap serish. /MESAZHI/.

The post Washinton, te shtena ne Capitol Hill appeared first on Mesazhi.com.

ShBA e shqetësuar për transformimin e FSK-së me Ligj

Posted: 29 Mar 2017 08:10 AM PDT

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, sot priti në takim zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Brian Yee.

Në një njoftim zyrtar nga MFSK thuhet se në takim të ministrit Demolli dhe të ndihmës sekretarit amerikan, Yee, të pranishëm ishin edhe zëvendësministri Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, si dhe atasheu ushtarak i SHBA-ve, në Prishtinë, kolonel Jeffrey H. Fisher dhe këshilltari ushtarak Joshua Rubin, si shoqërues të Yee.

Gjatë këtij takimi ministri Haki Demolli, në emër të Ministrisë dhe FSK-së ka falënderuar zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Yee, për ndihmën që SHBA-të po japin për FSK-në, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e dy shteteve dhe në veçanti partneritetin e Bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Ministri Demolli po ashtu e njoftoi ndihmës sekretarin amerikan Yee me bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar, pjesëmarrjen e FSK-së në shumë trajnime me karakter rajonal si dhe sukseset e arritura në garat ndërkombëtare.

Gjithashtu ministri Haki Demolli, e njoftoi Yee edhe për bashkëpunimin me DIRI-in (Iniciative e rishikimit të Institucioneve të Mbrojtjes) në procesin e planifikimit të transformimit të FSK-së si edhe me ecurinë e zhvillimit të procedurave për projektligjin për zgjerimin e misionit të FSK-së.

Nga ana e tij, Hoyt Yee falënderoi ministrin Demolli për pritjen dhe përcolli mesazhin se Uashingtoni zyrtar është i shqetësuar rreth procesit të transformimit të FSK-së me ligj.

The post ShBA e shqetësuar për transformimin e FSK-së me Ligj appeared first on Mesazhi.com.

Delawie: Ushtria do të bëhet, por me ndryshime kushtetuese

Posted: 29 Mar 2017 06:59 AM PDT

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se shteti i tij dhe Kosova kanë një lidhje të posaçme.

Ai në Forumin Fol Hapur foli për sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Delawie tha se SHBA-të kanë investuar shumë në ndërtimin e FSK-së deri në këtë stad të profesionalizimit të saj.

Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas ambasadorit amerikan është krijimi i ushtrisë së Kosovës, por që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

"Krijimi i FAK-ut është qëllim edhe i yni siç është qëllim i kosovarëve. Ky krijim duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe pas konsultimit me të gjitha komunitetet", ka thënë Delawie, transmeton Telegrafi.

Delawie tha se Qeveria e tij ka qenë e qartë në këtë çështje.

Sipas tij, kjo duhet të bëhet me përkrahjen e të gjitha komuniteteve dhe se Qeveria duhet ta bëjë këtë në partneritet me SHBA-të.

"Qeveria duhet t'i koordinojë hapat për transformimin e FSK-së me SHBA-të dhe NATO-n. Krijimi i një armate tash vetëm përmes ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar", tha Delawie.

The post Delawie: Ushtria do të bëhet, por me ndryshime kushtetuese appeared first on Mesazhi.com.

Brian Yee: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion

Posted: 29 Mar 2017 05:15 AM PDT

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë opsioni i duhur dhe se institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë afatin ligjor për mbajtjen e tyre.

Në këtë intervistë, e cila transmetohet sonte nëRTK, ai ka folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, demarkacionin dhe asociacionin, si dhe procese të tjera të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin.

Zëvendësndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë. Ai u takua me liderët institucionalë të Kosovës, përfaqësuesit e partive politike shqiptare si dhe ata të Listes serbe. Brian Yee nuk u paraqit me deklaratë para mediave.

The post Brian Yee: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion appeared first on Mesazhi.com.

Dialogu duhet të vazhdojë i riformatuar dhe i kushtëzuar

Posted: 29 Mar 2017 04:52 AM PDT

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot tryezën e diskutimit "Pezullimi i Dialogut: Impakti në procesin e integrimit evropian të Kosovës".
Kjo tryezë kishte për qëllim që të diskutohet rreth zhvillimeve të fundit në procesin e dialogut, obligimet e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që rrjedhin nga MSA-ja si dhe impaktin potencial që këto zhvillime mund të kenë në procesin e integrimit të Kosovës drejt BE-së.

Pjesë e panelit diskutues ishte, ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës: Elmi Reçica (PDK), Njomza Emini (LDK), Glauk Konjufca (LVV), Daut Haradinaj (AAK) dhe Nenad Rashiq (PDS).

Në hyrje të këtij debati, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se rezoluta e kaluar në Kuvendin e Kosovës që kërkon nga qeveria pezullimin e dialogut mund të prodhojë efekte nga më të ndryshmet të cilat prekin si procesin e integrimit evropian të Kosovës si të ardhmen e vet procesit. Ajo shtoi se transparenca dhe gjithëpërfshirës mbeten elemente kyçe për këtë proces.

Me këtë rast ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se Kosova e ka obligim brenda Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që të jetë faktor konstruktiv në procesin e dialogut ashtu sic e ka edhe Serbia kapitullin e 35 të negociatave për anëtarësim në BE. Sipas saj, dialogu është proces dinamik që në vazhdimësi do të plotësohet dhe do ta ushqej procesin drejt integrimit evropian të Kosovës.

Deputeti Daut Haradinaj, ka theksuar se pezullimi i dialogut është i drejtë pasi që Kosova e ka për obligim që t'i bëjë me dije Serbisë se nuk mund të luaj me qytetarët e Kosovës. Sipas tij, BE-ja duhet t'i shtoj kërkesat mbi Serbinë dhe jo vetëm mbi Kosovën. Ndonëse ka theksuar se AAK-ja e ka përkrahur zhvillimin e dialogut ai ka potencuar se ky dialog duhet të zhvillohet mbi bazat e reciprocitetit me Serbinë.

Kurse deputeti Nenad Rashiq, ka theksuar se dialogu duhet të vazhdojë dhe se nuk ka asnjë alterantivë tjetër. Sipas tij, në këtë proces mund të jepen kritika dhe të shikohet se çfarë mund të bëhet por ndërprerja e dialogut ka thënë se vetëm sa i komplikon edhe më shumë raportet dhe se nuk arrihet asgjë.

Deputeti Glauk Konjufca, ka thënë se ky dialog ka nisur keq për shkak se pala Kosovare ka qenë tërësisht e papërgatitur. Konjufca ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës, në mars të vitit 2011 kur ka filluar ky dialog, nuk ka pasur asnjë platformë për këtë dialog ashtu sic kishte Serbia. Njëkohësisht ka thënë se dialogu është iniciuar njëanshëm.

Ndërkaq deputetja Njomza Emini, ka pohuar se Kosova ka treguar gjithherë përgjegjësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog për dallim nga Serbia e cila nuk po i zbaton ato. Ajo ka thënë se dialogu nuk është ndërprerë por është kushtëzuar deri në lirimin e ish kryeministrit Haradinaj dhe anulimin e fletarresteve të lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Deputeti Elmi Recica, ka thënë se dialogu e ka dëshmuar se është i domosdoshëm mirëpo ka thënë se ndryshimi apo riformatimi në raport me Serbinë është po ashtu i domosdoshëm. Sa i përket serbëve të Kosovës ka vlerësuar se në vazhdimësi duhet të bisedohet me ta dhe vetëm me përpjekjen e Kosovës dhe tërheqjen e tyre nga vendimmarrja jashtë Kosovës marrëdhëniet do të përmirësohen.

Kjo tryezë organizohet në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.

The post Dialogu duhet të vazhdojë i riformatuar dhe i kushtëzuar appeared first on Mesazhi.com.

Sportistja amerikane me mbulesë i dërgon letër të hapur Trumpit

Posted: 29 Mar 2017 04:36 AM PDT

Sportistja muslimane Ibtihaj Muhammed, e cila si përfaqësuese e SHBA-ve ka fituar medalje bronzi në sportin e skermës në Lojërat Olimpike në Rio tha se "Frikësohem nga fushatat e terrorit të Amerikës në emër të idealeve të lirisë dhe të drejtësisë", raporton Anadolu Agency (AA).

Letra e hapur e Muhammed, e cila ka fituar medalje si përfaqësuese e Amerikës në Lojërat Olimpike në Rio, adresuar tek presidenti i SHBA-ve, Donald Trump u publikua në numrin e ri të revistës Time.

Ibtihaj Muhammed, e cila është sportistja e parë me mbulesë që ka garuar si përfaqësuese e Amerikës, në letrën e saj ka thënë se atmosfera e krijuar në SHBA po i dëmton vlerat e “drejtësisë” dhe “barazisë” tek popullsia dhe se është ngjallur frika nga “fushata e terrorizmit”, e cila është kundër idealeve të Amerikës.

Duke e vlerësuar përfaqësimin e SHBA-ve në Lojërat Olimpike si "një nder të madh", Muhammed kërkoi nga Trump që t'i heqë pengesat që ndodhen përpara muslimanëve.

Muhammed, në letrën e saj ka shkruar:

"Kur po ju dëgjoj juve po ndiej plotësisht se jeni duke e ngjyrosur një tablo tjetër. Po kuptohet se ju refugjatët nuk po i shihni si 'viktima të terrorit' por si 'burim i terrorit'. Kontributet e vendit tonë për t'i strehuar refugjatët, të cilët kanë qenë shembuj që Amerika të jetë gjithmonë përpara, mendoj që ju më tepër po i shihni si 'marrëveshje të këqija'. Ju po jepni përshtypjen se mbulesën time po e shihni si një shkak të frikës dhe si një kërcënim. Ju keni përdorur shprehjen ‘Mendoj se Islami po na urren neve’. Kjo nuk është vetëm gabim, por bën edhe nxitje të frikës dhe të urrejtjes, si dhe nxitë dhunën ndaj muslimanëve dhe vendeve tona të adhurimit”, shkruan në letrën e saj Muhammed.

“Sigurisht që qëllimi juaj nuk ka qenë kjo. Nuk dua që ta besoj këtë, por qeverisja juaj dhe ti, mua dhe popullin si unë e sheh si 'të tjerët', e jo si 'amerikanët miq'. Atmosfera e urrejtjes dhe e frikës, që keni udhëhequr në mënyrë intensive gjatë fushatës zgjedhore, u rrit edhe më shumë me veprimet tuaja në Shtëpinë e Bardhë. Kur ju u zgjodhët, unë në aeroport u kontrollova dhe u akuzova si e dyshuar. Në rrugët e New York-ut thonë që të kthehem në shtetin tim. Kjo nuk është Amerika që unë e njoh, kjo nuk është Amerika që bota do ta shohë si lider dhe që do të frymëzohet nga ajo", thuhet më tej në letër.

"Atmosfera e krijuar po i dëmton vlerat e drejtësisë dhe të barazisë"

Duke theksuar se çështja e terrorizmit nuk ka lidhje me çështjen e refugjatëve, Muhammed tha se atmosfera e krijuar po i dëmton vlerat e drejtësisë dhe të barazisë në shoqëri.

“Tre milionë muslimanë amerikanë, po i edukojnë fëmijët, po i shërojnë pacientët, po luftojnë në fronte. Edhe përkundër sulmeve të juaja po vazhdojnë të marrin pjesë në radhët e para për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve. Besimi im thotë që t'u ndihmoj njerëzve që janë me më pak fat dhe të flasë kundër padrejtësive", ka thënë Muhammed.

Ajo theksoi se ata nuk kanë një problem të tillë si "terrorizmi i refugjatëve", duke shtuar se “po frikësohet nga fushatat e terrorizmit që po bëhen nga SHBA-të në emër të idealeve të lirisë dhe të drejtësisë”.

The post Sportistja amerikane me mbulesë i dërgon letër të hapur Trumpit appeared first on Mesazhi.com.

Gjermania përshpejton dëbimin e azilkërkuesve

Posted: 29 Mar 2017 04:33 AM PDT

BERLIN- Një avion me 15 afganë, përpjekja për azil në Gjermani e të cilëve ishte refuzuar, mbërritën sot në Kabul, në kohën kur Berlini ka përshpejtuar dëbimin e azilkërkuesve, kërkesa e të cilëve për qëndrim në ekonominë më të madhe të Evropës kishte dështuar.

Deri tani, numri i afganëve që janë dëbuar nga Gjermania dhe që kanë mbërritur në Afganistan, ka arritur në 92.

"Në grupin e azilkërkuesve të refuzuar ishin një i pamartuar si edhe disa persona që kishin kryer krime në Gjermani", njoftoi Ministria e Brendshme gjermane.

The post Gjermania përshpejton dëbimin e azilkërkuesve appeared first on Mesazhi.com.

Arrestohet në SHBA zëvendësdrejtori i “Halkbank”

Posted: 29 Mar 2017 04:30 AM PDT

Zëvendësdrejtori i "Halkbank" turk, Mehmet Hakan Atila është arrestuar në SHBA, njoftoi televizioni turk NTV.
Atila është akuzuar se  ka shkelur sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit.
Zëvendësdrejtori i "Halkbank" është arrestuar mbrëmë në aeroportin ndërkombëtar "Xhon.F Kenedi" në Nju-Jork.
Lidhur me arrestimi, banka nuk jep shpjegime.

The post Arrestohet në SHBA zëvendësdrejtori i "Halkbank" appeared first on Mesazhi.com.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more