Skip to main content

“Pas murit me Meksikën, vendimi tjetër i Trump, ja shtetet që u kufizohen vizat” plus 9 more - Gazeta Dita

“Pas murit me Meksikën, vendimi tjetër i Trump, ja shtetet që u kufizohen vizat” plus 9 more - Gazeta Dita


Pas murit me Meksikën, vendimi tjetër i Trump, ja shtetet që u kufizohen vizat

Posted: 25 Jan 2017 02:28 AM PST

Bëhet e ditur se sot presidenti amerikan Donald Trump do të nënshkruajë vendime që parashohin ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA të migrantëve nga shumë shtete, ndalimin e përkohshëm të aplikimeve për viza nga gjashtë shtete të tjera krahas Sirisë dhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave amerikane dhe lajmet e bazuara në disa persona në ekipin e afërt të Trump, i cili filloi zyrtarisht detyrën më 20 janar, sot do të nënshkruajë vendime që parashohin kufizime të vizave për migrantë dhe ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Trump gjatë fushatës zgjedhore kishte rekomanduar që "Muslimanët të mos pranohen në SHBA" dhe që më pas kishte thënë se me këtë "ka patur për qëllim procedura më të rrepta të sigurisë". Thuhet se me vendimet që do t'i nënshkruajë do të ndalohet për disa muaj hyrja e migrantëve nga shumë shtete.

Se sa do të jetë periudha e caktuar e ndalimit, e cila në disa media thuhet të jetë "katër muaj", pritet të qartësohet pas shpalljes së vendimit në fjalë.

Në mesin e shteteve janë Siria, Irani dhe Iraku

Po ashtu, u tha se me një vendim të ngjashëm Trump do të pezullojë aplikimet për viza nga shtetet si Siria, Iraku, Irani, Libia, Sudani, Somalia dhe Jemeni, siç thuhet, "derisa të definohen procedura më të rrepta të sigurisë".

Në disa lajme në mediat amerikane theksohet se kjo periudhë do të jetë 30 ditë.

Gjatë fushatës zgjedhore, po ashtu, Trump kishte shprehur nevojën për inspektime më të rrepta të sigurisë ndaj personave që vijnë nga disa shtete muslimane ku ka terroristë", duke thënë se do të sjellë kufizime të vizave për shtetet në fjalë derisa të bëhen rregullimet e nevojshme për pengimin e hyrjes së këtyre personave.

Muri në kufi me Meksikën

Sot pritet që Trump gjithashtu të nënshkruajë një marrëveshje që parasheh ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Në një deklaratë të tij në Twitter të martën, Trump u shpreh: "Nesër kemi planifikuar një ditë të madhe që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Krahas shumë gjërave, do ta ndërtojmë edhe murin".

Parashihet që Trump, i cili gjatë periudhës zgjedhore disa herë kishte thënë se do të ndërtojë mur në kufirin me Meksikën për ta parandaluar hyrjen e migrantëve ilegalë, vendimin për ndërtimin e murit ta nënshkruajë vetëm pesë ditë pas marrjes së detyrës.

Ndryshe, nënshkrimin e parë pas marrjes së detyrës më 20 janar, Trump e hodhi në një vendim i cili parasheh anulimin e ligjit të reformës në shëndetësi Obamacare, i miratuar gjatë periudhës së presidentit pararendës amerikan Barack Obama.

Incidenti në aeroport, Granit Xhaka akuzohet për racizëm

Posted: 25 Jan 2017 02:21 AM PST

Blerja më e shtrenjtë e Arsenalit në merkaton e verës, mesfushori Granit Xhaka po kalon një periudhë jo të mirë te skuadra e futbollit anglez.

Pas daljes me karton të kuq në ndeshjen e fundit të Premier League, lojtari që aktivizohet me kombëtaren e Zvicrës ka rënë sërish prè e nervozizmit, këtë herë në aeroportin "Heathrow" të Londrës.

Policia mori në pyetje Granit Xhakën, pas akuzave se abuzoi mbi baza raciste me një punonjës të stafit në aeroportin më të madh britanik.

Sipas procesverbalit të mbajtur, Xhaka ishte duke përcjellë një shok drejt Gjermanisë, futbollistin shqiptar Leonard Lekaj, por këtij të fundit iu refuzua "check in" në avion, pasi kishte mbërritur vonë në Terminalin 5.

Dëshmitarët thanë se 24-vjeçari nga Kosova ofendoi punonjësin, duke detyruar këtë të fundit të thërriste Sigurimin.

Xhaka u transferua nën shoqërinë e agjentëve në një stacion policor në Londrën perëndimore, për t'u marrë në pyetje, e më pas u la i lirë.

I kontaktuar nga "Telegraph", ekipi i Arsenalit tha se kjo ishte një çështje private, por fakt mbetet që Xhaka ritheksoi sërish një mungesë disipline, këtë herë jashtë fushave të futbollit.

Shitësja: Kërkoi seks, kundërshtova, pronari tentoi të më përdhunonte

Posted: 25 Jan 2017 02:21 AM PST

Një 39-vjeçar, i dënuar dy herë për shfrytëzim prostitucioni, është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka rrahur një vajzë me qëllimin për ta përdhunuar.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në butikun që ai kishte në pronësi te Rruga e Elbasanit, në Tiranë, ku vajzën që tentoi ta përdhunonte e kishte të punësuar si shitëse.

Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se shërbimet e Komisariatit nr.1 arrestuan shtetasin Besim Lami, i dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni.

Burime nga grupi hetimor thanë se ka qenë vetë shitësja me inicialet K.Z., 30 vjeçe, që ka denoncuar në polici rastin, duke thënë se pronari, Besim Lami, i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale dhe pasi ajo nuk kishte pranuar, kishte tentuar ta përdhunonte, raporton "Panorama".

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:30, te butiku ku punonte vajza në pronësi të të dyshuarit.

Menjëherë pas kallëzimit shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë arrestuar të dyshuarin, i cili nga ana e tij i ka mohuar pretendimet e shitëses. Besim Lami rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, i dënuar dy herë për shfrytëzim prostitucioni.

Prokurori i Speciales: Nuk e kërkojmë ne Haradinajn

Posted: 25 Jan 2017 02:15 AM PST

Zyra e prokurorit special për krime lufte në Kosovë, David Schwendiman, nuk ka lëshuar urdhër për arrestimin apo ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi.

Këtë përgjigje i ka dhënë prokurori special pyetjeve të gazetës serbe "Vecernje Novosti", nëse Haradinaj po kërkohet nga kjo gjykatë e re.

"Haradinajn e kanë arrestuar autoritetet franceze me urdhërarrest të Serbisë, të cilën e ka lëshuar vet Beogradi. Kjo nuk është bërë me kërkesën time", ka shtuar ai.

Schwendiman ka thënë se, nuk dëshiron të komentojë hetimet aktuale, si dhe as atë se kush mund të jenë të dyshuarit potencialë ndaj të cilëve mund të ketë aktakuzë, e as kur do të ngrihen këto aktakuza.

“Korrupsioni dhe pabarazia po fuqizojnë populizmin. Shqipëria, përmirësim me 5 vende”

Posted: 25 Jan 2017 02:13 AM PST

 

Transparency International ka bërë publik, të mërkurën, Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 me thirrjen për, siç thuhet, "luftimin e rrethit vicioz të korrupsionit dhe të pabarazisë".

Shqipëria për vitin e dytë me radhë, ndërkaq, ka shënuar përparim në radhitjen e TI-së, duke zënë vendin e 83-të me 39 pikë duke u zhvendosur nga vendi i 88-të ku radhitej një vit më parë.

Në raportin e TI-së thuhet se 69 për qind e 176 vendeve të përfshira në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit kanë shënuar më pak se 50 pikë duke e "bërë të njohur se sa masiv dhe i përhapur është korrupsioni në sektorin publik në gjithë botën".

Në bazë të raportit për vitin 2016, Kosova radhitet e 95-ta në një nivel me Argjentinën, Sri Lankën, El Salvadorin, Maldivet dhe Beninin.

Kosova ka marrë 36 pikë nga 100 të mundshme, duke bërë përparim në krahasim me një vit më parë kur është radhitur në vendin e 103-të me 33 pikë gjithsej.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkaq rënë për disa pozita në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që Maqëdonia ka shënuar rënien më të madhe nga vendet e tjera.

Serbia është radhitur e 72-ta, Mali i Zi i 64-ti, Bosnja e Hercegovina e 83-ta që në krahasim me një vit më parë ka rënë nga pozita e 76-të.

Maqedonia është radhitur e 90-ta me 37 pikë gjithsej, duke shënuar rënien më të madhe nga të gjtitha vendet e rajonit, meqë një vit më parë qëndronte në vendin e 66-të.

Në raportin e tij Transparency International thekson se korrupsioni sistematik dhe pabarazia sociale "fuqizojnë njëra-tjetrën duke çuar drejt një zhgënjimi të përgjithshëm me institucionet dhe duke siguruar një terren pjellor për ngritjen e politikanëve populistë".

"Korrupsioni dhe pabarazia ushqejnë njëri tjetrin, krijojnë një rreth vicioz ndërmjet korrupsionit, shpërndarjes së pabarabartë të fuqisë në shoqëri dhe njëkohësisht edhe shpërndarjen e pabaratë të pasurisë në shoqëri"

Në raport bëhet një krahasim ndërmjet Hungarisë dhe Turqisë dy vende që, sic thuhet, kanë parë "ngritjen e liderëve autokratë" por kanë shënuar rënie në indeks të korrupsionit, ndërkohë që Argjentina që, sic thuhet, ka "rrëzuar një qeveri populiste" po shënon hapa përparimtarë.

Në raport thuhet se janë me urgjencë "reformat e thella që pabarazinë në rritje ndërmjet pushtetit dhe pasurisë e ndryshojnë përmes fuqizimit të qytetarëve për të ndalur mosndëshkueshmërinë e përhapur për korrupsionin, i mbajnë llogaridhënës të pushtetshmit dhe marrin pjesë në vendimet që prekin jetën e përditshme të tyre"

Në Indeksin e vitit 2016, Danimarka sërish ka dalë e para së bashku me Zelandën e Re me 90 pikë, të ndjekura nga Finlanda me 89 dhe Suedia me 88.

Performuesit e mirë kanë nivele të larta të lirisë së shtypit, qasje në informacione të buxhetit, nivele të larta të integritetit mes njerëzve në pushtet, gjyqësor që nuk bën dallime midis të pasurve dhe të varfërve dhe të pavarur nga pjesa tjetër e qeverisë.

Në fund të Indeksit për të dhjetin vit me radhë ndodhet Somalia me vetëm dhjetë pikë e ndjekur nga Sudani Jugor me 11 dhe Koreja e Veriut me 13 pikë.

Alarmi i Thaçit: Po armatosen serbët e veriut, po krijohen njësi paramilitare si në Krime

Posted: 25 Jan 2017 02:02 AM PST

Serbia: Ajo kërcënon me destabilizimin e Kosovës. Dialogu: Duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës. Skenari i Krimesë në veri… janë vetëm disa nga temat, për të cilat flet presidenti Hashim Thaçi me Deutsche Wellen.

Deutsche Welle: Zoti president, cilat janë pritjet tuaja nga kjo fazë e dialogut dhe cilat janë temat që do të shqyrtoni?

Hashim Thaçi: Nuk është specifikuar për këtë takim ndonjë temë e veçantë, por unë do të kërkojë nga zonja Mogherini që të jetë e qartë dhe e saktë në raport me Beogradin. Beogradit duhet t’i bëhet presion i fuqishëm që të mos cënojë edhe më tutje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Beogradi duke parë heshtjen e Brukselin, po inspirohet edhe më shumë në planet e tij për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkangjitjen e saj me Serbinë. Diçka e tillë nuk do të ndodhë, sepse Kosova do t’i përgjigjet me fuqinë e saj kushtetuese dhe ligjore çdo pretendimi për agresion të Serbisë.

DW: Ju keni thënë se nga kjo fazë e dialogut nuk pritet shumë. Pse?

Thaçi: Unë dua që të ndodhë një marrëveshje e madhe politike,  që do të çonte deri tek normalizimi i raporteve Kosovë – Serbi, si shtete dhe të ndodhë procesi i pajtimit shqiptaro – serb. Por në të njëjtën kohë ne si Kosovë duhet të jemi të përgatitur që t'i përgjigjemi planeve ogurzeza të Serbisë, për aneksimin dhe ndarjen e Kosovës. Beogradi është bërë sërish epiqendër e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me pretendimin për krijimin e Serbisë së Madhe. Mendoj se është momenti që BE të tregojë zotësi, sepse Serbia nuk mund të jetë pjesë e familjes evropiane dhe të sillet me idetë, mendimet dhe pretendimet e Sllobodan Millosheviqit.

DW: Cilat tema duhet të trajtohen në këtë fazë të dialogut, sepse marrëveshjet e arritura deri tani nuk janë realizuar?

Thaçi: Marrëveshja e arritur në prill të vitit 2013 ka qenë një marrëveshje e paqës. Shumica e marrëveshjeve janë realizuar, por tani është momenti që ky proces të avancohet në nivelin më të lartë dhe të përmbyllet procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona.

DW: Mendoni se ka ardhur koha e trajtimit të njohjes së Kosovës si shtet nga Serbia, apo kanë mbetur edhe gjëra të tjera që kanë prioritet?

Thaçi: Nuk kemi çfarë të bisedojmë për gjëra të tjera. Jemi dy vende sovrane dhe për gjërat tona të brendshme nuk do të bisedojmë me Serbinë në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë që Serbia të manipulojë dhe viktimizojë serbët e Kosovës për qëllime të veta politike apo ekspansioniste. Ata janë qytetarë tanë. Por unë mbetem ithtar i dialogut dhe bashnkëpunimit, me qëllim që këto shtete të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Pa fqinjësi dhe bashkëpunim të mirë mbi bazat e vlerave demokratike nuk mund të ketë anëtarësi  në këto organizma.

DW: Kohët e fundit është kërkuar shumë ndërprerja e dialogut me Serbinë, sepse nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Kjo është thënë në veçanti në kuadër të debatit pas arrestimit të Ramush Haradinaj. Do të trajtohet edhe çështja e fletëarresteve në këtë dialog?

Thaçi: Askush nuk duhet të pres që unë të ndikojë tek Begoradi për fletëarreste, sepse edhe unë vetë jam në fletëarrestet e Serbisë, jam ndaluar sikur dhe shumë komandantë dhe bashkëluftëtarë të mi. Këtë autoritet e ka vetëm BE-ja, e cila duhet të jetë e prerë në kërkesat që Serbia të ndërpresë provokimet ndaj Kosovës dhe të ndërpresë agjendën për destabilizimin e Kosovës. Ndaj BE-ja duhet të jetë më e fokusuar në kërkesat që Beogradi të heqë ato fletëarreste, sepse janë nga periudha e Sllobodan Millosheviqit dhe janë nga koha kur Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Por e përsëris, Serbia e ka humbur luftën në Kosovë, e ka humbur betejën në negociata dhe sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Tani Serbia pretendon që ta prezantojë Kosovën para botës si një shtet i dështuar. Kosova është shtet i konsoliduar, storje suksesi dhe Serbia do ta humbë edhe këtë betejë.

DW: Kohët e fundit në Kosovë kanë ndodhur disa gjëra jo të këndshme, siç ishte muri në Mitrovicë, treni laraman, arrestimi i Haradinajt… Ka pasur madje edhe spekulime për konflikte të armatosura. Sa realist është ky skenar?

Thaçi: Të gjitha këto incidente janë të njëpasnjëshme dhe të lidhura mes vete, të provokuara direkt nga Beogradi – muri, arrestimet dhe treni. Muri është çështje e Kosovës dhe Kosova duhet ta heqë në tërësi këtë muri. Nuk guxon të ekzistojë një mur i këtillë në Mitrovicë dhe këtë çështje nuk do ta diskutojmë fare me Beogradin. Sa i përket trenit ai ishte me motive të qarta provokuese për Kosovën dhe i inspiruar me modelin rus, por vendosmëria e Kosovës bëri që ai tren të mos i afrohet kufirit te Republikës së Kosovës. Ndryshe, sikur të afrohej, nuk mund të them se nuk do të fillonte ndonjë konflikt i armatosur. Kosova ka qenë e gatshme t’i përgjigjet në mënyrë shtetërore këtij provokimi. Ne kemi informacione se në tren ka pasur armatim dhe njerëz paramilitarë me qëllim që të futen në Kosovë dhe destabilizojnë Kosovën. Njëkohësisht e njohim edhe planin serb për ndarjen e Kosovës, por e dimë po ashtu se Serbia po i armatos serbët në veri.

DW: Keni ju dëshmi konkrete për këto pohime, për armatimin e serbëve të Kosovës, sepse një gjë e tillë është shumë e rrezikshme dhe vërtetë mund të çojë deri te  konfliktet?

Thaçi: Definitivisht, Serbia është duke përdorur modelin rus në Ukrainë. Po dërgon civilë, por edhe njerëz me uniforma në veri dhe është duke armatosur serbët me armë dore, por edhe me armë të tjera, në mënyrë që të jenë të përgatitur për t'u mbrojtur nga kinse sulmet shqiptare. Por unë i ftoj serbët që të mos bien pre e politikës nacionaliste të Beogradit, të një politike, e cila i ka shkaktuar dhimbje të mëdha serbëve edhe më parë. Në vend të thirrjeve të Serbisë për luftë, unë serbëve të Kosovës ju bëj thirrje për paqë dhe dialog. Në vend të thirrjeve për ndarje etnike dhe territoriale, unë ju bëj thirrje për integrime në NATO dhe BE.

DW: Këto ditë edhe nga intelektualë të njohur në Kosovë janë dëgjuar propozime për ndarjen e Kosovës. Ekziston ky skenar si mundësi?

Thaçi: Jo, ne jemi kundër ndarjeve, sepse ndarjet janë vetëm hyrje në koncepte të rrezikshme që mund të përfshijnë tërë Ballkanin Perëndimor. Kosova angazhohet për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.

DW: Heqja e murit ka qenë e parashikuar për datën 20 janar, por kjo nuk ka ndodhur. Kur do ta hiqni murin në Mitrovicë dhe a keni frikë se atje mund të ketë konflikte?

Thaçi: Muri duhet të hiqet, është dashur të hiqet dje, por duhet të hiqet sa më parë që është e mundur, sepse nesër mund të jetë vonë.

DW: Kur do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse këtë obligim e keni marrë Ju në Bruksel?

Thaçi: Kosova i ka marrë obligimet e veta dhe kjo është pika e parë në marrëveshjen e arritur në vitin 2013. Asociacioni është e drejtë kushtetuese dhe ligjore, për të cilin e ka dhënë mendimin edhe Gjykata Kushtetuese. Me rëndësi për ne është të respektojmë ligjet dhe Kushtetutën. Ky asociacion nuk do të ketë fare mandat legjislativ dhe ekzekutiv, por do të mundësojë bashkëpunimin e komunave, sikur që mundëson edhe asociacioni i komunave me shumicë shqiptare.

DW: Kur do të themelohet ky asociacion, sepse kjo marrëveshje është kundërshtuar shumë në parlament dhe në rrugë?

Thaçi: Ne shtetin nuk mund ta ndërtojmë vetëm me hapa elektoral apo politikë ditore. Ne shtetin do ta konsolidojmë vetëm duke marrë vendime madhore në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnike për një Kosovë demokratike dhe multietnike. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e rrezikon Kosovën. Përkundrazi formimi e rrezikon agjendën e Serbisë dhe futjen e serbëve të Kosovës në agjendat e Beogradit.

DW: Çfarë prisni nga BE dhe Gjermania për zgjidhjen e këtyre tendosjeve në Ballkan, sepse tendosje ka jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje, Maqedoni dhe vende të tjera?

Thaçi: BE nuk është duke treguar lidership dhe vision në raport me Ballkanin Perëndimor. Brukseli është duke u vonuar dhe këtë hapësirë po e shfrytëzojnë elementet antievropianë. Ndërsa Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm pozitiv, konkret dhe vizionar. Mendoj se BE duhet të ketë një politikë kohezive përballë sfidave në Ballkan. Pikërisht kjo vonesë e BE ka krijuar pakënaqësi dhe e ka ngritur tonin nacionalist në Beograd, ndërsa ne duhet t’i përgjigjemi atij si vend i pavarur dhe sovran. BE duhet përfundimisht të fillojë të trajtojë Kosovën si vend sovran.

DW: Zoti president, si do të ndikojë marrja e postit të presidentit të SHBA nga Donal Trump, sepse ka zëra që thonë se ai do të tërheqë trupat nga Ballkani dhe këtë rajon do ta lë nën influencën ruse?

Thaçi: Unë pak ditë më parë kam qenë në Uashington dhe kam biseduar me senatorë, kongresmenë dhe miq të Kosovës. Kam biseduar edhe me njerëz nga administrata e presidentit Trump. Një gjë mund të konfirmoj dhe të sigurojë qytetarët e Kosovës: SHBA punon si një sistem dhe mbi bazën e vlerave. Neve na kanë konfirmuar se SHBA do të vazhdojë të ketë vëmendjen tek Ballkani dhe Kosova. Dhe në asnjë mënyrë, gjithë ai investim i viteve të fundit nuk do të vihet në pyetje. Përkundrazi, do të kemi një pragmatizëm të qartë sa i përket ruajtjes së paqëe, stabilitetit dhe fuqizimit të frymës euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do ta ketë një theks të veçantë.

DW: Do të thotë ky është një premtim dhe jo supozim? Keni ju premtime nga administrate ameikane se nuk do të tërhiqen trupat nga Ballkani dhe Kosova?

Thaçi: Unë kam besim të plotë dhe kam pasur diskutime serioze ku është thënë se SHBA do të vazhdojë interesimin e fuqishëm për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe nuk do të lejohet hapësira, të cilën e ka lejuar BE për elementë antievropianë në këtë rajon.

DW: Sa e fuqishme është influence ruse aktualisht në veri të Kosovës, sepse ditët e fundit ka pasur informacione madje edhe për kapjen e spiunëve rusë atje?

Thaçi: Serbia është duke shfrytëzuar stilin, metodat dhe format ruse sikur në Ukrainë. Dhe atje janë futur edhe rusë, të cilët janë duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin dhe janë duke përgatitur njësi paramilitare, ende pa uniforma, por të armatosur me armë moderne të dorës. Kjo po bëhet direkt nga autoritetet e Beogradit.  Unë e kam ngritur këtë shqetësim edhe në BE dhe heshtja e tyre është shqetësuese. Një vonim i tillë ka ndodhur dikur edhe në Bosnje në vitet 90-të, një heshtje e tillë ka ndodhur edhe në Kroaci dhe Kosovë dhe i kemi parë pasojat. Ndaj BE duhet të kujtojë sjelljet e Beogradit nga kohërat e mëparshme, të cilat nuk dallojnë nga ato të sotmet.

DW: Këto informacione janë nga shërbimet e Kosovës apo dhe shërbime të tjera?

Thaçi: Këto janë informacione të sakta, të vërtetuara dhe të konfirmuara. Këto informaicone i kanë edhe autoritetet evropiane në Kosovë. Ndërsa përveç uniformës së NATO-s në Kosovë, ne çdo uniform tjetër do ta konsiderojmë si pushtuese dhe armiqësore dhe do ta marrë përgjigjen kushtetuese dhe ligjore dhe me forcën e shtetit.

DW: Zoti president, homogu juaj serb, Tomisllav Nikoliq ka paralajmëruar se në rast vrasjeje të ndonjë serbi, do të dërgojë ushtrinë në Kosovë. Keni frikë nga konfliktet ushtarake?

Thaçi: Presidenti Nikoliq ka ardhur në Kosovë edhe në vitin 1999, por ka ikur me bisht nën shalë. Çdo ardhje e trupave serbe në Kosovë do të përfundojë siç ka përfunduar edhe ushtria dhe policia e Sllbodoan Millosheviqit. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë cënimin e sovranitetit të Kosovës.

DW: Zoti president, prej fillimit të këtij viti ka nisur punën edhe Gjykata Speciale. Do t’i përgjigjeni ju kërkesave për bashkëpunim me këtë Gjykatë?

Thaçi: Qëndrimi i shtetit të Kosovës është i qartë: Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Këtë barrë të rëndë Kosova duhet ta largojë nga vetvetja dhe duhet të bashkëpunojë edhe me këtë insitucion. Politika duhet të largohet nga ky proces dhe duhet t’i hapë rrugë drejtësisë.

DW: Mendoni se të gjithë do t’i përgjigjen këtij bashkëpunimi, sepse në opinion spekulohet se edhe Ju jeni në listën e të akuzuarve të mundshëm?

Thaçi: Unë mendoj se ka qenë vendim i drejtë për shtetin që të krijohet kjo Gjykatë, ndonëse i kuptoj ata që e kundërshtojnë. Ky proces nuk duhët të individualizohet, sepse është përgjegjësi shtetërore e çdo qytetari të Kosovës që të jetë i përgjegjshëm për sfdidat që na presin. Por ne duhet t’i besojmë drejtësisë. Ne kemi përvojën e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe me gjykatat në Kosovë. UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe e ka çliruar Kosovën.

DW: Si njeri që keni qenë në të gjitha proceset e dy dekadave të fundit, mendoni se vërtetë ka pasur trafikim organesh gjatë luftës?

Thaçi: Në asnjë rrethanë nuk mund të them që ka ndodhur një gjë të tillë, por nuk mund të them se nuk ka pasur keqpërdorime të uniformës së UÇK. Dua të them se në ditën e parë pas luftës në Prizren ka pasur vetëm rreth 400-500 ushtarë. Ndërsa vetëm tri ditë pas çlirimit të Kosvës kanë arritur rreth 5000 persona me uniforma nga Shqipëria. Kështu që ka pasur sjellje të pa pranueshme dhe të pa pëlqyeshme, aspak etike për normat e procesit demokratik.

Çfarë ka qenë Metohu?

Posted: 25 Jan 2017 01:57 AM PST

I nderuar lexues!

Në periudhën mesjetare bizantine, metohu ka qenë manastir i vogël ose një kishë me prona, ara, kopshte, vreshta etj. Zakonisht ishte në vartësi të një manastiri të madh që ishte njëkohësisht edhe pronar i tij. Në trevat shqiptare metohet përmenden në shek.XIV në krahinat verilindore, po edhe në jug si p.sh. në krahinën e Kolonjës më 1336. Termi "metoh" ekziston edhe sot si toponim në krahina të ndryshme. Emërtimi Metohi i krahinës së Rrafshit të Dukagjinit ka lidhje me këtë lloj prone.

Arsyet pse nuk duhet të pini ujë gjatë ngrënies

Posted: 25 Jan 2017 01:52 AM PST

Janë të shumtë njerëzit që pinë ujë gjatë kohës që janë duke ngrënë. Një sjellje e tillë nuk është aspak e shëndetshme dhe duhet eleminuar sa më parë, edhe pse duket shumë e vështirë në fillim.

Faza e parë e procesit të tretjes së ushqimit fillon në gojë. Gjatë kohës që është në gojë, ushqimi duhet të jetë 25% gati për tretje para se të arrijë në stomak, këtë gjë e bëjnë të mundur dhëmbët. Por shumë njerëz hanë me nxitim dhe nuk e copëtojnë ushqimin aq sa duhet, dhe ata nuk e mendojnë se pasojat e këtij veprimi i vuan trupi.

Kur ushqimi copëtohet në mënyrën e duhur, goja prodhon sasi të mjaftueshme të pështymës, që e ndihmon ushqimin të shkojë me lehtësi në stomak. Pështyma kryen funksionin e ujit pasi ajo përmban 98% ujë dhe 2% enzima tretëse, dhe bën që procesi i tretjes të jetë më i lehtë, dhe gjithashtu vret disa nga bakteret që gjenden në ushqimin që ne konsumojmë.

Kur ju pini ujë ndërkohë që jeni duke ngrënë, goja ul sasinë e pështymës që prodhon, gjë që sjell vështirësi në procesin e tretjes.

Sa më mirë që ta përtypni ushqimin aq më i lehtë do të jetë procesi i tretjes.

Pasi është kapërcyer, ushqimi shkon në stomak, aty prodhohen disa enzima tretëse dhe lëngje gastrike, të cilat shërbejnë për të tretur ushqimin që ne konsumojmë, një nga këto acide është edhe acidi hidroklorik i cili vret bakteret që ndodhen në ushqim.

Procesi i tretjes së ushqimit zgjat 2 orë dhe shpejtësia e tij zgjatet në rast se ju konsumoni ujë gjatë ngrënies. Kur lëngjet gastrike përzihen me ujin, ato hollohen dhe është më e vështirë për stomakun ta tresë ushqimin në këtë gjendje.

Living

Rama zbulon se çfarë po ndodh me “Rrugën e Arbrit”

Posted: 25 Jan 2017 01:47 AM PST

Në takimin e djeshëm me kryebashkiakët e vendit, Kryeministri Rama u ndal edhe tek Rruga e Arbrit, duke treguar se çfarë ështe duke ndodhur aktualisht me këtë projekt.

"Përfitoj nga rasti të them që Rruga e Arbrit është në procedurë. Komisioni duhet gjatë kësaj jave ta mbylli fazën e parë të procesit dhe të hyjmë në fazën e dytë. Është projekti i parë që do realizohet me Programin "një miliardë" të Rindërtimit dhe kam shumë besim qëshumë shpejtë do të fillojë puna edhe për rrugën e Arbrit", tha Rama.

Ndërsa puna për Rrugën e Arbrit ka vite që zvarritet, me deklaratën e tij, Rama vendosi për herë të parë një afat konkret për përfundimin e kësaj rruge me një rëndësi të madhe strategjike.

Programi i Rindërtimit, një paketë investimesh prej një miliardë eurosh do të zbatohet gjatë tre viteve të ardhshme, ndërsa punimet për Rrugën e Arbrit pritet të përfundojnë brenda 2018-s.

Kjo paketë madhore investimesh parashikon rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin, rikonstruksionin e 100 shkollave, ndërtimin e 10 poliklinikave moderne dhe një spitali multifunksional në qytetin e Fierit.

Ferguson: Manchester United tani pasqyron Mourinhon

Posted: 25 Jan 2017 01:46 AM PST

Sir Alex Ferguson beson se Jose Mourinho është duke ndërtuar me sukses një ekip te Manchester United, që është pasqyrë e vetë portugezit. Në fakt, Mourinho pati një fillim të ngadalshëm në marrjen e frenave në "Old Trafford", teksa u shfaq në të njëjtën rrugë vuajtjesh me paraardhësit e vet, David Moyes dhe Louis van Gaal.

Por, Manchester United është përmirësuar shumë në muajt e fundit dhe nuk ka pësuar humbje të brendshme që nga disfata 4-0 kundër Chelsea, në tetor. "Djajtë e Kuq" fituan nëntë ndeshje radhazi në të gjitha garat dhe tani ndodhet dy pikë prapa vendit të katërt në renditje, që mbahet nga Manchester City në Premier League.

Ferguson beson se ringjallja e Manchester United mund të kreditohet nga Mourinho gradualisht, sepse portugezi po imponon vlerat e tij dhe po i jep identitet ekipit: "Manchester United po kthehet në pasqyrë të trajnerit të tij, – ka thënë 75-vjeçari për BBC Sport. – Ai po luan me energji të madhe, vendosmëri dhe vullnet për të fituar, çka mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme. Unë mendoj se Mourinho do të jetë i frymëzuar nga ecuria e ekipit."

Ferguson, i cili mbetet drejtor te Manchester United, thotë se përmirësimi i lehtë mund të reflektohet në një pozicion më të lartë në Premier League: "Unë mendoj se ka bërë me të vërtetë mire. Edhe për trajnerin, është si një lojtar, që vjen te Manchester United, nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për të ardhur në "Old Trafford" dhe transformuar klubin e kohës time. Me të vërtetë nuk është e lehtë. Mendoj se Louis van Gaal bëri një punë të mire, ndërsa Jose është duke bërë një punë të madhe."

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more