Skip to main content

Tirana Observer: “Një prokuror dhe bashkëshortja abuzuan në mënyrë flagrante me vizën amerikane” plus 9 more

Tirana Observer: “Një prokuror dhe bashkëshortja abuzuan në mënyrë flagrante me vizën amerikane” plus 9 more


Një prokuror dhe bashkëshortja abuzuan në mënyrë flagrante me vizën amerikane

Posted: 26 Jan 2017 09:45 AM PST

Një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij kanë abuzuar në mënyrë flagrante me vizën amerikane, – thotë ambasada amerikane në një njoftim për shtyp të shpërndarë sot pasdite në redaksitë e mediave.

Njoftimi thotë se ky është një ndër shkaqet për ndërmarrjen e veprimit të revokimit të vizave për disa gjyqtarë e prokurorë, por për arsye të mbrojtjes së të dhënave personale nuk jep shumë informacion se kush është ky prokuror dhe bashkëshortja e tij që kanë abuzuar.

Ne njoftimin e sotëm thuhet: "Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre", nënvizon ambasada

Eksperti i spiunazhit: Daullet e luftës po bien sërish në Ballkan, roli i Putin

Posted: 26 Jan 2017 09:28 AM PST

John Schindler, ekspert i sigurisë, ish-analist i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) dhe ekspert në fushën e spiunimit e terrorizmit, në një shkrim për  Observer, ka paralajmëruar se një luftë e re në Ballkan mund të fillojë. Ai ka përmendur si shkak situatën e brishtë në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.

"Në dekadën e fundit të luftërave nëpër vende të ndryshme që prej sulmeve të 11 shtatorit, është e lehtë të harrojmë se sa spiunë, ushtarë dhe diplomatë perëndimorë, shpenzuan kohë në vitet '90 për të shpëtuar Ballkanin nga vetvetja",- shkruan Schindler, transmeton "Koha.net".

"Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991 me dhunë dhe luftë, i ra hise NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara, që të zgjidh katrahurën e shëmtuar. Tani, një gjeneratë më vonë, zgjidhjet e përkohshme të Uashingtonit për Ballkanin kanë filluar të copëtohen dhe një luftë mund të nisë në rajonin më të destabilizuar të Europës",- shton ai.

Me Bosnjën të fundosur në korrupsion dhe krim, duke mos përmendur edhe problemet serioze me ekstremizmin islamik, ajo po shembet politikisht, ekonomikisht dhe si shoqëri.

Në fund të vitit 1995, presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton në Dayton të Ohios nënshkroi një marrëveshje për të mbajtur të bashkuar Bosnjën e përfshirë në luftë civile, por kjo marrëveshje nuk ishte menduar si afatgjate.

"Bosnja ende është me sistemin e Daytonit, me Sarajevën e dobët dhe me fuqizimin e dy etnive; Federatës myslimane dhe Republika Srpskas. Kjo marrëveshje e çuditshme nuk e kënaq asnjërën palë. Fuqi më e madhe i është dhënë myslimanëve, pak për serbët dhe kroatët po ankohen që nuk kanë etninë e tyre. Tani lidershipi i Republika Srpskas, po kërcënon që të tërhiqet nga marrëveshja e Daytonit. Presidenti i kësaj republike, Milorad Dodik nuk po fsheh nacionalizmin e tij",- shkruan ish-oficeri ushtarak, Schindler.

Sipas Schindlerit, situatë më e keqe është në Kosovë. Ai shkruan se tensionet në Kosovë janë rritur me provokimet e shpeshta të Beogradit.

"Serbia po kërkon aneksimin e veriut të Kosovës që përbëhet me shumicë serbe. Serbia së fundmi për në Kosovë nisi një tren me sloganin "Kosova është Serbi" në 21 gjuhë. Këtë, shqiptarët e panë si provokim. Fatmirësisht, treni u ndal para se të mbërrinte në Kosovë",- shkruan ai.

"Presidenti i Serbisë, një nacionalist i madh, kërcënoi me dërgim të ushtrisë në Kosovë nëse serbët atje keqtrajtohen. Kjo gjë do të rifillonte luftën ndëretnike që NATO-ja e ndali me bomba në vitin 1999".

Schindler shkruan se liderët politikë të Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Beogradit, ishte kërkesa ndaj Bashkimit Europian që të qetësojë Beogradin para se gjërat të dalin jashtë kontrollit, derisa shumë shqiptarë flasin për ringjalljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcë që rezultoi e suksesshme gjatë luftës në Kosovë. Ky shtet nuk ka ushtri, ka vetëm një forcë paraushtarake , por çdo tentim i shqiptarëve për riarmatosje do të ngjallte sjellje të këqija nga Serbia.

"Këtu nuk vlen të përmendet edhe shkuarja e shumë shqiptarëve në Shtetin Islamik në Irak dhe Siri. Disa veteranë xhihadistë po kthehen në shtëpi. Në Kosovë ka edhe shumë shqiptarë të armatosur që po synojnë luftën",- shkruan eksperti i spiunimit dhe terrorizmit.

Përfshirja e Putinit mes Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës, sipas Schindlerit, ka filluar para dy vjetësh kur ideologjinë e tij për solidaritetin me ortodoksinë sllave kundër Perëndimit e përqafuan shumë serbë, shumë prej tyre në Bosnjë.

"Moska ka përkrahur Dodikun politikisht dhe financiarisht për kundërshtimin e tij ndaj sistemit të Daytonit", shkruan ai.

"Përfshirja e Rusisë në Serbi është edhe më brengosëse. Nuk është koincidencë që treni provokues që u nis për në Kosovë, ishte prodhuar në Rusi, transmeton Koha.net.

Prezenca e inteligjencës ruse është jashtëzakonisht e madhe dhe ka krijuar një bazë në jug të këtij shteti me qëllim që të monitorojë aktivitetet e Perëndimit në regjion",- shton ai.

Shqetësimi më i madh i Schindlerit tani për tani është kërcënimi i Ballkanit me lojërat klandestine të Kremlinit, të cilat ai e quan "Luftë Speciale".

Schindler shkruan se rusët përmes spiunimit, përmbysjeve, propagandës dhe terrorizmit synon destabilizimin e tërë Ballkanit.

"Në nëntor, operativët e lidhur me inteligjencën ruse tentuan grusht-shtet në Mal të Zi, shtet i cili po kërkon anëtarësimin në NATO. Ajo çfarë do Putini në Ballkan është e arritshme. Të krijojë kaos politik që do të shpërqendronte Perëndimin. Ai do të jetë fort i lumtur nëse do të niseshin luftërat lokale",- shkruan Schindler.

"Putini, si shumë rusë, e sheh intervenimin e Perëndimit në Bosnjë dhe Kosovë si sulm ndaj botës ortodokse sllave dhe planifikon hakmarrje".

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë vazhdimisht kanë bërë thirrje për qetësim të Europës Juglindore para se problemet e tyre të dalin jashtë kontrollit dhe se dhuna do të rikthehej në këtë rajon me shumë probleme.

Klement Balili fshihet brenda vendit: Komunikon vetëm me letra dhe korrierë

Posted: 26 Jan 2017 09:12 AM PST

Klement Balili i cilësuar nga mediat greke si "Eskobari i Ballkanit", dyshohet se fshihet brenda territorit shqiptar.

Burimet zyrtare nga prokuroria dhe policia e shtetit, i thanë Abc News se po punohet në rrugë operative dhe me metoda speciale për të gjurmuar vendstrehimin e Balilit, tashmë i shpallur në kërkim me vendim të gjykatës së krimeve të rënda. Dyshohet se ai fshihet brenda territorit shqiptar pasi në sistemin TIMS rezulton se nuk ka kaluar kufirin.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet pista e hetimit të largimit të tij nga Shqipëria edhe në mënyrë ilegale apo dokumente të tjera te fallsifikuara. Burimet thonë, se veç shpalljes në kërkim brenda territorit shqiptar dhe pikave të kalimit kufitar Balili është shpall edhe në kërkim ndërkombëtar.

Por te faqja zyrtare dhe publike e INTERPOLIT, me emrin e Klement Balilit ende nuk figuron ndonjë e dhënë siç ka ndodhur me rastet e personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Burimet nga policia dhe prokuroria thonë se është i vështirë identifikimi i vendndodhjes së Balilit, pasi njerëzit pranë tij përdorin numra telefoni të paregjistruar në emrin e tyre apo pjesëtarëve të familjes, të cilat vazhdojnë të blihen në tregun e zi. Pavarësisht kësaj, burimet thonë se me metoda speciale janë në vëzhgim thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes së tij. Ndërkohë, një burim operativ mësohet se i ka thënë grupit hetimor të çështjes, se njerëzit e Kelmend Balilit komunikojmë me këtë të fundit vetëm me letra dhe me anë të korrierëve, të cilët nuk janë pjesëtare apo të afërm të familjes. Kjo është një tjetër pistë përmes së cilës po punohet për të identifikuar këto persona.

Komunikimi me letra, për hetuesit tregon se është më e mundshme pista që Balili nuk është larguar nga Shqipëria por ndodhet brenda territorit

Për mos gjetjen dhe arrestimin e tij nga policia, kohët e fundit ka pas reagime edhe të ambasadorëve të huaj, ministrave të qeverisë si dhe angazhimi i kreut të Kuvendit Ilir Meta, i cili i ka kërkuar përmes një letre, Presidentit të Republikës të mbledh këshillin e sigurisë kombëtar. Kërkesë, e cila është pranuar nga Presidenti, qe  shumë shpejt do të njoftoje edhe datën e mbledhjes së anëtarëve të këshillit të sigurisë kombëtare.

Kelment Balili akuzohet nga autoritet greke dhe shqiptare, si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës në kuadër të organizatës kriminale, e cila dyshohet se funksionon prej vitesh.

“Fotot me shqiponjën shqiptare”, Greqia mbledh Kuvendin në seancë të jashtëzakonshme

Posted: 26 Jan 2017 08:38 AM PST

Çështja e rekrutëve me origjinë shqiptare në ushtrinë greke, që pozuan me simbolin e shqiponjës, tashmë ka kaluar edhe në nivel parlamentar në Athinë. "BalkanWeb" ka siguruar ekskluzivisht kërkesën për interpelancë që nënkryetari i partisë më të madhe opozitare "Nea Demokracia", Adonis Georgiadis ka kërkuar me tre ministra, atë të Mbrojtjes, të Drejtësisë dhe të të Drejtave të Njeriut.

Referuar mediave greke, "BalkanWeb" raporton se kërkesa e tij është pranuar dhe se Parlamenti grek do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Në letrën e tij zyrtari i lartë i opozitës greke, shpreh hapur shqetësimin se prapa gjesteve të rekrutëve shqiptarë fshihet një lëvizje e mirëorganizuar nacionaliste që sipas tij tenton të cënojë rendin dhe sigurinë në Greqi.

Referuar letrës së Georgiadisit, thuhet shprehimisht se "gjesti i ushtarëve të rinj, publikuar në foto me duart e tyre që formonin shqiponjën shqiptare me dy koka është një praktikë që ne si shtet duhet të na detyrojë të investigojmë më thellë, në kërkim të strukturave paralele brenda shtetit. Trajtimi i përkorë dhe i matur i kësaj çështjeje është i domosdoshëm dhe ministritë duhet të hetojnë nëse fenomeni është nxitur nga forca të organizuara, të cilat tejkalojnë 'mburojat' nacionaliste dhe përpiqen të cënojnë sigurinë tonë dhe integritetin tonë territorial", – shkruan numri dy i "Nea Demokracia"-s.

Ai gjithashtu, raporton "BalkanWeb" shprehet se rasti i ushtarëve shqiptarë nuk është një fenomen i izoluar por një përpjekje e përsëritur sipas tij për të destabilizuar Greqinë, duke marrë si shembull ndalimin e dy shoferëve të MPJ-së shqiptarë që transportonin libra dhe abetare me "Shqipërinë e Madhe".

Ndaj dhe në kërkesën e tij për interpelancë me tre ministra, Gergiadis shton "kërkoj nga ju, çfarë hapash do të merrni për të dhënë përgjegjësitë administrative dhe penale? Sa rekrutë shqiptarë pranohen çdo vit në ushtrinë greke? A keni planifikuar të hetoni nëse veprimet e mësipërme janë të nxitura nga forca të mirëorganizuara?", – janë pyetjet që ai ka shtruar në kërkesën e tij për interpelancë.

Por ndryshe nga sa pritej dhe referuar praktikave të mëparshme kur ministrat e qeverisë Tsipras kanë refuzuar t'iu përgjigjen menjëherë kërkesa të opozitës kësaj rradhe ka ndodhur ndryshe. Referuar axhendës së punimeve të Parlamentit të Greqisë kjo çështje është futur me urgjencë për seancën e rradhës plenare dhe siç bëjnë të ditur mediat greke të tre ministrat kanë pranuar të përgjigjen edhe zyrtarisht për këtë çështje.

Ky rast dëshmon edhe njëherë se pavarësisht ndasive politike, mazhoranca dhe opozita në Greqi bashkohen sa herë për diskutim shtrohen çështje me karakter nacionalist, veçanërisht në raportet me Shqipërinë dhe Turqinë.

 

SHBA refuzon vizat për disa gjyqtarë e prokurorë të korruptuar

Posted: 26 Jan 2017 08:33 AM PST

Ambasada e Shteteve të Bashkuara u ka refuzuar vizat disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, që sipas saj, akuzohen për korrupsion.

Në deklaratën e shpërndarë edhe përmes rrjeteve sociale, Ambasada nuk jep asnjë emër dhe thotë se e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të Vettingut,

"I cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre", thuhet në deklaratë.

Deklarata vijon duke shtuar se Ambasada e SHBA i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe paralajmëron se refuzimi për raste të ngjashme do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

"Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri", mbyllet deklarata e Ambasadës.

“Harrohet” Kukësi, aeroporti ri do të jetë në Jug

Posted: 26 Jan 2017 07:11 AM PST

Njëmbëdhjetë muaj pas zgjidhjes me marrëveshje të ekskluzivitetit që ka në ajrin e Shqipërisë konçesionari i aeroportit të Tiranës, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka ndryshuar direktivat për të ndërtimin e aeroportit të ri.

Bëhet fjalë për ngritjen e një piste për avionët në jug të vendit, duke "harruar" kështu vënien në punë të një aeroporti që është gati si ai i Kukësit.

Në bazë të dokumenteve të siguruar nga Tv Klan, transportet kanë vënë në dispozicion një shumë prej 250 mijë dollarësh, për të mundësuar një studim se në cilën zonë të jugut do të ndërtohet ky aeroport.

Një nga alternativat më të mundshme është për Sarandën, duke qenë se ka afër edhe ishullin grek të Korfuzit.

Në dokumente kërkohet që të bëhet sa më e plotë llogaritja e fluksit të udhëtarëve në këtë pistë, pasi është element i domosdoshëm për afrimin e kompanive që do e menaxhojnë atë.

Por këtë vit, edhe nëse studimi bëhet, nuk është buxhetuar asnjë fond për ndërtimin e një aeroporti të ri, duke bërë sërish "de facto" konçesionarin TIA, kompaninë monopol që ka të drejtat e fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri.

Burime nga Aviacioni Civil, thonë se për Kukësin nuk ka pasur asnjë interes për ta vënë në operim, kjo për shkak edhe të frikës së fluksit të udhëtarëve.

Aeroporti i Kukësit ndodhet në pozitë gjeografike shumë afër me atë të Gjakovës. P

avarësisht shtyrjes me dy vite të tjera të kontratës me Tirana International Airport,  përfituesi i vetëm në këtë marrëveshje rezulton të jetë konçesionari.

Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të biletave në rajon dhe Europë, për shkak të tarifave të larta që u ve firmave të fluturimit kompania që ka Rinasin.

Berisha flet për marrëveshjen e fshehtë Rama-Vuçiç dhe kërcënon Serbinë me luftë

Posted: 26 Jan 2017 06:14 AM PST

Ish-kryeministri Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit në Kosovë.

Duke hedhur akuza ndaj qëndrimeve të Tiranës zyrtare dhe kryeministrit Rama, Berisha i bëri thirrje autoriteteve në Kosovë ta prishin murin që ka nisur të ndërtohet në urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

"Muri është projekt i Serbisë së Madhe. U bëj thirrje autoriteteve kosovare ta shembin murin në Mitrovicë", u shpreh Berisha.

Në vijim të fjalës së tij Berisha kritikoi Ramën për reagimin e vonshëm ndaj trenit ruso-serb në Kosovë.

Berisha përmendi gjithashtu një diplomat të huaj që i ka treguar për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Vuçiç.

Ai theksoi gjithashtu tha se ndaj çdo reaksioni ndaj shqiptarëve, do të reagojmë si komb i vetëm.

Berisha qëndroi tek provokimet e Beogradit zyrtar ndaj Prishtinës, ndërsa deklaroi haptazi duke "kërcënuar" se shqiptarët do t'i përgjigjen me të gjitha mjetet këtij agresioni.

"Ne dhe njëherë ndaj këtij reaksioni ndaj shqiptarëve do reagojmë. Ne respektojmë procesin e paqes, kufijtë. Por nëse vini me agresion, do ju përgjigjemi me të gjitha mjetet tona.

Blushi tha se po pati ndryshime në kufij do të bashkohet Shqipëria me Kosovë, por jo, do bashkohemi anë e mbanë shqiptarë kudo që janë. Shqiptarët duhet të bëjnë çdo gjë që të bashkohet çdo gjë, çdo territor.

Shqiptarët nuk do jenë të humbur. Por nuk është kjo.

Shqiptarët duhet të qëndrojnë tek ligjet ndërkombëtare, partnerët e tyre. Kosova u çlirua, me ndihmën e partnerëve. Ne nuk kemi pse bëhemi Kombi zuzar, por Komb luajal. Kërkoj nga parlamenti që të shqyrtoj çdo hap të politikës së jashtme të këtij vendi", tha Berisha.

Replika Blushi-Bushati për Kosovën: Sandri dhe bisedat me Pandin s’janë politikë e jashtme

Posted: 26 Jan 2017 05:57 AM PST

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i ka quajtur teza populiste akuzat e Ben Blushit për politikën e jashtme.

Kreu i LIBRA Ben Blushi, ka kritikuar diplomacinë shqiptare në lidhje me situatën në Kosovë, duke kërkuar që shteti shqiptar të merret seriozisht me këtë çështje.

Për Blushin pasoja e vetme e ndarjes së Kosovës, do të ishte bashkimi i saj me Shqipërinë

Ndërsa Bushati ka theksuar vendi dhe shqiptarët lidhur me politikën e jashtme janë më të rëndësishme se karriget e ministrave e deputetëve, apo interesat politike.

"Skenarët për kufij, luftëra, se çfarë duhet të thotë Shqipëria nuk janë të denja për këtë foltore, politika e jashtme është më e ftohtë, fjalën e fundit nuk mund ta themi kurrë të parën", tha Bushati.

Ai theksoi se "ne kemi dështuar sistematikisht për të vënë rregullat e lojës dhe 30 vite pas komunizmit recitojmë këtu rezoluta të partive simotra tona që gjejnë hapësirë mediatike vetëm në Shqipëri dhe e kemi të vështirë të përcaktojmë rregullat edhe më minimale.

Politikën e jashtme po tentojnë ta përdorin në funksion të interesit të ditës, veprimet në emër të shtetit bëhen me status interesante, duke ardhur e duke bërë politikë në Kuvend apo duke zëvendësuar edhe funksionet kryesore që mund të ketë shteti e në politikë të jashtme ekzekutohen, nga ekzekutivi".

Duke iu përgjigjur Blushit ai tha: "I dashur Ben fakt është që ka rekomandim të qartë si drita e diellit, që të kam ftuar ta lexosh, që u konfirmua plotësisht me deklaratën e presidencën e BE; diskutimi im me Berishën për procesit të paraekzaminimit të negociatave në vend po fillon këtë pranverë me kapitujt 23 e 24; Sa i takon Kosovës nuk është e vërtetë që Shqipëria s'ka reagim, ky reagim mund të vijë nga nivele të ndryshme të shtetit shqiptar, përsa i takon ekzekutivit si e ka edhe bota është MPJ si në rastin konkret".

Në përgjigje të akuzës së Blushit për sheqerosje të marrëdhënieve me Serbinë ai tha: "po të thuhet që Rama sheqerosi marrëdhëniet me serbët në kurriz të Kosovës, është e pavërtetë, më e pakta që mund të them".

Bushati përshëndeti qëndrimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për Maqedoninë.

"Për sa i takon procesit që është ndërtuar bazuar në bindjen tonë të plotë që shqiptarët janë dhe do mbeten promotor të stabilitetit demokratik në rajon dhe promotor të proceseve të integrimit euroatlantik, e kemi mbështetur atë platformë për ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë. Në këto kohë të turbullta, kur fqinjët mund të tentojnë të çiftëzojnë teatralitetin me viktimizimin Shqipëria do të mbetet në kursin e saj".

Ndërkohë, Blushi si kundër replikë me Bushatin ka përdorur edhe ironinë.

"S'je ti ai që akuzoj unë, dihet kush e personalizoi politikën e jashtme. Ti vetëm i heq lustrën kur atë e zë pluhuri.

Unë them se Rama e ka personalizuar. Unë nuk them që e ke helmatisur ti. Ti je kujdesur, ndërsa i ka personalizuar Edi Rama.

Më ka thënë Sandri (Aleksandër Vuçiç) mos hyni në Elbasan, nëse vjen Sandri në Elbasan, s'ka rëndësi sa del rezultati i ndeshjes. Mjafton të vijë ai, thoshte Rama. Ky është personalizim. Kush është qëndrimi ynë për krizën në Kosovë.

Unë them që nuk ka asnjë qëndrim. Ky parlament ka detyrimin që të mos e lërë këtë vendin pa një qëndrim. Unë s'dua të grindem se kemi një problem jashtë dhe mjafton.

Se ç'a bisedon ti me Pandin dhe me Saliun nuk është diplomaci.

Nuk keni kurajo t'i thoni atij që e çoi në Kosovë, kthejeni trenin mbrapsht. Për një parti që keni në koalicion prishni marrëdhëniet me një shtet.

Për 5 deputetë u prishëm me një shtet. Unë e di Ditmir që ti mendon si unë dhe s'mund ta thuash.  Kryeministri jonë është në një moshë adoleshente, ka ende për të mësuar", tha Blushi.

 

“Stadiumi”, tifozët e Tiranës nuk lejojnë skuadrën të stërvitet

Posted: 26 Jan 2017 05:34 AM PST

Tifozët e Tiranës nuk kanë lejuar lojtarët bardheblu të nisin seancën stërvitore të radhës, një ditë pasi drejtuesit e Tiranës dhe ata të Partizanit arritën marrëveshjen për stadiumin "Selman Stërmasi".

Kjo marrëveshje bën që Partizani të zhvillojë ndeshjet e mbetura si pritës në stadiumin e Tiranës dhe këtë gjë tifozët e skuadrës më të titulluar në vend nuk e kanë pranuar aspak.

"Nuk ka shans të luajë njeri në fushën tonë. Ne jemi emblema, jo ju", u kanë thënë tifozët lojtarëve kur ata kanë zbritur në terren për të zhvilluar seancën stërvitore.

“Spiunët e Sigurimit”, Patozi: Të hapen dosjet për deputetët dhe drejtuesit e mediave

Posted: 26 Jan 2017 05:28 AM PST

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi i kërkon Ilir Metës që ligji i hapjes së dosjeve të nisë nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas në pjesën tjetër të administratës.

Patozi u shpreh se duhet të ndahemi me të kaluarën komuniste duke publikuar emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve të shtetit që sot mund të jenë në parlament dhe të atyre që mund të pretendojnë.

Astrit Patozi në vijim të deklaratës së tij tha se hapja e dosjeve për deputetë ka lidhje edhe me zgjedhjet për të bërë transparencë për të gjithë emrat.

“Të hapen dosjet për 140 deputetë e Shqipërisë dhe më pas administratës. Sigurisht kryetari i Kuvendit nuk e ka detyrim, por ligji nuk e pengon, flas në emrin tim personal.

Duhet të zbardhet e kaluara, ligji për hapjen e dosjeve të shoqërohet edhe me lustracionin.

Ne duhet të ndahemi me të kaluarën komuniste. Kjo, ka lidhje edhe me zgjedhjet, sepse nisja e transparencës nis nga parlamenti, me të kaluarën mund t’u mbyllte rrugën atyre që mund të rezultojnë të ftohur nga hapja e dosjeve.

Ligji nuk e ndalon që të jenë në Kuvend, më duket ‘non sens’, pasi po heqim mandate për ata që janë kapur me patenta false dhe jo për ata që kanë spiunuar gjysmën e Shqipërisë, por nëse dalin emrat besoj që nuk do të kandidonin.

Ish-bashkëpunëtorët e sigurimit që mund të binin tani në site, mund të dekurajonin edhe të tjerët që pretendojnë të hyjnë, por edhe të tjerë që janë.

Do të sensibilizonte edhe kryetarët e partive tona, që para se ta firmosin ta dërgonin te Genta Sula, se mbase ngecte ndonjëri në rrjetë.

Por mbi të gjitha do të shërbente si model për institucionet e tjera, qofte edhe private, që këtë ta aplikonin edhe institucione të tjera.

Ligji nuk e pengon një ish-bashkëpunëtor të sigurimit të qëndrojë në detyrë, por publiku duhet ta marrë vesh”, tha Patozi.

Deputeti i PD, Patozi u shpreh se ligji duhet të aplikohet përveç Kuvendit dhe administratës edhe në media, pasi sipas tij ka drejtues dhe analistë që bëjnë moral, por mund të jenë të zhytur në llumin e bashkëpunimit me ish-sigurimin e shtetit.

“Po marr mediat, kanë nevojë për një transparencë të plotë, pasi ka fjalë që disa nga bajlozët e mediave kanë 27 vite me radhë që shesin moral dhe që mund të jenë të zhytur në llumin e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit.

Shpresoj që edhe çdo gazetar, analist dhe opinionist të kalojë në sitën e këtij autoriteti dhe kush është i ndyrë të ndahej nga kjo.

Ftoj Metën të aplikonte në emër të parlamenti për ta filluar hapjen e dosjeve te 140 deputetët e Shqipërisë,” përfundoi ai.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more