Skip to main content

“Senatori McCain e përkrahë miratimin e Tillersonit si Sekretar Shteti ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Senatori McCain e përkrahë miratimin e Tillersonit si Sekretar Shteti ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Senatori McCain e përkrahë miratimin e Tillersonit si Sekretar Shteti 

Posted: 22 Jan 2017 09:30 AM PST

Senatori republikan nga Arizona, John McCain ka thënë se ai do e përkrahë ish shefin e kompanisë, Exxon Mobil, Rex Tillerson të bëhet Sekretari i Shtetit, megjithë lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin.  McCain i ka thënë sot televizionit amerikan, ABC se "nuk ka qenë vendim i lehtë" marrja e këtij vendimi dhe se ai është "shumë i kujdesshëm" në përkrahjen që i jep Tillersonit ditën kur Senati do të votojë për miratimin e tij, më 23 janar.  McCain ka thënë se Tillerson e ka bindur atë se e meriton përkrahjen pas disa takimeve private. Ai ka shtuar se ai gjithashtu beson se presidentëve të rinj duhet dhënë mundësinë kur janë në pyetje përzgjedhjet për postet në administratën e tyre. Krahas Tillersonit, Senati pritet që nesër gjithashtu të votojë për emërimin e Mike Pompeo në krye të Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA. Por, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer ka thënë sot se Partia Demokratike nuk do të ngutet të votojë nominimet e presidentit Donald Trump.  Schumer ka thënë se do të ketë "debate të hollësishme" për shumicën e nominimeve.  Vetëm dy nominime të presidentit Trump janë miratuar deri më tash. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vdiq, George Krimsky, gazetari që raportoi për disidentët gjatë BRSS-së

Posted: 22 Jan 2017 08:43 AM PST

Ka vdekur në moshën 75 vjeçare, George Krimsky, gazetar dhe shkrimtari që ka raportuar për aktivitetet e disidentëve gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik, dhe i cili e bashkë-themeloi qendrën për gazetarë ndërkombëtar.  Krimsky, i cili ka jetuar në Uashinton, ka vdekur para dy ditësh pas një beteje me kancer, njofton familja e tij.  Ai ka punuar për Associated Press në New York dhe në vitin 1974 ishte dërguar në Bashkimin Sovjetik. Njohja e gjuhës ruse i ka mundësuar atij që ketë kontakte me liderët e disidentëve, përfshirë edhe shkencëtarin, Andrei Sakharov.  Krimsky ka mbajtur takime sekrete edhe me Josef Alliluyev, stërnipin e Josef Stalinit, i cili i kërkoi Krimskit ndihmë që të shkojë në SHBA për të parë nënën e tij e cila kishte ikur në perëndim.  Alliluyev nuk ka arritur asnjëherë të largohet nga BRSS, ndërsa Krimsky u deportua me akuzën fallse për spiunim.  "Ai ka raportuar me guxim dhe të vërteta nga Moska, duke kërkuar disidentët dhe rusët e rëndomtë në një kohë kur reporterët perëndimor kanë qenë nën vëzhgim të rregullt", ka thënë John Daniszewski, nënpresidenti i AP-së për standarde. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Numri i viktimave nga sulmi i djeshëm shkon në 24 të vrarë 

Posted: 22 Jan 2017 08:36 AM PST

Zyrtarët në Pakistan thonë se numri i viktimave nga sulmi me bombë më 21 janar ka shkuar në 24 të vdekur, pasi tre nga të lënduarit kanë ndrruar jetë mbrëmë.  Naseerullah Khan, zyrtar rajonal në qarkun Kurram ku ka ndodhur sulmi, një zonë fisnore e populluar kryesisht me shiit, iu ka thënë gazetarëve se numri i të lënduarve është 90 veta.  Shpërthimi është shkaktuar nga një mjet i improvizuar shpërthyes i vendosur në një kuti perimesh.  Fraksioni, "Hakimullah Mehsud" i talibanëve të Pakistanit e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.  Sulmi është kryer që "t'iu jepet mësim shiitëve për përkrahjen e tyre për presidentin sirian, Bashar al Assad", citohet të ketë thënë zëdhënësi i grupit AFP-së.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pushimet tatimore mundësi për tërheqjen e investitorëve

Posted: 22 Jan 2017 08:00 AM PST

Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë shtrojnë nevojën urgjente të finalizimit të pakos së re fiskale, në të cilën pako, përveç tjerash, është përfshirë edhe futja në fuqi e pushimeve tatimore dhe zgjerimi i listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore. Të dy këto pika, sipas drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, janë shumë të domosdoshme të hyjnë sa më shpejt në fuqi për shkak të krijimit të një ambienti më të favorshëm për investitorët. "Ajo çfarë do të duhej të shohim tani pasi që është diskutuar kjo pako fiskale, është një veprim më i shpejtë i institucioneve të Kosovës tani e njëjta duhet të aprovohet nga ana e qeverisë së Kosovës dhe e njëjta të fillojë të promovohet para bizneseve në mënyrë që ata të mund të përfitojnë nga kjo", tha Zeka. Sa i përket pushimeve tatimore, Qeveria e Kosovës gati dy vite më parë kishte marrë vendim që të ketë pushime nga taksat për të gjitha investimet e reja, tre deri në shtatë vite. Por, që një vendim i tillë nuk kishte hyrë në fuqi asnjëherë, duke bërë që edhe investitorët e huaj të mos e shohin Kosovën si vend atraktiv për investime. Rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që të kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë ishte mjaft e theksuar në vitin që lëmë pas. Të dhënat e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, tregojnë se deri në muajin shtator të vitit 2016, shuma e investimeve të huaja kanë qenë 184 milionë euro. Kurse në vitin 2015, investimet ndërkombëtare kanë qenë rreth 320 milionë euro. Futja në fuqi e pushimeve tatimore për drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, do të mund të sjell investime. "Udhëzimi administrativ për pushimet tatimore varësisht nga shuma e investimeve i kombinuar me Ligjin për investime Strategjike që pritet të hyjë në fuqi së shpejti do të ishin elemente të rëndësishme për ofertën tonë para investitorëve të huaj", thekson Zeka. Ndërkohë, pakoja fiskale për përfaqësuesit e Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë duhet të jetë në funksion të gjenerimit të investimit privat, përfshirë edhe trajtimit të barabartë për të gjithë investitorët. Drejtori ekzekutiv i këtij Këshilli, Shpend Balija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se pakoja e re fiskale duhet të ketë edhe disa elemente tjera për një ambient më të favorshëm biznesor. "Gjitha këto elemente të pakos fiskale përfshirë edhe pushimet tatimore janë të mirëpritura dhe mendoj se do ta kenë ndikimin pozitiv sa i përket investimeve. Por, ne mendojmë që në këtë pako duhet të përfshihet edhe çështja e kompanive të sigurimit, që për momentin janë të diskriminuara duke paguar tatim në të hyra në vend se të paguajnë tatim në fitim, siç paguajnë kompanitë tjera private në Kosovë", thekson Balija. Ndryshe, ditë më parë përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës kanë hartuar një pako të re fiskale për përmirësimin e ambientit për biznes. Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë se një ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Financave për vitin 2017 është pakoja e re fiskale. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Medvedev rizgjedhet në krye të partisë Rusia e Bashkuar

Posted: 22 Jan 2017 07:34 AM PST

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev është rizgjedhur në krye të partisë udhëheqëse ruse, Rusia e Bashkuar.  Votimi është mbajtur gjatë një konference të kësaj partie më 22 janar, ndërsa Medvedev ka garuar pa u sfiduar nga asnjë kundër kandidat. Ai është udhëheqësi i kësaj partie prej majit të vitit 2012. Duke folur para delegatëve të partisë, pak para votimit, Medvedev ka thënë se partitë opozitare mund të shfrytëzojnë zgjedhjet lokale që janë paraparë të mbahen më 10 shtator që efektivisht të "nisin fushatën zgjedhore për president më herët". "Partia jonë nuk duhet të dorëzohet para provokimeve dhe duhet të mos përfshihet në intriga politike", ka thënë ai.  Ai ka shtuar se Rusia e Bashkuar, e cila e ka shumicën në Dumën shtetërore dhe kontrollon qeverinë qëndrore dhe shumicën e administratave rajonale, është "partia udhëheqëse" dhe "burimi kryesor politik" i presidentit rus, Vladimir Putin. Rusia ka mbajtur zgjedhjet parlamentare në shtator të vitit 2016. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 11 mars, 2018.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Serbia me përfaqësim të nivelit të lartë në dialogun në Bruksel

Posted: 22 Jan 2017 06:39 AM PST

Autoritetet e larta të Beogradit kanë paralajmëruar se të martën do të zhvillohet edhe një raund bisedimesh në kuadër të dialogut me Kosovën, në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar para medieve në Beograd se në takimin e së martës në Bruksel, delegacioni i Serbisë do ta ketë nivelin e lartë të përfaqësimit. Bazuar në atë që e ka thënë Vuçiq, në këtë takim do të bisedohet edhe lidhur me situatën e krijuar ditë më parë, me trenin i cili u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut, dhe i cili pas reagimeve nga autoritetet e Kosovës, u ndalua në Rashkë nga vet autoritetet serbe. "Serbia do të përfaqësohet në nivelin më të lartë. Do të shkojë kryetari i Republikës, Tomisllav Nikoliq dhe do të shkoj unë si kryeministër i qeverisë sonë. Mendoj që shqiptarët do t'i sjellin përfaqësuesit më të lartë. Shpresoj që do të ketë arsye të mjaftueshme dhe qasje racionale, në mënyrë që më kurrë të mos përsëritet sjellja e mjeteve luftarake dhe e armëve, në mjediset e banuara me serbe dhe që me këtë të tregohen muskujt dhe që me këtë se dikush po funksionon si shtet, ashtu siç e thonë dhe e paramendojnë ata", ka thënë Vuçiq. Ai gjithashtu ka shtuar se për Serbinë është e rëndësishme që të shmangen konfliktet e mundshme. "Të shmangen provokimet. Besoj që për këtë do të kemi sukses, sepse do të investojmë shumë mund dhe punë, në mënyrë që të sigurojmë ardhmëri ekonomike dhe të sigurt për qytetarët tanë, për njerëzit në Serbi", ka thënë kryeministri serb Vuçiq. Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me takimin e paralajmëruar për ditën e martë në Bruksel e as për nivelin e përfaqësimit të Kosovës në këtë takim eventual. Pavarësisht përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për të marrë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë takim, zyrtarët e ekzekutivit nuk kanë qenë të qasshëm. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Intensifikohen përgatitjet për bisedimet për paqe në Siri 

Posted: 22 Jan 2017 06:13 AM PST

Delegacionet nga Turqia, Rusia dhe Irani që po organizojnë bisedimet për paqe në Siri janë takuar për të hartuar një dokument që do të jetë i gatshëm për nënshkrim. Delegatët janë mbledhur në Astana të Kazakistanit, më 22 janar, një ditë para hapjes zyrtare të këtyre negociatave që kanë qëllim dhënien fund të luftës disa vjeçare në mes të grupeve rebele dhe presidentit sirian, Bashar al Assad.  SHBA-ja do të përfaqësohet në këto bisedime përmes ambasadorit të saj në Astana, George Krol. Aty do të jetë edhe i deleguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura.  Opozita siriane do e dërgojë një delegacion me 50 pjesëtarë.  Këto negociata do të mbahen në një kohë kur qeveria siriane ka forcuar pozicionet e saj në terren.  Në të njejtën kohë, opozita ka pëesuar goditje sidomos me humbjen e plotë të qytetit të Alepos dhe vdekjen e disa prej liderëve të njohur të saj. Përpjekjet për të unifikuar grupet e moderuara dhe ato ekstremiste nuk kanë dhënë rezultate, gjithashtu.  Gjatë luftës së Sirisë, mbi 300 mijë njerëz janë vrarë dhe më shumë se gjysma e popullsisë së Sirisë janë zhvendosur. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

May: Nuk do të kem frikë ta kundërshtoj presidentin Trump për gjëra që s’pajtohem me të

Posted: 22 Jan 2017 05:25 AM PST

Më 27 janar, shefja e qeverisë britanike do të bëhet liderja e parë e huaj që do të takohet me presidentin e ri amerikan, Donald Trump. Lajmi është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, por edhe nga vet kryeministrja britanike, Theresa May, gjatë një interviste dhënë të dielën më 22 janar, televizionit publik të Britanisë së Madhe, BBC. "Do e takoj presidentin e ri amerikan të premtën më 27 janar. Do të ketë shumë çështje që do t'i bisedojmë, sepse është e qartë në mes të Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara për shumë vite ekziston një marrëdhënie e veçantë. Ne do të kemi mundësinë të bisedojmë për marrëdhëniet tona të ardhshme tregtare, por edhe për disa prej sfidave botërore me të cilat përballemi, çështje si lufta kundër terrorizmit, konflikti në Siri", ka thënë May. Presidenti i ri amerikan, përmes fjalimit të lexuar gjatë inaugurimit, tashmë e ka bërë të qartë se lufta kundër terrorizmit do të jetë një nga prioritetet kryesore të tij. Presidenti Trump e ka përmendur këtë edhe gjatë vizitës së mbrëmshme në Drejtorinë e Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës amerikane, CIA. "Terrorizmi i islamit radikal duhet të zhduket, nga faqja e dheut. Kjo është e ligë", ka thënë presidenti Trump. "Ne nuk kemi përdorur mundësitë tona reale që i kemi, kemi qenë të përmbajtur. Ne duhet ta heqim qafe ISIS (grupin, Shteti Islamik). Nuk kemi zgjidhje tjetër", ka thënë më tej Trump. Pas May, udhëheqësi i dytë që shkon drejt Shtëpisë së Bardhë për të takuar presidentin e ri amerikan, është homologu i Donald Trump nga Meksika, Enrique Pena Nieto. Takimi me Nieto, që pritet të ndodhë më 31 janar, konsiderohet më i rëndë, ndër të tjera edhe puna e komenteve të Trump gjatë fushatës zgjedhore rreth imigrantëve nga Meksika. Por, edhe kryeministrja britanike ka thënë se gjatë takimit me liderin e ri amerikan, nëse dëgjon diçka që nuk i pëlqen, do ia thotë këtë presidentit Trump. "Kurdo që do të ketë diçka që më duket e papranueshme, nuk do të kem frikë t'ia them këtë Donald Trumpit", ka thënë May për BBC. Donald Trump e nisi punën si president i Shteteve të Bashkuara të premtën më 21 janar. Vetëm një ditë më pas, qindra mijëra njerëz morën pjesë në Marshin e Grave, në Uashington dhe shumë qytete të tjera të SHBA-së dhe botës, si protestë kundër shumë prej deklarimeve të presidentit të ri amerikan gjatë dhe pas fushatës zgjedhore presidenciale. Kryeministrja britanike është pyetur nga BBC në lidhje me një bisedë të publikuar nga mediat që presidenti Trump e ka pasur në vitin 2005 ku ai dëgjohet duke bërë komente të turpshme për femrat. "Tashmë e kam thënë se disa prej komenteve të Donald Trump që janë bërë në lidhje me gratë janë të papranueshme. Për disa prej tyre ai ka kërkuar falje", ka thënë May duke shtuar se kur të ulet me liderin e ri amerikan më 27 janar, "deklarata më e fuqishme rreth rolit të gruas do të jetë fakti që atje do të jem si grua kryeministër, kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

AP: Sulmi amerikan me dron vret 3 pjesëtarë të Al Kaidës në Jemen

Posted: 22 Jan 2017 05:15 AM PST

Zyrtarët e sigurisë dhe ata fisnorë të Jemenit thonë se ajo që besohet të jetë sulm me dron nga SHBA-ja ka vrarë tre pjesëtarë të dyshuar të Al kaidës në krahinën jugperëndimore, Bayda.  Siç raporton Associated Press, këta zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti thonë se dy sulme me dron kanë vrarë Abu Anis al-Abi, një nga komandantët rajonal dhe dy të tjerë.  Sulmet amerikane me dron kryhen prej pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në New York dhe Uashington, si masa ndëshkuese ndaj Al Kaidës.  Ky është sulmi i parë me dron nga SHBA-ja prej inaugurimit të Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

VOX: A është e gatshme Kosova për ushtri?

Posted: 22 Jan 2017 05:08 AM PST

Kosova është e gatshme për ushtrinë e saj, thonë disa të rinj për rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, duke shtuar se me "dëshirë do të shërbenin në ushtrinë e Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Të rinjtë të gatshëm t’i shërbejnë Ushtrisë së Kosovës

Posted: 22 Jan 2017 05:00 AM PST

Forca e Sigurisë së Kosovës, në një të ardhme të afërt, do të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Kështu kanë deklaruar disa herë përfaqësuesit politik që thonë se "po punojnë për ta realizuar këtë synim". Udhëheqësit shtetëror thonë se "Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme t'u përgjigjet të gjitha sfidave të sigurisë në tërë territorin e vendit. Ndërkohë, edhe të rinjtë në Kosovë thonë se, si çdo shtet tjetër, Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet. Në Rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë thonë se Kosova është e gatshme për ushtrinë e saj dhe me "dëshirë do të shërbenin për të". Njëra nga to është Vjosa Çerkini, studente në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin e Prishtinës. "Po, besoj se tashmë është koha e fundit të formohet Ushtria e Kosovës. Kosova është e gatshme dhe më se e nevojshme që ta ketë ushtrinë e saj. Mendoj se njerëzit janë të gatshëm t'i kontribuojnë shtetit dhe vendit tonë", tha Vjosa. Ngjashëm shprehet edhe Dren Qerimi, student në Fakultetin Juridik. Ai beson se Forca e Sigurisë së Kosovës është e përgatitur që të shndërrohet në Forca të Armatosura. "Besoj se Kosova është e gatshme për ushtri dhe vlerësoj se FKS-ja ka përmbushur kërkesat për t'u transformuar në ushtri. Shërbimin i cili kërkohet, gjashtë mujor, më dëshirë do ta përfundoja. Varet çka kërkohet. Nuk jam shumë i njohur me kërkesat, por besoj se do të kontribuoja në mënyrën më të mirë që kisha mundur, po të më ofrohet mundësia". Qëndresa Rexhaj, po ashtu shpreh dëshirën që në të ardhmen të jetë pjesëtare e ushtrisë së Kosovës. "Mendoj se po. FSK është e përgatitur që të shndërrohet në ushtri. Po gjithsesi do të shërbeja për vendin tim. Në cilëndo mënyrë do të shërbeja", shprehet Qendresa. I gatshëm të shërbejë në Ushtrinë e Kosovës është edhe i riu tjetër Zeqir Dashevci.  "Po mendoj se po. Ne si shtet jemi të gatshëm për të pasur ushtrinë tonë .Pse jo. Kur është puna për vendin tënd - pse jo. Varet çka kërkohet". Privilegj e konsideron shërbimin në ushtri, Ideal Zhubi, student në Departamentin e Farmacisë në Universitetin e Prishtinës.  "Pasi jemi populli me përqindjen më të madhe të te rinjve, jemi të gatshëm edhe për ushtri. Edhe unë gjithsesi do të shërbeja si ushtar i Kosovës", ka thënë Zhubi.  Por, ndryshe shprehet Arizon Rexhepi, nxënës në shkollën e mesme në Prishtinë. Ai thotë se Kosova nuk është e gatshme për ushtri, por megjithatë, kur do që formohet, Arizoni ëndërron të jetë pjesë e ushtrisë se Kosovës. "Unë do të shërbeja me gjithë dëshirë në ushtri edhe pse nuk është e gatshme. Ka ende shumë probleme. Unë jam i ri, por kam dëgjuar në media se ka probleme", thotë Arizioni. Ndryshe, institucionet kompetente në Prishtinë, disa herë kanë deklaruar se kanë përfunduar përgatitjet e nevojshme të planifikimit dhe procesit të transformimit. Forcat e Armatosura, kanë vlerësuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n. Por, ndryshimet kushtetuese, të cilat do t'i hapnin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, kanë mbetur peng i zhvillimeve politike në vend. Forcat e Armatosura sipas udhëheqësve shtetëror do të jenë garantues dhe kontribuese të stabilitetit, si në vend po ashtu edhe rajon. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Duke zvogëluar prodhimin, OPEC dhe Rusia kanë arritur rezultate para kohe për ngritjen e çmimeve të naftës

Posted: 22 Jan 2017 04:52 AM PST

Ministrat e organizatës së shteteve që prodhojnë naftë (OPEC) dhe ministri rus i energjisë, kanë thënë se përpjekjet e tyre po sjellin rezultate më të mira dhe më të shpejta se sa që është pritur në rritjen e çmimeve të naftës duke zvogëluar prodhimin e arit të zi. Ministrat e kanë mbajtur një takim jo formal në Vjenë më 21 janar, disa orë para një takimi zyrtar të planifikuar në zyret qëndrore të OPEC-së. "Ne kemi ecur para kohe dhe do të vazhdojmë më tutje", televizioni Bloomberg e citon të ketë thënë ministri rus i energjisë, Alexander Novak. "Ne po bëjmë përpjekjet më të mira për të rritur pjesëmarrjen tonë në përmbushjen e marrëveshjes (së nënshkruar në dhjetor)", ka thënë më tej ai.  Ministrat kanë thënë se Rusia ka qenë në gjendje të reduktojë furnizmin me naftë më shpejtë se sa që është pritur, derisa Arabia Saudite, Algjeria dhe Kuvajti, tashmë kanë bërë reduktime më të mëdha se sa që kërkohej në marrëveshjen e 10 dhjetorit. Ministri saudit i energjisë, Khalid al Falih, ka thënë se prodhuesit tashmë kanë eliminuar nga tregu 1.5 milionë fuçi naftë më ditë. Agjencia ruse e lajmeve, TASS e ka cituar Novakun duke thënë se Rusia e ka reduktuar prodhimin duke e zvogëluar atë për 100 mijë fuçi në ditë. Burimet ruse të ministrisë së energjisë thonë se në tërësi eksportimi i naftës nga Rusia shkon deri në 11.1 milionë fuçi në ditë. Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Algjeria dhe Venecuela krahas vendeve të tjera që nuk janë pjesë e OPEC-së, Rusia dhe Omani janë takuar në Vjenë për të gjetur mënyrat se si të verifikojnë që 24 vendet nënshkruese të marrëveshjes së dhjetorit, që kishte qëllim reduktimin e prodhimit të naftës, janë duke e respektuar marrëveshjen në fjalë. Prodhuesit janë duke e shqyrtuar mundësinë e heqjes nga tregu edhe të 1.8 milionë fuçive naftë në ditë për gjashtë muajt e ardhshëm me shpresën sepse kështu reduktojnë furnizimin e tepruar dhe me këtë mundësojnë rritjen e mëtutjeshme të çmimeve të naftës. Çmimet ndërkombëtare të naftës janë rritur duke shkuar në 58 dollarë për fuçi pasi OPEC dhe disa shtete që nuk janë anëtare të kësaj organizate janë pajtuar të zvogëlojnë prodhimin. Gjatë Forumit Ndërkombëtar të Ekonomisë në Davos të Zvicrës, ministri saudit, Al Falih ka përmendur mundësinë për një reduktim tjetër të prodhimit nga vendet anëtare të OPEC-së, gjatë këtij viti, nëse çmimet bijnë sërish.  Përgatiti: Artan Haraçia

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

The Times: Qeveria britanike e fshehu dështimin e testit bërthamor 

Posted: 22 Jan 2017 04:21 AM PST

Qeveria britanike e ka fshehur informacionin rreth një testi të dështuar të një rakete bërthamore gjatë qershorit të kaluar, shkruan gazeta "The Times".  Testi i dështuar ka ndodhur vetëm pak javë para një votimi kyç në parlament rreth financimit të forces raketore "Trident" që do të vendosej në një nëndetëse.  Duke cituar burime anonime në marinën britanike, gazeta shkruan se raketa ka pësuar "dështim katastrofal" ne bregdetin e shtetit federal amerikan të Floridas. Ky është testi i parë bërthamor për Britaninë brenda katër vjetësh.  Burimi i gazetës ka thënë se dështimi ka shkaktuar "panikë në nivelet më të larta të qeverisë dhe ushtrisë". Kryeministrja britanike, Theresa May e cila është votuar në këtë pozitë vetëm pak javë pas këtij dështimi, ka kërkuar nga parlamenti që të miratojë shumën prej 49 miliardë dollarëve për një sistem të ri "Trident", gjatë votimit që është mbajtur më 18 korrik.  Ajo megjithatë nuk e ka përmendur testin e dështuar gjatë fjalimit të saj në parlament. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Jerusalem: Miratohet ndërtimi i vendbanimit të ri izraelit në zonën e okupuar 

Posted: 22 Jan 2017 03:27 AM PST

Autoritetet izraelite në Jerusalem e kanë miratuar ndërtimin e 566 shtëpive të reja në pjesën lindore të këtij qyteti.  Nënkryetari i Jerusalemit, Meir Turgeman i ka thënë radios së Izraelit më 22 janar se vendimi ishte shtyrë deri në fund të mandatit të presidentit Barack Obama, i cili ka kritikuar ndërtimin e vendbanimeve të reja izraelite në zonat e okupuara.  Ndërkohë, kryeministri Benjanim Netanyahu, ka thënë se ai planifikon të bëjë bisedën e parë telefonike me presidentin e ri amerikan gjatë ditës së sotme.  "Ne përballemi me shumë çështje – çështjen izraelito-palestineze, situatën në Siri dhe kërcënimin iranian", ka thënë Natanyahu gjatë një takimi të qeverisë së tij. Më 21 janar, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, ka dërguar mesazh urimi presidentit Trump gjatë inaugurimit të këtij të fundit, duke e ftuar që ta vizitojë Jerusalemin. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mungojnë investimet në Qendrën Turistike për skijim në Kodrën e Diellit

Posted: 22 Jan 2017 02:17 AM PST

Skijatorët ankohen se në Qendrën Turistike për skijim në Tetovë edhe në vlugun e sezonit, mungojnë kushtet për të skijuar si rrjedhojë e ndalesave të shumta të ashensorëve si dhe mospërpunimit të shtigjeve për të skijuar. "Sot këtu bora është e shkëlqyer, ka kushte shumë të mira për skijim, por gjithçka është falë natyrës, sepse faktori njeri s'ka bërë asgjë për të shijuar këtë madhështi që na e ka dhënë natyra. Unë jam skijatore me vite dhe më brengos kjo që skilifti është i stërngarkuar meqë punon me ndalesa dhe është i ngathët sepse është shumë i vjetër". "Teksa pres me orë për tu ngjitur, më ik dielli dhe unë kam hapësirë vetëm dy herë që të lëshohem për të skijuar brenda ditës, pra biletën mund ta shfrytëzoj dy, maksimum tri herë në ditë, përderisa më herët këtu vërtetë bëhej skijim i mirëfilltë sepse këtu janë shtigjet mbase më të mira jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin", thotë Natasha Angellovska nga Shkupi. Blerim Hoxha kishte ardhur me vajzën e tij 8 vjeçare për ta mësuar të skijoj. Me të qeshur na thotë "të jetosh në Tetovë e të mos merresh me skijim s'është aspak e natyrshme. Ai shpreh revoltën e tij se autoritetet e vendit s'kanë investuar, siç thotë, as edhe një qindarkë në këtë rajon. "Kushtet për skijim të mirëfilltë nuk jan; aspak të përshtatshme. E shihni sa të gjata janë radhët për tu ngjitur në ashensorin për skijim. Tërë dita të kalon në pritje. Mungojnë dhe shtigjet për të skijuar, nuk janë përpunuar në bazë të kategorive", thotë Blerim Hoxha. Muhamed Alili gjithashtu nga Tetova, thotë se Kodra e Diellit është perlë turistike, si në dimër apo verë, por mungon përkujdesja institucionale, siç është rasti me qendrën për ski në Mavrovë. "Kodra e diellit është ligj për sa i përket terreneve më të përshtatshme për të skijuar, por kushtet varen nga ajo që dhuron natyra e jo nga faktori njeri. Duhet privatizuar sepse duket që shteti nuk është i interesuar për të zhvilluar turizmin në këtë rajon", thotë Muhamed Halili. Musli Shahini nga fshati Lisec që gjindet vetëm dy kilometra larg Kodrës së Diellit, për Radion Evrpa e lirë thotë se mbijeton e tërë familja nga kjo punë, por këtë vit turistët kanë qenë në numër gjithnjë e më të vogël për shkak të kushteve të pavolitshme që u ofrohen skijatorëve, por edhe atyre që kanë ardhur për disa orë të shijojnë atmosferën këtu. "Po nuk kemi pasur punë, sot pra gjatë këtij vikendi kanë filluar të punojnë ski--ashensorët, deri të premten nuk punonin, ndërkohë që as shtigjet e borës nuk ishin shtypur nga makinat për përpunimin e borës. Kjo e zvogëlon shumë numrin e turistëve, të gjithë ikin në Mavrovë sepse shteti investon atje më shumë përderisa këtu me vite nuk është bërë asnjë investim, e shihni s`ka parking, me kilometra duhet ecur në këmbë me pajisjet për ski të cilat janë të rënda, kjo i dëbon turistët", thotë Musli Shahini. Operatorët turistik thonë se shteti duhet të investojë në zgjatjen e sezonit të skijimit duke investuar në mirëmbajtjen e shtigjeve për të skijuar edhe kur nuk ka të reshura të mjaftueshme dëbore.  "Nëse shteti do të angazhohej për të investuar në shtresimin e shtigjeve për skijim me borë në Mavrovë, po edhe në Kodrën e Diellit ku bën ftohtë gjatë muajve të dimrit, që nga nëntori apo dhjetori deri në pranverë do të zgjatej sezoni dhe me këtë edhe cmimet do të ishin dukshëm më të lira", thotë Negar Selim nga agjencia turistike . Naum Marinovski, profesor nga Fakulteti i Turizmit në Ohër, thotë se nevojitet hartimi dhe realizimi i një strategjie të mirëfilltë në nivel shtetëror, duke përfshirë projekte konkrete të afatizuara për zhvillimin e turizmit gjatë sezonit të dimrit. "Janë bërë përpjekje për të zhvilluar turizmin në qendrën për të skijuar në Mavrovë dhe kjo ka rezultuar me sukses në një masë të caktuar, por gjendja është kritike në Kodrën e Diellit. Teleferiku nga qyteti i Tetovës është jo funksional për vite të tëra dhe kjo paraqet një anomali të theksuar sa i përket zhvillimit të turizmit në këtë rajon,…ndërkohë që ka kapacitete të pa shfrytëzuara vërehet një neglizhencë nga ana e organeve të shtetit", thekson Naum Martinovski. Drejtuesit e Kodrës së Diellit, kanë refuzuar të prononcohen për ankesat e qytetarëve para mediave. Përderisa, përfaqësuesit e partive politike shqiptare edhe një herë kanë theksuar nevojën e zhvillimit të barabartë të të gjitha viseve të Maqedonisë sa i përket investimeve që është dhe një nga pikat kryesore të platformës së përbashkët të partive politike shqiptare, kundrejt mbështetjes së qeverisë së ardhshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Qendra e skijimit "Kodra e Diellit"

Posted: 22 Jan 2017 02:13 AM PST

Skijatorët ankohen se në qendrën Turistike për skijim në Tetovë edhe në vlugun e sezonit, mungojnë kushtet për të skijuar si rrjedhojë e ndalesave të shumta të ashensorëve për skijim si dhe mospërpunimit të shtigjeve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irak: Beteja e vështirë për Mosulin perëndimor fillon ditëve të ardhshme

Posted: 22 Jan 2017 02:10 AM PST

Pasi kanë arritur të rimarrin pjesën lindore të qytetit irakian, Mosul, ushtria e Irakut po përgatitet për fazën e re të betejës për rimarrjen e plotë të qytetit të dytë më të madh të këtij shteti. Mosuli perëndimor, pjesa që kontrollohet nga luftetarët e grupit Shteti Islamik, karakterizohet nga rrugë të ngushta që e bëjnë gati të pamundshme për tanket dhe automjetet e tjera të blinduara të lëvizin në atë zonë, duke ia marrë një pjesë të madhe të avantazhit ushtrisë irakiane.  Sidoqoftë, oficerët thonë se janë të përgatitur për të bërë hapin e radhës.  "Ne presim që të hyjmë në pjesën perëndimore gjatë ditëve të ardhshme", ka thënë Lejtnant Gjeneral, Abdul Wahab al-Saad për Reuters.  Rreth 100 mijë trupa irakiane, pjesëtarë të forcave kurde të sigurisë dhe luftetarë shiit po marrin pjesë në betejën e Mosulit, të ndihmuar nga sulmet ajrore të koalicionit që udhëhiqet nga SHBA-ja.  OKB vlerëson se 750 mijë njerëz vazhdojnë të jenë brenda pjesës perëndimore të qytetit.  Gjenerali i ushtrisë amerikane, Joseph Martin i ka thënë Associated Press se "Mosuli perëndimor do të jetë po aq i vështirë për tu fituar sa Mosuli lindor, dhe nga këndvështrimi jonë, ndoshta edhe më vështirë".  Ushtria amerikane ka thënë mbrëmë se aeroplanët e koalicionit gjatë kësaj jave e kanë goditur flotën me 90 anije të grupit militant, Shteti Islamik, anije këto që përdoreshin nga militantër pët tu larguar nga Mosuli lindor, duke e shfrytëzuar Lumin Tigris. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Papa Françesku paralajmëron evropianët nga rreziku i populizmit

Posted: 22 Jan 2017 01:22 AM PST

Papa Françesku ka paralajmëruar evropianët kundër rrezikut të populizmit, duke iu kërkuar atyre që të mos përsërisin gabimet e viteve të '30-ta. Në një intervistë për gazetën spanjolle, "El Pais", më 22 janar, lideri i Kishës Katolike ka thënë se "krizat nxisin frikën" dhe "shembulli më i qartë i populizmit evropian është Gjermania në vitin 1933".  "Në kohë krizash, neve na mungon gjykimi dhe kjo është një reference e vazhdueshme për mua", ka thënë më tej Françesku.  Papa gjithashtu ka kërkuar nga presidenti amerikan, Donald Trump që të udhëhiqet nga "vlera morale" dhe të kujdesët për të "varfërit dhe të përjashtuarit".  Ai ka shtuar se do të pres dhe të shohë veprat e presidentit të ri amerikan para se të krijojë një qëndrim për të, duke thënë se nuk është punë e "mençur" të kesh frikë apo të festosh para kohe. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Indi: Dhjetëra të vdekur gjatë një aksidenti me tren 

Posted: 22 Jan 2017 01:08 AM PST

Dhjetëra njerëz e kanë humbur jetën apo janë lënduar kur një tren ka dal nga binarët mëngjesin e sotëm në shtetin Andhra Pradesh të Indisë.  Zyrtarët thonë se së paku 32 persona e kanë humbur jetën dhe 50 të tjerë janë lënduar, ndonëse numri i viktimave mund të rritet derisa po vazhdojnë operacionet e kërkim shpëtimit.  Treni ka qenë duke udhëtuar nga Jagdalpur për në Bhuvaneshaëar kur shtatë vagona kanë dal nga binarët, disa prej të cilëve duke e goditur një tren që bartte mallra dhe që udhëtonte paralel me të.  Sistemi i hekurudhave të Indisë, i treti më i madh në botë, përballet me shumë aksidente. Në nëntor, 146 persona janë mbytur gjatë një aksidenti të ngjajshëm në afërsi të Kanpurit, duke u bërë aksidenti më vdekjeprurës në pesë vitet e fundit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump, gjatë janarit takohet me liderët e Britanisë dhe Meksikës 

Posted: 22 Jan 2017 12:46 AM PST

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti Donald Trump do të takohet në Uashington me kryeministren britanike, Theresa May më 27 janar dhe me presidentin meksikan, Enrique Pena Nieto, më 31 janar.  Vizita e May shënon takimin e parë me një lider të huaj për Trumpin prej inaugurimit të tij, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.  Trump ka shprehur përkrahje për May dhe përpjekjet e saj për të larguar Britaninë e Madhe prej Bashkimit Evropian.  Vizita e presidentit meksikan mund të jetë me pak më shumë telashe, pas deklarimeve nga Trump për imigrantët meksikanë, ndërtimin e një muri, dhe plani që Meksika të paguaj për të, ka ofenduar jo pak në atë shtet.  Spicer ka thënë se të dy liderët do të diskutojnë për tregti, imigracion dhe siguri.  Spicer gjithashtu ka thënë se Trump ka biseduar më 21 janar me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau dhe se gjatë ditëve në vijim do të vendoset për një takim. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more